Nga Aurenc Bebja
Pjesa e dytë
Memorie.al / Revista “Les bonnes soirées” ka botuar me 18 shtator 1960, në faqet nr. 6 – 8, intervistën ekskluzive me mbretëreshën Geraldinë të Shqipërisë, të zhvilluar asokohe në Kanë të Francës, të cilën, Aurenc Bebja, e ka sjellë për publikun shqiptar. Geraldinë Apponyi, bukuroshja e Budapestit, u detyrua të largohej nga mbretëria e saj dhe të vuajë tmerret e ekzilit. Një vilë e madhe e rrethuar me palma dhe lule. Një vilë që ka fytyrën e shumë të tjerave dhe ku duket se vetëm ëmbëlsia e jetës mund të gjejë azil. Pavarësisht kësaj pamjeje, këto bugainvile, gjethja e purpurt e të cilave ka elegancën e luleve, “La Pierre Grise”, nuk është një vilë si të tjerat.
Banorët e saj kanë një histori, sepse heronjtë fatkeq të një prej faqeve tragjike të saj, janë pjesë e historisë së Evropës. Kjo vilë e madhe e krijuar për lumturinë strehon ish-mbretin Zog I të Shqipërisë, gruan e tij Geraldinë dhe djalin e tyre të vetëm Leka.
– Po tani, a mund të më flasë Madhëria Juaj për jetën e saj?
Një grua si të tjerat
Mbretëresha Geraldinë buzëqesh me sytë e saj, sy të cilët kur flet mund të bëhen shumë të butë, shumë të dashur.
“Jam si të gjitha nënat, e lumtur që kam djalin tim me vete. Leka është një djalë i bukur. Ka një gjatësi prej 2, 07 m. Ai është biond me sy gri. Ai studioi në Zvicër dhe më pas përfundoi (kompletoi) studimet në Angli në Sandhorst.
Unë gjithashtu marr përsipër detyrat normale të një zonje shtëpie. Shtoji kësaj se kam një korrespondencë të rëndësishme private dhe se lexoj shumë. Më pëlqen shumë letërsia anglo-saksone. Dhe gjithashtu rrëfimet historike.
Aktualisht jam duke përfunduar ‘Kujtimet e gjeneralit de Gol’. Në përgjithësi kërkoj libra që më japin një farë evazioni (arratie). Por pjesa më e madhe e kohës sime të lirë u kushtohet organizatave bamirëse, qëllimi i të cilave është të lehtësojnë gjendjen e mijëra refugjatëve të shpërndarë në mbarë botën.
Kjo është një punë e rëndësishme, e dhimbshme që kërkon shumë nga unë. Unë shkruaj edhe kujtimet e jetës sime në Shqipëri dhe odisenë tonë”.
Shijet e saj
Rrezikoj një pyetje të re, sepse do të doja të dija nëse në këtë rrethinë të vockël shqiptare ku ndodhem, tavolina e këtyre të mërguarve është franceze apo… me origjinë? Mbretëresha buzëqesh: “Jemi plotësisht të ambientuar me këtë Côte d’Azur të butë. Megjithatë, askush prej nesh nuk harron gatimet rajonale që janë kaq ndjellëse.
Në Shqipëri, një vend i dashur ku Lindja përqafohet me Perëndimin, kuzhina kishte karakter oriental, e ndikuar fuqishëm nga pushtimi i gjatë osman. Unë di shumë mirë të bëj ‘Burek’, byrekun e vogël me djathë të mbushur me mish të grirë. Peta e tij është jashtëzakonisht e hollë”.
Mbreti Zog
Ajo që mbretëresha nuk më thotë dhe nuk do t’i flas për këtë, sepse i kam premtuar se nuk do të hap asnjë temë politike, është se ajo është edhe bashkëpunëtore e burrit të saj. Mbreti Zog po punon për kapitujt e fundit të kujtimeve të tij, të cilat me shumë mundësi do të publikohen së shpejti. Tashmë janë shkruar tetë vëllime, të cilat do të hedhin dritë të re mbi shumë ngjarje.
Ai që i kishte dhënë të gjitha forcat punës së modernizimit të një vendi që donte të ishte i lumtur, ky njeri që çuditërisht inicialet e tij janë A dhe Z, tani vetëm mund të shkruajë kujtimet e tij dhe t’u vijë në ndihmë bashkatdhetarëve të varfër.
Lindja dramatike e princit të kurorës
Është zakon të gjuhet me top për lindjen e një princi mbretëror. Në Tiranë respektohej zakoni. Dhjetë topat që rrethuan shtëpinë, qëlluan për njëzet e katër orë. Mjerisht! Mezi kishin heshtur topat shqiptarë kur u dëgjuan topat e tjerë, ata të armikut. Çdo goditje tani do të rezononte me dhimbje në zemrën e Geraldinës. Kjo nuk ishte më gjama e topave e ditëve të festave.
Princi i kurorës së Shqipërisë u përshëndet nga artileria e pushtuesit të vendit të tij. Dhe menjëherë u desh të iknin dhe si për fat të keq duhej të iknin me makinën e ofruar nga kancelari Hitler, miku i madh i Musolinit. A duhet të shohim në këto dy dhurata mbretërore, automobilin dhe jahtin, dy shenja largimi, edhe më keq, eksodi? U desh për Geraldinë Apponyi-në vetëm një vit mbretërimi, për të sjellë në jetë këtë histori të mrekullueshme.
Mbreti Zog, Geraldina, foshnja mbretërore, disa valixhe, të gjitha të grumbulluara në makinën gjermane. Kështu filloi jeta e mërgimit të familjes mbretërore. Në fshatrat përreth Tiranës, të shtënat e topave rrëzojnë sërish, si një vit më parë, një shi me petale të bardha. Në rrugët e këqija të gurta, makina takohet me fshatarë që ende nuk e dinë se sa e madhe është fatkeqësia që i ka rënë vendit të tyre.
Ka qe të vegjël me qime të ashpra që vazhdojnë qetësisht plugimin, gra të mbuluara me të bardha që shkojnë të nxjerrin ujë nga burimi. Nën tendën e çdo shtëpie, qengji tashmë i sakrifikuar i Pashkëve është gati për t’u pjekur.
Mes kësaj qetësie fillon të kalojë teoria e vajtueshme dhe e mjerë e atyre që largohen, një imazh i njohur i qenieve të zymta, me trastën mbi supe. Duke e njohur karrocën mbretërore, ata gjunjëzohen me plisin në dorë, gratë qajnë. Mbretëresha nuk thotë asgjë.
Shambellani i saj, i pranishëm në intervistën tonë, vazhdon: “Na duhej të kalonim Greqinë, Turqinë, pastaj Francën, Belgjikën, Anglinë për të arritur në Egjipt. Odisea jonë ishte ajo e mijëra emigrantëve me incidentet e bagazheve të humbura dhe shanset e saj të mrekullueshme”.
Një anije mallrash në të cilën familja mbretërore nuk u ngjit më në fund u qëllua dhe u fundos me trupat dhe mallrat. Madhëria e saj përjetoi Blitz-in në Londër, më pas, në vitin 1946, familja mbretërore u zhvendos në Egjipt, nga ku nuk u kthye deri në vitin 1954 për t’u vendosur në Kanë. / Memorie.al
Marrë nga ObserverKult















