Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) dhe Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilat bëhen publike për herë të parë, ku ndodhet një korrespodencë e titullarëve kryesorë të Ministrisë së Jashtme, me ambasadën italiane në Tiranë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme në Romë, lidhur me ngjarjen e datës 6 janar 1989, kur anija “Dukati” gjatë lundrimit në Detin Adriatik, u rrëmbye nga kapiteni i saj, Enver Meta, i cili kishte fshehur tetë shokë të tij në ambientet e anijes dhe bashkë me ta, mbajti peng shtatë pjesëtarët e ekuipazhit, deri sa dolën në portin e Brindisit. E gjithë kronologjia e asaj ngjarje të rëndë që pati jehonë të madhe në shtypin italian, e cila jo vetëm që shkaktoi një përplasje të fortë diplomatike në mes Tiranës zyrtare dhe Romës, por shkaktoi një furtunë të madhe në radhët e Ministrisë së Brendshme në Tiranë, ku u shkarkuan apo i’u dhanë masa të rënda ndëshkimore 15 zyrtarëve të lartë të zinxhirit drejtues, nga nënoficeri i Pikës së Kalimit Kufitar në Portin e Durrësit, e deri tek Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, si dhe vetë ministrit Hekuran Isai, që i’u dha vërejtje e rëndë në mbledhjen e Byrosë që vazhdoi për disa ditë me radhë nën drejtimin e Ramiz Alisë, ku pati përplasje të forta midis anëtarëve të saj, me akuza të ndërsjellat për abuzime dhe shpërdorime, e deri në problemet familjare që ata kishin.
Raporti i Simon Stefanit, sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së që mbulonte organet e “Diktaturës së proletariatit”, për ngjarjen me anijen “Dukati”
Tepër sekret
R E L A C I O N
MBI DISA PROBLEME QË DALIN NGA ARRATISJA E 9 PERSONAVE
ME ANIJEN E PESHKIMIT “DUKATI” NË RRETHIN E DURRËSIT
Në datën 6 janar 1989, grupi armiqësor i përbërë prej 9 vetash, i kryesuar nga ish-kapiteni i anijes “Dukati” Enver Meta, duke rrëmbyer anijen dhe ekuipazhin e saj me 7 peshkatarë, mundën të realizojnë aktin e arratisjes në Itali. Nga personat e këtij grupi, 3 janë peshkatarë, 2 punonjës në Portin “Enver Hoxha”, 2 punonjës në N. Qumështit, një në N.N. Porti dhe një në NTUS. Që të gjithë janë nga rrethi i Durrësit. Mosha e tyre është 20 deri 30 vjeç.
Arratisjen kjo bandë e realizoi duke shfrytëzuar uljen e vigjilencës së komunistëve e punonjësve, të organizatës së Partisë në Ndërmarrjen e Peshkimit, të kufirit dhe vetë Degës së Punëve të Brendshme: për paaftësinë e kuadrove e punonjësve të organeve të brendshme, shkeljen e rregullave e të kontrollit për futjen e njerëzve në territorin dhe anijet e peshkimit, si dhe rregullat e lundrimit.
Nga analizat që i bëhet kësaj ngjarjeje del se nuk janë nxjerrë mësimet e duhura nga ngjarjet e mëparshme, prandaj edhe në këtë rast janë vërtetuar një sërë mangësish e shkeljesh të akteve normative dhe rregullave të vendosura, ndër më kryesorët e të cilave janë:
- Ka liberalizëm të theksuar në drejtim të zbatimit të normave e rregullave të vendosura.
Shumë konkluzione që dalin nga analiza e kësaj ngjarjeje, kanë ngjashmëri me ato që kanë nga disa të tjera të tilla të rënda, siç janë moszbatimi i rregullave që kemi. Kështu edhe në këtë rast, udhëzimi i muajit gusht 1984 “Për ruajtjen e mbrojtjen e kufirit detar e ajror”, i firmosur nga ministrat e Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme, të Transporteve e të Industrisë së Lehtë e Ushqimore, ku përcaktohet që “Anijet e RPSSH, tregtare e të peshkimit, kur lundrojnë brenda dhe jashtë ujërave territoriale, për çdo dy orë t’u japin ndërmarrjeve përkatëse nëpërmjet stacionit të ndërlidhjes në breg, vendndodhjen e tyre dhe këto të fundit, t’ia japin BUD-it”, nuk është zbatuar prej vitesh, nuk është ndjekur dhe nuk janë vënë para përgjegjësisë si organet përkatëse dhe individë të veçantë.
Kështu, nga 15 anije që ishin në gjueti më 6.1.1989, 11 prej tyre nuk e bënë këtë njoftim siç kërkohet. Theksojmë se këto shkelje flagrante të rregullave i shfrytëzoi dhe në rastin konkret ish-kapiteni i anijes, i cili ka njoftuar vetëm orën e nisjes 17.40, ndërkohë që duhej të njoftonte në çdo dy orë, rreth 7-8 herë gjatë gjithë natës. Po të ishte zbatuar rregullisht kjo kërkesë, mund të ishte prevenuar akti i kësaj bande.
Shkelje të rregullave të regjimit të kufirit janë gjetur e kritikuar edhe herë të tjera.
- Lejohen, në kundërshtim me të gjitha rregullat, që në rajonin e portit dhe të peshkimit e deri në anije, të qarkullojnë e të futen persona pa lejë. Dhe në ndërmarrjet e tjera të sistemit të portit, nuk janë vendosur rregulla të forta për hyrjen e daljen e njerëzve. Ndonëse prej vitesh janë dhënë fonde për bërjen e murit rrethues të pjesës lindore të portit, janë caktuar dhe detyra për të përfunduar në muajin mars 1988, akoma ky rrethim s’ka përfunduar.
- Ka munguar kontrolli i imët në anijet e peshkimit para se ato të nisen me shërbim. Interesimi nga kuadrot e ndërmarrjes dhe kapitenët e anijeve, është vetëm për gjendjen teknike të anijeve e të mjeteve të peshkimit. Edhe kontrolli i kufirit bëhet vetëm me 1 nënoficer, e në shumicën e rasteve, prej tyre nuk janë bërë kontrolle fizike të imëta. Këto janë shfrytëzuar nga elementët armiq, duke u fshehur në anijet tona dhe të huaja.
- Nga organi i sigurimit nuk njihet si duhet situata operative, për rrjedhojë bëhet punë globale. Këta armiq, megjithëse punonin në ndërmarrje të ndryshme, arritën të organizohen e të realizojnë arratisjen. Por e rëndësishme është që Kundër-Zbulimi ynë, nuk ka rënë në kontakt me asnjërin. Fakti që në radhët e atyre që u arratisën ka pasur dhe një ish….(kjo ka ndodhur edhe herë të tjera), të bën të mendosh me çfarë agjenturë mbulohen objektet, sa e sigurt dhe e kualifikuar është kjo etj. Shtojmë se ky…., për dy vjetët e fundit, nuk ka dhënë për persona të tjerë me tendencë arratisjeje, e asnjë të dhënë për personat të tjerë me tendencë arratisjeje dhe asnjë sinjalizim për përgatitjen e kësaj bande terroristësh. Nuk përjashtohet dhe mundësia që ai të jetë një ndër organizatorët e saj. Edhe një…. tjetër, ditën që u krye arratisja, nuk doli fare në punë dhe kur u pyet, një here tha se kam pasur babanë sëmurë dhe herën e dytë se gjoja ka qenë sëmurë vetë.
Dobësitë që ka në këtë drejtim vërtetohen dhe me faktin se nga viti 1984 e këtej kanë tentuar të arratisen 16 persona nëpërmjet anijeve dhe kanë realizuar arratisjen 11 persona të tjerë. Nga këta persona, ka ndër ta që ndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit për tendencë arratisjeje dhe i kanë shpëtuar kontrollit të këtyre organeve.
Nga rrjeti agjenturor ka shumë pak të dhëna për tendencat e arratisjes nëpërmjet mjeteve të lundrimit. Punëtorët operativ dhe agjentura e portit, më shumë janë të prirur nga njohja e zbulimi i veprimtarive armiqësore më të lehta e të rëndomta, si agjitacion e propaganda, kontrabanda, vjedhje, çështje teknike etj., jo sa duhet ka informacione për shkeljet e rregullave të sigurimit të portit e të lundrimit dhe pak punohet për të zbuluar e parandaluar tendencën e arratisjes dhe zbulimin e veprimtarisë së agjenturave të huaja. Rendja pas sasisë në kurriz të cilësisë, puna për bujë dhe euforia, shfaqjet e rehatisë dhe ambientimi me gjendjen, liberalizmi dhe mungesa e kërkesës së llogarisë janë të pranishme në veprimtarinë e sigurimit.
Ngjarjet e mëparshme dhe kjo e fundit flasin se në rrethin e Durrësit zbulimet e huaja kanë vepruar e veprojnë intensivisht dhe hollë. Ndonëse mbi 50% e problemeve në ndjekje janë për spiunazh, prej vitesh nga ana e organit të Sigurimit nuk është rënë në fijet aktuale të zbulimeve të huaja, me gjithë porositë e kërkesat e vazhdueshme që ka bërë udhëheqja e Partisë.
Dobësitë e mësipërme vërtetojnë, ndër të tjera, se në zgjedhjen, drejtimin e kontrollin e agjenturës nuk punohet si duhet.
III. Nga ana e Degës së Punëve të Brendshme ka pasur kuptim të ngushtë për kryerjen e shërbimit në ruajtjen e portit. Ndonëse ligjet, vendimet e Qeverisë dhe aktet normative të ministrit të Punëve të Brendshme e përcaktojnë qartë që Porti i Durrësit është zonë e ndaluar kufitare, në kundërshtim me to, nga ana e shokëve të Degës së Brendshme të rrethit dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është njohur si e tillë vetëm një pjesë e portit, pjesa ku përfshihet Ndërmarrja e Portit “Enver Hoxha”, kurse ndërmarrjet e tjera rreth akuariumit të Portit të Durrësit, nuk janë përfshirë në zonën e ndaluar. Ndonëse prej vitesh është bërë studim për shtimin e forcave dhe organizimin e shërbimit kufitar në të gjithë territorin e portit, ende nuk ka marrë rrugën e zgjidhjes.
Konceptimi liberal për portin si kufi ka çuar në atë që lejet për punonjësit e portit të jepen nga vetë ndërmarrja e jo nga Dega e Punëve të Brendshme. Po ashtu, kjo ka ndikuar që të mos ngulmohet sa duhet për marrjen e masave për ndriçimin e portit, rrethimin e tij, për sigurimin e mjeteve lundruese dhe atyre të ndërlidhjes, si dhe të bazës së nevojshme materiale për kryerjen e shërbimit të kufirit, aq sa kontrollorët e kufirit nuk kishin dhe fenerë ndriçues për të kontrolluar ambientet e anijeve në brendësi. Ndërsa ndërlidhja ndërmjet vendeve të shërbimit të ushtarëve me repartin, mungonte. Këto koncepte dhe praktika nuk duhet të lejohen dhe porti i Durrësit të vlerësohet dhe të trajtohet njësoj si brezi kufitar.
- Puna e Partisë në rreth dhe në Degën e Brendshme nuk u është përgjigjur sa e si duhet veçorive që ka rrethi i Durrësit, shqetësimeve e problemeve që kanë lindur në port në drejtim të vigjilencës për parandalimin e veprimtarisë armiqësore. Organizata e Partisë në Ndërmarrjen e Peshkimit, por dhe në ndërmarrjet e tjera të portit, ato të reparteve të kufirit e të Degës së Punëve të Brendshme dhe vetë Komiteti i Partisë i Rrethit Durrësit, nuk janë mirë në roje të zbatimit të orientimeve të Partisë për regjimin e kufirit dhe të ligjeve e rregullave përkatëse.
Ka shfaqje të pritmërisë dhe të globalizmit në punën e Partisë për trajtimin dhe marrjen e masave për zgjidhjen e problemeve. Ndonëse në port, rast pas rasti, ka pasur tentime dhe arratisje, komprometim me të huajt etj., organizatat – bazë të Partisë nuk janë mbledhur me iniciativë dhe s’janë ndaluar me forcë. Kështu, për arratisjen e një personi në dhjetor të vitit 1988, nëpërmjet anijes “6 shkurti”, organizatat-bazë nuk ishin preokupuar dhe nuk e kishin analizuar këtë ngjarje. Nga 16 organizata-bazë të ndërmarrjes së portit, vetëm dy ishin ndaluar. Ky qëndrim justifikohet prej tyre me atë që “nuk patëm porosi”. Qëndrime të tilla janë mbajtur dhe për raste të tjera.
Ndonëse nga Komiteti i Partisë i Rrethit është shkuar në këto ndërmarrje, ngjarjet negative i ka trajtuar më tepër në planin moralizues, të rritjes në përgjithësi të vigjilencës, pa u ndalur thellë në shkaqet e tyre dhe në marrjen e masave konkrete politiko-edukative dhe organizative. Edhe ndonjë detyrë e vënë nuk është ndjekur. Kështu Komiteti i Partisë i Rrethit ka pasur objektivin që brenda muajit qershor 1988 të përfundonin disa detyra për sigurimin, forcimin e rregullit dhe të regjimit në territorin e portit, por zbatimi i tyre ende nuk ka përfunduar.
Nga puna e pamjaftueshme me njerëzit është krijuar një koncept jo i drejtë te komunistët e punonjësit e peshkimit se “rreziku më i madh vjen gjatë kohës së peshkimit nga anijet e huaja” dhe është nënvleftësuar rrezikshmëria e elementit armik të brendshëm. Binte në sy që organizata-bazë, po dhe byroja e Partisë e Ndërmarrjes së Peshkimit dhe ajo e Portit, prireshin më tepër në trajtimin e problemeve ekonomike. Komunistët nuk ngrinin probleme e shqetësime të aspektit të vigjilencës dhe ruajtjes së pastërtisë së figurës moral – politike të punonjësve. Kështu, organizata – bazë dhe byroja e Partisë në Peshkim, nuk kishte trajtuar probleme të vigjilencës, me përjashtim të rastit kur ishte diskutuar për një anëtar partie, i cili, me shokët e tjerë peshkatarë, kishin hyrë në marrëdhënie me italianët në det, duke dhënë e marrë peshk e plaçka. Ndonëse ekzistonin një sërë shkeljesh dhe në anijen, në lundrim, në peshkim, në njoftimet gjatë lundrimit etj., asnjë komunist nuk kishte ngritur problem për to. Edhe ekuipazhi i anijes që u arratis, me sa del deri tani, nuk ka pasur reagim të veçantë.
Po kështu, organizatat-bazë të Partisë në Degën e Punëve të Brendshme (me përjashtim të asaj në Pikën e Kontrollit të Kufirit), nuk ishin ndaluar për arratisjen e muajt dhjetor të vitit të kaluar apo dhe për raste të tjera. Për rrjedhojë, edhe masat për forcimin e punës mungonin. Kjo justifikohej me atë që “nuk patëm porosi” dhe ishin mjaftuar me trajtimin që i kishte bërë këtij problemi ana shtetërore. Edhe për ngjarje negative të ndodhura në kufi në shkallë vendi, organizatat – bazë të Partisë jo sa duhej kishin reflektuar për kushtet e tyre.
Mangësitë e mësipërme flasin për atë që në veprimtarinë e organeve e të organizatave – bazë ka ende shfaqje të ambientimit me gjendjen, të liberalizmit, e të familjaritetit të sëmurë; ka mungesë të kontrollit dhe kërkesë llogarisë.
- Ngjarja e ndodhur evidencoi edhe nevojën e disa përmirësimeve në një sërë aktesh normative.
Udhëzimi i katër ministrave nuk është zbërthyer e detajuar nga këto organe, gjë që ka çuar në interpretime të ndryshme dhe në shmangie të përgjegjësisë nga njëri – tjetri.
Për përdorimin e radarëve të forcave të kufirit dhe për bashkëveprimin e tyre me BUD-in (Bazën Ushtarake Detare), nuk janë nxjerrë akte normative të përbashkëta.
Vendimi i Qeverisë ngarkon organet e Post Telegrafës që ndërlidhja e mjeteve lundruese me ndërmarrjet përkatëse të behet vetëm nëpërmjet radiondërlidhjes së Post Telegrafës. Nga të gjitha ndërmarrjet, si dhe nga BUD-i e Dega e Punëve të Brendshme, ngrihet që efektivitet më të madh do të ketë ndërlidhja direkt e anijeve me ndërmarrjet përkatëse. Kështu është vepruar në të kaluarën.
Kërkohet të përsoset ndërlidhja ndërmjet ndërmarrjeve të peshkimit, të Flotës Tregtare me BUD-in, duke vënë në përdorim teleshkruesit, të cilët, ndonëse disponohen nga BUD-i, nuk janë në përdorim. Aktualisht ndërlidhja ndërmjet BUD-it me këto ndërmarrje, bëhet me telefon, e cila ka çuar në atë që të ketë pasaktësi në marrjen e regjistrimin e njoftimeve për vendodhjen e anijeve dhe të mos dalë përgjegjësia konkrete e palëve.
Ka nevojë që shërbimi në pikën sinjalizuese – vrojtuese të BUD-it, të bëhet nga një grup i specializuar prej 3 – 4 vetash, dhe jo nga të gjithë oficerët e shtabit.
Ka vend që të përsosen dhe të forcohen rregullat e shërbimit në Pikat e Kalimit të Kufirit në përgjithësi e në ato të porteve në veçanti. Po ashtu, ka nevojë të saktësohen e të normohen më mirë rregullat për bashkëveprimin e organeve të Punëve të Brendshme, me ndërmarrjet që kanë aktivitete në portet, me Flotën Luftarake Detare dhe Bazën Ushtarake Detare.
VI.Për ngjarjen e ndodhur kanë përgjegjësi një sërë kuadrosh:
- Shoku Qirjako Mihali, si sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit, ka përgjegjësi të madhe për të gjitha ato dobësi që vërehen në organizatat e Partisë të këtyre ndërmarrjeve, ashtu dhe në organizatat e Partisë të Kufirit e të Degës së Punëve të Brendshme. Ai vetë ka manifestuar mungesë vigjilence dhe kontrolli si ndaj organizatës-bazë dhe organeve të Punëve të Brendshme, jo vetëm për këtë rast, por dhe për ngjarje të tjera në Portin e Durrësit. Për këto propozojmë të ndëshkohet me masën “vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit”.
- Shoku Agron Tafa, si kryetar i Degës të Punëve të Brendshme në Durrës, me sa del, nuk ka nxjerrë mësime nga analiza që i bëri Sekretariati i Komitetit Qendrorë të Partisë, punës së tij kur ishte në Tiranë dhe nga ngjarjet e mëvonshme në Durrës e gjetkë. Ka bërë punë të pa thelluar në zotërimin e situatës operative. Janë vënë re përsëri shfaqje të liberalizmit e të mungesës së kontrollit ndaj vartësve, dobësi në bashkëveprimin dhe marrjen e masave të plota me levat e Partisë, në ruajtjen e mbrojtjen e Kufirit, mangësi në zbulimin dhe parandalimin e veprimtarisë armiqësore të fijeve aktuale të agjenturave të huaja. Nuk ka marrë masa të plota për zbulimin e parandalimin e tentimeve dhe arratisjeve nëpërmjet mjeteve të lundrimit. Për të gjitha këto, propozojmë që të shkarkohet nga detyra që ka.
- Shokët Ferit Zeneli e Enver Pata (komandant e komisar të Komandës së Forcave të Kufirit) nuk i kanë vlerësuar me seriozitetin e duhur këshillat, paralajmërimet dhe masat që u ka dhënë Partia për dobësitë e vërtetuara në forcat e kufirit. Ata kanë pasur shfaqje e qëndrime liberale në ushtrimin e ndihmës e të kontrollit ndaj organeve e reparteve në bazë. Kontrolli e kërkesa e llogarisë ndaj kuadrove të Komandës së Kufirit në qendër ka qenë i dobët. Kanë manifestuar kuptime të ngushta e shfaqje të formalizimit, të shabllonizmit e cektësi në organizimin e kryerjen e shërbimit të kufirit dhe të Portit Detar. Ka shfaqje të globalizmit, të rutinës e të njëanshmërisë në ndjekjen e detyrave. Për këtë propozojmë që të ndëshkohen me “vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit” dhe të paralajmërohen që të forcojnë gjithë punën e regjimit në kufi.
- Për këtë ngjarje, përgjegjësi të rëndë mbajnë dhe shokët më me përgjegjësi në Ministrinë e Punëve të Brendshme, veçanërisht ata të drejtorisë së I-rë të Sigurimit të Shtetit dhe ata të Komandës e Shtabit të Forcave të Kufirit, të cilët të paralajmërohen dhe të analizojnë me ndjenjë të lartë përgjegjësie këto ngjarje e të marrin masa për të forcuar punën dhe kontrollin në të gjithë aparatin dhe organet e repartet vartëse, duke vendosur një disiplinë të fortë ushtarake në të gjithë punën e tyre./Memorie.al
SEKRETARI I KOMITETIT QENDROR TË PPSH
SIMON STEFANI
Tiranë, më 13.1.1989
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016