Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e katërt
Memorie.al /Edhe pse ishte udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste për 40 vite me radhë, duke e qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij nga 1945-sa, deri kur vdiq në 11 prillin e ’85-ës, por edhe pas vdekjes së tij e, deri në shembjen e regjimit komunist në fillimin e vitit 1991, nuk u botua kurrë një biografi zyrtare e plotë për Enver Hoxhën, ndonëse vetë ai la të shkruar një seri veprash me rreth 80 vëllime. Madje as pas viteve ’90-të e deri më sot, nuk është botuar ende një biografi për ish-diktatorin komunist Enver Hoxha, e cila të jetë e bazuar mbi dokumente arkivore që të hedhin dritë mbi origjinën e hershme të familjes, me pemën gjenealogjike të saj, si dhe një jetëshkrim të tij, nga dita që lindi e, deri kur vdiq…! Kjo me sa duket, edhe për faktin se gjatë gjithë jetës së tij, ka pasur shumë dritë hije, madje shumë njolla të errtë, të cilat bënë që ai vetë të mos jepte kurrë miratimin për botimin e një biografie të tij në një libër të veçantë, edhe pse ato biografi kanë ekzistuar në të vërtetë. Madje tre të tilla dhe me autorë të ndryshëm, të cilat gjenden edhe sot në fondin personal të Enver Hoxhës, në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.
Biografia e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u bë publike në vitin 1946, në kuadrin e “popullarizimit” të figurës së tij, si “udhëheqësi kryesor dhe sekretar i parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-çlirimtare me gradën gjeneral-kolonel, kryetar i kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë, kryeministër i qeverisë shqiptare, ministër i Mbrojtjes Popullore dhe ministër i Punëve të Jashtme”. Siç shihet dhe në faksimilet përkatëse bashkangjitur këtij shkrimi, kjo biografi e cila është një libërth i vogël me 58 faqe, botuar në Shtypshkronjën “Rinia” (ish-shtypshkronja “Gutenberg”) në fletën e parë (pas kopertinës ngjyrë vishnje të errët dhe fotos së Enver Hoxhës me uniformën ushtarake të gjeneralit e medaljet në gjoks), ka të shkruar me gërma kapitale: “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”. Ajo biografi e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u përgatit për botim nga punonjësit sektorit të Agjit-Propit (Agjitacion e Propagandës) pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, por në të vërtetë hartuesi dhe autori i saj, ishte kapiteni i parë, Ndreçi Plasari, emri i të cilit nuk figuron në librin në fjalë, por gjendet i shkruar me shkrimin e tij në fletën e parë të materialit të daktilografuar që u dërgua për shtyp.
Libri, apo më saktë broshura “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”, fillon me një përshkrim të qytetit të Gjirokastrës ku lindi Enveri më 16 tetor 1908 dhe vazhdon me disa paragrafë mbi historinë e familjes Hoxha, (gjë e cila zë vetëm dy faqet e para), ndërsa e gjithë pjesa tjetër i kushtohet rolit të tij (Enverit) gjatë periudhës së “Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare” me disa nga ngjarjet kryesore të saj, (themelimi i PKSH-së, Konferenca e Pezës, Mbledhja e Labinotit dhe krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare më 10 korrik 1943, Marrëveshja e Mukjes, Kongresi i Përmetit etj.), duke përfunduar me 11 janar 1946, me ngjarjen e shpalljes së Republikës. As sot nuk dihet me saktësi, se përse ajo broshurë me biografinë e parë zyrtare të Enver Hoxhës (ku mungon pothuajse fare një jetëshkrim i tij për periudhën e Monarkisë së Zogut), e cila e gloriofikon figurën dhe rolin e tij, (apo familjes Hoxha), që nga periudha e fëmijërisë, e deri në atë kohë që u botua, u hoq menjëherë nga qarkullimi, (thuhet pas dy-tre muajsh) dhe nuk u përdor kurrë më as për referenca, në libra, albume, apo dhe vepra të tjera kushtuar figurës së tij.
Sepse që nga ajo kohë e më pas, Enver Hoxha filloi eliminimin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, (anëtarë të Byrosë Politike, ministra, deputetë, etj.), duke i burgosur, internuar apo ekzekutuar dhe libri në fjalë më biografinë e tij, nuk mund të qarkullonte më me emrat e “armiqve të popullit”. Biografia e dytë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1950 (15.VI.1950) dhe ajo ka për autor Misto Treskën, njeri i afërt dhe shumë i besuar i Enver Hoxhës, që nga periudha e Liceut francez të Korçës dhe Grupit Komunist të atij qyteti ku ai ishte anëtar, i cili gjatë periudhës së Luftës ishte komisar politik i Batalionit partizan “Reshit Çollaku” dhe pas vitit 1944, u gradua major, duke u caktuar si prokuror dhe anëtar i trupit gjykues në Gjyqin Special të vitit 1945, i cili dënoi me vdekje ish-kryeministrin Maliq Bushati dhe anëtarët e Regjencës, Lef Nosi e Patër Anton Harapi..
Ashtu si dhe biografia e shkruar nga Ndreçi Plasari në vitin 1946, edhe ajo e Misto Treskës, e cila ka 238 faqe me shkrim dore dhe të njëjtin titull (“Enver Hoxha, një biografi e shkurtër”), e glorifikon jashtë mase figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, në të gjitha periudhat kohore që trajtohen aty. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që ajo biografi e shkruar prej Misto Treskës për Enver Hoxhën, jo vetëm që nuk u botua kurrë, por as nuk u daktilografua me makinë shkrimi, si biografia e vitit 1946 e Ndreç Plasarit, apo dhe tjetra që u shkrua më pas. Po kështu, nuk dihet me saktësi nëse ky “shërbim” që i bëri Misto Treska udhëheqësit kryesor të Shqipërisë, Enver Hoxhës (me të cilin kishte njohje edhe nga periudha e studimeve në Francë), ndikoi në karrierën e tij të mëvonshme, ku ai shërbeu si jurist, përkthyes, autor librash, diplomat, ambasador i Shqipërisë në Francë, Belgjikë etj., si dhe kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, ku dhe doli në pension në vitin 1981.
Po kështu e njëjta gjë edhe për profesor Ndreçi Plasarin, historian dhe studiues i cili gjatë regjimit komunist mbajti poste të rëndësishme akademike e politike, duke qenë për një kohë të gjatë edhe nëndrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, i drejtuar nga Nexhmije Hoxha. Në ato detyra, profesor Plasari shërbeu deri në vitin 1982, kur u godit nga Partia, i akuzuar si “njeri i Mehmet Shehut, që ishte dërguar prej tij deri në arkivat britanike për të fryrë kultin e tij (Mehmetit) dhe kishte fshehur dokumentet që vërtetonin se Mehmet Shehu kishte qenë agjent i Inteligjent Servisit”! Biografia e tretë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1969 dhe ajo ka për autor Aqif Selfon, shok i ngushtë i fëmijërisë dhe rinisë me Enverin dhe fqinj i tij në qytetin e Gjirokastrës e, më pas në Liceun francez të Korçës, ku studiuan së bashku dhe Selfo shërbeu për disa kohë edhe si kujdestar konvikti pranë atij liceu. Në faqen e parë të asaj biografie, shkruhet; “Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj dhe një jetëshkrim i shokut Enver Hoxha, për periudhën 1908-1930 dhe 1931-1939, 6.1.1969, nga Aqif Selfo”.
Ajo biografi, apo më saktë një jetëshkrim, siç e ka titulluar vetë autori i saj, (ka 124 faqe me shkrim dore, ndërsa të daktilografuara 82 faqe), ashtu si dhe ato të Ndreçi Plasarit dhe Misto Treskës, nga fillimi në fund, e glorifikon figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, madje me shtrembërime dhe falsifikime të ngjarjeve dhe fakteve historike. (Si p.sh., në fq. 46 të kujtimeve të tij, Aqif Selfo midis të tjerash shkruan se: “Enveri u nis për në Belgjikë, u vendos në Bruksel dhe filloi detyrën e sekretarit të Konsullatës. Ai qëndroi këtu pjesërisht në vitin 1934, tërë vitin 1935 dhe pjesërisht në vitin 1936. Krahas detyrës së sekretarit të Konsullatës shqiptare në Bruksel, Enveri vazhdoi edhe studimet në fakultetin juridik dhe dha provimet e vitit të dytë”. Ndërsa në një dokument tjetër arkivor që ndodhet po në fondin e personal të Enver Hoxhës, diplomati shqiptar Nos Qosja që shërbente në ambasadën tonë në Paris, midis të tjerash shkruan: “Gjatë vizitës time në Belgjikë me shokun Harrilla Kola, ne shkuam në Universitetin e Brukselit (Fakulteti i Drejtësisë) dhe pyetëm e konstatuam: Shoku Enver është regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë për vitin akademik 1934-1935. Në arkivin e atij fakulteti, ekziston kartela me këto të dhëna;
HOXHA Enver
Viti akademik 1934-1935
Datëlindja; 3 tetor 1908 (Gjirokastër)
Numri i regjistrit; 2821
Adresa e tij; “Legation d’Albania 155 Rue de la Loi, Bruksel”.
Kartela është e bardhë, nuk figuron që të ketë dhënë ndonjë provim”.
Paris, 22 shkurt 1969 Nos Qosja
Nga sa thuhet edhe tek dokumenti arkivor në fjalë, (i cili kondicion me periudhën kur është shkruar dhe biografia e Enverit nga Aqif Selfo), rezulton se Enver Hoxha nuk ka dhënë asnjë provim në Fakultetin e Drejtësisë së Brukselit, gjë e cila hedh poshtë atë që shkruan Aqif Selfo, se “Enveri dha provimet e vitit të dytë”! Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore, që ato “Kujtime” nuk u botuan kurrë si libër, pasi në periudhën që u shkruan, jetonin ende shumë nga shokët dhe bashkëmoshatarët e Enverit dhe Selfos, (në burgjet politike apo të lire), si nga periudha e fëmijërisë së tyre në qytetin e Gjirokastrës, ajo e Liceut të Korçës, apo dhe studimeve në Francë. Por edhe pse ato “Kujtime” nuk e panë kurrë dritën e botimit, me shumë gjasa i shërbyen autorit të tyre Aqif Selfo, si një mburojë për një jetë të qetë (ai punoi si mësues në Tiranë në gjimnazin “Qemal Stafa”, deri sa doli në pension), ndryshe nga dy kushërinjtë e tij, Riza dhe Syrja Selfo, të cilët Enveri i arrestoi dhe i pushkatoi, edhe pse ata e gjithë familja Selfo, e kishin ndihmuar me të holla, gjatë periudhës së Luftës, 1939-1944.
Mbi bazën e këtyre tre biografive, në vitin 1978, u botua një libër apo më saktë një tip broshurë me titull: “Enver Hoxha, udhëheqës i dashur i popullit shqiptar”- (Material për biseda, me rastin e 70 vjetorit të lindjes), ku në faqen e parë pas kopertinës, shkruhet: “Përgatitur nga sektori i edukimit marksist-leninist, pranë K.Q. të PPSH. – Në ndihmë të agjitatorëve dhe të propagandistëve”. Libri në fjalë është botuar nga Shtëpia Botuese “8-Nëntori” në Shtypshkronjën “Mihal Duri” në Tiranë. Fakti që këto tre biografitë e Enver Hoxhës ndodhen në fondin e tij personal, madje dhe me ndërhyrje e korrigjime nga persona të tjerë, në mos janë bërë me porosinë e tij, me shumë gjasa janë shkruar me miratimin e Enverit. Gjithsesi këto mbeten në kuadrin e hipotezave ku ka vend për të investiguar më gjatë, por në këtë shkrim po publikojmë fillimisht biografinë e Enver Hoxhës, e cila është shkruar nga Aqif Selfo, e cila publikohet për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse në disa numra, nga Memorie.al.
DOKUMENTI ARKIVOR I NXJERRË NGA FONDI PERSONAL I ENVER HOXHËS QË NDODHET NË ARKIVIN QENDROR TË SHTETIT, ME KUJTIMET E SHKRUARA NGA AQIF SELFO, MBI ORIGJINËN E FAMILJES HOXHA DHE NJË JETËSHKRIM TË ENVER HOXHËS
Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj, dhe jetëshkrimi i shokut Enver Hoxha për periudhën 1908–1930 dhe 1931 – 1939
Nga Aqif Selfo
6.1.1969
Ajo e tregoi guximin e saj në kohën e veprimtarisë patriotike të Hysen Hoxhës para vitit 1908, kur shumë patriotë mblidheshin, fshehurazi, në shtëpinë e tyre. Edhe më vonë ajo ishte ndihmëse e Hysen Hoxhës, në ditët e mira e të këqia. Gjulo Hoxha, me guximin e saj, bëri shumë edhe kur iu dogj shtëpia: ajo duke përballuar rrezikun shpëtoi fëmijët e saj. Gjulo Hoxha ka mbajtur një qëndrim burrëror edhe më vonë: në të këqijat e njëpasnjëshme që e goditën, gjendja e keqe ekonomike, vdekja e djalit të madh në lulen e rinisë etj. Gjatë Luftës Nacional-çlirimtare, kur i biri, Enveri u hodh në ilegalitet, ajo me guxim qëndronte e patundur përpara rrezikut që e kërcënonte familjen e saj nga çasti në çast. Këtë qëndrim ajo mbajti gjatë gjithë kohës së luftës deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Gjulo Hoxha, pas çlirimit në një moshë të thyer mbahej shumë mirë. Ajo edhe këto vjetët e fundit, për moshën që ka, mbahet për bukuri.
Enveri në periudhën 1908-1930
Në këtë familje lindi më 16 tetor 1908 Enveri. Vjetët e foshnjërisë Enveri i kaloi në shtëpinë në lagjen “Palorto” deri në vitin 1916 kur shtëpia u dogj aksidentalisht. Kurse vjetët e shkollës fillore kanë qenë të çrregullta, se e tillë ishte edhe gjendja e Gjirokastrës dhe e gjithë vendit tonë. Enveri shkoi në shkollë për herë të parë në kohën e Greqisë, aty nga viti 1916. Në atë kohë në shkollat, që ishin hapur në Gjirokastër (numri i tyre ishte i kufizuar shumë dhe lokalet të improvizuara) mësimet jepeshin në gjuhën turqisht dhe në disa raste turqisht dhe greqisht. Gjuha turqisht ishte më shumë mësim feje se sa për të mësuar gjuhën. Një shkollë e tillë ishte hapur edhe në lagjen “Palorto”, në xhaminë e lagjes. Si mësues i gjuhës turke ose i mësimit të fesë ishte caktuar një hoxhë, i cili paguhej nga vakëfi. Në këtë shkollë jepej jo vetëm gjuha turke, por edhe gjuha shqipe. Si mësues i gjuhës shqipe ishte një djalë i ri nga lagjja “Palorto” i cili, me iniciativën e tij, e kish marrë përsipër këtë detyrë, pa shpërblim.
Mësimi i gjuhës shqipe ishte rreptësisht i ndaluar prandaj merreshin edhe masat përkatëse: kur fillonte mësimi i gjuhës shqipe, mësuesi nxirrte jashtë dy tre nxënës të cilët, gjatë orës së mësimit të shqipes, kishin për detyrë të lajmëronin me shenja të ndryshme, në rast se në rrugë shiheshin agjentë grekë, të pezullohesh mësimi dhe të fshiheshin ato pak libra që kishin nxënësit. Në këtë shkollë filloi mësimet e para të gjuhës shqipe edhe Enveri. Viti 1916 shënoi ndryshime të tjera politike në Shqipërinë juglindore dhe jugperëndimore: pushtimi grek i krahinave të Korçës dhe Gjirokastrës u zëvendësua nga pushtimi i ushtrive franceze dhe asaj italiane. Italia qysh në vitin 1914 kishte pushtuar Vlorën dhe interlandin e saj. Kurse në vitin 1916, në vjeshtë, ushtritë italiane e shtrinë sundimin e tyre edhe në krahinën jugperëndimore: në Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet etj.
Pushtonjësit e rinj e lejuan hapjen e shkollave shqipe në krahinën e Gjirokastrës. Në Gjirokastër një nga shkollat e para shqipe u hap në ndërtesën e ish-shkollës “Liria”. Këtu u grumbulluan nxënësit e lagjeve të afërta të qytetit. Në këtë shkollë vazhdoi mësimet edhe Enveri. Mësuesit e parë të tij ishin Ilias Hoxha, Thoma Papapano (i cili sapo ishte kthyer nga Vlora ku qëndroi gjatë gjithë periudhës së pushtimit të Gjirokastrës prej Greqisë), Hysni Babameto etj. Por pas një kohe të shkurtër kjo shkollë u shpërngul në lagjen “Palorto”, në shtëpinë e Kallajxhinjve. Këtu krahas gjuhës shqipe mësohej edhe gjuha italishte, që jepesh nga ushtarakë italianë me profesion arsimtar. Për disa vjet me radhë shkolla që përfshinte lagjen “Palorto” ndërroi disa herë lokal gjer në vitin 1920, ku u vendos në ndërtesën ku është sot gjimnazi “Asim Zeneli”.
Në këtë vit Enveri ishte në klasën e IV fillore, po këtu Enveri kreu klasën e V në vitin shkollor 1921-1922 dhe në vitin 1922-1923, kreu klasën e VI fillore (ahere fillorja me gjashtë klasë quhej shkolla plotore, ose vetëm klasat I-V të fillores quhej shkollë fillore, kurse klasa e VI quhej klasa e I e shkollës qytetëse. Kjo periudhë, sidomos vitet 1918-1920, ishte me rëndësi të madhe për vendin tonë po ashtu edhe për Gjirokastrën: mbarimi i Luftës së Parë Botërore dhe përpjekjet e popullit shqiptar për nxjerrjen jashtë pushtonjësit e huaj. Në mitingjet e shumta që organizoheshin në Gjirokastër kundër Italisë (në sheshin e Policisë, tani sheshi “Çerçis Topulli”, ose në bregun e teqesë në veri të qytetit), merrnin pjesë pothuaj i gjithë populli i qytetit si edhe nxënësit e shkollave. Në këto mitingje, në pritjen e bandës “Vatra” që erdhi në Shqipëri edhe në Gjirokastër në pranverën e vitit 1920, në përcjelljen e vullnetarëve gjirokastritë për në luftën e Vlorës, dhe në hedhjen në det të pushtonjësve italianë, nxënësit e shkollave ishin të parët.
Në këto manifestime patriotike ndodhej i pari edhe djaloshi 12 vjeçar Enver Hoxha. Po në këtë periudhë populli i mbarë Shqipërisë ndiqte me vëmendje zhvillimin e gjyqit që zhvillohej në Paris (Francë) kundër patriotit demokrat Avni Rustemi. Avniu më 13 qershor 1920 vrau tradhtarin me damkë të Shqipërisë Esat Pashë Toptanin. Gjyqi i Parisit nga protestat e mëdha, në radhë të parë, të mbarë popullit shqiptar si dhe të opinionit demokratik të botës, i dha pafajësinë Avni Rustemit. Pasi mori pafajësinë Avniu u largua nga Franca dhe erdhi në Shqipëri. Në ditët e para të janarit 1921 ai erdhi edhe në Gjirokastër. Gjatë qëndrimit të tij në Gjirokastër Avniu bëri edhe një vizitë në shkollën fillore të Palortosë (ku është sot gjimnazi “Asim Zeneli”). Mësuesit dhe nxënësit e shkollës e pritën me dashuri të madhe. Nxënësit shikonin tek Avniu një patriot të madh që e kishte shpëtuar vendin nga tradhtari Esat Pasha.
Ata shikonin tek ai jo vetëm patriotin por edhe mjerinë e thjeshtë dhe të dashur. (Avniu, gjatë qëndrimit të tij në Gjirokastër dhe në vizitat e ndryshme që bëri në qytet, dallohej për thjeshtësin e tij: ai ishte veshur shumë thjesht me gunën e tij karakteristike dhe me festen e leshtë dhe të lartë). Këto manifestime i brumosën fëmijët e moshave të vogla, pra edhe Enverin, me dashuri të pakufishme për Atdheun tonë, Shqipërinë, dhe me urrejtje të madhe ndaj pushtonjësve të huaj dhe tradhtarëve të vendit. Në vitin shkollor 1923-1924, pas përpjekjesh këmbëngulëse të popullit të Gjirokastrës, u hap liceu i Gjirokastrës e para shkollë e mesme në këtë qark. Në të u regjistruan shumë nxënës si nga qyteti ashtu edhe nga rrethi i Gjirokastrës. Në këtë shkollë u regjistrua edhe Enveri në klasën e VI (Kl. VI ishte, sipas sistemit francez, klasa e parë e shkollës së mesme).
Në liceun e Gjirokastrës, si dhe në liceun e Korçës, mësimet jepeshin në gjuhën frëngjisht dhe prej profesorëve francezë, kurse gjuha shqipe dhe djathtësitë jepeshin prej profesorëve shqiptarë. Enveri, ndërmjet bashkënxënësve të klasës së tij, ishte nxënësi më i mirë sidomos në gjuhën frënge. Që në muajt e parë, si nxënës, ai bëri përparime të mëdha në këtë gjuhë. Kjo ra shpejt në sy. Profesori që jepte gjuhën frënge ishte vetë drejtori i shkollës Viktor Kutan (Victor Coutant). Ky sipas thënies të një arsimtari shqiptar që jepte mësim në lice, një ditë hyri në sallën e profesorëve me një letër në dorë, me fytyrë të qeshur dhe shumë i kënaqur dhe i entuziazmuar. Ai u tregoi letrën që mbante në dorë dhe iu drejtua kolegëve të tij me këto fjalë: Shihni një hartim frëngjisht, është kaq i mirë që dhe në Francë, në një klasë koresponduse rrallë mund ta gjesh. Ky hartim është i nxënësit Enver Hoxha.
Më 30 qershor 1924, me mbarimin e vitit shkollor 1923-1924, u bë ceremonia e mbarimit të mësimeve. Në këtë ceremoni muarën pjesë personeli mësimor, nxënësit e liceut si dhe autoritetet e vendit e të ftuar të tjerë. Me këtë rast u mbajtën edhe fjalime sidomos nga drejtori i liceut dhe nxënës. Drejtori i shkollës foli për zhvillimin e mësimeve, të sukseseve të arritura brenda një viti si dhe për të ardhmen e liceut të Gjirokastrës. Ai ndërmjet të tjerave tha: “Sido që të jetë, këta djem, që shihni këtu, do të jenë një ditë fama e Gjirokastrës….” dhe përfundoi: “… që personeli i liceut si dhe unë nuk do të ndjeheshim në lartësinë e misionit tonë, sikur nxënësit tanë të mos bëheshin një ditë qytetarë tanë më patriotë të Shqipërisë…ambicia ime është që këta djem që shikoni këtu të falin një ditë me pasion zgjimin, zotësinë dhe zemrën e tyre për të arritur plotësisht madhërinë e Shqipërisë bujare dhe të bukur”.
Po në këtë ceremoni mbajtën fjalime edhe dy nxënës. Enveri i paraqiti falënderimet drejtorit dhe personelit të liceut në gjuhën frëngjisht, kurse nxënësi tjetër në gjuhën shqipe. Mbajtja e këtyre fjalimeve sidomos ajo e drejtorit të shkollës dhe falënderimet e Enverit në gjuhën frënge, tregojnë se drejtori kishte vrenjtur në këta djem një zgjuarsi të madhe. Dëshira dhe ambicia e tij “që këta djem të falin një ditë me pasion zgjimin, zotësinë dhe zemrën e tyre për të arritur plotësisht madhërinë e Shqipërisë bujare dhe të bukur”, u bënë realitet. Enveri që nxënës i kishte këto veti; ato i zgjeroi e i pasuroi më shumë në vitet e ardhme. Nga ana tjetër është se që në vitin e parë të liceut të Gjirokastrës, Enveri kishte bërë përparime të mëdha në gjuhën frëngjisht, sa që ai përshëndeti në emër të nxënësve të shkollës drejtorin dhe personelin e liceut. Ceremonia e mbylljes të vitit të parë shkollor të liceut të Gjirokastrës, u bë në një kohë kur kish triumfuar revolucioni demokratiko-borgjez i 10 qershorit 1924.
Në triumfin e Revolucionit të Qershorit, krahas vegjëlisë së qyteteve, të fshatarëve dhe të malësorëve, një kontribut të rëndësishëm dhanë edhe nxënësit e shkollave të mesme të vendit. Këta qenë përkrahësit më të flakët të lëvizjes demokratike që u rrit nga viti në vit pas vitit 1920. Kjo lëvizje zhvillohej nga elementët demokratë dhe veçanërisht nga shoqëria “Bashkimi”. Në këtë lëvizje, në forma të ndryshme, morën pjesë gjallërisht edhe nxënësit e liceut të Gjirokastrës. Rritja e lëvizjes demokratike, si në të gjithë vendin edhe në Gjirokastër, mori një hov të madh në fund të vitit 1923 dhe sidomos në muajt e gjysmës së parë të vitit 1924. Në këtë periudhë nxënësit e liceut me Enverin në krye, merrnin pjesë në çdo manifestim. Familja e Enverit në fushatën e zgjedhjeve të dhjetorit 1923, për misat e asamblesë kushtetuese, ishte me opozitën kundër grupit të feudalëve, me në krye Myfit bej Libohovën.
Opozita për karakterin e saj demokratik u quajt “Opinga”, kurse grupi i feudalëve për karakterin e tij reaksionar u quajt “Asllani”. Nxënësit e liceut, në ato ditë dhjetori, me gjithë që nuk kishin të drejtën e votës, ndiqnin me vëmendje ngjarjet politike. Ata merrnin pjesë në mitingjet që organizoheshin nga kandidatët e opozitës ose të “Opingës” si dhe në luftën që bëhej në qendrat e votimit pranë shtëpive të tyre për zgjedhësit e dytë (zgjedhësit e dytë që fitonin në këto qendra votimi, kishin të drejtë të votonin kandidatët e njërit apo tjetrit grup për deputet). Në këto qendra lufta ndërmjet “opingarëve” (partizanë të opozitës) dhe “asllanistëve” (partizanë të feudalëve) ishte shumë e ashpër. Më vonë pas hapjes së Asamblesë Kushtetuese dhe veçanërisht muajin prill, gjendja politike në Shqipëri u acarua. Lajmi i plagosjes së Avni Rustemit më 20 prill dhe vdekja e tij pas dy ditësh, shkaktoi një zemërim dhe hidhërim të madh në të gjithë vendin po ashtu edhe në Gjirokastër. Me këtë rast u bënë demonstrata dhe mitingje për të shprehur zemërimin për këtë akt barbar dhe për të kërkuar dënimin e vrasësit dhe të shtytësve të tij.
Në këto demonstrata e mitingje muarën pjesë gjallërisht edhe nxënësit e liceut të Gjirokastrës, të cilët, në një moshë fare të re, shikonin tek feudalët njerëzit më prapanike. Vrasja e Avniut vuri në lëvizje gjithë opinionin demokratik shqiptar dhe shpuri në kryengritjen e armatosur. Në ditët e fundit të muajit maj dhe ditët e para të muajit qershor, me qindra e mijra të rinj anëtarë të shoqërisë “Bashkimi” dhe nxënës të rritur të shkollave të mesme rrëmbyen armët, kurse nxënësit e tjerë më të vegjël, ishin përkrahësit e tyre më të flaktë. Këtë ata e shprehnin në mënyra të ndryshme. Në Gjirokastër nxënësit e shkollave me në krye nxënësit e liceut, të udhëhequr nga Enveri dhe shokët e tjerë të klasës më të lartë të liceut, përcillnin me brohori dhe me entusiazmë të madh vullnetarët që niseshin për të luftuar kundër tiranisë feudale me Ahmet Zogun në krye. Fitoren e Revolucionit të Qershorit, nxënësit e liceut të Gjirokastrës, si gjithë populli dhe nxënësit e tjerë të shkollave të mesme të vendit, e pritën me entuziazëm të pa përshkruar. Të gjitha këto manifestime që u zhvilluan në këtë periudhë, për vendosjen e rendit demokratik, lanë mbresa të thella në zemrat e të rinjve.
Këto mbresa u rrënjosën edhe në zemrën e Enverit që në këtë kohë nuk ishte as 16 vjeç, por ai gjithnjë ishte për çdo gjë përparimtare prandaj ishte i gjallë, i hedhur dhe plot iniciativë. Në këtë periudhë të shkurtër krahas përforcimit të fitoreve të revolucionit, u bënë edhe mjaft hapa për zhvillimin kultural e sportiv të vendit. Në Gjirokastër, që në ditët e para të korrikut, u themelua “Shoqëria Studenti”, prej nxënësve gjirokastritë të liceut të Gjirokastrës, të atij të Korçës, të gjimnazit të Shkodrës etj. Në themelimin e shoqërisë grupi inisjator ishin: nga liceu i Gjirokastrës, Enver Hoxha dhe Elmas Konjari, nga liceu i Korçës, Selami Xhaxhiu dhe Aqif Selfo dhe nga gjimnazi i Shkodrës, Naxhi Totozani. Me një herë grupi inisjator iu vu punës dhe hartoi statutin e shoqërisë. Në statut u përcaktuan detyrat dhe qëllimi i shoqërisë. Shoqëria kishte për qëllim të grumbullonte, në gjirin e saj, të gjithë nxënësit gjirokastritë të shkollave të mesme dhe të gjallëronte jetën kulturale të qytetit. Ky qëllim u arrit më së miri: u bënë zgjedhjet për organet drejtuese të shoqërisë dhe u krijuan grupet e ndryshme të aktiviteteve (grupi teatral, mandolinat etj)./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm




















