• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Tuesday, May 12, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Në Bashkimin Sovjetik, u botuan 36 milionë kopje të romanit ‘Si u kalit çeliku’ të Nikolae Ostrovskit, breza të tërë u rritën duke patur Pavël Korçaginin si model dhe…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

“Në Bashkimin Sovjetik, u botuan 36 milionë kopje të romanit ‘Si u kalit çeliku’ të Nikolae Ostrovskit, breza të tërë u rritën duke patur Pavël Korçaginin si model dhe…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Në letërsinë gjermane naziste, Hitleri portretizohet si Mesia i ri, si shpëtimtar, si Krishti i shekullit tonë, të cilit të gjithë duhet t’i binden verbërisht…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Në Bashkimin Sovjetik, u botuan 36 milionë kopje të romanit ‘Si u kalit çeliku’ të Nikolae Ostrovskit, breza të tërë u rritën duke patur Pavël Korçaginin si model dhe…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Në Bashkimin Sovjetik, u botuan 36 milionë kopje të romanit ‘Si u kalit çeliku’ të Nikolae Ostrovskit, breza të tërë u rritën duke patur Pavël Korçaginin si model dhe…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Në Kongresin I-rë të Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, më 17 gusht 1934, A. Zhdanovi do të deklarojë: Nuk ka pasur asnjë letërsi, përveç asaj sovjetike, që…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Në Kongresin I-rë të Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, më 17 gusht 1934, A. Zhdanovi do të deklarojë: Nuk ka pasur asnjë letërsi, përveç asaj sovjetike, që…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Nga Bashkim Trenova

Pjesa e nëntë

                                      NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET

                                                           PARATHËNIE

Gjithashtu mund të lexoni

“Gjenerali De Gaulle do të konsiderojë të pavlefshme dhe të paqenë rrëzimin e Mbretit Zog i I-rë i shqiptarëve nga italianët, pasi ata…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, Thomas Frashëri

“Në Kongresin I-rë të Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, më 17 gusht 1934, A. Zhdanovi do të deklarojë: Nuk ka pasur asnjë letërsi, përveç asaj sovjetike, që…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.       

                                                              Vijon nga numri kaluar

Në vitin 1936, ndërsa lundronte me një cisternë në Detin Kaspik, shkrimtari Juri Krimov, i “frymëzuar” nga Stakanovi shkruan romanin “Tanker Derbent”. Autori tregon historinë e marinarëve të Detit Kaspik, të punëtorëve të cisternave të naftës, të inxhinierëve, etj., që pas lindjes së lëvizjes ‘stakhanoviste’, zbatojnë me entuziazëm planet e para pesëvjeçare. Romani tregon procesin e formimit të “njeriut të ri”, të personalitetit të tij në kushtet e ndërtimit socialist. Kështu, Basovi, një anëtar i zakonshëm i Partisë, shndërrohet në një udhëheqës të talentuar të masave punonjëse. Në prova të vështira, duke u ndeshur me flakët, duke rrezikuar edhe jetën, ekipi i “Tanker Derbent”, bëhet edhe më i fortë.

Në janar 1939, për arritje të jashtëzakonshme në zhvillimin e letërsisë artistike, shkrimtarit iu dha “Urdhri i Flamurit të Kuq të Punës”. Bazuar në “Tanker Derbent”, Krimovi së bashku me dramaturgun M. Ottem, shkroi një pjesë, e cila u shfaq premierë në korrik 1939 në Teatrin Qendror të Transportit Ujor. Në vitin 1940, libri u botua në anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Në të njëjtin vit, regjisori A. Fainzimmer dhe skenaristi S. Ermolinsky, filluan punën për skenarin e filmit “Tanker Derbent”, i realizuar në maj 1941. Ky roman i Krimovit, u botua rreth 20 herë dhe u përkthye në shumë gjuhë të huaja.

Më i spikaturi si tip i këtij romani është, ndoshta, ai i Nikolai Ostrovskit, “Как закалялась сталь” (“Si u kalit çeliku”) i shkruar në vitet 1930-1934. Ky roman autobiografik tregon jetën e një njeriu shembullor sovjetik, Pavel Korçaginit. Autori përshkruan vitet 1918-‘24, formimin e personalitetit të heroit, si u përjashtua nga shkolla, si arriti të hapte rrugën e jetës, pjesëmarrjen e tij në Luftën Civile, anëtarësimin aktiv në Komsomol (organizata rinore komuniste) dhe po kështu në Partinë Komuniste. I dashuruar me një shoqe të Partisë, ai shtyp me forcën e vullnetit të tij dëshirën për t’u afruar me të. Korçagini i kushtohet punës, ndërtimit të socializmit. Ai punon shumë edhe pse i sëmurë rëndë nga tifoja. Në fund të librit, Pavli është vetëm 24 vjeç, por duket se tashmë ka jetuar një jetë të tërë. “Gjëja më e çmuar e njeriut është jeta. Ajo jepet një herë dhe është e nevojshme ta jetosh në mënyrë që të mos jetë jashtëzakonisht e dhimbshme për vitet e jetuara pa qëllim”, – thotë ai.

Romanit iu dha një karakter i veçantë heroik për faktin se Nikolai Ostrovski e shkroi atë kur ishte i sëmurë rëndë, krejtësisht i paralizuar, pothuajse i verbër dhe në prag të vetëvrasjes. Ai e diktoi romanin e tij. Gjatë ekzistencës së Bashkimit Sovjetik, u botuan 36 milionë kopje të romanit (në disa botime). Ai u përkthye gjithashtu në shumë gjuhë të BRSS-së dhe u përshtat disa herë për ekranin. Breza të tërë u rritën në vendin e sovjetëve duke patur Pavël Korçaginin si model, duke përqafuar vlerat e heroit, qëndrimin dhe idealin e tij, kurajën, dashurinë deri në fanatizëm ndaj punës, qëndrimin e ashpër ndaj vetes, mospajtimin dhe papërkulshmërinë ndaj armikut, ndaj tradhtarëve, deri në fundin e tyre. Nikolai Ostrovski dhe heroi i tij, Pavel Korçagini, u shërbyen si simbole të brezit të Luftës Civile dhe të ndërtimit socialist.

Një tjetër shkrimtar sovjetik, Aleksandër Avdenko, është vetë shembulli i riedukimit të një krimineli, përmes punës, në një “Njeri të ri”. Kjo është tema e “Я люблю” (“Unë dashuroj”) botuar në vitin 1933. Edhe ky roman në pjesën më të madhe ka karakter autobiografik. Kjo gjë kuptohet edhe nga deklaratat e mëvonshme publike të shkrimtarit. Ai vetë ka pohuar: “Pak nga pak u bëra një kafshë njerëzore. Ky lloj i dykëmbëshit është më i tmerrshmi nga kafshët e egra. Nuk më mbeti asgjë: as dashuri, as mirësi, as ndjeshmëri, as keqardhje, as dhembshuri”.

Në romanin e tij, Avdenko i kundërvë të kaluarës së tij prej ferri të ardhmen rrezatuese që po ndërtohet në Magnitogorsk. Heroi i romanit, Sania (shkurtim i emrit Aleksandër) pasi ka humbur të gjithë familjen, viktimë e varfërisë, shfrytëzimit dhe alkoolizmit, bëhet një gangster, vjedhës dhe i droguar. I vendosur në një jetimore (detdom) ai revoltohet, arratiset, fillon të vjedhë përsëri, plaçkit trenat, vret bashkëpunëtorin e tij, kapet gjysmë i vdekur nga një komunitet i ish-besprizornikëve (pedagogjia e të cilëve është frymëzuar nga ajo e Makarenkos). Në vazhdim kryen studimet, pranohet në Komsomol dhe shkon të punojë në një kantier ndërtimi në Magnitogorsk, në 1931.

Nga ndihmës mekanik, bëhet shpejt mekanik, tregon heroizëm në punë. E ardhmja e ndritur i shfaqet si në një ëndërr utopike. Romani, i cili nis me shpërbërjen e një familjeje të klasës punëtore para Revolucionit, përfundon me lindjen e një familjeje të re socialiste. Edhe jeta e fshatarësisë, tipat, personazhet, problemet e fshatit, i kanë tërhequr gjithmonë shkrimtarët rusë. Nga fundi i viteve ’20-të të shekullit XX-të, letërsia sovjetike, përveç luftës dhe industrializimit socialist, i kushtohet kolektivizimit në fshat. Dihet se autorë të mirënjohur të kohës së para Revolucionit të Tetorit: Turgenievi, Tolstoi, etj., kanë trajtuar figurën e fshatarit rus dhe jetën e fshatit rus në veprat e tyre. Turgenievi ka shkruar

“Записки охотника” (“Tregimet e një gjuetari”) ndërsa Tolstoi “Война и мир” (“Lufta dhe Paqa”) dhe “Анна Каренина” (“Ana Karenina”). Mund të vihet re, sidomos tek Tolstoi, një tablo e familjes fshatare krejtësisht e bashkuar nga puna në natyrë, një familje solidare në zinxhirin e së cilës çdo anëtar ka vendin e tij. Fshati në veprën e Tolstoit është një mikrokozmos i lumtur, i shëndetshëm dhe i pastër i “njeriut primitiv”. Sidoqoftë, sipas kritikës sovjetike edhe artistët më të mëdhenj para revolucionit nuk arritën të dallonin forcën e pamasë shpërthyese të akumuluar nga fshatarësia ruse gjatë shekujve të shtypjes. Këtë mundësi ia dhanë asaj bolshevikët dhe jeta e re kolkoziane! Gjithnjë sipas kësaj kritike dhe krijimtarisë letrare e artistike të kohës, askush nuk e vuri re që në mjedisin fshatar rus mund të lindte një Çapajev.

E megjithatë ai lindi! Kështu, që nga fillimet e saj, letërsia sovjetike u popullua me një sërë personazhesh fshatarë të një lloji të ri, super-heronj të punës, super-heronj të betejave. Vasil Çapajevi është ndoshta më i shquari i kësaj linje. Nuk është një personazh imagjinar, por një hero i luftës civile, që shkrimtari Dimitri Furmanov e solli në jetë në një roman-kronikë të titulluar “Чапаев” (“Çapajev”). Furmanovi, vetë me origjinë fshatare, në janar 1919 u nis për në frontin e Uralit për të luftuar admiralin carist Kolçak. Aty ai takohet me heroin e ardhshëm të romanit të tij, i cili në atë kohë komandonte një divizion të Ushtrisë së Kuqe të përbërë kryesisht nga fshatarë kryengritës. I dërguar në këtë divizion si komisar, Furmanovi do të jetojë dhe do të luftojë së bashku me Çapajevin për gjashtë muaj, pothuajse deri në vdekjen e këtij të fundit.

Çapajevi, sikurse e përshkruan Fourmanovi, është njëlloj super meni, bir i mjedisit të tij fshatar, tiparet më tipike të të cilit i mishëron. Romani, në kornizat e Realizmit Socialist, vlerësohet si një libër kushtuar popullit revolucionar, krijues i vetëm i historisë së tij dhe i heronjve të tij. Që në faqet e para të romanit, Furmanovi jep një portret të përgjithshëm, të gjallë, të burrave dhe grave, që luftojnë krahas Çapajevit dhe që e adhurojnë atë. Ata paraqiten të ashpër, entuziastë dhe të gatshëm për t’u përleshur me forcat e shtypjes, të gatshëm për të dhënë edhe jetën për revolucionin. Në ditarin e tij, komisari Furmanov shkruan për udhëheqësin fshatar autodidakt, duke zbuluar “çfarë personaliteti, çfarë figure origjinale, plot ngjyra, është ai në sfondin e fshatarësisë kryengritëse”!

Romani është realizuar si film dhe është një lloj mesazhi ideologjik. Ndërkohë që njerëzit ishin ende në një gjendje kaotike si pasojë e përmbysjes së carizmit, pasojave të Luftës Civile dhe ardhjes në pushtet të sovjetëve, libra si ky i Furmanovit i kujtonin lexuesit sakrificat e bëra për një të ardhme të ndritur, apo për parajsën socialiste, që duhej ndërtuar. Bolshevikët u kërkojnë shkrimtarëve të pasqyrojnë në krijimtarinë e tyre jetën kolkoziane, të marrin pjesë personalisht jo vetëm në ndërtimin e socializmit në qytet, por edhe në fshat, d.m.th. të ekzaltojnë jo vetëm projektet e para të industrializmit të vendit, por edhe “jetën e re” në fshatin kolkozian. Muzhiku, sipas mendimit bolshevik, duhet të përfaqësojë kolkozianin e fortë, birin e revolucionit, thënë ndryshe, një “muzhik sovjetikus” me drapër në dorë, që përqafon stakanovizmin dhe që është solidar me punëtorin muskuloz, i cili mban lart kazmën në dorën e tij.

Gjatë viteve 1921-1926, shumë shkrimtarë sovjetikë si Leonid Leonovi, Isaac Babeli, Lidia Seifoullina etj., shkruajnë mbi lindjen e nocioneve të reja të moralit në mjedisin fshatar, kundër mënyrës patriarkale të jetesës dhe mbi luftën e ashpër midis fshatarëve të varfër dhe fshatarëve të pasur, kulakëve. Në krijimtarinë e tyre, fshatarët mbrojtës të revolucionit, dallohen nga kulakët dhe sabotatorët, sepse ata aspirojnë për një “jetë të vërtetë”, ata afirmojnë dinjitetin njerëzor. Më pas, në vitet 1928-1932, Nikolai Kotchine, Kouzma Gorbounovi, Ivan Makarovi, Vassili Koudachevi, Fedor Panferovi, etj., do të shkruajnë një seri punimesh për kolektivizimin. Në thelb, ata pasqyrojnë fazën fillestare të tij. Ngjarjet vendimtare të viteve të kolektivizimit do të trajtohen nga Shollohovi.

Mihail Shollohovi ka botuar në vitin 1932 edhe romanin “Поднятая целина” (“Tokat e çara”) kushtuar kolektivizimit të tokave bujqësore në rajonin e Donit. Romani bën fjalë për një fshat kozak nga janari deri në korrik të vitit 1930. Pushteti sovjetik ka vendosur që tokat e Donit të kolektivizohen pa vonesë. Është një moment vendimtar i atij, që është quajtur “Revolucioni i Dytë”, që filloi me fushatën bolshevike të vitit 1929, me entuziazmin e pompuar dhe ëndrrat për një të ardhme, që i premtohet dhe i përcillet gjithnjë vetëm brezit tjetër, me kontradiktat e tij, që u shoqëruan me krime dhe egërsi të pabesueshme.

Shollohovi, pa ngurruar, pasqyron vendimet e Partisë edhe pse instinktivisht ai e kupton fshatarin kozak, i cili është i gatshëm më parë të vdesë se sa të pranojë kolektivizimin. Ai thekson në roman zemërimin e popullit kundër kulakëve. Për të, kolektivizimi është vazhdimi i drejtpërdrejtë i revolucionit dhe i luftës civile: rishikim i psikologjisë së pronarit, kërkimi i një organizimi të drejtë të punës kolektive, lindja e standardeve të reja morale. Në roman vepron edhe një personazh negativ, një ish-bielogardist, që nxit rebelim dhe mosbindje.

“Поднятая целина” është një roman i veçantë, që kalon edhe sot si një kryevepër e Realizmit Socialist. Leximi i tij u bë, pothuajse, i detyruar për drejtuesit e kolkozeve dhe të sovkozeve apo fermave shtetërore. Ky roman, si dhe krijime të tjera të botuara nga shkrimtarët sovjetikë të kohës, shquhet jo për atë që përshkruan, për atë që jep, por për atë që fsheh, për atë që hesht: kundërshtimin e kolektivizimit nga fshatarësia ruse, terrorin e ushtruar ndaj saj dhe urinë masive, pas krijimit të kolkozeve, faktin se një fshatar kolkozian nuk kishte të drejtë të pajiset me një pasaportë dhe se pa këtë pasaportë ai nuk kishte të drejtë të zhvendosej për të banuar dhe për të punuar në qytet, se ai ishte njëlloj bujkrobi i shtetit të diktaturës së proletariatit, i lidhur fatalisht me kolkozin.

Shollohovi i shërbeu pushtetit sovjetik në mënyrë shembullore, me një përkushtim të palëkundur ndaj ideve komuniste, duke dënuar kundërshtarët, duke kërkuar eliminimin e tyre dhe duke mallkuar Perëndimin “imperialist dhe të kalbur”. Librat e tij u bënë objekte diskutimi publik në uzina dhe kolkoze. Ata shërbyen edhe si tekste referimi për shkrimtarët e rinj besnikë ndaj normave të Realizmit Socialist. Duhet shtuar, më në fund, se ai besonte në një “të ardhme më të mirë”, por kur shpresat për këtë të “ardhme” u zhdukën, Shollohovi pothuajse u zhduk nga jeta letrare. Ai u tërhoq në fshatin e tij Viochenskaja, një emër ky po aq i rëndësishëm, siç qe edhe Yasnaja Poliana në kohën e Tolstoit.

Për të patur, ndoshta, një ide më të plotë për rolin e letërsisë sovjetike të realizmit socialist dhe kushtet e ekzistencës së saj, mund të përmenden edhe disa tituj artikujsh të botuara në shtypin e kohës. Ata dëshmojnë mbi rolin e gardianit të burgut, të inkuizitorit mesjetar, që luan pushteti sovjetik ndaj letërsisë. Ja disa shembuj: “Kozmopolitët e shkencës dhe letërsia” (A.Tarasenko, Novy mir, 2, 1948) : “Romani historik dhe kritika e tij”, ( F.Aleksandrova, Novy mir, 8,1948): “Letërsia sovjetike, flamur mbajtëse e patriotizmit sovjetik”, (N.Masslin, Oktiabr, 11, 1948), “Kundër estetizmit antipatriotik dhe formalizmit në poezi” (A. Dementiev, Zvezda, 3, 1949, “Për frymën e Partisë në dramaturgjinë kritike” (A.Pereventsev, Oktiabr, 02, 1949, “Kundër mbijetesës së formalizmit dhe objektivizmit borgjez” (I.Grinberg, Znamia,11: 1949), “Për një kritikë të papërkulur dhe objektive” (V.Novikov, Zvezda, 5, 1950), “Mbi disa gabime në shkencën e letërsisë” (A. Belik, Oktiabr, 2, 1950), “Puna kërkuese në poezinë e ditëve tona” (B.Soloviev, Zvezda, 1-2, 1952), “Të ngremë nivelin artistik dhe ideologjik te veprave të letërsisë sovjetike” (V. Ivanov, Znamia, 12, 1952).

Sigurisht, nuk mund të thuhet se të gjithë shkrimtarët sovjetikë e kanë shtrirë hapin sipas ritmit të marshit të Kremlinit. Jo të gjithë u shpërblyen, gëzuan privilegje, u dekoruan, fituan buzëqeshjen e lavdet e krerëve bolshevikë. Vladimir Lenini, në një fjalim të mbajtur me 3 nëntor 1920 në Konferencën e Përgjithshme të Organeve të Arsimit Politik pranë seksioneve të arsimit popullor të Gubernave dhe Ujezdeve të Rusisë ka theksuar: “…duhet që çdo njeri të marrë ose këtë anë, anën tonë, ose tjetrën. Të gjitha përpjekjet për të mos marrë asnjërën anë, as tjetrën, përfundojnë me dështim e skandal”. Shkrimtarët e pas Revolucionit, që nuk u rreshtuan në asnjërën anë, apo më saktë, që nuk shërbyen, për arsye të ndryshme, si “inxhinierë të shpirtit”, që nuk sinkronizuan frymëzimin e tyre me tingujt e orës së Kremlinit, u kërcënuan dhe u lanë të papunë, përballuan shpifjet, kampet dhe burgjet, spitalet psikiatrike, emigruan apo edhe u dëbuan nga atdheu i tyre, u vetëvranë ose u vranë.

Thuajse menjëherë pas Revolucionit të Tetorit, gjatë viteve të Luftës Civile, në vitin 1919, emigroi në Francë shkrimtari Kuprine Aleksandër Ivanoviç. Ai vdiq në varfëri të plotë në vitin 1937. Shkrimtari, romancieri, novelisti, poeti, përkthyesi dhe kritiku letrar, Vladimir Nabokovi largohet nga vendi më 15 prill 1919. Ai kalon fillimisht nga Greqia në Francë, më pas në Britani dhe në Gjermani për t’u vendosur përfundimisht në SHBA-ës. Dimitri Merejkovski, i njohur kryesisht si autor i romanit historik, një nga shkrimtarët më të famshëm të fillimit të shekullit XX, braktis Rusinë në dhjetorin e vitit 1919 për tu vendosur fillimisht në Varshavë dhe, më pas, në Paris. Poetesha Zinaida Hipius dhe shkrimtari Dimitri Merejkovski (bashkëshorti i saj) emigruan në vitin 1920 fillimisht në Poloni dhe më pas në Francë. Gjatë këtij viti kalon në emigracion edhe Ilia Zdaneviçi.

Në janar të vitit 1920 braktis vendin për t’u vendosur në Francë Ivan Bunini një nga shkrimtarët më të mëdhenj të prozës ruse të shekullit XX, fitues i parë i ardhshëm i çmimit “Nobel” për letërsinë ruse. Pas Revolucionit të Tetorit braktis vendin dhe vendoset kryesisht në Francë edhe poeti Konstandin Balmonti. Poeti dhe historiani Ilia Zdaneviç emigron në vitin 1920 dhe pas një qëndrimi të shkurtër në Stamboll, vendoset në vitin 1921 në Francë, në Paris. I ndjekur nga Tcheka, pasi iu ndalua e drejta e botimit, i zhgënjyer nga pasojat e revolucionit bolshevik, largohet për në Gjermani në vitin 1921 poeti dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj rusë të shekullit XX, Andrei Bieli.

Në vitin 1922 do të emigrojnë edhe poetët Vladislav Khodaseviç, Marina Tsvetaeva dhe Georgi Ivanov. Më pas do të largohet edhe poeti Viatsheslav Ivanov. Në vitin 1922 Lenini dëbon nga Rusia 150 intelektualë. Midis tyre është edhe shkrimtari dhe gazetari Mikhail Osorguine, që vendoset fillimisht në Berlin, pastaj në Francë. Në Francë emigron në vitin 1922 edhe poeti Vladislav Khodaseviç. Shkrimtari, romancieri, novelisti, dramaturgu, përkthyesi, Boris Zaitsev, largohet përfundimisht nga Rusia në vitin 1922 për tu vendosur edhe ai në Francë në vitin 1923. Mikhaïl Petrovitch Artsybachevi emigron në Poloni po gjatë këtij viti. Nikolai Berdiaevi, shkrimtari më i lexuar nga emigracioni rus, dëbohet nga Bashkimi Sovjetik gjithashtu në vitin 1922. Mihail Osorgini dëbohet, gjithashtu, në vitin 1922.

Vladislav Khodaseviçi emigron në vitin 1922. Në vitin 1923 vendosen në Francë edhe shkrimtarët Ivan Chmeliov dhe, pas një qëndrimi në Berlin, edhe Aleksei Remizov. Shkrimtari, poeti dhe publicisti Mikhail Artsibaçev do të emigrojë po gjatë këtij viti në Poloni, ndërsa Lev Natanoviçi, shkrimtar dhe dramaturg, do të emigrojë në Gjermani. Pasi iu ndalua botimi, i akuzuar për “antisovjetizëm”, pas një qëndrimi në Berlin në vitin 1931, emigron në Francë Evgeni Zamiatin. Në vitet në vazhdim, të tjerë shkrimtarë u dëbuan apo u larguan nga vendi i sovjetëve. Poeti Aleksandër Galiç emigroi edhe ai në Francë, ndërsa Lev Kopelevi në Zvicër. Pasi largohet me djalin e tij për në Marsejë, në vitin 1940, poeti Viktor Serge, vendoset në Meksikë ku edhe vdes në vitin 1947 në skamje të thellë dhe në kushte të dyshimta, sikurse është pranuar pothuajse përgjithësisht, nga duart e agjentëve sovjetikë.

Në qershorin e vitit 1973 Vladimir Maksimo, pasi u dëbua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe pasi kaloi disa muaj në një “shërbim” psikiatrik, largohet për t’u vendosur në Paris. Në vitin 1974, Vladimir Vojnoviçi pasi ju hoq qytetaria sovjetike, largohet për t’u vendosur në Gjermani, në Stockdorf. Në vazhdim edhe Aleksandër Zinovievi, pasi u gjykua si “antisovjetik” dhe si mos respektues i normave ideologjike, pasi u përjashtua nga Partia dhe iu hoqën të gjithë titujt shkencorë dhe dekoratat ushtarake, pasi u përjashtua nga Instituti i Filozofisë së Akademisë së Shkencave dhe ju konfiskua pasaporta, emigroi për tu vendosur me familjen në Gjermani, në Munih. Duke përmendur vetëm këta autorë, sigurisht që tabloja e shkrimtarëve apo poetëve, që emigruan gjatë diktaturës së proletariatit, nuk është e plotë. Ajo mund të “pasurohet” me dhjetëra e dhjetëra të tjerë që u larguan nga Bashkimi Sovjetik në vitet 1970-1990 dhe më pas. Bolshevizmi përplasi burgjeve dhe kampeve të përqendrimit, apo sikurse njihen botërisht, “gulagëve”, ekzekutoi fshehurazi dhe haptazi, me gjyqe të montuara, shumë krijues të letrave. Disa poetë dhe shkrimtarë të tjerë të njohur, që nuk u larguan apo nuk mundën të largoheshin, kaluan në vetëvrasje ose u vranë nga diktatura. / Memorie.al

                                                      Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Pas torturave çnjerëzore të krye-hetuesit të Elbasanit, Th. C. që më binte kërcinjëve të këmbëve me majat e këpucëve, 15-të ditë rresht, shefi i Degës Shim Kolli, më...”/ Dëshmia e ish-të burgosurit, Kristo Mema

Next Post

“Gjenerali De Gaulle do të konsiderojë të pavlefshme dhe të paqenë rrëzimin e Mbretit Zog i I-rë i shqiptarëve nga italianët, pasi ata...”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, Thomas Frashëri

Artikuj të ngjashëm

“Gjenerali De Gaulle do të konsiderojë të pavlefshme dhe të paqenë rrëzimin e Mbretit Zog i I-rë i shqiptarëve nga italianët, pasi ata…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, Thomas Frashëri
Dossier

“Gjenerali De Gaulle do të konsiderojë të pavlefshme dhe të paqenë rrëzimin e Mbretit Zog i I-rë i shqiptarëve nga italianët, pasi ata…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, Thomas Frashëri

May 11, 2026
“Në Kongresin I-rë të Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, më 17 gusht 1934, A. Zhdanovi do të deklarojë: Nuk ka pasur asnjë letërsi, përveç asaj sovjetike, që…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Në Kongresin I-rë të Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, më 17 gusht 1934, A. Zhdanovi do të deklarojë: Nuk ka pasur asnjë letërsi, përveç asaj sovjetike, që…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 11, 2026
“Fatkeqësisht, disa elementë shqiptarë, kanë qenë bashkëpunëtorë të denjë në shërbimet sekrete kundër-zbuluese dhe zbuluese të Jugosllavisë, pasi ata…”/ Dëshmia e rrallë e ish-oficerit të UDB-së
Dossier

“Shërbimi i Kundërzbulimit të UDB–së, kishte arritur të realizojë kontrollin e plotë mbi politikën tonë të jashtme ndaj Shqipërisë…”/ Ana e panjohur e raporteve shqiptaro-jugosllave para viteve ’90-të,

May 9, 2026
“Romani ‘Në transhetë e Stalingradit’ u botua në revistën moskovite ‘Znamja’ me titullin ‘Stalingrad’, por ai u nënshtrua një kritike të fuqishme zyrtare…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Romani ‘Në transhetë e Stalingradit’ u botua në revistën moskovite ‘Znamja’ me titullin ‘Stalingrad’, por ai u nënshtrua një kritike të fuqishme zyrtare…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 11, 2026
“Tani, si do të bëjmë me Bedri Spahiun, do ta mbajmë brenda apo do ta lirojmë? Unë e bisedova edhe me Mehmetin, edhe me Tishenkon, i cili…”/ Diskutimi i Enver Hoxhës në Byro pas Konferencës së Tiranës në ’56-ën
Dossier

“Tani, si do të bëjmë me Bedri Spahiun, do ta mbajmë brenda apo do ta lirojmë? Unë e bisedova edhe me Mehmetin, edhe me Tishenkon, i cili…”/ Diskutimi i Enver Hoxhës në Byro pas Konferencës së Tiranës në ’56-ën

May 9, 2026
“Patronët e Realizmit Socialist, i kanë ngritur njëlloj kulti Dostojevskit dhe Biblioteka ‘Lenin’ e Moskës, Biblioteka e Leningradit, organizuan…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Patronët e Realizmit Socialist, i kanë ngritur njëlloj kulti Dostojevskit dhe Biblioteka ‘Lenin’ e Moskës, Biblioteka e Leningradit, organizuan…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 10, 2026
Next Post
“Gjenerali De Gaulle do të konsiderojë të pavlefshme dhe të paqenë rrëzimin e Mbretit Zog i I-rë i shqiptarëve nga italianët, pasi ata…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, Thomas Frashëri

“Gjenerali De Gaulle do të konsiderojë të pavlefshme dhe të paqenë rrëzimin e Mbretit Zog i I-rë i shqiptarëve nga italianët, pasi ata...”/ Refleksionet e studiuesit të njohur, Thomas Frashëri

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme