Nga Enver MEMISHAJ
Pjesa e tretë
Memorie.al / Shumë familje që dhanë me përkushtim dhe me dashuri për atdheun dhe lirinë gjithçka që mundën, në kohë shumë të vështira, u mbuluan me pluhurin e harresës gjatë diktaturës komuniste. Një nga këto familje që duhet kujtuar dhe nderuar është edhe ajo e Numan Lepenicës. Numani lindi në Lepenicë të Vlorës në vitin 1892, dhe kreu arsimin e lartë në Stamboll. Ai i shërbeu vendit të tij për 32 vjet, nga 1912, si oficer në qeverinë e Ismail Qemalit, i plagosur në Luftën e Vlorës më 1920, kryetar komune dhe nënprefekt deri më 31 dhjetor 1944 dhe ashtu si miku i tij Ali Asllani, vdiq pa pension, në mjerim. Numani u martua me dashuri me mësuese Zenepen, të bijën e Mustafa Xhomos, një bej i rënë nga vakti nga Leskoviku dhe mbesë në familjen Vlora.
AFËRDITA LEPENICA
E burgosur dhe internuar prej komunistëve shqiptarë
“Bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit: Xhemal Laçka, Sul Galla, ‘Sifoni’ dhe rezidenti ‘Medicina’, që punonte bashkë me mua, më raportuan dhe mbi bazën e raporteve të tyre, më arrestuan më 17 prill 1950…! Pas 4 muajve në tortura, pa ushqime dhe barna, pa ndihma nga familja, u sëmura rëndë nga mushkrit. Në gjendjen e rëndë shëndetësore, Hetuesia e Elbasanit me shkresën nr. 61/1 datë 3.8.1950, i shkruan Tiranës: Rezervoni një birucë të përshtatshme si e sëmurë për Afërdita Lepenicën…’!
Pas 6 muajve në tortura dhe vuajtje të pa fundme, Prokurori shpirtzi, kapiten Xhavit Struga në pretencën e tij më akuzoi për agjitacion dhe propagandë dhe si agjente anglo-amerikane dhe kërkoi dënimin tim me vdekje. Në atë kohë unë isha vetëm 24 vjeçe vajzë. Gjykata e përbërë prej major Rexhep Kollit, major Pilo Shantos dhe kapiten Manol Milos dhe sekretar Braho Maliqi, u tregua e ‘mëshirshme’ dhe më 1 tetor 1950, më dha vetëm 10 vjet burg!
Më 12 mars 1956, pas 6 vjetëve të vuajtjes në burg, i kërkova Gjykatës lirimin me kusht, me arsyetimin se: E mbetur pa asnjë ndihmë nga familja, pasi të dy prindërit ishin pa punë, motra e madhe kishte vdekur në rrethana të pa qarta në vitin 1947, motra tjetër ishte e shtruar në sanatorium në Vlorë dhe duke qenë se vuaja nga sëmundja e mushkërive, zemra dhe azma.
Drejtoria e Sigurimit të Shtetit me shkresën nr. 990 datë 13.1.1957, i shkruan Gjykatës së Lartë: ‘Gjatë kohës që vuan dënimin në burg, nuk mban qëndrim të mirë, nuk tregohet e penduar për fajin e kryer dhe se lirimi i saj para kohe me kusht paraqet rrezikshmëri shoqërore. Gjithashtu edhe qëndrimi i familjes nuk është i mirë. Kjo Ministri jep opinionin të mos lirohet nga burgu.
Zv/ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-major Mihallaq Ziçishti…!
Jam liruar nga burgu me kusht më 15 dhjetor të vitit 1957…! Në shtëpinë time në të cilën kisha qenë më tepër mysafire gjeta vetëm nënën pa pension dhe motrën Elisabeta të sëmurë nga mushkëritë, e cila vdiq pas dy vjetëve, në vitin 1959.
E mbetur pa punë shkova në Ministrinë e Shëndetësisë dhe kërkova të ushtroja profesionin tim si mami, ku të kishte nevojë. Më emëruan në Hotolisht të Librazhdit. Atje mora me vete edhe nënën time plakë, e cila vdiq në vitin 1963 dhe erdha dhe e varrosa në Kuzumbaba në Vlorë, atje ku ishin varrezat e familjes dhe ku ishte varrosur edhe babai im. (Arkivi MPB, F. 1, D. 5575 dhe Dosja operative 5706.)
Lindja e vajzës
Në Hotolisht të Librazhdit u martova me Eqerem Hysenbegasi dhe pas lindjes së vajzës, më 22 korrik 1961 u ndamë. Vajzën e quajta Donata, që në italisht do të thotë dhuratë nga Zoti. Donata arsimin e mesëm e kreu në Prenjas. Shkrimtarja Zyba Hysen Hysa e përshkruan Aferdita Lepenicën me këto fjalë: “Nuk mund të harroj Afërdita Lepenicën, e cila ka jetuar vite e vite në Hotolisht, në vendlindjen time. O Zot, sa tronditesha, kur edhe më të mbeturit i hidhnin vështrime përbuzëse. Po vajza e sajë? Donata! Një perëndeshë!
Ajo vishej thjesht, por reflektonte një fisnikëri të fisme në fytyrë, saqë kurrë nuk kam ndeshur deri më sot një bukuri të tillë njerëzore. Hante si të tjerët, vishej si të tjerët, por shkëlqente, se kishte sjellje të fisme që buronte nga origjina e saj. Bekuar qofshin nënat dhe gratë fisnike shqiptare! Vetëm ato nëna lindin dhe rritin bij e bija për të marrë në dorë frerët e drejtimit të kombit tonë të përvuajtur nga jo fisnikët”. (Zyba Hysen Hysa, “Sharrajt në jetën e kombit”, “Maluka”, Tiranë 2012, fq. 171)
Donata u martua në Tiranë, me Petrit Gurí Selmanaj me origjinë nga Lapardhaja e Vlorës, me të cilin pati dy vajza: Artemida e lindur më 24 qershor 1987, diplomuar për biologji dhe Alma e datëlindjes 28 shkurt 1992, diplomuar në Svicër për drejtësi, Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Donata kreu në Tiranë arsimin e lartë për drejtësi dhe ishte për shumë kohë juriste në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 1997, ajo refuzoi marrjen në riprovim që organizoi qeveria dhe doli në profesion të lirë, avokate, profesion që e ushtron edhe sot e kësaj dite me sukses të plotë.
Saktësinë e kujtimeve të Afërdita Lepenicës dhe të aktivitetit të saj e gjeta të pasqyruar edhe në dokumentet e kohës. Po citoj disa nga këto dokumenta:
“Të lartpërmendurat Aferdita Lepenica… kanë dalë në forma të ndryshme kryengritëse, si p.sh. nuk kanë dash me vue një shirit me ngjyrat e flamurit italian, bashkë me ato të flamurit shqiptar, e kur janë detyrua, hidhnimin e tyre e kanë shfaqur në konvikt duke shkrue në gjuhën shqipe mbi dyer: “Vajza shqiptare, çohuni në këmbë për të mbrojt atdheun nga robëruesit. Duam liri! etj.”. (AQSH, F. 295, V. 1942, D.113, fq. 239)
“Shtojmë se pesë studenteshat e përmendura janë pjesëtare të Lëvizjes Komuniste Shqiptare, mbasi këtu ka pas edhe manifestime terroristike…! Në komunikimin që ju bëmë më sipër lutemi me i vëzhgue me imtësi zonjushat e thëna”. (AQSH, F. 293, V. 1942, D. 367, fq. 25 )
“Ministria e Punëve të Brendshme. Zyra Politike. Tiranë, më 26.3.1943. Kemi nderin të ju njoftojmë se Drejtoria e Institutit të Asistencës Publike në Kamerino në të cilin vazhdojnë studimet bursistët për mami të kësaj drejtorie, na njofton se për arsye politike Ministria e Punëve të Brendshme Italiane sipas propozimit të Komandës Lokale të Karabinierisë ka arrestue bursistët znj. Mila Paço dhe Afërdita Lepenica dhe i ka internue, të parën në komunën e Esantolios dhe të dytën në atë të Fiuminatas.
Drejtoria e Institutit në fjalë nuk di arsyet e këtij arrestimi prandaj ju lutemi të kini mirësinë me intervenue ku duhet për të bërë hetimet e rastit mbi arsyet e këtij arrestimi, tue pas mirësinë që përfundimi të na njoftohet për me muajt e me vendos mbi pozitën e tyre si bursistë të kësaj administrate. Drejtori i Përgjithshëm Dr. Hamdi Sulçebe”. (AQSH F. 152/2, V. 1943, D. 163, fq. 1)
“Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Politike, Tiranë, më 29. 5.1943. Drejtoria e Shëndetësisë, me shkresën e datës 22 të vazhduesit kërkon që të ndërmjetësohet për lirimin dhe kthimin në atdhe të tre vajzave të internuara politikisht në Itali të cilat vazhdojnë studimet e tyre pranë Universitetit të Kamerionos për mami, emrat e të cilave janë: Hasije Janina, internue ne Kamerino, Aferdita Lepenica, internue ne Fiumanto, Mila Paço, internue në Esantolio të provincës Makerato.
Lutemi prandaj si vajza që janë të ndërmjetësohet për lirimin dhe kthimin e tyre në atdhe, mbasi familjet e tyre ndodhen të shqetësueme tuj mos pasun as ndonjë lajm për gjendjen e tyre. Shtojmë se Kryesia e Këshillit Ministror me shkresën e datës 26 dhe 30.7.1942, asht lutun të ndërmjetësojë për lirimin e tyre, por deri tash nuk asht pa të jetë kryer ndonjë veprim. Kishte me na pëlqye të kemi një sigurim mundësisht sa më parë. Ministri” (AQSH F. 152/2, V. 1943, D. 159, fq. 35; AQSH F. 151, V. 1943, D. 21, fq. 188)
Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë të njëtën shkresë ua ka drejtuar autoriteteve të Kamerinos, për Aferdita Lepenicën. (AQSH F. 152/2, V. 1943, D. 163, fq. 1)
“15.7.1943. Drejtoria e Samitit Publik të kësaj Mbretërie, komunikon që studenteve të poshtë shënuara nuk u është lejuar riatdhesimi nga autoritetet e Kamerinos: Naxhije Hila, Meropi Shuteriqi, Hasije Janina, Margarita Syko, Bukurie Muço, Afërdita Lepenica, Milla Paço. Për të shënuarat është shënuar vendi i internimit: Kuestura nr. 390, në një kohë të mëvonshme do të shihet e mundur zgjatja e kohës së internimit”. (AQSH F. 153, V. 1942, D. 227, fq. 173)
“Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë. Tiranë, më 19.7.1943. Drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, Zyrës Politike.
Kemi nderin t`u njoftojmë se prej tre vjetësh kjo drejtori pat dërgue me bursë të vet në Bari 43 vajza, për me studjue për mami. Ma von këto u transferuan në Kamerino ku vazhduan deri sa kryen kursin tue u diplomue brenda vitit vazhdues.
Mbasi mbaruan studimet këto vajza u kthyen me përjashtim të zonjushave Afërdita Lepenica e Milla Paço, të cilat janë ndalue nga kuestura lokale e internue në atë provincë, katër muaj ma parë, ndërsa zonjushat Naxhije Hila, Meropi Shuteriqi, Hasije Janina, Margarita Syko dhe Bukurie Muço u ndaluen me u kthye në Shqipëri nga autoritetet e vendit.
Të na lejohet të shënojmë se ngjarja e sipërme vë në pozitë delikate këtë administratë ndaj familjeve të tyre deri sa zgjedhja e kandidatëve ka qenë ba në bazë të raporteve të lëshueme prej zyrave lokale për sjellje të mira dhe vendbanimi tyre në Kamerino ka qenë gjithmonë në internatin e caktuem në marrëveshje me shkollën.
Ju lutem, prandaj, të keni mirësinë për një demarsh të favorshëm për lirimin dhe kthimin e tyre në atdhe. Drejtori i Përgjithshëm Dr. Hamdi M. Sulçebe” (AQSH, F. 149 V. 1943, D. I-449, fq. 334; AQSH, F. 152/2 V. 1943, D. 159, fq. 14, 31)
“Ministria e Punëve të Brendshme. Zyra Politike. Tiranë më 30.7.1943. Drejtuar Kryesisë së Këshillit të Ministrave.
Kemi nderin me parashtrue se me përjashtim të Hasije Janinës nga Berati, vjeç 18, të gjitha studentet e tjera që përmenden në shkresën tonë të sipërme, janë lirue dhe kthye nëpër shtëpitë e veta.
Prandaj, lutemi, bëni demarshet e duhuna që të lirohet edhe Hasije Janina studente në Kamerino të Italisë. Përfundimi të na njoftohet. Ministri” (AQSH, F. 149 V. 1943, D. I-449, fq. 335)
“Prefektura e Vlorës. Vlorë 1943. Lista e të internuarve politik në Itali, të qarkut të prefekturës së Vlorës.
Afërdita Lepenica, e bija e Numanit, lindur dhe banuese në Vlorë, studente në Universitetin Obstetrikë e internueme në komunën Fiumanta, nr.13, via “Vitorio Veneto”, provinca Makerata Italia, ose Kamerino.
Qazim Kokoshi me gruan dhe të bijën e tij, lindur e banues në Vlorë, i arrestuar prej ushtrisë italiane në Mitrovic- Kosovë, më 1939. Në kohën e fundit ata ndodhen në Bergamno-Gandano Itali.
Sinan Gjoni, i biri Islamit, lindur në Tragjas, banues në Vlorë, me profesion student, i arratisur nga ushtria italiane më 1941.
Subi Hallo, i Manxharit dhe Qafilesë, Ibrahim Shyti…, Mihal Birga …, Ksenofon Zani …, Petro Marko, i biri Janit dhe Zoicës, lindur dhe banues në Dhërmi. Arrestuar më 1941, ndodhet në Palermo Itali, Grigor Strati … “ (AQSH, F. 152/2 V. 1943, D. 159, fq. 53)
Në propagandën antifashiste që bënte në shkollë Afërdita Lepenica, është dalluar së bashku me Xhemile Gjinishi të cilën e nxiste Mustafa Gjinishi i vëllai, me anë të letrave që i dërgonte. (Astrit Kaziu “Legjenda Gjinishi, përballë së vërtetës”, Tiranë 2004, f. 56-59)
III. ELISABETA LEPENICA
Elisabeta ka lindur në Vlorë, më 8 korrik 1925 dhe ishte binjake me Afërditën, motrën e saj. Të dy motrat ndoqën Shkollën e Tregtare të Vlorës dhe Elisabeta duhet të jetë diplomuar në vitin 1942 apo 1943.
Tradita familjare dhe shpirti atdhetar i tre motrave do ta hidhte të gjithë familjen në luftë kundër pushtuesit fashist. Ndërsa Tefta dhe Afërdita gjatë viteve të pushtimit 1939 – 1944, ndiqnin studimet jashtë shtetit në Itali dhe Zagreb, motra e tretë Elisabeta jetonte në Vlorë. Ajo ishte në vijën e parë të propagandës antifashiste. Shtëpia e sajë në qytet dhe në fshatin e origjinës, në Lepenicë, u kthye në bazë të luftës për liri.
Xhaxhai saj Xhelal Hoxhaj, ishte një figurë e njohur e Lëvizjes Antifashiste, në Lumin e Vlorës. (“Historiku i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për Qarkun e Vlorës”, Vëll. I, f. 125; Shamet Gjika “Ditari i kohëve me gjëmime…”, Tiranë 2005, fq.73)
Elisabeta njihej në qytet ai aktiviste dhe flamurtare e të rejave të qytetit, për përparim, për t`i nxitur dhe bindur që të rezistonin dhe luftonin kundër fashizmit, me të gjitha format e mundshme.
Dita e çlirimit e gjeti Elisabetën në vendlindje në Vlorë me dëshirë për të ndjekur udhën e nënës së saj si mësuese. Për këtë ajo ndoqi në Tiranë një kurs 9 mujor dhe u diplomua si mësuese për shkollën fillore. Pas mbarimit të kursit u emërua në katundin Vajzë dhe pas një viti u transferua në zonën e thellë të Mesaplikut, ku punoi dy vjet.
Viti 1950, do të ishte fatal për familjen Lepenica. Motra e sajë Afërdita u arrestua dhe u dënua si “armike e Partisë dhe Pushtetit popullor”. Tashmë Sigurimi i Shtetit kishte rastin ta asgjësonte këtë familje reaksionare! Tefta, motra e madhe ishte helmuar në Durrës, para 3 vjetëve, motra tjetër Afërdita u burgos. Nëna e sajë, mësuse Zenepja, ajo atdhetarja dhe mësuesja e përkushtuar që nga viti 1917, u pushua nga puna.
Me gjithë respektin që kish populli, për Elisabeta Lepenicën, për këtë vajzë të ditur, të edukuar të bukur dhe të përkushtuar ndaj fëmijëve, e pushuan nga puna, sepse ishte motra e një “armikeje të popullit”! I ati Numani, që nga 1 janari 1945, kishte mbetur pa punë, pa pension dhe pa triskat e bukës, pra nuk i jepnin bukën e gojës! Në këto kushte terrori e persekucioni, shpirti tij nuk duroi më, vdiq në vitin 1953, në një moshë ende të re 61 vjeçare.
Për të nxjerrë bukën e gojës për vete dhe për prindërit e sajë, Elisabeta u detyrua të punojë në bujqësi, krahas nënës së autorit të këtij shkrimi. Në vitin 1956, Elisabeta u pa se vuante nga mushkrit dhe u shtrua në sanatoriumin e Vlorës. Në kushte shumë të vështira jetese, tre vjet më vonë, në vitin 1959, ajo do të dorëzonte shpirtin e saj të bukur, në një moshë ende e re, pa krijuar familje dhe pa gëzuar jetën. Kështu pa asnjë faj u shua familja atdhetare e Numan Lepenicës, prej komunistët të Vlorës./ Memorie.al















