Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952. Filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”.
Dokumenti ‘Tepër sekret’ i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Bajram Neli dhe i asistuar nga Kapiteni i I-rë, Dedë Zefi, me incizimet e bisedave të bëra në Hotel “Apollonia” në Fier, ndërmjet Myrteza Bajraktarit dhe bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin “Molla”
DEGA E P. TË BRENDSHME Tepër sekret
FIER Kopja e vetme
Mbi përkthimin e incizimit të bërë më datën 26/VIII/1965. Me objektin Myrteza Bajraktari dhe B.p. “Molla”, në Hotel “Apollonia”, ora 22 e 30.
Incizimi u bë nga P. Operativ, Toger, Bajram Neli, asiston Kapiteni i I-rë, Dedë Zefi.
LEGJENDA:
O – Objekti
B – B.p.
B – Çka me të thanë unë, atje kam lanë nënën e tjerë…!
O – Mjerë ai që ikën nga atdheu i vetë, nga kombi i vetë, nga nëna e vet, unë nuk kam gojë me të thanë se pse je munduar, në fillim u alarmova pak dhe u kujtova, po thashë e prisja një ditë këtë.
B – Edhe unë e dija që do të ndodhte kështu.
O – E pyet për fshatin e tij në Peshkopi dhe i thotë se ku ndahet rruga për atje, në Shesh të Arrësit, është atje një plakë i moçëm dhe kur u ndala bëmë pak muhabet, i thashë tani po shkoj, ndalu më tha, ku do të shkosh, pastaj më morën e më futën në burg, të nesërmen u gdhiva një çik ma lehtë dhe kur shoh majën e Korabit, aty nga ora 7-8 e mëngjesit erdhi një Muajorrdhe një kapiten.
B – Ishte mot i mirë?
O – Mot i poshtër në mes të dimrit, m’u duk Shqipëria zonjë e bekue, me male të bardha nga dëbora, harrova të them, se plaku që takova, më pyeti edhe për dorën, më tha çfarë të ka dora që e mban ashtu, lëre pse më pyet për këtë fatkeqësi të nanës.
B – Me sa mora vesh e kanë nxjerrë nga puna!
O – Nesër është ditë e premte, kush di sa shkoj ora, dreqi e din, ti nesër do të ikësh, do të jap ndonjë copë letër për shokët, në ç’kohë do të ikësh?
B – Aty nga ora 9-11.
O– Në rast se nuk kam kohë me të shkruejt letër, atëherë ju thuaj se e takova dhe ju bëj të fala. E morën me shpejtësi qysh atëherë.
B – Kë, Hasanin?
O – Qysh kur ishte në Seman.
B – Më tregoi qysh atëherë Hasani, që kishte shkuar në Seman se e kishin kapur në Lushnje pa pasaportë dhe më tha se, kishte shkuar nga Kooperativa “Bajram Curri”, në Kallëm dhe kishte ardhur në këmbë.
O – Semani është larg tre orë, fushë e madhe, punohet me traktor, të lodh shumë edhe në fushë shkohet me makina e traktorë. Neve tani na mbeten dy rrugë, në rast se na çojnë në shkollë u faleminderit, në rast se na çojnë në punë, prap u faleminderit, se po të martohemi, nuk kemi se çfarë të presim, ndërsa vendin tone, nuk e kemi këtu, gjithë jeta po na ikën në burg, prej vitit 1953 plot 12 vjet i kam kaluar në burg prej moshës 20 vjeçare, në burg kam qenë për 12 vjet rehat, nuk ka të sharë.
B – Nënën a e ke?
O – Po, e kam lanë vetëm, kam dy motra.
B – Ata shokët, ke marrë vesh, ç’thonë?
O – Ata as të zënë, e as të lëshojnë.
B – Po ku i kanë marrë vesh ata këto gjëra, ju ke thanë.
O – Do ta them unë të vërtetën, vetëm tashti nuk di se si ta shtyj më tutje, s’di si me të tregue, kam shokët e punës, kam frikë se po marrin vesh dhe na kapin.
B – Atyre duhet t’u kishe thane, hajde shpejt ç’prisni, unë e di këtë punë të mbaruar.
O – Do t’ju them hajde të shkojmë.
B – Po sikur të zënë?!
O – S’kanë se ku të na gjejnë dhe nuk kanë për të na zënë, unë për këtë punë nuk them jo, neve a tallemi, apo do të marrim vetë dhe t’i dalim për zot Kombit tonë.
B – Unë për veten time, ta kam thënë mendimin tim edhe më parë por, megjithatë duhet parë edhe një herë mirë kjo punë.
O – Ah kur do të vijë ajo ditë, kam biseduar edhe me profesorin (Andrenë, radistin që iku thotë B.p.)
B – Po një farë Sadri Sadria, e ke njoh a ndigjue gjë, çfarë?
O – Ai ka shkuar tek një kushëriri i parë i tij në Peshkopi dhe prej andej, ka çuar letër, unë ta kam kallzue një herë.
B – Të ka shkruar letër…? Ai më njeh.
O – A të ka dërguar se pse ka shkuar, ai i ka bërë atij me mustaqe një telegram dhe vëllain tim, ai e njeh mirë, edhe vëllai e njeh mirë atë. Dy njolla që kisha, njërën e kam patur qysh në burgun …… dhe tjetra tani me sa di, është në Skrapar. O burg…….! Sa kohë do të rri tek ti, më iku rinia, do vdes pasha zotin pa shiju rininë.
B – Mos u mërzit.
O – Të vjen rëndë more, si nuk arsyetojnë, kam dënuar veten time për këto punë.
B– Më ke tregue.
O – O të kam tregue e s’të kam tregue, kam dënuar veten time edhe atje dhe ju kam thënë më goditni, më goditni edhe me ca pëllëmbë, por këtë punë do ta bëjmë bashkë, po nuk ke nga kalon!
B – Po sikur ta marrin vesh.
O – Prej gomarit do ta marrin vesh, se neve veprojmë, ku dreqin do ta marrin vesh?!
B – Po ti je i sigurt për këtë?
O – Rri ore rehat se çdo gjë është në rregull, se unë nuk jam budalla që veproj kaq lirshëm dhe bisedoj kështu me ty. (flasin Jugosllavisht)
O – Flet për periudhat e Luftës në Jugosllavi, të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe vijën e tyre, si dhe kur ishte kulmi për këtë, tregon rastin e veprimit të Jugosllavisë, kundra vendit tonë më 1947-1948 dhe qëllimet grabitqare të tyre për shkombëtarizimin e Kosovës e Metohisë, si dhe të gjithë Shqipërisë, flet për urrejtjen që ka Kosova, Mali i Zi etj., për Jugosllavinë.
B – Po atje populli, Lufton?
O – Populli Lufton, por nuk din se për se lufton, për ç’kondita jeton, përse dhe për kë flet dhe përse i bën gjithë këto. Unë të kam prit sot me shumë mall, ngrihet e pi ujë.
B – I thotë për një person (……..) a të ka thënë gjë?
O – Jo nuk më ka thënë, por unë do t’i them, se tek ai kam shumë kredi.
B – Puna që bën atje është e rëndë?
O – Punë bujqësie e rëndë shumë, shumë e rëndë.
B – Unë ja kam thënë Baftjarit, që të vijë tek neve.
O – I lumtë atij, u fejue dhe tani bën qef, a rrinë burrat kështu si rrimë neve, duhet t’i japim rrugë, se këta nuk na dhanë e as na e kanë për të dhënë.
B – E kështu e kanë këto punë.
O – Prandaj të thashë unë ty, se këta që janë jashtë, nuk trajtojnë mirë njeri tjetrin, rrihen. Takova një ditë me Ashim Krasniqin dhe i thashë, se: juve nuk jeni në burg si neve, ai më tha se: ku të rri edhe sot e kësaj dite vërdallë, nuk shkon as në punë, ju jeni fëmijë i thashë dhe të shkoni në Jugosllavi, prap keq do të jeni.
B – A të tha gjë tjetër.
O – Jo.
Dalin për jashtë për të kryer nevoja personale, një herë njëri dhe një herë tjetri dhe ndërpresin bisedat, duke rënë në gjumë. Ndigjimi dhe incizimi mbaroi në ora 2 të datës 27/8/1965.
Shënim: Jugosllavisht kanë folur pak fjalë, por se çfarë nuk ju kuptohet.
Punëtori Operativ T.O. Shefi i Seksionit I-rë
Toger (Bajram Neli) Kapiten i I-rë (Ded Zefi)
Dokumenti me raportin sekret të hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Kapiten i I-rë, Metush Qamili, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Korabi”, lidhur me bisedat e zhvilluara nga Myrteza Bajraktari, me emigrantët e tjerë në Kampin e Semanit
Marrë: nga Kapiten Metush Qamili
Dhënë: nga B.p. “Korabi”
30.8.1965
R A P O R T
Ai, njofton se gjatë bisedimeve të përditshme që ka pasur gjatë muajit Gusht të vitit 1965 me Myrteza Bajraktarin, veç të tjerash, i ka thënë atij që kur të shkosh në Jugosllavi dhe të takohesh me motrën time, t’i thuash asaj, që kur të më shkruajë letër, të më bëjë të fala me Xhezairin. Unë me këtë, do të kuptoj që ti e ke takuar dhe e ke kryer porosinë time. Nga ana tjetër, unë mendoj se ti, kur të shkosh në Jugosllavi, të bësh menjëherë dokumentet, për të shkuar në Turqi.
Pasi të shkosh atje, do të takosh kushëririn tim Nasirin, dhe do të kryesh porosinë që do të jap unë. Për t’u siguruar që ti ke shkuar atje, unë do tët nis një letër, ku do t’i bëj të fala Luanit dhe kur ta marr letrën prej tij, jam siguruar që ti ke shkuar në Turqi.
Më tej unë, do t’i kërkoj qeverisë shqiptare, që të shkoj në Turqi, dhe posa të iki atje, do të filloj kërkimin e ndihmave për organizimin e kryengritjes në Kosovë. Unë, tha Myrtezai, kam shpresë deri në 15 Shtator 1965, që nëse më çojnë në arsim ose për studime, por nëse nuk më çojnë unë, do të kërkoj takim me ndonjë të madh dhe t’i shpjegoj se mbahem në Seman, i izoluar kot.
Në lidhje me Jugosllavinë ai, thotë se: atje populli ka liri dhe mirëqenie, ndërsa në Shqipëri populli, vuan nga diktatura dhe nuk ka as liri dhe as mirëqenie. Këtu, vetëm një pjesë e popullit punon, sa për të siguruar bukën e gojës, ndërsa pjesa tjetër, mban shpresat sot për nesër, që të fillojë punë.
Këtu njerëzit, si pasojë e shtypjes, nuk janë të qeshur, por të zymtë. Kuadrot që dalin nga shkollat, pothuajse nuk dinë kurrgjë, pasi Partia i edukon ata që të dalin kriminelë dhe të pashpirt, në mënyrë që t’i zhdukin ndjenjat njerëzve.
Dhe merr si shembull shkrimtarin Sterjo Spase, ku thotë se: para çlirimit ishte i njohur dhe jashtë kufijve të atdheut për romanet e tij. Por ky sot, shkruan gjëra vetëm për Partinë, sepse komunistët e kanë detyruar që të bëhet i tillë.
Në lidhje me luftën në Vietnam, Myrtezai tha se: atje komunistët po bëjnë një luftë agresive dhe atë pjesë të Vietnamit të Jugut ata, do ta pushtojnë dhe të përhapin idetë e tyre komuniste në Azi. Dhe kjo luftë që po bëjnë ata, është që të vrasin sa më shumë njerëz, pasi këtë duan ata.
Ndërsa Amerika, ka si qëllim që të çlirojë popujt e botës nga banditizmi komunist dhe lufton për lirinë, demokracinë, dhe paqen, tek mbarë bota. Këto komente, Myrtezai i ka bërë sidomos në ato raste, kur burimi është treguar i pakënaqur dhe i mërzitur në Seman, se përse nuk po i vjen riatdhesimi.
“Korabi”
Detyra: 1. Me Myrtezain, të rrini afër dhe në biseda, paraqituni i mërzitur, duke i thënë se: nuk po vijnë që të marrin emigrantë, pasi i zuri dimri, me qëllim se çfarë do të thotë.
Sqarim: Myrtezai është në përpunim 2/A, si agjent i UDB-së.
Vlerësim: Raporti ka rëndësi dhe del se objekti, flet shumë keq, por B.p., është rekrutuar i ri dhe paraqitet i mirë.
Masat Operative
Të shtypet dhe të vendoset në dosjen e tij. Memorie.al
Puntori Operativ
Kapiten i Parë, Metush Qamili
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016