Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e shtatë
Memorie.al / Kur nuk kishte kaluar as një javë nga data 2 korrik e vitit 1990, ku me mijëra shtetas shqiptarë kapërcyen kangjellat e muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe u futën brenda ambienteve të tyre me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria, udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye sekretarin e Përgjithshëm Ramiz Alia, mbajti plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, i cili zhvilloi punimet në datat 6 dhe 7 korrik. Edhe pse rendi i ditës ishte paracaktuar në tre pika kryesore, ku predominonte ajo për zhvillimin e arsimit në Shqipëri, pothuaj gjatë gjithë punimeve të atij plenumi (sidomos te pika 4, “Të ndryshme”), u diskutua dhe u debatua ngjarja e atyre ditëve, e njohur ndryshe si “2 korriku i ambasadave”. Në atë plenum ku merrnin pjesë të gjithë anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretarët e parë të komiteteve të partisë të rretheve, ministra, kuadro kryesorë të sektorit të arsimit, kulturës, shkencës, ekonomisë, drejtues të organizatës së Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, nga aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së, Radio-Televizioni, ATSH-ja etj., mungonin Nimet Cani, Ali Vukatana, Reiz Malile, Shpëtim Çaushi, Zylyftar Ramizi, Qemal Lame, Zef Loka, Pirro Kondi dhe Hekuran Isai, të cilët prej disa ditësh ishin “në terren”, duke “menaxhuar”, ngjarjen e ambasadave.
Pas hapjes së mbledhjes nga Ramiz Alia, fjala iu dha ministrit të Arsimit, Skënder Gjinushit, i cili mbajti dhe raportin përkatës, (“Për përsosjen e sistemit arsimor dhe forcimin e mëtejshëm cilësor të shkollës”), kryefjala e atij plenumi ishte “ngjarja e ambasadave”, duke diskutuar dhe analizuar me detaje se si dhe pse ndodhi ajo, (“roli i agjenturave të huaja”), e deri tek detyrat që dilnin për menaxhimin e asaj situate në ato ditë të nxehta korriku, ku mbi pesë mijë shtetas shqiptarë nga të gjithë rrethet e vendit, ndodheshin në ambientet e brendshme të disa prej ambasadave kryesore në Tiranë, në pritje të largimit nga Shqipëria.
Përveç kësaj, gjatë gjithë asaj mbledhje, por kryesisht në pikën nr. 4 të rendit të ditës, (që u diskutua në seancën e fundit), u morën në analizë edhe disa prej ngjarjeve kryesore që kishin ndodhur në rrethe të ndryshme të vendit gjatë atij viti, si; protestat në Shkodër në muajin janar për heqjen e bustit të Stalinit; ngjarjet në qytetin e Kavajës ku populli i atij qyteti u përlesh me forcat e policisë; arratisjet masive nga kufijtë shtetërorë me Jugosllavinë e Greqinë, grumbullimet masive në vende të shenjta fetare, si Kisha e Shën-Ndout në Laç të Kurbinit; lejimi me ligj i besimeve fetare dhe hapja e objekteve të kultit; apo probleme të tjera që shtroheshin për zgjidhje, si; bisedimet e faktorin ndërkombëtar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-ës, Bashkimin Sovjetik, (bisedimet e zhvilluar me zv. ministrin e Jashtëm sovjetik në Sofie nga Sofokli Lazri); problemi i Kosovës; presioni ndërkombëtar për hapjen e Shqipërisë me botën dhe aderimi i saj në disa konventa ndërkombëtare; privilegjet e udhëheqjes së lartë të PPSH-së e familjeve të tyre që jetonin kryesisht në “Bllok”; fjalët që qarkullonin në popull për familjen e Enver Hoxhës dhe raportet e Ramizit me Nexhmijen; ndryshimi i legjislacionit dhe kodit penal; lirimi i të burgosurve politikë; pisja me pasaporta e shtetasve që kërkonin të dilnin si vizitorë tek të afërmit e tyre jashtë vendit; mekanizmi i ri ekonomik; strehimi dhe zënia me punë e shumë shtesave në të gjitha rrethet e vendit; dhënia e tokës dhe bagëtive fshatarësisë kooperativiste; e deri të furnizimi i popullsisë së qyteteve me produktet bazike ushqimore e mallrave të ndryshme industriale.
Siç do të shohim dhe nga dokument arkivore që i përkasin plenumit të 11-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilat theksojmë se publikohen për herë të parë, përveç udhëheqjes dhe disa prej funksionarëve të lartë të asaj kohe, në atë mbledhje kanë diskutuar apo janë përmendur edhe disa figura të tjera të larta që vazhduan karrierën e tyre politike edhe pas viteve ’90-të, si p.sh.; Skënder Gjinushi, Fatos Nano, Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Gramoz Pashko, Spiro Dede, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Moikom Zeqo, Mehmet Elezi, Lisen Bashkurti, Koço Kokëdhima, Ylli Popa, Aleks Luarasi etj.
Po kështu në dosjen voluminoze të këtij plenumi, me mjaft interes janë edhe ato dokumente që i përkasin sekretarëve të Komiteteve të Partisë së rretheve apo “Grupit të informacionit” të cilët kanë shkuar në të gjitha rrethet e vendit dhe kanë evidentuar të gjitha problematikat kryesore që kanë dalë në mbledhjet e organizatave bazë të partisë, ku është diskutuar “Mbi letrën e Komitetit Qendror”, dokumente që përbëjnë dhe pjesën më të madhe dhe gjithashtu më të rëndësishme të dosjes në fjalë. Madje mund të thuhet nga më të rëndësishmet të gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, pasi ajo periudhë kohe me ngjarjet që u zhvilluan, shënoi dhe prologun e rënies së atij regjimi.
Po kështu me mjaft interes janë dhe dokumentet që i përkasin seancës së fundit të asaj mbledhje me pikën nr. 4 të rendit të ditës “Të ndryshme”, e cila përbën edhe pikën më të nxehtë të gjithë plenumit, ku u diskutua, madje me debate të ashpra, edhe lirimi nga detyrat dhe nxjerrën në pension të tre anëtarëve të Byrosë Politike (Rita Marko, Manush Myftiu dhe Prokop Murra), apo lirimi nga detyrat ministrore apo funksionet e tjera të larta që mbanin prej vitesh të disa “udhëheqësve” të tjerë, si Simon Stefani, Pali Miska, Muho Asllani, Lenka Çuko, Vito Kapo, Pirro Kondi, Jovan Bardhi, etj., dhe emërimin e “shokëve të rinj” në udhëheqjen e forumet e larta të Partisë dhe Shtetit, si; Xhelil Gjoni, Abdyl Backa, Niko Gjyzari, Kiço Mustaqi, etj. Lidhur me këto etj., na njohin dokumente në fjalë të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
DISA NGA VËREJTJET, KRITIKAT, SUGJERIMET E PROBLEMET QË JANË NGRITUR NGA DISKUTIMET DHE ANALIZAT PËR LETRËN E KOMITETIT QENDROR TË PARTISË PËR DIKASTERET DHE INSTITUCIONET QENDRORE
PËR KOMITETIN QENDROR TË PARTISË
- VLORA:
– Kërkohet përsosje e informacionit nga lart në sasi e cilësi për t’u prerë rrugën thashethemeve. Për ngjarjet e Kavajës etj., duhet të ishte informuar më shpejt në mënyrë që Komiteti Qendror të mbështetej në kohë nga komitetet e organizatat-bazë të Partisë.
– Të merret edhe mendimi i popullit për ndryshimet që mund të bëhen në legjislacion, në kushtetutë etj.
– Sugjerohet që shokë të udhëheqjes dhe të aparatit të KQ të vinë më shumë e direkt në bazë (në kolektiva, organizata etj.) për sqarimin e situatave politike, ndërsa dikasteret për sqarimin e mekanizmit të ri ekonomik etj.
– Sugjerohet që për figurën e shokut Enver Hoxha, me raste të flitet e të shkruhet më shumë në shtyp e Radiotelevizion.
- KOLONJA
– Të bëhen më mirë dhe më shpejt informimi për situata e ngjarje të ndryshme. Për ngjarjet e Kavajës, të ambasadave etj., pati mjaft thashetheme se nuk u informuam në kohë.
- LIBRAZHDI
– I kemi dërguar me shkrim Sektorit të Edukimit disa pyetje që janë bërë, por ende nuk na janë dhënë sqarimet e nevojshme.
– Mjaft vërejtje janë bërë për disa shkrime në “Zërin e popullit” e në “Zërin e Rinisë”, gjatë muajve maj-qershor që çoroditën njerëzit.
- PUKA
– Aparati i Komitetit Qendror duhet të kishte bërë zbërthime më të hollësishme në rrethe për vendimet e Plenumeve të fundit të KQ të Partisë.
– Për sqarimin e situatave që lindën Komitetit Qendror duhej të vepronte më shpejtësi, të dërgonte më shumë shokë të zgjedhur e punonjës të aparatit në bazë.
– Para se të dilte vendimi i Byrosë Politike për fuqizimin e oborrit, duhej të ishte diskutuar e tërhequr mendimi në popull.
- ELBASANI
– Sektori i letrave në Komiteti Qendror të japi më shpejt përgjigje për letrat e popullit.
– Komiteti Qendror të ushtroj më tepër kontroll për problemet që lindin dhe të informohet më shpesh baza për situata e probleme të veçanta.
– Aparati i Komiteti Qendror nuk po lidhet sa e si duhet me bazën (popullin) për të dëgjuar mendimet e tyre.
– Ka vërejtje që përse të mbahen në bllokun e udhëheqjes nipërit e mbesat e shokëve, të cilët gëzojnë privilegjet e gjyshërve.
– Ka vërejtje se bëhen diferencime për fëmijët e shokëve të udhëheqjes e të drejtuesve të Partisë e pushtetit në qendër e në bazë në dhënien e të drejtave të studimit, emërimin e tyre, në daljet jashtë shtetit për specializim, kurim etj.
– Janë bërë kritika për tendenca liberale në disa shkrime si të Marash Hajatit, Ylli Popës, Sali Berishës, Ismail Kadare e Dritëro Agollit.
– Kërkojnë sqarime më të plota për ato që thuhen për shoqen Lenka Çuko “se ka mbajtur delfin në shtëpi, se vajzën e ka dërguar në Francë për ta bërë nuse dhe se ka sjellë birrë për dasmën që andej” etj.
– Për shokun Muho Asllani, Lenka Çuko e Simon Stefani masat e marra nuk janë të plota. Ka propozime që shoku Muho Asllani të mos jetë anëtar i Byrosë Politike sepse mban përgjegjësi të rëndë për ngjarjet në Kavajë.
- KUKËSI
– Të mos ishin lejuar disa artikuj çoroditës në shtyp. Marash Hajati është mirë të hiqet edhe si kryetar i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë.
– Mjetet e informacionit të jenë më të shkathëta, mbasi ka raste që ky informacion merret më përpara nga radiot e huaja. Televizioni të japi më shumë për veprën e Partisë e të shokut Enver.
– Për problemet e Kosovës, të mos jepen vetëm lajme e shkrime nga agjencitë e huaja, por të themi edhe ne fjalën tonë.
– Janë bërë vërejtje se bëhet shumë propagandë në televizion për hapjen e dyqaneve e shërbimeve private.
- PËRMETI
– Janë bërë vërejtje që shtypi e Radiotelevizioni të jenë më të kontrolluara nga Komiteti Qendror i Partisë, sepse ka patur raste si ato të tregtisë private, për oborrin, akordin familjar etj., që janë bërë edhe gabime.
– Shtypi nga Tirana na vjen rreth orës 14.00 kur vite më parë ka ardhur në ora 10.00 të çdo dite. Shto këtu edhe kohën e shpërndarjes së brendshme delse në disa zona ai lexohet mbas dy ditësh, kur i ka ikur aktualiteti.
- POGRADECI
– Të rrisë kontrollin ndaj organeve të shtypit e Radiotelevizionit, lidhur me materialet që botohen e programet që jepen dhe të informojë më shpesh e më shpejt organet dhe organizatat e Partisë për ngjarjet që ndodhin.
- DIBRA
– Më shpejt duhet të kishte nxjerrë Letrën dhe të informohet më mirë Partia në bazë për vendimet që merr Byroja Politike dhe Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë.
– Ka vërejtje se është mbajtur qëndrim i butë ndaj shokëve Simon Stefani, Muho Asllani e Piro Kondi, kryesisht për ngjarjet e 2 korrikut dhe ato të Kavajës.
- DURRËSI
– Të bëhet më shumë kujdes e të ushtrohet kontroll në botimin e disa artikujve në organet qendrore që nga masa e gjerë nuk luftohen drejtë dhe krijojnë shqetësime.
– Herëpashershme të botohen shkrime ose të jepen pamje në Radiotelevizion për të ballafaquar jetën edhe të njerëzve tanë të larguar nëpërmjet ambasadave. P.sh. nga Radiotelevizioni Shqiptar të shkojë një grup gazetarësh e operatorësh që të intervistojnë e filmojnë në vendet ku kanë shkuar njerëzit tanë që ikën nëpërmjet ambasadave, ashtu siç vepruan të huajt në vendin tonë.
– Propaganda të bëhet e shpejtë, reale dhe me fakte për shumë probleme që ka nxjerrë koha.
– Të sqarohen disa nga drejtimet e luftës së klasave në kuadrin e proceseve të demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit, sepse ka paqartësi e zbutje.
– Të përmirësohet cilësia e emisioneve të Radiotelevizionit dhe shumëllojshmëria e tyre.
– Janë bërë vërejtje e janë dhënë mendime që shokët Muho Asllani, Simon Stefani e Lenka Çuko, për dobësitë që kanë pasur në punë të mos jenë më anëtarë të Byrosë Politike.
– Ka vërejtje se dërgohen pa qenë nevoja për kurim jashtë shtetit fëmijët e udhëheqjes, ndërsa për fëmijët e punëtorëve nuk ndodh kështu.
– Letra e Komitetit Qendror ishte e nevojshme të nxirrej më shpejt.
– Për ngjarjet e 2 korrikut ka përgjegjësi veç të tjerave edhe Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë.
– Duhej njoftuar opinioni për masat që u morën për disa punonjës të sektorit të propagandës si, Marash Hajati etj.
– Kërkohet të nxirret përgjegjësia e Harilla Papajorgjit, e Hasan Banjës etj., për tufëzimin e bagëtive.(!)
– Në dy organizata-bazë Partie është shfaqur mendimi që të ketë zyrë emigracioni edhe në vendin tonë.
– Propozohet që të hiqet puna drejtpërdrejt në prodhim e kuadrove.
– Shokët e udhëheqjes që kanë dalë në pension është mirë të largohen nga blloku e të banojnë me popullin.
– Në një kolektiv u kërkuan sqarime pse nuk u informua dhe pse ndryshoi qëndrimi ndaj publicistit amerikan Sulcberger.
– Kërkohet informacion më i plotë mbi marrëveshjet me delegacionet e me firmat e huaja.
– Shembulli personal i komunistëve e kuadrove duhet shikuar nga qendra në bazë.
– Ka vërejtje që në propagandë kohët e fundit pak përdoren shprehjet: ideologjia Marksiste-Leniniste, emri dhe vepra e shokut Enver, luftë klasash etj.
– Janë bërë vërejtje pse u futën në Kavajë sambistët dhe tanket.
– Ka mendime që të vazhdojnë informimet e organizatave-bazë nëpërmjet buletineve.
– Janë dhënë mendime që nga udhëheqja, privilegje të ketë vetëm Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë dhe Kryeministri. Ka vërejtje e mendime që edhe fëmijët e udhëheqjes të punojnë në zonat Verilindore.
– Ka vërejtje e kërkojnë sqarime në se është e vërtetë që shoqja Lenka Çuko të ketë pishinë, serë, terren sportiv etj. dhe pse është lejuar.
– Ka lëvizje paralele të kuadrove dhe pse jo të gjithë ata që kanë mbushur moshën nuk dalin në pension.
– Ka vërejtje për mungesë informacioni për ngjarjet që ndodhën në Tiranë.
– Ashtu siç u morën masa në linjë Partie, duheshin shtrirë edhe në degën e punëve të brendshme.
– Janë bërë vërejtje se shoku Qirjako Mihali bëri dasëm të madhe dhe që çifti pas dasmës shkoi në Zvicës (del në dy organizata bazë).
– Nuk vlerësohet e drejtë rizgjedhja dy herë i shokëve Qirjako Mihali e Muho Asllani në një kohë që u lëvizën për dobësi.
– Ka vërejtje për Fatbardh Harizin që të mos jetë në Komitetit Qendror. Pas shkarkimit si sekretar i Komitetit Partisë, tre kolektiva nuk e pranuan për drejtues.
– Kuadrot e qendrës të zbresin më shumë në bazë.
– Ka gjallërim të riteve fetare. I duhet kundërvënë më mirë kësaj me propagandë ateiste që nga sektori i Edukimit në Komitetit Qendror.
– Ka mendime që mbledhjet e hapta të organizatave të Partisë kanë krijuar edhe shqetësime, sepse në to merr pjesë kushdo.
– Në disa artikuj të organeve qendrore janë bërë kritika direkte për shpërdorimet e dëmtimet e mallrave për eksport dhe valutës, por masa e gjerë nuk është njohur se ç’u bë për zgjidhjen e tyre.
– Ka pyetje e mendime se cili do të jetë roli i Partisë me krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta.
- MIRDITA
– Ka vërejtje të shumta për organet e shtypit e Radiotelevizionit, sidomos për gazetën “Zëri i popullit” dhe “Rinia”, për botimin e disa artikujve të pakontrolluar për “kohën e humbur”, “shijet dhe dëshirat e rinisë” etj., të cilat krijuam çoroditje e interpretime të gabuara.
– Megjithëse në shtyp janë bërë reflektime që kanë ndikuar në sqarimin e problemeve aktuale të situatës, por, ka nevojë që kritikat që bëhen në rubrika të veçanta për forcimin e disiplinës, qëndrimin ndaj pronës etj., të bëhen më të adresuara dhe të pasqyrohen më shumë masat dhe puna për zgjidhjen dhe shëndoshjen e gjendjes.
– Në disa organizata Partie është kërkuar që Komitetit Qendror i Partisë e aparati i tij, nëpërmjet buletineve për përdorim të brendshëm të hapi më shumë horizont në punën e organizatave të Partisë.
– Ka mendime se edhe në këtë periudhë duhen tërhequr kuadro nga gjiri i klasës punëtore.
- FIERI
– Sektori i Edukimit më mirë e më shpejt duhet të kishte organizuar punën për sqarimin e situatave dhe ndryshimeve të ndodhura.
– Pse në Letrën e Komitetit Qendror të Partisë u kërkohet llogari komunistëve, klasës punëtore, specialistëve, për ndërmarrjet që kanë bërë planifikime më të vogla se viti i kaluar, kur në fakt porosia ishte dhënë që në muajin qershor që projektplani për vitin 1991 të mos diskutohesh me masat.
– Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste dhe ai Ekonomik si dhe Shkolla e Lartë e Partisë, nuk reflektuan me shpejtësi ndaj problemeve e masave në përgjigje të situatave politike.
– Në Letrën e Komitetit Qendror të kishte kritikë me emër e të thuhej për të shkarkuarit.
– Nga Komitetit Qendror ka munguar informacioni nëpërmjet buletineve për të vënë në dijeni organizatat-bazë të Partisë për problemet e shqetësimet që ka Partia.
– U bënë vërejtje pse nuk u morën masa për ata që në artikujt e tyre të botuar në organet e shtypit i sollën dëm punës së Partisë dhe lejohen të shkruajnë përsëri.
– Televizioni ende jep emisione të pakontrolluara për përmbajtjen e tyre, gjë që krijon reagime e shqetësime në masa si P.Sh. kronika për Poron e Vlorës për shpërndarjen e lopëve etj.
– Kërkohet që në Ministrinë e Punëve të Brendshme të nxirret më mirë përgjegjësia për ngjarjet e 2 korrikut, të gjenden organizatorët e brendshëm dhe të merren masa konkrete ndaj tyre.
- BERATI
Informacioni politik të ishte më i shpejtë për sqarimin në kohë të masave që ato të jenë më të informuara për situatat e problemet e kohës./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
























