• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Monday, May 11, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në Kongresin I-rë të Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, më 17 gusht 1934, A. Zhdanovi do të deklarojë: Nuk ka pasur asnjë letërsi, përveç asaj sovjetike, që…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

“Patronët e Realizmit Socialist, i kanë ngritur njëlloj kulti Dostojevskit dhe Biblioteka ‘Lenin’ e Moskës, Biblioteka e Leningradit, organizuan…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Në letërsinë gjermane naziste, Hitleri portretizohet si Mesia i ri, si shpëtimtar, si Krishti i shekullit tonë, të cilit të gjithë duhet t’i binden verbërisht…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Në Kongresin I-rë të Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, më 17 gusht 1934, A. Zhdanovi do të deklarojë: Nuk ka pasur asnjë letërsi, përveç asaj sovjetike, që…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Në Kongresin I-rë të Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, më 17 gusht 1934, A. Zhdanovi do të deklarojë: Nuk ka pasur asnjë letërsi, përveç asaj sovjetike, që…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Në Kongresin I-rë të Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, më 17 gusht 1934, A. Zhdanovi do të deklarojë: Nuk ka pasur asnjë letërsi, përveç asaj sovjetike, që…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Në Kongresin I-rë të Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, më 17 gusht 1934, A. Zhdanovi do të deklarojë: Nuk ka pasur asnjë letërsi, përveç asaj sovjetike, që…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Patronët e Realizmit Socialist, i kanë ngritur njëlloj kulti Dostojevskit dhe Biblioteka ‘Lenin’ e Moskës, Biblioteka e Leningradit, organizuan…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Nga Bashkim Trenova

Pjesa e tetë

                                 NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET

                                          PARATHËNIE

Gjithashtu mund të lexoni

“Shërbimi i Kundërzbulimit të UDB–së, kishte arritur të realizojë kontrollin e plotë mbi politikën tonë të jashtme ndaj Shqipërisë…”/ Ana e panjohur e raporteve shqiptaro-jugosllave para viteve ’90-të,

“Romani ‘Në transhetë e Stalingradit’ u botua në revistën moskovite ‘Znamja’ me titullin ‘Stalingrad’, por ai u nënshtrua një kritike të fuqishme zyrtare…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.                    

                                                       Vijon nga numri kaluar

Në letërsinë sovjetike, përveç temave tip, u vendosën edhe modelet tipe të heroit, ose heroit pozitiv dhe të antiheroit, heroit negativ. Heroi pozitiv ka disa karakteristika. Ai duhet të jetë vigjilent dhe i zgjuar. Ai duhet të dashurojë punën dhe të jetë i disiplinuar, i thjeshtë por ambicioz, i pastër në shpirt, i ndjeshëm, por duke qenë njëkohësisht i aftë edhe për të urryer. Heroi pozitiv tregohet spontan kur duhet dhe me një mendim të peshuar, po kur duhet. Një saktësim i tillë bën të dyshosh në sinqeritetin e veprimeve të tij. Përsa i takon heroit negativ, ai vendoset në një pozicion ekuilibristi: roli i tij si i “keq” vihet në peshore. Nëse nuk vlerësohet, ai nuk merret seriozisht nga lexuesi. Nëse i jepet më tepër peshë nga sa duhet, ai e demoralizon lexuesin.

Heronjtë e letërsisë së Realizmit Socialist, duke qenë të stereotipitizuar, janë, në fakt, krejtësisht të huaj për lexuesin, nuk njihen prej tij. Ata synojnë të “edukojnë” nëpërmjet klisheve, si në nivelin e ideve ashtu edhe të stilit. Heronj të tillë të rremë, jashtë botës normale njerëzore, kuptohet, rrezikojnë të shkaktojnë vetëm mërzi dhe pa besueshmëri dhe nuk mund të jenë modele për t’u ndjekur.

Si vepër e parë e realizmit socialist, pra ku ndeshet edhe “heroi” tip, përmendet romani

‘Мать’ (‘Nëna’) i Maksim Gorkit, i shkruar madje përpara vetë-deklarimit të kësaj doktrine. Romani përshkruan jetën e zakonshme, organizimin e saj, debatet e ndryshme në një organizatë bazë të Partisë Punëtore Social-demokrate të Rusisë, por edhe natyrën e marrëdhënieve midis shokëve, personalitetin e tyre përgjithësisht të idealizuar.

Romani përshkruan ecurinë e një nëne punëtore në një periferi industriale të Rusisë para-revolucionare, djali i së cilës Pavli është një veprimtar revolucionar. Fillimisht ajo është e trembur nga idetë e rrezikshme të të birit, të cilat nuk i kupton. Më pas ajo pushtohet nga magjia e shokëve të Pavlit, plot entuziazëm, ideale dhe dashuri për njerëzimin. “Populli, shprehet Nëna, mund të marshojë pa u trembur me miq të tillë: ata nuk do të kryqëzojnë duart më parë se populli të formojë një shpirt të vetëm, më parë se ai të thotë me një zë: Unë jam zot, unë vetë do t’i bëj ligjet, të njëjtë për të gjithë”!

Pak nga pak, tek ajo zgjohet vetëdija për padrejtësinë e përjetuar nga punëtorët në shoqërinë cariste. Kur Pavli arrestohet për herë të parë, nëna merr përsipër të vazhdojë shpërndarjen klandestine të fletë-palosjeve revolucionare për punëtorët e fabrikës ku punonte i biri. Kur ai arrestohet përsëri për organizimin e një demonstrate me rastin e 1 Majit, nëna detyrohet të lërë qytetin dhe, me kalimin e kohës, ajo mëson të lexojë, përleshet me policinë dhe përhap literaturën e ndaluar në fshat. Romani përfundon me arrestimin dhe shndërrimin e saj në një revolucionare të flaktë. “Nëna” e Maksim Gorkit, është përshtatur për film në disa raste dhe është vënë në skenë edhe si opera në ‘Большой театр’ (‘Teatri Bolshoi’).

Me interes është të kujtojmë se edhe pionieri i Realizmit Socialist nuk është pëlqyer gjithnjë nga diktatura, sikurse edhe ai nuk e ka pranuar atë në periudha të caktuara. Pothuajse fill pas Revolucionit të Tetorit, më 7 dhjetor 1917, Gorki shkruan: “Bolshevikët kanë vendosur Kongresin e sovjetëve përpara faktit të kryer të përqendrimit të pushtetit në duart e tyre dhe jo të sovjetëve…! Bëhet fjalë për një oligarki, për republikën e disa komisarëve të popullit”. Edhe më parë, dy javë pas Revolucionit të Tetorit, Gorki ka shkruar: “Lenini dhe Trocki nuk kanë asnjë ide mbi lirinë dhe të drejtat e njeriut. Ata, tashmë, janë korruptuar nga helmi ndotës i pushtetit”.

Nga ana e tij Lenini ka shkruar: “S’ka dyshim se Gorki është një njeri me talent të madh artistik, i cili i ka sjellë dhe do t’i sjellë dobi të madhe lëvizjes proletare botërore. Por ç’i duhet Gorkit të merret me politikë”? Bolshevikët nuk mund të pëlqenin kritikat e hapura dhe të fuqishme të Gorkit. Atyre u duhej vetëm shërbimi i tij, madje jo vetëm nëpërmjet letërsisë së realizmit socialist, por dhe jashtë letërsisë. Kështu, më 6 dhjetor 1921, Lenini i kërkon Gorkit: “a mund t’i shkruani Bernard Shout që ai të shkojë në Amerikë dhe Uelisit, i cili siç thonë, tani është në Amerikë, që të na ndihmojnë që të dy për të mbledhur ndihma për të uriturit? Do të ishte mirë sikur tu shkruanit. Atëherë të uriturit do të kenë mundësi të marrin diçka më shumë. Zija e bukës është e madhe”. Gorki emigron në Itali për disa vite. Më pas ai rikthehet në Bashkimin Sovjetik, ku dhe vdes më 18 qershor të vitit 1936. Vdekja e tij e papritur, si edhe ajo e djalit të tij, Maksim Peshkov, gati një vit më parë, kanë ngjallur dyshime për një helmim të mundshëm të tyre!

Në letërsinë sovjetike të Realizmit Socialist, në tërë ecurinë e saj, tema kryesore mbeten revolucioni, lufta civile, patriotizmi rus dhe ndërtimi socialist. Një nga shkrimtarët e njohur botërisht, fitues i Çmimit Nobel, Mihail Shollohovi, “plugon” me penën e tij në këtë brazdë në romanin ‘Тихий Дон’ (‘Doni i Qetë’). Në roman i kushtohet vëmendje luftës për mbrojtjen e Revolucionit, viteve të Luftës I-rë Botërore dhe të Luftës Civile, të shkrira këto me jetën e kozakëve të Donit. Romani është krahasuar shpesh me ‘Война и мир’ (‘Lufta dhe Paqa’) të Lev Tolstoit. Nga kritika sovjetike ai është vlerësuar si model i letërsisë së Realizmit Socialist.

Shollohovi përshkruan në roman pasojat tragjike të Revolucionit dhe të Luftës Civile në jetën e kozakëve të Donit, të familjeve kozake, që u gjendën pengje të ngjarjeve dhe të kthesave historike. Ngjarjet zhvillohen kryesisht në fshatin Tatarski të komunës së Veshenskajas, midis viteve 1912 dhe 1922. Romani “Doni i Qetë” ka në qendër, si personazh kryesor, Grigor Melehovin, një i ri kozak, i lidhur me fermën e tij, me jetën e qetë të bujkut, që mobilizohet në radhët e ushtrisë cariste gjatë Luftës I-rë Botërore. Autori përshkruan betejat e para kundër ushtrisë gjermane dhe përkeqësimin e vazhdueshëm të gjendjes. Me Revolucionin e Tetorit të vitit 1917 dhe tërheqjen e trupave ruse nga konflikti, Melehovi largohet nga ushtria dhe kërkon të rifillojë jetën e tij të zakonshme në fshat. Kjo bëhet e pamundur meqë në Rusi shpërthen Lufta Civile.

Në rrethanat e kësaj lufte vëllavrasëse, ai ndryshon pozicionin e tij disa herë duke kaluar nga të kuqtë tek të bardhët, njëlloj sikurse kalon nga njëra grua tek tjetra. Ai është i pranishëm dhe merr pjesë në një sërë luftimesh dhe masakrash, për të përfunduar në anën e të humburve në 1922. Në përfundim të romanit, Grigori hedh në lumë pushkën dhe pistoletën e tij. Sipas skemës së Realizmit Socialist, një i lëkundur, nuk mund të jetë hero dhe nuk mund të ketë tjetër fund. Ky roman, në Kongresin I-rë të shkrimtarëve proletarë sovjetikë, u vlerësua si “një dhuratë” për Kongresin, si një “fitore e madhe e letërsisë proletare”. Ai u vlerësua me Çmimin “Stalin” në vitin 1941 dhe me Çmimin “Lenin” për letërsinë në vitin 1960. Në vitin 1965 ai merr çmimin “Nobel” për letërsinë. Deri në vitin 1980, romani u botua në 79 milionë kopje, në 974 botime të ndryshme dhe u përkthye në 84 gjuhë. Në Bashkimin Sovjetik ai u vu në skenë edhe si opera dhe u realizua si film artistik.

Në letërsinë sovjetike botime të shumta i janë kushtuar Luftës I-rë Botërore, Luftës Civile dhe, sidomos, Luftës II-të Botërore. Fitorja mbi nazizmin i jep një vend nderi kësaj letërsie. Përgjithësisht ajo është njëlloj modeli i ekzaltimit stereotip të heroizmit. Kjo letërsi duhet të ngulitë në mendjen e lexuesit idenë absolute se Rusia, me një përpjekje mbi-heroike, të padiskutueshme, është vendi që shpëtoi botën nga nazizmi. Ajo, shpesh, më tepër se një krijimtari letrare, shërben si një pamflet patriotik. Në vitet 1941-1945, por edhe më pas, vihet re një mobilizim i përgjithshëm i shkrimtarëve dhe poetëve sovjetikë, që trajtojnë temën e Luftës, si Mihail Shollohovi, Boris Polevoi, Sergei Smirnovi, Aleksander Fadajevi, Aleksei Tolstoi, Konstandin Simonovi, Aleksandër Beku, Vasili Grosmani, Boris Pasternaku, Ana Akhmatova, Aleksandër Tvardovski, etj.

Në asnjë rast, në asnjë vepër letrare, nga asnjë autor, nuk përmendet, qoftë edhe shkarazi, pakti gjermano-sovjetik, apo sikurse edhe njihet, pakti Ribentrop-Molotov i nënshkruar me 23 gusht të vitit 1939 në Moskë nga ministri i Jashtëm gjerman Joakim Ribentrop dhe ai sovjetik, Viatcheslav Molotov, në prani të Josif Stalinit. Në asnjë rast nuk pasqyrohet, qoftë edhe shkarazi, tërthorazi, se si agresioni hitlerian e gjeti të papërgatitur vendin e sovjetëve, se si ushtrisë sovjetike, në prag të këtij agresioni, i ishte prerë koka nga spastrimet e radhës të diktatorit.

Në vitet 1943-1944, Shollohovi shkruan romanin ‘Они сражались за Родину’ (‘Ata luftuan për Atdheun’). Autori i vendos ngjarjet në korrikun e vitit 1942. Duke u përballur me ofensivën gjermane, Regjimenti i 38 i Artilerisë së Ushtrisë së Kuqe tërhiqet drejt Stalingradit. E rraskapitur nga një marshim prej tridhjetë kilometrash, trupa mbërrin në një fshat të vogël në bregun e djathtë të Donit. Ushtarëve iu dha urdhri që të mbajnë lartësinë fqinje derisa të arrinin përforcimet. Në agim, fshati gjendet para një apokalipsi të vërtetë. Stepa është në zjarr, bagëtia e trembur endet mes tankeve dhe ushtarët sovjetikë të rraskapitur, marrin urdhrin të kalojnë Donin dhe të vendosen në bregun tjetër të tij. Pasi varrosin të vrarët, të plagosurit “operohen” pa anestezi nga infermierët që duhet të bëjnë një punë rraskapitëse për trupin dhe nervat.

Në anën tjetër të lumit, trupa e uritur nuk gjen asgjë për të ngrënë derisa kryetari i kolkozit e furnizoi me ushqime, sepse e kuptoi që nuk kishte të bënte me dezertorë, por me heronj të vërtetë. Më në fund, të mbijetuarve u bashkohen edhe përforcimet e shumëpritura. Pavarësisht ferrit që sapo kanë përjetuar, ata janë përsëri gati për t’u ndeshur me armikun dhe për ta varrosur atë. Ndoshta për ta bërë më të përtypshim romanin e tij, Shollohovi ndërthur në të edhe dy aventura dashurie. Ndoshta ai e bën këtë edhe për të treguar se njeriu besnik deri në vdekje ndaj atdheut, i pamposhtur dhe fitimtar ndaj armikut pushtues, barbar, ka edhe ai dobësitë e tij, se ai është hero edhe me këto dobësi. ‘Они сражались за Родину’ është, gjithashtu, një film luftarak sovjetik i realizuar nga Sergei Bondarchuku në vitin 1975. Filmi është një përshtatje e romanit me të njëjtin emër të Mihail Shollohovit.

Boris Polevoi është një tjetër shkrimtar sovjetik, që i është kushtuar heroikes së Luftës II-të Botërore. Ai është bërë i njohur, sidomos, me romanin ‘Повесть о настоящем человеке’ (‘Historia e njeriut të Vërtetë’). Romani tregon historinë e Alekseit, një pilot aviacioni luftarak sovjetik. Romani fillon me rrëzimin e avionit të tij, në mes të një pylli të pafund të ngrirë, në luftim me avionët nazistë Messerschmidts. Heroi i romanit plagoset rëndë, të dyja këmbët i thyhen. Skeletik, delirant nga ethet dhe i dobësuar deri në humbje të ndërgjegjes, ai zvarritet, rrëshqet për të rifituar linjat sovjetike. Nis kështu një udhëtimi i gjatë fizik dhe psikologjik ku ky “burrë i vërtetë” dëshiron, me çdo kusht, pavarësisht humbjes së të dy këmbëve, të kthehet në kabinën e pilotit dhe të fluturojë sërish.

Për të mbijetuar Aleksei ushqehet me lëkura pishe dhe sythat e thuprave bimore, bën çaj duke zier gjethet e manaferrave, etj. Në këtë gjendje ai, madje, vret edhe një ari. Aleksei gjendet më pas nga fshatarët e strehuar në pyll për t’i shpëtuar mizorive naziste. Heroi i romanit bëhet sërish pilot edhe pse me dy këmbë të prera. Ai arrin edhe të vallëzoj dhe, më së fundi, të marrë pjesë dhe të drejtojë një avion gjuajtës në betejën e Kurskut. Ai është sovjetik! ‘Повесть о настоящем человеке’ u bë një bestseller i detyrueshëm gjatë periudhës së fundit staliniste (fillimi i viteve 50) kur shkrimtari rus kishte si objektiv të vetëm të mitizojë njeriun sovjetik, që u përlesh me nazizmin, të dëshmojë se bolshevizmi prodhoi njerëz të jashtëzakonshëm, vendosmëria, besimi, forca dhe karakteri i të cilëve, të frymëzuara nga ideali komunist, zhvendosin edhe malet. Romani ndërtohet mbi një strukturë arkaike, atë të mitit të ringjalljes.

“Historia e njeriut të vërtetë” është nderuar me Çmimin “Stalin”, etj. Ajo është botuar 180 herë dhe përkthyer në 49 gjuhë me një tirazh të përgjithshëm prej 9.745.000 kopjesh. Një tjetër roman, ‘Молодая гвардия’ (‘Garda e Re’) i shkrimtarit Aleksandër Fadajev, i botuar në vitin 1946, i kushtohet edhe ai Luftës II-të Botërore. Autori është nga shkrimtarët më të famshëm sovjetikë të kohës, mik i Stalinit, të cilin ai e cilësonte si “një nga humanistët më të mëdhenj që ka parë bota ndonjëherë”. Ai shkruan mbi qëndresën e rinisë sovjetike në 1942-1943, gjatë pushtimit gjerman të qytetit të Krasnodonit në Ukrainë. Në faqet e tij lexojmë se, ndërkohë që nazistët pushtuan këtë republikë, duke plaçkitur dhe djegur fshatrat, duke masakruar popullsinë pa më të voglin pretekst, në Krasnodon, në pellgun e Donetzit lindi një organizatë e fshehtë e quajtur ‘Молодая гвардия’.

Themeluesit e saj ishin adoleshentë: Oleg Koshevoi, gjashtëmbëdhjetë vjeç, drejtuesi i grupit, komisari i Gardës së Re, Sergei Tiulenine, shtatëmbëdhjetë vjeç dhe Ivan Zemnoukhov, nëntëmbëdhjetë vjeç. Duke ndjekur shembullin e tyre, të tjerë të rinj, vajza e djem, u angazhuan në luftë kundër pushtuesve. Pavarësisht regjimit të terrorit, ata arritën të instalonin katër stacione marrëse T-S.P. Çdo ditë, këta gardistë të rinj, informonin banorët me komunikatat zyrtare të Ushtrisë së Kuqe, shpërndanin fletëpalosje, që përmbanin të dhëna për gjendjen ushtarake në front dhe bënin thirrje për rezistencë.

Në përvjetorin e Revolucionit të Tetorit gardistët e rinj ngritën flamujt e kuq në çatitë e qytetit. Grupet e tyre goditëse kryen disa akte sabotimi, sulmuan kamionët nazistë, u vunë flakën disa instalimeve të tyre. Të rinjtë do të kapen, do të torturohen egërsisht nga Gestapo dhe do të ekzekutohen duke qëndruar heroikisht para vdekjes, kokën lart, duke e sfiduar atë ashtu sikurse është në dinjitetin e njeriut të ri sovjetik, duke krijuar imazhin emblematik të martirit kurajoz dhe të sakrificës sublime. ‘Молодая гвардия’ është njëlloj himni patriotik. “A gjendet një popull tjetër i tillë si i yni…i cili zotëron një shpirt kaq të bukur”? – do të thërrasë me zë të lartë gardisti Liubov Gvhevstsova. Nga ana e tij, vetë autori ka spjeguar se: “Edhe pse heronjtë e Gardës së Re mbajnë emra dhe mbiemra jo të rremë, ai nuk kishte shkruar historinë e vërtetë të gardës së re, por një vepër arti, në të cilën kishte dhe shumë imagjinatë dhe, madje, edhe personazhe të imagjinuar”. “Romani, – përfundon ai, – e ka këtë të drejtë”.

Romani, megjithëse fitoi çmimin Stalin në vitin 1946, dhe u përshtat për teatër dhe kinema, u kritikua në Правда në vitin 1947 sepse nuk i kishte vënë theksin e mjaftueshëm rolit të Partisë. Një version i ri i romanit u botua në vitin 1951. Me këtë botim Fadajev përforcoi rolin e Partisë Komuniste sipas standardit të doktrinës letrare sovietike. Молодая гвардия njohu 276 botime me një tirazh të përgjithshëm prej 26,143 milionë kopjesh. Edhe një film sovjetik, në dy pjesë, është realizuar nga Sergei Gerasimovi në vitin 1948, sipas romanit me të njëjtin emër të Aleksandër Fadajevit.

Në serinë e botimeve të letërsisë sovjetike kushtuar Luftës II-të Botërore bën pjesë edhe “romani-dokumentar” i Sergei Smirnovit ‘Таран над Брестом’ (‘Kalaja e Brestit’) botuar në vitin 1956 dhe dekoruar me Çmimin “Lenin” dhe me medaljen e “Yllit të Artë të Heronjve”. Romani është botuar në më se 5 milionë kopje. Në mitologjinë sovjetike të kohës, kjo fortesë u pushtua nga gjermanët vetëm pasi të gjithë mbrojtësit e saj u vranë në përpjekje për ta mbrojtur atë. Dokumentet e Shtabit gjerman, të kapur në betejat e mëvonshme, pranojnë si më poshtë: “Rusët në Brest-Litovsk luftuan me kokëfortësi dhe vendosmëri të jashtëzakonshme, ata demonstruan stërvitje të shkëlqyer të këmbësorisë dhe një vullnet të shkëlqyer për të rezistuar”. Në të vërtetë, falë epërsisë së tyre numerike dhe përparësisë, që u dha sulmi i befasishëm i 22 qershorit të vitit 1941, gjermanët e pushtuan shpejt Brestin dhe përparuan në brendësi.

Në këtë libër, Sergei Smirnovi, i cili kaloi shumë vjet në një kërkim të palodhur për informacione rreth garnizonit të pavdekshëm, tregon historinë e heronjve të Kalasë së Brestit, të cilët, megjithëse të shkëputur plotësisht nga forcat e prapavijës së tyre, qëndruan deri në fishekun e fundit, deri në frymën e tyre të fundit. Shkrimtari, duke kaluar përgjatë disa viteve, nga një pistë në një tjetër, duke takuar njërin dëshmitar pas tjetrit, ndërton në romanin e tij atë që ka ndodhur në fortesë para rënies së saj si edhe çka ndodhur më pas me të mbijetuarit e saj.

Romani nuk u shpëton të pavërtetave, por sidoqoftë, Smirnovi jep nëpërmjet tij elementë të fshehur me kujdes deri në atë kohë nga diktatura komuniste. Në fakt, disa luftëtarë të fortesës u burgosën në kampet naziste të përqendrimit, më pas ata u akuzuan si tradhtarë nga bashkë-atdhetarët e tyre dhe u përplasën në kampet sovietike. Fate të ngjashme janë përshkruar më parë edhe në ‘Один день Ивана Денисовича’ (‘Një ditë e Ivan Denisoviçit’) të Solzhenicinit, por Smirnovi bën fjalë për ushtarë si pjesë e mitologjisë zyrtare sovjetike.

Në Kongresin I-rë të Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, më 17 gusht 1934, A. Zhdanovi do të deklarojë: “Nuk ka dhe nuk ka pasur asnjë letërsi, përveç letërsisë sovjetike, që të ketë mobilizuar punëtorët dhe të shtypurit në luftën për asgjësimin përfundimtar të çdo shfrytëzimi dhe të zgjedhës së skllavërisë së pagës. Nuk ka dhe nuk ka patur kurrë letërsi që temat e prodhimtarisë së saj t’i bazojë në jetën e klasës punëtore e të fshatarësisë dhe në luftën e tyre për socializëm”. Në fjalën e tij në këtë kongres, Andrei Zhdanovi do të përcaktojë edhe subjektet që duhet të trajtojnë shkrimtarët sovjetikë dhe mënyrën se si duhen realizuar këta subjekte. Sipas tij, heronjtë e tyre do të jenë: “ndërtues aktivë të jetës së re, punëtorë dhe punëtore, kolkozianë dhe kolkoziane, punonjës të Partisë, administratorë, inxhinierë, komsomolas, pionierë”.

Për bolshevikët, uzina, fabrika, punishtet, kolkozet, sovkozet, madje edhe gulakët, janë inkubatorë të “Njeriut të Ri”, që përfaqëson një model përpikërie, i çliruar nga ndjenjat egoiste dhe gjithnjë i lidhur me detyrimin që të sakrifikohet për të tjerët, madje i gatshëm të vdesë për çështjen e përgjithshme. Kjo është hapësira e “betejës” së batalionit të shkrimtarëve dhe artistëve në përgjithësi. Një “hero i vërtetë i punës”, minatori Aleksei Stakhanov tregohet nga regjimi sovjetik si një shembull për t’u ndjekur në mënyrë që të gjithë punëtorët të mobilizohen për industrializimin e vendit. Aleksei Stakhanovi në natën e 30 -31 gushtit 1935, për gjashtë orë, nxori 102 tonë qymyr në një minierë të Donetsit, në Irmino, ose 14 herë më shumë se norma. Kështu u krijua edhe “lëvizja stakanoviste”. Si Stakhanovi për minierën, edhe industria e këpucëve krijoi “heroin” e saj, industria e automobilave, ajo e tekstilit po ashtu, etj.

Si shtojcë e kësaj propagande, që synon të hipnotizojë arsyen dhe ndërgjegjen e njeriut në veçanti dhe të popullit në tërësi, edhe letërsia sovjetike, luan rolin që i është caktuar nga diktatura dhe zëdhënësit e saj për këtë fushë. Ajo krijon “stakanovët” e saj, apo matrushkat stakanoviste, që vërshojnë në romanet e shkrimtarëve të njohur dhe më pak të njohur të kohës. Kësaj letërsie i ngarkohet detyra e trumbetimit të një “regjimi të përsosur dhe prodhues”, pasojë kjo e natyrshme e farkëtimit të materialit njerëzor apo të “njeriut të ri”, të riformimit të botës së tij, të trajtimit të tij si subjekt brenda kornizave dhe dogmave bolshevike./ Memorie.al

                                                      Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Kryehetuesi Thanas Caku më godiste me një dru në qafë, që unë të pranoja se do arratisesha dhe se kisha shkuar te uzina ushtarake e Mjeksit, për...”/ Dëshmia e rrallë e Kristo Mema nga Elbasani

Next Post

“Kulmi mërrîjti kúr në vendin e flamurit serb, ngritëm pranë atij të Francës, flamurin e Skanderbeut, qi e kishin punue murgeshat Stigmatine, me urdhën të...”/ Ditari i panjohur i Karl Gurakuqit

Artikuj të ngjashëm

“Fatkeqësisht, disa elementë shqiptarë, kanë qenë bashkëpunëtorë të denjë në shërbimet sekrete kundër-zbuluese dhe zbuluese të Jugosllavisë, pasi ata…”/ Dëshmia e rrallë e ish-oficerit të UDB-së
Dossier

“Shërbimi i Kundërzbulimit të UDB–së, kishte arritur të realizojë kontrollin e plotë mbi politikën tonë të jashtme ndaj Shqipërisë…”/ Ana e panjohur e raporteve shqiptaro-jugosllave para viteve ’90-të,

May 9, 2026
“Romani ‘Në transhetë e Stalingradit’ u botua në revistën moskovite ‘Znamja’ me titullin ‘Stalingrad’, por ai u nënshtrua një kritike të fuqishme zyrtare…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Romani ‘Në transhetë e Stalingradit’ u botua në revistën moskovite ‘Znamja’ me titullin ‘Stalingrad’, por ai u nënshtrua një kritike të fuqishme zyrtare…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 9, 2026
“Tani, si do të bëjmë me Bedri Spahiun, do ta mbajmë brenda apo do ta lirojmë? Unë e bisedova edhe me Mehmetin, edhe me Tishenkon, i cili…”/ Diskutimi i Enver Hoxhës në Byro pas Konferencës së Tiranës në ’56-ën
Dossier

“Tani, si do të bëjmë me Bedri Spahiun, do ta mbajmë brenda apo do ta lirojmë? Unë e bisedova edhe me Mehmetin, edhe me Tishenkon, i cili…”/ Diskutimi i Enver Hoxhës në Byro pas Konferencës së Tiranës në ’56-ën

May 9, 2026
“Patronët e Realizmit Socialist, i kanë ngritur njëlloj kulti Dostojevskit dhe Biblioteka ‘Lenin’ e Moskës, Biblioteka e Leningradit, organizuan…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Patronët e Realizmit Socialist, i kanë ngritur njëlloj kulti Dostojevskit dhe Biblioteka ‘Lenin’ e Moskës, Biblioteka e Leningradit, organizuan…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 10, 2026
“U angazhua Komiteti i Partisë në Vlorë që ansambli çam të shkonte në Festivalin e Gjirokastrës, por grekët kishin filmuar një koncert në ‘Sheshin e Flamurit’ dhe…”/ Dëshmia e rrallë e ish-udhëheqësit artistik
Dossier

“U angazhua Komiteti i Partisë në Vlorë që ansambli çam të shkonte në Festivalin e Gjirokastrës, por grekët kishin filmuar një koncert në ‘Sheshin e Flamurit’ dhe…”/ Dëshmia e rrallë e ish-udhëheqësit artistik

May 8, 2026
“Letërsia ruse e para Revolucionit të Tetorit, tipizohet nga nacionalizmi dhe shovinizmi rusomadh, pasi autorët rusë si Gogol, Tolstoi dhe Dostojevski…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Letërsia ruse e para Revolucionit të Tetorit, tipizohet nga nacionalizmi dhe shovinizmi rusomadh, pasi autorët rusë si Gogol, Tolstoi dhe Dostojevski…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 9, 2026
Next Post
“Kulmi mërrîjti kúr në vendin e flamurit serb, ngritëm pranë atij të Francës, flamurin e Skanderbeut, qi e kishin punue murgeshat Stigmatine, me urdhën të…”/ Ditari i panjohur i Karl Gurakuqit

“Kulmi mërrîjti kúr në vendin e flamurit serb, ngritëm pranë atij të Francës, flamurin e Skanderbeut, qi e kishin punue murgeshat Stigmatine, me urdhën të...”/ Ditari i panjohur i Karl Gurakuqit

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme