• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Saturday, May 30, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Vetë Vexhi Buharaja, në historikun e lagjes sonë në Berat, shkruan se; djemtë dhe vajzat e lagjes, sidomos, kur ishin në një sokak…”/ Dëshmia e rrallë e ish-kryeredaktorit të “Zëri i Popullit”

“Ndërsa në Berat, për ta diskriminuar e dërguan si arkëtar te berberët e Komunales, kryetari Akademisë, Prof. Aleks Buda, kur vinte në qytetin tonë…”/ Historia e panjohur e Vexhi Buharasë
“Si u dënua Xhevahir Spahiu dhe u hoq nga ‘Zëri i popullit’, pasi Sigurimi gjeti dorëshkrimet e tij, ku…”/ Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit të Radio-Tiranës dhe ‘RD’-së
“Fyerja më e madhe iu bë kur në marsin e vitit 1975, dy muaj para mbarimit të vitit shkollor…”/ Historia e panjohur e Prof. Kol Ashtës, që kishte mbrojtur diplomën në 1942-in në Itali, me ‘Epikën’ e Fishtës
“Pasi nxirrte zhavorr me lopatë tek ‘Gropa e Zhurrit’, rrëzë Kalasë, ku fshinte djersët me duar, Vexhi Buharanë e dërguan te rrojtorja e…”/ Dëshmia e rrallë e ish-kryeredaktorit të “Zëri i Popullit”
“Ndërsa në Berat, për ta diskriminuar e dërguan si arkëtar te berberët e Komunales, kryetari Akademisë, Prof. Aleks Buda, kur vinte në qytetin tonë…”/ Historia e panjohur e Vexhi Buharasë

Nga ARSHIN XHEZO

Pjesa e tretë

Memorie.al / Në vitin 1986, kur punoja në gazetë, më erdhi një letër jo e zakonshme. E dërgonte Vexhi Buharaja. Ishte një zarf i madh, që ndryshonte dukshëm nga të tjerët, ata me format të vogël, të zakonshmit, që ti i dalloje menjëherë se brenda do të kishte ndonjë ankesë qytetari për shtëpi apo punë – rutinë për çdo redaksi gazete. Duke  mbajtur në dorë atë zarf, provova një ndjesi të veçantë. Vexhi Buharaja ishte tepër i njohur për mua: i qytetit, i lagjes, i rrugicës. Madje, familjet tona, nga më të vjetrat e qytetit, kishin hyrje-dalje me njëra-tjetrën, kurse ai vetë, – mik me tim atë. Por unë, i larguar herët nga qyteti, menjëherë pas gjimnazit, e kisha takuar shumë rrallë, ndryshe nga shokët e mi të fëmijërisë që banonin atje.

Vijon nga numri kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Pasi nxirrte zhavorr me lopatë tek ‘Gropa e Zhurrit’, rrëzë Kalasë, ku fshinte djersët me duar, Vexhi Buharanë e dërguan te rrojtorja e…”/ Dëshmia e rrallë e ish-kryeredaktorit të “Zëri i Popullit”

“Vexhi Buharaja u burgos, sepse bashkë me intelektualin tjetër beratas Todi Sotira, përzgjodhën disa libra nga autorët më në zë të botës dhe ato…”/ Dëshmia e rrallë e ish-kryeredaktorit të “Zëri i Popullit”

Në atë kohë – fëmijë 8 apo 9-vjeçar – unë nuk e kuptoja se kjo e thirrur intime e grave e vajzave të lagjes, thjesht në emër, pa mbiemrin, por edhe pa fjalën zoti, apo titullin fetar përpara emrit, ishte afeksion që vinte nga si i lagjes, si yni, apo sepse ai që do të dilte dhe do të predikonte përpara besimtarëve, domethënë, përpara tyre në xhami, ishte jo një teolog, por një burrë simpatik. Por e kam të fiksuar mirë në kujtesë: kur rrëfente vas Vexhiu, gratë dhe vajzat e lagjes e mbushnin dingas mafilin – një formë llozhe e gjerë në katin e dytë të xhamisë, posaçërisht për gratë dhe vajzat, të cilat përmes grilave prej druri, bënin sehir.

Pastaj se ç”i thoshin në vesh njëra-tjetrës, kushedi … Megjithëse, vetë Vexhi Buharaja në historikun e lagjes sonë shkruan se djemtë dhe vajzat e lagjes, sidomos, kur ishin në një sokak, quheshin vëllezër e motra dhe nuk mund të martoheshin me njëri-tjetrin…! Çfarë “rrëfente vas” apo predikonte Vexhi Buharaja kur hipte në podiumin me shkallare në xhami? E vërteta është se ne nuk kishim asnjë qejf të shkonim në xhami dhe nuk shkonim. Megjithatë, nja dy herë, nga kurioziteti kemi hyrë brenda dhe kemi dëgjuar për disa minuta si “rrëfente vas” Vexhi Buharaja që kishte nam.

U çuditëm! Ne prisnim të fliste turqisht por ai fliste shqip, dhe na u duk sikur nuk ishim në xhami por në shkollë. Sepse “vas-i” që ai tregonte ishte si lënda e edukatës morale, edhe histori, edhe letërsi. Thoshte, pse duhen përvetësuar dituritë, si ta duam atdheun, si duhen respektuar prindërit, pse myslimanët dhe të krishterët e qytetit janë vëllezër dhe duhet të shkojnë mirë me njëri- tjetrin, etj. etj. Shkollë. Tamam shkollë, vetëm shtoji Zotin, që në shkollë nuk ishte. Gjithsesi, lufta kundër mjekrave të priftërinjve e hoxhallarëve vazhdoi.

Nuk i pamë më të hynin nëpër rrojtoret e qytetit, sepse dëgjuam se, nga që u vinte turp, i thërrisnin berberët nëpër shtëpitë e tyre. Në të vërtetë, vetëm pak vite më vonë, në 1973-1974, pas Plenumit të 4-të, që u quajt kundër liberalizmit – fushata kundër mjekrave e mustaqeve u shtri pa dallim feje, krahine e ideje, edhe tek ata civilë, të cilët, duke përfituar nga një farë liberalizmi i jetës artistike e kulturore, kishin lënë edhe ata mjekra e mustaqe. Reagimi i shtetit ishte i vendosur dhe i egër.

Madje, në vitin 1974, u bë një eksperiment edhe me turistët e huaj në aeroportin e Rinasit, të cilët, sipas urdhrit, për të hyrë në Shqipëri, duhej më parë të hynin në rrojtoren e aeroportit, dhe të linin në doganë edhe mjekrat e mustaqet…! Nuk është fiction. Eksperimenti nuk vazhdoi gjatë. Ambasadat e akredituara në Tiranë dhe shtypi i huaj reaguan menjëherë, edhe me batuta, kundër skandalit shqiptar, të padëgjuar në botë.

Po kujt i shkoi mendja, xhanëm, për t’i telendisur në këtë mënyrë klerikët e nderuar? Nuk ishin të mjaftueshme mbyllja e kishave e xhamive, dhe mbushja e burgjeve me ta? Ç’ishte kjo luftë dhe urrejtje patologjike kundër mjekrave e mustaqeve? Formulimi shfaqje e huaj që përdorej në gazeta dhe fjalime për mjekrat dhe nuk ju dukej hiç bindës. Të na kenë ardhur nga të huajt?! Për t’u treguar më të matur e objektivë, njerëzia fillonte të kërkonte shkaqet me fakte e argumente më thellë; tek rrënjët e tek tradita kombëtare. Asgjë, përkundrazi, sepse shqiptarët, brez pas brezi – babai, gjyshi, stërgjyshi – të gjithë me mustaqe e mjekër, dhe nuk i kishin marrë nga të huajt. Shikoni, po deshët, fotografitë e vjetra dhe albumet familjare.

Për t’u bërë akoma më bindës, le të hidhemi nga baballarët tanë tek Baballarët e Kombit – të famshëm e me këngë. Vetë Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, së pari – një herë i krishterë, dhe, kur i dukej, mysliman – por në të dyja rastet, me mustaqe e me mjekër, ku e ku më të mëdha nga ato të sotmet. Rilindasit tanë, gjithashtu: treshja e vëllezërve Frashëri – Abdyli, Samiu e Naimi – të tre me mjekra të mëdha e të bukura; për të vazhduar me Jeronim De Radën e të tjerë arbëreshë në Itali, apo Pashko Vasën në Liban, Fan Nolin e madh në Amerikë, Bajram Currin, Isa Boletinin. Të gjithë.

I tmerrshmi Pashai i Janinës nuk mund të përfytyrohet dot pa mjekrën si mjegull e bardhë, aq sa të duket sikur kënga nuk është ngritur për të, por për mjekrën e tij. I qethur, i rruar, 80 e ca vjeçari plak, do të dukej si një i vdekur, i shëmtuar, që nuk mund të trembte dot as pulat e fshatit, jo më një tabor me turq, t’i bënte ballë për vite me radhë një perandorie të tërë. Kurse Vasiliqia, grekja e bukur, vetëm të ishte idiote t’i rrinte tek koka një koke të tillë. Ishte tjetër kokë, koka që iu ngrit kënga:

“Koka në Stamboll, trupi në Janinë,
Të vranë, Ali Pasha, të shtrinë…”!

Të vendosje në Kamaren e Turpit në mes të Stambollit atë kokë çilimiu për ta bërë sehir gjithë dynjaja, dhe për t’u thënë të gjithëve; ja ç’kokë kemi prerë, kushdo do të kishte të drejtën të mendonte se Turpi dhe Kamarja ishin jo për atë kokë që shihnin, por për kokat e atyre që e kishin vendosur aty. Pra, secili përmendte kokat me mjekrat e mëdha që njihte të Kombit, por Ismail Qemali, themeluesi i Pavarësisë dhe i shtetit shqiptar, u duk sikur i vuri kapak muhabetit: mjekër e mustaqe më të mëdha e më të bukura se ato të Babait të Kombit, nuk kishe ku gjeje për argument.

Nuk mund të kishte asnjë dyshim, edhe për faktin se ishte vetë Enver Hoxha ai që fliste me admirim për trimëritë dhe mençurinë e tyre. Ndërkaq në asnjë rast, dhe asnjë prej këtyre fytyrave të mëdha të kombit, nuk ishte etiketuar apo kritikuar për kufizime ideore, ndikime borgjezo-revizioniste apo diçka e kësaj natyre. Mjekrat dhe mustaqet prej shekujsh ishin bërë pjesë e traditës kombëtare; njëherësh edhe simbol i burrërisë dhe i burrit. Djemtë shqiptarë mund të shkonin ushtarë apo të martoheshin, jo thjesht, kur mbushnin 16 apo 18 vjeç, por kur iu dirste mustaqja.

Ndërkaq, gjithë ky devijim apo përmbysje e traditës në gjysmën e dytë të shekullit XX-të, po ndodhte në një vend ballkanik, madje, në atë vend të Ballkanit, ku mjekra dhe mustaqet ishin nishane e simbole edhe të dinjitetit, krenarisë dhe sedrës së burrit, dhe ku, edhe thjesht prekja sado e vogël e mustaqeve nga tjetri, apo më keq, e shara: të dhjefsha mustaqet, konsiderohej ç’burrërim dhe paguhej me kokë. Të lodhur nga diskutimet dhe hamendjet pa fund e pa bukë, njerëzit u kthyen ta gjenin shkakun e rruajtjes së mjekrave e mustaqeve tek politika dhe ideologjia.

Përkundrazi! Tek politika dhe ideologjia, jo vetëm nuk u gjet asnjë mbështetje e argument, por u konstatua se mjekra e mustaqe mbanin vetë themeluesit e doktrinës. Lenini dhe Stalini po se po, por, përpara tyre, dhe me mjekra shumë më të mëdha ishin teoricienët. Engelsi dallohej për mjekrën dhe mustaqet, që në rininë e tij, kurse koka e Marksit, “babait të komunizmit”, me mjekrën proverbiale, gjigante, më tepër se një kokë me mjekër, i ngjante një grumbulli të madh leshi, ku ishte vendosur një fytyrë.

Atëherë, cila, pra, mund të kishte qenë arsyeja apo arsyet e këtij urdhri të çuditshëm kundër mjekrave e mustaqeve, dhe kush, konkretisht, e kishte dhënë? Në fakt, qarkullonte një dyshim i bazuar, se e gjitha kjo mund të ishte një iniciativë e kryeministrit Mehmet Shehu, dhe Enver Hoxha, ose nuk ishte vënë në dijeni për atë që ndodhte, ose, qëllimisht e linte vetë kryeministrin, për të parë sa larg do të shkonte.

Hamendja nuk ishte pa bazë, po të kujtoje, se kryeministri dallohej për këto lloj iniciativash. Madje, jo shumë kohë më parë, në një fshat të Librazhdit, gjatë një mitingu, ai e kishte kapur fort prej flokësh, prapa qafe, një kryetar kooperative dhe i kishte bërtitur: Me këto mjekra e mustaqe, ju qaf-leshët doni të na sillni kapitalizmin në Shqipëri! Le të mos ngutemi, tha dikush. Shpjegimet tuaja më duken ca naive. Ato janë thjesht historira, folklor. Mua më duket ca më i thellë shkaku.

Pse pikërisht Mehmet Shehu është më i egri në këtë fushatë kundër mjekrave e mustaqeve? Ju duket i besueshëm fakti që më i flakti të shfaqet pikërisht Mehmet Shehu, i cili vetë ka pas lënë mustaqe që djalë i ri; pastaj në Luftën e Spanjës, po me mustaqe, dhe gjithashtu me mustaqe edhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur ishte komandant i Brigadës I-rë Sulmuese? Shikoni fotografitë e Luftës. Në të gjitha rastet e keni me mustaqe; atë dhe shumicën dërmuese të ish-partizanëve. Shikoni dhe fotot e pasluftës. Asnjë.

Egërsia e Mehmet Shehut, tha, shpjegohet me kompleksin e hakmarrjes për fyerjen e madhe. Por gjenerali i madh i luftës, nuk mund të dilte nga karakteri i tij. Vdekja që zgjodhi Mehmet Shehu, vet-vrasja spektakolare në vitin 1981, ishte hakmarrja dhe sfida e jashtëzakonshme e tij, pas së cilës Enver Hoxha nuk e mori veten kurrë dhe siç është thënë, ia shpejtoi vdekjen. Gjithsesi, ideja e Enver Hoxhës ishte e menduar mirë dhe është A-ja e çdo sundimtari. Ata që vuri në rresht, duhej të ishin krejt pa identitet: të gjithë njëlloj, siç veprohet me rekrutët e rinj, të cilët, para se të rreshtohen si ushtarë, të gjithë i kanë kokat të qethura zero, sepse dihet, turma pa identitet, “njerëzit zero”, sundohen më lehtë.

Kështu u veprua me të gjithë, dhe priftërinjtë e hoxhallarët e gjorë, nuk mund të bënin përjashtim. Shpronësimi duhej të ishte total dhe prona, bindja, dhe besimi fetar nuk duhej të linin shenjë as edhe në fytyrat e njerëzve. Koha tregoi se ky grotesk, kjo shaka e madhe, u kthye në bumerang, dhe se në thelb qesharak dhe grotesk ishte vetë regjimi dhe ata që urdhëruan çmenduri të tilla, por kostoja ishte e madhe.

Fyerja është më e rëndë se varfëria

Në titullin e studimit të tij për lagjen “Muratçelepias”, Vexhi Buharaja nuk përcakton kufij kohorë. Thotë përgjithshëm Vështrim panoramik për të kaluarën e lagjes. Cila e kaluar? Dihet, siç shkruan edhe vetë, se lagja është 300-vjeçare. Ndërkaq, studimi përfshin vetëm 200 vitet e parë. Po 100 vitet e fundit?! E ka lënë qëllimisht mënjanë periudhën prej disa dekadash të socializmit, dhe, ndoshta, për të fshehur këtë fakt, bashkë me të, ka shmangur edhe periudhën e mbretërisë? Nuk duket çudi. Është në logjikën dhe konstanten e gjithë krijimtarisë së tij. Këtë periudhë Vexhi Buharaja e ka përjashtuar nga poezitë e tij, nga studimet, shqipërimet, nga gjithçka. Mos, vallë, për të e kaluara e lagjes dhe qytetit për të cilët shkroi ishte më e bukur se e ardhmja?

Në vështrimin panoramik… të Vexhi Buaharasë lagja jonë dhe qyteti ynë ka dritë. Me më shumë dritë akoma dhe më të bukur janë lagja dhe qyteti ynë në shënimet e kronikanit turk, Evlija Çelebiu, 300 vjet më parë: Ka 500 shtëpi të stolisura dhe të mbajtura mirë, mbuluar me tjegulla të bukura. Shtëpitë janë dykatëshe. Ato janë të ndërtuara tërësisht prej guri dhe janë vendosur mbi një truall që shtrihet në shtatë kodra e përrenj. Është një qytet i stolisur. Në Berat gjenden 30 lagje…! Dhjetë janë të krishtera, një lagje çifute, dhe nuk ekzistojnë lagje për frëngjtë dhe për evgjitët.

Gjenden gjithsej 30 foltore për besimtarët dhe ka 5 medrese…! Në lagjen “Muratçelebi” gjendet xhamia e Hysejn Pashajt. Është një xhami e re dhe e bukur. Është një minare gjashtëkëndëshe prej guri, e stolisur, nazike dhe e bukur, mbuluar me një kube ngjyrë qielli, dhe me tjegulla të kuqe ngjyrë gjaku. Është një xhami plot me dritë, bukuri e finesë, saqë nuk mund të gjendet shembulli në shkencën e arkitekturës. Është një xhami e dlirtë, e çiltër dhe e paçmueshme. Ka pesë shkolla të dijes.

Pranë një rruge ndërtuar rishtas prej Hysejn Pashajt, bri lumit, gjendet një vend me 100 dyqane, vendosur me rregull e harmoni, ku mblidhen njerëzit e mësuar…! Disa njerëz bisedojnë me njeri-tjetrin dhe zhvillojnë tema mbi dijet fetare, shkencore, poezinë, etj. Këtu gjenden shumë poetë, oratorë…! Janë njerëz me dituri të thellë sa deti, por për sa i përket fesë, nuk kanë shumë kujdes…! Këtu gjenden njerëz qibarë, të pjekur dhe të zgjuar.

Në qoftë se një njeri në qytet derdh gjak (vret) dhe ikën, struket në Mal të Thatë dhe shpëton nga dora e drejtësisë, ai vetë nuk mund të kthehet kurrë në këtë qytet…! Rreth qytetit të Beratit gjenden 77 vende dëfrimi dhe shëtitore…! Në qytetin e Beratit, aty poshtë, pas tregut të kazanxhinjve, mbi lumin e Osumit gjendet një urë e madhe për kalimin e udhëtarëve, karshi, në Varosh të Thatë. Ura gjithsej ka nëntë harqe prej druri, por themelet e urës qëndrojnë mbi këmbë prej gurësh të çuditshëm, të zhytur në ujë. Pjesa e sipërme e urës është e shtruar me material lisi. Është diçka e çuditshme dhe rrallë takohet. Në Hercegovinë, në qytetin Koxha (Foçe), një urë që gjendet mbi lumin e thellë, është ndërtuar në kohën e Sulltan Sulejmanit, por ajo përbëhet vetëm nga një hark druri.

Kurse kjo e Beratit është e pajisur me nëntë harqe të bukur (Zoti e ruajtë!). Qyteti i Beratit, si një vend bjeshkor, me ajër e ujë të pastër, djemtë e vajzat i ka të shëndetshëm; ka njerëz të edukuar, të përmbajtur. Të gjithë janë të bukur, të shkëlqyer dhe, në përgjithësi, janë qejflinj e dashuronjës. Djemtë shëtisin të armatosur dhe betohen për armët e tyre; janë të gjallë e të hedhur, dhe, për gjënë më të vogël, mbërthejnë shpatën dhe të vërsulen (Zoti na ruajtë!). Ky popull është një fis fisnik i Shqipërisë…! Janë luftëtarë trima, të rreptë e sypatrembur (Zoti na ruajtë!).

A mund të pengohet dhe të ndalet koha?

Vexhi Buharaja ka në fondin personal mijra faqe librash, studime, shqipërime nga autorët më të mëdhenj të botës, por në dorëshkrim, të pabotuara. I mësuar vetëm me lënien në dorëshkrim në fondin e tij personal për shkak të censurës së përhershme, tek ai fjalët libër, botime, publicitet, kopje e parë, autograf ishin zbehur, e kishin humbur kuptimin – dhe, ai vetë – edhe shpresën. Për kënaqësinë dhe emocionin që botimi i një libri i sjell autorit, shkrimtarë të ndryshëm të botës kanë bërë përkufizime nga më të ndryshmet: lumturia më e madhe, si kënaqësia që të jep lindja e fëmijës etj.

Poetit, publicistit, filologut, studiuesit, orientalistit dhe përkthyesit të shquar Vexhi Buharaja iu privua djersa dhe shpërblimi, por sidomos, kënaqësia më e madhe e jetës; kënaqësia dhe gëzimi i krijimit. Dhe, ky është krimi më i madh ndaj tij. Ndërkaq, dorëshkrimet – vepra të gatshme të këtij personaliteti janë dëshmi dhe prova krimi. Sot, ende të pabotuara, ato ngjajnë me dëshmitë e një krimi të pandëshkuar. Madje, krim i dyfishtë: ndaj autorit dhe ndaj kulturës shqiptare. Vexhi Buharaja u është lënë vetëm patriotëve, krijuesve të Beratit. Ahmet Kondo dhe Izedin Hima kanë shkruar libra me vlera për të. Shkrime shumë të mira kanë botuar Agim Dishnica, Agim Mehqemeja, Ajet Nallbani, Simon Vrusho dhe, sidomos Bedri Telegrafi, që është edhe njeri i familjes.

Por Vexhi Buharaja nuk është krijues lokal; aq më pak i familjes. Për orientalistin, poetin, studiuesin dhe shqipëruesin e shquar është përgjegjës shteti dhe shoqëria shqiptare. Botimi dhe ribotimi i Shah-Name-së në vitet 2001 dhe 2010 nga shtëpia botuese Naimi dhe disa studime të Shaban Sinanit janë të vetmet ndërmarrje nga qendra për këtë personalitet të madh të kulturës shqiptare. Por, në këtë qendër nuk hyjnë hiç as Ministria e Kulturës, as shteti. Një kolanë me botimin e veprave kryesore të Vexhi Buharasë, do të ishte, thjesht, një moment inaugurues./ Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Në vitin 1954 në Bashkimin Sovjetik nisi një fushatë që pati si pasojë rritjen e pakënaqësisë së publikut sovjetik për teatrin dhe ministri i ri i Kulturës...”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Artikuj të ngjashëm

“Pasi nxirrte zhavorr me lopatë tek ‘Gropa e Zhurrit’, rrëzë Kalasë, ku fshinte djersët me duar, Vexhi Buharanë e dërguan te rrojtorja e…”/ Dëshmia e rrallë e ish-kryeredaktorit të “Zëri i Popullit”
Personazh

“Pasi nxirrte zhavorr me lopatë tek ‘Gropa e Zhurrit’, rrëzë Kalasë, ku fshinte djersët me duar, Vexhi Buharanë e dërguan te rrojtorja e…”/ Dëshmia e rrallë e ish-kryeredaktorit të “Zëri i Popullit”

May 29, 2026
“Ndërsa në Berat, për ta diskriminuar e dërguan si arkëtar te berberët e Komunales, kryetari Akademisë, Prof. Aleks Buda, kur vinte në qytetin tonë…”/ Historia e panjohur e Vexhi Buharasë
Personazh

“Vexhi Buharaja u burgos, sepse bashkë me intelektualin tjetër beratas Todi Sotira, përzgjodhën disa libra nga autorët më në zë të botës dhe ato…”/ Dëshmia e rrallë e ish-kryeredaktorit të “Zëri i Popullit”

May 29, 2026
“Ndërsa ishte në mbrojtje të shtëpisë së Gerës, me 9 gusht 1947, rrethohet nga Forcat e Ndjekjes në Munegjë dhe pas gjashtë orësh luftë…”/ Si i vra Llesh Gjon Marku, djali i tretë i Kapidanit të Mirditës
Personazh

“Ndërsa ishte në mbrojtje të shtëpisë së Gerës, me 9 gusht 1947, rrethohet nga Forcat e Ndjekjes në Munegjë dhe pas gjashtë orësh luftë…”/ Si i vra Llesh Gjon Marku, djali i tretë i Kapidanit të Mirditës

May 25, 2026
“Djali i ri, brigadier në Lukovë, me teserën e komunistit në xhep, shkoi në kampin e internimit në Savër të Lushnje, për të kërkuar vajzën që e njohu në aksion…”/ Historia tronditëse dhe takimi pas 25 vitesh
Personazh

“Pas 6 muajve në tortura, Prokurori shpirtzi, kapiten Xh. S. në pretencën e tij më akuzoi për agjitacion e propagandë dhe si agjente të anglo-amerikanëve…”/ Historia tragjike e tre motrave Lepenica

May 22, 2026
“Kur isha me punë në Drashovicë, së bashku me një shoqen time, të quajtur Liri, së cilës i ishte pushkatuar i ati, përgatitëm disa trakte ku i bënim thirrje…”/ Dëshmia e Afërdita Lepenica
Personazh

“Kur isha me punë në Drashovicë, së bashku me një shoqen time, të quajtur Liri, së cilës i ishte pushkatuar i ati, përgatitëm disa trakte ku i bënim thirrje…”/ Dëshmia e Afërdita Lepenica

May 23, 2026
“Shadije Bogdo nga Libohova e diplomuar në ‘Robert Kolezh’, formoi Shoqatën ‘Shqiptarka’, propozoi hapjen e Institutit ‘Nëna Mbretëreshë’ më 1924…”/ Historia e panjohur e intelektuales së famshme
Personazh

“Mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi që shoqërojnë fëmijët në Brindzi, kanë ndjenja anti-italiane dhe…”/ Historia tragjike e tre motrave vlonjate që u persekutuan nga fashistët dhe komunistët

May 22, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme