Pjesa e parë
Memorie.al / Si djali i një familjeje që ishte angazhuar me forcat e Ballit Kombëtar, por kishte edhe pasuri dhe prona, ai mbante emërtesën e armikut dhe kulakut, ndaj erdhi koha kur do t’i sajonin një akuzë dhe do ta dënonin me 10 vite burg. Kristo Mema rrëfen torturat e hetuesisë, të kampit të Elbasanit dhe Spaçit, ku njeriu ngrinte dhe shkrinte prapë, dhe përsëri jetonte, duke sfiduar edhe shkencën, etj..
Z. Mema, kur keni lindur ju dhe cila është historia e familjes tuaj?
Unë kam lindur në 10 tetor të vitit 1935, në fshatin Shtërmen të Elbasanit. Rrjedh nga një familje e pasur e cila u përplas me komunizmin, qysh në vitin ’43. Në gushtin e ’43-shit, vëllanë e babait e pushkatojnë partizanët dhe prej asaj kohe u bë shkëputja. Më parë, ishin të përbashkët në luftë, kundër pushtuesve.
Në vitin ’44, ne u rreshtuam me forcat e Ballit Kombëtar të Mid’hat Frashërit. I nipi i babait, Jorgji, u emërua si sekretar i përgjithshëm i qarkut të Elbasanit, për Ballin Kombëtar dhe të tjerët me detyra, për të mbrojtur dinjitetin e popullit ose të fisit tonë. Në vitin ’44, u shpërngulëm dhe vajtëm në Tiranë, sepse Jorgji kërkohej nga komunistët, edhe ne si familje.
Të kthehemi pak prapa. Në ’43-shin, digjen dy shtëpi nga partizanët: shtëpia e Stefanit dhe shtëpia e Trifonit, të dy vëllezërve të babait dhe në ’44-ën djegin shtëpinë e tretë, po të vëllait të babait, të Mihal Memës. Kështu që ne u shpërngulëm. Në nëntor të 1944-ës, vritet Jorgji në Tiranë, nga partizanët. Atëherë, u dorëzuan prindërit tanë, nëpërmjet miqësisë.
Tre xhaxhallarët u dorëzuan, dy nipërit ikën, një vëllai i madh, Trifoni, u kap në Kukës dhe me tortura e zhdukën. Pra, u bënë tre: në ’43-shin, vëllai i babait, në nëntor ’44, Jorgji dhe në dhjetor po të ’44-ës, zhduket nga torturat i ati i Jorgjit, vëllai tjetër i babait…! Lufta kishte filluar nga ’43-shi, por ishte luftë politike, tani nga ’45-a, filloi dhe lufta ekonomike.
Në ’46-ën bëhet Reforma Agrare dhe konfiskohet gjithë pasuria, tokat, pyjet që kishim ne, prona private të luajtshme dhe të paluajtshme. Me reformën që nxori Partia Komuniste, ne përfituam, gjithsej 40 dynymë, nga 50 e ca ha që kishim si trung, ose 300 e ca ha. si vëllezër. Unë, në ’45-ën, isha dhjetë vjeç. Vazhdonin punonim në bujqësi dhe filluan detyrimet. Nga këto 4 hektarë që na dhanë, do paguaje për hektar, 75 kg mish, 1250 kokrra vezë, 8 kg. lesh.
Pra, në qoftë se ti nuk i paguaje këto, atëherë…! Megjithatë u detyruam t’i paguanim, sepse vinte taksidari dhe i vinte dyllin e kuq shtëpisë. Vazhdoi kështu deri në ’50-ën. Atëherë, u deklaruam komplet. Plus si armiq të popullit, por edhe si kulak. Domethënë lufta ekonomike, se kulakllëku ishte zhveshja e pasurisë. Nga ’50-a, në ’54-ën, ne na kërkonin tri herë detyrime në vit.
Në qoftë se nuk do t’i shlyeje këto, atëherë vinte dyfishi. 5 bagëti që kishim në atë kohë, i shfarosën, arritën të merrnin qilimat e shtëpisë, sixhadetë, pajisjet e shtëpisë, të fjetjes, deri te kazanët e rakisë, deri te pjatat dhe filxhanët…ishin filxhanë Stambolli, të cilësisë së lartë, edhe tabakatë…Deri aty arritën.
Çfarë ndodhi në ’54-ën?
Në 20 dhjetor të ’54-ës, u formua kooperativa e fshatit tonë, një grup, se nuk kishin hyrë të gjithë. Atëherë, u mblodh Partia dhe vendosi që shtëpitë tona të merreshin për zyra të kooperativës dhe ashtu ndodhi! Vjen policia me kryetarin dhe sekretarin e Këshillit. Na nxorën. Meqenëse, ishte marrë vendimi, tani duhej liruar. I nxorën plaçkat, i hodhën në oborr. Ne kishim dy palë shtëpi, dykatëshe me 4 dhoma, dy lart, dy poshtë dhe poshtë, shtëpinë e zjarrit, për gatesë, për bukë.
Katër e katër, tetë dhoma dhe dolëm në rrugë. Unë kundërshtova dhe sekretari i Këshillit, Calja, se ishte shumë dinak, që mos të mbetej në detyrimin e tij, ikën me gjithë Izeir Cërrikun, të plotfuqishmin dhe çon kryetarin e Këshillit, po të Stërmenit, ai ishte dhe pushkatar, me një pushkë të gjatë. Edhe vjen, thotë:
“Kemi për të shkuar pak, në Degë, në Cërrik”. “Përse?-i thashë unë. – Unë kam plaçkat përjashta”. “Ke për të thënë nja dy-tri gjëra atje”. Më mori, më vuri përpara. Nga Shtërmeni, nja dhjetë minuta që bën Cërriku. Aty ishte Faik Elezi. Përnjëherë më kapi prej fyti. Tha: “Ky është ai bandilli që do të prishë kooperativën? Se nuk pranon ky, rrjedh nga familje krimineli, që ka shfrytëzuar gjithë këtë zonë, familja e tij”.
I thashë unë: “Nuk di gjë çfarë kanë bërë prindërit, por megjithatë më vjen keq që po më godit, sepse unë nuk kam bërë ndonjë gjë”. “Të rregulloj unë, ty”- më tha. Më morën, më futën në birucë. Erdhi një polic, më thirri. Në hetuesi tani, te Faiku. “Çfarë mendon ti, – tha, – se nuk do ta ndërtojmë kooperativën”? “Po jo mor’ zotëri, – thashë, – unë nuk kam bërë fjalë që mos të ndërtohet kooperativa. Unë kam bërë fjalë se ju më keni nxjerrë plaçkat, m’i keni hedhur në oborr. Ku do të fle unë”?!
Tha: “Ashtu si prindërit tuaj, që kanë nxjerrë këtë zonë, kështu do rrish dhe ti, ku të duash, rrugëve…”! “Kështu qenka puna?,-i thashë unë?! Unë e di se pushteti popullor ka drejtësi”. Më këputi një syve. “Lëri mo’ këto, mua do m’i shesësh”? Më çoi në birucë. Në mëngjes, dy policë, Izeir Cërriku, i plotfuqishmi me Ramazan Duzhën, po polic dhe ky, më japin një sopat të madhe, edhe ishte turra me dru për policinë edhe më vunë mua të çaja dru.
Ata rrinin, pastaj morën dhe karrige, u ulën, unë çaja dru deri në darkë kur u err. Unë çaja dru, por mendoja; “ku do jenë plaçkat”? Kur u err, më kthejnë, më thonë që nipi ynë i ka marrë plaçkat, i ka çuar në shtëpinë e vet. Ky ishte nipi që i ishte djegur shtëpia dhe i kishte marrë plaçkat dhe i kishte vendosur te shtëpia e djegur.
Ishin vendosur ca trarë, ca ristela dhe aty vumë dhe rrogoza. Unë shkova atje, çfarë të shikoje, ku do rrije? Ku do flije? Për çudi, mua më kishte ardhur dhe letra për ushtar. Më 10 shkurt më marrin më çojnë në repart pune, te Rrapi i Treshit, që është afër ish-Kinostudios. Ne e kemi ndërtuar Kinostudion. Merrnim gur nga gurorja. Norma ishte 12 metër kub figurim: transport, figurim.
Në qoftë se nuk do ta bëje këtë normë, do punoje gjithë natën. Mbarova ushtrinë dhe u ktheva, mirëpo vëllain dhe babain, i kishin përzënë, i kishin marrë dhe kopshtin e duhanit, sepse i kishin thënë që këtu dëgjoheshin fjalët e mbledhjes së partisë. Ne ishim dhe “kulakë” dhe “armiq të popullit”, prandaj na duhej hequr toka dhe i çuan në një kodër që nuk prodhonte. U detyruam u larguam pasi u ktheva dhe unë nga ushtria. Bëhet fjalë për ’56-ën.
Ku shkuat pasi u larguat nga fshati?
Shkuam në Elbasan. Nuk kishim ku të shkonim. Na mori një nuni ynë, Venemi Mëhilli, quhej. Ai kishte një mulli si pronë. Na ndau një pjesë, atje ku rrinin kafshët, ku mblidhej drithi. Mirëpo Sigurimi i Shtetit, policia, vinin t’i mbyllte mullirin. Thoshin: “O do t’i largosh kriminelët, ose ne do ta mbyllim”. Ia mbyllën. Megjithatë ai, për hatër shumë të miqësisë, na mbajti. Por ne thamë, që sa të pësojë dhe ky, po ikim. U interesuam, gjetëm dy dhoma te e shoqja e Xhevit Beut.
E bëmë pazarin: 40 mijë lekë. Hymë ne, i dhamë paratë, por nuk kishim bërë tapitë, ajo vjen e thotë që; “mua po më vjen presion policia, prandaj duhet të largoheni, urdhëro paratë”! Ikëm. Pastaj, gjetëm një shtëpi tjetër, por sa hyjmë në shtëpi tjetër, erdhi viti 1963. Kur gjetëm shtëpinë, mua më arrestojnë, në gushtin e ’63-shit. Më arrestojnë edhe më formulojnë akuzën; gjoja se unë do arratisesha.
Si ishte momenti i arrestimit?
Kur unë po shkoja në shtëpi, pasi mora rrogën në datën 20, se kështu paguante NISH “Tulla”. Fadil Ibërshimi ishte pagator. Do vija për pushimin e drekës, se banoja në Kala. Ishin nja 7 mijë lekë. Mora paratë dhe ika. Kur po hyja te porta e kalasë, në krahun e majtë ka qenë ish-Elektriku. Aty më dolën, më fusin thesin në kokë…! “Çfarë kam bërë”?
Unë, meqenëse mora rrogën, mora një paketë cigare “Diamant” me kuti. Kisha dhe një orë…ruse, e kishim marrë prej kohësh. Më çuan në Degën e Brendshme, më kontrolluan, më gjetën paratë, rrogën që mora, orën, ishte dhe një stilograf, edhe atë, sendet personale. Bën dokumentin, proces-verbalin, i firmosa, më thërresin në hetuesi. Ishte Thanas Caku, hetues.
Më tha: “Mjaft ke livadhisur ti”! “Po çfarë kam livadhisur” – ia ktheva? “Nuk ke lënë lokal pa bërë propagandë kundër sistemit tonë”, tha ai. “Gabohesh shoku Thanas, – i thashë, unë – shtëpi dhe punë”. Unë as në bulevard nuk dilja, sepse ne i njihnim këto probleme. “Ti po të duash beso, po të duash mos beso, ne jemi si familje që kemi hyrë e kemi dalë nëpër burgje, prandaj ne…nuk flasim”, i thashë unë. “Ti ke thënë që në Shqipëri nuk ka jetë të mirë, prandaj duhet të largohet gjithë forca e re, jashtë shtetit”.
I thashë: “Kur unë nuk largohem vetë? Kur ne, edhe në ’44-ën, ti e di mirë, që kishim mundësi për të ikur, nuk ikëm, nuk do ikim sot, kur e dimë mirë se çfarë na pret! Pra, shoku Thanas, ti je krye-hetuesi, por unë i di mirë këto punë, se çon Adem Demirin, që na kontrollon kur ne jemi punë. Dhe ne nuk hamë bar, hamë bukë, i kuptojmë kurthet ose ndjekjet që bëni ju. Pra, i kemi të njohura këto punë. Jo të vija unë nëpër klube. Jo se nuk më del, se ne marrim më tepër se të tjerët, por këto janë rrethanat”.
Ngulte këmbë; më lidhte; më ulte në trekëmbësh, më lidhte te këmbët, te duart edhe kishte një kopan druri, edhe më godiste me atë në qafë. “Trego”- më thoshte ai “Çfarë të tregoj? As kam pasur ndër mend. As kam biseduar me njëri, fare”, i thosha unë. “Ti ke shkuar në uzinën ushtarake në Mjekës, për të marrë informacione, që dhe kur të ikje, t’i kishe informacionet e gatshme që ja çfarë po bën sistemi komunist”, më akuzonte ai. Më ballafaquan me dëshmitarë. Kam pasur 11 dëshmitarë. Unë nuk pranova akuzën e këtyre personave, sepse ishte një akuzë e ndërtuar, kot.
I njihnit dëshmitarët?
Po, kishte të njohur dhe të panjohur. Ishin 11 veta. Unë, një pjesë, as i njihja fare. “Po si ka mundësi, – thosha unë, – që unë paskam biseduar me këta njerëz, për t’u arratisur? Atëherë, këta i bie të jenë bashkëpunëtorë. Duhet të dënohen”. Në momentin që unë kundërshtoja dhe nuk kishin përgjigje, ishte dajaku, mungesa e arsyes pastaj.
Më mori Shim Kolli, kryetari i Degës, në hetuesi, në prezencën e…siç tha ai, se ku e njihja unë, në zyrën e tij, atje lart: “Ky është komandanti i grupit të ekzekutimit”. Ishte një oficer i zi. “Edhe ty, kjo do të presë”,- më kërcënoi ai. “Ne jemi mësuar me këto, zoti kryetar, -i thashë, – se nuk jemi të sotshëm, jemi të ’43-shit. Sot, është viti ’63. Është kot ky presion, megjithëse nëse ke ndër mend, urdhëro”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













