Nga Vepror Hasani
Memorie.al / Atë çast që ndodhesha me të, nuk e dija se po pija kafe me dëshmitarin e vetëm të mbetur gjallë nga masakra e Borovës, një fshat ky që gjendet jo shumë larg nga qyteti i Ersekës. Sapo e mora vesh këtë gjë e pyeta: – Po si ndodhi?… A ju kujtohet gjë nga ajo ditë?… Sa vjeç ishit ju atëherë?… A jeni në gjendje t’i përshkruani saktësisht ato çaste kur fshati i Borovës u përfshi nga flakët dhe mbetën të vrarë e të djegur 107 vetë?… Ndërsa kisha bërë pyetjet, po prisja në ankth që Koço Prifti, njeriu që kishte parë masakrën me sytë e tij dhe që kishte mbetur gjallë si dëshmitar i vetëm, të më përgjigjej…
Koço Prifti, tashmë 69 vjeç, banor i qytetit të Korçës, ndenji një çast i menduar, pastaj u përgjigj: – Këtë pyetje ma kanë bërë edhe të tjerë, por unë atëherë isha vetëm tre vjeç, ndaj, edhe di ta tregoj ngjarjen, edhe nuk di. Nëse do të kisha qenë më i madh do të kisha një version saktësisht më të sigurtë, kurse unë edhe sot e kësaj dite ruaj vetëm imazhe…!
– Ma trego ashtu siç e mban mend, – i thashë.
– Do të përpiqem, tha ai, por nuk di, nëse do të më kuptosh në ato që do të tregoj, sepse më shumë se fjalë, kam të gjalla vetëm përfytyrimet, ndjesi të çuditshme, të pashpjegueshme, sepse isha vetëm tre vjeç…! Ma trego, – iu luta sërish. Pas një çasti heshtjeje, 69 vjeçari, Koço Prifti, nisi të më tregonte…!
KOÇO PRIFTI: “NE NUK DESHËM T’I GËNJENIM GJERMANËT…”!
“Isha vetëm 3 vjeç, – nisi tregimin e tij Koço Prifti, – dija aq sa mund të dijë një fëmijë i kësaj moshe. Tashmë e di që masakra ndodhi më 6 korrik të vitit 1943. Gjermanët po vinin nga Korça dhe shkonin drejt jugut. Në fshatin tonë hyri autokolona gjermane. Ishte një autokolonë e gjatë, dukej sikur nuk kishte të mbaruar. Gjithë rruga ishte ushtarë, makina dhe armë. Nuk mbaj mend nëse kishte edhe tanke…!
Një gjerman i gjatë zbriti nga makina dhe kërkoi të fliste me një nga burrat e fshatit, por askush nuk mnud të fliste me të, sepse askush prej tyre nuk dinte gjermanisht. Në të vërtetë gjithkush e kishte kuptuar se gjermani kërkonte të bisedonte me një nga njerëzit e fshatit. Atëherë u kujtuan se dikush, që sapo ishte kthyer si emigrant nga Amerika dinte anglisht. Shkuan në shtëpinë e tij, e morën dhe e sollën para gjermanit. Edhe gjermani dinte anglisht.
Dy burrat qëndruan përballë njeri-tjetrit. Gjithë të tjerët po vëzhgonin se çfarë mund të ndodhte. Kishte ankth.
Gjermani e pyeti:
– A ka partizanë në fshat?
– Jo – ia ktheu emigranti nga Borova, që sapo ishte kthyer nga Amerika.
Gjermani ishte serioz, dukej tepër i rregullt, por nuk mund të them se në sytë e tij nuk kishte një ndjenjë miqësore dhe mirëbesimi
– Faleminderit, – tha gjermani.
Pas kësaj, ai i dha dorën burrit me të cilin kishte folur, u largua prej tij dhe hipi në një nga makinat që kishte ndalur në krye të kollonës. Kur autokolona nisi të lëvizte, gjermani na i bëri edhe një herë me dorë. Të njëjtën gjë bëmë edhe ne. Lëvizja e autokolonës ngjasonte me një gjë tepër të rëndë dhe të frikshme. Gjithë burrat e fshatit iu mblodhën emigrantit, emri i tij nuk më kujtohet.
– Çfarë të tha? – e pyetën.
Atëherë emigranti nisi të shpjegonte gjithçka që kishte biseduar me gjermanin.
– Më pyeti, – tha ai, – nëse në fshatin tonë apo përgjatë rrugës kishte apo jo partizanë, dhe unë i thashë që në këtë zonë nuk ka partizanë.
– Mirë i ke thënë, – thanë burrat e fshatit.
Në të vërtetë ne nuk e kishim gënjyer gjermanin dhe as që donim ta gënjenin, por fakti është se ne nuk e dinim që te grykat e Barmashit, pak më larg nga fshati ynë, partizanët u kishin zënë pritë gjermanëve. Nëse këtë gjë do ta dinim, ndoshta do t’i kishim treguar të vërtetën gjermanit, ndoshta edhe jo…! Këtë nuk mund ta them me siguri, sepse isha vetëm tre vjeç, por ajo që di saktësisht, ka të bëjë me faktin se ne nuk deshëm t’i gënjenim gjermanët. Nuk kaloi shumë kur u dëgjuan krisma, partizanët kishin qëlluar mbi autokolonën.
Për gjermanët që na kishin besuar, gjithçka kishte qenë e papritur. Gjermani me borovarin kishte folur si burri me burrin, por kur gjermanët u qëlluan nga partizanët, duket se ata mbeten të fyer, të zhgënjyer dhe ndoshta më keq se kaq. Autokolona që ende trupin e saj e kishte në fshatin Borovë u ndal. Brenda një çasti të vetëm, ushtarët zbritën dhe nisën të qëllonin mbi çdo njeri që gjenin në rrugë. Ishte një pamje tejet rrëqethëse. Borova nisi të digjej nga flakët…”!
“MASAKRA”
“Të gjitha këto i kam të treguara, – nis të tregojë sërish Koço Prifti, – ato që mbaj mend vet do t’i tregoj më pas, kur t’u vijë radha. Borovarët nisën të merrnin arratinë, po dilnin jashtë fshatit, por edhe ikja nga fshati nuk ishte e lehtë. Shtëpitë digjeshin dhe plumbat rrihnin çdo kënd të fshatit. Megjithatë kush mundi iku, ndërsa të tjerët mbetën aty, të vrarë. Unë mbaj mend që nëna ime, Kleanthi tha: – Shpejt të shkojmë te shtëpia e gjyshit, te arkimandrit Grigori!
Patëm besim se gjermanët nuk do qëllonin mbi njerëzit e fesë, ndaj shkuam te ai. Te oborri i shtëpisë së tij u mblodh gjithë fisi ynë, por edhe borovarë të tjerë, gjithsej 24 vetë. Unë isha me nënën time, Kleanthin dhe me dy motrat e mia, Marigonë dhe Sofikën. Bashkë me ne ishte edhe një prej vëllezërve të mi, Iloja. Gjermanët nga që kishin mbetur të fyer e të zhgënjyer prej emigrantit tonë, hynë në oborrin e shtëpisë së arkimandrit Grigorit dhe hapën zjarr. Në atë çast unë isha në krahët e nënës time.
Mbaj mend si nëpër mjegull që nëna ra poshtë dhe nuk mundi të ngrihej më. Rreth meje erdhën dy motrat, Sofika dhe Marigoja, por edhe ato mbetën të shtrira, dhe as flisnin dhe as lëviznin. Brenda atij çasti nuk mbeti askush në këmbë, as gjyshi im, arkimandrit Grigori. Duket se kisha shpëtuar vetëm unë, por deri atë çast nuk isha dhe aq i ndërgjegjshëm se çfarë kishte ndodhur. Unë kisha mbetur i gjallë mes trupave të vdekur. Ndoshta pas kësaj, gjermanët ishin larguar dhe gjithçka kishte mbetur mes zjarrit dhe tymit…”!
“I VETËM”
“Nuk jam i zoti të tregoj gjithçka me saktësi, por si nëpër ëndërr më kujtohet që shkova te nëna, por ajo nuk m’u përgjigj, shkova te dy motrat, por edhe ato nuk lëvizën nga vendi. Atëherë kërkova ndihmën e gjyshit, arkimandrit Grigorit, por as ai nuk po mundet të më thoshte ndonjë fjalë. Nuk e dija se çfarë kishte ndodhur. Dyshoja se mund të kishin vdekur të gjithë, ashtu siç besoja se ata do të lëviznin, ndoshta pak më vonë.
Megjithatë asgjë e tillë nuk po ndodhte. Flaka e zjarrit që vinte prej çative të shtëpive po më afrohej edhe mua. Nuk do të isha larguar kurrë nga nëna dhe dy motrat e mia të vdekura, por ishte zjarri ai që po më detyronte të shkoja më tej. Nisa të lëvizja. Isha tre vjeç dhe krejt i vetëm. Ndërsa unë largohesha, flakët e zjarrit më ndiqnin pas.
Herë më digjej një mëngë, herë më digjej krahu, herë më digjej këmba dhe herë iskrat e zjarrit binin mbi trupin tim. Ndoshta instinkti i mbijetesës më shtynte të delja nga ajo strofull zjarri që digjte dhe përvëlonte. Isha vetëm tre vjeç. Nuk di sa kam ecur, herë më këmbë dhe herë këmbadoras, kur së fundi m’u bë natë, gjithçka u errësua dhe unë kisha mbetur diku, që as sot e kësaj dite nuk më kujtohet….”!
“SI MBETA GJALLË…”!
“Njëri prej vëllezërve të mi, Ligori, kishte shkuar në Ersekë dhe nuk ishte kthyer akoma, ndërsa atë çast nuk ndodhej aty as babai im, Janaqi. Isha vetëm. Edhe sot e kësaj dite nuk mund ta them saktësisht se përsa kohë qëndrova aty. Kisha mbetur krejtësisht i shokuar dhe pa ndjenja.
Befas ndjeva që dikush më kapi nga krahët, më ngriti peshë dhe më mori në krahë. Pastaj thirri: “Gjeta një fëmijë të gjallë…. gjeta një fëmijë të gjallë…” – këtë zë herë e dëgjoja dhe herë jo, herë e besoja dhe herë jo… nuk e dija kush ishte dhe kush po thërriste: “Është gjallë… është gjallë…”.
Më vonë mësova se kishin ardhur disa njerëz nga fshati Taç i Poshtëm i rrethit Kolonjë. Ata kishin ardhur aty për të parë nëse kishte mbetur njeri gjallë ose jo. Duke kaluar nga njëra shtëpi e djegur te tjera më kishin gjetur mua. Ata akoma vazhdonin të thërrisnin: “është gjallë… është gjallë….”. Më morën dhe më çuan në shtëpinë e tyre. Befas në të gjithë Kolonjën ishte hapur fjala se nga maskara kishin vdekur 107 vetë, por një fëmijë i vogël kishte mbetur i gjallë dhe tashmë ndodhej në fshatin Taç i Poshtëm. Pikërisht në këtë kohë, gjithë borovarët që nuk kishin qenë në Borovë ditën e masakrës, erdhën njëri pas tjetrit në Taç. Vinin dhe iknin. Më shikonin, më merrnin në krahë, më puthnin, qeshnin, qanin, por përsëri më linin aty….”!
“IM VËLLA LIGORI”
“Befas erdhi vëllai im, Ligori që atë ditë ishte ndodhur në Ersekë. Më pa dhe nisi të qante. Më mori në krah dhe nuk më lëshonte. Unë nuk ndihesha mirë. Edhe më kujtohej, dhe nuk më kujtohej që ishte vëllai im. Megjithatë më dukej një fytyrë e dashur, e njohur, një njeri që dhe herë të tjera më kishte mbajtur në krahë.
Po më dukej vetja si një njeri i ndodhur në një botë tjetër, por që tashmë po kthehesha në botën time. Im vëlla më mori dhe më çoi në spitalin e Korçës. Pas tij u takova edhe me babain tim, Janaqin. Aty erdhi edhe motra ime, Vasilika, e cila ishte e martuar në Boboshticë të Korçës. Pas një qëndrimi të gjatë e mora veten. Edhe sot e kësaj dite kam shenjat e djegies në të gjithë trupin. Kam edhe fotografinë e asaj dite…”!
“NUK SHKOVA MË NË BOROVË, PASI…”!
“Që nga ajo ditë nuk shkuam më në Borovë që të rindërtonim shtëpinë tonë. Babai, u martua sërish dhe ne qëndruam në Korçë. Vitet e para të shkollës fillore i mbarova në fshatin Boboshticë. Nuk kam për ta harruar kurrë mësuesin tim të parë, Kristaq Mançon.
Gjithë kohës më qëndroi afër njësoj si të isha bir i tij. Vitet e tjera i bëra në qytetin e Korçës, atje ku sot ndodhet shkolla “Sotir Gura”. Më pas përfundova politeknikumin e Mjekësisë si ndihmës-dentist, kurse në vitin 1963 shkova në Universitet në Fakultetin e Mjekësisë, dega stomatologji. Gjithë jetën punova në këtë profesion.
Tashmë jam pensionist. Megjithatë çdo vit shkoj në Borovë për të parë varrin e nënës time, të dy motrave të mia, të vëllait, dhe të gjyshit, arkimandrit Grigorit. Ulem para varrit të tyre dhe i kujtoj ato ditë. Shpesh më vjen të qaj, sikur të jem i vogël. Nëse nëna do të kishte mbetur gjallë do të më tregonte gjithçka kishte ndodhur ato ditë në Borovë. Unë isha i vogël dhe nuk mund t’i tregoj dot të gjitha….”, – përfundon me dhimbje tregimin e tij, dëshmitari i vetëm i mbetur gjallë nga masakra e Borovës”./ Memorie.al











