Nga FOTAQ ANDREA
Pjesa e dytë
Memorie.al / Është e njohur që, në fushën e hartografisë, trojet shqiptare janë shfaqur për herë të parë në hartën gjeografike të Ptolemeut në shekullin II të erës sonë, ku jepet jo vetëm territori ilir midis Durrësit e Tiranës, përcaktuar me termin “Albanopoli” si qytet i albanëve, por dëshmohet edhe për vendbanime të tjera iliro-dardane. Më pas, do të jetë Tabula Peutingeriana, shek. III, (në segmentin e saj VIII, emërtuar “Iliricum” e “Iepirum”) që do të përcaktojë troje e territore iliro-shqiptare, si Scodra, Dyrratio, Apollonia, Aulona, dhe do të vijohet më tej me hartën e Al-Idrizit (1154), për të arritur në shekujt XIV-XV, ku zënë e shfaqen territore arbërore e shqiptare nën emrin “Albania”, madje edhe qytetet kryesore të tyre, me kështjellat, lumenjtë, kufizimet, etj. Nuk ka dyshim se në rrjedhë të shekujve, mbushullia e të tilla hartave me termin “Albania”, përpiluar nga hartografë të shquar evropianë përbën mrekullisht një pasuri dhe dëshmi të etnisë së lashtë shqiptare.
Në fund të fundit, edhe pse “fitoi” përdorimi në shqip i fjalës hartë në vend të fjalës kartë, që predikonte Konica, nuk ka në këtë mes ndonjë “humbje”, kurrgjë “të keqe”, kur dihet që në gjuhësi përdorimi i fjalëve është çështje shijeje, pëlqimi, zakoni, mode, madje edhe “detyrimi”, si në rastin e përdorimit masiv të termit “shok” gjatë regjimit totalitar, në vend të fjalës “zotëri, zot”. Por ama, ne nga ana jonë, kemi të drejtë ta gjejmë të bukur e të goditur togfjalëshin konician “kartë dheshkrimore”, që e çmojmë, tek na tingëllon ëmbël në veshë, si një togfjalësh paksa ekzotik, por që përbën, pa mëdyshje, një gjetje mjeshtërore koniciane.
Nga pikëpamja teknike e topografike, harta-bazë ku u mbështet Konica ishte, siç e thotë edhe vetë, Harta e Institutit gjeografik ushtarak të Vjenës. “Është harta më e mirë që ekziston për Shqipërinë, por ka plot pasaktësi”, thotë ai për të. E dinte që ekzistonin dy botime të asaj harte: ajo e vitit 1880, që kishte përdorur albanologu Julius Pisko për të përcaktuar – pa rezultat – topografinë e fushatave të Skënderbeut dhe ajo më e fundit e vitit 1900.
Duke studiuar nga afër këto harta, Konica do arrinte në konkluzionin se një punë e vërtetë shkencore në fushën e hartografisë duhej të mbështetej, në radhë të parë, në dy kritere bazë: a) të merren me këtë punë njerëz nga vetë terreni, që e njohin këtë me themel, “njerëz nga Tirana, Elbasani, Durrësi, Dibra”, thotë ai; b) të merren njerëz të përkushtuar për këtë punë, që kanë dashuri e interes për historinë e popullit dhe epopetë e tij të lavdishme.
Si shqiptar me rrënjë të lashta fisnikërore, plot dashuri e patriotizëm të flaktë për vendin e tij dhe si erudit i shkallës së epërme, Konica i plotësonte e i tejkalonte ku e ku këto dy kritere kryesore. Dhe, sa për historinë dhe epopetë e lavdishme të popullit shqiptar, Konica prej kohësh i kishte hedhur sytë nga epopeja skënderbejane, për të ringjallur kujtimin e Heroit Kombëtar dhe vetë ndjenjën kombëtare shqiptare.
Sepse është e njohur që Konica është i pari rilindës që i hyri konkretisht studimit të topografisë së fushatave të Skënderbeut (Albania, nr. 9, 1901), pikërisht fusha studimore ku kishte dështuar austriaku Pisko. Mbështetur edhe në studimet e J. G. Hahn e të Biemmi, Konica dha 16 lokalitete-arena të luftërave të Skënderbeut ndaj sulltanëve turq, nga Albulena, Alkriha e Çidhna te Mekhadio, Modrisa, Mokri, Oroniqi, Otoneta, Petralba, Svetigradi, Talmirana, Torviolli, Vajkali, etj.
Veçse i vjen keq që nuk arriti të shfrytëzojë sa duhet vetë studimin e tij për t’i paraqitur këto fushata edhe mbi hartën që përgatiti, tek u mjaftua thjesht në vënien e disa datave poshtë lokaliteteve kryesore historike të hartës. Ç’ka i interesonte në mënyrë të veçantë ishin kufijtë etnikë e historikë të Shqipërisë. Ai e njihte edhe Hartën tregtare të Shqipërisë (“me dy Shqipëritë – Toske e Gege”) nga F. Bianconi, dhe “me gabimet e saj të falshme” (F.K.), kur ishin lënë jashtë kufijve krejt Manastiri me fshatrat e tij shqiptare. “Manastiri është provincë shqiptare sa më s’bëhet”, proteston Konica me bindje të plotë (Albania, nr. 13, 30 maj 1898).
Jo vetëm kaq por, në shkrimet e tij të shumta, shpesh ai shpreh zemëratën e vet gjer në revoltë sa herë që i referohet padrejtësive historike në kurriz të shqiptarëve, duke filluar me Kongresin e Berlinit që copëtoi egër trojet e tyre. Mbi të gjitha, me ton të fuqishëm polemizues ai i hyn me fshikull kurrizit dhe kopaçe të rëndë në kokë qarqeve politike shoviniste të vendeve fqinje, serbe, malazeze, bullgare, greke, maqedone, italiane, si dhe zëdhënësve e kalemxhinjve të tyre kryesisht frëngj që po i binin tmerrësisht në qafë kombit shqiptar në perëndimin e turpshëm të Perandorisë osmane.
Që në numrin e parë të mrekullisë Albania (mars 1897 – por të përgatitur që më 1896), në një “Shënimth” me 20 rreshta, 20 vjeçari Konica, duke rimarrë formulën e Prud’honit, do shkruante me penë gjeniu një koncentrat ideor filozofik, historik e patriotik, tek shkruan: “Ç’është rendi i tretë? Asgjë. Çfarë duhet të jetë? Gjithçka”. Dhe, duke e parodizuar këtë formulë të famshme historike, për të treguar që fati i shqiptarëve nën Turqinë otomane ishte fati i nën-njerëzve që s’gëzonin liri e pavarësi, por ishin faktor kryesor veprues, Konica pyet: “Ç’janë shqiptarët në Turqinë evropiane? Asgjë. Çfarë duhet të bëjnë? Gjithçka”
E vijon: “Ne nuk kemi para për të paguar gazetat dhe agjencitë, por kemi mushkri të fuqishme, dhe thirrja jonë do të arrijë më në fund gjer te publiku i gjerë. Ja ku po shpallim me të madhe, ja ku po thërrasim me forcë për ta dëgjuar njerëzit e ndershëm dhe dashamirë: Territoret e sotme të Greqisë, të Serbisë, të Bullgarisë, dhe grupi i fshatrave të quajtur Mal i Zi përfshijnë elementë të huaj; për të vënë në vend drejtësinë, Thesalia, një pjesë e Bullgarisë dhe e Malit të Zi, dhe Serbia, nga Vrana duke shkuar për në Jug, duhet t’i bashkëngjiten Shqipërisë.
Në vend që të rrinë urtë, si hajdutë që janë e që kanë marrë si shumë, dhe kur duhet t’i mbushin brekët se mos e hanë, grekët dhe të tjerët dashkan ende ta copëtojnë Shqipërinë. Grekëve dhe të tjerëve, ja ku po u themi këtë çast me zë të prerë: mjaft më! Mos shkoni më tutje”! – Ja pra, një fantastike tjetër koniciane à la Wagner! Dhe sa aktuale, kur grekët e sotëm na duan detin, ndjekin kufirin e Epirit të Veriut me shpikjen dhe vendosjen e varrezave të ushtarëve grekë si një gozhdë Nastradini, kur vetë ushtarët grekë janë kthyer në kanibalë për të ngrënë mish shqiptari dhe kur Autoqefalia shqiptare në qendër të Tiranës është një fjalë boshe.
Më në fund, nëse krahasojmë Hartën Koniciane të vitit 1902 me Hartën e Shqipërisë natyrale të vitit 1867, hartuar nga F. Milone më 1942, vërejmë se nuk kanë ndonjë ndryshim lidhur me trojet shqiptare që sot ndodhen përtej kufijve fizikë të përcaktuar arbitrarisht nga Fuqitë e mëdha më 1913 dhe 1920.
Duke ndjekur vijën e lakuar të emrave të vendeve fqinje vërejmë se përvijohet “ndarja” sipas asaj që do ta quanim “linjë klasike”, që niset nga Artë-Preveza në Jug, për të marrë drejt Kallabaqit e Dishkatit në Jug-lindje, më në Lindje drejt Kozhanës, Manastirit e Prilepit, duke u ngjitur drejt Kumanovës, Vranjës e Leskovacit si pika më veri-lindore, për të kulmuar në Veri drejt Ibarit e Beronës dhe për të përfunduar në Veri-perëndim drejt Rashpës e Ulqinjit.
Por një gjë bie dukshëm në sy: në një kohë kur kufijtë janë bërë gjëja më e shenjtë, Konica i lë hapur kufijtë e Shqipërisë, tek ka parasysh te shkuarën e hidhur për kombin shqiptar të copëtuar e të masakruar, si një përgjigje politike e historike për qarqet arbitrare evropiane, duke lënë të kuptohet se kufijtë e Shqipërisë janë aty ku ka shqiptarë në trevat e tyre historike, shqiptarë që i kanë bërë qëndresë asimilimit të dhunshëm dhe dëbimeve masive.
Nga ana tjetër, kjo Shqipëri e hapur, me kufij të hapur konicianë, që i bën edhe vendet fqinje të mos kenë kufij të përcaktuar me Shqipërinë, duket si një mesazh tepër aktual, ardhur nën penën e Konicës që nga fillimi i shekullit XX-të, për hapje ballkanike e evropiane, për atë në synohet drejt një Europe të Bashkuar. E s’ka si të mos e mbajmë në këtë rast Faik Konicën tonë, si pararendës të shkrirjes së akujve kufitarë që ndajnë historikisht popuj e vende, si pararendës të Ballkanit dhe Europës pa kufi.
Harta e parë e Shqipërisë
Nga Faik Konica
Hartë gjeografike e Shqipërisë, në shkallën 1/500 000, format 1m,20 x 0m75, hartuar nga Instituti Gjeografik i Universitetit të Ri të Brukselit. (Çmimi 2 fr. për Shqipërinë, 5 fr gjetkë. Për ta marrë jo të palosur, por rrotulluam në karton, shtoni 0,50 fr).
Punimet e Institutit gjeografik ushtarak të Vjenës shërbyen si bazë për hartën tonë, por ja përmirësimet që janë realizuar:
- Emrat e lokaliteteve e të tjera janë të shkruara në shqip me një saktësi të përpiktë.
- Kurbat niveluese shfaqen me pesë ngjyra të ndryshme duke shkuar nga e kafenjta më e çelët që vjen e forcohet, gjer te larushia më e errët, tek ndiqen lartësitë, dhe mjaft të hidhet një sy mbi hartë për të krijuar një ide të qartë rreth konfigurimit të tokës shqiptare. Kjo mënyrë i lejon nga ana tjetër profesorit të zgjuar t’u japë nxënësve të tij një seri mësimesh sugjestionuese dhe tërheqëse, që janë të pamundura me hartat ku lartësitë shfaqen me ndoca ravijëzime të turbullta, zgjatur ku këtu, ku atje.
Sepse kjo hartë destinohet kryesisht për shkollat. Andaj pra dhe kemi përdorur një format aq të madh dhe, me qëllim që t’i japim emrat me germa të mëdha, të lehta për t’u lexuar, u kufizuam në një nomenklaturë prej rreth 400 lokalitetesh, lumenjsh, liqenesh, etj. Nuk kishim për qëllim të bënim një hartë për një fushë të ngushtë, dhe ndjenja e lartë shkencore e Z. Elisée Reclus do t’i priste me gëzim këto kërkesa tonat të paanshme.
Nuk gjendet në të një vijë ndarjeje midis Shqipërisë dhe vendeve fqinje, po ashtu turke [nën suazën turke], por të banuara nga kombësi të tjera. Nuk deshëm të përcaktonim kufij të kontestuar. Është një hartë shkencore dhe asgjë më tepër, ose më mirë, asgjë më pak. Nëse kemi përfshirë pjesë territori dukshëm joshqiptare, si për shembull në Veri-Lindje, kuptohet – veç në mos qofshin mendjengushtë për keqardhjen tonë – se është e pamundur në një hartë të priten kufij të skajshëm, e vetëm të përdornim atëherë viza të drejta.
Pra, nuk shkaktojmë kurrfarë ambicie, kurrfarë iluzioni, makar i vogël qoftë. Ata që jetojnë me fjalë dhe përkunden me ninulla fjalish s’kanë pse vinë e ankohen dhe të na lëshojnë britmat e tyre të zakonta prej palloi. Po ashtu, nuk janë shënuar me vizë kufijtë e vendeve fqinje, por kjo, kuptohet, për arsye krejt të tjera. Duke pasur parasysh shkallën e hartë sonë dhe pasaktësinë e mundshme të dokumenteve që disponoheshin, iu trembëm pasaktësive.
Andaj dhe emrat e vendeve fqinje u shkruan sipas një lakoreje, në përputhje me vijën e përgjithshme të kufijve. Mendoj se ideja ishte e arritur dhe nuk mund të bëhej më mirë. Vendi nuk është ndarë në vilajete, duke qenë se kjo ndarje nuk paraqet asnjë interes nga pikëpamja gjeografike. Në të kundërt, poshtë emrit të lokaliteteve kryesore historike janë dhënë disa data. Është për të ardhur keq që nuk arritëm të shfrytëzonim sa më mirë në këtë drejtim studimin tonë botuar te Albania me titullin Topografia e fushatave të Skënderbeut.
Nga ana tjetër, për të shtuar interesimin për këtë hartë të admirueshme, shtuam dy suazime, një për gjeologjinë, tjetra për klimën e Shqipërisë. E ndjej si detyrë të falënderoj me zemër, në emër të popullit shqiptar Z. Elisée Reclus, që nuk është vetëm një gjeograf i madh, por edhe një zemër e madhe dhe që, si këtu, si në gjithçka, u tregua me zemër të lartë fisnike. Falënderoj gjithashtu Z. Bertrand dhe Z. Pattesson, dy hartografët e shquar të Institutit që u morën me aq mjeshtri e shkathtësi për ta çuar gjer në fund tërë këtë ndërmarrje.
A ka gabime materiale në këtë hartë? Nuk besoj; por është e mundur dhe, në këtë rast, kërkoj të falur, sepse gjithçka që ka të bëjë me nomenklaturën, kuptohet, vetiu, që është dhënë nga unë. Vura në veprim kujtesën time dhe tërë librat që munda, konkretisht gjeografinë e shkëlqyer të Shqipërisë botuar nga Etërit Jezuitë të Shkodrës. E megjithatë, kam frikë se mund të jenë bërë edhe gabime, sidomos për sa i përket Veriut të Shqipërisë.
Mirëpresim gjithë mirënjohje tërë vërejtjet që mund të na bëhen, do t’i klasifikojmë ato dhe, po qe se ky botim i parë, sikurse shpresojmë, arrin të shitet shpejt, ne do t’i përdorim ato për një botim të ardhshëm. Ndërkohë, pa dyshim, Instituti gjeografik ushtarak i Vjenës do ketë botuar hartën e tij të re të Shqipërisë jugore, gjë që do lejojë, ka të ngjarë, në botimin tonë të dytë, disa ndryshime në lakoret niveluese.
Do të ishte mungesë nga ana ime po të mos realizoja detyrimin më kryesor për të falënderuar Z. De Aladro, i cili hoqi shpenzimet e këtij botimi. Me natyrshmërinë më dashamirëse mori përsipër të gjitha shpenzimet, një ditë kur po i flisja për një projekt harte të Shqipërisë. Ja një veprim më se i dobishëm, dhe tërë shqiptarët i janë atij mirënjohës.
F.K.
P.S. Harta është në shitje në Redaksinë e Albania-s dhe në Librarinë Kissling*, Montagne de la Cour, në Bruksel.
Albania, Viti 6, prill-maj 1902, nr. 4-5. (Hartat e plota “Dielli” do t’i publikoje ne numrin e printuar). / Memorie.al














