Nga Enver Kushi
Memorie.al / Këto ditë, duke kërkuar në dosjet e arkivit tim modest për Çamërinë, gjeta të fotokopjuar vjershën; “Sanije Bollati” , shkruar nga Gjergj Komnino dhe botuar në gazetën “Zëri i Çamërisë”. Gazeta në fjalë ishte organ i Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamër në Shqipëri dhe u botua vetëm në disa muaj, duke nisur nga gjysma e dytë e vitit 1945. Në faqet e kësaj gazete, Gjergj Komnino, ka publikuar disa nga krijimet poetike më të dhimbshme kushtuar tragjedisë çame, si; “Paramithi, Paramithi”, “Rruga e kthimit”, “Sanije Bollati”.
Do të duhej një studim i veçantë, kushtuar jetës dhe veprës së Gjergj Komninos, që siç shkruan shkrimtari durrsak, Shpend Topollaj, “ishte diplomuar jashtë shtetit, ku kish mbrojtur shkëlqyeshëm diplomën, me një studim për Luixhi Pirandelon”.
Këtë intelektual, në damarët e të cilit “rridhte gjak princash e deri perandorësh”, këtë antifashist të orëve të para, regjimi komunist do ta burgoste.
Agim Musta në librin “Mandelët e Shqipërisë”, mes të tjerash, kujton edhe fjalët e Komninos: “Më dënuan me vdekje më 1956-ën. Gjashtë muaj duke ngrënë si qeni në koritë, gjashtë muaj me duar e këmbë të lidhura me hekura, gjashtë muaj duke urinuar në tesha, gjashtë muaj…”!
Le të rikthehem te poezitë e Gjergj Komninos, kushtuar tragjedisë çame. E përbashkëta e tyre është dhimbja e skajshme dhe tragjizmi deri në ulërimë. Poeti duket se është njohur nga afër me plagën çame dhe trupin e sfilitur të Çamërisë. Ai është bërë pjesë e kësaj tragjedie dhe duket sikur edhe trupi i tij, është me plagë që ende rrjedhin gjak.
Mendoj se poezia “Sanije Bollati”, është më tragjikët. Atmosfera është danteske. Duket se ajo flet në boshllëk, diku mes tokës e qiellit. Ka 37 vargje dhe në fund një sqarim për lexuesin: “Sanije Bollati është një viktimë e monarko-fashistëve grekë, të cilët e dogjën pak nga pak dhe e masakruan tmerrësisht”.
Kush është Sanije Bollati? Ka lindur në qytetin e Paramithisë, bijë e një prej fiseve të hershme të këtij qyteti (ku ndodhet ende në këmbë kulla e Bollatëve) dhe martuar po në këtë qytet, në familjen Nuri.
Është me interes për lexuesin, t’i bëj të njohur deklaratën noteriale të Fadil Nurit, që mban datën 26 janar 2005, lindur në Paramithi në vitin 1935 dhe është biri i Sanije Bollatit.
Po citoj një pjesë të dëshmisë e tij, marrë nga Z. Ilmi Saqe dhe vërtetuar nga noterja Ruko Soko: “Nëna kishte në djep motrën 6 muajshe, Dilenë dhe shkon në banjë, për të marrë ndresat e motrës, por kriminelët e djegin. Nëna del nga banja duke u djegur gjithë flakë.
Unë fillova të qaja me të madhe, duke parë nënën që i digjej gjithë trupi flakë. Një zervist më qëllon dhe më shtynë nga kati i dytë dhe më rrëzon nëpër shkallë, duke u vrarë dhe copëtuar. U mbusha tërë gjak, nga plagët që mora. Kjo shenjë që kam në ballë është nga këta kriminelë. Nëna vazhdonte të digjej, deri sa humbi ndjenjat.
Ajo është përcëlluar komplet, mishrat e trupit ishin nxirë dhe vende-vende kullonin gjak…! Buzët ishin djegur, dhëmbët ishin përjashta. Nga djegia, trupi ishte rrudhosur dhe tkurrur. Ishte një pamje lemeritëse. Ajo pamje më ka shoqëruar dhe do të shoqërojë deri sa të rroj…! Kriminelët zervistë, vranë në djep edhe motrën, Dilenë 6 muajshe…”!
Dëshmia e lartpërmendur, e pashembullt në kanibalizmin e bandave zerviste ndaj popullsisë të pafajshme çame, më sjell ndërmend, mes të tjerave, thënien e historianit objektiv grek, Niko Zhangu: “Duhet të shikojmë fytyrën tonë, në pasqyrën e historisë dhe të na vijë turp për ato që u bënë, (në Thesproti), sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”.
Të njëjtën mendim ka edhe historiani bashkëkohor grek Jorgos Margaritis, i cili në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, shkruan për Paramithinë, që më 27 qershor 1944 “qyteti u kthye në thertore…! Rreth pesëqind persona, u vranë me mënyrat më çnjerëzore. Keqtrajtimi i përgjithshëm i grave dhe rrëmbimi i pasurisë, e plotësonin këtë kuadër”.
Poezia e Gjergj Komninos, ribotohet në faqet e shtypit shqiptar pas 66 vjetësh, në kuadrin e 27 qershorit, Ditës së Genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë.
Duke ju rikthyer dhimbjes si kujtesë ulëritëse dhe viktimave të pafajshme, i bëjmë me këtë rast edhe një apel opinionit të shëndoshë grek, historianëve dhe intelektualëve të fqinjit tonë të jugut, se ka ardhur koha, për zgjidhjen e çështjes çame dhe për rindërtimin e urave të mirëkuptimit, mes popujve tanë të lashtë.
“Asnjë ligj i botës, – ka shkruar shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, – asnjë formim kulturor, nuk mund t’i bëjë njerëzit të mos kenë kujtesë e aq më pak, të mos kenë nostalgji.
Është një dhembje që nuk ikën, ngaqë dikush e shpall të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di, aq më pak, kur sillesh pa nderim ndaj saj.
Etërit tuaj të mëdhenj të lashtësisë, ata që i dhanë një dimension tjetër më pas kulturës botërore, në tragjeditë e jashtëzakonshme që shkruan, trokitën fort në ndërgjegjen e bashkëkohësve dhe brezave, duke bërë katarsis”.
Hiri i trupit të vdekur të Sanije Bollatit në Paramithinë martire, është akoma jashtë, pakallur në dhe. Të pakallur në dhe janë edhe eshtrat e pleqve, burrave e grave apo fëmijëve, masakruar barbarisht nga bandat famëkeqe, të Napoleon Zervës.
Në emër të tyre, shpirtrave që nuk gjejnë qetësi, të paktën lejonani t’u vëmë nga një trëndafil atje ku janë, në viset tragjike të Çamërisë tonë.
Kjo poezi u flet! Zëri që del nga shkrumbi i trupit të zhuritur të Sanije Bollatit, ju flet. Dëgjojeni këtë zë dhe atë të poetit Gjergj Komnino. Memorie.al