Nga Mevlan Shanaj
Memorie.al / Kam dëshirë të ftoj për një debat mbi krijimtarinë skenike shqiptare gjatë periudhës 1950–1990. Sipas mendimit tim, pavarësisht trysnisë së realizmit socialist dhe kufizimeve ideologjike të kohës, teatri shqiptar njohu realizime të rëndësishme artistike. Brenda atyre kufijve u krijuan vepra që depërtuan në psikologjinë e njeriut shqiptar, pasqyruan konfliktet morale e shoqërore të kohës dhe ndërtuan personazhe që mbetën në kujtesën e publikut. Mjafton të kujtojmë drama si ‘Toka Jonë’, ‘Familja e Peshkatarit’, ‘Karnavalet e Korçës’, ‘Hijet e Natës’, ‘Shtëpia në Bulevard’, ‘Prefekti’, ‘Njollat e Murme’, ‘Zonja nga Qyteti’ dhe ‘Pallati 176’.
Nëse matësi më i rëndësishëm i teatrit është marrëdhënia që krijon me publikun, atëherë këto vepra e kaluan provën e kohës. Ato u ndoqën me interes, u rikthyen në skenë, u bënë pjesë e kujtesës kolektive dhe shumë prej personazheve të tyre vazhdojnë të citohen edhe sot.
Natyrisht, ky sukses nuk ishte vetëm meritë e dramaturgëve. Një rol vendimtar luajtën regjisorë si; Pandi Stillu, Piro Mani, Mihal Luarasi dhe Kujtim Spahivogli, të cilët u dhanë jetë veprave me një gjuhë skenike moderne për kohën. Po aq vendimtare ishte madhështia e interpretimit të aktorëve si Marie Logoreci, Ndrek Luca, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Mihal Popi, Pandi Raidhi, Robert Ndrenika, Vangjush Furxhiu, Roland Trebicka e shumë të tjerë.
Pyetja që shtroj për debat është kjo: A është e drejtë që sot ta gjykojmë teatrin shqiptar të asaj periudhe, vetëm nga prizmi i ideologjisë, duke lënë në hije arritjet e tij estetike, regjisoriale dhe aktoriale? Apo duhet të jemi në gjendje të dallojmë kufizimet e sistemit nga vlerat e mirëfillta artistike që mbijetuan brenda tij? Në veprat që citova, personazhet fitonin peshë jo nga fjalimet politike, por nga dilemat morale. Dilemat njerëzore janë lënda e artit. Pikërisht aty lindte arti.
Mendoj se historia e teatrit nuk duhet të jetë as apologji, as mohim. Ajo duhet të jetë një vlerësim i drejtë, ku arti gjykohet me kriteret e artit, pa harruar kontekstin historik në të cilin u krijua. Vetëm kështu mund t’i japim vendin që meritojnë veprat dhe artistët që formësuan kulturën skenike shqiptare.Ngutjet në përcaktime si ato të propagandës së realizmit socialist dhe këto të mohimit total shkojnë përrenjve që derdhen në det pa adresë.
KAMERA ËSHTË STILOGRAFI I REGJISORIT
Filmi është ndoshta arti më kolektiv që ka krijuar njeriu. Filmi lind nga takimi i shumë mendjeve, shumë ndjeshmërive dhe shumë profesioneve. Çdo film është një orkestër, ku secili instrument ka rëndësinë e vet, por ku dirigjenti mbetet regjisori. Baza e një filmi është dramaturgjia, pra skenari.
Megjithatë, regjisori nuk është një sundimtar që urdhëron. Ai është krijuesi që di të dëgjojë, të bindë dhe të frymëzojë. Ai duhet të jetë i aftë ta bëjë çdo bashkëpunëtor ta ndiejë filmin si të vetin. Regjisori harmonizon punën me skenaristin përzgjedh aktorët dhe arrin bashkëveprimin me Drejtorin e Fotografisë, piktorin e filmit, kompozitorin, montazhierin dhe padyshim përcakton krijimin e karaktereve me aktorët. Nga përvoja botërore bashkëpunimet e Federico Fellinit me Marcello Mastrojanin apo të Martin Scorses me Roberto Deniro, Tom Cruis.
Në këto bashkëpunim, vendin më të afërt me regjisorin e zë skenaristi dhe drejtori i fotografisë. Nuk është rastësi që thuhet: “Kamera është stilografi i regjisorit”. Regjisori shkruan me ide, me emocione dhe me ritëm, por ato ide marrin formë përmes syrit të kamerës. Nëse skenari është mendimi, kamera është shkrimi i tij.
Drejtori i fotografisë nuk është vetëm teknik. Ai është përkthyesi vizual i mendimit të veprës së ardhshme. Një lëvizje kamere, një kënd vështrimi, një kontrast drite, një plan i gjatë apo një afrim i papritur mund të ndryshojnë tërësisht kuptimin emocional të një skene.
Prandaj marrëdhënia mes regjisorit dhe operatorit ndërtohet mbi besimin e plotë dhe respektin profesional aq më bukur kur krijohen marrëdhënie të mira miqësore. Ata duhet të arrijnë deri aty sa të kuptohen edhe pa shumë fjalë.
Historia e kinemasë njeh shumë dyshe krijuese që kanë lënë gjurmë pikërisht sepse kanë ndërtuar këtë gjuhë të përbashkët. Martin Scorsese punoi për gati dy dekada
me drejtorin e fotografisë Ballhaus i cili ishte mjeshtër në:
lëvizjet e gjata dhe fluide të kamerës;
përdorimin dramatik të dritës;
kompozimet dinamike;
kombinimin e realizmit me stilin vizual elegant. Unë kam në përvojën time bashkëpunimi që mund të mbeten si një libër studimi, bashkëpunimet e shumta me Pali Kuke dhe me Stefan Gajo. Regjisori nëse nuk arrin ta ndajë jo vetëm imazhin por gjithë mendimin për filmin e ardhshëm me operatorin, filmi humbet një pjesë të shpirtit të tij.
Por bashkëpunimi nuk mbaron këtu. Skenografi ndërton hapësirën ku do të jetojnë personazhet. Kostumografi i jep kohë, karakter dhe identitet figurave. Kështu kujtoj bashkëpunimin e shkëlqyer me Piktorin skenografin Fatbardh Marku në filmin “Plumba perandorit” që sē bashku me kamerën e jashtëzakonshme të Pali Kukes i dhanë atij filmi përmasa europiane.
Kompozitori krijon emocionin që shpesh nuk shihet, por ndihet siç është rasti i Aleksandër Lalos në filmin “Të shoh në sy” dhe një monument krijimi ka lënë Kujtim Laro në filmin “Lule të kuqe, lule të zeza”
Montazheri është bashkautor i ritmit të filmit; në tavolinën e montazhit një film mund të rilindë ose të humbasë, bashkëpunimet dhe përplasjet me mjeshtrin Ismail Balla…! Regjistruesi i zërit, i paharrueshmi Gjergj Shteto dhe kështu, grimerët, ndriçuesit, producenti, ndihmës-regjisorët, e pra çdo anëtar i ekipit shton një gur në ndërtimin e veprës.
Sekreti i suksesit nuk qëndron vetëm te profesionalizmi individual, por te aftësia për të bashkëpunuar. Në një xhirim lindin vazhdimisht vështirësi: moti ndryshon, koha mungon, aktori nuk e gjen menjëherë gjendjen e duhur, teknika krijon pengesa.
Pikërisht në këto momente provohet cilësia e ekipit. Një grup që komunikon dhe respekton njëri-tjetrin i kapërcen pengesat me krijimtari, jo me konflikt. Nga kujtimet e mia kur na ndodhte që gjatë punës përplaseshim me ndonjë bashkëpunëtor, drekën ose darkën e hanim së bashku për të harruar momentin e padëshiruar.
Regjisori duhet të dijë të të pranojë se ndonjëherë ideja më e mirë mund të vijë nga një bashkëpunëtor. Kinemaja njeh plot raste kur një sugjerim i operatorit, i aktorit apo i montazherit është bërë pjesë e pandashme e një filmi të madh. Regjisori i mençur nuk e sheh këtë si humbje autorësie, por si pasurim të saj.
Filmi është dëshmia se arti më i madh lind kur individualitetet nuk zhduken, por bashkohen në një vizion të përbashkët. Kështu pata një bashkëpunim mbresëlënës me Afrim Spahiun, një profesionist që dinte të krijonte hapësira mirëkuptimi duke respektuar pozicionet respektive.
Prandaj shprehja “kamera është stilografi i regjisorit” ka një kuptim më të thellë sesa duket. Pikërisht marrëdhëniet e besimit te grupi i japin jetë filmit– jo si vepër e një njeriu të vetëm, por si fryt i një bashkëpunimi artistik ku secili lë gjurmën e vet.
Me këtë rast u shpreh mirënjohje të thellë gjithë bashkëpunëtorëve të mi, që i besuam që mësuam nga njeri tjetri duke dhënë përkushtimin më të sinqertë për punën. Ndaj ndihem krenar që me përpjekje të mëdha i kemi dhënë shqiptarëve një pjesë madhështore të jetës së tyre jo vetëm histori, por mbi të gjitha pjesë nga jeta e përbashkët si nē filmat artistike dhe dokumentarët e shumtë. Mirënjohje atyre që e krijuan Televizionin Shqiptar. Universitetin e dijes për ne të gjithë./ Memorie.al












