Nga Enver MEMISHAJ
Pjesa e dytë
Memorie.al / Shumë familje që dhanë me përkushtim dhe me dashuri për atdheun dhe lirinë gjithëçka që mundën, në kohë shumë të vështira, u mbuluan me pluhurin e harresës gjatë diktaturës komuniste. Një nga këto familje që duhet kujtuar dhe nderuar është edhe ajo e Numan Lepenicës. Numani lindi në Lepenicë të Vlorës në vitin 1892, dhe kreu arsimin e lartë në Stamboll. Ai i shërbeu vendit të tij për 32 vjet, nga 1912, si oficer në qeverinë e Ismail Qemalit, i plagosur në Luftën e Vlorës më 1920, kryetar komune dhe nënprefekt deri më 31 dhjetor 1944 dhe ashtu si miku i tij Ali Asllani, vdiq pa pension, në mjerim. Numani u martua me dashuri me mësuese Zenepen, të bijën e Mustafa Xhomos, një bej i rënë nga vakti nga Leskoviku dhe mbesë në familjen Vlora.
AFËRDITA LEPENICA
Pas daljes nga burgu, Afërdita mbeti e persekutuar deri në fund të jetës. Ajo punoi mami në qytezën e sharrëxhinjve, në Hotolisht të Librazhdit, deri sa doli në pension. Çdo vit, ajo së bashku me Donatën, vajzën e sajë, i kalonte pushimet verore në shtëpinë e autorit të këtij shkrimi, në Vlorë. Nëna ime, me gjithë hallet e sajë, e priste dhe e përcillte me dashuri dhe respekt dhe nuk u lodh asnjëherë duke i shërbyer.
Po kështu edhe Gatua, motra ime në Tiranë, me dashuri prej motre, i hapi Afërditës dhe Donatës derën e shtëpisë dhe të zemrës. Afërdita i tregonte autorit të këtij shkrimi jetën e sajë plot peripeci dhe vuajtje të pa fundme. Pas vitit 1992, kur mu dhanë mundësit të shfrytëzoj arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, harmonizova tregimet e Afërditës me dokumentet e kohës. Ja se ç`farë ka treguar Afërdita, nën tortura, në hetuesinë komuniste:
“Unë kam lindur në Vlorë më 8 korrik 1925. Mbas mbarimit të arsimit fillor, prindërit më regjistruan së bashku me motrën binjake Elisabetën, në Shkollën Tregtare në Ujë të Ftohtë të Vlorës, në atë kohë një shkollë me emër shumë të mirë. Në vitin 1940, kur unë vazhdoja Shkollën Tregtare, Ministria e Shëndetësisë me anë të një lajmërimi në gazetë, kërkoi 35 vajza për t`i çuar në Itali për studime…! Babai pasi mori pëlqimin tim me anë të miqve të tij më siguroi një bursë.
Më 2 qershor 1940, u nisa së bashku me shoqet në Itali. Më 1 korrik mbërritëm në Bari. Aty qëndruam 6 muaj, për studime për mami, por duke qenë se Bari ishte zonë lufte dhe bombardohej nga anglezët na transferuan në Kamerino. Në pushimet e verës të vitit 1942 erdha në Vlorë dhe shkova për disa ditë në fshatin e origjinës së babait, në Lepenicë. Në shtëpinë e xhaxhallarëve që ishte shndërruar në bazë të luftës, vinin partizanë ilegal, midis tyre edhe djali shtëpisë tonë, Sadik Premtja.
Nga ai mora njoftimet e para për Lëvizjen Nacionalçlirimtare, mësova këngët e para revolucionare dhe në përfundim të pushimeve u ktheva në Itali për të vazhduar studimet. Në të vërtetë e urreja në kulm fashizmin dhe italianët. Ndër shoqet e mia studente në Itali, kujtoj: Xhemile Gjinishin, motrën e Mustafa Gjinishit nga Peqini, Nimete Luzatin, nga Luzati, Melani Kafeja nga Shkodra, Aspasi Roshi nga Kavaja, Lefteri Dhamo nga Durrësi, Nixhije Hila nga Delvina dhe tashti banuese në Tiranë, Senka Andrea nga Shkodra, tash mami në Lezhë, Sofije Bejtja nga Elbasani, tash banuese në Tiranë, Bukurie Meçaj nga Elbasani, tashti mami në Peqin, Hasime Janina nga Berati, tashti në burg politik, Milla Paço nga Përmeti, tashti me banim në Tiranë, Fahrie Deliu nga Elbasani tashti nuk e di ku banon, Evjani Ndija nga Elbasani tasht mami në Përmet, Eftiqi Noçka nga Gjirokastra tash mami në Vlorë, Margarita Papleka nga Elbasani, tash mami në Tiranë, Meropi Shyqyriu tash me banim në Elbasan, martuar me major Kopi Nikon, Bepina Shala nga Shkodra, Athina Marku nga Elbasani. (Fjala tash, tregon vitin 1950, kur Afërdita flet për jetën e sajë)
Me këto shoqe, në sallë ku mblidheshim me pretekst studimi, bisedonim shpesh herë për luftën që bëhej në Shqipëri. Këtë frymë vendosëm ta përhapim në të gjitha shoqet e konviktit. Mirëpo aktivitetin tonë e raportoi në karabinieri shoqja jonë Maria Bobe nga Shkodra, e cila më pas u martua me kapitenin e karabinierisë së Kamerinos.
E burgosur dhe internuar prej fashistëve italianë
E spiunuar, më 27 shkurt 1943, u arrestova nga Kuestura e atjeshme si antifashiste, meqenëse në konvikt flisnim për Lëvizjen Antifashiste që bëhej në Shqipëri dhe këndonim këngë revolucionare, që i kishim mësuar kur ishim me pushime në Shqipëri. Shpesh herë këndonim një trakt që më kishte dhënë mua Sadik Premtaj – Xhepi, në muajin tetor të vitit 1942, kur isha me pushime në Shqipëri. Në këtë trakt Partia Komuniste i bënte thirrje popullit që të hidheshin në luftë kundër fashizmit.
E mbaj mënd, se si më arrestuan: Krye-murgesha që ishte në konvikt Ana Piaxha më tha se duhet të shkoja në Karabinieri. Atje kapiteni Karabinierisë më kërkoi që të ngrinim në konvikt Organizatën e Fashios dhe të merrnim triskat e Fashios. Unë e kundërshtova duke i thënë se ne nuk kemi ardhur këtu për të bërë politikë, por për të vazhduar studimet. Atëhere ai më tha se ju keni lidhje me partizanët shqiptarë dhe këtu keni ardhur jo vetëm për të mësuar, por edhe për të bërë propagandë kundër fashizmit dhe se kishte urdhër nga Ministria e Jashtme Shqiptare të më internonin pse isha kundër fashizmit.
Pra, sentimentet e mia ishin zbuluar dhe prandaj të nesërmen në katër të mëngjesit më morën dhe më internuan në kampin Polence tre orë larg me tren nga Kamerino. Në atë kamp vuanin 2000 gra të huaja dhe italiane. Dy ditë më parë kishin internuar edhe shoqen time Milla Paço. Fashistët na trajtonin shumë keq…, na jepnin vetëm 150 gr. bukë në ditë, por mua më ndihmonte familja, për çdo muaj merrja prej saj 1000 lireta ose edhe më shumë. Atje kisha si shoqe të ngushtë vetëm një turke që quhej Suela…! Në Polence qëndrova pak kohë, pasi u sëmura prej vuajtjeve…dhe mua më transferuan në katundin Fiuminda, që fashistët e quanin ‘ampo libero’. Aty jam njohur me disa familje italiane, por shumica nuk më kujtohen emrat… Edhe këtu vuanim, pasi na jepnin vetëm 150 lireta në muaj…!
Mund të kujtoj Alberto Rossin, familjarisht. Me këtë unë shoqërohesha, por ishte e ndaluar nga karabinieria që ne të internuarat të kishim intimitet me italianët. Këtu qëndrova deri më 15 nëntor 1943, prej kësaj date na çuan në një kamp tjetër në Apiniano ku qëndrova deri në shkurt të vitit 1944. Aty më ka ardhur kuestori komandës dhe pasi më bëri komplimente, donte të dinte se cilët ishin komuniste që ndodheshin akoma në konviktin tonë. Unë i thash se neve asnjëra nuk jemi komuniste, por jemi vetëm studente që kemi ardhur këtu të kryejmë studimet dhe të kthehemi në atdhe. Ai nuk më besojë dhe më tha se; ‘deri sa të mbarojë lufta, ti do të qëndrosh e internuar’. Më 15 shtator 1943, më transferuan në Ampinjero.
Para se të më transferonin më erdhi një telegram nga Eqrem Çabej, njeri krejt i panjohur nga mua, ku më thoshte të shkoja në Romë… Unë këtë njeri nuk e njihja dhe nuk e dija çfarë detyre kishte në Romë…! Dy shoqet e mia Milla Paço dhe Hasije Janina u liruan, kurse mua nuk më liruan, për këtë unë pyeta dhe më thanë: Nuk kemi asnjë urdhër as nga Ministria e Jashtme dhe as nga Ministria e Luftës. Kështu që unë mbeta e internuar dhe u transferova në Apijano, ku vuante edhe një ruse e bardhe edhe kjo e internuar.
E burgosur dhe internuar prej nazistëve gjermanë
Sapo e okupuan këtë fshat gjermanët, mua më burgosën me akuzën se jam në lidhje me partizanët, gjë që unë e mohova me këmbëngulje. Në burg kam qëndruar nga data 7 shkurti 1944, deri nga fundi muajt qershor 1944 dhe kam vuajtur nga trajtimi keq dhe ushqimi keq: lakra dhe 150 gram bukë në ditë. Oficerët gjerman, të shoqëruar nga ata italian, kërkonin nga mua të tregoja bazat e partizanëve. Unë u thoja se nuk di gjë, për këtë dy herë më kanë vënë në torturat e fronit me korrent dhe duke qenë se unë nuk fola u bindën…!
Liria nga forcat amerikane dhe idetë antikomuniste
Më nxorën nga burgu dhe më çuan në fshatin Karidone. Atje qëndrova deri sa erdhën forcat amerikane. Mbas dy muajve të çlirimit nga gjermanët shkova në Bari në Misionin Ushtarak Shqiptar, i kryesuar nga n/kolonel Kadri Hoxha, i cili më caktoi infermiere në kamp…!
Në kontaktin e parë që pata me partizanët e plagosur që kishin ardhur në Itali, mora vesh për dezertimin e Sadik Premtes – Xhepit, njeri që unë e doja dhe e admiroja pa masë si edhe ai mua. Simpatia e madhe që kisha për të, më bënë që edhe unë të ndërroj opinion dhe rrugën, pasi arsyetoja se deri sa ai jetoi dhe luftoi për Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe u kthye mbrapa, si duket kjo Lëvizje nuk është e drejtë dhe e mirë…!
Mosha ime e re, 18 vjeçare, dhe rrethi shoqëror që kisha frekuentuar para se të bija në kontakt me partizanët shqiptar kishin influencuar në ndërrimin e mendimeve të mia dhe lajmi për Sadik Premten – Xhepin, ndikuan kryesisht në ndjenjat e mia revolucionare, kështu që unë besova anglo-amerikanët. Në kamp me partizanët shqiptar qëndrova në tepër se një muaj e gjysëm.
Kthimi në atdhe dhe aktiviteti antikomunist
Më 21 dhjetor 1944, u ktheva në Shqipëri, në familjen time në Vlorë. Aty mësova se një xhaxha, Xhelal Hoxha, ishte vrarë në luftë si ballist, gjithashtu edhe Hysni Lepenica, dy njerëz që unë kisha për ta një dashuri të madhe. Pastaj më thanë se partizanët kishin djegur shtëpinë tonë në Lepenicë dhe kishin marrë të gjithë mallin. Këto ngjarje e rënduan më tepër shpirtin tim. Që në ditët e para të kthimit tim në Vlorë fillova miqësinë me disa shoqe që kisha pasur më parë… Ishin shoqe të pakënaqura dhe anti-revolucionare…! Kisha miqësi me familjet e çifutëve që kishin një urrejtje të madhe për Pushtetin Popullor. Te këta gjeta tamam ata që kërkoja…!
Vendi ku mblidheshim ishte shtëpia e Xhon Matathia-s. Atje vinin Rafo Jakoeli, Moisi Levi, tani në Vlorë, Nino Ganiu, Xhakovino Matathia, tani në Tiranë, po ashtu vinte djali doktor Çupishtit, Skënderi, me të motrën Shukranen, tani familjarisht në Shkup, dhe shoqet e mia çifute Mini Jakoeli dhe Tuçi Matathia dhe nga ndonjë herë mblidheshim te shtëpia e Mini Jakoelit. Ne mblidheshim çdo të shtunë dhe bisedonim mbi reformat, shtetëzimet, regjimin që ne s`na pëlqente. Mbas kërkesave të tyre unë u shpjegoja për ushtrinë anglo-amerikane dhe regjimin demokratik që ishte në Itali, që i dedikohej udhëheqjes së De Gasperit etj.
U flisja për ushtrinë anglo-amerikane, e cila e trajtonte mirë popullin italian, përgënjeshtroja lajmet e gazetës sonë. U thosha se në Itali gjendej çdo gjë, ju thoja se Kryqi i Kuq amerikan shpërndan ushqime dhe ndihmon të dëmtuarit e luftës etj. U thosha se shumë oficerë amerikanë dhe anglez më kishin thënë se nuk është e largët dita kur do të vijmë në Shqipëri. Lavdëroja rregullin dhe disiplinën anglo-amerikane. Në vitin 1946 në Vlorë zura miqësi me vajzat e Risiliotëve: Diana Risilia, Rubie e Nergjize Risilia të cilat kishin marrë pjesë aktive në radhët e Ballit Kombëtar.
Në këtë shoqëri nuk mungonte asnjëherë Shukrie Çupishti, e cila gjatë viteve 1940-1943, kishte qenë në gjimnaz në Itali, një vajzë tepër e zgjuar. Doktor Çupishti i ati Shukranes u transferua në Peshkopi, ku mori edhe familjen me vete. Më 28 nëntor 1948, familjarisht u arratisën në Shkup, Jugosllavi. Shukrania më kishte propozuar edhe mua të arratisesha bashkë me ta, por në atë kohë unë u arrestova në Burrel, për agjitacion dhe propagandë.
Mbledhjet i bënim tek Diana Risilia pasi shtëpia e saj ishte në periferi të qytetit. Ne nxisnim edhe shoqe të tjera të vinin në takimet tona. Kështu u bëmë gjithsej 11 vajza: Afërdita Lepenica, Shukrane Çupishti, Diana Risilia, Rubie Risilia, Nergjeze Risilia, Nedime Kasëmi, Mimi Kasëmi, Nefrone Agalliu, Tahnime Mustafaraj, Mini Jakoeli, Tuçe Matathia.
Ky grup ishte vepra ime. Ne jemi mbledhur katër herë në shtëpinë e Diana Risilisë. Në këto mbledhje bisedonim për luftën dhe rolin që kishte luajtur femra në atë luftë, që sipas pikëpamjes tonë ajo i kishte shërbyer më tepër burrave se sa luftës. Flisnin ato që e kishin jetuar luftën…! Nedime Kasëmi që kishte qenë pjesëtare e celulës së Ballit Kombëtar në Vlorë lavdëronte Ballin Kombëtar dhe thoshte se edhe neve kemi qenë shumë shoqe në celulë, por nuk ka pasur degjenerim…! Këto lidhje u shkëputën duke filluar nga fundi i vitit 1946 deri në vitin 1949, pasi jeta na shpërndau.
Në shërbim femrës shqiptare dhe vullnetare në hekurudhë
Në janar –shkurt 1945, u emërova mami në Himarë, nga Himara u transferova në Mesaplik e Drashovic. Në Drashovic mu dha mundësia që të shoh biografinë time ku shkruhej se isha person i padëshiruar dhe që nuk duhet të besohesha. Kjo gjë më revoltoi kundër pushtetit. Kuptova qartësisht se ndiqesha nga policia.
Nga muajin qershor i vitit 1945 u transferova mami në Valias të Tiranës. Këtu qëndrova për 4 muaj dhe në nëntor të këtij viti u ktheva pranë familjes, pasi isha dobësuar shumë dhe babai më tha që të kthehesha në shtëpi pa lejen e Ministrisë. Pranë familjes qëndrova 8 muaj pa punë, deri sa mora veten.
Në gusht të vitit 1946 më emëruan mami në Kurvelesh
Në muajin gusht 1947, kam qenë vullnetare në hekurudhën Peqin – Elbasan. Me t`u kthyer nga hekurudha kam punuar provizorisht llogaritare në Ndërmarrjen e Grumbullimit në Vlorë, afro një vit. Në muajin mars 1948 jam transferuar në Burrel, ku edhe krijova një rreth antikomunist. Më 27 tetor 1948 më arrestuan në Burrel dhe më akuzuan për agjitacion dhe propagandë, por pas tre muaj e gjysëm më liruan për mungesë faktesh…!
U lirova pas rezolutës të Kongresit të Parë të PKSh –së më 22 dhjetor 1948 dhe shkova në Vlorë ku qëndrova 8 muaj pa punë, deri në gusht të vitit 1949, sepse nuk pranoja të shkoja në punë në rrethin e Maliqit, ku më kishte emëruar Ministria e Shëndetësisë. Më 26 gusht 1949, me kërkesën time shkova në rrethin e Gramshit sepse atje ndodhej i fejuari im Hysen Dervishi.
Aty u njoha me nëpunës dhe fshatarë antikomunist, të cilët m`i prezantoi i fejuari im. Edhe këtu dhe në çdo vend tjetër nuk mungova të vazhdoj aktivitetin tim antikomunist…! Të gjithë njerëzit e mi të afërt janë kundër komunistëve në pushtet: Refati, Shaqia, Qemali, Imeri, Fetiu. Dilaveri, etj.”.
Mendimet dhe idetë e mia
Në rrethin tim shoqëror kam pasur dhe kam mbrojtur këto mendime: Unë kam menduar se kjo qeveri nuk vete shumë. Kam menduar gjithnjë se edhe neve duhet të luftonim kundër komunizmit dhe kam biseduar se një ditë do të vinin anglo-amerikanët dhe do rrëzonin komunistët nga pushteti. Unë propagandoja se komunistët vepruan si fashistet. Fashistët i vunë flamurit tonë shpatat e Duçes, ndërsa komunistët i vunë yllin e Rusisë. Ne duhet të kemi një Shqipëri të lirë nacionaliste.
Për këto mendime më nxiste xhaxhai im Refat Lepenica, djali xhaxhait Qemal Lepenica, kushëriri im Perlat Selami, sot në vitin 1950, i vdekur dhe shoqja ime vlonjate Athina Marku. që është mami në Elbasan. Unë mendoja se Shqipëria duhet të jetë e lirë dhe të zhvillohet në rrugën demokratike, por jo në rrugën e komunizmit. Mua nuk më pëlqente diktatura komuniste, më pëlqente demokracia e tipit të perëndimit.
Simpatia për tipin e demokracisë së perëndimit më ka lindur që kur erdhën aleatët në Itali duke lexuar revista, gazeta amerikane dhe angleze të shkruara italisht dhe duke biseduar me ushtarakët e misionit anglo-amerikan dhe ndihma që ata i jepnin popullit, tek neve la përshtypje të mira për demokracinë e perëndimit. Ne kemi folur gjithmonë për ide nacionaliste për një Shqipëri të lirë, për flamur pa yll.
Kur isha me punë në Drashovicë të Vlorës, së bashku me një shoqen time, të quajtur Liri, së cilës i ishte pushkatuar i ati, përgatitëm disa trakte ku i bënim thirrje popullit të protestonte kundër qeverisë, pasi qeveria nuk ishte njohur akoma dhe thoshim se kjo qeveri po na burgos dhe na pushkaton, por këto trakte na u zunë nga Sigurimi.
Mua më morën në pyetje në Drashovic, më këshilluan dhe më liruan. Njerëzit e pushtetit më quanin armike dhe nuk më afronin. Në gjirin e familjes nuk kam qëndruar, që kur u ktheva nga Italia, veçse si mysafire kështu që ndjenjat e mia vazhdonin të ishin kundër pushtetit të komunistëve…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














