Nga MËRGIM KORҪA
Pjesa e dytë
Memorie.al / E quaj veten fatlum që sapo vumë këmbë në këtë tokë të bekuar të Amerikës, pa vonesë u njohëm dhe shpejtë edhe u miqësuam, me njërin nga personalitetet nga më të shquarit e kombit tonë, Hirësinë e Tij, Baba Rexhebin. Mezi ç’e prisnim fundjavën që t’a kalonim me të, motrën e Tij, teto Zejnepin, si edhe të gjithë miq e dashamirë të Babait që vinin t’a takonin, t’i qanin një hall apo edhe t’i shërbenin atij si edhe Teqésë Mirëpo fundjava njëra nga tjetra ishin shumë larg, i ndanin shtatë ditë, e veç kur tringëllinte telefoni në mes jave dhe zëri aq i dashur i Babait na thosh … ku ini bre bijt e mij? Hajdeni se na ka marrë malli. E ne të nesërmen, sapo dilnim nga puna ,,,, drejt e në Teqé! I kujtoj ato kohë që s’kthehen më dhe sinqerisht më është venìtur pamja nga lotët e nuk e shquaj mirë ekranin e kompjuterit teksa mundohem t’i shkruaj këto kujtime. E vetmja gjë që më ngushëllon është fakti se sa herë që rrija me Babanë, jam munduar dhe e kam shfrytëzuar kohën që këmbëngulëse ikte, dhe nuk kam lënë problem pa diskutuar me të, aq sa kalonte edhe ora e gjumit të Babait, të cilën ai e respektonte me fanatizëm.
Baba Rexhebi vuri buzën në gaz dhe i përgjigjet: “Aspak bija ime: Të gjitha besimet monoteiste besojnë në të njëjtin Zot dhe i luten të njëjtit Zot, të vetmit, të Madhnueshmit dhe Mëshirëplotit! Edhe kisha ku je lutur ti, është Shtëpia e Tij, shumë mirë ke bërë. Ti nuk kishe as teqe e as Xhami ku të luteshe. Dhe mbani vesh të gjithë, na u drejtua neve, Zoti është një dhe i njëjti për të gjithë besimtarët monoteistë dhe janë veç njerëzit e ashtuquajtur fetarë që, për qëllime të caktuara pushteti, mbjellin përçarje dhe konfuzion në mendjet e njerëzve, duke predikuar dasira ndër ta”
Përgjatë këtij konteksti mendoj se i erdhi radha një pushimi të shkurtër. Nënvetëdija e lexuesit t’i analizojë e t’ì përpunojë faktet e paraqitura e domosdo edhe interpretimin e tyre si mbas optikës mistike. Ndërkohë ne vazhdojmë me lexuesin e trajtojmë një subjekt më të kapshëm, më të prekshëm e më real. Baba Rexhebi, ai shenjtor i gjallë i cili vuante për hallet e njerëzve e vetëm vuante për ta, thellë në shpirt vuante edhe për vete: e akuzonin komunistët se i kish duart e lyera me gjak! E Babai thosh: ”është e pabesueshme se si propaganda politike mashtruese arrin e gjen persona që i verbon deri në këtë shkallë” – edhe vuante ai. E kush vuante e për kë? Vuante Baba Rexhebi për t’ia shpëtuar shpirtin Bedri Spahiut, për të cilin i lutej Babai Perëndisë t’a mëshironte për krimet e tij!
I lemë tashti më një anë të indoktrinuarit, atë masë injorante (siç e quante Baba Rexhebi), të cilët duhet (si mbas mistikut tonë të madh), jo vetëm t’i falim, por edhe të lutemi për ta. Merremi sado shkurt me anën tjetër, me ata dashurues të Baba Rexhebit që të rrëmbyer nga respekti i thellë për figurën e Tij, bien në pohime të pasakta. Më ka rënë në sy në ndonjë botim se si duke e përshkruar Baba Rexhebin si patriot të skajshëm, përgjatë atij laku kohor kur propaganda e nacionalistëve përfytej me atë sllavo-komuniste e nisi edhe lufta civile e shkaktuar, e filluar dhe e vazhduar teje-skaj nga komunistët, ndonjë autor shkrimi për t’a bërë edhe nga ana artistike tërheqës shkrimin, thotë se Baba Rexhebi rrëmbeu në ata kushte edhe armët...! Jo. Këta pohime, ndonëse e kuptoj se gjithmonë me kuptim dhe ndjenjë lartësimi dhe mirëdashjeje për figurën e Babait si patriot, nuk i përgjigjen së vërtetës, dhe vetëm ua hapin gojën më keq pinjojve ideologjikë të Bedri Spahiut e Ramiz Alisë me shokë.
E lemë tashti më një anë dëshminë e vetë protagonistit, Baba Rexhebit, se ç’thosh lidhur me ballafaqimet me komunistët, e me që kemi akoma dëshmitarë të tjerë bashkëkohës, ia lejojmë vetes lluksin të përzgjedhim ndërmjet shumë dëshmitarëve atë që ka edhe më shumë se ç’të thotë dhe i referohemi se ç’pohon zoti Haki Gaba, muhib i Teqesë së Zallit, dhe shoqërues i asaj kohe i Baba Rexhebit, me të cilin kam folur me dhjetëra herë e për orë të tëra. Ai tregonte se si në ato kohë skajshmërisht të rrezikshme…na nuk keshëm se si t’a lejojmë Dervish Rexhebin të shkonte e të futej i vetëm dhe i armatosur, siç ish ai, në folën’ e arëzave. Dervishi qe trim e tërr s’i bënte syri tek shkonte e kuvendonte shtruar me popull e pleqësi duke lëshuar mjaltë nga goja e duke ua mbushur mendjen të kthejnë në rrugë të patriotizmës e t’a harrojnë internacionalen e Miladinit e të Dushanit. Po ku mund t’u keshëm besë na komunistëve të djallëzuar që e prisnin Dervishin, e pastaj keshëm sy e faqe na t’i dilnim dot para Baba Selimit? Kështu na si çetë e Ballit e kemi shoqëruar edhe ruajtur si sit’e ballit Dervishin tonë sa herë që ai lëvizte në zonën e Gjirokastrës.
Bashkëkohësit e Baba Rexhebit tregojnë bilé një fakt tejet kuptimplotë. Ishte mesi i vitit 1943. Veç kur vete në Teqénë e Zallit Dervish Ahmeti nga Tërbaçi i Vlorës. Ai kish pushkën në krah se ishte bashkuar e dalë malit me nacional – çlirimtarët. Kish ardhur në Teqé t’i bënte thirrje Dervish Rexhebit të ndiqte dhe Ai shembullin e tij. E pa Dervish Rexhebi në sy dhe i thotë: si më thua mua more Dervish Ahmeti të vij me ty kur ti ke hedhur armën krahut? Arma nuk është për ne! (Deri këtu e trajtoj unë ngjarjen që hedh dritë mbi pozicionimin e Dervish Rexhebit dhe nuk i intereson lexuesit që të shmangemi nga tema kryesore e të trajtojmë pastaj fatin e Baba Ahmetit, të internuar kampeve të punës nga regjimi për të cilin ai rroku edhe armët, në kundërshtim me rregullat e tarikatit të tij). Fakt është pastaj se kur e nxitur nga komunistët, vëllavrasja mori përmasa të tilla që nuk ndalohej më, Dervish Rexhebi nga fundi i vitit 1943 u largua e shkoi në Tiranë e më pastaj në Shkodër prej nga, në fundin e nëntorit 1944, edhe u largua nga Shqipëria.
Mbas këtij ndërakti jo të pa interes, vazhdojmë e ndjekim Baba Rexhebin nëpër shtigjet e mistikës së Tij, duke u munduar t’a kuptojmë. Mund t’a pohoj me plot gojën se kur Baba Rexhebi fillonte e trajtonte problemet më të mprehta që e kanë turbulluar mendjen njerëzore që në fillimet e kësaj shoqërie, sikurse pyetjet rreth ekzistencës së Zotit e kështu me radhë, me të folurën e Tij të ëmbël dhe të mbështetur në logjikë rigoroze, të rrëmbente si pa e kuptuar dhe të ngrinte në fluturim bashkë me të në nivele jashtëkohore e njëkohësisht edhe jashtë tokësore. Miliarda njerëz gjallojnë mbi tokë, thosh Baba Rexhebi, po sa prej këtyre janë shpirtërisht të gjallë? E fill mbas kësaj pyetjeje retorike shtonte pohimin…egoizmi nuk nuk e le njeriun të njësohet me Zotin. Egoja dhe vetëm ajo , e ndan njeriun prej Zotit. Egoizmin Ai e konsideronte sëmundje të rëndë morale dhe shoqërore. Babai pohonte se…egoizmi është si një mal i lartë që ngrihet pikërisht para syve tonë e që nuk na le të shohim përtej.
Po t’arrijmë e tì ngjitemi këtij mali deri në majë, me mund dhe me sakrifica të përditshme të nivelit vet-mohues, vetëm atëherë do të shohim se para nesh shfaqet Zoti, me gjithë madhështinë e Tij! Misteri që e rrethon Zotin e na e bën të padukshëm, s’është gjë tjetër veçse egoizmi i njeriut! Pra kush rri e shikon veten dhe dashurohet me veten e tij, ai kurrë nuk do t’a shohë dot Zotin!
Po mistiku tjetër i famshëm, Padre Pio, si ballafaqohej me konceptin e pamundësisë për t’a parë Zotin? Këtë pyetje ia bëri një ditë miku i tij i ngushtë Agide Finardi e Padre Pio i u përgjigj: “Për kë dashuron toka dhe qielli bashkohen”! E kur e pa se miku i tij mbeti diçka si i hutuar, Padre Pio shtoi: “Por që këto të bashkohen e pra t’a shohësh Zotin, duhet të dashurosh këdo e kurdoherë, veç jo veten tënde”!
Këtë koncept Padre Pio mundohej t’ua nguliste thellë në ndërgjegje çifteve të reja që martoheshin. Kur dy të rinj Ai i bashkonte në martesë, u thosh: “Para se të lidheni pazgjidhshmërisht mendojeni mirë se ajo që që ju sot doni të krijoni, familja pra, është e shenjtë. Dashurojeni njëri tjetrin dhe të shkrirë njësh në këtë dashuri, dashurojeni Zotin, krijues të Gjithësisë, se Ai u jep juve pastaj mundësinë e ripërtëritjes. Analizojeni përditë dhe pastrojeni ndërgjegjen tuaj përditë, duke u penduar për ato që nuk duhej të bënit. Djalli do të mundohet t’ua fusë në mes lush xhelozinë. Luftojeni me dashuri të ndërsjellë. Mos shikoni kurrë të metat e tjetrit, shikoni dhe korrigjoni tuajat dhe kijeni mirë parasysh se po nuk ditët të falni të tjerët, askush nuk do t’ju falë juve! Vetëm kësisoj dashuria për njëri tjetrin, dashuria për të afërmin si dhe dashuria në Zotin, do t’a mposhtë të keqen dhe ditë mbas dite do t’ju avisë tek Zoti”!
Po këta koncepte u a mëkonte të rinjve edhe Baba Rexhebi, i cili shtonte; “Fisnikëri është t’a përballosh të keqen me të mirë, por kijeni mirë parasysh se të mbash shpresë se shpërblehesh për të mirat e bëra si edhe dhuratat që ke dhënë, kjo s’është gjë tjetër veç tregti. E me Zotin nuk bëhet tregti! Të njëjtat koncepte shprehte edhe Nënë Tereza por me fjalë disi të ndryshme. Ajo thoshte: Në çastin që njeriu e kupton se është mëkatar dhe ka nevojë t’ia falin mëkatet, fillon e bëhet më e lehtë për të që të falë të tjerët. Por kijeni mirë parasysh se pa falje dhe pa dashuri, nuk mund të ketë jetë…! Tek lexon porositë e Padre Pios dhënë të rinjve lidhur me analizën dhe pendimin e përditshëm që t’i avitemi Zotit, pa asnjë mëdyshje kuptohet se zbatimi i kësaj porosie çon drejt pastrimit të ndërgjegjes si edhe ruajtjes së mëtejshme nga gabimet.
Duke shtuar këtu edhe porositë e Nënë Terezës, nuk kemi se si të mos bëjmë paralelizmin e të sjellim në mëndje thënien e Baba Rexhebit se: “Njerëzit e mëdhenj sjelljet e dukshme i kanë gjithë moral, kurse të padukshme e tyre janë shembull moraliteti! E lexon këtë pohim dhe nuk ka asgjë të paqartë, përkundrazi. E rilexon me ngadalë dhe sheh se pjesa e parë e pohimit ka shumë forcë shprehëse, por kur kalon te pjesa e dytë e pohimit, atje të hapet një fushë sa e gjerë dhe e pafund analize, duke filluar nga vetja jote. Atëbotë kupton se pohimet qofshin të Padre Pios, apo të Nënë Terezës, po u zbatuan, e fusin njeriun në një qerthull brenda të cilit kush hyn me bindje e ndërgjegje të plotë, padyshim me kalimin e kohës do të bëhet i afërt me Zotin! E për kë bëhet i afërt me Zotin, Baba Rexhebi thosh se: “Zoti i drejton. Ata bëhen si ajo pena e cila vërtetë shkruan, por drejtohet nga dora dhe mëndja e Shkruesit”!
Me hapjen e Shqipërisë filluan të vijnë dendur e më dendur në teqé të ardhur rishtas e ndërmjet tyre kishte domosdo edhe ish komunistë. Një ditë vjen dhe bile i puth dorën Baba Rexhebit, një person i cili kishte patur një post drejtues në një dikaster qendror dhe i shquar kishte qenë si i ashpër në zhvillimin e luftës së klasave në sektorin që drejtonte në Shqipëri, Mbasi largohet ai një nga besimtarët dhe miqtë e vjetër të Baba Rexhebit, i arratisur bashkë me të nga Shqipëria që më 1944, i thotë Babait: “I fortë je o Baba. Këta të na fusin në dorë ty edhe mua, na rrjepin të gjallë e zotërote kupton se dhe ka ardhur në teqe, duke u treguar të përunjur e duke të puthur dorëh ty, kanë bërë kthesë e janë penduar për ç’kanë bërë”?
Babai e shikoi me buzëqeshjen e Tij të ëmbël dhe qetë qetë iu përgjigj: “Të dy kemi të drejtë, si ti edhe unë. Por filozofia ime është të mëshiroj, të fal dhe mundësisht t’i kthej në udhën e drejtë të Zotit. Edhe kije mirë parasysh, se ti më njeh sot e pesëdhjetë e ca vjet të shkuara, gjatë të cilave parimi im bektashian ka qenë gjithmonë që të papjekurin të mundohem t’a pjek dhe të pjekurin t’a ruaj mos të bëhet i papjekur. Prandaj unë veproj ashtu siç më takon mua e pastaj u le kohë, i ndjek në rrugën e tyre dhe lutem për ta. Koha pastaj është gjykatorja nëse ata janë penduar e kanë bërë kthesë apo jo. Kjo edhe arsyeja që teqén unë e kam të hapur për të gjithë”.
Pasi bëri pushim, Babai vazhdoi: “Në qoftë se ne nuk do të vepronim në këtë mënyrë, si do të mendonin komunistët? Edhe këta njësoj qenkan, si ne. Siç u sollëm ne me ta, kështu po sillen edhe këta me ne. Kurse ne duhet t’ua vemë trurin e tyre në punë, të na i krahasojnë sjelljet tona me ato që u impononte Enver Hoxha atyre, dhe t’i nxjerrin vetë përfundimet! Kur ata t’a kuptojnë vetë, pa shtysën tonë, se sa të gabuar kanë qenë dhe sa keq kanë vepruar, atëherë misioni ynë ndaj Zotit ka dhënë frytet e tij sepse kemi kthyer me besim të plotë dhe të lirë, një ndërgjegje të humbur në rrugën e Perëndisë”!
Tek i shkruaja këto radhë mundohesha të njësohesha me ju, lexues të dashur, duke menduar se si dora dorës ju, duke përparuar me leximin, fillimisht bashkoheshit me mikun e Babait sepse domosdo ju neveriste qëndrimi dallkauk i ish kuadrit të partisë komuniste, apo jo? E theksoj me bindje këtë fakt sepse mundësitë janë tri e hiç më shumë: po të jeni të paanshëm sjellja e tij ju neverit, sepse është qëndrimi i një njeriu pa personalitet. Nga ana tjetër, në qofshi të tillë që dhunën e pushtetit diktatorial e kini dënuar si të padrejtë dhe kundra njerëzore, si të gjitha dhunat, është e qartë katërcipërisht se si e kini gjykuar sjelljen e tij . Por edhe sikur të vazhdoni edhe sot e të kini bindje komuniste, padyshim që sjellja e tillë e një ish kolegut e shokut të së njëjtës barrikadë, ju bën të ndjeheni keq, apo e kam gabim?
Mirëpo në vazhdim, mendoj se si pastaj dy kategoritë e para të lexuesve nuk kanë se si të mos konfirmohen me vijën e arsyetimit e domosdo edhe me pozicionimin e Baba Rexhebit në rrethanat e caktuara. Po ju, zotërinj të kategorisë së tretë, (përjashto ata që u mungon si ndjenja njerëzore, minimumi i logjikës racionale e gjithashtu udhëhiqen vetëm nga shpirti i të kundërshtuarit të çdo gjëje me paragjykim), a nuk bashkoheni edhe ju me mësimin madhor që na jep me këtë rast mistiku i madh Baba Rexhebi? Ndonjëri nga ju mund të mos e pòohojë me zë të lartë, (ndonëse edhe ai e ndjen thellë në ndërgjegjen e tij), por shumica e juaj do t’a pranojnë se ajo rrymë partiake e cila u a kishte mbushur mendjen se Baba Rexhebi ishte një armik që i kishte të lyera me gjak duart e tija, nuk ishte veçse shpifje e ulët e cila nuk kishte se si ta shkëlfiste sado pak figurën madhore të këtij mistiku me përmasa gjigante! Pra gënjeshtra e thënë dhe e përsëritur që nga viti tashmë i largët 1943, në lidhje me Baba Rexhebin, vazhdon edhe sot e është gënjeshtër.
Kjo nuk ka dyshim. Por ajo që ka rëndësi të madhe lidhur me nocionin kohë si nocion filozofik, është e vërteta e cila sa kohë që del në shesh duhet edhe të pohohet nga ai që e ndien, pra nga njeriu i ndershëm! Kemi shembuj konkretë? Po. Do t’ua sjell një vërtet sa tipik edhe kuptimplotë: kishin qenë bashkënxënëse, shoqe ideali edhe bashkëluftëtare në mal si partizane, Selfixhe (Ciu) Broja me Nexhmije (Xhuglini) Hoxhën. E dyta edhe sot e kësaj dite mbron me pasion ditët e bukura si edhe të mirat që kish edhe gëzonte populli përgjatë kohës së diktaturës. Kurse Zonja Broja shkruan kujtimet e saja edhe pohon: “Po ne?…Ah ne…! Ne që kontribuuam për të sjellë këtë kohë, nuk na mbetet veçse një bidon vajguri në dorë, të drejtohemi në qendër të qytetit e, duke kërkuar të falur popullit, t’i vemë shkrepësen vetes. (Faqe 344 Selfixhe Broja “Tallazet e Jetës T; Globus R. 1998, Tiranë). Tragjik është ky pohim. Është e vërtetë. Por është është pohim me ndershmëri i një së vërtete kur i erdhi koha.
Po pohimi i Nexhmije Hoxhës, ç’ndjenja do të ngjallte tek Baba Rexhebi? Do t’a nxiste të lutej e të lutej shumë për shpirtin e saj djallëzor, që Zoti t’a mëshironte! Pavarësisht se u zgjeruam paksa në trajtimin e kësaj pike, por nuk do t’a harrojmë tashti paralelizmin e ndikimeve që kanë mësimet e mistikëve që po sundojmë. Rreth figurës Padre Pios ishin botuar deri më 1929-ën disa libra mirëdashës, përkundra një morie shkresurinash nga dhe për në Vatikan, me shpifje e keqdashje ndaj Tij. Kurse Padreja, i palëkundur në besimin e Tij në Zotin, vazhdonte e i lutej Zotit për njerëzit. Në këtë kohë Emanuele Brunatto si edhe shoku i tij Francesco Morcaldi përgatitën një libër thjeshtë me dokumenta e faksimile nxjerrë nga bashkëpunimi i tyre me Imzot Bevilacquan përgjatë hetimeve të bëra ndaj klerit të Manfredonias, ku dilnin në dritë gjithë mashtrimet, gënjeshtrat edhe shpifjet me të cilat ishte montuar dokumentacioni i luftës kundër Padre Pios. Ky libër do të nxirrte në dritën e diellit të gjithë kalbësirën që fshihej prapa luftës, që rrethe të caktuar njerëzish të Vatikanit, i bënin Padre Pios.
Nga ana tjetër, këta dashurues të Padre Pios e dinin fare mirë edhe kishin pohuar se, po t’a merrte vesh Padre Pio se ç’kishin përgatitur ata, kurrë nuk do t’i lejonte t’a shpërndanin librin. Mirëpo ngjau e pabesueshmja. Papritur e pa kujtuar u publikua një libër tjetër mbi Padre Pion me titull: “Padre Pio nga Pietrelcina Mesagjeri i Perëndisë”. Zhurma që u shkaktua në gjithë Italinë, edhe më gjerë, qe e madhe. Kjo qe rrjedhojë se autori i librit ishte Alberto del Fante, njeri shumë i njohur si masson dhe ateist e njëkohësisht si shumë i dëgjuar për shkrimet e tija në gazetën “Italia laica”, ku dendur e kishte sulmuar Padre Pion duke e përcaktuar si mashtrues dhe të shkathët për t’u hedhur trutë e gomarit njerëzve naivë dhe të gatshëm të tërhiqeshin nga hunda dhe të entuziazmoheshin!
Mirëpo më pas kish ngjarë diçka e jashtëzakonshme në jetën e Del Fantes. Një nip i tij, ndaj të cilit ishte shumë i lidhur ai, Enrico-ja, qe sëmurë aq rëndë sa mjekësia kishin humbur shpresat për të. Atëherë prindit e tij i drejtohen Padre Pios i cili u premton se do t’i lutej Zotit për të, e ata të mos bëheshin merak se Zoti do t’i ndihmonte. Dhe në fakt ngjau e papritura, mrekullia:…shëndeti i djalit ktheu e ai dora dorës u përmirësua deri në shërim të plotë! Falënderimeve që i bënin Padre Pios familjarët e djalit Ai u përgjigjej: “Mos më falënderoni mua, unë vetëm i lutem Zotit. Mrekullitë është Ai që i bën, nuk jam unë”!
Në këtë ndërthurje faktesh të jetuara nga bashkëkohësit si edhe të dokumentuara, ndjekim dy linjat paralele të dy mistikëve tonë të mëdhenj: Baba Rexhebi me qëndrimin e Tij ndaj ateistëve, ish pasqyrë e gjallë e shembullit madhor se cili qe drejtimi për t’u ndjekur e cila kishte qenë rruga e gabuar! Po Padre Pio si ndikoi mbi Alberto Del Fanten? Besoj se asnjeri nuk kërkon shpjegim, faktet flasin vetë.
E për t’a kopsitur plotësisht krahasimin e dy mistikëve, vazhdojmë me ngjarjen e mëposhtme:
E pyes një ditë Baba Rexhebin dhe i them se më kish rastisur të flisja me shumë njerëz dhe kush thonte se mbas kaq dhe aq vitesh martese, pa patur fëmijë, të ishin lutur ty Baba Rexheb, e mbasi ti ishe lutur për ta, nuk kish vonuar shumë dhe Zoti u kish falur një fëmijë. Pa le që Asllani me gjithë të shoqen Shazon, kur u ngjau fatkeqësia dhe djali i tyre 17 vjeçar, (i vogli i fëmijëve), u vra në një incident automobilistik e ata u bënë si të çmendur, Zotërote i kishe ngushëlluar duke u thënë të mos e tepronin me të qara dhe ulërima se ishte rebelim ndaj vullnetit të Zotit dhe kishe shtuar, siç e pohojnë ata vetë: “Mosni kështu se bëni gjynah. Do t’a shihni se mbas një viti Zoti do t’ua zëvendësojë humbjen me një djalë, Hysenin”. (Dhe vërtetë, në krye të vitit, u fali Zoti një djalë emrin e të cilit nuk kishin përse t’a zgjidhnin, e kish përzgjedhur vetë Baba Rexhebi! Gjithashtu vazhdova duke i thënë Babait se si kish plot njerëz që pohonin se kishin qenë të sëmurë. Me mjekë nuk gjenin derman. Ishte lutur ai për ta dhe ishin shëruar E nga këta dy fakte të dëshmuara kisha dëgjuar me dhjetëra. Si qëndron puna, e pyeta Babanë, kishte vërtetë fuqi të jashtëzakonshme Ai?
Babai buzëqeshi dhe më thotë: “Jo more bir, edhe unë si secili nga ju, i lutem Zotit. E vetmja diferencë është se unë praktikisht i lutem të gjithë ditën, sa kohë që nuk merrem me ndonjë punë. Pastaj është në dorën e Zotit në se ma dëgjon lutjen apo jo. Në këta raste Zoti ma ka dëgjuar lutjen e ka bërë për ta. Pra harrojini ato të ashtuquajtura mrekulli të miat, unë vetëm i lutem Zotit si edhe ju dhe nuk kam asnjë fuqi tjetër. Mrekullitë është vetëm Zoti që i bën! Thelbi i mistikës të Baba Rexhebit ishte: të luftohet e të mposhtet egoizmi. Në çdo mësim të tijin, në çdo këshillë që jepte, të gjithë shembujt që sillte, tek i zbërthente me aq bukuri shprehjeje e krahasimesh, si edhe forcë bindëse, të çonin tek i njëjti përfundim: narçizizmi (të dashuruarit me vetveten) është baza e të gjitha të këqijave të kësaj bote. Egoizmi. Kjo dukuri e theksuar e narçizistëve, ka mbrujtur e u ka dhënë shtat përgjatë shekujve tiranëve si dhe diktatorëve, e varg e vistër pastaj pas tyre të gjithë atyre fatkëqinjve që nuk dinë të duan njeri tjetër veç vetes tyre, pa le pastaj të sakrifikojnë për tjetrin!
Tek theksonte Baba Rexhebi se: “Po nuk e zhduku egoizmin, njeriu nuk e sheh dot Zotin e Madh, krijuesin si edhe Mëshirëplotin e Gjithësisë” E kish shumë për zemër të sillte një shembull me të cilin tregonte se për t’a shembur murin që njerëzit kanë para syve të tyre dhe që është egoizmi, duhet të njësohen me Zotin, t’i besojnë dhe t’a dashurojnë Atë pa kushte, me besim të plotë e pa diskutim. Me këtë shembull e mbyll edhe paragrafin e fundit të veprës së saj për Baba Rexhebin, profesoresha Frances Trics. Ajo ka pohuar: “Njëzet vite të shkuara veprën e Baba Rexhebit e lexoja si një libër studimi, tani i lexoj frazat, ndonëse nën udhëheqjen e Baba Rexhebit i kuptoj, por prap i rikthehem leximit se…diçka më shket nga ajo filozofi e hollë e Tij. p. sh. kur Babai më shpjegon teorinë e Gazaliut të famshëm, të paarritshme, mbi “marifetin” (njohurinë), ai si pa e kuptuar të jep një mësim të thellë filozofik mbi tri shkallët e besimit që janë “besimi i njerëzve të prirë për të besuar”, e që besojnë edhe vetëm duke u falur, besimi i atyre që vijnë në përfundimin e të parëve por ama pasi t’u rezultojë nga “deduktimi i tyre”; si edhe së fundi “besimi i arifëve (të shquarve) që, në rrugën e Zotit, e shohin me sy vetë Zotin! Këta janë të pajisur nga ana e Zotit me “Ilmi Ledun” (Shkenca Hyjnore).
Tashti vijmë edhe tek shembulli që sillte Baba Rexhebi lidhur me njësimin me Zotin duke besuar pa kushte në udhëheqësin shpirtëror, i cili tregim profesoreshës Trix i kishte lënë gjurmë të thella. Babai tregonte ngjarjen në mes mistikut të famshëm Jelaledin Rumiut dhe nxënësit të tij shpirtëror, Shemsedin Tanrizit: Një ditë nxënësi vete t’a takojë mësuesin, por ai sapo kishte dalë nga shtëpia. Ngado që shkonte nxënësi e shihte mësuesin e tij dhe sapo i afrohej, mësuesi zhdukej në rrugicat me kthesa. Më në fund nxënësi e sheh mjeshtrin që hyn në një shtëpi dhe e ndjek. E kërkon brenda shtëpisë po nuk e sheh; atëherë i ngjit shkallët e prap nuk e sheh. Së fundi i ngelet të dalë në çatinë e sheshtë të ndërtesës e me që edhe prej andej murshidi i tij ishte zhdukur, hidhet nga çatia, por nuk bije në tokë të vritet sepse…e pret mësuesi në krahët e tij!
Edhe profesoresha pikërisht këtë ndodhi e vendos si epilog të veprës së saj për Baba Rexhebin, duke bërë analogjinë me veten e saj: sa herë që ajo nuk e ndiqte dot Babanë nëpër labirinthet e filozofisë mistike islame, Ai gjithmonë ndodhej pranë saj! Duke krahasuar ndarjen që u bën filozofia humaniste njerëzve, nisur nga prirja e tyre të besojnë apo jo, e krahasuar kjo me kategorizimin që u bën filozofia mistike, ku ndryshimet fillestare ndërmjet pohimeve çojnë pastaj në ndryshime thelbësore interpretimi i të mëvonshme, Baba Rexhebi vinte në dukje se si edhe në fushën artistike ky ndryshim dukej qartë. Ai merrte e krahasonte vargje të shkruar me pasion nga një poet lirik e për më tepër domosdo edhe besimtar, duke i ballafaquar në vargje shkruar nga një poet mistik, por për të njëjtën temë.
E Babai thoshte: “Shikoni se ç’ndryshim themelor ka në kuptimin e rrethanës. Nga rrjedh kjo? Poeti mistik e ka jetuar rrethanën e caktuar nëpërmjet frymëzimit që i vjen nga udhërrëfyesi i tij shpirtëror. Kurse liriku ç’bën? Ai përshkruan një rrethanë të imagjinuar, pra bën sofizëm! Mbas shkëmbimit të gjithë këtij informacioni me lexuesin, duke qëmtuar fakte dhe pikëpamje të Baba Rexhebit, këtij kollosi të filozofisë mistike bektashiane, të analizuara këto edhe sipas optikës së dy personazheve madhore të mistikës si edhe besimit kristian, Nënë Terezës dhe Padre Pios, e quaj me vend të bëjmë edhe sintezën e tyre.
Me sjelljen e tyre tokësore të nëpërkëmbjes së vetë-vetes, dashurisë pa rezerva për tjetrin si edhe përkushtimin total ndaj Krijuesit të Gjithësisë, ata për së gjalli lartësoheshin dita me ditë përgjatë tri shtyllave kolosale ngritur nga tre skaje të globit, (Detroit, Kalkutë e Pietrelcina), me drejtim bashkëqendërsie, drejtë pafundësisë qiellore, prej nga i kishin kapërcyer kufijtë e egoizmit. Që atje lart ata, të bashkuar si monoteistë që ishin, e sodisnin Zotin na jepnin shëmbëllimin e tyre personal edhe luteshin për ne. Edhe sot, që nga amshimi, ata na ftojnë përgjatë shtegut të përshkuar prej tyre e që është shembull virtyti, moraliteti, dashurie njerëzore edhe shkrirje me Zotin …e vazhdojnë të luten për ne! / Memorie.al














