• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Thursday, May 7, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Gjatë Luftës II-të Botërore, në Gjermani ‘lulëzoi’ një letërsi, që heroizon betejat, operacionet luftarake të Wermahtit hitlerian, shkatërrimet dhe…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

“Gjatë Luftës II-të Botërore, në Gjermani ‘lulëzoi’ një letërsi, që heroizon betejat, operacionet luftarake të Wermahtit hitlerian, shkatërrimet dhe…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Në letërsinë gjermane naziste, Hitleri portretizohet si Mesia i ri, si shpëtimtar, si Krishti i shekullit tonë, të cilit të gjithë duhet t’i binden verbërisht…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Gjatë Luftës II-të Botërore, në Gjermani ‘lulëzoi’ një letërsi, që heroizon betejat, operacionet luftarake të Wermahtit hitlerian, shkatërrimet dhe…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
“Shkrimtari dhe poeti Alfons Paqueti i arrestuar dhe burgosur nga Gestapo në vitin 1935, vdes në 1944, kurse arkitektë, poetë, profesorë, etj.,..“/Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova
“Shkrimtari dhe poeti Alfons Paqueti i arrestuar dhe burgosur nga Gestapo në vitin 1935, vdes në 1944, kurse arkitektë, poetë, profesorë, etj.,..“/Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova
“Shkrimtari dhe poeti Alfons Paqueti i arrestuar dhe burgosur nga Gestapo në vitin 1935, vdes në 1944, kurse arkitektë, poetë, profesorë, etj.,..“/Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova

Nga Bashkim Trenova

Pjesa e katërt

                                              NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET

                                                                PARATHËNIE

Gjithashtu mund të lexoni

“Kur ambasadori iranian i Shahut Mohammad Reza Pahlevi, Alinaghi Said Ansari, shtërngonte duart me Haxhi Lleshin në Tiranë dhe…”/ Fotot e rralla të marsit 1973

“Në letërsinë gjermane naziste, Hitleri portretizohet si Mesia i ri, si shpëtimtar, si Krishti i shekullit tonë, të cilit të gjithë duhet t’i binden verbërisht…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.                 

                                                          Vijon nga numri kaluar

Trilogjia e Hans Reyhingut si dhe poezitë e tij, janë tipike, i përkasin rrymës ideologjike ‘Blut und Boden’ (‘Gjak dhe Tokë’). Themelet e kësaj rryme janë gjaku, d.m.th. origjina apo prejardhja, toka si burim ushqimi nëpërmjet agrikulturës, si vendbanim natyral, si hapësirë jetike dhe fshatarësia si thelbi i origjinës racore të popullit gjerman. Ajo merr jetë nga teoritë raciste dhe pan-gjermaniste dhe përbën një element qendror të ideologjisë nacional-socialiste. Kjo ideologji duke propaganduar origjinën racore si bazë të kombit gjerman, duke përligjur shtrirjen e tij në dëm të popujve të tjerë, përvetësimin e territoreve të këtyre popujve, mund të shihet edhe si mbështetëse dhe përligjëse e krimeve të luftës të kryera nga nazistët.

Që me 26 gusht të vitit 1936, Hitleri, ndërsa përbetohej dhe stërbetohej publikisht kundër luftës, si “paqedashësi më i madh i Globit”, shpërndan një urdhër sekret (‘Geheimer Fuhrererlas’) në bazë të të cilit ushtria gjermane duhej, brenda katër vjetësh, të ishte e gatshme për luftë. Industrisë gjermane, gjithashtu, i kërkohej “të ishte në gjendje të siguronte suksesin e luftës”. Rinisë hitleriane iu caktua detyra të përgatitet fizikisht, t’i kushtojë fundjavat e çdo muaji formimit të saj ushtarak. Në vazhdim, Kongresi i VIII-të i Partisë Nacional Socialiste mbajtur në Nuremberg, miratoi ‘Vierjahresplan’ (‘Planin katërvjeçar’) me objektiv shpërthimin e luftës.

Në fillimet e planit katërvjeçar, vetëm një pjesë e vogël e popullit gjerman ishte i gatshëm të mbështesë aventurën naziste, luftën, pushtimet e Wermahtit, pavarësisht çmimit që duhej paguar. Shumica duhej bindur, duhej hipnotizuar, trullosur, droguar, joshur drejt greminës, Golgotës naziste. Në këtë kuadër, Lufta e I-rë Botërore dhe autorët gjermanë që kanë trajtuar këtë periudhë, shihen dhe përdoren si burime frymëzimi. Gjatë Luftës I-rë Botërore gazetave dhe revistave të kohës u janë drejtuar qindra-mijëra poema ultra-patriotike. Një nga specialistët më të mirë të kësaj kohe, autori dhe dramaturgu gjerman, Julius Bab, ka vlerësuar se: “në gusht të vitit 1914, rreth një milion e 500 mijë poema, u janë dërguar revistave. Vetëm në ‘Berliner Zaitung’, arrinin çdo ditë 18 rreth 500 të tilla”.

Përmbajtja e këtyre poemave vishet me një frazeologji, thirrje, patetizëm patriotik dhe ultra-patriotik. Në poezinë Soldatenabschied (Lamtumirë ushtarëve) shkruar në fillim të vitit 1914, Heinrich Lerschi, i angazhuar si vullnetar në ushtrinë gjermane, thur këto vargje: “Ne jemi të lirë, At, ne jemi të lirë!/ Vetë ti dikur, a nuk ke thirrur t’u dalë përpara plumbave: /Gjermania duhet të jetojë, edhe nëse ne duhet të vdesim”! Tekste të tilla, të shpërndara me zell në tërë vendin, bëhen “ikona” model për shkrimtarët e angazhuar në këtë rrugë, si gjatë Luftës I-rë Botërore, ashtu edhe gjatë Luftës II-të Botërore. Dhe ata nuk janë të pakët.

Sipas specialistit amerikan Donald Day Richardsi, në Gjermani, “duke filluar nga viti 1933, letërsia pacifiste u ndalua. Nazistët, në fakt, e asgjësuan atë. Fill pas këtij spastrimi, një sërë shkrimtarësh luftëtarë u grupuan në vitin 1936, nën drejtimin e Shoqatës së Shkrimtarëve luftëtarë të nazifikuar të quajtur ‘Ekipi’. Kjo shoqatë mori përsipër grumbullimin dhe botimin e dëshmive të Luftës I-rë Botërore, sipas shikimit nazist. Një shikim ky, që ishte ai i shkrimtarit luftëtar më të famshëm të viteve 1914-1918, Führer Adolf Hitler, për të cilin Lufta e Madhe ende nuk kishte përfunduar”.

Kështu, gjatë Luftës II-të Botërore, në Gjermani “lulëzoi” një letërsi, që heroizon betejat, operacionet luftarake të Wermahtit hitlerian, shkatërrimet, rrafshimet e qyteteve dhe të fshatrave, flijimet, përvojën personale të luftëtarëve të Rajhut. “Lufta totale” shenjtërohet. Vdekja bëhet altar i jetës së sakrifikuar. Ajo shërbehet si burim vlerash. Në trilogjinë e tij Apis und Este (Apis dhe Este) 1931; Das war das Ende (Ky ishte fundi) 1932 dhe Weder Kaiser noch Köning (As perandor, as mbret) 1933, Bruno Brehhmi shkruan: “Na kanë akuzuar se dashurojmë vdekjen, por duhet ditur se ne e dashurojmë vetëm sepse ne jemi farëra në duart e Zotit, farëra që janë mbjellë nga dashuria për të ardhmen”.

Në gusht të vitit 1944, Hitleri e vendosi Brehmin në Listën e Shkrimtarëve më të Talentuar të Zotit, gjë që i dha atij mundësinë të mos vazhdojë të jetë më tej aktiv në shërbimin ushtarak dhe të mos vendoset në vijën e frontit. Në këtë frymë shkruan në vitin 1941 edhe Friedrich Schreyvogeli, romanin voluminoz ‘Eine Schicksalssymphonie’ (‘Simfonia e fatit’). Sipas autorit, në emër të jetës, “vdekja ka edhe ajo të drejtë të thotë fjalën e saj”. Një tjetër shkrimtar nazist, himnizues i vdekjes, është edhe Wilhelm von Scholzi. Ai është i njohur për poemën ‘Eherne Tafel’ (‘Tavolinë bronzi’) e shkruar në vitin 1939, me rastin e 50-vjetorit të Hitlerit. Scholzi është një nga shkrimtarët gjermanë mbështetës i ideologjisë ultra-nacionaliste, i terrorit dhe kasaphanës naziste.

Hitleri e futi edhe atë në Gottbegnaden Liste, d.m.th., në Listën e Shenjtë të shkrimtarëve më të rëndësishëm të Rajhut. Pas shpërthimit të Luftës së II-të Botërore dhe pushtimit të Polonisë, Wilhelm von Scholz do të botojë në gazetën Nacional-socialiste ‘Krakauer Zeitung’ poemën ‘Der harte Wille’ (‘Vullneti i pamposhtur’). Në vargjet e saj lexojmë: “Ne njohëm luftimet, fitoren, tërheqjen, fitoren. Rrezikun e vdekjes./ Tani ne duam luftën…! Të plagosur për vdekje ne do të plagosim për vdekje! Me luftë do të ja marrim frymën armikut/ Do luftojmë në çdo çast dhe do shkaktojmë viktima/…Ne duam luftë. Ne nuk duam të zgjohemi nga kjo ëndërr shkatërruese./ Le të vriten njerëzit midis tyre/ Le të shpërthejnë mëritë e universit!/ Ne na frikëson fusha e betejës në paqe./ Mbi të cilën ngrihen kryqe të shumtë./ Pak rëndësi ka se ç’të ardhme na sjell fitorja./ Jeta jonë është lufta./ Ne duam luftë”.

Toni i poezisë apo edhe i prozës gjermane të Rajhut III-të është patetik. Letërsia e kohës synon, në këtë mënyrë, të bëjë të “ndërgjegjshëm” çdo gjerman për situatën tragjike, që po jeton dhe sakrificat që atdheu pret prej tij, se e ardhmja e popullit gjerman është në duart e tij, në besimin në forcat e veta, sidomos në besimin ndaj Fuhrerit, që udhëheq drejt “një të ardhmeje të lavdishme”. Në këtë linjë janë edhe H. Stellrechti, E. Wittek dhe Hans Zöberleini. Ky i fundit njihet si një nga mbështetësit e parë të puçit të dështuar ushtarak të Hitlerit të vitit 1923. Romani i tij i parë ‘Der Glaube an Deutschland’ (‘Besimi tek Gjermania’) botuar në Munih në vitin 1931, në 800 mijë kopje, i kushtohet luftës.

Në parathënie të romanit, vetë Hitleri përmend, me këtë rast, “fitoret e pavdekshme” dhe “pathyeshmërinë në fushën e betejës”. Udhëheqësi nazist mbështet tezën sipas së cilës gjatë Luftës I-rë Botërore, “trupat luftuan më kot dhe e mbajtën frontin deri në fund, deri kur një i pazhvilluar, i bolshevizuar dhe i çiftëzuar tradhtoi, u nguli atyre thikën pas shpine”. Ai, vendos në shënjestër edhe ata, që i cilëson si “shokë pa atdhe”, pacifistët. Janë këta aleatë të armikut, që i japin fitoren atij. Janë këta, që duhen shpartalluar, duhen dërrmuar së bashku me armikun. Kjo është rruga e vetme drejt fitores së pashmangshme! Misioni i shenjtë i popullit gjerman është të sakrifikojë të tjerët ose të lejojë të vetësakrifikohet në themelet e historisë! Lufta është motori i historisë. Sipas të dhënave të ndryshme del se në vitet 1919-1939, letërsia e luftës zë 88 për qind të tregut të shitjes së librit në Gjermani.

Letërsia që nuk e trajton këtë fushë, e cilësuar nga nazistët 20 edhe si letërsi “pacifiste”, “çifute”, “bolshevike”, zë vetëm 12 për qind të këtij tregu, por edhe ky raport, tepër zotërues në favor të ideologjisë hitleriane, i shqetëson, i nervozon pushtetarët nazistë. Objektivi i tyre është kontrolli i rreptë, zotërimi 100 për qind i çdo sfere, i çdo qelize, i çdo tingulli apo cicërime. Për ta gjithçka duhet të jetë në shërbim të luftës, gjithçka në unison me ideologjinë luftënxitëse naziste dhe në shërbim të saj.

Çdo shkelje e këtij rregulli të hekurt, të shkruar dhe të pashkruar, është dënuar, përndjekur, mallkuar si herezi, si tradhti apo si anti-atdhetarizëm, shmangie ndaj detyrës, rebelim ndaj rendit, ndaj autoritetit suprem, si një veprimtari e çifutëve dhe e bashkëpunëtorëve të tyre bolshevikë, të dëmshëm për tokën gjermane. Vendi i tyre është në tri-këmbësh, përpara skuadrës së pushkatimit, në kampet e përqendrimit, etj. Këtë realitet janë përpjekur ta fshehin, pse jo edhe ta zbukurojnë, propaganduesit gëbelsianë.

Ata “dëshmojnë” se vrasjet e kundërshtarëve në burgje apo në kampet naziste të përqendrimit, keqtrajtimi apo aktet çnjerëzore ndaj tyre, janë vetëm sajesa të shtypit sovjetik, gënjeshtra të socialdemokracisë tradhtare apo të çifutërisë ndërkombëtare, shpifje të gazetave të Francës dhe Britanisë së Madhe, të vendeve armike ndaj Gjermanisë. Romani ‘Der Befelh des Gewissens’ (‘Urdhri i Ndërgjegjes’) prej 949 faqesh, i shkruar nga Hans Zöberleini, botuar në 400 mijë kopje, është edhe ai në këtë linjë. Autori synon të dëshmojë se pa praninë e Lëvizjes Nacionalsocialiste, Gjermania e viteve të para të pas Luftës I-rë Botërore do të ishte rrokullisur në një katastrofë të plotë, nga “bashkëpunimi i socialdemokratëve me çifutët”. Në roman autori përshkruan karrierën e një ushtari të vijës së parë të frontit; Hans Krafftit, një nacionalsocialist i betuar.

Romani, që është cilësuar si primitiv për përmbajtjen dhe gjuhën e përdorur, njihet gjithashtu si një nga librat më të flaktë anti-çifutë të gjithë letërsisë naziste, si piketim i rrugës drejt Auschwitzit. Hebrenjtë krahasohen në roman me “krimbat”, poshtërohen me fyerje të tilla si “derra çifutë”. Gjithnjë duke folur për çifutët, Zöberlein propozon edhe masat radikale, që duhen ndërmarrë ndaj tyre: “Pema që bart fruta të helmët duhet prerë dhe hedhur në zjarr. Nuk mund të ketë pikë mëshirë për të. Mëshira është dobësi”. Në shërbim të revanshizmit dhe të luftës si krijesë e saj, është edhe Karl Bartzi, autor i mjaft botimeve me frymë naziste si ‘Großdeutschlands Wiedergebeurt’ (‘Rilindja e Gjermanisë së Madhe’), Weltgeschichtliche Stunden an der Donau.

Geleitwort: Hermann Göring (‘Mësime të historisë mbi Danubin’, me parathënie të Herman Göring), ‘Die Deutschen vor Paris’ (‘Gjermanët para Parisit’), ‘Die Marneschlacht’ (‘Beteja e Marnës’). Karl Bartzi shkruan mbi vuajtjet e popullsisë së Sarës vendosur nën administrimin francez sipas Traktatit të Versajës, mbi qëndresën e nazistëve në rajon dhe shtypjen e tyre nga Franca. Botimet e tij janë tepër agresive, anti-franceze dhe anti-belge. Ata karakterizohen nga kërkesa për rishikimin e dispozitave të Traktatit të Versajës dhe përgatitja për luftëra të reja.

Në të njëjtat gjurmë shkel edhe Heinrich Schneideri në ‘Unser Saarland’ (‘Sarra Jonë’). Në faqen 38 të këtij botimi ai shkruan: “Qeveria franceze nuk kënaqet me grabitjen e minierave të Sarrës…! Francezët gërmojnë në tokën franceze puse (të cilësuara familjarisht si ‘puse të vjedhësve’), duke kaluar kufirin nën tokë dhe duke shfrytëzuar kështu shtresat shumë të pasura të Warndit. Në këtë mënyrë u sigurohet punë minatorëve francezë në një kohë që, duke filluar nga 1924, në Sarrë, rreth 30 mijë minatorë janë hedhur në papunësi”.

Letërsia Nacional-socialiste gërmon thellë në shekuj, në përralla dhe legjenda, për të provuar se Sarra e krahina të tjera përreth kanë qenë gjithnjë gjermanike dhe, si përfundim, i përkasin Gjermanisë. Këtë frymë përçon edhe përmbledhja prej 166 faqesh e Franz Fahnemannit me titull: “Füllhorn der Westmark Märchen”, (‘Përralla dhe legjenda të Tregut Perëndimor’) botuar në vitin 1940. Paralelisht me përgatitjet ushtarake nga ana e Gjermanisë hitleriane për të sulmuar Francën, nuk mungojnë në letërsinë nacional-socialiste edhe shkrimet, që përçojnë idetë sipas të cilave “me ndihmën e çifutëve, Franca ka shfrytëzuar dobësitë kalimtare të Gjermanisë për të marrë Sarrën”, se Franca, kjo “armike historike” e Gjermanisë dhe gjermanëve, është ajo, madje, që “tërhoqi pas vetes” edhe Anglinë në Luftën e I-rë Botërore dhe më pas në “Traktatin famëkeq të Versajës”.

Nuk kursehet, sigurisht, nga autorët gjermanë as Britania e Madhe, sidomos pas bombardimeve prej Flotës së saj Ajrore Ushtarake, Royal Air Force; më 28 mars 1942 në Lübek, më 31 maj 1942 në Këln dhe më pas. Në shënjestër janë, midis të tjerave, edhe zotërimet koloniale të Britanisë së Madhe, të cilave u duhet dhënë fund për t’i hapur kështu udhë orekseve hegjemoniste të Gjermanisë hitleriane.

Maks Claussi, autor i disa botimeve si ‘Frankreich wie es wirklich ist’ (‘Franca ashtu siç është në të vërtetë’), ‘Zwischen Paris und Vichy, Frankreich seit dem Waffenstillstand’ (‘Midis Parisit dhe Vishisë, Franca që nga armëpushimi’), ‘Tatsache Europa’ (‘Fakti Europë’), predikon domosdoshmërinë e hegjemonisë gjermane në Europë dhe më tej. Sipas tij, kontinenti ynë, i dërmuar nga krizat dhe luftërat e njëpasnjëshme, shpëtohet vetëm duke u vënë nën kujdesin e Gjermanisë.

Në këtë kuadër qëndron, përgjithësisht, ajo që njihet si letërsia koloniale e autorëve nacional socialistë, nostalgjikë të politikës kolonialiste gjermane të para Luftës I Botërore, përçues të 22 ideve naziste mbi epërsinë e racës ariane. Kështu, p.sh., libri i Paul Heinrich Kuntzes Das Volksbuch unseree Kolonien (Libri popullor i kolonive tona), botuar në vitin 1938, synon të dëshmojë politikën gjoja humaniste të kolonizatorëve gjermanë, krejt e ndryshme, sipas autorit, nga politika e egër e imperializmit britanik apo imperializmit francez.

Që në parathënie të këtij botimi, autori shkruan: “Hitleri, ashtu sikurse tregon drejtimin dhe objektivin në të gjitha fushat e jetës tonë kombëtare, po ashtu ai, kur të vijë momenti, do t’ia kthejë kolonitë tona popullit gjerman. Por është detyrë e çdonjërit prej nesh të mësojë dhe të kuptojë idetë e shkëlqyera të Adolf Hitlerit në kuadrin e planifikimit të tyre botëror. Ne duhet të jemi të qartë mbi kontekstin më të gjerë të historisë botërore, sepse ne jetojmë në një prej periudhave të saj nga më domethënëse. Dhe kolonizimi është i mundur vetëm atëherë kur një popull i tërë merr pjesë për këtë me zemër të ngrohtë dhe me mirëkuptim të thellë. Le të ndihmojë ky punim për të fituar partizanë të rinj të idesë koloniale midis popullit tonë”.

Paul Heinrich Kuntze njihet edhe nëpërmjet botimeve të të njëjtit karakter si: Volk und Seefahrt (Njerëzit dhe marinarët), Söldner fur Albion: Völker kämpfen für eine Insel (Ushtarët për Albionin: Popujt luftojnë për një ishull), sikurse edhe për një hartë të vendndodhjes së gjermanëve kudo në Europë: Gebiete größerer deutcher Streusiedlungen (Hapësirat më të rëndësishme të shpërndarjes së gjermanëve). Kolonizimi gjerman i Lindjes përfshin hapësira, që ishin objekt i shtrirjes tokësore apo aneksioniste të Gjermanisë naziste, të tilla si vendbanimet gjermane në Vistula (Weichseldeutsche), në Karpate (Karpathendeutsche), si edhe suabët e Danubit (Donauschwaben), transilvanët (Siebenbürger), gjermanët e Vollgës (Wolgadeutsche), gjermanët e Kaukazit (Kaukasusdeutsche)./ Memorie.al

                                                  Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Shitësen e bukur me sy bojë qielli te dyqani i luleve, do ta konsideroja një ndër ‘brodueistet’ e para, por te ajo rrugë vinin edhe vajza të tjera, si...”/ Historia e rrugës së famshme që Kadareja e përjetësoi në veprat e tij

Next Post

“Kur ambasadori iranian i Shahut Mohammad Reza Pahlevi, Alinaghi Said Ansari, shtërngonte duart me Haxhi Lleshin në Tiranë dhe...”/ Fotot e rralla të marsit 1973

Artikuj të ngjashëm

“Kur ambasadori iranian i Shahut Mohammad Reza Pahlevi, Alinaghi Said Ansari, shtërngonte duart me Haxhi Lleshin në Tiranë dhe…”/ Fotot e rralla të marsit 1973
Dossier

“Kur ambasadori iranian i Shahut Mohammad Reza Pahlevi, Alinaghi Said Ansari, shtërngonte duart me Haxhi Lleshin në Tiranë dhe…”/ Fotot e rralla të marsit 1973

May 6, 2026
“Në letërsinë gjermane naziste, Hitleri portretizohet si Mesia i ri, si shpëtimtar, si Krishti i shekullit tonë, të cilit të gjithë duhet t’i binden verbërisht…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova
Dossier

“Në letërsinë gjermane naziste, Hitleri portretizohet si Mesia i ri, si shpëtimtar, si Krishti i shekullit tonë, të cilit të gjithë duhet t’i binden verbërisht…”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

May 5, 2026
“’Më shikoi në mënyrën sesi një burrë shikon një grua’ – do të tregonte më pas Merlin Monro, e cila reagoi ndaj shikimit të Hrushovit…”/ Ana e panjohur e vizitës së kreut të Kremlinit në SHBA-ës, shtator ‘59
Dossier

“’Më shikoi në mënyrën sesi një burrë shikon një grua’ – do të tregonte më pas Merlin Monro, e cila reagoi ndaj shikimit të Hrushovit…”/ Ana e panjohur e vizitës së kreut të Kremlinit në SHBA-ës, shtator ‘59

May 5, 2026
“Në korrik 1944, në Shqipërinë e Veriut u zhvilluan luftime të ashpra, mes Divizionit SS ‘Skanderbeg’ dhe forcave komuniste, ku …” / Ditarët e oficerit të lartë gjerman, Helmuth Greiner, 1943-1944
Dossier

“Në qoftë se nuk i përgjigji kësaj thirrje për t’u regjistruar ne bataljona partizane, ju sekuestrohen pasuria, dhe ju digjet shtëpia që kini në Terovë…”/ Zbulohet dokumenti i rrallë i shtatorit 1944

May 5, 2026
“Shkrimtari dhe poeti Alfons Paqueti i arrestuar dhe burgosur nga Gestapo në vitin 1935, vdes në 1944, kurse arkitektë, poetë, profesorë, etj.,..“/Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova
Dossier

“Shkrimtari dhe poeti Alfons Paqueti i arrestuar dhe burgosur nga Gestapo në vitin 1935, vdes në 1944, kurse arkitektë, poetë, profesorë, etj.,..“/Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova

May 5, 2026
“Studioja e televizionit u mbush me policë civilë, amerikanë dhe sovjetikë, që kontrolluan dhe banjat e burrave e të grave, kurse ushqimin…”/ Ana e panjohur e vizitës së Hrushovit në SHBA-ës, shtator 1959
Dossier

“Studioja e televizionit u mbush me policë civilë, amerikanë dhe sovjetikë, që kontrolluan dhe banjat e burrave e të grave, kurse ushqimin…”/ Ana e panjohur e vizitës së Hrushovit në SHBA-ës, shtator 1959

May 5, 2026
Next Post
“Kur ambasadori iranian i Shahut Mohammad Reza Pahlevi, Alinaghi Said Ansari, shtërngonte duart me Haxhi Lleshin në Tiranë dhe…”/ Fotot e rralla të marsit 1973

“Kur ambasadori iranian i Shahut Mohammad Reza Pahlevi, Alinaghi Said Ansari, shtërngonte duart me Haxhi Lleshin në Tiranë dhe...”/ Fotot e rralla të marsit 1973

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme