• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, September 3, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Në mjedise private të Kosovës, Schwandner-Sievers kishte ndeshur një Tito-nostalgji të ngjashme me atë të kombeve dhe etnive të tjera, ish-jugosllave…”/ Refleksionet e mbesës së Fadil Hoxhës

“Në mjedise private të Kosovës, Schwandner-Sievers kishte ndeshur një Tito-nostalgji të ngjashme me atë të kombeve dhe etnive të tjera, ish-jugosllave…”/ Refleksionet e mbesës së Fadil Hoxhës
“Në mjedise private të Kosovës, Schwandner-Sievers kishte ndeshur një Tito-nostalgji të ngjashme me atë të kombeve dhe etnive të tjera, ish-jugosllave…”/ Refleksionet e mbesës së Fadil Hoxhës
“Në mjedise private të Kosovës, Schwandner-Sievers kishte ndeshur një Tito-nostalgji të ngjashme me atë të kombeve dhe etnive të tjera, ish-jugosllave…”/ Refleksionet e mbesës së Fadil Hoxhës
“Në mjedise private të Kosovës, Schwandner-Sievers kishte ndeshur një Tito-nostalgji të ngjashme me atë të kombeve dhe etnive të tjera, ish-jugosllave…”/ Refleksionet e mbesës së Fadil Hoxhës
“Në mjedise private të Kosovës, Schwandner-Sievers kishte ndeshur një Tito-nostalgji të ngjashme me atë të kombeve dhe etnive të tjera, ish-jugosllave…”/ Refleksionet e mbesës së Fadil Hoxhës

Nga Lura Limani 

Pjesa e parë

                              – Gjyshja ime, jugonostalgjia dhe një përrallë e papërfunduar –

Memorie.al / E rritur në Jugosllavinë e pasluftës, gjyshja e shihte veten si pjesë të pandashme të strukturës shoqërore socialiste. Si ta kuptimësoj botën e saj sot? Derisa u bëra ta njihja, gjyshja ime ishte bërë grua e vështirë. Dukej e ashpër: kish një vështrim serioz, nuk ish grua me të cilën doje të ngatërroheshe. Në shqip kemi shprehjen ‘zonjë e randë’. E këtillë ishte gjyshja: e vështirë, dinjitoze, krenare; qibar dhe e krehur edhe kur ishte mbyllur në shtëpi. Në sytë e mi, ajo ishte më e madhe se jeta. Duket se kish diçka të vërtetë sa i përket trupit të saj të bëshëm rinor, pasi sot rrobat e vjetra më lëvaren mbi shtatin tim të imët, tre numra më të mëdha. Ajo kishte një prani që kërkonte vëmendje dhe respekt sa herë që hynte në dhomë. 

Gjithashtu mund të lexoni

“Kostë Çekrezi i shkruante një letër shokut të tij, nipit të presidentit amerikan, Willson, ku i thoshte…”/ Studiuesi i njohur nga SHBA-ja, publikon dokumentin e rrallë

“Falë përkujdesjes së poetit tonë të njohur Xhevahir Spahiu, që na e solli një kopje të këtij libri nga Irani gjatë një vizite pune në Teheran, u bë e mundur…”/ Libri i panjohur për Abaz Aliun

Nëpër shtëpi, gjithnjë na urdhëronte të bënim ndonjë gjë. Herë pas here, zbriste nga dhoma e gjumit herët në mëngjes, hapte të gjitha dritaret dhe dyert dhe na thërriste në ‘aksion pune’- pastrim pranveror a la komunist. Më vonë në jetë, kur trupi iu dorëzua pleqërisë dhe u palos në vetvete, ajo vazhdonte të kryente ritualin e mëngjesit, duke krehë me kujdes flokët e argjendta, që butësisht binin mbi shpatulla të valëzuara, para se të vinte një karficë sipër veshit të majtë për t’i mbajtë në vend.

Çdo disa muaj ajo i bënte flokët permanent në të njëjtin vend – një lokal të vogël afër sheshit “Zahir Pajaziti”, te salloni i flokëve “Ardhmëria”, mbetje e kohëve jugosllave. Sa herë marr të zbres nga sheshi dhe has në telat e hapur plot peshqirë të zbardhur që frizeret i lënë jashtë për t’u terë, e mendoj gjyshen duke u kthyer në shpi e freskët nga frizeri, një erë amoniaku duke ia ndjek hapat e lehtë. Unë jetoj ngjitur me lokalin “Ardhmëria”, ndaj më bie ndër mend gjyshja ime shpesh.

  1. Bota e djeshme

Bota që brezi i gjyshes sime kishte ndërtuar dhe në të cilin kishin banuar është veçse një fantazmë në Kosovën e sotme. Ndryshe nga Sarajeva, ku mund të pish kafe në kafenenë “Tito”, ose nga Shkupi, ku mund të blesh karficë me imazhin e Mareshalit në pazar, Prishtina është shkretëtirë për turistin jugonostalgjik.

Në Kosovë, segregacioni i stërzgjatur i viteve 1990 dhe lufta brutale e viteve 1998-‘99 me Serbinë, ndërprenë njëherë e mirë të gjitha lidhjet reale dhe imagjinare me Jugosllavinë. Lufta shërbeu edhe si çarje epistemike. Krejt jetët tona u çanë përgjysmë aty e tutje: para dhe paslufta; çarja, plagë e hapur ende e pezmatuar dy dekada më vonë.

Pavarësisht nga kjo çarje dhe homogjenizimi i diskursit publik përmes ‘kryenarrativës’ rreth kultit të Adem Jasharit pas luftës, kujtesa kolektive vazhdon të jetë vend i fërkimeve të vazhdueshme. Kjo luftë e mbytur përqendrohet mjaft shumë rreth asaj se çka e kush kujtohet e përkujtohet; jetët e kujt janë të vajtueshme, cilat sakrifica të dalluara.

Që nga lufta e Kosovës, siç shkruan Stephanie Schwandner-Sievers, kujtesa publike e Jugosllavisë është e padukshme dhe e pandjeshme. Në përjashtimet e rralla kur artistët ose intelektualët – anëtarë të “elitës kozmopolite” siç i quan Schwandner-Sievers – kanë reflektuar për këtë periudhë, ata e kanë bërë këtë me hidhërim.

Megjithatë, në mjedise private, Schwandner-Sievers kishte ndeshur një Tito-nostalgji të ngjashme me atë të kombeve dhe etnive të tjera ish-jugosllave. Disa gra e kujtonin kohën e Titos me miradije – kishin qenë vajzat e para në familjet e tyre të shkonin në shkollë; të tjerë që ishin rritur në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70 e shihnin periudhën socialiste si kohë “formative” që ua kishte formësuar ëndrrat.

Megjithatë, kujtimet e kësaj periudhe lidheshin pazgjidhshmërisht me shpresat dhe aspiratat që këta breza kishin për të ardhmen, por edhe me përvojat traumatike që kaluan shqiptarët në vitet 1980 dhe 1990. Ky “tipar i plagosur” i kujtesës, shkruan Schwandner-Sievers, mund të ketë kontribuar në mungesën e diskutimeve publike të kujtimeve të Jugosllavisë midis shqiptarëve që nga rënia e Republikës Federale.

Gjyshja më vdiq para pesë vjetësh. Ajo jetoi aq sa të shihte Jugosllavinë të shpartallohej dhe të shpaloste konfliktet e brendshme që i kishin parapri viteve ’80, por që gjatë gjithë periudhës socialiste o ishin minimizuar e shpërfillur o ishin shuar me dhunë. Vitet 1980 kishin qenë rënie nga shkëlqimi edhe për të: sipas një biografie të saj në një përmbledhje të botuar nga mesi i viteve ’90, “për shkak të trysnive socio-politike ajo doli në pension të parakohshëm” në vitin 1986, nga një karrierë e suksesshme në arsim dhe aktivizëm politik.

Si fëmijë, gjyshja kishte qenë korrierë për partizanët komunistë në Gjakovë, bashkë me tre vëllezërit më të mëdhenj dhe motrën e madhe, që i ishin bashkuar lëvizjes në një moment a tjetër. Ajo kish qenë e re, dhe lufta i kish lënë vragë të mëdha; teksa ishte rritur, kishte jetuar nën hijen e lavdisë së vëllezërve të vet (motra përmendet më rrallë në rrëfimet e familjes).

Sot e kësaj dite, dera e vjetër prej druri e shtëpisë së familjes në Gjakovë mban një pllakë që përkujton Fahri Hoxhën, vëllain që iu var nga nazistët në gusht të vitit 1944. Por njëri nga vëllezërit e mbijetuar, Fadili, komandant i partizanëve të Kosovës, që u bë politikan i nivelit të lartë në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, mbahet mend më së shumti – dhe mbetet temë për debat sot e kësaj dite.

Në një video të rrallë të gjyshes, filmuar në vitin 2012, ajo shfaqet e shqetësuar dhe dridhet tek flet para kamerës. Është veshë me të zeza, ngjyrë që e vishte përherë pas vdekjes së të birit më 1993; një shall i thjeshtë ia zbukuron veshjen e zymtë. Duhet të jetë ditë gëzimi, por ajo është mes dhjetëra njerëzish të grumbulluar në një dhomë keq të ndriçuar, në zyrën e Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (OVLANÇ) – siç quhej Lufta e Dytë Botërore në Jugosllavi.

Të gjithë kanë ardhë në shpalosjen e shtatores së Fadil Hoxhës, “Heroit të Popullit” të Jugosllavisë, disa ditë para njëqindvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – pa dyshim për ta përfshi figurën historike të Hoxhës si pjesë e pandashme të historisë së kombit shqiptar. Më tërhoqi historia jugosllave si një arkeologe amatore që gërmon për objekte në oborrin e shtëpisë së vet.

Ceremonia është festë e hidhur: Pas vite të të bërit pazar me autoritetet për një hapësirë publike, një shesh a një rrugë, në të cilën do të ngrihej shtatorja, organizata u detyrua ta vendoste në një dhomë të vogël të harruar pranë ish-sheshit “Vëllazërim-Bashkim” – sot, sheshi “Adem Jashari”. E ulur pranë vëllait të vogël, Skënderit, sot njërit nga anëtarët e paktë të kryesisë së organizatës së veteranëve, ajo nuk i copëzon fjalët.

“Kjo është e turpshme. Fadili nuk ishte person që meritonte bust në dhomë”, thotë duke tundë kokën me mosbesim. Pas thuajse 10 vjetësh, pas një serie premtimesh për ta vendosur në qendër të Gjakovës, dhe shumë rezistencë nga kuvendi komunal, shtatorja e bronztë mbetet e harruar në një cep të zyrës së veteranëve, duke mbledhë pluhur.

  1. Jugonostalgjia

Gjatë tërë jetës së saj, gjyshja ime ishte motra e vogël e Fadil Hoxhës, dhe gjatë tërë jetës sime, unë isha mbesa e saj. Isha nisur të shkruaja këtë ese me qëllimin që të përmblidhja kujtimet e pak njerëzve të fundit që ose kishin qenë të përfshirë aktivisht në ndërtimin e një Jugosllavie socialiste, ose që mezi i kishin mbijetuar represionit të saj, por qysh në fillim kuptova se historia familjare e gjyshes ndikonte në çdo takim, çdo intervistë.

Mbiemri im hapte dyer, por edhe mbyllte. Të intervistuarit më tregonin rrëfime që mendonin se doja t’i dëgjoja, duke supozuar se isha në kërkim t’ia shpëtoja nderin familjes ose t’i shpëtoja gjurmët e fundit të “jetës më të mirë jugosllave”. “Nostalgjia jo reflektuese pjell mostra”, përfundon Boym. Ata nuk e kishin krejt gabim. Më tërhiqte historia jugosllave siç tërhiqet një arkeolog amator të gërmojë për artefakte në oborrin e vet.

Unë kam lindur në vitin 1988 dhe nuk e mbaj mend Titon, dhe nuk e kam përjetuar lumturinë konsumeriste jugosllave të viteve ’70. A po bëhesha jugonostalgjike dhe a nuk do të ishte kjo gjë e keqe qysh në fillim? Në fund të fundit, nostalgjikët konsiderohen qenie sentimentale, naive dhe disi torollake. Me sy të përhumbur ata e rrëfejnë me mall të kaluarën, duke parë me admirim çdo kujtim si një kliker të vetëm nga i cili koha ka fshirë të gjitha pa përsosmëritë.

Por siç tregon Svetlana Boym në librin “The Future of Nostalgia” (E ardhmja e nostalgjisë), kjo  gjendje përfundimisht moderne, e që na buron nga nevoja për ta ndalë kohën, për ta ndalë përparimin, ka më shumë nuancë nga që duket. Nostalgjia është në thelb ambivalente dhe mund të jetë gjakim për një vend e për një kohë. Më me rëndësi, për dallim nga melankolia, e cila është individuale, nostalgjia përqendrohet në marrëdhënien mes kujtesës personale dhe kolektive. Në libër, Boym përshkruan dy lloje nostalgjie: restauruese dhe reflektuese.

E para nuk e sheh veten si nostalgji, por si të vërtetë dhe traditë, dhe manifestohet në ringjalljet kombëtare dhe nacionaliste aktive në mit-bërje anti-moderne. Përderisa nostalgjia restauruese kënaqet me rindërtimin e “monumenteve të së kaluarës”, nostalgjia reflektuese “sorollatet mbi rrënojat, patinën e kohës dhe historisë”. Nostalgjia reflektuese, pra, ka të bëjë me mallin, humbjen dhe pamundësinë për t’i harnuar boshllëqet e kujtesës që nostalgjikët restaurues i kërkojnë me aq ngulm.

Siç shkruan Boym, nga njëra anë kemi nostalgji restauruese, që përforcon një “rrëfim kombëtar” homogjen, një kujtesë kolektive të bazuar në narrativa që zbatojnë “një të vërtetë absolute”. Ndërkohë, nga ana tjetër kemi nostalgjinë reflektuese që thekson marrëdhënien mes identitetit individual e kolektiv, jo duke u përpjekë të rikrijojë narrativa të unifikuara, por duke ruajtur boshllëqet dhe dallimet që dalin nga këndvështrime të kundërta. “Nostalgjia jo reflektuese pjell mostra”, përfundon Boym.

Hetimi im ishte nostalgjik, po, por ishte nostalgji reflektuese. Isha përpjekur të mblidhja kujtime të shkëputura të gjyshes, jo për të ndërtuar një rrëfim koherent për të a brezin e saj, por për të rindërtuar një pamje të një përkohshmërie të ndryshme, në të cilën gjyshja dikur kish qenë e re dhe e lumtur, anëtare e çmuar e komunitetit të vet. Në fund të fundit ishte kërkim për një temporaliteti në të cilin gjyshja ime në fakt kishte kuptim.

Grua e dalluar

Si ish-arsimtare e historisë dhe e gjeografisë, gjyshes sime i pëlqenin librat jo fiktivë, veçmas biografitë bashkëkohore të njerëzve të shquar. Ajo gjente ngushëllim duke lexuar për burrat e mëdhenj dhe gratë e mëdha, ndërveprimin e personales dhe historikes në rrjedhën e një jete të vetme, e mua më pëlqen të mendoj se i pëlqenin edhe thashethemet.

Në vitet e mëvonshme, ajo lexonte kujtimet e presidentëve amerikanë, zonjave të para dhe të politikanëve evropianë, duke vlerësuar stilin në të cilin librat e tillë ndërthurnin të vërtetën dhe përvojën, faktin e trillin. Këta libra ishin në kontrast të plotë me mënyrën se si ne ishim mësuar t’i shkruanim biografitë në shkollë, qofshin të personaliteteve të njohura, të figurave historike ose, sidomos, të dëshmorëve.

Dhjetëra monografi të tilla mblidhnin pluhur në bibliotekën personale të gjyshes: kronika të mësuesve të parë në Kosovë; libra mbi figura historike që në një mënyrë a tjetër kishin kontribuar në zhvillimin e kombit shqiptar dhe kuptohet, libra për të vëllanë e saj, Fadilin. Të gjithë këta libra ndiqnin një shabllon dhe përsëritnin motive të ngjashme. Për shijen time letrare, rrëfimi i thatë që i shoqëronte këto jetë që ishin të vlefshme për t’u dokumentuar, i bënte të dukeshin gjithçka veçse të vlefshme për t’u jetuar.

Këta burra dhe, më rrallë gra, kishin lindë në një ditë e vend të caktuar, por të gjithë kishin ardhë disi nga familje patriotike dhe kishin vazhduar të kryenin akte patriotike. Këto familje mund të përshkruhen si feudale, intelektuale, të pasura ose të varfra. Herë-herë njerëzit vinin nga familje të vjetra qytetare; herë të tjera nga familje bujare pronare tokash, e më rrallë nga klasa punëtore ose familje tok-punuese.

Por e përbashkëta e gjithë këtyre personazheve të biografive ishte se ata vinin nga diku, patriotizmi i familjes së tyre duke ua hapur një rrugë lavdie, duke i paraprirë ardhjes së tyre në skenën e jetës dhe duke ua formësuar përgjithmonë synimet e veprimeve – ose të paktën interpretimin tonë të tyre. Në këtë traditë, do të duhej të thoshim se gjyshja ime, Myrvete Limani, e lindur Hoxha (1930), kishte lindë në një familje patriotike, atdhedashëse, e cila e çmonte arsimin mbi të gjitha.

Shkollën fillore dhe të mesme e ndoqi në Gjakovë, ishte pjesëtare aktive e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare nga viti 1942 – kur ishte veç fëmijë – dhe iu bashkua Partisë Komuniste krejt e re në vitin 1948. Ishte ndër mësueset e para që diplomoi nga Shkolla Normale në Gjakovë dhe i vazhdoi mësimet për histori e gjeografi në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Beogradit. Ndërmjet viteve 1948 dhe 1949 mori pjesë në aksionin e të rinjve për ndërtimin e Novi Beograd.

Me mbarimin e studimeve, u kthye në Gjakovë për të dhënë mësim në gjimnaz, para se të vazhdonte mësimdhënien në gjimnazin e Prizrenit. Në vitin 1957 u transferua në Prishtinë për të dhënë mësim në shkollën fillore “Aca Marović”, sot shkolla “Faik Konica”. / Memorie.al

                                                           Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Në dhjetor 1942, në një deklaratë të veçantë mbi pavarësinë e Shqipërisë, qeveria sovjetike theksoi se; BRSS-ja, nuk i njeh pretendimet italiane mbi...”/ Libri i Nikolali Shmelev, “Novaja Albanija” Moskë 1951

Next Post

“Kërcënimi i Iranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit, krijoi shqetësim shumë të madh, çorientim dhe alarm të paprecedentë te SHBA-ës...”/ Zbulohet ditari politik i Enver Hoxhës, qershor 1984

Artikuj të ngjashëm

“Kostë Çekrezi i shkruante një letër shokut të tij, nipit të presidentit amerikan, Willson, ku i thoshte…”/ Studiuesi i njohur nga SHBA-ja, publikon dokumentin e rrallë
Personazh

“Kostë Çekrezi i shkruante një letër shokut të tij, nipit të presidentit amerikan, Willson, ku i thoshte…”/ Studiuesi i njohur nga SHBA-ja, publikon dokumentin e rrallë

August 29, 2026
“Falë përkujdesjes së poetit tonë të njohur Xhevahir Spahiu, që na e solli një kopje të këtij libri nga Irani gjatë një vizite pune në Teheran, u bë e mundur…”/ Libri i panjohur për Abaz Aliun
Personazh

“Falë përkujdesjes së poetit tonë të njohur Xhevahir Spahiu, që na e solli një kopje të këtij libri nga Irani gjatë një vizite pune në Teheran, u bë e mundur…”/ Libri i panjohur për Abaz Aliun

August 25, 2026
“Përballë shqiptarëve të Plavës, Gucisë, Rugovës e Gashit, të udhëhequr prej prijësit të tyre, Ali Pashë Gucia, miti i trimërisë malazeze…”/ Dokumentet e panjohura  austro-hungareze
Personazh

“Përballë shqiptarëve të Plavës, Gucisë, Rugovës e Gashit, të udhëhequr prej prijësit të tyre, Ali Pashë Gucia, miti i trimërisë malazeze…”/ Dokumentet e panjohura austro-hungareze

August 23, 2026
“Në letrën që ia dërgoi gruas së tij Terentia dhe vajzës Tullia, ai shkruante; erdha në Durrachium, sepse është një qytet i lirë, njerëzit këtu janë…”/ Historia e panjohur e Ciceronit me “Tavernën e Adriatikut”
Personazh

“Në letrën që ia dërgoi gruas së tij Terentia dhe vajzës Tullia, ai shkruante; erdha në Durrachium, sepse është një qytet i lirë, njerëzit këtu janë…”/ Historia e panjohur e Ciceronit me “Tavernën e Adriatikut”

August 21, 2026
“Para se t’i ngrinin monumentin në qendër të qytetit, populli i Elbasanit i ka bërë Aqif Pashës edhe një…”/ Refleksionet e studiuesit dhe historianit të njohur nga Zvicra, për patriotin e famshëm
Personazh

“Para se t’i ngrinin monumentin në qendër të qytetit, populli i Elbasanit i ka bërë Aqif Pashës edhe një…”/ Refleksionet e studiuesit dhe historianit të njohur nga Zvicra, për patriotin e famshëm

August 20, 2026
“Duke mos harruar qëndrimin e Mbretit Zog gjatë luftës dhe besnikërinë e ushtarakëve të tij ndaj Francës, gjenerali De Gaulle, i bëri…”/ Ana e panjohur e Monarkut shqiptar me kreun e Francës
Personazh

“Ëndrra e tij ishte që një ditë, rrugët dhe hotelet e reja e të bukura, do ta kthenin Shqipërinë në një destinacion turistik të lakmuar, duke ofruar edhe ski alpine, plazhe…”/ Libri i panjohur për Mbretin Zog

August 19, 2026
Next Post
“Në dhjetor 1942, në një deklaratë të veçantë mbi pavarësinë e Shqipërisë, qeveria sovjetike theksoi se; BRSS-ja, nuk i njeh pretendimet italiane mbi…”/ Libri i Nikolali Shmelev, “Novaja Albanija” Moskë 1951

“Kërcënimi i Iranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit, krijoi shqetësim shumë të madh, çorientim dhe alarm të paprecedentë te SHBA-ës...”/ Zbulohet ditari politik i Enver Hoxhës, qershor 1984

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme