Nga AGRON ALIBALI
Pjesa e dytë
-Sipas të dhënave arkivore amerikane-
Memorie.al / Gjatë dy viteve të fundit të jetës, Faik Konica u vu nën vëzhgimin dhe hetimin e FBI-së. Të dhënat arkivore përkatëse hedhin dritë mbi momentet e fundit të jetës së diplomatit të shquar, që kishte përfaqësuar për një kohë të gjatë dhe me aq dinjitet vendin e tij të vogël, në kryeqytetin amerikan.
Konica, Noli dhe Kostë Çekrezi
Një tjetër e dhënë interesante në raportin e zyrës së F.B.I.-së të Cleveland-it, ishte takimi i APNH me një individ nga Boston i cili po vizitonte Cleveland, Ohio-n në 27 prill 1942. Sipas raportit, ky i fundit e kishte njohur Konicën qysh prej tridhjet vjetësh, dhe se e konsideronte veten si “kundërshtar politik të Konicës”. Ai i shpjegoi Agjentit të Posaçëm prirjet e pretenduara pro-italiane të Konicës. Ai përmendi se gjatë viteve 1920, kur Konica jetoi për ca kohë në Itali, thirrej nga italianët “Princi”.
Raportuesi paraqitet si zyrtar i një organizate “me qendër në Boston, Masachusetts”. Të gjitha të dhënat e mësipërme të çojnë në përfundimin se personi në fjalë, ishte ose Çekrezi vetë, ose një bashkëpunëtor i afërt i tij, i cili edhe ai e njihte mjaft mirë Faikun. Çarja midis Nolit dhe Konicës nga njëra anë dhe Kostë Çekrezit nga ana tjetër, është ndër mosmarrëveshjet më tragjike në historinë e diasporës shqiptaro-amerikane.
Ajo dëmtoi unifikimin e diasporës shqiptare në një moment shumë delikat të Luftës Botërore si dhe pengoi deri diku formimin e një qeveria të gjithë pranuar edhe nga Aleatët në emigracion. E pra, këta të tre kishin aq shumë pika të përbashkëta me njëri tjetrin: që të tre kishin përfunduar studimet në Universitetin e Harvardit; që të tre kishin qenë të angazhuar thellësisht me “Vatrën” dhe “Diellin”; që të tre kishin shkruar gjerësisht, në anglisht e shqip, për çështjen shqiptare; që të tre kishin lidhje të rëndësishme në administratën amerikane.
Çekrezi kishte qenë përfaqësuesi i parë i qeverisë shqiptare në SHBA-ës qysh në fillim të viteve 1920’, kur ende SHBA-së nuk e kishin njohur Shqipërinë ndërkohë që Noli kishte qenë përfaqësues në Lidhjen e Kombeve, kurse Konica kishte qenë Ministër i Shqipërisë qysh nga viti 1926 e, deri më 1939. Që të tre kishin pasur një raport të vështirë me Zogun, etj.
Nuk dihen fillimet e çarjes midis tyre, por ajo u shfaq e pariparueshme, mbasi Noli me Konicën, duke qenë seriozisht të shqetësuar për rrezikun e copëtimit të Shqipërisë, shpallën mbështetjen e tyre për Ahmet Zogun në vitin 1942, qëndrim të cilin Çekrezi e kundërshtoi rreptësisht. Duhet theksuar se një vit më pas, Çekrezi më në fund u tërhoq nga qëndrimi i vet intransigjent dhe u angazhua të bashkëpunojë me “VATREN” si dhe të pajtohet me qëndrimin e saj ndaj Mbretit Zog.
Gjithashtu, nga fundi i viteve 1950 Çekrezi iu drejtua me një letër pajtuese Nolit, i cili nga ana e vet i kreu plot devotshmëri dhe nderim shërbesat fetare në funeralin e Çekrezit.
Kontakti i pretenduar i Konicës me konsullatën italiane në Nju Jork mori një kthesë gati komike pak kohë para vdekjes së Faikut.
Më 28 shtator 1942, d.m.th. kur Konicës i kishin mbetur edhe 48 ditë jetë, një i njohur i Konicës i quajtur Qemal Veiseli, shtetas amerikan i lindur në Shqipëri dhe me banim në Nju Jork, i shkruan me mjaft elokuencë, por edhe me njëfarë zemërimi Sekretarit të Shtetit Cordell Hull, duke u ankuar për Kostandin Çekrezin.
Ka të ngjarë që në rrethin e ngushtë të shqiptarëve të Amerikës, shumica e të cilëve kishin dashuri dhe respektin më të madh për Konicën, të ishin marrë vesh akuzat absurde për lidhjet italiane të Faikut. Letra, e cila përmend edhe njëfarë Asllan Dragoti, që duket se është i ati i shqiptaro-amerikanit të njohur Stan Dragoti, vërteton se akuza ndaj Faikut ishte e pambështetur, në mos krejt e pathemeltë, dhe se i tërë hetimi ndaj tij nuk ishte tjetër veç humbje kohe dhe mjetesh financiare.
Vdekja e Faikut dhe mbyllja e hetimit
Sikurse kemi përmendur tjetërkund, në ora 19:30 të 15 dhjetorit 1942, një telefonatë krejt e papritur mbërriti në zyrën e shefit të F.B.I.-së, z. J. Edgar Hoover në Washington, D.C. Thirrësi i panjohur informonte se Faik Konica atë ditë, ishte gjendur i vdekur në banesën e vet në kryeqytetin amerikan, dhe se “kishte marrë informacion se disa persona të panjohur, po largonin sende personale të Konicës nga shtëpia, pa kryer formalitetet e duhura”!
Për këtë arsye, ai kërkonte nga F.B.I.-ja, që “të ndërhynte për të ndaluar këto veprime”. Përgjigja qe mori ishte se “Byroja nuk kishte juridiksion në çështje të tilla”. Katër ditë më vonë, me 19 dhjetor 1942, dosja hetimore ndaj Konicës u mbyll zyrtarisht. Një raport i asaj date i referohet edhe nekrologjisë së Konicës, të botuar në gazetën “The Washington Post”.
“Informacioni i mësipërm u konfirmua edhe nga kontakti telefonik që bëmë në adresën e subjektit (d.m.th. Konicës) tek 1530 16th Street, N.W.”, – shkruhet më tej në raport. Dokumenti i fundit në dosjen hetimore ndaj Faik Konicës është një Memorandum pas vdekjes për Drejtorin Huver, nga ana e Zyra e Drejtorisë së Luftës e Departamentit të Drejtësisë. Memorandumi informon Huver-in se Konica, Noli, “VATRA” dhe “Dielli”; “ishin në shqyrtim sipas Ligjit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj të vitit 1938, i ndryshuar”.
Aty përmbahet një përmbledhje e mirë-informuar e gjendjes brenda komunitetit shqiptaro-amerikan në fund të vitit 1942 dhe përpjekjeve të tij për të mbështetur Mbretin Zog dhe bashkimin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Përmbledhja i referohet dy “punimeve (releases)” të OSS-it të datave 12 tetor dhe 12 nëntor 1942, të cilat ndodhen në arkivat amerikane.
Duhet mbajtur parasysh se OSS hartoi punime të ngjashme edhe për komunitete të tjera, si p.sh. komunitetin greko-amerikan, dhe këto aktivitete ishin të domosdoshme duke patur parasysh rrethanat e Luftës së Dytë Botërore.
Memorandumi përmend edhe një Shpallje të Mbretit Zog botuar në Dielli 1942 si dhe një artikull të Qerim Panaritit të 30 shtatorit 1942 ku shpjegohet “historia e negociatave midis udhëheqësve të ndryshëm [të komunitetit shqiptaro-amerikan, shpjegimi i imi, A.A.] në Shtetet e Bashkuara”.
Dy grupet rivale, përmendet më tej atje, nuk mundën t’i zgjidhnin “mosmarrëveshjet e tyre” në mbledhjen e mbajtur në Kishën e Shën Gjergjit në Boston me 12 shtator 1942. Memorandumi përmend edhe letrën e korrikut 1942, të Sir Edward Boyle nga Dorchester, Angli, i cili ishte Kryetar i Komitetit Ballkanik, drejtuar Çekrezit, Nolit dhe Konicës, që “kërkonte pavarësinë e shqiptarëve dhe bashkëpunimin e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, Egjipt, Turqi dhe tjetërkund”.
Memorandumi përfundon se, meqë “VATRA” paraqitet e interesuar për gjendjen politike të një vendi të huaj dhe meqë duket se është në kontakt me një grup mbështetës jashtë Shteteve të Bashkuara…[ajo] mund të bjerë në vëmendje të Ligjit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të vitit 1938”.
Sipas Memorandumit del se u kërkuan edhe përmbledhje të kopjeve të raporteve të hershme hetimore të FBI-së lidhur me “VATRE”-n .
Në përgjigjen e tij të datës 3 mars 1943 z. Huver njofton se shumica e raporteve për Konicën u përcollën në Drejtorinë e Arkivës [Division of the Records].
Zoti Huver bashkëngjit edhe një kopje foto-statike të një raporti të datës 16 gusht 1923 nga Bostoni, i hartuar nga një Agjent i Posaçëm, dhe i titulluar “’Dielli’ Gazeta e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, 456, Tremont Street, Boston, Massachusetts; SHKELJE TE PRETENDUARA TE LIGJEVE TE ASNJANESISE”.
Nga dokumentet amerikane të periudhës së viteve 1910-1920, del qartë se “VATRA” dhe Noli u vunë në shënjestër nga grupime të ashtuquajtura “epirotike” në Amerikë, të cilat përpiqeshin pa sukses të ndërsenin organet e administratës amerikane kundër Nolit, Konicës, “Vatrës” dhe “Dielli”-t, duke ngritur akuza krejt pa baza kundër tyre. Gjithsesi raporti i lartpërmendur nuk disponohet./ Memorie.al
Referencat:
FBI Archives, NY File No: 100-5889 AEK, report made in New York on 1/26/1942, author unavailable.
New York Times, 12 December 1942.
Po aty.
Hito Sadik, An Albanian Letter, Italian Library of Information, 595 Madison Avenue, New York City, Coce Press, blerë nga Biblioteka e Universitetit të Harvardit me 29 maj 1941.
FBI Archives, 100-70857, F.B.I. 18 – March 6, 1942, U.S. Department of Justice.
Letter of March 23, 1942 to unidentified individual, 1942, REL: AJB, 100-70857-2.
Letter of March 23, 1942 to Special Agent in Charge, Ohio, REL: AJB, 100-70857-2.
Report dated 5/6/42, File No. 100-5033 made at Washington, D.C.
Letter of 9 May 1942 to Director of F.B.I. by P. E. Foxworth, Assistant Director, F.B.I. New York; NDW: 100-5889.
Letter by John Edgar Hoover to the Special Agent in Charge in New York, New York, date and file no. unclear.
Shih Shënimi 7, f. 2, 00-5033.
Faik Konica, Sfondi i Konfliktit Italo-Grek, tek Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore, redaktuar nga Qerim Panariti, fq. 172.
Letter of 3 June 1942 by John Edgar Hoover to Special Agent in Charge, Cleveland, Ohio, 100:70857, JPC:
Buletini Nr. 64 i Departamentit të Shtetit, 19 korrik 1941 përmend si më poshtë: Gaetano Vecchiottti, Konsull i Përgjithshëm, Cecilia Vechiotti, e shoqja, Alfredo Spina shofer, Umberto Caradossi nën-Konsull, Cesare Psquinelli nën-Konsull, Hito Sadik Sekretar”. http://www.ebooksread.com/authors-eng/united-states-dept-of-state-office-of-public-co/department-of-state-bulletin-volume-v-5-jul–sep-1941-tin/page-8-department-of-state-bulletin-volume-v-5-jul–sep-1941-tin.shtml
Korrieri, 30 November 2001. Shiko edhe, “Hito Sadik, Pas një Endrre”, nga Novruz Xh Shehu, ASD Tiranë, 2001.
Hito Sadik, An Albanian Letter, f. 1-2.
Po aty, fq. 30-32.
F.B.I. Report, dated 6-10-42, File No. 100-6232, Title FAIK KONITZA, alias, Faik Konitsa, Character of Case, INTERNAL SECURITY-I.
F.B.I. Memorandum për Z. Ladd, Re: F.Konitza, ish Minister i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, date 15 dhjetor 1942, nga zyra e John Edgar Hoover, hartuar dhe nënshkruar nga Burke Mitchell, BM: LHH.
F.B.I. Report made at Washington, D.C. on 12/19/42, File No.100-5033, Internal Security – I, Alien Enemy Control.
Department of Justice, memorandum for Mr. J. Edgar Hoover, from Foreign Agent Registration Section, dated February 19, 1943. JPS: MY.
Letter of J. Edgar Hoover – Director, F.B.I. JSG:MED, Tr 3/16/43; 100-70857.
*(Arkiv- Botoi: “Dielli” 28 nëntor 2013)












