Nga Gilmana Bushati
Pjesa e tretë
– Intervistë me historianin Ndue Oroshi, Nënkryetar i Shoqatës se Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit” –
Z. Oroshi, a mendoni se një qëndrim i tillë i studiuesve shqiptarë në Shqipëri ndaj zotit Xhafer Deva, por edhe ndaj zotit Mitrovica, mbahen edhe për faktin se ata janë kosovarë?
Këtu që në fillim dua t’ju bëj një korrigjim. Kombi shqiptar është një dhe nuk janë dy kombe, nuk janë dy popuj por jemi një, të gjithë shqiptarë pavarësisht se në cilin cep apo pjesë të Shqipërisë Etnike jetojmë. Unë nuk mendoj kështu, se ky qëndrim mbahet pse janë shqiptarë nga Kosova, por ky qëndrim ndaj tyre dhe ndaj mbarë nacionalizmës shqiptare, mbahet për faktin se një pjesë e mirë e studiusve janë prodhim i shkollës së Moskovit (Moskës), në Shqipëri dhe asaj të Beogradit në Kosovë.
Për këtë atdhetari, poeti dhe shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave At Gjergj Fishta jonë i madh, e kishte parashikuar dhe profetizuar komunizmin me këto vargje: ”Shka të lanë këta katër ujq / që i turren shoqi shojt/ thonë do të dalë një djallë i kuq /që pa u dhimb do t’ja njis thojtë/ atdhetarët do t’i çojnë drejt çengelit /ndërsa ata që i shpëtojnë çengelit /merr e i çon n’shkollë t’gabelit”. Ky ishte profetizimi i Fishtës tonë.
Ky qëndrim i një pjese të studiuesve shqiptarë me mendësi komuniste ndaj atdhetarëve Xhafer Deva dhe Rexhep Mitrovica, është për faktin se ata historianë dhe studiues, kanë mbetur të kuqë si molla e rremit, dhe skanë ndryshuar fare, ata të njëjtin qëndrim e mbajnë edhe për Kapidan Dr. Mark Gjon Markun, edhe për Mit’hat Frashërin edhe për Isuf Luzajn edhe për Halim Begejën, edhe për Xhemë Gostivarin, për Prenk Calin, dhe shumë atdhetarë tjerë. Besoj se gjenerata e re e historianëve do ta shkruajnë historinë ashtu siç ka ndodhur, dhe jo ashtu siç kanë dëshirë disa të ket ndodhur.
Së fundmi historiani Arben Puto, sjell një libër ku u ka vënë nga një përcaktues për Fishtën, Frashërin, Koliqin, Devën, Mitrovicën, etj., si kolaboracionistë, bashkëpunëtorë të fashizmit, të nazizmit etj. Cila është pikëpamja juaj për këto figura dhe të tjera sa i takon bashkëpunimit me këto regjime?
Personalisht ende nuk e kam parë këtë libër që në bazë të pyetjes del se është vazhdimësi e librave të falsifikuara që shkruan zoti Puto. Ta them të drejtën, këto nuk janë libra historik, por janë libra ideologjik. Në këtë aspekt zoti Puto si jurist i shkolluar në Rusi, për të drejtën ruse ka një përvojë shumë të madhe. Sepse, ne të gjithë e dimë se në Rusi kurrë nuk ka pasë drejtësi, ndërsa edhe sot e asaj dite nuk ka drejtësi, dhe Rusia është shteti më armik i shqiptarëve, së bashku me vëllain e vogël Serbinë, në të gjitha kohërat. Edhe zoti Puto është prodhim i mentalitetit të shkollës ruse, që si duket nuk ka ndryshuar fare në krahasim me disa studiues të tjerë të cilët vërtetë e kanë korrigjuar vetveten dhe po punojnë nëpër arkivat perëndimore dhe me zell po e studiojnë historinë shqiptare.
Nuk diskutohet fakti se këto personalitete të nderuara e të përmendura negativisht nga historia ideologjike komuniste, të kenë bashkëpunuar me forcat gjermane për të mirën e popullit shqiptar. Dhe, tani unë si historian i ri dhe i pa indoktrinuar, do ta bëj një analizë të dyanshme dhe pa asnjë anim rreth këtyre dy grupeve politike shqiptare që u krijuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, grupit politik komunist dhe grupit politik nacionalist.
Së pari po e filloj tek nacionalistët:
- Ata bashkëpunuan me forcat gjermane për shkakun se më tepër se gjysma e trojeve etnike Shqiptare ishin nën okupimin klasik të ish mbretërisë Jugosllave, dhe, shfrytëzuan thënien e vjetër popullore, se “armiku i armikut tim, është miku im”.
- Në këto rrethana politike bashkuan Kosovën dhe viset e tjera shqiptare me Shqipërinë; formuan një Qeveri të Përbashkët, një Parlament të përbashkët.
- Për herë të parë në Kosovë u hapën shkollat shqipe me përpjekjet e ministrit të Arsimit, profesor Ernest Koliqit dhe atdhetarëve tjerë, komplet administrata u mbajt në gjuhën shqipe, sepse mos të harrojmë faktin se vetëm disa vite më herët, vetëm e vetëm se iu mësonte fëmijëve shqiptarë alfabetin e gjuhës shqipe, ishte vrarë mizorisht nga forcat okupuese serbo-sllave, atdhetari atë Shtjefën Gjeçovi.
- Forcat atdhetare shqiptare krijuan Lidhjen e Dytë të Prizrenit, Ballin Kombëtar, Grupin Nacional Independent, Besën Kombëtare dhe shumë organizata tjera politike, ku me pushkë në dorë mbrojtën kufirin etnik shqiptar, për mos depërtimin e forcave çetnike të Drazha Mihajlloviqit në Kosovë dhe viset tjera shqiptare.
- Këto forca orientimin politik e kishin në ndërtimin e shtetit me koncepte perëndimore, pluralizëm, demokraci, zhvillimin e shtetit përmes bashkëpunimit më ekonominë perëndimore, pikërisht atë që po e kërkojnë sot shqiptarët në demokracinë moderne, integrimin e shtetit shqiptar në Evropë.
Ndërsa Komunistët e bënë të kundërtën:
- Bashkëpunuan me ruso-jugosllavët dhe Partia Komuniste e Shqipërisë, si dhe Partia Komuniste e Kosovës, u krijuan nga jugosllavët, apo siç thoshte atdhetari Prenk Cali në një dialog me komunistin Mehmet Shehu, edhe pse i zënë tradhtisht në mes të këtyre dyve, u zhvillua ky dialog: Mehmet Shehu i thotë Prenk Calit: “E more Prenk Cali, të pat ardhur koha që ta mbyllje historinë me shkronja ari, po t’u bëje me ne komunistët, pse veprove kështu”?! E vigani i Malësisë Prenk Cali, i përgjigjet: “Jo zotni, faji bie mbi ju komunistët, se ju u bëtë me armikun shekullor të shqiptarit me shkjaun”.
- Partia Komuniste e Shqipërisë i ndihmoi serbëve dhe sllavëve tjerë që ta rikthejnë Kosovën dhe viset Etnike Shqiptarë serish në ish-Jugosllavi, madje edhe me forcë duke vrarë e masakruar vëllezërit e vet shqiptarë në Kosovë dhe viset e tjera Etnike Shqiptare në ish Jugosllavi, ku vetëm në këto vise shqiptare kemi rreth 47.300 deri në 49.000 shqiptarë të vrarë, pjesa dërmuese mbetën pa varre.
- Komunistët vranë dhe prenë çdo kundërshtar politik edhe në Shqipërinë e cunguar ku kemi me dhjetëra mijëra të vrarë, intelektualë, klerikë si dhe qytetarë me ndjenja të pastra nacionaliste, dhe me dhjetëra e mijëra të tjerë të burgosur dhe të internuar.
- Komunistët krijuan shtetin njëpartiak, izoluan Shqipërinë dhe dirigjoheshin prej Beogradit dhe Moskës, dy shteteve me armike të shqiptarëve gjatë gjithë kohës. Tani dua të japë vetëm një fakt që janë pikërisht këta aleatë të komunizmit, Rusia dhe Serbia, që edhe sot e asaj dite nuk po e njohin Pavarësinë e Kosovës, që ne e konsiderojmë si fazë kalimtare drejtë Bashkimit Kombëtar.
- Komunistët shqiptarë mbyllën objektet fetare dhe u munduan ta krijojnë njeriun e ri pa komb e pa fe, pa dinjitet e pa atdhe, duke vrarë klerikët shqiptarë, dhe burgosur kundërshtarët politik, ku vetëm në Shkodër që në atë kohë kishte 40.000 (katërdhjet mijë banorë) në vitin 1946, kishte 26 burgje.
Dhe në fund, përgjigjen në këtë pyetje do ta përmbylli me një poezi të shkruar nga komandanti i luftës për Shqipërinë Etnike, Kapidan Mark Gjon Marku, i cili shkruante nga malet dhe kreshtat e Mirditës heroike, aty ku luftonte me pushkë në dorë por nuk harronte ta përdorte edhe penën, si në poezinë; “Shqipnia mbi çdo gja”, që është një thirrje dhe kushtrim për nacionalizmen shqiptare, këto vargje:
“Atje nder malet e Shqipnis
Ku shqypja rrit zogjt e liris,
Larg vales kuqe t’bolshevizimit
Larg rrenes e t’merrit t’pansllavizmit
Lanun familje braktisun shpi
Shqipnin n’zemer flamurin ngji
pushken n’tef te krahit
besimin n’Zotin
do djelma trima e kalojn motin
per ta Shqipnia asht mbi çdo gja
prandaj shqiptarit ja lshojn nji za
Shqiptar-shqiptar mos harro fenë
Nderen ta mbajsh ta duesh atdhen
Sot komunizmi don me t’korit
Ke sllavi vendin ty ta ka shit”.
Zoti Oroshi, cilat nga ngjarjet, faktet historike të Shqipërisë janë ende të errta dhe që kanë nevojë për një qartësim nga ana e historianëve?
Siç thash edhe më herët, së pari komplet periudha historike gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore duhet ndryshuar. Duhet shkruar historia ashtu siç ka ndodhur. Ndërsa kemi edhe shumë figura tjera kombëtare që ende nuk ju është dhënë vendi sa duhet në histori. Njëri ndër ta është edhe arkitekti i ndërtimit të shtetit shqiptar, Imzot Nikoll Kaçorri. Kemi edhe shumë figura tjera historike, siç është Hasan Prishtina, Zefi i Vogël, Pjetër Çeli, Prenk Bib Doda, etj.
Më tepër duhet të angazhohemi të punojmë edhe në mesjetën Shqiptare, pak është bërë deri më tani për Principatën e Artës e sidomos për kontributin e Gjin Bua Shpatës dhe Pjetër Loshës, është interesant fakti se pas shkatërrimit të kësaj Principate Arbërore, shumica e arbërorëve të Artës u vendosen në Kalabri dhe Siçili, ku edhe u krijua komuniteti arbëresh që për 500 vjet e ruajti gjuhën, traditën dhe kulturën. Por edhe më vonë pati lëvizje të popullsisë arbërore në këto vise e sidomos kur tokat arbërore ranë nën pushtimin Osman, pas vdekjes së heroit tonë kombëtar te të gjitha kohërave, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Nuk duhet harruar kurrsesi që në Historinë tonë kombëtare të zënë vend edhe një kapitull i veçantë për kontributin e Diasporës shqiptare, në të gjitha periudhat historike. Sepse, shumica e shqiptarëve edhe pse mërguan, ata me çdo mjet e ndihmuan vendin dhe sot e asaj dite vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën punë, ta ndihmojnë vendin e tyre.
A shihet e nevojshme, që edhe pse debatet i hap politika, intelektualët, jo vetëm të dy kryeqyteteve shqiptare, të mblidhen për ta rishikuar me kujdesin e duhur historinë e tyre?
Unë këtë e shoh si nevojë urgjente, që ne historianët të mblidhemi dhe në bazë të fakteve dhe argumenteve shkencore ta shkruajmë historinë tonë pa anime. Ka përfunduar koha kur dy apo tre historian kanë vendosur për çdo gjë. Tani ne historianët e rinj kemi mundësi t’i vizitojmë arkivat nga të gjitha vendet e botës; të pasurohemi me literaturë dhe dokumente të tjera të veprimtarisë kombëtare të shumë organizatave dhe partive politike shqiptare, si në Evropë ashtu edhe në Amerikë, por edhe të atyre që vepruan brenda trojeve Etnike shqiptare dhe bënë rezistencë për etninë shqiptare.
Gjithnjë duke punuar për ndriçimin e Historisë Shqiptare, kemi themeluar Shoqatën e Intelektualëve Shqiptar “Trojet e Arbrit”, që përfshinë 120 intelektualë; kemi mbajtur 13 sesione shkencore, 8 akademi dhe kemi botuar 12 vepra enciklopedike të Historisë Shqiptare, me një volum prej më shumë se 8000 faqe, e ku me punimet e tyre gjatë këtyre sesioneve shkencore janë paraqitur profesorët më eminentë të Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, të Institutit Albanologjik në Prishtinë, Institutit të Historisë në Prishtinë, studiuesit nga Arkivi i Kosovës, Muzeu i Kosovës, Akademia e Shkencave, Universiteti i Tiranës, Universiteti i Shkodrës, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Prishtinës, profesorët shqiptarë nga Maqedonia, nga Mal i Zi, Kosova Lindore, Çamëria, Evropa, Amerika dhe Australia.
Në krye të këtij organizimi është profesori i nderuar dhe vizionari i kombit shqiptar, Prof. Dr. Muhamet Shatri, ndërsa unë e kam fatin të jam nënkryetar i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit”./ Memorie.al
















