Pjesa e pestë
Memorie.al / CIA ka treguar rolin e madh që Bashkimi Sovjetik ka pasur në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente “Tepër sekrete” por prej vitesh të de klasifikuara tregohet se BRSS-ja ndërtoi disa baza të rëndësishme ushtarake sidomos në Jug të vendit. Aty tregohen me detaje nëndetëset që kishte Moska në ishullin e Sazanit dhe Gjirin e Vlorës, dhe po ashtu bazat ajrore, si ajo e Rinasit, e Kuçovës, etj. Më pas jepet një panoramë e zhvillimeve politike, ku përmendet shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut në verën e vitit 1974, nga të gjitha funksionet në ushtri e parti. Po kështu një vend të veçantë në dokumentet që CIA ka de klasifikuar, janë edhe ato ku flitet për emigrantët politikë shqiptarë në Jugosllavi, të cilët janë të inkuadruar në Komitetin e Prizrenit e kryesuar fillimisht prej Apostol Tanefit dhe nën presionet e UDB-së, që i rekruton me masa shtrënguese., siç është kthimi në Shqipëri, etj.
Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu prej vitesh kanë qenë në luftë të vazhdueshme mes tyre. CIA ka zbardhur dosa dokumente për situatën në Shqipëri në vitet 1949-1955 dhe përveç zhvillimeve të ndryshme politike, përmendet dhe lufta mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës. Sipas dokumentit, në mes të tyre ishte Moska ku dhe në qeverinë e saj ministrat ishin rreshtuar pro Hoxhës dhe pro Shehut. Aty tregohen ankesat që u bënë në Rusi, ndërkohë që në fund Moska mbajti krahun e Hoxhës.
Mars 1949
Riatdhesimi i 97 shqiptarëve me anije
Anija “Dolores” me flamur panamez, u nis nga Genoa në Itali drejt Vlorës në 9 tetor 1948, me ’97 pasagjerë shqiptarë që po riatdhesoheshin nga Australia. Shqiptarët kishin ardhur nga Australia në Itali më 23 shtator nga Australia me anijen britanike “Strahnaver”.
Fillimisht “Dolores” ishte një anije me ekuipazh grek prej 27 njerëzish, dhe kapiteni Gladouris refuzoi të lundronte drejt Shqipërisë me të rinjtë që sipas tij ishin të gjithë në moshë ushtarake dhe mund të përdoreshin për sulmet e guerrilasve komunistë ndaj Greqisë.
Anija nisi lundrimin vetëm pas zëvendësimit të ekuipazhit me italianë. Dokumentet e “Dolores” thonë se nga 97 pasagjerët, 72 ishin shqiptarë dhe 25 ishin australianë të natyralizuar. Në listë përfshihen dhe emrat e pasagjerëve.
Nëntor 1950
Aktivitetet e shqiptarëve të emigracionit
Komiteti i “Shqipërisë së Lirë”
Siad Kryeziu, Zef Pali dhe Gaqo Gogo, kanë kryer takime me zyrtarë të ministrisë së Jashtme greke dhe sekretarin Panajotis Pipinelis. Këta anëtarë të Komitetit të “Shqipërisë së Lirë”, kërkuan aprovimin grek për ngritjen e një kampi në veri të Greqisë, ku të silleshin agjentë shqiptarë nga emigracioni.
Delegatët thanë se kampi do të shërbente si një bazë për misione inteligjence dhe operacionale në Shqipëri. Pas diskutimit të çështjes e zyrtarët e lartë grekë, u dha aprovimi nga ministria më 4 nëntor 1950. Më 3 nëntor Kryeziu, Gogo dhe Pali dhanë një darkë për 25 anëtarë të kampit të refugjatëve në Lavrion. Aty mbajti një fjalim drejtuesi i “Bllokut Indipendent Kombëtar” Muharrem Bajraktari
Korrik 1952
Kufiri me Jugosllavinë
Shqipëria ka marrë masa për forcimin e kufirit verior me Jugosllavinë. Deri para nëntorit 1951, kishte vetëm nëntë batalione ushtarake kufitare, pesë nga të cilat ishin dislokuar në kufirin jugosllav në Koplik, Tropojë, Kukës, Peshkopi dhe Pogradec.
Një tjetër batalion i është shtuar njësive kufitare për mbrojtjen e instilacioneve të paspecifikuara. Çdo batalion ka rreth 450 njerëz dhe në total llogaritet se kufiri Shqipëri-Jugosllavi ruhet nga rreth 2250 njerëz. Kufiri ruhet me anë të posteve, patrullave dhe njësive të veçanta në ura, pika komunikimi dhe në qytezat kufitare.
Njësi zbuluese zakonisht qëndrojnë të fshehura në pikat kufitare që dihet se përdoren nga shqiptarët për t’u arratisur drejt Jugosllavisë. Gjatë muajve të verës patrullat vendosen në pikat ekstreme të kufirit, në poste dhe pika vrojtimi. Ndërsa gjatë muajve të dimrit njësitë janë më të tërhequra në brendësi.
Taktikat e ruajtjes së kufirit bazohen në grackat e zbulimit në pikat strategjike dhe në patrullat e lëvizshme. Trupat kufitare u riorganizuan në fund të vitit 1951. Komandat e kompanive u anuluan dhje skuadrat e rojeve u vunë nën komandën e batalionit.
Aktivitete rezistence
22 – 29 mars 1953
Dy oficerë shqiptarë që kohët e fundit u arratisën në Greqi raportuan se që prej vdekjes së Stalinit, rezistenca ndaj regjimit të Enver Hoxhës është shtuar. Në të gjithë Shqipërinë ata thanë se ka grupe guerile që sulmojnë çdo ditë ushtrinë komuniste.
Kur u pyetën nëse këto grupe guerile ishin të afta të rrëzonin regjimin, oficerët u përgjigjën pozitivisht. Ata shtuan gjithashtu se një numër gjithnjë në rritje oficerësh po arrestoheshin për arsye të disfatave të shumta të ushtrisë me këto grupe guerile.
Oficerët thanë se qendra të reja inteligjence ishin ngritur në Peskovica, Pogradec, Tropojë dhe Shkodër. Burimet raportojnë dhe për akte serioze sabotazhi në punën për ndërtimin e hidrocentralit të Matit. Këto të fundit kanë sjellë arrestimet e rreth 100 personave, ndërsa popullsia fshatare e zonës është e ndaluar të lëvizë lirisht në rajon.
Maj 1955
Avionët sovjetikë
Tre avionë “MIG”- 15 dhe tre pilotë sovjetikë kanë fluturuar nga baza ajrore e Tiranës mbi kryeqytet. Në aerodrom janë dalluar dhe 15 avionë gjuajtës njëvendësh me një motor dhe 5 avionë dyvendësh.
Rreth 10 avionë të tjerë sovjetikë kanë ardhur në Shqipëri bashkë me pilotët sovjetikë, në një mision gjashtë-mujor për trajnimin e pilotëve shqiptarë. Në fund të prillit në Tiranë u ngrit Drejtoria Anti-ajrore e drejtuar nga gjeneral Gjin Marku, i cili më parë ka qenë komandant i ushtrisë në Elbasan.
Njësitë përfshijnë artileri anti-ajrore, njësi zbulimi ajrore, përfshi dhe radarë. Prej marsit 1955, një regjiment i paidentifikuar anti-ajror në Tiranë, është pajisur me dhjetë njësi radari, gjashtë prej të cilave ndodhen në aerodromin e Tiranës. Radarët janë tre tipe, secili me rang të veçantë zbulimi.
Njëri është me rang 500 km., një i dytë rreth 30 km., ndërsa tipi i tretë është i paspecifikuar. Secili nga radarët është montuar në kamion “Ziz”. Në mars 1955 katër oficerë sovjetikë dhe tetë ushtarakë të tjerë u caktuan për pesë muaj në regjimentin e Tiranës për të trajnuar operatorët e rinj të radarëve.
Koment: Gjeneral Gjin Marku është komandanti i Shkollës së Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë. Në 1945 Marku ka studiuar në Shkollën Ushtarake “Voroshillov” në BRSS. Ai mbaroi studimet në 1948 dhe vitin e kaluar u emërua drejtor artilerie në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitin 1949, ai u bë major-gjeneral dhe u emërua në krye të Trupave të Lufitmit në Ministrinë e Mbrojtjes.
Dhjetor 55
Burgu i Burrelit
Burgu i Burrelit mban rreth 400 të burgosur. Drejtori i tij është njëfarë Metani, kurse drejtuesi kryesor pas tij është një agjent i Sigurimit, i quajtur Jorgo Jaçe, nga Gjirokastra. Burgu ruhet nga rreth 50 njerëz. Shumica e të burgosurve janë të burgosur politikë.
Mes tyre rreth 100 janë zogistë, rreth 150 mbështetës të Ballit Kombëtar dhe rreth 150 nacionalistë, duke përfshirë dhe mbështetës të Gjon Markagjonit, Mustafa Krujës dhe Ismail Vërlacit.
Anëtarët e këtyre grupeve politike ndihmojnë njëri-tjetrin sa munden, duke ndarë ushqimin e pakët dhe duke mbajtur të gjalla interesat e tyre politike me anë të diskutimeve të fshehta. Zogistët kryesorë janë Enver Hasa, Et’hem Cara dhe Dul Hoxha.
Ballistët kryesorë mes të burgosurve janë Kudret Kokoshi, Abdullah Rami dhe Koço Tasi. Me gjithë diferencat e opinioneve mes zogistëve dhe ballistëve, ata të gjithë mbështesin Komitetin e “Shqipërisë së Lirë”, edhe pas lajmeve dekurajuese që vijnë herë pas here mbi mosmarrëveshjet mes fraksioneve të Komitetit.
Të burgosurit favorizojnë një qeveri koalicioni nëse regjimi aktual përmbyset, ndërsa jo të gjithë pranojnë rikthimin e Mbretit Zog. Nëse do të mbahej një referendum, Zogu besohet se do të fitonte rreth 70 për qind të mbështetjes.
Prej vitit 1949 oficerët e burgut kanë keqtrajtuar më pak të burgosurit, duke shënuar njëfarë përmirësimi në kushtet e tyre. Vakt mëngjesi nuk ka, ndërsa ushqimi i ditës për të burgosurit është supë për drekë dhe darkë me 600 gramë bukë për secilin.
Familjarët e të burgosurve lejohen të sjellin ushqime për njerëzit e tyre. Ndërtesa e burgut përbëhet nga dy dhoma të mëdha me përmasa 7×7 metra, tetë dhoma me përmasa 5×3 metra, dhe 28 qeli për tre persona me përmasa 2×2 ½ metra. Burgu ka gjithashtu 3 qeli izolimi./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm

















