Nga Stavri Daja
Memorie.al / Gazeta “Kathimerini” dhe gazetari i i njohur Stavros Tzimas në numrin e 5 nëntorit 2022, publikoi një artikull interesant mbi indoktrinimin politik të politikanit brazilian David Silva Lula në Shqipëri, në vitet 1970, nga programe të financuara nga fonde sekrete të partisë. Këto fonde i kanë përfituar herë pas here edhe anëtarë të Partisë Komuniste Greke (PKG) që ndodheshin në vendet e ish-kampit socialist dhe mbanin marrëdhënie miqësore me regjimin komunist të Enver Hoxhës, i cili ishte kujdesur që në fazat e hershme të financonte institucione, parti, organizata ushtarake revolucionare, të cilat i strehonte dhe i trajnonte në territorin e tij apo edhe individë të veçantë, gazetarë aktivë dhe të shkathët, politikanë, bashkëpunëtorë, shoqata etj., në të gjithë botën. Këto fonde njihen më gjerësisht edhe si fonde sekrete ose shpenzime sekrete.
Arsyet për të cilat u ndanë fondet sekrete ishin promovimi i çështjeve kombëtare, promovimi i Shqipërisë socialiste, mbledhja e informacionit për shërbimet shtetërore, spiunazhi dhe kundërspiunazhi nga burime të ndryshme, shërbimi ose lehtësimi i personave të ndryshëm me detyra specifike ose që, me aksesin e tyre në jetën publike, mund të promovonin vendin dhe të ndikonin në zhvillimet ndërkombëtare, të ofronin shërbime në dobi të vendit ose ta ndihmonin atë të parandalonte ose të përballonte rreziqet e jashtme ose të brendshme. Paratë nga këto fonde kishin për qëllim gjithashtu promovimin e veprave të Enver Hoxhës dhe, në përgjithësi, politikën e jashtme të shtetit shqiptar.
Në fillim, shumat e shpenzuara për veprime të tilla ishin simbolike, por dora dorës ato u përshkallëzuan. Përveç përfitimeve thjesht monetare, format e tjera të mbështetjes për partitë komuniste ishin pritjet falas të miqve dhe simpatizantëve të partisë në Shqipëri, pushimet e tyre në kampet e pushimit në Shqipëri, përforcimi i shërbimeve diplomatike me personel spiunazhi dhe kundërspiunazhi, si ndërlidhës me partitë ose lëvizjet komuniste në mbarë botën, dhe dhënien e bursave për studime në institucionet e arsimit të lartë ose shkollat teknike shqiptare për komunistë nga e gjithë bota, si shpërblim të aktivitetit të tyre në favor të Shqipërisë.
Shpërblimet kryheshin sipas urdhrave tepër sekrete nga Byroja Politike, kryesisht nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia (pasardhësi i Enver Hoxhës), ndërsa paratë dorëzoheshin nga njerëz absolutisht të besuar të shërbimeve sekrete shqiptare, të vendosur në shërbimet diplomatike, pa dokumente ose mandate bankare, me urdhër të prerë për të mos kërkuar firma nga përfituesit e parave. Deri në vitin 1961 dhe prishjen me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria shpenzonte para nga Fondi Botëror i Sindikatave, i financuar nga sovjetikët, për qëllime të tilla. ]
Pas Kongresit të 4-t të Partisë (shkurt 1961), financimi sekret mori karakter institucional dhe në qershor 1964, Komiteti Qendror miratoi krijimin e “Fondit të Solidaritetit për Partitë dhe Lëvizjet Marksiste-Leniniste”, i cili kanalizonte paratë me origjinë nga Republika Popullore e Kinës, me qëllim forcimin e luftës kundër imperializmit botëror dhe revizionizmit modern dhe triumfin e revolucionit proletar botëror.
Vetëm në dy vitet e para, fondi dispononte rreth 700.000 dollarë, por mesatarisht shpenzoi rreth 100.000 dollarë në vit, një shumë e madhe krahasuar me mundësitë ekonomike të shtetit shqiptar. Në vitin 1967, 211.500 dollarë u shpenzuan nga fondi i solidaritetit. Ishte viti kur Shqipëria priti disa grupe terroriste revolucionare nga Afrika, anëtarët e të cilave u stërvitën në kampe e në njësi të ndryshme ushtarake në vend, për të cilat u shpenzuan 100.000 dollarë, me qëllim përgatitjen e tyre për të marrë me dhunë pushtetin në vendet e tyre.
Indoktrinimi ideologjik dhe politik i këtyre grupeve u ndërmor nga shkolla e partisë “Vladimir Iliç Lenin”, dhe trajnimi i tyre ushtarak nga Ministria e Mbrojtjes. Më pas (nga viti 1981), këto grupe terroriste u stërvitën në njësinë ushtarake misterioze 3781.
Financimi për Partinë Komuniste Greke
Nga fondet sekrete të partisë, financoheshin herë pas here aktivitete të Partisë Komuniste Greke, grupe ose anëtarë të veçantë të saj, ose u ofroheshin atyre lehtësira dhe komoditete të ndryshme për shërbimet e tyre në luftën kundër reaksionit ndërkombëtar dhe ndihmën që ata jepnin në favor të Republikës Popullore të Shqipërisë. Deri në vitin 1949, ndihma e gjerë që mbërriti nga vendet e bllokut lindor në Shqipëri, me qëllim ndihmën ndaj kryengritjes greke, u shpërdorua kryesisht nga shërbimet shqiptare dhe u përdor për përfitimet e tyre.
Megjithatë, më pas, pas shpërndarjes së komunistëve grekë në vendet e Evropës Lindore, shteti shqiptar shpenzoi shuma të konsiderueshme fondesh publike të destinuara për komunistët grekë jashtë vendit, të cilët demonstronin solidaritet me politikën dhe ideologjinë e komunistëve shqiptarë dhe kontribuuan në promovimin e çështjes kombëtare të Shqipërisë në mënyra të ndryshme.
Menjëherë pas tërheqjes së gueriljeve grekë dhe dislokimit të tyre në Burrel – (ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UDG-së), Bartziotas-i telefonoi Polidoros Daniilidis-it dhe i kërkoi të formonte një kompani të zgjedhur me rreth 600 desantë të betuar për stërvitje speciale, si sabotatorë dhe operatorë radiosh, të cilët u transferuan në Veri, të destinuar për veprime në Epir, Maqedoni dhe Korfuz, dhe 500 maqedonas të vendosur në Burrel, me të njëjtin mision.
Numri i përgjithshëm i forcave nën armë për të ndërmarrë misione spiunazhi në Greqi, sipas të dhënave në dispozicion të shërbimeve greke, vlerësohej në 1.500-2.000 vetë. Kompania e zgjedhur u transferua më pas në Cërrik. Njëqind e pesëdhjetë guerilas të besuar, sipas listave të përpiluara nga Partia Komuniste Greke, ishin transferuar në zyrat e Sigurimit të Shtetit shqiptar të Sarandës, Gjirokastrës, Ersekës dhe Korçës, me qëllim organizimin e grupeve të vogla informatorësh për veprime të drejtpërdrejta spiunazhi në Greqi, në dobi të Ushtrisë Demokratike të Greqisë.
Të gjithë ata që mbetën në Shqipëri u cilësuan të dhe gatshëm për luftë, të cilët mund të shkaktonin trazira serioze në Epir dhe në Maqedoninë Perëndimore dhe të destabilizonin Greqinë, nëse do të vendosej ndonjëherë rifillimi i luftës civile. Të gjitha lehtësitë infrastrukturore për përgatitjen e tyre katërmujore në Shqipëri u ofruan nga shteti shqiptar.
Pritja e titullarëve të Partisë Komuniste Greke në Shqipëri
Në vitin 1958, Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë vendosi të miratojë shpenzime sekrete për strehimin falas të anëtarëve kryesorë të Partisë Komuniste të Greqisë që vizitonin Shqipërinë për misione të ndryshme, kryesisht për të rregulluar çështjet e refugjatëve në kampe të ndryshme ose si shoqërues të desantëve dhe ndërlidhësve që dërgoheshin në Greqi nëpërmjet pikave të ndryshme të kufirit, ardhur nga vendet e Evropës Lindore dhe shkollat e spiunazhit të këtyre vendeve.
Në janar të vitit 1960, Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, vendosi t’i jepte të dërguarit të PKG-së në Shqipëri shumën prej 19.200 lekësh si pagë mujore, që përbënte dhjetëfishin e pagës, krahasuar me mesataren mujore të një punëtori shqiptar, ndërkohë që ai do të kishte në dispozicion edhe 230,000 lekë për vitin 1960 dhe 30.000 lekë për shpenzime udhëtimi, shuma që jepeshin nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë dhe nga Zyra e Kryeministrit.
Në maj të vitit 1959, vetë Enver Hoxha ftoi një çift ose, si në mungesë të tij, dy shokë të Partisë Komuniste Greke në Shqipëri për të kaluar pushime falas në bregdetin shqiptar gjatë muajit qershor, me qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërpartiake, dhe në maj të vitit 1960, vetë Hoxha ftoi përsëri Apostolos Grozon, Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të PKG, për të kaluar pushime falas në Shqipëri, me qëllim që të pushonte e çlodhej nga puna intensive e partisë.
Në shkurt të vitit 1960, Dimitris Partsalidis u propozoi shqiptarëve që të ftonin në vend gazetarë të caktuar grekë me pikëpamje demokratike, të cilët do ta promovonin pozitivisht Shqipërinë. Partsalidis-it vetë iu dërgua ftesë për të vizituar Shqipërinë dhe për të kaluar pushimet atje, por ngurroi sepse gruaja e tij Avra, ishte e pandehur dhe gjykohej në atë kohë në gjyqin e Athinës.
Dëshirën e tij për të vizituar Shqipërinë dhe për të kaluar pushimet atje falas e kishte shprehur edhe Kostas Koligiannis-i, në qershor 1960, nëpërmjet të dërguarit të PKG në Shqipëri, Giorgios Argyropulos. Koligiannis-i, gjatë Luftës Civile, ishte shtruar në spital në Shqipëri, pasi ishte plagosur në frontin e Gramozit.
Në fund të dhjetorit 1960, Enver Hoxha ftoi një delegacion të Partisë Komuniste Greke në punimet e Kongresit të 4-t të PPSH-së, më 13 shkurt 1961, dhe mori përsipër të gjitha shpenzimet e mikpritjes vetë ai. Pas konfliktit përfundimtar midis Partisë së Punës së Shqipërisë dhe PKG-së, interesi i udhëheqjes partiake shqiptare u objektivizua te grupet e përçara dhe kryesisht te grupi i Polidoras Daniilidis-it, i cili kërkonte ndihmë, si dhe udhëzime politike dhe ideologjike nga Tirana.
Në mars të vitit 1965, një anëtar i Partisë Komuniste Greke (marksiste-leniniste) vizitoi Ambasadën Shqiptare në Pragë dhe, ndër të tjera, kërkoi një makinë shkrimi me shkronja greke për nevojat e udhëheqjes në Bukuresht, nëpërmjet ambasadës shqiptare atje. Në kontaktet e tyre, grekët u ngrinin akuza kundër grupeve të tjera të PKG-së, siç ishte “Gousia i përjetshëm”, të cilin e përshkruanin si problematik, të distancuar, ambicioz, që përçmonte të gjithë të tjerët.
Ata në mënyrë indirekte rekomanduan që shqiptarët të ndalonin çdo ndihmë ose lehtësi për grupin e tij. Ata gjithashtu akuzuan anëtarë të tjerë se ishin vënë në shërbim të shërbimit sekret bullgar dhe se flisnin me përçmim për shqiptarët. Në fillim të vitit 1960, shqiptarët vendosën t’i jepnin PKG-së (m-l) dhe Komitetit Qendror të përkohshëm një ndihmë financiare prej 5.000 dollarësh në këste, nëpërmjet ambasadës shqiptare në Vjenë, sipas nevojave që do të kishte herë pas here.
Disa vjet më vonë, në vitin 1968, Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë vendosi të moderonte financimin e saj, i cili do të arrinte në 2.000-3.000 dollarë, por shqetësimi kryesor ishte kërkimi i mënyrave alternative për përhapjen e materialit propagandistik shqiptar në vendet e Evropës Lindore.
Financimi për grupin e Jorgo Vonditsios-it-Goussias
Njeriu që përfitoi gjithashtu nga shpenzimet sekrete të Partisë së Punës së Shqipërisë ishte Giorgos Vontitsios-Goussias. Interesi i shqiptarëve për Goussias-in justifikohej nga qëndrimi i tij i gjatë ilegal në Greqi (1952-1956), fakt që mund t’u jepte shqiptarëve informacion në lidhje me nevojat e partisë dhe zhvillimet në Greqi
Në gusht të vitit 1966, Goussias, në cilësinë e gjeneral-lejtënantit të Ushtrisë Demokratike të Greqisë (UDG), anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKG (deri në vitin 1956), i dërgoi një letër Enver Hoxhës dhe Mehmet Sehut dhe, më pas, dorëshkrimin e librit të tij me titull: Për të eliminuar nga lëvizja e majtë e Greqisë, kancerin e revizionizmit modern:
Qëndrimet ideologjike dhe politike të marksistëve-leninistëve grekë”, i cili arrinte në 342 faqe, dhe kërkoi financimin e botimit dhe shpërndarjen e tij nga shteti shqiptar në Shqipëri, Greqi dhe të gjitha vendet lindore, transmetimin e tij nëpërmjet Radio Tiranës, dhe reklamimin në Greqi, me çdo mjet që kishte në dispozicion shteti shqiptar, ndërsa me ndihmën e komunistëve belgë, libri do të botohej dhe në Greqi.
Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë e konsideronte serioz librin e Gousias: ai mbronte luftën dhe personalitetin e Zahariadhis-it dhe dilte si kundërshtar i klikës revizioniste të Koligiannis – Partsalidis, e cila kishte dalë në krye të partisë me grushti shteti. Por udhëheqja shqiptare ngurronte në marrjen e një vendimi përfundimtar për financimin e librit të tij.
Udhëheqja shqiptare vendosi në fund t’i jepte atij një ndihmë të vogël financiare, duke i theksuar rezervat e saj në lidhje me përmbajtjen e librit dhe, kryesisht, në lidhje me glorifikimin e papërmbajtur dhe lavdërimet e shfrenuara për Zahariadhis-in. Gousias premtoi se do ta rishikonte përmbajtjen e librit dhe do të bënte korrigjimet e nevojshme, por deklaroi se shuma e parave ishte shumë e vogël.
Tek e mbramja, kërkesa themelore e këtij grupi fraksionist për njohjen publike të tij si Parti Komuniste (marksiste-leniniste), nuk u miratua nga krerët shqiptarë, as botimi i menjëhershëm i librit të tij, pasi një veprim i tillë do të dëmtonte grupet e tjera. Por ndihma për Goussias-it vazhdoi në forma të tjera: sigurimi i letrës, shaptilografimi dhe botimi i një numri të vogël librash (afërsisht 500) për përdorim të brendshëm, shpërndarjen e të cilave do ta ndërmerrte ai vetë.
Për të kapërcyer mosmarrëveshjet midis të gjitha rrymave që kishin dalë nga përçarja e PKG-së (1968), Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë planifikoi të jepte, në mënyrë alternative, ndihmë financiare të kontrolluar në shumën prej 1.000 dollarësh dhe 30.000 lekësh, kur të bindej plotësisht për besueshmërinë e tyre.
Financimi i grupeve të tjera të PKG-së
Në të njëjtën kohë, kolonel Gerasimos Maltezos, i cili jetonte në Bullgari dhe vetë-shpallej si një ithtar fanatik i Zahariadhis-it dhe mik besnik i Partisë së Punës së Shqipërisë, i dërgoi një manual prej 30 faqesh Komitetit Qendror në Tiranë, nëpërmjet ambasadës shqiptare në Sofje, duke kërkuar shtypjen e tij në 30.000 kopje dhe shpërndarjen e tij.
Redaksia e revistës “Anagennisi”, e cila botonte kryesisht materiale propagandistike për Shqipërinë dhe Kinën, kërkoi gjithashtu ndihmë dhe mbështetje financiare. Ky grup kërkoi rivendosjen e kontakteve me Partinë e Punës të Shqipërisë, nëpërmjet ambasadës shqiptare në Paris.
Në janar të vitit 1966, Nikolas Psyroukis-i vizitoi shërbimin diplomatik shqiptar në Kajro, si përfaqësues i grupit “Miqtë e Vendeve të Reja”, dhe kërkoi gjithashtu ndihmë financiare, me qëllim luftimin e Annagennisi-t (Rilindjes), por pala shqiptare e cilësoi atë oportunist dhe refuzoi çdo komunikim me të. Në qershor të vitit 1969, Komiteti Qendror vendosi t’i siguronte grupit marksist-leninist të grekëve në Poloni një poligraf dhe një makinë shkrimi me shkronja greke.
Bursa për refugjatët grekë për të studiuar në Shqipëri
Një formë tjetër financimi për komunistët grekë ishte dhënia e bursave për studime në institucionet e arsimit të lartë shqiptar apo edhe në shkollat teknike, siç ishte ajo e Ioannis Fotakis-it nga Arta, i cili studioi filologji shqipe në Tiranë. Megjithatë, kur marrëdhëniet midis dy partive u acaruan, autoritetet shqiptare hodhën poshtë kërkesat e grekëve në Shqipëri për t’u dhënë atyre bursa për studime në shkollat teknike. Disa nga bursistët u burgosën, siç ishte Efstathios Qekhaev (studioi filologji ruse në Tiranë, u burgos dhe vdiq në burg në vitin 1978)./ Memorie.al













