Nga András Tóth
Pjesa e dytë
Memorie.al / Ekziston një fjali, e hedhur në letër me bojë të zezë në qershor të vitit 1962 nga një zyrtar i jashtëm shqiptar, në margjinat e letrës lutëse të një të reje të ve 86-vjeçare, pothuajse të verbër nga Beogradi: “Dr. Kalmar është shtetas shqiptar. Prandaj nuk mund të lejohet të bëhet jugosllav”. Pas kësaj fjalie qëndron djali më i vogël i një familjeje tregtare hebreje nga Budapesti, i cili u largua nga “numerus clausus” në Pragë, prej andej në Davosin e vërtetë të “Malit të Magjepsur”, dhe më pas përfundoi në vendin më të varfër të Ballkanit – një vend që fillimisht e joshi me franga ari, më pas e fshehu në malet e veta nga gjermanët, dhe në fund, thjesht nuk e la të ikte për dekada me radhë.
Historia e Kalmár Lajos, është një përmbledhje e shekullit të XX-të: ajo përmban brezin e mjekëve hungarezë emigrantë, luftën e madhe evropiane kundër tuberkulozit, mrekullinë e besës shqiptare dhe përqafimin mbytës të diktaturës hoxhiste.
Kur vinte ndonjë patrullë gjermane, çiftin e vishnin me rroba fshatare dhe i fshihnin në një hambar. Gjatë kësaj kohe, Kalmár punoi për pesë muaj si mjek i fshatit. Në dimrin e viteve 1943–‘44, gjermanët nisën një operacion kundër partizanëve në atë zonë dhe Kalmár u kap. Ai përfundoi në spitalin e burgut ushtarak në Tiranë – “mund të më ekzekutojnë në çdo çast”, shkroi ai në një letër të nxjerrë fshehurazi për Sadikun.
Miku nisi të lëvizte: kushëriri i tij, Bajazit Boletini – djali i legjendarit Isa Boletini, një komandant i rangut të lartë – ndërhyri, dhe me kërkesë zyrtare të zëvendësministrit të Jashtëm, Vehbi Frashëri, komanda gjermane e liroi mjekun. Arkivi e ruan këtë dokument. Pas pak orësh, Kalmár u shfaq i bërë me baltë dhe me kapelë në dorë në punëtorinë e Sadikut, dhe të dy burrat ranë në qafë të njëri-tjetrit.
Kur doli se shtëpia e tij në Tiranë ishte grabitur ndërkohë, mjeku tha vetëm aq: “Në luftë më e rëndësishme është shpëtimi i jetës sesa pasuria”. I vinte keq vetëm për aparatin e tij të rentgenit – por atëherë Sadiku i pranoi: pjesët e rëndësishme i kishte çmontuar dhe i kishte çuar në shtëpi kohë më parë. “Të mbijetojmë, ti, unë dhe rentgeni – të tjerat i zëvendësoj lehtë”.
Vendi që nuk e la të ikte
Mbijetuan. Dhe pas vitit 1944, Kalmár qëndroi aty – fillimisht sepse donte të qëndronte, më pas sepse nuk kishte zgjedhje tjetër. Shqipëria e re komuniste nuk e preku (vetëm arin ia konfiskoi), madje kishte nevojë për të: nisi një fushatë kombëtare kundër tuberkulozit. Kalmár punoi në Sanatoriumin e Tiranës, ndërsa në vitin 1948 u transferua në Korçë – pikërisht në vitin kur Hoxha prishi marrëdhëniet me Titon, dhe një mjek me bashkëshorte jugosllave u bë papritur i papërshtatshëm në kryeqytet.
Në Korçë, katër kolegë të tij shënuan në një raport zyrtar mjekësor, atë që e shihte kushdo: dora e Kalmár-it ishte shkatërruar nga rrezatimi i rentgenit. Hiperkeratozë, plagë, lëkurë e atrofizuar, thonj të çarë – martirizimi tipik i mjekëve radiologë të kohëve heroike, të cilin as dorezat prej gome me plumb, nuk mund ta parandalonin. Ai ishte i pari në Shqipëri që u përpoq ta njihte sëmundjen e vet si dëmtim profesional.
Në vitet pesëdhjetë, banoi në shkallën nr. 16 të pallateve “Shallvare” në Tiranë, shkonte për vizita i shoqëruar nga qeni i tij, dhe në klinikën e tij në shtëpi shpesh bënte vizita falas. Sipas legjendave urbane të qytetit, ai nuk pranonte kurrë më shumë se tridhjetë e pesë vizita në ditë – por kushdo që vinte me rekomandim miqësor, nga ai nuk i merreshin kurrë para. Ndërkohë, në prapaskenë zhvillohej një dramë dekadash.
Nëna e Jovankës, e veja Olga Ristić, po plakej dhe po verbohej në Beograd – dhe i shkroi një sërë letrash Enver Hoxhës, e më pas Mehmet Shehut, që t’i linin të ktheheshin të bijën dhe dhëndrin. Një mbrëmje të vitit 1947, leja e daljes erdhi me telegram – të nesërmen u anulua. 1956, 1957, 1959, 1962: kërkesë pas kërkese, refuzim pas refuzimi. Shqipëria e Hoxhës nuk linte të dilte askënd për të cilin kishte nevojë – dhe argumenti përfundimtar ishte vetë cinizmi: Kalmár është shtetas shqiptar, prandaj nuk mund të shkojë. Shtetësia, e cila në vitin 1931 iu ofrua si një privilegj kontraktual, u shndërrua në hekura burgu.
Në vitin 1961, organizmi i mjekut të moshuar dhe të sëmurë nga rrezatimi u shemb: ra tetëmbëdhjetë kile, vuante nga të fikëtit dhe doli në pension. Por edhe si pensionist, pati një çast të madh. Në vitin 1966, ish-nxënësi i tij, Kol Dodaj nga Mirdita, udhëtoi drejt tij në Tiranë me grafinë misterioze të mushkërive të një minatori. Kalmár e shikoi foton: silikozë.
Krerët e këshillit shkencor – në krye me profesorin e nderuar të pneumologjisë të regjimit – bënë me dorë: në Shqipëri nuk ka silikozë. Atëherë mjeku i vjetër hungarez u ngrit dhe me “argumente të forta shkencore” vërtetoi se po, ka. Pacientit iu lidh menjëherë pensioni i invaliditetit; Dodaj në fund identifikoi 380 minatorë me silikozë. Historia e mjekësisë së minatorëve shqiptarë fillon me këtë debat në Tiranë.
Lamtumira e fundit
Po atë vit, në 1966, pushteti – ende nuk dihet pse pikërisht atëherë – më në fund e la të dilte. Mobiliet u nisën me anije nga Durrësi në Dubrovnik nën plumbat e doganës, të qepura në thasë; thasët i qepi rrobaqepësi Enver Bali, një ish-pacient i Kalmár-it. Në bankë i mbetën dy milionë e gjysmë lekë të vjetra – llogariste se do t’i shpenzonte gjatë verës në Durrës. Kurrë më nuk e lejuan të hynte në vend. Një natë para nisjes, Sadik Salimusaj me të birin, qëndruan te ata deri vonë në darkë.
Tek porta e pyeti: “Doktor, në çfarë ore do të nisemi nesër për në Rinas”? Përgjigjja: “Nuk është pyetja se kur do të nisemi ne, por se kur do të niseni ju. Sadik, ti nuk do të vish në Rinas”. Në një vend nën vëzhgim, një lamtumirë me lot në aeroport mund t’i dëmtonte të dy. Ky ishte takimi i tyre i fundit – por jo fjala e tyre e fundit: Kalmár i shkroi familjes Salimusaj letra në gjuhën shqipe nga Beogradi për dekada me radhë. Me çizme gome, pranë kufirit hungarez, Kalmár-it 65-vjeçar iu desh t’i jepte përsëri provimet e diplomës së vet në Jugosllavi.
I dha dhe filloi të punonte përsëri – sepse ishte e nevojshme: Jugosllavia nuk i njihte vitet e tij të shërbimit në Shqipëri, prandaj nuk kishte pension. Kështu ndodhi që ish-mjeku i Davosit, tashmë në të shtatëdhjetat e tij, punonte pesë ditë në javë si pneumolog dhe radiolog në spitalin e vogël të Novi Kneževacit (Törökkanizsa) pranë kufirit hungarez, ndërsa fundjavave kthehej me tren në Beograd.
Një koleg hungarez, Beszedics Erzsébet, e kujtonte kështu: “Shkonte në punë me ca çizme gome të çuditshme, e kishte lënë pak veten pas dore, por si profesionist nuk mund të ishte i keq, dhe nuk ishte njeri i keq”. Kthesa më e papritur e historisë erdhi në vitin 1977: ajo Shqipëri e Hoxhës, që e mbajti peng për një dekadë e gjysmë, nxori një vendim qeverie me nënshkrimin e Mehmet Shehut, për t’i paguar Kalmár-it pensionin e pleqërisë në valutë të huaj – i transferonin 85 dollarë e 35 cent në muaj në adresën e spitalit të Novi Kneževacit.
Nga një Shqipëri hermetikisht e mbyllur dhe e uritur për valutë, ky ishte një gjest që ngjante me një dekoratë. Letrat e tij të fundit i shkruante me makinë shkrimi, sepse duart nuk i bënin më bindje. “Nuk mund të eci në rrugë… as në shtëpi, përveçse duke u kapur pas mobilieve” – i shkruante në vitin 1984 miqve të tij të vjetër në Tiranë. Vdiq më 25 korrik 1988 në Beograd, në moshën 86-vjeçare.
Në njoftimin e vdekjes në gazetën “Politika” e përcollën tashmë si Ljudevit Kalmar-Ristić – mori edhe mbiemrin e bashkëshortes së tij, si një lloj kthimi të fundit në shtëpi tek ajo grua që kishte njohur gjashtëdhjetë vjet më parë, mbi fushat me borë të Davosit. Pushon në Varrezat e Reja të Beogradit, bashkë me të. Në rrjetën e legjendave – çfarë dimë me siguri? Jeta e Kalmár Lajos u mbulua dendur nga legjendat, dhe studiuesit i duhet fillimisht t’i qërojë ato.
Sipas kujtimeve të njerëzve, ai ishte diplomuar në Vjenë (ose Cyrih) – në të vërtetë në Pragë, siç e vërteton regjistri i Universitetit të Karlit. Sipas një shkrimi popullor shqiptar, ai u arratis në Shqipëri në vitin 1938 nga Anschluss-i bashkë me “Dušanka”-n e tij të dashur – në të vërtetë mbërriti në vitin 1930 me ftesë zyrtare të qeverisë, dhe bashkëshortja e tij quhej Jovanka.
Qarkullon një histori se në Durrës gjermanët e vendosën në rreshtin e dhjetrave të tjerëve për pushkatim dhe e shpëtoi numri çift; si dhe një tjetër se u lirua nga robëria pasi shëroi gruan me ethe të komandantit të SS-ve. Janë histori të bukura – por motive shtegtuese që arkivat nuk i konfirmojnë.
Ajo që është e sigurt: në dhjetor të vitit 1943 gjermanët e arrestuan, dhe ai u lirua falë ndërhyrjes së miqve të tij shqiptarë – një mjeshtër qerrepunues, djali i një heroi legjendar dhe një zëvendësministër. E vërteta këtu, për një herë të vetme, nuk është më pak interesante se legjenda: një fshat i tërë heshti për të, dhe kjo në vetvete është një mrekulli.
Gjurmët e prekshme të miqësisë, për më tepër, ekzistojnë edhe sot: letrat dhe kartolinat e Vitit të Ri në gjuhën shqipe që Kalmár shkroi për katër dekada – të fundit me dorë që dridhej, në makinë shkrimi – ruhen nga familja Salimusaj në Amerikë. Dhe ka edhe një kapitull të pambyllur të historisë: emri i familjes Trimi që e fshehu ndodhet në listën e njerëzve të njohur shqiptarë që shpëtuan hebrenjtë, por ai i Sadik Salimusajt, i cili e nxori mikun e tij nga burgu, nuk është ende sot! Ndoshta ky do të jetë hapi i radhës i kërkimit.
Davosi shqiptar që nuk u ndërtua kurrë
Kalmár krahasoi nëntë zona malore në vitin 1930 para se të zgjidhte Voskopojën – luginën e manastirit mbi qytetin arumun që në shekullin e XVIII-të ishte i famshëm në mbarë Ballkanin, krenohej me shtypshkronjë dhe akademi, me erë pishe, bilbila dhe aq shumë ujë burimi sa mund të prodhonin edhe energji elektrike. Qeveria mori vendim, kryepeshkopi dha manastirin, tregtari italian bëri ofertën e çmimit për mobilimin.
Më pas doli se në buxhet nuk kishte asnjë zë nga i cili mund të mbulohej sanatoriumi – apo qoftë edhe paga e Kalmár-it. Plani i Davosit shqiptar mbeti në letër; reparti i parë i tuberkulozit në vend u hap në fund në vitin 1935, në një barakë ushtarake në Tiranë. Por nga aty u rrit gjithçka: në historinë zyrtare të spitalit universitar të mushkërive të sotëm në Tiranë ndodhet edhe sot ndër themeluesit emri i “mjekut me origjinë hungareze, Dr. Kalmári Lajos”.
Doktori që u kthye në personazh spiunazhi?
Dhe në fund, një kthesë që do të shkonte madje edhe në faqen e fundit të një romani spiunazhi. Në vitin 1969 – tre vjet pasi Kalmár la më në fund Shqipërinë – kinostudioja e Tiranës xhiroi filmin artistik “Njësiti guerril”. Sipas historisë, një agjent i shërbimit sekret ushtarak italian, SIM, përpiqet të depërtojë në radhët e rezistencës së qytetit, për të zbuluar dhe asgjësuar udhëheqësit guerilas – por zbulohet, dhe plani fashist dështon. Emri i agjentit tradhtar në film është: Ludovik. Nuk ka prova që zgjedhja e emrit t’i referohej doktor Ludovikut që sapo ishte larguar në “Perëndim” – mund të jetë edhe rastësi.
Por në Shqipërinë hoxhiste, ku prodhimi i filmave ishte zgjatim i propagandës dhe ku të larguarit zakonisht i rishpirtësonin më pas si tradhtarë, studiuesi nuk mund të mos ngrejë pyetjen: vallë regjimi që nuk e la mjekun hungarez të ikte për gjashtëmbëdhjetë vjet, i dha lamtumirën atij në ekran – duke bërë spiun, nga ai njeri që për një jetë të tërë mjekoi të varfrit e tij falas?! Për momentin është vetëm një dyshim. Por i asaj natyre për të cilën ia vlen të ulesh edhe një herë në arkiv! / Memorie.al













