Nga ARSHIN XHEZO
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në vitin 1986, kur punoja në gazetë, më erdhi një letër jo e zakonshme. E dërgonte Vexhi Buharaja. Ishte një zarf i madh, që ndryshonte dukshëm nga të tjerët, ata me format të vogël, të zakonshmit, që ti i dalloje menjëherë se brenda do të kishte ndonjë ankesë qytetari për shtëpi apo punë – rutinë për çdo redaksi gazete. Duke mbajtur në dorë atë zarf, provova një ndjesi të veçantë. Vexhi Buharaja ishte tepër i njohur për mua: i qytetit, i lagjes, i rrugicës. Madje, familjet tona, nga më të vjetrat e qytetit, kishin hyrje-dalje me njëra-tjetrën, kurse ai vetë, – mik me tim atë. Por unë, i larguar herët nga qyteti, menjëherë pas gjimnazit, e kisha takuar shumë rrallë, ndryshe nga shokët e mi të fëmijërisë që banonin atje.
Ka edhe një gjini tjetër veprash – ta padukshme – që e bëjnë tepër të veçantë personalitetin e tij krijues; në çdo studim dhe shqipërim të tij do të gjesh një det shënimesh apo shpjegimesh. Pikërisht kjo veçanti tërhoqi vëmendjen e prof. Eqrem Çabejt, i cili, pasi lexoi shqipërimin e ‘Gjylistanit dhe bostanit’, tha se mjaftonte dhe vetëm studimi hyrës, shënimet shpjeguese dhe fjalori enciklopedik, që Vexhi Buharaja të meritonte një gradë shkencore. Sapo i hapej pak dera – më saktë dritarja – e kontaktit me botën veprës së tij (atij vetë, të penguarit – kurrë), tërhiqte menjëherë vëmendjen e studiuesve të huaj.
Një i tillë ishte dhe profesor Franz Babingeri i Universitetit të Berlinit, gjuhëtar i shquar (konsiderohet edhe orientalisti më i madh i shekullit XX-të), i cili u entuziazmua, nga kompetenca shkencore e Vexhi Buharasë. Më vonë, Vexhi Buharaja do të kishte edhe letërkëmbim me prof. Babingerin. Veprat e Vexhi Buharasë, krijime origjinale apo shqipërime, janë të gjitha për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare dhe jo për politikën e ditës. Dhe ai ishte krejt i ndërgjegjshëm se për këtë duhej të paguante. Ai dhe familja e tij.
Vexhi Buharaja u ndalua, por edhe u fye…!
Pas burgut, tanimë me “biografi të keqe”, atë e caktuan në punë nga më të rëndomtat. Ishte, vërtetë e trishtueshme kur, përtej dritares së klasës – atëherë ishim në klasën e parë gjimnaz – e shihnim përditë: tanimë as me kostum e kravatë, as me veshjen e bukur të klerikut, por me kazmë e lopatë në duar dhe duke fshirë herëpasëhere djersët, ai nxirrte zhavorr tek Gropa e Zhurrit, rrëzë Kalasë, që e kishim përballë dritareve të klasës. Ne e shikonim dhe nuk flisnim, sepse kishim edhe një arsye tjetër. Në klasë kishim edhe vajzën e Vexhi Buharasë, Myzejenin, dhe instinktivisht e ndienim se çdo fjalë e gjest yni, do ta bënte të ndihej keq.
Ca kohë më vonë e hoqën nga Gropa e Zhurrit dhe gjoja e lehtësuan, por, në të vërtetë e fyen dhe më tepër: e caktuan në një nga rrojtoret e qytetit, të priste biletat e klientëve.
Jo vetëm ne, më të vegjlit, por të gjithë e kishin siklet që, kur hynin në rrojtore për t’u qethur apo për t’u rruar, t’i afroheshin tavolinës ku rrinte Profesori. Vexhi Buharaja tani nuk ishte më as poet, as shqipërues, as studiues, as teolog. Fjalët magjike, i deklasuar, i prekur e kishin zhveshur dhe shpronësuar nga ato. Megjithatë, ai dinte ta ruante lirinë e vet të brendshme nën çdo lloj veshjeje dhe nën çdo lloj detyrimi.
Por edhe qytetarët e Beratit e deshën dhe e nderuan gjithë jetën të prekurin Vexhi Buharaja. Veçanërisht vdekjen, varrimin e tij, në korrik të vitit 1987, e kthyen në një manifestim të jashtëzakonshëm nderimi. Gjithë qyteti, mijra vetë, të mëdhenj e të vegjël morën pjesë në kortezhin dhe në varrimin e birit të madh të qytetit, dhe arkivoli me trupin e tij nuk u vu në makinën e komunales. Gati tre kilometra, nga shtëpia e Vexhi Buharasë deri në varreza, qytetarët e mbajtën me duart e tyre të ngritura lart, në majat e gishtave.
Ngjante me një kortezh dashurie, dhimbjeje, por edhe proteste dhe pengu. Në qoftë se të shpronësuarit nga librat dhe nga veshja fetare ishin më të pakët, ata me biografi të keqe për shkak të zhveshjes nga pronat, tokat, vreshtat, ullinjtë, dyqanet etj., në lagjen dhe qytetin tim, nuk ishin të paktë.
Me sa duket, diktaturat mbahen më lehtë dhe më gjatë kur “zhveshja”, shpronësimi është total, i trefishtë: edhe nga prona fizike, edhe nga prona intelektuale, edhe nga shpronësimi i besimit fetar – më i çuditshmi dhe më i pangjari. E penguar dhe e fyer ishte e gjithë lagja dhe i gjithë qyteti ynë – jo vetëm Vexhi Buharaja. Këtë e kuptoje, edhe nga vështrimi panoramik i një adoleshenti.
Ata me biografi të keqe ose kulakët, që kishin qenë zengjinë, por nuk ishin më, dalloheshin nga shumë gjëra. Nga rrobat, nga veshja. Duhej të ishin blerë jashtë shtetit – e pakta – në Tiranë. Kostume, kravata, pallto të mëdha, të rënda, por, dukej që kishin shumë vite që ishin blerë. Dalloheshin edhe nga ecja. Gjithmonë anës rrugës, pothuajse gjithmonë vetëm, ose me familjarë apo të afërm të tyre, dhe rrugën nga Muratçelepiasi në pazar ose anasjelltas e bënin kokulur, thuajse pa folur fare.
Ne e dinim që shumë prej tyre kishin mbaruar shkolla të mira, prandaj dhe nuk habiteshim që ishin shumë të sjellshëm. Shumë prej prindërve dhe të afërmve të tyre kishin rënë në burg dhe me sa dukej, kjo i shpjegonte të gjitha. Flitej se Vrionasit ishin më të shumtët. Ndoshta, nga që ishin më të pasurit. Atëherë, kisha një ide të mjegullt, sigurisht, se, kush fliste…
Më shumë se fjala “i deklasuar”, për ta, në fjalorin e përditshëm, përdorej fjala “i prekur”, dhe “me hije”: ai është “i prekur”, familja e tij është “e prekur”. Tamam fjala e tmerrshme që përdorej për të sëmurët me tuberkuloz, ose veremi, siç thirrej në gjuhën e përditshme, një sëmundje fatale, pas së cilës i kishe ditët të numëruara. Kujt i shkoi mendja t’i vinte këtë epitet!? Kjo sepse për të nuk kishte ilaç, më saktë, nuk ishte shpikur deri ato vite.
Edhe kur pas shpikjes së penicilinës, falë këtij antibiotiku edhe në Shqipëri (rreth vitit 1955 kur erdhi), kjo sëmundje filloi të shërohej si gjithë të tjerat – të prekurit tanë -përsëri nuk gjetën derman. Madje, në vitin 1955 e këtej, “sëmundja” e tyre zuri të acarohej më tej; e prekura e tyre ishte e tjetërllojtë – politike.
Me 甘duket, për ironi, thirrej edhe sëmundje e zengjinëve, të pasurve, sepse vetëm ata ia kishin ngenë ta shëronin me ushqime speciale dhe me pushime të gjata në vende klimaterike. Përmendeshin Zvicra dhe Viena, për shembull, ose Voskopoja – sipas xhepit. Kjo fjalë që dukej gjithashtu e shpikur enkas, ishte tallje e hidhur për zengjinët e Beratit, që tani, të rënë nga vakti, nuk përballonin dot as Tomorin e Shpiragun, që e kishin tek dera.
Veç të tjerash, sëmundja ishte edhe ngjitëse
Vrionasit apo “të prekur” të tjerë ia ngjitën njeri-tjetrit disa breza, duke i lënë pa punë e pa shkollë, dhe, më e keqja, në burgje apo të internuar. Lufta e klasave ndoqi linjën gjenetike, por sëmundja u trashëgua edhe tek krushqia: ka marrë (nuse) tek Vrionët … ka dhënë tek Dyrmot…! Përjashtime nga partia: o gruan, o partinë (Sabri Godo, shkrimtari, për shembull, zgjodhi gruan, por e diti vetë sa e pagoi …).
Të prekur kishte plot në lagjen tonë, por dhe në lagjet e tjera të qytetit, sa të duash. Veç Vrionëve, Myftinjtë, Protopapët, Dollanët, Haznedarët, Protoduarët, Kokoshët, familjet Lapardhaja, Stefa, Sterjo, Jahot, Dyrmot etj. I lindur pas Çlirimit, unë vetë kujtoj të shpronësuarit e fundit. Nan Karaji për shembull, që e kishte dyqanin në pjacë, afër postës së qytetit, ishte tregtar pijesh: verë e raki me shumicë e pakicë.
Kur, një ditë, për çudinë tonë, ia pamë dyqanin të mbyllur. Dëgjuam, se dy tatimet e para, të jashtëzakonshme, i kishte mbajtur, përballuar, domethënë, paratë në dorë shtetit, ose kesh, siç thuhet sot. Por, në tatimin e tretë ishte thyer. Pyzja, tregtari i rrobave të gatshme e pajave të nuseve, ishte dorëzuar më shpejt – e kishte xhepin më të vogël se Nan Karaji e të tjerët.
Ne kishim disa armiq të çuditshëm në qytet, që unë nuk e kuptova kurrë pse ishin të tillë. Për shembull, doktor Ymer Dishnica, babai i shokut tim Perit. E kishin futur në burg dhe e kishin internuar në Berat si armik të popullit (!). Ishte diplomuar në Francë. Populli e donte shumë sepse, përveçse në spital, ai iu shkonte të gjithëve në shtëpi, ditën apo natën. Si mund të ishte armik i popullit, ai që populli e donte dhe e respektonte aq shumë?!
Kishte edhe familje të tjera, të mëdha e të mesme, të cilat agrarja apo tatimet e jashtëzakonshme i bënë të prekur, kulakë, me biografi të keqe etj. Por, këtu nuk hyjnë ata që u vet-shpallën kulakë e me biografi të keqe pas viteve 1990 dhe që i njeh gjithë qyteti. Ca nga ata njiheshin edhe si hafije, domethënë spiunë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe, megjithëse u dolën emrat edhe nëpër gazeta, vazhduan përpara…! Ishte një fenomen që u shfaq në të gjitha vendet e Lindjes komuniste pas përmbysjes së diktaturave.
Katovica nuk është mit!
Banorët e thjeshtë të qytetit nuk i druheshin hiç infeksionit të të prekurve. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, shëtitjet dhe hyrje-daljet vazhduan si më parë. Ajo që bënte përshtypje ishte fisnikëria dhe kujdesi i vetë të prekurve për t’iu shmangur takimeve për të mos dëmtuar miqtë e shokët e tyre. Deri në gjimnaz, ky virtyt i qytetarëve të mi, mua më dukej gjëja më e natyrshme në botë. Ndoshta, ndikonte fakti që të gjithë prindërit, familjet tona, në rrugicë, në lagje, në qytet, bënin të njëjtën gjë.
Cilat mund të ishin shkaqet e kësaj shpërfilljeje të politikës? Ndoshta, deri atëherë, nga fillimi i viteve ‘60-të, lufta e klasave, siç quhej, nuk ishte ndezur edhe aq. Për ne, por edhe për të rriturit, më të njohurit, më të mëdhenjtë dhe më të respektuarit e qytetit, ishin doktor Dishnica, doktor Thomo, doktor Kondi, doktor Haxhistasa, doktor Lluka, doktor Maksuti, doktor Pandeli Çina, doktor Afrim Çeçua, doktor Zino Matathia, apo njerëz të ditur si Vexhi Buharaja, dhe të vegjlit as e kishin idenë ç’ishte sekretari i parë apo, i shtati! Këta ishin njerëzit që përditë u vinin në ndihmë njerëzve dhe u bënin derman.
Por, ndoshta, kjo shpërfillje e politikës mund të vinte se në qytetin tonë, ku ende shumicën dërrmuese të popullsisë e përbënin familjet autoktone, të vjetra, 100-, 200-, 300- e më shumë-vjeçare, duke njohur me rrënjë biografitë e vjetra të njeri-tjetrit gjatë fqinjërimit shekullor me to, e bënin vlerësimin me biografitë e vjetra dhe shpërfillnin biografitë e reja, me politikë. Pra, u konfirmua edhe një herë, se biografia e vjetër mban vlagë më gjatë se ajo e reja, që matet me një parti a një tjetër dhe me një karrige a tjetrën.
Në vitet 1980 njoha edhe nga afër një patriot timin, nga Vrionasit, Jusuf Vrionin, me të cilin pata rastin e fatin të punonim bashkë për gati dhjetë vite, në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori” (më pas u quajt “Enciklopedike”). Intelektual i mirëfilltë, i shkolluar në Francë dhe i bredhur nëpër Europë, aristokrat dhe elegant në sjellje e në veshje, dhe, sigurisht, tepër i aftë dhe i kulturuar – tek ai shikoje edhe rrënjët, biografinë e vjetër. Burgu 13-vjeçar nuk kishte mundur dot t’ia këpuste këto rrënjë.
Në vitin e dytë në gjimnaz patëm fat me një profesor të letërsisë, por, fatkeqësisht, vetëm për disa muaj, sepse më vonë ai u zhduk dhe ne morëm vesh se kishte rënë në burg për agjitacion dhe propagandë: 10 vjet. Luan Myftiu, ishte nga një familje e njohur e qytetit, gjithashtu, “e prekur”. I gjatë, pak i dobët, i mbajtur pastër, ai ishte veçanërisht i zoti. Ishte i kulturuar dhe e njihte mirë letërsinë. Tepër i sjellshëm dhe aspak patetik, ai fliste me një zë të lehtë, të ulët e disi të druajtur, dhe ti – i tëri sy e veshë – mendoje, se vetëm me një zë të tillë mund të flitej për letërsinë.
Të prekur ne kishim goxha edhe në klasën tonë, në gjimnaz. At Zefit, në qeli – më pas e pushkatuan – i qe ndaluar të lëvizte buzët për të thënë lutjen, dhe, për çdo shkelje, domethënë, lëvizje buzësh, dënohej me pesë goditje me kamxhik në shpinë dhe në këmbë. Meqenëse ishte e pamundur që çdo shqiptari t’i vihej nga një gardian për t’i mbyllur gojën, u mendua se fshirjen e Zotit nga kujtesa, mund ta bënte mbyllja apo prishja e të gjitha kishave e xhamive dhe shpronësimi edhe i shtëpive të Zotit; ndëshkimi i klerikëve.
Zhveshja nga besimi dhe bindjet fetare ishte ndërmarrja më donkishoteske. Kjo privatësi, krejt intime dhe e shenjtë, nuk shënohej në asnjë census dhe pasaportë të vendeve të qytetëruara. Më 15 shkurt të vitit 1967, në orën 10.00, në të gjitha dyert e kishave dhe xhamive të Shkodrës ishin vendosur fletë-rrufe, siç quheshin, letra, në të cilat shkruhej: Mjaft keni mashtruar! Hyni në punë, dhe fitojeni bukën me djersën e ballit!
Iniciativa u përhap shpejt në të gjithë Shqipërinë, dhe, për një kohë të shkurtër, shumicës së kishave dhe xhamive iu vu kazma, kurse një pjesë e tyre u kthyen në depo mallrash, teatro apo shtëpi kulture. Njëherësh, por ndoshta edhe përpara se të orientohej gjymtimi dhe tjetërsimi i kishave dhe xhamive, u orientua edhe gjymtimi, tjetërsimi, fyerja dhe poshtërimi i tyre: të ndërrojnë veshjet dhe të rruajnë mjekrat të gjithë.
Në të vërtetë, klerikët ishin kontingjenti i fundit që kishte mbetur me mjekra e mustaqe. Duket e pabesueshme, por, menjëherë pas çlirimit, sipas një orientimi që nuk u mor vesh kurrë nga erdhi, askush nuk mund të mbante më mjekra e mustaqe. Në arkiva nuk mund të gjesh asnjë vendim qeveritar apo partiak. Në gazeta dhe fjalime filluan të quhen shfaqje të huaja borgjeze, dhe kjo ishte e mjaftueshme që njerëzit të merrnin vetë masat.
Revista satirike “Hosteni” sulmonte me shkrime dhe karikatura cilindo që guxonte të provonte. Madje, në disa raste u ironizuan në shtyp jo pak aktorë të Kinostudios, të cilët, nën justifikimin se kishin role të tilla, zunë të mbanin mjekra e mustaqe. Ishte i vetmi vend në botë, ku nuk shihje, qoftë edhe një të tillë. Që të jem fare i saktë, një i tillë ishte në Tiranë. Ishte një burrë rreth të gjashtëdhjetave. I gjatë, i pakët në trup, me pamje fisnike dhe me një ndriçim intelektual në sy, ai ishte i vetmi që mbante, jo vetëm mustaqe, por flokët e tij tepër të gjatë i vareshin goxha mbrapa, poshtë jakës së xhaketës.
Ishin vitet shtatëdhjetë dhe shumica e atyre që e shikonin këtë burrë të ecte i qetë rrugëve të Tiranës e merrte për turist të huaj. Nuk ishte turist; ishte profesori i njohur dhe i nderuar i Agronomisë, Abedin Çiçi, për të cilin thoshin, se ishte lejuar t’i mbante ata flokë aq të gjatë me porosi të vetë Enver Hoxhës. Kjo fjalë qarkullonte gjithandej, por të vërtetën nuk e dinte askush. Ka ca të vërteta të tilla të asaj kohe, të cilat, të rinjtë e pas-viteve ’90-të i kanë të gjitha arsyet t’i marrin si fictione. Ndoshta, vetëm arkivat dhe shtypi i kohës mund t’u krijojë bindje.
Po me priftërinjtë e hoxhallarët, ç’patën?! Në fund të fundit, si kudo në botë, mjekrat dhe mustaqet e tyre ishin institucionale dhe profesionale. Sapo ishte mbyllur xhamia e lagjes sonë. I ulur në njërën nga karriget e rrojtores duke pritur radhën, dëgjova berberin, i cili, njërit prej hoxhallarëve të ulur përpara pasqyrës, me lot në sy dhe i ngashëryer, i thoshte:
– Aman, hoxhë Efendi, ma bëj kabull! Nuk më bëjnë duart të heq mjekrën e zotërisë sate!
Sigurisht, në ato vite, ne fëmijët skena të tilla si ajo në rrojtore nuk i gjykonim si “mohim të së drejtës universale për të ushtruar lirinë e besimit fetar”, “mbi bazën e konventës x, y,…,”, etj., etj. Përkundrazi, ato skena na dukeshin si shkak për “gallatën” që do të fillonte, kur hoxha, tanimë pa mjekër dhe i veshur “civil”, rrugicë më rrugicë, do të shpejtonte të futej në shtëpi, i ndjekur nga të qeshurat dhe romuzet e disave që mezi i prisnin raste të tilla për batutat e tyre.
Kurse unë vetë, duke e parë atje në rrojtore përpara berberit, përfytyroja se çfarë do të bënte tani e tutje hoxha ynë. Do të shkonte në kinema si të gjithë të tjerët? Do të lahej në lumë i zhveshur në brekë si gjithë të tjerët? Do të hante akullore duke ecur rrugës? Po Hafiz Rizait, si do t’i thërrisnin tani,- shoku Riza? Po Atë Vangjelit, Papu do t’i thërrisnin edhe tani? Se edhe Atë Vangjeli, si Hafiz Rizai ishte bërë.
Këtë fat patën të gjithë klerikët e qytetit
Ushtarakëve, kur, për një faj a një tjetër, dënohen me burg, sipas ligjit, para se t’i fusin në qeli, ua heqin simbolet e ushtarakut: armën, kapelën, rripin e mesit dhe lidhësat e këpucëve. Pas kësaj, duken krejt pa identitet e qesharakë me flokët e deformuar nga kapelja 30-40 vjet pa u hequr nga koka dhe pjesa tërësisht e bardhë e ballit. Po ashtu u shfaqën në rrugët e qytetit edhe hoxhallarët, priftërinjtë dhe dervishët, pasi hoqën veshjet dhe mjekrat. As nga afër nuk i njihje dot më.
Dhjaku simpatik i lagjes “Goricë”, At Vangjel Xoxa, mjekra tepër e zezë e të cilit në fytyrën shumë të bardhë të tij krijonte një grafikë të rrallë, pas operacionit u mbyll në shtëpi për një kohë goxha të gjatë. Pastaj, doemos u detyrua të dalë për të nxjerrë bukën e gojës. Filloi punë si marangoz në zdruktharinë e qytetit, dhe im vëlla, që punonte atje, tregonte se At Vangjeli punonte me shumë sedër të bënte normën, që në ditët e para.
Njerëzit e famshëm: shkrimtarë, artistë, shkencëtarë etj., për opinionin që i do, duken simpatikë dhe nga ana e jashtme, edhe kur nuk janë fare të tillë. Por Vexhi Buharaja ishte realisht burrë simpatik, prandaj dhe asnjë ndryshim në pamje nuk mund t’ia dëmtonte imazhin. I gjatë, me një trup të drejtë dhe të ecur elegante, sikurse kostumi e kravata që mbante veshur; brun, me një mjekër të zezë e të mbajtur bukur – ato vite ishte klerik – ai binte menjëherë në sy. Në lagje, sigurisht, por edhe në gjithë qytetin. Më është ngulitur në kujtesë fakti që, kur ai dilte nga shtëpia, në fund të rrugicës sonë, dhe merrej vesh se do të shkonte tek xhamia e lagjes, gratë dhe vajzat e lagjes hapnin portat me ngut dhe lajmëronin njëra-tjetrën: Zonja, shpejt, vishuni të shkojmë në xhami, sepse sot do të rrëfejë vas Vexhiu./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













