• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, May 10, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Romani ‘Në transhetë e Stalingradit’ u botua në revistën moskovite ‘Znamja’ me titullin ‘Stalingrad’, por ai u nënshtrua një kritike të fuqishme zyrtare…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

“Romani ‘Në transhetë e Stalingradit’ u botua në revistën moskovite ‘Znamja’ me titullin ‘Stalingrad’, por ai u nënshtrua një kritike të fuqishme zyrtare…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Në letërsinë gjermane naziste, Hitleri portretizohet si Mesia i ri, si shpëtimtar, si Krishti i shekullit tonë, të cilit të gjithë duhet t’i binden verbërisht…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Romani ‘Në transhetë e Stalingradit’ u botua në revistën moskovite ‘Znamja’ me titullin ‘Stalingrad’, por ai u nënshtrua një kritike të fuqishme zyrtare…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Letërsia ruse e para Revolucionit të Tetorit, tipizohet nga nacionalizmi dhe shovinizmi rusomadh, pasi autorët rusë si Gogol, Tolstoi dhe Dostojevski…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Romani ‘Në transhetë e Stalingradit’ u botua në revistën moskovite ‘Znamja’ me titullin ‘Stalingrad’, por ai u nënshtrua një kritike të fuqishme zyrtare…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Romani ‘Në transhetë e Stalingradit’ u botua në revistën moskovite ‘Znamja’ me titullin ‘Stalingrad’, por ai u nënshtrua një kritike të fuqishme zyrtare…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Nga Bashkim Trenova

Pjesa e shtatë

                                   NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET

PARATHËNIE

Gjithashtu mund të lexoni

“Shërbimi i Kundërzbulimit të UDB–së, kishte arritur të realizojë kontrollin e plotë mbi politikën tonë të jashtme ndaj Shqipërisë…”/ Ana e panjohur e raporteve shqiptaro-jugosllave para viteve ’90-të,

“Tani, si do të bëjmë me Bedri Spahiun, do ta mbajmë brenda apo do ta lirojmë? Unë e bisedova edhe me Mehmetin, edhe me Tishenkon, i cili…”/ Diskutimi i Enver Hoxhës në Byro pas Konferencës së Tiranës në ’56-ën

Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.    

                                                         Vijon nga numri kaluar

Mund të thuhet se nga viti 1917 deri në vitin 1932, në Rusinë bolshevike u vendos në jetë një sistem, që e shndërron letërsinë në një institucion shtetëror, në një instrument të bindur të diktaturës bolshevike. Udhëheqësi bolshevik, V. I. Lenini, jep udhëzime për botimin në shtyp edhe të ndonjë artikulli, shënimi apo fejtoni, për njërin apo tjetrin personalitet të letërsisë ruse. Është ai që, më 6 maj 1921, kërkon të kontrollojë edhe komisionin e shkencëtarëve “që punojnë për fjalorin e shkurtër të gjuhës së sotme ruse (që nga Pushkini, deri tek Gorki)…! Informohuni dhe më shkruani me saktësi. Përshëndetje komuniste – Lenin”. Është sërish Vladimir Iliç Lenini ai që vendos edhe se ç’duhet të botohet nga shtëpitë botuese, si të botohet, në cilin format, në sa kopje. Ai nuk ngurron të urdhërojë edhe burgimin e atyre që nuk veprojnë sipas kërkesave të tij.

Më 24.X.1919, ai i shkruan V. V. Vorovskit – Shtëpisë Botuese të Shtetit: “Pasi lexova broshurën “Internacionalja III-të e 6-7 marsit 1919, bot. i Shtëpisë Botuese të Shtetit, Moskë, 1919 (çmimi 9 rub.) faqe 99, ju heq një vërejtje të rëndë për këtë botim dhe kërkoj që të gjithë anëtarët e kolegjiumit të Shtëpisë Botuese të Shtetit ta lexojnë këtë letër dhe të marrin masa serioze për të siguruar që të mos përsëritet një gjë e tillë kaq e shëmtuar. Broshura është botuar shumë keq. Është një mynxyrë e tërë…! Kërkoj të ndreqen këto të meta…!

(Fajtorët të futen në burg dhe të detyrohen t’i ngjitin pjesët e nevojshme në të gjitha kopjet e shtypura). Të më njoftohet: Sa kopje janë shtypur? Sa janë shpërndarë? Të bëhet një ribotim i mirë. Korrekturat të më tregohen mua. Të vendoset si rregull që për çdo botim të jetë përgjegjës një person i caktuar (të mbahet një libër ku të shënohen personat përgjegjës). Të merren masa të tjera për të vënë rregull në këtë punë, të përpunohen dhe të më dërgohen”.

Edhe më pas, më 29 qershor të vitit 1920, ai i drejtohet me një shënim Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (bolshevike) R., ku thekson: “1 – Detyrojeni Shtëpinë Botuese të Shtetit të botojë sa më parë (me shkurtime librin e Keynes: “Economic censequences of paeane”. 2- Të ngarkohen disa docentë privatë të merren me përkthimin dhe përmbledhjen e veprave ekonomike të reja më të mira… etj. 3 – Të merret gruaja e Akselrodit (Ljubov Akselrod) në redaksinë e seksionit filozofik. 4 – Të botohen disa përkthime të veprave të materialistëve (të shekullit 17 dhe 18) dhe të bëhen disa përmbledhje nga veprat e tyre”.

Eshtë Lenini që thotë fjalën e fundit edhe për vlerat dhe mos-vlerat e një poezie apo të një poeti. Sikurse tregon politikani, shkrimtari dhe etnografi sovjetik, Bont – Brouevitchi: “Në vitin 1919, bolshevikët organizuan një mbrëmje letrare dhe muzikore në të cilën merrte pjesë, ndërmjet të tjerëve, artistja Gzovskaja. Lenini vendosi të shkojë të dëgjojë dhe më ftoi edhe mua që ta shoqëroja. Ne u ulëm në radhën e parë. Me një pamje sfiduese Gzovskaja reciton ‘Наш марш’ (‘Marshimi ynë’) të Vladimir Majakovskit. Ajo ndaloi. Të gjithë e duartrokitën. Vladimir Iliçi tundi kokën, duke shprehur hapur mospëlqimin e tij. Ai kishte fiksuar shikimin tek Gzovskaja pa lëvizur as gishtin e vogël.

– “Kjo është gjepur!… Si mund të thuhen absurditete të tilla! Ne luftojmë kundër çdolloj paragjykimi dhe ja në Kremlin, në teatrin e klubit te ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe, na servirin përralla të tilla”. Ai u ngrit. – “Unë nuk e njoh këtë poet, – tha Vladimir Iliçi me një zë të ashpër, – por nëse ai shkruan gjithnjë kështu, ai nuk është nga tanët. Dhe, të thuash gjëra të tilla në një mbrëmje të Ushtrisë së Kuqe, është krim, as më shumë dhe as më pak të deklamosh kaq bukur, në masë, gomarllëqe të tilla të mbinatyrshme, është një turp. Asnjë fjalë nuk është e kuptueshme, një rrëmujë e vërtetë’! Ai i tha të gjitha këto me zë të lartë, qartë, prerazi dhe u ngjit në zyrën e tij”.

Eshtë Lenini që përcakton edhe tirazhin e poezisë 150.000.000 të Majakovskit. Duke ju përgjigjur Anatoli Lunaçarskit, Komisar i Popullit për Edukimin, lidhur me kërkesën, që ky i fundit i bën atij për botimin në shtypshkronjën shtetërore të poemës së Majakovskit 150.000.000, udhëheqësi bolshevik shkruan: “A nuk është turp të votohet për botimin në 5.000 kopje të poemës 150.000.000 të Majakovskit? Budallallëk, absurditet, ekstravagancë, ja ç’është e gjitha kjo. Sipas mendimit tim, vetëm një në dhjetë nga këto lloj shkrimesh ja vlen të botohet dhe, madje, jo më tepër se në 1.500 kopje, për bibliotekat dhe të çmendurit. Përsa i takon Lunaçarskit, ai meriton një dënim për futurizmin e tij”.

Në fjalimin e tij, “Mbi gjendjen ndërkombëtare dhe të brendshme të republikës sovjetike”, më 6 mars 1922, Lenini “harron” se ç’ka thënë më parë për Majakovskin dhe poezinë e tij. Duke u shprehur për poezinë e Majakovskit Прозаседавшиеся (Të stërmbledhurit), ai thotë: “Dje, rastësisht lexova në Izvestia një poezi të Majakovskit mbi një temë politike. Unë nuk jam nga adhuruesit e talentit të tij poetik, megjithëse pranoj se në këtë fushë unë nuk jam fare kompetent. Por ka kohë që nuk kam ndier kënaqësi kaq të madhe nga pikëpamja politike dhe administrative. Nuk e di se si qëndron puna nga ana e poezisë, por nga pikëpamja e politikës ju garantoj se kjo është shumë e drejtë”.

Shkrimtari, poeti vlerësohet sipas shërbimit dhe jo për vlerat që bart apo përcjell, jo për artin e tij. Talenti është një hiç nëse nuk i shërben plotësisht, qartë, diktaturës dhe diktatorit të gjithëpushtetshëm, ashtu sikurse e kërkon ai dhe vetëm ashtu. Ardhja në pushtet e Stalinit, pas vdekjes së Leninit, shënon edhe fundin e ndonjë lirie relative, që u ishte njohur formalisht shkrimtarëve nga diktatura e proletariatit. Në prillin e vitit 1932, Partia Komuniste e Rusisë, vendos të bashkojë shkrimtarët në një organizëm të vetëm, të madh.

Kjo gjë u zyrtarizua nga rezoluta e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste e datës 23 prill 1932: Mbi ristrukturimin e organizatave letrare dhe artistike. Rezoluta shpërndan organizatat dhe grupet artistike ekzistuese për të formuar organizma të reja krijuese, të ndara sipas sektorëve artistikë, të kontrolluara dhe të administruara në mënyrë të përqendruar. Realizmi Socialist u përcaktua si estetikë zyrtare, si “metodë bazë e letërsisë dhe kritikës letrare sovjetike”.

Koncepti i “Realizmit Socialist” u përpunua në vitin 1932 nga një grup udhëheqësish të lartë të Partisë: Stalini, Kaganoviçi, Postiçevi, Stetski, drejtor i sektorit të propagandës në Komitetin Qendror dhe Gronski, kryeredaktor i gazetës Известия. Realizmi Socialist u mishërua, përfundimisht, si doktrinë dhe formë e artit zyrtar në vendin e sovjetëve, gjatë punimeve të Kongresit I-rë të Bashkimit të Shkrimtarëve Sovjetikë, në gushtin e vitit 1934.

Sipas shtypit sovjetik të kohës, Kongresit i arritën 41 mesazhe dhe përshëndetje nga uzinat dhe kolkozet, shkollat dhe universitetet, nga Ushtria e Kuqe, nga organizatat artistike si dhe nga organet e Partisë. Kongresi, nga ana e tij, i dërgoi përshëndetje Stalinit, Voroshollovit (Komisar për Mbrojtjen), Komitetit Qendror të Partisë, Këshillit të Komisarëve te Popullit, Këshillit të Ministrave, shkrimtarëve revolucionarë të Japonisë dhe të Kinës…! Një mesazh iu dërgua edhe punonjësve të uzinës së letrës të Bashkimit Sovjetik.

Zyrtarisht, sikurse është shkruar edhe në statutin e Bashkimit të Shkrimtarëve, të miratuar në Kongresin I-rë të tyre: “Realizmi Socialist, duke qenë metoda themeltare e letërsisë dhe e kritikës letrare sovjetike, kërkon nga artisti një paraqitje të vërtetë historikisht konkrete të realitetit në zhvillimin e tij revolucionar. Ndërmjet të tjerave, vërtetësia dhe karakteri historikisht konkret i paraqitjes artistike të realitetit duhet të ndërthuret me detyrën e tjetërsimit ideologjik dhe të edukimit të punonjësve me mendimin socialist”.

Duket qartë se Realizmi Socialist nuk është thjesht një teori estetike, por një mjet i edukimit, më saktë i indoktrinimit ideologjik, në shërbim të Partisë. Ai e shndërron shkrimtarin në një agjent të saj dhe letërsinë në një mjet të privilegjuar në duart e saj. Nëpërmjet tij Partia ushtron një kontroll absolut mbi shoqërinë, “planifikon” apo disiplinon edhe krijimtarinë letrare. Aleksandër Tvadovski, botuesi i parë i Solzhenicinit, ironizon në vitin 1961, duke u shprehur: “Te ne Kisha është ndarë nga shteti, por ne ja kemi bashkangjitur letërsinë shtetit”.

Trajtimi i revolucionit dhe i figurës së idealizuar të revolucionarit bolshevik si shpëtimtar, si një Mesia i ri, prania e detyrueshme e ideve komuniste në të gjithë letërsinë e Realizmit Socialist, apo ideologjizimi i saj, mund të thuhet se janë shinat bazë ku ai mbështetet. Bolshevikët, nëpërmjet mekanizmave transmetues të dogmave shtetërore, sikurse është edhe Realizmi Socialist, janë të vetmit që vendosin apo përcaktojnë temat që duhet të trajtohen dhe si duhet të trajtohen.

Në vendin e sovjetëve, duke respektuar Realizmin Socialist, nuk botohet asnjë vepër që, në thelb, nuk ka si temë qendrore Partinë apo partishmërinë dhe që nuk u thur lavde modeleve, rrugëve, mënyrës së mendimit dhe të veprimit komunist, që nuk ngjall optimizëm për të tanishmen e të ardhmen, për vetë ekzistencën e individit apo të shoqërisë. Romani i autorëve të Realizmit Socialist duhet të pasqyrojë, t’i bëjë jehonë revolucionit, gëzimit në punë, rrugëve të mbushura me miqësi dhe dashuri, 1 Majit, qiellit blu dhe pa re, Diellit, që shndrit dhe përshëndet jetën e lumtur. Dogma e Realizmit Socialist, si pjellë e komunizmit dogmatik të “shenjtëruar”, “shenjtëron” edhe letërsinë dhe artet në përgjithësi.

Ajo synon, faktikisht, t’i imponojë shoqërisë normat politike, etike, morale, mënyrën e mendimit të Partisë-shtet, të vendosë në hap të disiplinuar ushtarak edhe ndjenjat e pasionet njerëzore. M. Illitchevi sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste sovjetike, në një artikull të botuar në gazetën Правда të 22 dhjetorit 1962, është kategorik: “Partia ka mbrojtur gjithmonë mendimin e Partisë në letërsi dhe në arte dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë…! Ne jemi fuqimisht kundër çdo interpretimi tjetër nga ai i luftës së klasave apo zëvendësimit të humanizmit militant komunist me betimet e rreme për paqe midis klasave dhe faljes së përgjithshme…! Në ideologji lufta me botën borgjeze nuk pushon asnjëherë, sepse kjo luftë ka si objektiv shpirtin dhe zemrën e njerëzve, së pari zemrën e të rinjve”.

Në Kongresin IV-të të Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, në mars të vitit 1967, kritiku letrar rus L. N. Noviçenko deklaron: “Ideale do të ishte që forma estetike të jetë në lartësinë e përmbajtjes, por nëse duhet zgjedhur midis të dyjave, parapëlqehet forca e përmbajtjes, edhe nëse është e zhveshur nga cilësitë estetike, dhe jo përsosmëria formale e zhveshur prej domethënies ideologjike”. Këto pozicionime janë në rrjedhën e përgjithshme të jetës në Rusinë bolshevike. Në fakt, duke filluar nga viti 1917 dhe në vazhdim, shteti sovjetik fshin çdo kufi midis sferës civile dhe asaj ushtarake, midis luftës dhe politikës, midis “armikut të brendshëm” dhe atij “të jashtëm”, midis dhunës dhe luftës, dhunës sociale dhe asaj politike. Ai ushtron një “kulturë” të dhunës në çdo qelizë të jetës, përfshirë letërsinë dhe artet.

Censura në BRSS, është krejtësisht e varur në praktikë jo nga ligji, por nga politika e praktikuar nga autoritetet. Ka një fushë, megjithëkëtë, ku censura bolshevike nuk ka forcë të ushtrojë asnjë kontroll dhe lejon absurditetet më të pamundura për t’u kapur nga logjika njerëzore, më qesharake dhe më të shkalluara. Kjo vihet re në veprat e panumërta artistike kushtuar Leninit, Stalinit dhe kultit të tyre, në cilësimin e tyre si “diell ndriçues i të gjithë vendit”, në ndërtimin e monumeteve, realizimin e filmave, thurjen e poemave, botimin e romaneve ku Lenini apo Stalini janë figura qendrore, pse jo edhe hyjnore! Kështu e “takojmë”, Leninin në poezinë prej 150 vargjesh Владимир Ильич Ленин (Vladimir Iliç Lenin), të shkruar nga Majakovski me rastin e vdekjes së tij.

Ja, për ilustrim, disa vargje të saj: “Dje, në orën gjashtë e pesëmbëdhjetë minuta/ vdiq shoku Lenin./ Ky vit ka parë atë që nuk do ta shohin njëqind të tjerë./ Kjo ditë do të shënohet në legjendën monotone të shekujve/… Era në tërë globin ulërin e pagjumë…/ dhe ja në ngricën e një dhome të vogël të Moskës gjendet arkivoli i atit dhe birit të revolucionit./ Fundi, fundi, fundi”. Lenini është si Krishti: ati, biri dhe shpirti i shenjtë! Për të, sikurse shkruan gjithnjë në të njëjtën poezi Majakovski: “njerëzit do të hidheshin drejt vdekjes duke kënduar”.

Gjithnjë duke citur Majakovskin: “Ne themi Lenini dhe nënkuptojmë Partia/ Ne themi Partia dhe nënkuptojmë Lenini”. Kulti i Leninit duhej rrënjosur, madje, edhe tek fëmijët parashkollorë. Në librin e tij për fëmijë Колька и Ленин (Kolka dhe Lenini) botuar në vitin 1927, autori I. Moltchanov, shkruan këto radhë: “Si janë qytetet?, pyet Kolka, duke admiruar nga dritarja trenin, që kaloi. Ai e din se qytetet mund të kenë shtëpi të mëdha, sikurse edhe uzina apo trame, që mund t’i bëjnë ballë çdo kohe, por cilin duhet të falënderojmë ne për të gjitha këta? Leninin, këtë zotëri të moshuar, që na ka udhëhequr drejt fitores…! Dhe kush tjetër mund të jetë”?

Njëlloj, madje në mënyrë më groteske, thuret edhe kulti i Stalinit. Për të krijuar një ide më të qartë mund tu drejtohemi disa shifrave. Midis vitit 1917 dhe vitit 1955, janë bërë 10.045 botime të veprave të Stalinit. Vetëm gjatë viteve 1946-1950 këto vepra janë ribotuar 1.894 herë, me një tirazh të përgjithshëm prej 113 milionë kopjesh. Në fushën e krijimtarisë letrare, poeti Rakhimov boton në vitin 1936 në Правда, vargjet: “O Stalin i madh/ O udhëheqës i popujve/ Ti që bëre të lindë njeriu/ Ti që i bën tokat pjellore/ Ti që rinon shekujt/ Ti që bën të lulëzojë pranvera/ Ti që bën të dridhen kordat e muzikës/ Ti drita e pranverës sime/ Diell i reflektuar nga mijëra zemra”. Në këtë frymë janë botuar në shtypin komunist poezi të pafund për Stalinin.

Në prozë Aleksei Tolstoi, e bën Stalinin si figurë qendrore në romanin ‘Оборона Царицына’ (‘Mbrojtja e Caricinit’) botuar në vitin 1947. Më parë, në vitin 1929 dhe në vitin 1934, ai ka botuar dy drama historike nëpërmjet të cilave trajton personalitetin e Carit rus, Pjetrit të Madh, duke bërë njëlloj apologjie, pothuajse të hapur, të absolutizmit dhe ekspansionizmit rus dhe njëlloj analogjie pozitive me carin e ri të Kremlinit, Stalinin.

Një tjetër shkrimtar rus, Aleksandër Ostapoviç Avdenko, duke qenë delegat në Kongresin e VII-të të Sovjetëve, i mbajtur në janar-shkurt 1935, i rrëmbyer nga histeria e përgjithshme e ditirambeve për Stalinin, do të shprehet: “Unë do të plakem, por nuk do të harroj kurrë, se si para dy ditësh, ne kemi pritur Stalinin. Kurrë nuk kam qenë më i lumtur se sa kur pashë dhe provova thellësinë e dashurisë dhe të përkushtimit për Stalinin. Shekuj do të kalojnë dhe brezat komunistë të së ardhmes do të na shohin si më të lumturit…e gjithë të gjallëve ndër shekuj mbi tokë, sepse ne kemi parë Stalinin, udhëheqësin gjenial, të mençur, të qeshur, të përzemërt, madhërisht të thjeshtë”.

Është po ky shkrimtar që në vitin 1935, shkruan në ‘КРАСНАЯ ГАЗЕТА’: “Nëse gruaja ime e dashur do të lindë një fëmijë, fjala e parë që do t’i mësoj atij do të jetë “Stalin”. Publikisht, duke u hequr si modest, në marsin e vitit 1930, Stalini ka deklaruar: “Unë nuk jam njohës i letërsisë dhe, me arsye të plotë, as kritik”. Stalini edhe pse pranon se nuk është shkrimtar dhe as kritik, në të vërtetë në letërsi dhe artet përgjithësisht ai bën edhe shkrimtarin edhe kritikun, edhe shiun edhe erën. Ai jep orientime, ngre në piedestal dhe rrëzon në greminë vepra dhe autorë. Ai është i bindur se është një Napoleon i komunizmit, apo i Rusisë bolshevike, i destinuar për vepra të mëdha.

Sikurse ka deklaruar edhe një nga pasardhësit kritikë të tij në fronin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të BRSS-së, Nikita Hrushovi: “Kur Stalini thoshte diçka, nuk kishte as propozime dhe as vrenjtje nga të tjerët. Një propozim i Stalinit ishte urdhër i Zotit dhe një urdhër i shenjtë nuk mund të diskutohet”. (Në vendin e sovjetëve, të gjithë janë të ndërgjegjshëm se Stalini bën ligjin, duke diktuar orientimet bazë të letërsisë së Realizmit Socialist. Ai është prokuror, ligjvënës, ekzekutor, fjala e fundit edhe për karrierën profesionale dhe jetën e shkrimtarëve të Bashkimit të Republikave Socialiste sovjetike.

Kështu, p.sh., në mbledhjen e Byrosë Politike, datë 9 shtator 1940, u godit rëndë nga Stalini shkrimtari Avdenko për filmin e tij ‘Закоо н жио зни’ (‘Ligji i jetës’). Do të duhet të kalojnë vite që, sërish, Stalini personalisht të rehabilitojë Avdenkon. Do të jetë Vadimovi, kryeredaktori i gazetës së ushtrisë ‘Kрао сная звездао’ ai që do t’i kërkojë udhëheqësit bolshevik që të lejohet të botojë reportazhet e Avdenkos, duke vlerësuar se shkrimtari e ka shlyer gabimin e tij gjatë Luftës Patriotike. Vendimi i Stalinit në fillim të korrikut 1943, përcjellur sekretarit të tij A. Poskrebychevit, është: “Kështu qoftë! Le t’i botojmë: Avdenko e ka shlyer gabimin e tij. Stalin”.

Më parë, në vitin 1926, poetët Vladimir Majakovski, Aleksandër Bezymenski dhe të tjerë, kërkuan me forcë dhe arritën të pezullojnë pjesën e Mihail Bulgakovit ‘Дни Tурбиных’ (‘Ditët e Turbinës’). Pjesa u kritikua ashpër edhe nga kritikët Vladimir Bumi e Aleksandër Orlinski, të afërt me Shoqatën e Shkrimtarëve Proletarë (RAPP). Ndaj autorit u derdhën akuza të tmerrshme në një seri artikujsh dhe në debate publike. Për pasojë, më 15 shtator 1927, pjesa ‘Дни Tурбиных’ u ndalua si jo korrekte politikisht. Më 10 tetor, Byroja Politike, d.m.th. vetë Stalini, e kundërshton këtë masë. Vëniet e saj në skenë rifilluan me “bekimin” e Stalinit.

Bezymenski, i akuzuar si trockist, i shpëtoi linçimit bolshevik dhe vazhdoi të shkruajë poezi lirike, tekste për këngë, artikuj propagandistikë, poema satirike, etj., thjesht sepse Stalini e mori në mbrojtje. Qëndrimi ndaj shkrimtarit Nekrasov Viktor Platonoviç dhe ndaj romanit të tij ‘Вокопах Сталинграда’ (‘Në transhetë e Stalingradit’) është një tjetër shembull në vargun e madh të trajtimit të krijuesve, jo thjesht për shërbimin e tyre ndaj bolshevizmit në përgjithësi, ndaj rolit dhe figurës së Stalinit, shërbimit për lartësimin e kultit të tij jashtë çdo kufiri, jashtë çdo përfytyrimi, por dhe, sidomos, nga vlerësimi që do të shprehë vetë Stalini ndaj autorit dhe veprës. Ky vlerësim nga ana e tij është i paparashikueshëm. Në këtë kontekst, në Bashkimin Sovjetik pëshpëritej atë kohë, nën buzë dhe me sarkazëm, se Stalini ishte “babai i romanit erotik aseksual”.

Romani “Në transhetë e Stalingradit” u botua fillimisht në revistën moskovite Знамя me titullin Stalingrad. Ai iu nënshtrua një kritike të fuqishme zyrtare. Autori dhe romani kryqëzohen sepse kishin anashkaluar rolin drejtues të Partisë Komuniste dhe, sidomos të udhëheqësit të madh të popujve, të gjeneralisimit Stalin, në betejën e Stalingradit. Nekrasovi e botoi romanin e tij në vitin 1946, duke i ndryshuar titullin në ‘Вокопах Сталинграда’ (‘Në llogoret e Stalingradit’). Dhe një ditë të bukur të vitit 1947, Nekrasovi do të shihte, jashtëzakonisht i çuditur, portretin e tij në Pravda: atij i ishte dhënë çmimi Stalin…!

Duket se vetë diktatori ka shtuar emrin e Nekrasovit në listën e laureatëve. Në një autobiografi të botuar pas 35 vjetëve, Nekrasovi tregon, pa u munduar të shpjegojë irracionalen: “Duke filluar nga kjo ditë, libri im shndërrohet në model”. Të gjitha shtëpitë botuese filluan ta botojnë dhe ribotojnë, përkthyesit ta përkthejnë në të gjitha gjuhët e imagjinueshme, kritikët të këndojnë lavde, duke harruar krejtësisht se vetëm një ditë më parë kishin akuzuar autorin për “pacifizëm”. / Memorie.al

                                                     Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 10 Maj 2026

Next Post

“Shërbimi i Kundërzbulimit të UDB–së, kishte arritur të realizojë kontrollin e plotë mbi politikën tonë të jashtme ndaj Shqipërisë...”/ Ana e panjohur e raporteve shqiptaro-jugosllave para viteve ’90-të,

Artikuj të ngjashëm

“Fatkeqësisht, disa elementë shqiptarë, kanë qenë bashkëpunëtorë të denjë në shërbimet sekrete kundër-zbuluese dhe zbuluese të Jugosllavisë, pasi ata…”/ Dëshmia e rrallë e ish-oficerit të UDB-së
Dossier

“Shërbimi i Kundërzbulimit të UDB–së, kishte arritur të realizojë kontrollin e plotë mbi politikën tonë të jashtme ndaj Shqipërisë…”/ Ana e panjohur e raporteve shqiptaro-jugosllave para viteve ’90-të,

May 9, 2026
“Tani, si do të bëjmë me Bedri Spahiun, do ta mbajmë brenda apo do ta lirojmë? Unë e bisedova edhe me Mehmetin, edhe me Tishenkon, i cili…”/ Diskutimi i Enver Hoxhës në Byro pas Konferencës së Tiranës në ’56-ën
Dossier

“Tani, si do të bëjmë me Bedri Spahiun, do ta mbajmë brenda apo do ta lirojmë? Unë e bisedova edhe me Mehmetin, edhe me Tishenkon, i cili…”/ Diskutimi i Enver Hoxhës në Byro pas Konferencës së Tiranës në ’56-ën

May 9, 2026
“Patronët e Realizmit Socialist, i kanë ngritur njëlloj kulti Dostojevskit dhe Biblioteka ‘Lenin’ e Moskës, Biblioteka e Leningradit, organizuan…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Patronët e Realizmit Socialist, i kanë ngritur njëlloj kulti Dostojevskit dhe Biblioteka ‘Lenin’ e Moskës, Biblioteka e Leningradit, organizuan…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 10, 2026
“U angazhua Komiteti i Partisë në Vlorë që ansambli çam të shkonte në Festivalin e Gjirokastrës, por grekët kishin filmuar një koncert në ‘Sheshin e Flamurit’ dhe…”/ Dëshmia e rrallë e ish-udhëheqësit artistik
Dossier

“U angazhua Komiteti i Partisë në Vlorë që ansambli çam të shkonte në Festivalin e Gjirokastrës, por grekët kishin filmuar një koncert në ‘Sheshin e Flamurit’ dhe…”/ Dëshmia e rrallë e ish-udhëheqësit artistik

May 8, 2026
“Letërsia ruse e para Revolucionit të Tetorit, tipizohet nga nacionalizmi dhe shovinizmi rusomadh, pasi autorët rusë si Gogol, Tolstoi dhe Dostojevski…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Letërsia ruse e para Revolucionit të Tetorit, tipizohet nga nacionalizmi dhe shovinizmi rusomadh, pasi autorët rusë si Gogol, Tolstoi dhe Dostojevski…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 9, 2026
“Spitali Rajonal i Vlorës, duhet t’i vendosi pavijonit otorinolaringologjisë, emrin ‘Dr. Hysenbegasi’, në shenjë respekti dhe nderimi, për atë që shëroi e shpëtoi me mijëra jetë…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur
Dossier

“Një ditë më thirri Petrit Hakani, shefi i Degës së Brendshme dhe më tha; do punosh për ne dhe po doli një fjalë nga goja jote, ke pushkatim, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e ish-fotografit veteran të Vlorës

May 9, 2026
Next Post
“Fatkeqësisht, disa elementë shqiptarë, kanë qenë bashkëpunëtorë të denjë në shërbimet sekrete kundër-zbuluese dhe zbuluese të Jugosllavisë, pasi ata…”/ Dëshmia e rrallë e ish-oficerit të UDB-së

“Shërbimi i Kundërzbulimit të UDB–së, kishte arritur të realizojë kontrollin e plotë mbi politikën tonë të jashtme ndaj Shqipërisë...”/ Ana e panjohur e raporteve shqiptaro-jugosllave para viteve ’90-të,

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme