Nga Lura Limani
Pjesa e katërt
Memorie.al / E rritur në Jugosllavinë e pasluftës, gjyshja e shihte veten si pjesë të pandashme të strukturës shoqërore socialiste. Si ta kuptimësoj botën e saj sot? Derisa u bëra ta njihja, gjyshja ime ishte bërë grua e vështirë. Dukej e ashpër: kish një vështrim serioz, nuk ish grua me të cilën doje të ngatërroheshe. Në shqip kemi shprehjen ‘zonjë e randë’. E këtillë ishte gjyshja: e vështirë, dinjitoze, krenare; qibar dhe e krehur edhe kur ishte mbyllur në shtëpi. Në sytë e mi, ajo ishte më e madhe se jeta. Duket se kish diçka të vërtetë sa i përket trupit të saj të bëshëm rinor, pasi sot rrobat e vjetra më lëvaren mbi shtatin tim të imët, tre numra më të mëdha. Ajo kishte një prani që kërkonte vëmendje dhe respekt sa herë që hynte në dhomë.
Emancipimi instant
Gjyshja ishte pioniere e llojit të vet: E kënaqur me guximin e vet rinor, na tregonte shpesh si kish veshë rroba banje për të notuar në lumin Erenik. “Në vitet ’50, – thoshte ajo duke hapur sytë. – Kohët po ndryshonin, veçanërisht për gratë. Gratë kishin luajtur rol integral në çlirimin e Jugosllavisë dhe partia e kuptoi rëndësinë e emancipimit të grave.
Fronti Antifashist i Grave të Jugosllavisë (FAG) u krijua në vitin 1941, me qëllimin e vetëm organizimin dhe mobilizimin e grave në përpjekjet e luftës kundër okupimit. Pjesëmarrja e grave në përpjekjet antifashiste të Jugosllavisë ish e paprecedent: Sipas statistikave zyrtare, 100.000 gra luftuan si partizane, dhe rreth 2 milionë i kontribuuan lëvizjes në mënyra të ndryshme.
Në Kosovë, celulat e FAG-ut që quheshin ‘aktiva’, organizonin gratë për të mbledhë armë, ushqime, rroba e furnizime mjekësore, dhe kryesisht i angazhonin me bartjen e lajmeve dhe letrave për partizanët. FAG-u u rrit në këtë pjesë të Jugosllavisë, veçmas pas përfundimit të luftës dhe ishte jetik për propagandimin e pjesëmarrjes së grave në punë vullnetare dhe në organizimin e kurseve të shkrim-leximit.
Në vitin 1947, krahu lokal i organizatës filloi botimin e Buletinit, revistë në shqip, përmes të cilës u bënte thirrje grave të kujdeseshin për shtëpitë dhe “kopshtet” (pra hapësirën publike), duke theksuar rëndësinë që gratë të arsimoheshin si edukatore të fëmijëve, shoqërisë dhe shtetit. “Çdo nënë ka detyrën e shenjtë t’i dërgojë fëmijët në shkollë” thoshte një artikull i tillë propagandistik në numrin e dytë.
Njëra nga detyrat kryesore të FAG-ut në Kosovë ishte fushata kundër mbulesës, të cilën e mbanin shumica e grave të rritura në Kosovë. Një varg artikujsh në ‘Buletini’ iu kushtuan kësaj çështjeje, duke e shënjuar mbulesën qartazi si pengesë për pjesëmarrjen e grave në sferën publike dhe si emblematike të “prapambetjes” së rajonit.
Heqja e mbulesës supozohej të “hapte perspektiva të reja për punën dhe mbrojtjen ekonomike” dhe ishte sidomos e nevojshme tash që gratë pritej të kontribuonin në zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë duke punuar në fabrika, ndër të tjera, siç tregon një artikull në numrin nr. 5-6 të ‘Buletinit’.
Në fushatë ishte aktive edhe gjyshja Myrvete, e anëtarësuar në parti dhe në organizatat shoqëruese të grave. “Krejt gratë e Gjakovës, e jo vetëm ato, por krejt Kosovës, ishin të mbyllura me çarshaf. Të reja të vjetra — të gjitha të mbyllura me çarshafa”, thoshte gjyshja. Myrvetja e re me shoqet shkonin derë më derë në Gjakovë për të bindur familjet se nënat dhe vajzat duhet të hiqnin mbulesën. “Kjo ishte detyra kryesore: ta hiqnim… U thoshim hapur: ‘Është koha me hekë çarshafin’.
Fillimisht, fushata nuk qe e suksesshme, pasi përballej me rezistencë edhe nga burrat e edhe gratë, por në vitin 1951, mbulesa u bë e paligjshme. Secili anëtar i organizatave politike dhe shoqërore kishte për detyrë ta zbatonte fushatën, duke nisë nga familja.
“Edhe nëna ime ka qenë me çarçaf, barëm ato e mbaj mend mirë. Kur erdhi koha me heqë çarçafin… se u organizojshin tubime e, siç bëjmë tash në shesh. Tona gratë, ekzistojnë fotografitë e sende”, na tha, “dilnin me hekë çarçafin n’shesh. Disa i hiqnin me rrëmbim, disa ngadalë. Nëna ime kish turp. Na thoshte, ‘Qysh unë jam plakë, e me hekë çarçafin?’”
Por edhe Kika hoqi mbulesën – të paktën çarshain si pallto. Në fotografitë e mëvonshme me familjen, o para shpisë o në ditën e dasmës së gjyshes, ajo mund të shihet e veshur me shallvare, pantallona tradicionale tullumbace me pikla, me një shall të zi mbështjellë fort rreth flokëve, me çka fytyra e butë dhe sytë e thelluar ishin të dukshëm për të gjithë.
Cepat e pa shtrënguar
Nuk mund ta përfundoj historinë e gjyshes, ka shumë për të thënë dhe e gjitha do të ishte pak e dobishme. Harta është territori. Ashtu si Harta e Paarsyeshme e Borges-it, sapo të përkonte me tërësinë e të referuarës, historia e jetës së gjyshes do të bëhej e padobishme në pafundësinë e saj.
I thashë lamtumirë gjyshes një ditë të ftohtë dhjetori, ndërsa kortezhi i funeralit të saj vërshonte nëpër varrezat e vjetra të Prishtinës, dëshpërimisht duke kërkuar shtigje që ishin zënë nga shkurre e bimë të egra.
Zija Mulhaxha, kryetari 80-vjeçar i Organizatës së Veteranëve, tha disa fjalë për të ndjerën teksa të afërmit, miqtë e familjes dhe një pjesë e vogël e kolegëve rrethuan varrin e hapur. Nuk e mbaj mend fjalimin, por duhet të ketë filluar me, “Myrvete Hoxha Limani lindi në një familje bujare, patriotike…”?/ Memorie.al
Ky artikull mbështetet nga Rosa-Luxemburg-Stiftung Gesellschaftsanalyse und politische Bildung e. V. – Zyra në Bosnjë dhe Hercegovinë.















