Nga Bashkim Trenova
Pjesa e pestë
NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET
PARATHËNIE
Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.
Përpos hartës së Paul Heinrich Kuntzes dhe si jehonë e saj, letërsia gjermane e kohës trajton gjithashtu, në mënyrë tendencioze, fatin e gjermanëve jashtë kufijve shtetërorë, duke kërkuar njëkohësisht bashkimin e tyre me Gjermaninë ose duke synuar t’i instrumentalizojë ata, t’i përdorë si mish për top në aventurat hitleriane të sundimit botëror, si pretekst për të përligjur agresionet ndaj vendeve sovrane, duke i veshur këto agresione me një vello të rreme nacionalçlirimtare. Georg Löbsacku, p.sh., boton në vitin 1936 romanin autobiografik ‘Einsam kämpft das Wolgaland’ (‘Lufta vetmitare e gjermanëve të Vollgës’).
Ai shkruan si mbrojtës i minoritetit gjerman prej 400 mijë vetash, i përqendruar në rajonet e Pokrovskit të jugut që nga koha e Katerinës II-të (1763). Romani tregon jetën e gjermanëve të uritur të Vollgës, të persekutuar nga diktatura bolshevike e Stalinit. Në faqen 369 të romanit lexojmë: “Atje ku kanë shkelur bolshevikët, një kontinent i tërë është rrokullisur në thellësitë e gjithësisë. Ata kishin pretenduar ta bëjnë këtë kontinent një parajsë dhe e shndërruan në ferr të mjerimit Popujt e Rusisë thërrasin të frikësuar dhe nga kolonia e Vollgës arrijnë gjithnjë e më shpesh raportet mbi zhvendosjen e popullsisë”. Në këta rrethana, sipas autorit, gjermanët e Vollgës presin me padurim ditën kur Hitleri do të arrijë në rajonin e tyre dhe do t’i çlirojë.
Friedrich Jakschi, autor romanesh, tregimesh, poemash, pjesësh për teatër, shkruan për një tjetër minoritet gjerman, atë të Sudeteve në Çeki. Ai ka botuar: Das Christkindl-Spiel des Böhmerwaldes (Loja e Krishtlindjeve në pyllin e Bohemisë) 1929, Sonne über Böhmen (Dielli mbi Bohemi) 1934, Alle Wasser Böhmens fließen nach Deutschland, (I gjithë uji i Bohemisë rrjedh drejt Gjermanisë) 1937, Söhne am anderen Ufer (Djali ynë nga bregu tjetër) 1940. Botimi i fundit pati sukses të veçantë. Ai përshkruan grindjet midis çekëve dhe minoritetit gjerman të Bohemisë në një këndvështrim nacionalist gjerman. Në vitin 1943 libri u botua me një tirazh prej 260 mijë kopjesh.
Autori vendos në gojën e personazhit kryesor, Hans Kargut, në faqen 281, fjalët: “Pikërisht atëherë në Gjermani Adolf Hitleri mori pushtetin. Një gjerman i kufirit pra, një gjerman i frontit, një gjerman i betejës. Quaje këtë si të duash. Një gjerman, që njeh vuajtjet e popullit të tij. Atëherë kur plaku Hindenburg i dha pushtetin Hitlerit; kambanat në Potsdam nuk ishin të vetmet që ushtonin në veshët e tij. Ai dëgjoi një britmë, një britmë, që i vinte nga Sarra, nga Bohemia, nga Polonia dhe nga kjo e pafata Austri, atdheu i tij”. Kështu për autorin, që shprehet nëpërmjet personazhit kryesor të romanit, Hitleri është i zgjedhur i Zotit për të bashkuar gjermanët, kudo që ndodhen, për t’u dhënë fund vuajtjeve të tyre në gjirin e një perandorie të madhe gjermanike.
Erhard Witteku është një tjetër shkrimtar, që ia kushton veprat e tij pakicës gjermane në vendet fqinje. Në Gjermani librat e tij arritën gjatë viteve ’30-të një tirazh prej 790 mijë kopjesh. Ai ka botuar romane, të frymëzuara nga përvoja e tij gjatë Luftës I-rë Botërore dhe nga ideologjia nacional-socialiste. Midis tyre është edhe Ein Becher Wasser, und andere Begebenheiten aus Polen (Një kupë ujë dhe incidente të tjera të Polonisë) botuar në vitin 1940. Witteku shkruan për masakrat e kryera nga polakët ndaj gjermanëve të Polonisë duke “harruar” masakrat e kryera më 3 shtator 1939 nga trupat hitleriane. Për tu bërë sa më bindës, më provokues, për t’u treguar sa më realist, libri është ndërtuar në formën e dëshmive.
Në faqen 18, p.sh., autori vendos këtë ligjërim në gojën e Wanda Schopsës : “Isha vetëm në shtëpi me burrin tim, kur ushtarët polonezë u afruan drejt nesh. Unë e braktisa shtëpinë për t’u fshehur në fusha. Papritmas ushtarët hapën zjarr. Pashë burrin të largohej nga shtëpia dhe të dilte në oborr. Dëgjova një të shtënë me armë dhe pashë burrin të shtrirë për tokë. Kur u afrova pranë tij, ai ishte tashmë pa jetë…!
Në pyllin e Rzewit është zbuluar më 7 dhjetor 1939 trupi pa jetë i shokut tonë të racës, Ferdinant Draberit, 34 vjeç,..! Draberi ishte rrahur dhunshëm dhe mbërthyer me gozhda nga këmbët në një pishë”. Botime të ngjashme, duke përdorur si mënyrë komunikimi dëshmitë, kanë përshkruar shtypjen e pakicës gjermane nga autoritetet polake edhe në rajone si Dantzig (Gdansk i sotëm), etj. Letërsia naziste mundohej, në këtë mënyrë, të përligjte agresionin hitlerian mbi Poloninë.
Autorë nacional-socialistë apo me frymëzime nacional-socialiste, kanë shkruar edhe për pakicën gjermane në Hungari dhe aspiratat e saj për t’iu bashkuar Rajhut në betejat për një “rend të ri europian”. Nuk kanë munguar botimet edhe për pakicat të tjera, jogjermanë, në vende të tilla si Franca apo Britania e Madhe. Reinhold Ziekeli boton, p.sh., në vitin 1940 romanin prej 675 faqesh të titulluar Der Strom (Rryma). Ngjarjet vendosen në Irlandë. Romani merr përsipër të trajtojë superioritetin teknologjik gjerman ndaj atij britanik dhe jo vetëm kaq. Autori hedh idenë sipas së cilës minoritetet e shtypura, në këtë rast irlandezët, kanë interes të bashkëpunojnë me Rajhun kundër anglezëve. Është e njëjta ide, që është hedhur edhe për lëvizjet bretone dhe korsikane për pavarësi nga Franca. Vështrimi i autorëve nacional-socialistë hidhet, madje, edhe jashtë kontinentit tonë, në rajone dhe hapësira ku shtrihen edhe interesat koloniale e hegjemoniste të Rajhut.
Në “lulëzim” të plotë është gjatë këtyre viteve edhe ajo që njihet si letërsia koloniale e Rajhut. Shkrimtarja Senta Dinglreiteri, autore e shumë teksteve, që i përkasin letërsisë koloniale gjermane, e njohur edhe si një raciste e bindur dhe si ultra-nacionaliste, boton në Laipcig romanin Wann kommen die Deutschen endlich wieder? (Kur do të vijnë gjermanët më në fund?). Sipas autores së romanit, banorët e Togos, ish-koloni gjermane, që pas Luftës I-rë Botërore u nda midis Francës dhe Anglisë, janë nostalgjikë ndaj rolit qytetërues të Gjermanisë në këtë hapësirë afrikane dhe presin me padurim që ajo të rikthehet.
Në këtë roman, që serviret si autobiografik, Senta Dinglreiteri i vendos ngjarjet në kryeqytetin togoloez, Lome. Në faqen 56 të romanit ajo shkruan: “Papritmas, unë kuptova domethënien e egërsisë së dallgëve dhe kjo më shkaktoi një goditje të dhimbshme: tokë gjermane e humbur! Por jo vetëm ulërima e valëve. Ngjyrat flakëruese të flamurit blu-bardhë-kuq të ngritur në majë të çatisë së asaj, që dikur kishte qenë selia e qeverisë gjermane, ma bënin këtë humbje edhe më të dhimbshme, të ngjashme me atë të hekurit të skuqur, që mund të ishte ngjeshur në lëkurën time. Mbërrita në Lome me një humor të keq.
Në ballinën e ish-hotelit “Kaiserhof”, në një tabelë shkruhej “Hotel de France”. Aty kalova natën…! Në banakun gjerman më priste Pieri, zezaku që do më shërbente si udhërrëfyes në Lome. Ai më çoi në varrezat, ku gjenden eshtrat e ish-qeveritarëve lokalë gjermanë, të cilët kishin paguar me jetën e tyre tridhjetë vjet detyrë qytetëruese. Një i moshuar u afrua pranë meje me një hap të lodhur. Duke mësuar se unë isha gjermane, ai mori dorën time…dhe më tregoi se gjatë katërmbëdhjetë vjetëve kishte shërbyer në policinë gjermane: “Për të qenë pranë ish-zotit tim, u bëra varrmihës”. Pastaj i shpëtoi një psherëtimë: “Kur do të vinë, më në fund, gjermanët”?
Një tjetër shkrimtar; Oto Pentzeli, autor i Der Strom Kulola (Përroi Kulola), Heimat Ostafrika (Atdhe Afrikë Lindore), trajton ndeshjen e interesave të fuqive të kohës në kolonitë afrikane portugeze dhe angleze. Ai i thur himne trimërisë dhe Fuhrertum (Udhëheqjes) gjermanike. Në librat e tij ky autor kërkon të tregojë misionin qytetërues të kolonizatorëve ndaj vendasve, të cilët përshkruhen si individë primitivë, të dehur dhe grindavecë, si skllevër të natyrshëm.
Një tjetër autor, Joachim Barckhauseni, boton në vitin 1941 romanin voluminoz Ohm Krüger: Roman eines Kämpfers (Xhaxha Krüger: Romani i një luftëtari) që merr përsipër të pasqyrojë dhe të dënojë praktikat antinjerëzore të kolonializmit britanik gjatë luftës së dytë të Transvalit (1899-1902), gjenocidin ndaj Boerëve vendas, teknikat barbare që janë ushtruar për këtë qëllim në kampet e përqendrimit apo asgjësimin masiv, djegiet e fermave, vrasjet e bagëtive, shkatërrimin e të mbjellave dhe të rezervave ushqimore, etj.
Në fakt janë të njëjtat praktika çnjerëzore, që nazistët ushtronin gjatë Luftës II Botërore ndaj “boerëve” europianë, popujve të vendeve të pushtuara prej tyre. Ky realitet nuk e pengon Joachim Barckhausenin të shkruaj dhe botojë romanin e tij të sipërpërmendur. Në të vërtetë nuk mund të kërkohet moral në një letërsi të pamoralshme, bashkë-autore dhe bashkëfajtore në krim, siç është ajo e autorëve nacional-socialistë. Joachim Barckhauseni njihet edhe për botimin e disa librave të tjerë si ai mbi Çingis Hannin, të titulluar Das gelbe Weltreich: Lebensgeschichte einer Macht (Perandoria e verdhë:
Historia e një fuqie), Männer und Mächte am Bosporus: Abdul Hamid und seine Zeit (Njerëz dhe pushtete në Bosfor : Abdyl Hamiti dhe epoka e tij), Panik in Arranca (Panik në Arranca) dhe, si bashkautor me Hans Springerin, Männer gegen Stein und Stahl. 5000 Jahre Kampf um Festungen (Njerëzit kundër gurit dhe çelikut. Festungen (5000 vjet beteja për fortesat). Megjithëkëtë, libri i tij biografik, Ohm Krüger, është më i njohuri. Ky libër është përkthyer disa herë dhe është përshtatur si realizim kinematografik për t’u përdorur nga hitlerianët si propagandë anti-britanike.
Në rreshtin e letërsisë koloniale gjermane të kohës bën pjesë edhe Verlorene Heimat (Atdhe i humbur) i Wilhelm Mattenklodtit. Autori përshkruan humbjen e trupave të perandorit gjerman Vilhelm II në Afrikën Juglindore, Namibinë e sotme, ish-koloni gjermane. Edhe me këtë rast në shënjestër janë britanikët, që mbështetën Afrikën e Jugut kundër trupave gjermane. Verlorene Heimat është shkruar si përgjigje ndaj Librit të Bardhë anglez, botuar në vitin 1918 dhe, që denonconte gjenocidin dhe shtypjen e viteve 1903-1909 të Herosve dhe Namasve nga gjenerali gjerman Adrian Dietrich Lothar von Trotha, komandant i forcave koloniale në Afrikën lindore gjermane dhe, më pas, në Juglindjen afrikane.
Letërsia koloniale është përçuese e ekspansionizmit hitlerian, e pushtimit, e shtrirjes së Gjermanisë naziste në hapësira të përligjura si “jetike”, kudo, në Europë apo në Afrikë, në ish-kolonitë gjermane dhe më tej. Në këtë kolonë botimesh mund të përfshihet edhe shkrimtari Hans Emil Wilhelm Grimmi, i njohur për punimet e tij kushtuar shprehjeve popullore pangjermaniste, në mbështetje të nacionalizmit dhe të politikës hitleriane.
Romani i tij Volk ohne Raum (Nje popull pa hapësirë) botuar në vitin 1926, para ardhjes së nazizmit në pushtet, pati mjaft jehonë në publikun dhe elitat politike gjermane të viteve ’30-të të shekullit XX-të. Sikurse e tregon edhe titulli, autori vendos theksin në nevojën e Gjermanisë për hapësirën, që i mungon. Ai shfaqet kështu si një nga nismëtarët frymëzues, që kërkojnë “hapësirë jetike” (Lebensraum) si domosdoshmëri për vetë ekzistencën e popullit gjerman. Libri, vetëm në botimin e tij të parë, në vitin 1943, u shit në 500 mijë kopje.
Përgjithësisht mund të thuhet se letërsia nacional-socialiste gjermane dallohet jo për vlerat e saj etike dhe estetike, por për zellin dhe frymëzimin e saj të plotë politik. Sipas Hans Wilhelm Hagenit, i njohur si historian arti dhe funksionar për kulturën në Partinë Nacional-socialiste gjermane, roli i letërsisë nuk është “të mbrojë ndonjë lloj estetike apo një tezë filozofike, por të përhapë mendimin, shpirtin, moralin, që udhëhoqën drejt sakrificës rininë e Langemarckut, regjimentet e Verdunit, viktimat e puçit të nëntorit 1923”.
Njëlloj si shkolla, letërsia duhet të shërbejë për formimin e një kombi luftarak, për mobilizimin absolut të shoqërisë për të vënë në jetë planet apo orekset imperialiste dhe ekspansioniste hitleriane. Sidoqoftë, mendimi i përgjithshëm është se letërsia hitleriane apo prohitleriane e Rajhut III-të, duke patur një karakter propagandistik, duke e shndërruar artin në propagandë, duke i thurur himne “madhështisë” së luftës dhe fshatarësisë, volkut apo popullit “arian”, për t’i përgatitur kështu për luftë botërore, duke qenë edhe e një mediokriteti shembullor, nuk paraqet interes historik estetik. Studimi i saj dhe, në përgjithësi, i artit nacionalsocialist, shërben vetëm për të treguar si realizim kinematografik për t’u përdorur nga hitlerianët si propagandë anti-britanike.
Në rreshtin e letërsisë koloniale gjermane të kohës bën pjesë edhe Verlorene Heimat (Atdhe i humbur) i Wilhelm Mattenklodtit. Autori përshkruan humbjen e trupave të perandorit gjerman Vilhelm II në Afrikën Juglindore, Namibinë e sotme, ish-koloni gjermane. Edhe me këtë rast në shënjestër janë britanikët, që mbështetën Afrikën e Jugut kundër trupave gjermane. Njëlloj si shkolla, letërsia duhet të shërbejë për formimin e një kombi luftarak, për mobilizimin absolut të shoqërisë për të vënë në jetë planet apo orekset imperialiste dhe ekspansioniste hitleriane.
Sidoqoftë, mendimi i përgjithshëm është se letërsia hitleriane apo pro-hitleriane e Rajhut III-të, duke patur një karakter propagandistik, duke e shndërruar artin në propagandë, duke i thurur himne “madhështisë” së luftës dhe fshatarësisë, volkut apo popullit “arian”, për t’i përgatitur kështu për luftë botërore, duke qenë edhe e një mediokriteti shembullor, nuk paraqet interes historik estetik. Studimi i saj dhe, në përgjithësi, i artit nacional-socialist, shërben vetëm për të treguar se si nuk duhet bërë letërsia, arti, për të treguar një “model” primitiv, grotesk, shkatërrues, që nuk duhet ndjekur.
Zyrtarisht, letërsia sovjetike u vetë-shpall si trashëgimtare e kritikës së demokratëve rusë të viteve 1840-1860 dhe e shkrimtarëve të mirënjohur të Rusisë cariste të shekullit XIX-të Bolshevikët pranuan, gjithashtu, artin dhe letërsinë antike greko-romake, artin dhe letërsinë e epokës së Rilindjes, mendimin filozofik, letrar, intelektual anti-obskurantist dhe antiklerikal të gjysmës së dytë të shekullit XVII-të dhe të shekullit XVIII-të. E gjithë kjo trashëgimi, që nuk ka asgjë të përbashkët me letërsinë e autorëve sovjetikë, u trajtua, sigurisht, në shërbim të synimeve të pushtetarëve bolshevikë si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm.
Letërsia ruse e para Revolucionit të Tetorit tipizohet nga nacionalizmi dhe shovinizmi rusomadh. Autorët rusë të kësaj periudhe shkruajnë për “Rusinë e Shenjtë”, për “Rusinë e Madhe”, për “Shpirtin Rus”. Nikolai Gogol, Leon Tolstoi dhe Fiodor Dostojevski, midis të tjerëve, i kushtojnë një vend të rëndësishëm, në veprat e tyre, “Shpirtit Rus”. Idetë e Dostojevskit mbi “Shpirtin Rus” lidhen ngushtë me kristianizmin ortodoks lindor, me Krishtin dhe idealin e tij: vuajtjen për të tjerët, vdekjen për të tjerët, thjeshtësinë. Të njëjtat ide, të zhveshura nga petku i vjetër fetar dhe të veshura me petkun e ri revolucionar, gjenden edhe në veprat e Realizmit Socialist. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














