Pjesa e katërt
Memorie.al / Marrëdhëniet mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, gjatë regjimit komunist, nuk kanë qenë aspak të mira. Të paktën, kështu pretendojnë amerikanët. CIA ka de klasifikuar një dokument të vitit 1955 dhe aty tregohet për largimet në qeveri, por dhe për marrëdhëniet Hoxha-Shehu. Aty thuhet se ka pasur rivalitet të madh mes tyre, ndërsa sipas raportit, Hoxha futi në qeveri njerëzit e tij dhe sidomos Spiro Kolekën, në mënyrë që të forconte pozitat e tij. Më tej në disa dokumente të tjera tregohet ajo se çfarë ndodhte me sistemin arsimor në vend.
Gjendja e brendshme qershor 1955
Dy tronditje madhore kanë ndodhur në regjimin shqiptar në tre javët e fundit, me dy drejtues të nivelit të lartë të shkarkuar me akuza in kompetence, Zv. Kryeministri Tuk Jakova dhe ministri i Arsimit e Kulturës, Bedri Spahiu. Mes arsyeve të mundshme për këtë është ndryshimi i orientimit të politikave shqiptare drejt Jugosllavisë, apo zhvillimi i asaj që është raportuar edhe më parë, si rivalitet mes kryeministrit Mehmet Shehu dhe kryetarit të partisë Enver Hoxha.
Një nga të shkarkuarit, Bedri Spahiu, ka drejtuar komisionin që gjykoi dhe dënoi Koçi Xoxen, krye-titoistin shqiptar në maj 1949. Ndërsa i shkarkuari tjetër Tuk Jakova, raportohet se ka qenë në Moskë në vjeshtën e 1948, për të marrë urdhrat e largimit të Xoxe dhe zëvendësimin e tij si sekretar i partisë. Nga ana tjetër të dy këta nisën të mos favorizoheshin më prej vitit 1951. Shkarkimi i tyre ishte pjesë e vështirësive personale të të dyve brenda partisë.
Në lidhje me rivalitetin Hoxha- Shehu, provat për përfshirjen e tyre me njëri-tjetrin janë kryesisht të bazuara në zhurma. Prova më e fortë ka të bëjë me ngritjen e besnikut të Hoxhës, Spiro Koleka, në postin e zëvendës-kryeministrit, që sinjalizon se të tjera lëvizje mund të priten nga Hoxha për të forcuar pozitat e tij. Edhe Ministria e Jashtme italiane pretendon se ndryshimet vijnë pas largimeve të njerëzve anti-Tito, dhe se ka ardhur koha që SHBA-të të ngrejë çështjen e paanësisë së Shqipërisë.
Propozimi tregon për dëshirën e Italisë për më shumë manovrim në çështjet e Ballkanit dhe sugjeron se ndoshta Roma po e ekzagjeron rrezikun e lëvizjeve jugosllavo-shqiptare. Jugosllavët kanë treguar pak vullnet për ndërmarrjen e hapave të pazakontë drejt Shqipërisë dhe në fakt duken më të interesuar për atë që mund të bëhet me Bullgarinë.
Sistemi i arsimit, dhjetor 1950
Sistemi arsimor në Shqipëri funksionon si më poshtë: Ministri i Arsimit, Karaman Ylli, është gjithashtu anëtar i Komitetit Qendror të Partisë. Është rreth 30 e sa vjeç dhe ka provuar besimin e partisë. Në 1947, ai ka qenë anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes së Parisit.
Kur u kthye, ai u bë ministër arsimi duke zëvendësuar Naxhie Dume, një grua rreth 35 vjeçe, e shoqja e një gjenerali ushtrie që u shkarkua pas valës së spastrimeve dhe arrestimeve pas ekzekutimit të Koçi Xoxes. Informatorët thonë se ministri i Arsimit është nën mbikëqyrjen e një konsulenti sovjetik, me zyrë brenda në ministri. Këto konsulentë nuk ndërhyjnë asnjëherë personalisht por i kalojnë instruksionet ministrit.
Zv. Ministrat
Kadri Baboçi është rreth 45 vjeç, zëvendës-ministër arsimi, përgjegjës për administratën e personelin. Ai është nga Gjirokastra, ku ka qenë mësues në lice. Baboçi u regjistrua në Partinë Komuniste me ardhjen e regjimit të ri dhe u emërua zëvendës-kryetar i Gjirokastrës. Në 1947-‘48 u emërua presidenti i Komisionit të Teksteve dhe Programeve shkollore. Kur u bë zëvendës-ministër, Baboçi zëvendësoi njëfarë Malile, i cili qe larguar në Bashkimin Sovjetik për studime. Informatorët thonë se Baboçi është njeri me kulturë dhe inteligjencë mesatare.
Shemsi Totozani është rreth 40 vjeç, zëvendës-ministër arsimi përgjegjës për organizimin shkollave, dhe sipas informatorit, ka treguar aftësi në këtë fushë. Totozani ka shkuar në Francë për studime, por nuk arriti të diplomohej. Ai ka qenë mësues Vlorë e Gjirokastër gjatë kohës së pushtimit italian, dhe ka qenë partizan gjatë pushtimit gjerman.
Me ardhjen e qeverisë së re “demokratike”, ai u bë sekretar i Ministrisë së Arsimit, kur posti i zëvendës-ministrit ende nuk ishte krijuar. I dyshuar për “devijacionizëm”, atij iu caktua posti i drejtorit të shkollës së vajzave në Tiranë, por pas gjyqit të Koçi Xoxes u rivendos në ministri ku u emërua në pozicionin aktual.
Drejtorë të përgjithshëm
Një drejtor i përgjithshëm është nën vartësinë e zv. ministrit Baboçi, por nuk kemi informacione mbi personin që mban këtë post. Një drejtor tjetër është Siri Shapllo, nën vartësinë e zv. ministrit Totozani. Shapllo është rreth 50 vjeç, nga Gjirokastra, ka qenë mësues në lice. Ai ka qenë partizan gjatë pushtimit gjerman dhe tashmë një manipulues “i moderuar” në politikë.
Krerë seksionesh
Krerët e seksioneve janë nën vartësinë e drejtorëve të përgjithshëm, dhe kanë lidhje direkte me publikun. Komisioni i teksteve dhe programeve shkollore është përgjegjës për hartimin e teksteve shkollore dhe është thjesht një funksion ‘pro-forma’ pra për të siguruar që ato t’i përmbahen programit politik komunist. Shumica e teksteve janë vetëm tekste shkollore sovjetike të përkthyera.
Komisioni përbëhet nga profesorë të shkollave të ndryshme që reflektojnë dy rryma mendimi: njëra është për përdorimin e plotë të teksteve sovjetike të përkthyer në shqip, kurse tjetra favorizon përshtatjen e teksteve sovjetike në lidhje me kushtet mjedisore të Shqipërisë. Drejtuesja e shkollës së parë të mendimit, Qibrie Ciu, është një grua e çalë rreth 30 vjeçe, që ka studiuar pedagogji në Firence.
Gjatë kohës së administrimit të saj, të gjitha tekstet shqiptare ishin përkthime nga rusishtja. Ajo përshkruhet se kishte “ndjesi të dhunshme politike” dhe vlerësohej shumë nga sovjetikët për gjuhën e të folurit e të shkruarit. Shkolla e dytë e mendimit drejtohej nga Kol Popa, mësues kimie në shkollën Pedagogjike të Tiranës. Gjatë pushtimit italian, ai kishte qenë farmacist në Elbasan, dhe kishte studiuar në Pisa, ku ishte diplomuar për farmaci dhe kimi.
Informatori ynë deklaron se në shkurt 1950, në vend të filozofisë në shkollat shqiptare mësohej Marksizmi, ndërsa në kurset e shkencave natyrore shumë rëndësi i jepej teorisë së Evolucionit. Mësimi në gjuhë të huaja perëndimore (anglisht, frëngjisht, italisht etj.) ishte i ndaluar. Gjuha ruse ishte e detyrueshme në çdo gjimnaz.
Sipas informacioneve të marra në gusht 1950 nga një ish-mësues shqiptar, Ministria e Arsimit ka dy të dërguar në çdo komitet të partisë. Në komitetin e Ersekës, përgjegjësit e arsimit fillor janë Anesti Furxhiu dhe Gjon Verdufi. Shkolla katër-vjeçare janë hapur thuajse në të gjitha fshatrat e Shqipërisë. Në disa lokalitete janë hapur dhe kopshte dhe kurse mbrëmjeje për analfabetët.
Një ish-mësues shkolle në Shqipëri jep këtë analizë të shkollave të mesme: Tirana ka pesë ose gjashtë gjimnaze me program katër-vjeçar, dhe një shkolle tregtare tre-vjeçare. Ka gjithashtu tre ose katër shkolla Pedagogjie për mësuesit, nga të cilët emërohen mësuesit e shkollave fillore. (Një tjetër raportim thotë se pas përfundimit të shkollës Pedagogjike, mësuesit e rinj duhet të përfundojnë dhe një kurs tre-mujor në shkollën e Partisë)
Tirana ka dhe një shkollë Teknike me program katër-vjeçar, ku studentët përgatiten për zanate e profesione të ndryshme. Informatori i mësipërm thotë se pas shkollës së mesme studentët shqiptarë mund të kalojnë në një prej universiteteve të kimisë, fizikës, shkencave natyrore, letërsisë dhe histori-filozofisë. Studimet universitare zgjasin dy vjet, në fund të të cilave të diplomuarit bëhen mësues në shkolla të mesme. Studentët më të dalluar dërgohen në BRSS ose në vendet satelite në lindje të Perdes së Hekurt, për të vazhduar më tej studimet.
Zyrat e universitetit janë në “Rrugën e Kavajës” (më parë “Rruga Musolini”). Informatori ynë thotë se bursa studimi i jepen studentëve të veçantë për devotshmërinë ndaj Partisë Komuniste. Librat e shkollës shiten me çmim të lirë, dhe tekstet lavdërojnë ndihmën që BRSS-ja i jep Shqipërisë. Rroga e mësuesve varion nga 3000, deri në 5000 lekë në muaj
Emërimet e mësuesve të shkollave, gusht 1951
Të diplomuarit e Institutit Pedagogjik mund të përdoren si mësues deri në klasat e gjimnazit. Gjuha ruse mësohet si në Institutin Pedagogjik dhe në gjimnaz. Për ata që duan të emërohen si mësues shkolle janë të nevojshme kriteret e mëposhtme:
Një certifikatë nga organizata bazë e fshatit që vërteton se janë “njerëz të mirë”, të interesuar në punë, dhe vijnë nga klasat shoqërore të ulëta. Nëse kandidati është anëtar i Partisë Komuniste, certifikata i jepet atij personalisht. Nëse nuk është anëtar, certifikata i dërgohet me korrier nga organizata bazë në komitetin e partisë së zonës. Kandidati që aplikon duhet të dërgojë certifikatën në komitet, së bashku me diplomën e tij. Më pas ai ekzaminohet nga mjeku për të parë nëse është i shëndoshë mendërisht dhe nuk ka sëmundje të transmetueshme.
Mjeku i jep atij një tjetër certifikatë. Kandidati kërkon gjithashtu një certifikatë nga zyra e statistikave jetësore e zonës së tij. Pas dy javësh, zyra e Komitetit përgjigjet me shkrim ndaj kandidatit për aprovimin e tij, nëse nuk merr përgjigje, do të thotë se aplikimi është refuzuar. Rregullisht kundërshtarët e linjës politike të partisë komuniste të Shqipërisë nuk emërohen si mësues shkolle.
Emërimi i një mësuesi njoftohet nga komiteti partisë së zonës. Nuk dihet nëse Ministria e Arsimit ndërhyn në emërimet e mësuesve lokalë, por informatorët tanë mendojnë se komiteti i partisë së zonës ka autoritetin për të bërë vetë emërimet. Pas emërimit mësuesi i ri duhet të konsultohet me manualin e quajtur “Ndihmësi i mësuesit”. Libri parashtron parimet kryesore të propagandës komuniste që mësuesi duhet të reflektojë në mesmet e tij me nxënësit.
Në të paraqiten gjithashtu probleme në lidhje me punën e kooperativave dhe fermave kolektive. Mësuesi është i detyruar të përhapë propagandë në favor të këtyre institucioneve komuniste dhe gjithashtu në favor të Bashkimit Sovjetik. Për shembull, libri thotë se në vitin 1947, Bashkimi Sovjetik i dha Shqipërisë dhjetë traktorë, dhe në vitin 1948 dha 56 traktorë dhe citon; “e shikoni sesa na ka ndihmuar ne miku ynë Bashkimi Sovjetik”. Në përgjithësi të gjitha subjektet e studimit janë të mbushur me propagandë në favor të komunizmit.
Organizatat e të rinjve
Në shkollën e Bilishtit ku ka studiuar informatori ynë, ka një organizatë të të rinjve. Jo të gjithë studentët e shkollës u regjistruan në këtë organizatë, pasi vetëm ata nga shtresat e ulëta shoqërore mund të merrnin pjesë dhe mundësisht vetëm fëmijët e partizanëve që ishin vrarë duke luftuar kundër okupatorit. Regjistrimi në organizatën e të rinjve bëhej pas një takimi me të gjithë nxënësit e shkollës.
Në këtë takim, lideri i të rinjve i cili kishte të gjithë emrat e nxënësve, lexonte ata që plotësonin kriteret për pranim në Organizatën e të Rinjve në bazë të të dhënave biografike të nxënësve dhe familjeve të tyre. Lideri i të rinjve lexonte emrat e studentëve që do të pranoheshin në organizatën e të rinjve dhe për çdo emër të pranuar, ai shpjegonte arsyet e veçanta të pranimit të çdo studenti.
Ai jepte gjithashtu arsyet për mospranimin e studentëve në organizatë, por premtonte se ata do të pranoheshin më vonë kur të kishin punuar shumë për Partinë. Rregullisht, nxënësit dëshironin të regjistroheshin në organizatë jo prej ideologjisë apo simpatisë komuniste por të evituar të shiheshin si “reaksionarë”, pasi zakonisht reaksionarët përjashtoheshin nga shkolla. Në një tjetër deklaratë, ai thotë se studentët që i përkisnin Organizatës, kishin më shumë shanse për të avancuar me studimet prej lëshimeve të mësuesve.
Për zgjedhjen e liderit të të rinjve kishte dy metoda: Vota sekrete mes anëtarëve të këshillit, dhe vota sekrete e studentëve për tetë kandidatë të zgjedhur paraprakisht. Më pas votat numëroheshin dhe ai që merrte shumicën bëhej Lideri i të rinjve kurse ai që renditej i dyti bëhej sekretar i rinisë. Këshilli i rinisë së shkollës zotohet të zbatoje programin e trajnimit të paraqitur nga Komiteti i partisë së zonës.
Prej klasës së shtatë, mësimet e propagandës dhe teoria e komunizmit epen nga anëtarët e këshillit të organizatës së të rinjve, ndërsa në klasat më të ulëta këto mësime jepen nga mësuesit e thjeshtë, që gjithashtu janë anëtarë të partisë komuniste. Sipas vendimit të Këshillit të organizatës së shkolis, të gjithë nxënësit mblidhen dy herë në javë për tre orë pasdite, për të shpjeguar teoritë e komunizmit dhe mësime të Stalinit, Leninit etj.
Sa herë që ka ditë festash sovjetike, ka edhe takime pasditeje me nxënësit ku shpjegohet kuptimi i festës dhe ajo çka do të thotë për njerëzimin. Në një përvjetor të Revolucionit të Tetorit në muret e shkollave u vendosën piktura të Stalinit dhe slogane në mbështetje të miqësisë shqiptaro-sovjetike. Festimet e revolucionit të tetorit zgjasin një muaj.
Rroga e mësuesve
Rroga bazë e një mësuesi të shkollës fillore është 3500 lek. Por prej kësaj zbriten kontributet shoqërore, Kryqi Kuq dhe taksat e qeverisë, të cilat arrijnë në afro një muaj rrogë në vit dhe zbriten nga rroga e çdo muaji. Zbritja totale arrin në 550 lek në muaj. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm












