Nga Merita Shkupi
Pjesa e dytë
Memorie.al / 43 vjet më parë, më 13 gusht të vitit 1983, mbylli sytë përgjithmonë një nga luftëtaret më të shquara për liri, demokraci dhe emancipim shoqëror, publicistja, shkrimtarja, studiuesja, politikania dhe veprimtarja e radhëve të para kundër tiranisë së çdo lloj ngjyre e përmase, Musine Kokalari. E harruar nga të njohurit, e shpërfillur nga shoqëria dhe e dënuar nga shteti brigand, ajo vdiq në kushtet e një mjerimi të thellë, në një dhomë të humbur, e internuar në Rrëshenin e viteve ‘80, pa njeri pranë dhe me frikën e pangushëlluar të humbjes së mbi 1000 faqeve studime, mbi pasuritë folklorike të Mirditës e të malësive përreth.
Në atë shkrim të Musine Kokalarit u bëhej thirrje grave shqiptare të ndihmonin me të gjitha forcat e mundësitë luftëtarët e lirisë. Në shkrim, ndërmjet të tjerash, thuhej: “….Malet janë plot me djemtë tanë. Ca luftojnë sot. Ca do të luftojnë nesër. Të gjithë për Shqipërinë….”! Pikërisht pohimi; “Ca luftojnë sot. Ca do të luftojnë nesër”, nuk i kishte pëlqyer Enver Hoxhës. Ishte piketa e parë e urrejtjes së tij për këtë vajzë të re patriote dhe intelektuale të rangut të parë.
Në librin “Rreth vatrës”, Musineja përshkruan ëndrrën e shkurtër të një vajze gjirokastrite. Pas dasmës ajo vihet nën thundrën e vjehrrës, vjehrrit, dhe burrit po se po. Lulja e re që do dritë e diell të lulëzojë, zë e fishket nga cipa e zezë e zakoneve. Me instrumentin e artit, ajo vijon luftën e saj për emancipimin e femrës shqiptare në përpjekje të pandërprerë kundër dhunës në familje.
Ndërkohë, Musine Kokalari merret me gazetën dhe programin e partisë së saj social-demokrate. Në program që përfshirë edhe zgjidhja aq fort e dëshiruar e problemit të Kosovës. Një program që ishte destinuar të mbetej në letër për shkak të investimit thellësisht antikombëtar të klikës filosllave, që kishte marrë drejtimin e luftës antifashiste.
Po vinin kohë të vështira. Vëllai i Musinesë, Muntazi, i kërkoi së motrës të iknin sa më parë nga vendi, pasi jetët e tyre ishin në rrezik të madh. Në një letër lamtumire që Muntazi i shkruan Makbule Xhomos (Vrionit), gruas së Feim Bej Leskovikut, ndër të tjera nënvizon:
“… Këtë vendim (arratisjen nga vendi) e mora se më njoftuan disa miq të mi të besuar se jeta jeme dhe e të afërmve të mi, është në rrezik nga bashtua i Gjirokastrës, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq të veprojnë kundër nesh. Kjo kuptohet thjesht për motive personale, se ne kemi qenë kundërshtarë të okupatorit nazifashist dhe kemi punuar thjeshtë për të mirën dhe përparimin e kombit.
Siç e kemi biseduar dhe herë të tjera, fatkeqësia e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë është se ka rënë në dorë të një njeriu përbindësh, tinëzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar, e që kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj., fëlliqi botën me borxhe…”! Musineja, pa qenë në gjendje as të përfytyrojë shkallën e tmerrshme të degradimit njerëzor te “djajtë e kuq”, nuk pranoi të mërgojë me arsyetimin:
“S’janë marrë kurrë shqiptarët me gratë, vëlla. Ti e di se paqen e vendos një grua me flamur të bardhë”. Ishte një refuzim fatal për të ardhmen e saj. Fillimisht u arrestuan vëllezërit që mbetën (ata që nuk qenë përzier me politikë). Ata u pushkatuan pa gjyq dhe i hodhën në një varr të përbashkët me shumë të tjerë.
Në të gjithë vendin ushtonin klithmat “kriminelët në litar”! Reshat Kokalari, babai i saj i thinjur, që la karrierën e tij në Turqi për t’i shërbyer vendit të tij, nuk arrinte të kuptonte se ç’po ndodhte. Ai nuk donte të pranonte zhgënjimin e thellë të brezit të tij që qe ushqyer nga ëndrrat e Frashraniotëve.
Plak dhe i sëmurë, me një tufë gra e fëmijë, mbahej te filli i vetëm që i kishte mbetur, Musineja. Ndërkohë, Musine Kokalari e dinte se tanimë i kishte ditët të numëruara, megjithatë vazhdonte veprimtarinë e saj. Kujtonte dramën që luanin dikur në Gjirokastër kur qenë nxënëse shkolle; “Theroria e Ifigjenisë”.
Më 1945, të gjitha grupet opozitare zgjodhën përfaqësuesit e tyre për t’u paraqitur aleatëve anglo-amerikanë programet e partive të tyre. Njëlloj veproi edhe Partia Social-Demokrate. Shpresë e kotë. Musineja po parapërgatiste t’ëmën, për fundin e keq fare të afërt që e priste.
Ajo nuk mund të qëndronte mënjanë, sepse nuk mjaftonte vetëm lutja Zotit për të ndalur dorën e kriminelëve që po varrosnin njerëzit për së gjalli dhe po e kthenin popullin në një kopé amorfe që ulërinte e bërtiste, duke nxitur instinktet më të egra të turmës. Në kulmin e terrorit ajo nuk u tërhoq.
Nuk mund të bënte sehir. Kur u arrestua, përqafoi babanë, me një përqafim të heshtur e burrëror, përqafim lamtumire. Rrugëve shfaqeshin skena të tjera, demonstrime të një “entuziazmi” të egër. Turma të mëdha bashkoheshin me ata që dilnin nga sallat e gjyqeve duke ulëritur muzikën e preferuar; “Tradhtarët në litar!”
Ushtarë shqiptarë dilnin nga fushat sportive të përqafuar me ushtarë jugosllavë pas ndeshjeve vëllazërore të futbollit ndërmjet miqve të rinj, duke thirrur: “Rroftë Marshalli Tito!”, “Enver – Tito”, etj. Gazetat shkruanin se Musine Kokalari e Suat Asllani ishin vënë me shpatulla pas murit përpara fakteve të servirura nga komunistët.
Torturat nuk e ligështuan atë. Në deponimin e saj, Musineja pranoi veprimtarinë e Partisë Social-Demokrate, duke e quajtur atë një impenjim moral, një impenjim për arritjen e idealit të saj të demokracisë dhe aspak rrëzimin e pushtetit të tyre me dhunë. U dënua me 20 vjet. Vuajti 16 vite burgim për të provuar torturën tjetër, jo më pak të rëndë, atë të internimit në Rrëshen.
Rasti e solli të takohej në atë qytezë me vajzat e Izet Osmanit, të internuara për shkak se “babai i tyre i vdekur, qenkësh gjallë”, madje ishte bërë “spiun i rrezikshëm”. Njëfarësoj legjende që vetëm mendjet diabolike të enverizmit shqiptar mund ta sajonin. Edhe shumë vite më pas, përfshirë periudhën e re të demokracisë, ato vajza nuk e gjetën dot babanë e tyre, ndërkohë që dëshmitarë të akuzës pohuan paturpësisht, se i kishin detyruar të gënjenin. Qenë pikërisht ato që guxuan e nuk u trembën t’i afrohen Musinesë.
E diplomuara për letërsi në Itali, shkrimtarja e parë femër në historinë e vendit, politikania e guximshme demokrate dhe njëherësh vajza e dikurshme delikate që ngjallte interesin e të gjithë të rinjve intelektualë të kohës, u përpoq të mblidhte veten. Në fund të fundit, vëllai i arratisur ishte martuar dhe kishte lindur dy fëmijë.
Pra nuk u ishte tharë trungu i jetës. Edhe ajo mund të vendoste fare mirë rregull në jetën e saj. Kthehej nga puna në ndërtim, lahej, vishte bluzën e bardhë dhe një pallto që e pat blerë në Romë dhe kalonte krejt shpërfillëse ndaj vështrimeve të spiunëve që qenë të kudondodhur. Ndonëse tashmë i përkiste shtresës më të diskriminuar e më të shtypur, asaj të armiqve të klasës, paradoksalisht tek ecte rrugëve të Rrëshenit, dukej shumë “luksoze” në atë qytezë, ku fëmijët ecnin edhe këmbëzbathur në dimër.
E quanin “cariste” (nuk dihet për çfarë motivi idiotesk), dhe kur shkonte në kinema, njerëzit largoheshin nga rreshti i saj sikur të ishte leproze. Por ajo nuk zëmërohej. Ç’faj i kishin njerëzit e shkretë? Nëse dikush i fliste asaj, të nesërmen thirrej në Degën e Brendshme dhe duhej të jepte llogari deri në një, për çfarë kishte biseduar, sa dhe si kishte biseduar! Jeta megjithatë zvarritej sipas ligjeve të saj të pakorrigjueshme.
Jeta e rëndë, streset e mëdha, vuajtjet fizike dhe shpirtërore linin gjurmë në shëndetin e asaj zonjushe të hirshme të dikurshme që nuk mund ta kishte përfytyruar kurrë afrimin e një fundi të tillë, aq të huaj për ëndrrat e saj rinore. Musineja sëmuret nga kanceri dhe duke mos gjetur ndihmën e duhur u shkruan letra drejtorive të spitaleve. Nuk i përgjigjen. Dikush gjen më në fund kohën ta lajmërojë se nuk i kishte ardhur ende radha për operim. Dy gra të internuara i qëndronin vazhdimisht pranë dhe e ndihmonin me sa mundnin.
Por në ditën fatale të 13 gushtit 1983, kur ajo dha shpirt, ato nuk u ndodhën aty. Dera e dhomës së saj, pas konstatimit të vdekjes, u mbyll nga njerëzit e Degës së Brendshme. I morën edhe ato 1000 faqe punime shkencore me vlerë, të cilat askush nuk e di se në çfarë hauri përfunduan. E grabitën edhe të vdekur.
Kjo qe dhuna e fundit e ushtruar nga regjimi terrorist i Enver Hoxhës kundër bashkëqytetares së fisme të tij, kundër asaj që ia kushtoi gjithë jetën një kauze fisnike – emancipimit të femrës dhe të të gjithë popullit shqiptar nga dhuna e egër, e vjetër dhe e re, që e ktheu Shqipërinë në një geto të Europës.
Një rom që mbartte zhavorr me automjet riportabël, pranoi pas shumë të luturash, që ta ngarkonte në makinën e tij arkivolin. Diçka çuditërisht e ngjashme me fundin e Mozart-it. Edhe atë e përcollën vetëm tre veta në varrezat, ngarkuar mbi një karrocë të vjetër të bashkisë. Fakte të hidhura për të cilat njerëzit pendohen më vonë, siç u penduan ata që shpërfillën vdekjen e kompozitorit të madh vjenez.
Po vallë a janë penduar ata shqiptarë që përdhosën një lule aq të bukur të kombit të tyre? Përgjigjja mohuese ndaj kësaj pyetjeje, është edhe më e rëndë se vetë ngjarja. Jo, ata nuk janë penduar. Dhe me sa duket nuk do të pendohen kurrë./ Memorie.al














