Nga Shefqet Kërcelli
Memorie.al / Intelektuali Hasan Reçi, është i vetmi shqiptar dhe ndoshta i vetmi person në botë, që është dënuar tre herë me vdekje, një rast unikal ky për dënimet botëkuptimore-politike. Herën e parë, në shtator 1935, si udhëheqës në kryengritjen antizogiste të Fierit, vendim i cili si pasojë e presionit popullor, u kthye në burgim të përjetshëm. Herën e dytë u dënua me vdekje nga Gjykata e Lartë Ushtarake në maj 1942, pasi u kap në flagrancë në një orvatje për një aksion në një bazë ushtarake italiane në afërsi të Kasharit. Edhe këtë radhë, për arsye që do i shpjegojmë më poshtë, vendimi u shndërrua me burgim dhe internim në ishujt e Italisë. Herën e tretë u dënua me vdekje nga Gjykata e Lartë Ushtarake e regjimit komunist, në janar 1948, me akuzën si “armik i popullit dhe i shtetit”.
Mbasi prokurori Nevzat Haznedari, kërkoi në pretencë dënimin e tij me vdekje, kryetari i gjykatës Niko Çeta, e pyeti të pandehurin sipas procedurës, për të thënë fjalën e fundit. Hasani me gjakftohtësi e pyeti kryetarin e gjykatës: “Unë jam dënuar me vdekje në regjimin e Zogut si antizogist. Në okupacionin fashist italian, jam dënuar me vdekje si antifashist. Prapë sot në regjimin e Partisë Komuniste, po dënohem me vdekje si antikomunist. Ju pyes: Çfarë jam unë atëherë”?!…
Kryetari Niko Çeta, nuk ishte në gjendje t’i jepte përgjigje, përveç frazës bajate: “ti je një armik i popullit”! Por, këtë herë, siç u tha në atë kohë, ishte e treta e vërteta, sllavo komunistët s’të falin. Kështu, Hasan Reçi u ekzekutua me pushkatim, pa marrë përgjigjen për pyetjen që bëri. Qysh atëhere po mbushen gati 80 vjet dhe pyetja ka mbetur ende pa përgjigje. Nëpërmjet këtij shkrimi dossier historik, do përpiqemi t’i japim sadopak përgjigje pyetjes: Kush ishte intelektuali tiranas Hasan Reci dhe pse u pushkatua nga regjimi komunist?
Hasan Selim Reçi ka lindur në Tiranë më 17 janar 1904, në një familje të varfër tiranase, e cila banonte në periferi të saj. Babai i tij Selimi, punoi gjithë jetën për tu siguruar fëmijëve ushqim dhe shkollim. Dikush nga të moshuarit e lagjes thotë se, Hasani ka lënë diçka të shkruar rreth jetës e familjes së tij, mbase ato janë kyçur në arkat metalike të Arkivit Qendror të Shtetit. Gjithsesi nga kujtimet e miqve dhe kolegëve të tij, kemi mësuar se Hasani mbasi kreu shkollën në Tiranë, në fillim-vitet 1920, ndoqi “Normalen” e Elbasanit, saktësisht një kurs për mësuesi në shkollën fillore shqipe.
Mbasi punoi si mësues për pak kohë e ndërpreu atë dhe ndoqi shkollën Teknike amerikane të Harry Fultz-it, e cila hapi dyert më 1922. Në moshën 20 vjeçare, bashkë me Reshat Këlliçin dhe shokë të tjerë, aderoi në shoqërinë “Bashkimi”, themeluar nga Avni Rustemi. Mbas përfundimit të Shkollës Teknike të Fultz-it, Hasani u emërua përsëri mësues i shkollës fillore. Në vitin 1928, Hasani me mikun e tij Qemal Kadesha, hodhën hapat e parë për krijimin e lëvizjes sindikaliste në Tiranë. Me shkathtësinë, angazhimin dhe përpjekjet e tyre kryesisht jashtë orarit të punës, të dy bashkëmoshatarët tiranas, krijuan dy shoqata sindikaliste profesionale, “Shoqatën e Mësuesve” dhe “Shoqatën e Rrobaqepësve”.
Me këto organizime theksojmë faktin se, Hasan Reci dhe Qemal Kadesha janë themeluesit dhe pionierët e lëvizjes sindikaliste në Shqipëri. Ndërkohë Hasani nuk hoqi dorë nga problemet e arsimit kombëtar shqiptar. Një nga shokët e ngushtë të Hasanit ishte Ramazan Jarani, gjithashtu mësues, i cili kishte përfunduar “Robert Kollexh”-in në Stamboll, {pionierja e shkollave amerikane në Ballkan e më gjerë}, madje ka qenë dhe n/prefekt i Durrësit në vitet ’20. Pavarësisht nga bindjet politike, dy mësuesit u pajtuan në lidhje me karakterin laik që duhej të kishte shkolla shqipe. Madje për realizimin e kësaj marrëveshje, midis tyre u ra dakord që zoti Jarani të merrte përsipër botimin e një reviste pedagogjike me titullin “Shkolla laike”, kurse zoti Reçi do të drejtonte përmbajtjen e saj.
Në vitet ’30, murtaja komuniste kishte mbërthyer Evropën. Idetë komuniste depërtuan dhe në Shqipëri dhe prekën të gjitha shtresat e popullsisë. Si diçka e re për kohën, preh e kësaj murtaje ranë dhe disa intelektualë të pasur e përfaqësues të shtresës së mesme, se pjesa e varfër po e po. Që të gjykojmë gjakftohtë qëndrimin e çdo personi, duhet ta vendosim atë në kohën e rrethanat që jetoi, në Shqipërinë e kohës dhe jo me grahmat e këndvështrimet e sotme, se kështu i largohemi të vërtetës. Në Shqipërinë e koklavitur të viteve ’30 dhe personazhi i këtij dossieri, zoti Hasan Reçi, nuk i shpëtoi ndikimit të këtyre ideve revolucionare. Kështu në vitin 1931, Hasani kontaktoi me Hysni Lepenicën dhe Skënder Muçon, asokohe anëtarë të Komitetit të Çlirimit Nacional, të cilët kishin lidhje me Halim Xhelon, përgjegjës i fraksionit komunist që vepronte në përbërje të komitetit të Gjenevës.
Gjithashtu Hasan Reçi kryesonte në Tiranë një celulë komuniste, që përbëhej kryesisht nga të rinj, të cilët qenë nxënës dhe ish-nxënës të Shkollës amerikane “Harry Fultz”, të cilët e quanin veten komunistë, si: Xhevdet Doda, mësues, Mustafa Gjinishi, nën-punës, Mustafa Kaçaçi, nën-punës, Uan Filipi, infermier, Isuf Kambo, dizenjator, etj. {Si shpjegohet që këta përfaqësues të së majtës shqiptare që dinin anglisht, gjatë viteve 1941-1950, u asgjësuan të gjithë???}. Dhe prova e parë për të ardhmen e lëvizjes komuniste u dha që në hapat e parë. Në vitin 1929, Kominterni, nëpërmjet shefit të Sekretariatit të Federatës Komuniste në Ballkan, Gjergj Dimitrov, dha porosi që të ngrihej një “Qendër organizative”, prej tre personash, të cilët të merrnin barrën e krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Pa u zgjatur në këtë histori, mbas përpjekjesh u vendos që anëtari i tretë i kësaj qendre, që duhet të ishte komunist vendas, u caktua Hasan Reçi, madje për këtë u morr pëlqimi nga Kominterni.
Por, Hasan Reçi nuk u pajtua që në fillim me të gjitha pikat e programit të lëvizjes komuniste. Ajo që e bashkonte Hasanin me Ali Kelmendin, ishte aspirata e njëjtë për të çliruar vendin nga prapambetja dhe shtresat e varfra nga mjerimi. Dy pionierët e lëvizjes komuniste në Shqipëri kishin një ndryshim të madh për rrugët dhe mënyrat e triumfit të revolucionit socialist në Shqipëri. Së pari, ndërsa Ali Kelmendi e barazonte socializmin me Diktaturën e Proletariatit, ashtu si zbatohej në ish- Bashkimin Sovjetik, Hasan Reçi, përkundrazi e konceptonte socializmin si një regjim demokratik, i cili do të luftonte varfërinë, jo me anë të Diktaturës së Proletariatit, por nëpërmjet demokracisë popullore. Çështja e dytë themelore që e ndante Aliun me Hasanin, ishte rruga që duhej ndjekur për realizimin e idealit socialist.
Qysh në vitin 1932, në lëvizjen majtiste shqiptare brenda dhe jashtë vendit, ishin përvijuar në mënyrë të qartë dy programe strategjiko-taktike, që duhej zbatuar në Shqipëri. Këto dy vija morën emrin vija “bolshevike” dhe vija “çlirimtariste”. Vijën e parë e kishin miratuar krerët e “Grupit Komunist të Shqipërisë” në Bashkimin Sovjetik, Ali Kelmendi, Sejfulla Maleshova, Koço Tashko, Tajar Zavalani, Llazar Fundo, etj. Sipas këtij grupi, Partia Komuniste Shqiptare që do formohej në Shqipëri, duhej të ecte në gjurmët e Partisë Bolshevike, pra, të punonte për përgatitjen e revolucionit socialist sipas shembullit të Revolucionit të Tetorit dhe me fitoren e tij të vendosej diktatura e proletariatit si në Bashkimin Sovjetik.
Kjo taktikë, nisej nga teza se në Shqipëri ekzistonte një rend kapitalist sadopak i zhvilluar dhe një klasë punëtore e aftë të mbështeste revolucionin socialist. Si rrjedhim PKSH-ja duhej të bashkëpunonte me të gjitha forcat majtiste antikapitaliste dhe antiimperialiste, me kusht që Revolucionin Socialist ta drejtonte PKSH-ja, pa bërë lëshime me ta. Ndërsa platformën e dytë, atë “çlirimtariste” e kishin miratuar krerët e Komitetit të Çlirimit Nacional {Halim Xhelo, Kostandin Boshnjaku, Omer Nishani, Lano Borshi, Riza Cerova}, etj.
Ndryshe nga “bolshevikët”, militantët “çlirimistë” niseshin nga teza se Shqipëria ishte një vend i prapambetur, se nuk ishte çliruar ende nga hallkat e feudalizmit, se rendi kapitalist ende nuk ishte vendosur plotësisht, se klasa punëtore ishte në fillimet e saj, se Shqipëria ishte një vend gjysëm kolonial dhe se detyra kryesore e lëvizjes majtiste në Shqipëri ishte fitorja e plotë e pavarësisë, revolucioni demokratik përparimtar, përmbysja e regjimit totalitarist zogistë, zhdukja e mbeturinave feudale, madje edhe realizimi i bashkimit nacional të trojeve etnike.
E kush shqiptar me mëndtë e sotme s’do e përqafonte këtë program të një të majtë shqiptare?! E kur?! Në vitet e turbullta 1930-1940! Le ti ndjekim me kujdes këto zhvillime të lëvizjes komuniste të atyre viteve, për ta dalluar “engjëllin” nga “djalli”, për të parë se si kjo e majtë që aspironte Hasani me shokë, mori goditje të vazhdueshme për një treçerek shekulli, deri në eliminimin fizik të pionierëve të këtyre ideve.
Madje kur flasim për fillesat e social-demokracisë në Shqipëri, themeluesit e saj janë burrat e sipërpërmendur të grupit të “çlirimtaristëvë”. Zonja Musinë Kokalari, etj., për mendimin tim, shënojnë brezin e dytë të këtyre idealeve. Për të realizuar qëllimin dhe programin e tyre “çlirimistët” kërkonin aleancë me të gjitha forcat antizogiste, antifashiste dhe demokratike përparimtare, për të përmbysur bashkërisht regjimin zogiste dhe për të vendosur jo një diktaturë të proletariatit, por një regjim demokratik përparimtar në gjirin e të cilit Partia Komuniste të ushtronte ndikimin e saj.
Sipas “çlirimistëve” peshën e komunistëve në regjimin demokratik do ta përcaktonte vota popullore. Këtyre ideve, programeve dhe pozicionimit të lëvizjes komuniste në Shqipëri, i mëshon fort dhe Prof. Doktor i ndjerë, Kristo Frashëri, në monografinë kushtuar jetës dhe veprës së Hasan Reçit, botuar në vitin 2005. Të dyja rrymat e lëvizjes majtiste shqiptare ishin pranuar nga Kominterni, si dy rrugë të mundshme dhe të përshtatshme për kushtet e Shqipërisë së prapambetur. Madje Kominterni bënte presion që këto dy rryma të bashkëpunonin mes tyre. Kjo është arsyeja që Ali Kelmendi u lidh ngushtë me Hasan Reçin, duke parë dhe ndikimin e tij në Tiranë, si bir tiranas. Sepse Hasani drejtonte një celulë komuniste ku bënin pjesë dhe Anastas Plasari, nën-punës, Kolë Berisha, gazetar dhe Pjetër Deda, përkthyes.
Regjimi zogist duke parë ndikimin e kësaj celule, ra në gjurmë të saj që në vitin 1933. Pavarësisht se me veprimtarinë e tyre ata nuk paraqisnin rrezik imediat për regjimin zogist, anëtarët e celulës, përshi Hasanin, u arrestuan, por në mungesë të provave mbas disa muajsh, u lanë të lirë. Në raportin që dërgoi në Komintern në dhjetor të vitit 1936, Ali Kelmendi midis të tjerave propozoi që anëtar i qendrës të jetë Hasan Reçi, bashkë me Selim Shpuzën, Demir Godellin, Ali Kelmendin dhe Ymer Dishnicën. Në gusht të vitit 1934, në qytetin e Korçës u mbajt një konferencë, në të cilën morën pjesë dy anëtarë të qendrës së Korçës bashkë me Demir Godellin, Selim Shpuzën dhe Hasan Reçin.
Në këtë takim një ditor u vendos që të punohet për organizimin e lëvizjes komuniste ndër qendra dhe prefektura, ku aktualisht nuk ka asnjë organizatë komuniste, si në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë e Veriut, gjithashtu në Vlorë, Gjirokastër e gjetkë, si dhe përgatitja e terrenit për thirrjen e një kongresi kushtetues të Partisë Komuniste. Kur u kalua në pika të ndryshme, Hasan Reçi njoftoi se në Tiranë ekzistonte një organizatë e fshehtë nacionaliste, e cila kishte për qëllim të përmbysej Monarkia dhe të zëvendësohej me një republikë demokratike, propozim që u kundërshtua nga pjesëmarrësit e tjerë.
Dënimi i parë më vdekje
Pavarësisht kësaj kundërshtie, Hasan Reçi forcoi lidhjet me Grupin e Korçës dhe u mobilizua për kryengritjen antizogiste. Për organizimin e kryengritjes, Qendra e “organizatës së fshehtë”, kishte krijuar tre komisione, të cilat kishin për detyrë të merreshin me përgatitjen e kryengritjes së armatosur në tre sektorë të ndryshëm, në popullsinë civile, në ushtri dhe xhandarmëri. Për mobilizimin e popullsisë civile, qytetarë dhe fshatarë, Qendra e “organizatës së fshehtë”, kishte ngarkuar dy përgjegjës kryesorë, Kostë Çekrezin për antizogistët e djathtë dhe Hasan Reçin, për antizogistët e majtë. Në zbatim të këtij plani, Hasan Reci, së bashku me Tajar Zavalanin, Demir Godellin, Riza Cerovën, M.Gjinishin, Uan Filipi, M.Macaci, Isuf Kambo, etj, u angazhuan seriozisht për të zgjeruar rrjetin e pjesëmarrësve në kryengritjen e Fierit.
Krerët e “Organizatës së fshehtë” vendosën që kryengritja e armatosur të shpërthente në vjeshtën e vitit 1935, pasi të kishte filluar pushtimi i Abisinisë nga Italia e Duçes. Sipas tyre, Italia fashiste e angazhuar në fushatën luftarake të Afrikës Lindore, nuk mund të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri, në bazë të traktatit të Tiranës, të nënshkruar me qeverinë zogiste të vitit 1927. Por, ngjarjet nuk rrodhën siç ishin planifikuar. Më 14 gusht 1935, sapo krisën në Fier dhe Skrapar armët e para, kryengritja u shtyp. Në Fier revolta u shtyp po atë ditë, ndërsa në Skrapar vazhdoi disa ditë, derisa u vra udhëheqësi i saj, Riza Cerova. Policia kreu arrestime në masë. U burgosën jo vetëm pjesëmarrësit e revoltës së armatosur, por dhe qytetarë e fshatarë të thjeshtë.
Në mes tyre u arrestuan dhe simpatizantët dhe anëtarët e kryesisë së “Grupit Komunist të Tiranës”. Listën e tyre policia zogiste e kishte përgatitur më pare. Kështu që të nesërmen e dështimit të kryengritjes, më 15 gusht 1935, midis qindra të arrestuarve ishte dhe Hasan Reçi me 92 anëtarët majtistë. Më 16 gusht 1935, Hasan Reçi u torturua egërsisht në hetuesi, derisa nuk kishte fuqi për të folur. Ai nuk e pranoi akuzën. Prej tij hetuesia nuk nxori asnjë njoftim për pjesëmarrësit e tjerë. Gjyqi kundër të pandehurve u zhvillua nga 22 gushti deri më 17 shtator 1935. Ai dha dënime me vdekje për të gjithë ata që u konsideruan krerë të “Organizatës së fshehtë”, Ali Shefqet Shkupi, Ramiza Dibra, Nuredin bej Vlora, Ahmet Shehu, Bektash Cakrani, Neki Starova, Muhamet Këlcyra, Pilo Papa, Gegë Marka Gega, Mustafa Kaçaçi dhe Jahja Baçe.
Njësoj u dënuan dhe anëtarët e grupit komunist të Tiranës, Hasan Reçi, Mustafa Gjinishi, Uan Filipi, Kostë Kolumbi. Midis vendimeve të gjyqit, ai që la përshtypjen më të thellë, sidomos ndër qytetarët e Tiranës, ishte dënimi me vdekje i Hasan Reçit. Dhjetra lutje, të nënshkruara nga qytetarët e tiranës vërshuan në Pallatin e Zogut, në të të cilat kërkohej anulimi i dënimit me vdekje për Hasan Reçin. Protestoi gjithashtu Komiteti i Çlirimit Nacional në Gjenevë, njëkohësisht pati protesta nga qarqet intelektuale majtiste evropiane. Biles një nga protestat mbante nënshkrimin e shkrimtarit të njohur francez Hanri Barbys, Henri Barbusse. Për këto dënime të rënda reaguan dhe diplomatë perëndimorë në Lidhjen e Kombeve.
Nën presionin e brendshëm dhe të jashtëm, Mbreti Zog u tërhoq dhe dekretoi për të gjithë krerët e “Organizatës së fshehtë”, shëndrimin e dënimit me vdekje në burgim të përjetshëm, me përjashtim të 11 xhandarëve, të cilët kishin marrë pjesë direkt në kryengritje dhe u pushkatuan. Hasan Reçi u dërgua në burgun kështjellë të Gjirokastrës, burg i sigurisë së lartë, ku qëndroi 5 vjet, deri më 7 prill 1939, kur mbas pushtimit fashist u arratis nga ky burg për në Jugosllavi. Atje u bashkua me shokun e tij të ngushtë, Mustafa Gjinishin dhe më pas u takuan me Myslym Pezën e Haxhi Lleshin, me të cilët lidhën dhe miqësi. Të katër u kthyen në Shqipëri më 1940, ku Myslymi qëndroi në Pezë, Haxhi Lleshi në Dibër, ndërsa Hasan Reçi dhe Mustafa Gjinishi, u rivendosën në Tiranë. Theksojmë se pamvarësisht gjithë këtyre ngjarjeve Hasani nuk ndryshoi bindjet e tij të formësuara dekadën e kaluar. Memorie.al













