• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, July 19, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Te ‘Historia e Skënderbeut’, botuar në Boston, më 1921, Fan Noli, i cili në atë kohë nuk e dinte se në Dibrën e Poshtme ka një fshat që quhet Kastriot, e pranoi…”/ Refleksionet e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur

“Shok dhome me Avni Rustemin dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Nolit, Gurakuqit e Malëshovës, studjoi në Rusinë e Stalinit dhe urrente komunizmin…”?! Historia e panjohur Reshat Këlliçit
“Enver Hoxha e masakroi në mënyrën më barbare klerin mysliman në Shqipëri dhe ndaj tij s’ka pasur tolerance tolerancë, siç thuhet me…”?! / Refleksionet e studiuesit të njohur
“Në librin ‘Historia e Letërsisë Shqiptare’, gjenden shumë të pavërteta, shpifje e fyerje për Faik Konicën, duke e etiketuar si; ‘reaksionar’, ‘i paskrupull’, ‘mistik’, etj.  …”! / Refleksionet e publicistit të njohur
“Te ‘Historia e Skënderbeut’, botuar në Boston, më 1921, Fan Noli, i cili në atë kohë nuk e dinte se në Dibrën e Poshtme ka një fshat që quhet Kastriot, e pranoi…”/  Refleksionet e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur
“Te ‘Historia e Skënderbeut’, botuar në Boston, më 1921, Fan Noli, i cili në atë kohë nuk e dinte se në Dibrën e Poshtme ka një fshat që quhet Kastriot, e pranoi…”/  Refleksionet e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur
“Te ‘Historia e Skënderbeut’, botuar në Boston, më 1921, Fan Noli, i cili në atë kohë nuk e dinte se në Dibrën e Poshtme ka një fshat që quhet Kastriot, e pranoi…”/  Refleksionet e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur
“Te ‘Historia e Skënderbeut’, botuar në Boston, më 1921, Fan Noli, i cili në atë kohë nuk e dinte se në Dibrën e Poshtme ka një fshat që quhet Kastriot, e pranoi…”/  Refleksionet e shkrimtarit dhe studiuesit të njohur

Nga Agron Tufa

Pjesa e parë

Memorie.al / Si familje, Kastriotët, paraardhësit e Skënderbeut, shfaqen në burimet historike më vonë se shumë nga familjet bujare shqiptare të kohës së tij, të cilët përmenden si feudale të vegjël që- në vitet ‘70 të shekullit XIII-të, ndonjëri ndoshta më herët. Sikurse u tha, gjatë Mesjetës, bujarët shqiptarë, në përgjithësi, kanë përdorur si mbiemër emrin e fshatit të tyre të hershëm. Madje, kjo praktikë ka vazhduar deri në ditët tona (Naim Frashëri, Faik Konica, Zef Jubani, Filip Shiroka, Ymer Prizreni, Isa Boletini dhe plot të tjerë). Këtë praktikë duhet ta kenë përdorur edhe Kastriotët. Në Shqipëri fshat me emrin Kastriot ka vetëm një. Ai ndodhet në thellësinë e brendshme malore të Shqipërisë Lindore, 8 kilometra në veri të Peshkopisë, në Dibrën e Poshtme, brenda kufijve të mikrokrahinës apo bashkësisë krahinore të Qidhnës, një nga nëntë “malet” e trevës dibrane.

Fshati Kastriot, deri në fillim të shekullit XX-të, kur atë e bëri të njohur, më 1903, një lexues nga Tirana i revistës së Faik Konicës “Albania” pastaj, një vit më vonë, konsulli dhe studimtari rus I. St. Jastrebov (1904), ka qenë i panjohur për të gjithë historianët që janë marrë me biografinë e Skënderbeut. Por edhe më vonë, asnjë historian nuk e lidhi emrin e këtij fshati me mbiemrin e Heroit.

Gjithashtu mund të lexoni

“Kur ushtrinë e drejtonin tradhtarët Beqir Balluku, Petrit Dumja dhe Hito Çakoja, këto stërvitje nuk shërbenin për qëllimet që duheshin, por…”! / Fjala e Enver Hoxhës në 27 qershor ’78, një ditë pas vizitës në “Bunk’Art 1”

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të përfshihen hapur apo direkt me regjimin e Enver Hoxhës, apo në raportet mes Tiranës, Moskës apo Pekinit, pasi…”/ Zbulohet dokumenti sekret i vitit 1962

Atë nuk e morën në konsideratë as dy historianët shqiptarë, Athanas Gegaj dhe Fan Noli, në monografitë e tyre kushtuar Heroit, i pari më 1937, i dyti më 1947. Gjenealogjia e Shtëpisë së Kastriotëve do të kishte mbetur me siguri e papërfillur, ashtu siç ka mbetur ajo e familjeve të tjera fisnike shqiptare të Mesjetës (me përjashtim të Muzakëve), po të mos kishte dalë nga gjiri i saj Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Por burimet bashkëkohore dokumentare për paraardhësit e Heroit, nuk shkojnë përtej atit të tij, Gjon Kastriotit. Madje ato heshtin plotësisht, përsa i përket vendit nga ishin Kastriotët dhe, ca më tepër, nuk flasin as për vendin ku kaloi fëmijërinë Skënderbeu. Njoftimet që kemi për vendin nga ishin Kastriotët, i ndeshim në disa shkrime të mëvonshme, të cilat nuk pajtohen midis tyre.

Si të tilla, ato kanë ngjallur dyshime. Mungesa e tyre ka dhënë rast që të shfaqen teza të ndryshme mbi truallin e origjinës së Kastriotëve dhe mbi vendin ku lindi Skënderbeu. Nga historia botërore, është shumë i njohur rasti i Homerit, për vendlindjen e të cilit haheshin shtatë qytete të Heladës antike.

Kjo është e natyrshme, po të kemi parasysh krenarinë që ndjen një qytet ose një fshat, kur e di se nga gjiri i tij ka dalë një personalitet i madh politik, ushtarak, kulturor, letrar ose artistik. Kështu ndodhi edhe me Skënderbeun. Pothuajse aq fshatra, në mos më tepër, kanë pretenduar në të kaluarën se kanë qenë vendlindja e Heroit Kombëtar të shqiptarëve.

Para mesit të shekullit XIX-të, udhëtari erudit frëng, Ami Boue, shkruante se kishte dëgjuar se Skënderbeu kishte lindur në fshatin Kastër të Mirditës, në atë kohë krejt i rrënuar, gjysmë ore larg fshatit të sotëm Vig. Këtë legjendë e dëgjoi edhe albanologu austriak J.G Hahn gjatë udhëtimit që kreu më 1853 nga Vau i Dejës në Koman, por shton edhe legjendën tjetër që kishte dëgjuar ndërkohë, se Skënderbeu kishte lindur në Kastrat të Mbishkodrës.

Kur Hahni ndodhej në Fierzë, qeveritari i vendit i tha albanologut austriak se, sipas dijenive të tij, Skënderbeu kishte lindur në fshatin Iballë të Pukës. Përkundrazi, kur vajti në Mat, ai dëgjoi në Cukal të Klosit se Heroi kishte lindur në Stelush. Sipas një legjende tjetër, të cilën e shënon Marin Sirdani, gjurmuesi i legjendave të Skënderbeut, Kastriotët ishin nga fshati Shtjefën i Matit.

Në letrën e përmendur shkruar nga Tirana, pa emër autori, botuar në revistën “Albania” (1903) thuhet, ndër të tjera, se Skënderbeu ka lindur në fshatin Sin (Sej) në Dibrën e Poshtme. Është po ai që përmend i pari fshatin Kastriot. Në lidhje me këtë, ai thotë se në Dibrën e Poshtme, në veri të Peshkopisë, midis fshatit Suhadoll dhe lumit Drin, është një katund që quhet Kastriot, ku është edhe “Fusha e Thatë”, me disa gërmadha shtëpish të vjetra dhe të mëdha, vend ku thuhet gjithashtu se mund të ketë lindur Skënderbeu.

Do ta mbyllim vargun e legjendave me tregimet që jep etnografi i njohur kosovar, Prof. Mark Krasniqi. Në punimin kushtuar gojëdhënave mbi gjenezën e Kastriotëve që kanë qarkulluar në disa fise shqiptare dhe malazeze, pasi përmend gojëdhënat që flasin për prejardhjen e tyre nga fshati Kastrat i Shkodrës, nga fshati Shtjefën i Matit, nga lagje të ndryshme të Krujës dhe nga fshati Guri Bardhë i Matit, ai ndalet te gojëdhëna mbi gjenezën dibrane.

Ai thotë se, sipas një gojëdhëne, në Shtjefën të Matit ka pasur një lagje, banorët e së cilës e mbanin veten për Kastriotë, por këta, gjithnjë sipas gojëdhënës, kanë ardhur aty nga rrethi i Dibrës, sepse, shton M. Krasniqi: “sipas traditës popullore, Skënderbeu ka qenë prej katundit Kastriot, afër Dibrës”.

Pastaj ai vazhdon: “Familja e Gjinëve në Kastriotin e Dibrës, rrjedh nga Kastriotët. Si rrëfejnë pleqtë, Skënderbeu ka qenë prej katundit Kastriot të rrethit të Dibrës. Këtu kanë qenë varret e familjes së tij. Skënderbeu ka lindur dhe është rritur në Kastriot të Dibrës, atje ka qenë i ati i tij”.

Këto legjenda kanë vetëm vlerë letrare. Ato dëshmojnë respektin që kishin masat shqiptare për Skënderbeun. Përkundrazi, nga pikëpamja dokumentare, ato nuk kanë asnjë vlerë burimore, mbasi rrëzojnë njëra-tjetrën. Si rrjedhim, vendi i origjinës së Kastriotëve, duhet të hetohet vetëm me rrugën e analizës kritike të dokumentacionit historik arkivor dhe letrar.

Në këtë çështje, ia vlen të diskutohet njoftimi që jep Marin Barleti (1508-1510), i cili shkruan se; “krerët e fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Emati (ex Aemathia), prej një dere fisnike”. Ndonjëri, si për shembull Fan Noli, për Aemathia ka nënkuptuar krahinën e Matit.

Marin Barleti ishte humanist. Si tërë humanistët, ai kishte prirjen e njohur klasiciste për t’i përdorur toponimitë shqipe në emërtime latinishte (Guri bardhë në Petralba, Ujëbardhë në Albulena, etj.) ose për të ringjallur emërtimet gjeografike antike (Lissos për Lezhë, Ascrivium per Kotorr, Aoos për Vjosë etj.).

Madje, ai ka përdorur emërtimet gjeografike antike e mesjetare në mënyrë të gërshetuar. Kështu, për shembull, Krujën ai e vendos herë në Arbëri (Albania), herë në Epir (Epirus). Po kështu vepron edhe me Maqedoninë, të cilën herë e identifikon me Shqipërinë, herë e veçon prej saj. Prirjen për ta identifikuar Shqipërinë me Maqedoninë, ose për ta përfshirë në të, e ndeshim në shekullin e XV-të edhe jashtë Shqipërisë. Kjo prirje klasiciste vihet re te Marin Barleti edhe në lidhje me emërtimin Emat (Aemathia).

Në disa raste, emërtimit Emat Barleti i jep kuptimin e Matit. Por në raste të tjera, ai kopjon shkrimtarët klasikë grekë dhe romakë (Strabonin, Plinin, Justinin, Klaudianin), të cilët quanin Ematia provincën e Maqedonisë së Dytë, që Roma krijoi në shekullin e I-rë në trevën midis Durrësit dhe Ohrit, që më vonë u quajt provinca e Epirit të Ri, dhe në Mesjetë u përfshi në emërtimin Arbëri.

Kështu, për shembull, kur Barleti thotë se; “Kruja është qytet i Epirit i vendosur në fushat e Ematit” (Crojam Epiri urbam esse in campis Aemathia} dhe ca më tepër kur edhe Petrelën e përfshin në krahinën e Ematit (oppidium hoc in Aemathia est in sublimi montis cacumine), ai ka parasysh jo krahinën e sotme të Matit, por provincën romake të Ematit (Maqedonisë). Shkurt, kur Barleti thotë se Kastriotët janë nga Emati, nuk jemi të sigurtë nëse ka parasysh krahinën e sotme të Matit, apo provincën e dikurshme të Maqedonisë, ku bënte pjesë edhe treva dibrane.

Pra, me këto përcaktime të Marin Barletit, origjina e mirëfilltë e Kastriotëve mbetet përsëri e palokalizuar. Një përpjekje për ta lokalizuar vendbanimin e tyre e ndërmorën dy shkencëtarët e njohur të medievistikës ballkanike, L. Thalloczy dhe K. Jireçek. Në një punim të përbashkët që ata botuan më 1899, pra para se të bëhej e ditur, më 1903 dhe 1904, ekzistenca e një fshati Kastriot, ata shkruanin se Kastriotët duhej të ishin nga një vend që quhej Kastri (me theksin në i), emër ky që rrjedh nga castrum latinisht ose kastrion greqisht dhe që do të thotë “kala”, banori i së cilës quhej kastriot. 

Por ata nuk e shpunë punën më tutje, ndonëse një pohim të tillë e kishte shpallur shkrimtari shqiptar Frang Bardhi, që më 1636. Problemi i origjinës krahinore të Kastriotëve u ndërlikua kur mbiemri i tyre (Kastriot) u lidh me një akt dokumentar të shekullit XV-të, në të cilin disa pinjollë Kastriotas përdornin një mbiemër të dytë – mbiemrin Mazrek ose Mazarak. 

Burimin kryesor ky mbiemër i dytë e ka te shkrimtari i shekullit XVI-të, Flav Komneni, i cili ka trajtuar gjenealogjinë e disa familjeve fisnike, midis të cilave edhe atë të Kastriotëve. Si shembull, ai sjell njëfarë Kostandin Kastrioti i mbiemëruar Mazareku.

(Constantinus Castriota cognomento Maserechius, Aemathia et Kastroria princeps). Ekzistojnë gjithashtu dy akte të lëshuara në Napoli, më 1467, që flasin për Constantinus Maserechius Castriota, Epiri et Albania Reguli dhe për kushëririn e tyre Georgius Masrechi Castriota Scanderbegh, Albania et Epiri Principis. Por që në shekullit XIX-të disa historianë në zë (Ch. Hopf, J. G Hahn), e kanë cilësuar Flav Komnenin si një hartues gjenealogjish të falsifikuara. Si rrjedhim, i tillë duket se është edhe njoftimi i mbiemrit të dyfishtë Kastriot – Mazareku ose, Kastriot – Mazaraku. 

Kjo duket në faktin se nuk ka asnjë dëshmi dokumentare që të flasë për Kastriotët si princa të Matit dhe Kosturit. Veç kësaj, aktet ku Kostandini apo ndonjë tjetër përmendet me dy mbiemra, mbiemra të cilët ata ia atribuojnë edhe Skënderbeut, janë të vonshme dhe për më tepër të dyshimta. Në fakt, as Gjon Kastrioti, as Skënderbeu, as biri ose nipi i tij, nuk e kanë përdorur ndonjëherë mbiemrin Mazrek apo Mazarak dhe askush nuk u është drejtuar atyre me këta dy mbiemra.

Por edhe nëse aktet e Napolit janë autentike, nuk përjashtohet mundësia që mbiemrin e dyfishtë ta ketë përdorur ndonjë pinjoll Mazrekas, i cili ka dashur, siç e ndeshim edhe në raste të tjera, ti shtojë vetes nderin se ishte pjesëtar i familjes, tashmë të famshme, të Kastriotëve.

Përfundimisht duhet thënë se asnjë familje nuk mund të ketë origjinë nga dy fshatra. Zakonisht mbiemrat e dyfishtë përdoren në ato raste kur njëri i takon trungut atësor, tjetri trungut amësor. Gjithsesi, kur bëhet fjalë për familjen e Skënderbeut, mbiemri Mazarak nuk duhet të merret në konsideratë.

Megjithatë, dy historianët shqiptarë të Skënderbeut, Athanas Gegaj dhe Fan Noli, nuk e kanë lënë pa përfillur mbiemrin e dytë Mazrek ose Mazarak. Por problemi u ndërlikua për faktin se në trevën shqiptare mesjetare, toponimi Mazrek ose Mazarak, ka qenë siç është edhe sot, mjaft i përhapur.

Fshatra ose gërmadha fshatrash me këtë emër ka gjithandej në Shqipëri: ka në Shkodër dhe në Kukës, në Dibër dhe në Opar, në Tiranë dhe në Gjirokastër madje, ai ndeshet dhe në diasporën arvanite të Greqisë dhe arbëreshe të Italisë. Si rrjedhim, të dy historianët e përmendur shqiptarë e kërkuan origjinën e Kastriotëve në dy vendbanime me emrin, njërin Kastri, tjetrin Mazarak.

Në variantin e parë të ‘Historisë së Skënderbeut’, botuar në Boston, më 1921, Fan Noli, i cili në atë kohë nuk e dinte se në Dibrën e Poshtme ka një fshat që quhet Kastriot, e pranoi mendimin e Thalloczy-t dhe Jireçek-ut. Sipas tij, vendlindja e Kastriotëve me emrin Kastri, duhet të ketë qenë një nga kastritë (kalatë) e malësive të Matit, por më tepër në krahinën e Mazarakut (në fakt: Mazrekut), midis Shkodrës dhe Drinit. / Memorie.al

                                                                   Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 19 Korrik 2026

Next Post

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të përfshihen hapur apo direkt me regjimin e Enver Hoxhës, apo në raportet mes Tiranës, Moskës apo Pekinit, pasi...”/ Zbulohet dokumenti sekret i vitit 1962

Artikuj të ngjashëm

“Kur gjeneral Prodani, që kishte shumë afrimitet me kryeministrin, i tha: ‘Ç’po bëni kështu?! Ç’faj kanë bërë shokët, që po i godisni kaq egër?! Mehmeti i’u përgjigj…”/ Kujtimet e ish-presidentit Alfred Mosiu
Dossier

“Kur ushtrinë e drejtonin tradhtarët Beqir Balluku, Petrit Dumja dhe Hito Çakoja, këto stërvitje nuk shërbenin për qëllimet që duheshin, por…”! / Fjala e Enver Hoxhës në 27 qershor ’78, një ditë pas vizitës në “Bunk’Art 1”

July 19, 2026
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të përfshihen hapur apo direkt me regjimin e Enver Hoxhës, apo në raportet mes Tiranës, Moskës apo Pekinit, pasi…”/ Zbulohet dokumenti sekret i vitit 1962
Dossier

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të përfshihen hapur apo direkt me regjimin e Enver Hoxhës, apo në raportet mes Tiranës, Moskës apo Pekinit, pasi…”/ Zbulohet dokumenti sekret i vitit 1962

July 19, 2026
“Kryeministri Mehdi Frashëri dha dorëheqjen, pasi nuk mori votëbesimin në Parlament dhe falenderoj gazetarët, sepse…”/ Taksa e rrugës, që rrëzoi qeverinë e “Frashëri” më 1936-ën
Dossier

“Kryeministri Mehdi Frashëri dha dorëheqjen, pasi nuk mori votëbesimin në Parlament dhe falenderoj gazetarët, sepse…”/ Taksa e rrugës, që rrëzoi qeverinë e “Frashëri” më 1936-ën

July 18, 2026
“Vërtetë komunistët e fituan luftën, por më pas ata u kthyen në një bandë vrasësish, ashtu siç e kishte parashikuar edhe Sejfulla Malëshova në fund të luftës, i cili tha…”/ Refleksionet e Bashkim Shehut
Dossier

“Vërtetë komunistët e fituan luftën, por më pas ata u kthyen në një bandë vrasësish, ashtu siç e kishte parashikuar edhe Sejfulla Malëshova në fund të luftës, i cili tha…”/ Refleksionet e Bashkim Shehut

July 16, 2026
“Ne morëm pjesë si të ftuar, por vetëm në një pjesë të programit dhe jo në bisedimet zyrtare me kryetarët e delegacioneve, pasi…”/ Zbulohet telegrami i delegacionit shqiptar nga Forumi i Davosit, qershor ‘91
Dossier

“Ne morëm pjesë si të ftuar, por vetëm në një pjesë të programit dhe jo në bisedimet zyrtare me kryetarët e delegacioneve, pasi…”/ Zbulohet telegrami i delegacionit shqiptar nga Forumi i Davosit, qershor ‘91

July 17, 2026
“Ushtarët osmanë plaçkisnin fshatrat, pllajat e malet dhe kapën çdo mashkull e femër, ua dogjën fshatrat dhe shtëpitë e…”/ Historia e panjohur e fshatrave shqiptare që gjenden sot në Bullgari
Dossier

“Ushtarët osmanë plaçkisnin fshatrat, pllajat e malet dhe kapën çdo mashkull e femër, ua dogjën fshatrat dhe shtëpitë e…”/ Historia e panjohur e fshatrave shqiptare që gjenden sot në Bullgari

July 16, 2026
Next Post
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të përfshihen hapur apo direkt me regjimin e Enver Hoxhës, apo në raportet mes Tiranës, Moskës apo Pekinit, pasi…”/ Zbulohet dokumenti sekret i vitit 1962

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të përfshihen hapur apo direkt me regjimin e Enver Hoxhës, apo në raportet mes Tiranës, Moskës apo Pekinit, pasi...”/ Zbulohet dokumenti sekret i vitit 1962

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme