Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Kisha kohë që e pata bërë këtë intervistë. Por, koha, angazhimet, shpesh lënë diçka pas që mbetet pa u botuar, siç ngjet jo në pak raste. Nxitjen për t’u rikthyer tek ajo, e për ta botuar e mora, pas një ftese pak ditë më parë, kur e ri pashë sërish “Portreti i pambaruar”, një film me një histori me të cilën do njihemi, dhe që referohet një dashurie të viteve ‘80-të, si e përcollën protagonistët, koha, njerëzit atë. Me aktorët, regjisorin, grupin e punës, suksesin që e shoqëroi, çmimet me të cilat u vlerësua. Ishte “Jehonat e Kujtesës- Echoes of Memory”, produktorët, “Konrad Adenauer Stiftung”, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, dhe Muzeu Kombëtar i Përgjimeve –“Shtëpia me Gjethe”, që kishin organizuar këtë event, që do të rishfaqej jo në një kinema, mbrëmje, fund korriku, në një mjedis të improvizuar, si një kinema verore modeste, duke më rikujtuar ato të asaj kohe, e që lidhet me ngjarjen në film. Sërish një përjetim “live”
I atyre viteve, atij realiteti, kur gjithçka ishte e kufizuar, censuruar e palejuar deri me pasoja të rënda, që e goditi ndoqi atë dashuri pasionante. Heshtje asnjë koment, deri në përfundim të filmit, emocion, dhe largim, ndarje pa fjalë.
Ngjarja
Ernest Tushe, një djalë tiranas, në vitet ‘80-të, basketbollist, njohja me Karla Sferlazon, vajzën e ambasadorit italian në Shqipëri do të jetë e rastësishme. Duke luajtur tenis, në mjedisin dikur në krah të palestrës së Universitetit në fund të bulevardit. Pastaj frekuentimi, takimet, një ngjarje tejet e veçantë për kohën. Si vijoi dhe si përfundoi. Pak më ndryshe në film, Artur Erzeni, student në Institutin e Lartë të Artve, që premtonte për t’u bërë piktor. Pasi ka pikturuar një pejzash, duke shëtitur me shokët me biçikleta përplasen rastësisht me një vajzë, që është vajza e ambasadorit italian.
Lind një “colpo di fulmine”, një shkëndi dashurie, që vijon me disa takime. Midis dy të rinjve fillon të zhvillohet kjo ndenjë e dashurisë, por pa i shpëtuar asgjë Sigurimit të Shtetit. Ata e thërresin Arturin, për t’i thënë gjënë më të papritur për të.“Ne do ta lejojmë të vazhdojë, të shkojë përpara kjo njohje. Ti mos u druaj dil me të normalisht, se edhe Partia e lejon këtë
marrëdhënie, pasi nuk është problem politik”. Ky mbeti i habitur se nuk e priste. Dhe kjo identifikohet me ngjarjen reale, sepse në atë kohë Ernesti dilte në rrugët e Tiranës, bënin xhiro bashkë me vajën e ambasadorit, me veshje, bluza, xhinse, me biçikletën me rrota “vogka”, që për kohën tërhiqnin vëmendjen. Një strategji që Sigurimi kishte përpunuar, që referohet edhe në film: Lënia e kësaj dashurie, qëllimisht, për ta rekrutuar dhe për ta bërë Arturin bashkëpunëtor, duke i kërkuar të vendosë në studion e ambasadorit disa përgjues që ata të kishin mundësi ta dëgjonin komunikimet e tij.
Arturi nuk pranon dhe përfundimisht, e dënojmë me burg. Siç është realisht ngjarja. Më 2010, kanë kaluar 30 vite, pasi ai ka dalë nga burgu, Arturi hap një ekspozitë në Romë, ku është edhe portreti i Klarës që ai kishte filluar t’i bënte por i lënë përgjysmë si pasojë e dashurisë së copëtuar, ndërprerë në mes. E ftuar Klara vjen në ekspozitë dhe sheh portretin e saj. Këtu nis filmi, duke rrëfyer gjithë historinë e dashurisë së tyre. Për ta mbyllur po në Romë, kur ajo e martuar me një arkitekt e fton Arturin në shtëpinë e saj, në një darkë me qëllim për t’i treguar miqve pikurat e tij.
Ai nuk i premton, ndonëse ende vazhdon ta admirojë, edhe pse vitet kishin kaluar dhe ajo kishte krijuar familjen e saj. Ai vendos të mos shkojë në darkë, por me një korrier i dërgon një pako Ajo hap dhe sheh portretin e saj, tashmë i mbaruar me dedikimin: “Në kujtim të kohëve të bukura”. Dhe filmi mbyllet me Arturin duke i kthyer me avion në shtëpi, shoqëruar me këngën që dëgjonin dikur bashkë.
Namik Ajazi: “Një film që lidhet me një ngjarje të vërtetë”
“Rëndësi kishte që të gjithë personazhet, si ata shqiptarë dhe italianë, të interpretoheshin nga aktorë të njohur” – shprehet regjisori i njohur.
Z. Ajazi, si lindi idea për të realizuar një film të tillë?
Në hulumtimet paraprake të bëra në Arkivin e Sistemit, (Ish-arkivi i Ministrisë Punëve të Brendshme), rezultoi që ishin 7 dosje, me të tilla ngjarje, të lidhjeve, dashurive të djemve, vajzave shqiptare me të huaj. Por ne iu referuam asaj që kishim në projekt. Bisedova me mikun tim, të mirënjohurin Ruzhdi Pulaha, duke i ofruar të gjitha materialet që kisha. Një histori që edhe ai e kishte dëgjuar, të djalit shqiptar më vajzën e ambasadorit Italian. Dhe mbi këtë parim nisëm të ndërtonim skenarin.
Kërkohet që skenari të jetë sa më afër ngjarjes reale Që ai të realizohej sa më mirë, me drejtorin e kastit të aktorëve, Alfred Trebickën, takuam Ernest Tushen. Duke bërë shaka e treguar idenë time, I them: “Nesti, ne do sjellim historinë tënde në një film. Por do bëjmë një marrëveshje: Pa u identifikuar, që ajo është historia jote. Sepse filmi do të jetë një referim, për ato breza, me të cilët dua të bëj të njohur, vuajtjet të ngjashme me tënden”. Ramë dakord.
Faza përgatitore për filmin nis nga aktorët
Me Trebickën, në fillim kërkuam të përcaktojmë cilët do të ishin aktorët e mundshëm, të përshtatshëm. Ajo që unë dëshiroja, megjithëse buxheti mbetej problem, ishte që personazhet realë italianë, të interpretoheshin nga aktorë të njohur italianë. I pari që kishim në projekt ishte Remo Xhirone, “Tano Karridi” te “La Piovra”, një aktor potencial.
Ka një premtim që do ju shërbejë më vonë?
Remo Xhironen e pata njohur në vitin 1994, pastaj më 1997, kur i pata bërë një intervistë. Kur më 2012, ishte i ftuari special në Tiranë, në ceremoninë e dhënies së çmimeve të festivalit të filmit, në konferencën për shtyp, një gazetar e pyeti: “Zoti Xhirone, nëse do ju bëhet një ftesë për një film shqiptar, do e pranonit”? “Po- iu përgjigj ai, – një film me Namikun me kënaqësi”. Unë mbeta i hutuar, qesha, ndonëse nuk kishim asnjë projekt, dhe asnjëherë biseduar për diçka të tillë. Por e vlerësova, aprovimin, deklaratën e tij publike.
Duke u rikthyer tek filmi, si vijoi puna?
Pasi skenari përfundoi, u përkthye në italisht, shkova në Romë, takova Xhironen. “Keni bërë një premtim për të qenë pjesë e një kasti në një film timin”- i them. “Kam skenarin me vete, lexoje, do të kesh personazhin e ambasadorit italian”. Qeshi, nuk premtoi, “do ta lexoj, po më pëlqeu, do të them”. Kështu u ndamë.
Ju vjen aprovimi i shumëpritur, e prisnit?
Dy muaj më vonë, një miku im, Nino Celeste me të cilin pata realizuar filmin e parë timin “Amaneti”, më telefonoi nga Roma, dhe më thotë: “Niko, jam me Remon, që ka lexuar skenarin, e ka pëlqyer, dhe me kënaqësi do të jetë pjesë e filmit”. U mrekullova. Fola me të e falenderova. Ishte realizuar tentativa jonë, ajo ndër më të rëndësishmet.
Por…, ka një zhgënjim befasues?
Viti 2015, skenarin e përfunduar, e paraqitëm në Komisionin e Vlerësimit të Projekteve në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, në bordin e saj. Por, çuditërisht dhe fatkeqësisht skenari nuk kaloi, nuk e aprovuan, e dogjën. Ndonëse ishte një zhgënjim i madh, vendosa ta vazhdoja betejën. Komunikova me grupin italian, dhe bashkërisht e paraqitëm projektin në Ministrinë e Kulturës Italiane (MIBACT). Duke e vlerësuar filmin e investuar për të, pas dy muajve, më ftuan, dhe më informuan se e kishin aprovuar.
Vijmë te kompletimi kastit të aktorëve?
Gjërat në në mënyrë të vazhdueshme ishin problematike në zgjidhje. Duke ndjekur paralelisht punën, ajo që unë kisha merak bashkë me Fredin, ishte që personazhet italianë, që ishin katër, duhet të ishin italianë, sepse jo rrallë herë, kolegët mi ishin të detyruar, në pamundësi, qoftë edhe për buxhetet e limituara dhe faktorë të tjetër, merrnin aktorë shqiptarë që luanin të huajt. Kjo për mua nuk do të kishte sens aq më shumë për një ngjarje të tillë.
Duhen tre aktorët e tjerë italianë?
Ri kontaktova me të ndjerin Remo Xhirone dhe me Fredin shkuam, qëndruam katër ditë në Romë. Drejtoresha e casting-ut italian, Xhusi Marrone, kishte zgjedhur aktore të njohura femra, kryesisht për rolin e Klarës. Pati nga ato që ishin në “pole position” për çfarë kishin luajtur në filmat italianë. Rreth 50 vajza, kur në një çast futet Beatrice Aielo. Me kaçurrela, solare, e bukur, unë pashë në sy Fredin. Një veprim që nuk na kishte ndodhur me asnjë nga paraardhëset.
“Kjo nuk është keq”- më thotë. “Po- i përgjigjem, – ka diçka, një hije nga larg, si të Silva Turdiut”. E pamë me shumë kujdes duke e mbajtur pak më gjatë. Në përfundim, i them drejtoreshës; “do ma sjellësh edhe një herë, Beatricen, pasi te ajo na kishin mbetur sytë”? Marrone hezitoi pak, “Niko, ne kemi aktore që kanë CV shumë më të mirë se Beatricja”. – “Nuk më interesojnë, për mua ajo është e gjetura i përgjigjem. Më pas bëmë një takim të dytë, u vendos që ajo do të ishte në rolin e Klarës.
Duhet edhe një shoqe e afërt për Klarën?
Me sugjerimin e një miku tim producent i cili na propozoi për rolin tjetër, Marta Gastinin, një aktore e njohur në kinematografinë italiane edhe me disa xhirime, realizime në Holliwud. E pranueshme. Këtu e mbyllëm me casting-un Italian: Remo Xhironen dhe Vitoria Zinny të shoqen e tij, çifti ambasadorit me gruan në film, Beatrice Aielon në rolin e Klarës, protagoniste, dhe Marta Gastinin, shoqja e saj e ngushtë si dhe Antonela Ponziani.
Flasim pak për aktorët shqiptarë?
Pasi u qetësuam nga kjo pjesë, problem tjetër ishte zgjidhja e personazhit kryesor shqiptar, dhe të të rinjve shokëve të tij që ishin katër. Ismail Shino, ishte një nga propozimet e Bertit, dhe mendoj se ishte i qëlluar, sepse në dy takimet e para dhe në vendosjen para kamerave ishte ndër më të mirët. Kështu vendosëm për Ismailin.
Në kërkim të “Arturit”, një tip klasik i asaj kohe?
Mua më duhej një djalë i viteve ‘80-të, i lexuar me një lloj pasioni, talenti sepse në film ishte edhe piktor. Ka qenë një kalvar I gjatë, e vështirë gjetja. Kishim kontaktuar me rreth 60-të studentë, ish-studentë, ndër të cilët më bindte një pjesë, por jo pjesa tjetër. Në perceptimin regjisorial ishin dy elementë: Një djalë dhe një vajzë të pashëm. Duhet të kishte një lloj ngacmimi dhe ajo që ishte e para, mbetej pamja. Beatricja këtë e plotësonte.
Duket e vështirë gjetja e personazhit?
Ishim duke pirë kafe, të dëshpëruar, pyes Fredin, çfarë do bëjmë? Befas ai më thotë: “Në film të shkurtër, kam patur një djalë, Anton Koldrinaj nga Shkodra. I shkolluar në Firence”, më tregoi
disa foto. Nuk ishte keq. “Ta marrim një herë në telefon”? Komunikuan, ai me të folurën dialekt shkodran, që më frenoi pak. Megjithatë e ftojmë të vijë. “Jam në Kanada”, na informon. Por, erdhi, dhe pasi bëmë dy tre prova vendosëm që t’ja besojmë Antonit rolin e “Artur Erzenit”.
Ka një “kusht” regjisorial për Antonin?
Ishte fund prilli 2018, “Anton i them, – do të njoh me djemtë partnerë, kolegët e tu, që janë tiranas, të cilëve i lashtë për detyrë ta merrnin ta nxirrnin, shëtisnin çdo ditë në kafe, lokale, etj”. Dhe kështu u bë. Nga maji deri në tetor, kur ne kemi filluar xhirimet, Antoni ka qëndruar në Tiranë për të thyer gjuhën, dialektin. Me zgjedhjen e tij, u kompletuat grupi i miqve.
Por ka ende personazhe, aktorë që i duhen filmit?
Për nënën kishim vendosur të mirënjohurën Rajmonda Bulku, dhe për të atin, morëm të ndjerin Gulielm Radojën. Një baba i mirë i kujdesshëm, portret i ngrohtë, një aktor i përkryer siç ishte Gulielmi. Olta Dako ishte “Dolorezi”, operatorja, dhe Fred Trebickën, në rolin e Sokolit, zv/ministrit të Punëve të Brendshme. Angazhuan edhe Mehdi Malkajn, në rolin e ndjekësit. Aktorët, Kliti Roshi, Alesja Xhemalaj, dhe për “Gjergjin”, morëm Ismail Shinon. Kisha ftuar edhe skenografin e mirënjohur Fatbardh Marku, që vazhdonte punën në Teatrin “Skampa” në Elbasan. Gerta Oparaku, Mauro Bonanini, Elidor Markja, Producent ishte dhe Anxhelo Basi. Gerta Oparaku, Mauro Bonanini, Elidor Markja,
Një tjetër italian, por për fotografitë?
Drejtorin e fotografisë ja besova të njohurit Nino Celeste, i pranishëm në 200 filma italianë. Ishte një kënaqësi kur Nino me Remon u takuan sërish, këtë herë në Tiranë, pasi nuk kishin xhiruar bashkë, nga koha e “La Piovra”-s të regjisorit Damiano Damiani, ku Nino si drejtor i fotografisë dhe Remo në rolin e “Tano Karridit”. Nino me tre asistentët e tij, si dhe grimin, brigadierin e ndriçimit, erdhën nga Italia. Në kamera Adi Grishaj, i studiuar në Londër, dhe ishte operatori i parë në makinë. Me kostumet Valentina Ciaralli dhe skenografi, Paolo Innocenzi. Pra një grup italio-shqiptar.
Kërkohet një Tiranë të ‘40 viteve më parë?
Edhe kjo aspak e lehtë. Problem ishte e gjetja e vend-xhirimeve të duhura që na rikthenin Tiranën e atyre viteve. Por me një qytet të tjetërsuar, pa asnjë lidhje me atë të asaj kohe u bë shqetësim. Me Markun dhe asistentin tim të parë Mateo Cungun, Edi Gjonin, hynim në rrugica, qeshnim me njëri-tjetrin se jo në pak raste, në shtëpitë e vjetra e të njohura të Tiranës, kacavirreshim në mure për të parë oborret, ndonjë fasadë pasi dyert ishin të mbyllura, familje të larguara dhe aty nuk banonte njeri, nuk kishte më njerëz.
Ka një moment me trenin si pjesë e filmit?
Shkuam në stacionin e vjetër të trenit në Elbasan dhe gjetëm dy tre vagonë të atyre viteve, por me xhama të thyer. Komunikuam me Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave, morëm piktorë të hiqnin shkarravitjet që kishin bërë njerëzit me sprai. E pajisëm me xhama, dy vagonë aq sa na duheshin dhe treni që do të vinte nga Elbasani në Durrës, ku do të xhirohej aty, për arsye se stacioni i Tiranës nuk ekzistonte. Me anë të efekteve speciale (VKF), që ne i sollëm për herë të parë nga Italia, aty ku nuk ishte mundësia efekte vizive speciale, duke vendosur një Green Screen, në bazë të fotografive, ndiqnim vijësinë e rrugës, duke kthyer në film stacionin e trenit në Tiranës.
Nisin xhirimet, ka një moment të veçantë?
Ato filluan një ditë pas ditëlindjes sime. Ambasada italiane u zgjodh shtëpia ku sot banon familja Bardha që na i ofruan me kënaqësi. Në vilën e Enver Hoxhës, xhiruam atmosferën e brendshme të ambasadës, dhe po aty ku ka qenë dikur kinemaja që shihnin e reviziononin filmat, improvizuam bodrumin e famshëm ku këta djem takoheshin. Pjesa tjetër në rrugët e Tiranës, Krujë, Lezhë, një fragment dhe në Durrës, në stacionin e trenit.
Për të vijuar me skenat finale?
Që ishin në Itali, ndërsa kthehemi aty ku filmi fillon me ekspozitën e Artur Erzenit. Për personazhin e Arturit të madh, pas Anton Koldrinajt, zgjodhëm Artan Imamin. Qe një periudhë, punë intensive, xhirime që zgjatën gjashtë javë midis Italisë dhe Shqipërisë. Kaluam shumë mirë. Ajo që dua të them ishte se puna e aktorëve italianë ma ato shqiptarë u shkri shumë natyrshëm me njëri-tjetrin. Dhe prandaj i gjithë ky kompleks aktorësh funksionoi në mënyrë të përkryer, në bazë të personazheve dhe kërkesave që unë kisha. Filmi përfundoi më 2019, pastaj Covidi, u shfaq më 2022.
Muzika e filmit, futen në lojë dy mjeshtra të njohur?
Ja pata besuar dikujt, por nuk më pëlqeu. I them Aleksandër Peçit. “Nuk kemi kohë”, më përgjigjet. “Do e bësh ti”- këmbëngula. Dhe pas një punë kolosale, për dy javë, Peçi krijoi muzikën e filmit, që është e mrekullueshme. Edhe për dy, tre këngë që do këndoheshin në film, pata menduar për një të Albanos. Ishte Peçi që më sugjeroi që të mos marrim një këngë të njohur, të bëjmë një të mirëfilltë për Klarën. Dhe janë dy këngë që i kompozoi ai, me tekst të mjeshtres, Zhuljana Jorganxhi.
Një titull intrigues, “Portreti i pambaruar”, pse?
Sepse ai portret nuk kishte përfunduar. Portreti i Klarës, që u shfaq në film, u punua mbi foton e Beatrices, vepër e piktorit Ilir Pojani. Pikturën e morri Beatricja, aktorja, pasi jo ishte në atë tablo. Filmi morri disa çmime, tre të tilla në dy festivale të ndryshme ndërkombëtare. Dhe në ceremonitë e zhvilluara, unë e kam thënë se me atë ngjarje, unë i bëj homazh të gjithë djemve, vajzave shqiptare që guxuan të dashuroheshin me të huaj, të krijonin një lloj marrëdhënie me to.
Prezantimi në Itali, keni të ftuar personazhe “special”?
Atë e bëmë në Romë, në “Casa- Villa Borgeze”. Përtej stafit, për probleme shëndetësore, nuk erdhi Ernest Tushe, por i vëllai, doktori Eduard Tushe, i ndarë nga jeta pak kohë më parë, bashkë me Adrianën, bashkëshorten. Si dhe vajza reale e ambasadorit me të shoqin. Pas filmit ishim për darkë, ka qenë nga darkat më të bukura.
Remo Xhirone, keni patur mundësinë ta njihni nga afër?
Po vija nga Mynihu, ka qenë tetor i vitit të kaluar kur u njoftova, se Xhirone kishte ndërruar jetë. E befasova, më erdhi shumë keq. Më kujtohet se në të gjitha daljet në ditët e para kur erdhi në Tiranë, ishte bashkë me të shoqen, Vitorian. Kudo ku hynim në lokale, kamarierë, klientë, e shinin, i kishte mbetur ende imazhi i “Tano Karridit”. Ai nuk përtonte, ndalonte, çohej bënte foto me të gjithë, jepte autografe. Unë e kisha njohur më 1994, dhe Xhifoni, më 1997, siç ju thashë.
Aty ishte edhe Mikel Placido, të dy, “i miri” dhe i “keqi” të “La Piovra-s”. Ndonëse ajo “Tano Karridit” ishte fytyra e mafiozit, mendjehollë, përkundrazi Remo ishte njeriu më pozitiv, jashtëzakonisht i mirë, i dashur, i afrueshëm, dinte diçka për Shqipërinë, që edhe na miqësoi. E kundërta me “komisar Katanin”, që ishte Mikele Placido. Edhe Placido ka ardhur në Tiranë i ftuar nga Pirro Milkani dhe kur xhiruan filmin “L’America” me Amelion./ Memorie.al














