Nga Auron Tare
Pjesa e parë
Memorie.al / Nga Kajro në Shqipëri. Në fillim te nacionalistët e më vonë me komunistët. James Hudson, ish-kapiteni i shërbimit të fshehtë amerikan, në një rrëfim për Shqipërinë e vitit 1943.
Do të doja ta filloja me një pyetje të thjeshtë: Kush është Kapiteni James Hudson?
Unë kam mbaruar kolegjin në Pensilvani dhe u diplomova për kimi dhe fizikë. Unë u zgjodha nga ushtria, për të qenë një oficer i shërbimeve speciale. Ata më futën në disa projekte si dhe më trajnuan se si të merresha me mikrofilmat dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Arsyeja ishte se atyre u duhej dikush që të regjistronte me kamera në dorë, ngjarjet e luftës. D.m.th. një tip kronikani
Keni marrë pjesë në Konferencën e Kajros, do të donim të ndanit me ne disa kujtime rreth zhvillimeve të saj…?
Unë isha në stafin e gjeneral Russell Maxwell, ishte një gjeneral në komandë i forcave të ushtrisë amerikane të Lindjes së Mesme në Kajro. Në atë kohë Kajro ishte kryqëzimi i botës për aleatët. Nëse doje të shkoje në Rusi, shkoje në Kajro, po të doje të shkoje në Indi, shkoje në Kajro. Gjithçka ishte e vendosur në Kajro dhe aty unë takova shumë njerëz.
Kështu u përfshiva në Konferencën e Kajros. Mësuam në komandë se Franklin Delawer Roosvelt do të vinte. Shtypi sillej mirë me Roosvelt. Unë njihja shumë njerëz të shtypit, si John Phillips i revistës ‘LIFE’ etj. Shtypi nuk nxori asnjë fotografi të Roosvelt, që e tregonte atë si ulok, as në karrige me rrota dhe as duke e mbajtur James Roosvelt, i biri. Ai trajtohej me gjithë respektin e mundshëm.
Pavarësisht se nuk thuhet, në të gjitha këto konferenca të mëdha e gjithë puna më e rëndësishme nuk bëhej nga Stalini, Churchill apo Roosvelt, por nga stafi i tyre. Gjithë ata gjeneralë, admiralë, forca ajrore që rreshtoheshin një nga njëra anë e një nga ana tjetër, kur ata dilnin për pushim gjatë seancave, bisedonin. Kështu unë dëgjoja gjithë bisedat, duke marrë vesh se cilat ishin planet e këtyre tre vendeve.
A u përmend ndonjëherë Shqipëria aty?
Po u përmend… nga një rus, që doli se e takonte Churchillin vazhdimisht.
Kishte ndonjë vendim për Shqipërinë në Konferencë?
Në atë kohë Jugosllavia ishte shumë më e madhe dhe me influencë, por vendi për të cilin Stalini u interesua vërtet, ishte Shqipëria. Shqipëria, shpresoj që njerëzit tuaj ta kuptojnë është një vend kyç, është pozita gjeopolitike e saj…!
Ju përmendni në kujtimet tuaja se dhe Mbreti Faruk, mori një dhuratë nga Roosvelt?
Po, e saktë.
E keni takuar ndonjëherë Mbretin Faruk?
Kam fluturuar në një avion me të, shumë herë. Ai ishte pilot.
Shqipëria. Kishit dëgjuar më parë? U surprizuat që do të shkonit aty? Si ishte?
Po kisha dëgjuar. Lërmë të të them se si dhe kur. Unë bëra foton e fundit, të të fundit gjerman që u vra në ishullin Kipan në Tunizi. Ishte gjermani i fundit që u vra në Afrikë dhe më pas u shpërndanë nëpër Mesdhe. Unë u ktheva në Kajro dhe gjatë kthimit i thashë vetes; “lufta në Afrikë mbaroi, unë për këtë erdha këtu. Çfarë do të bëj tani?” dhe unë isha vërtet i vetmi për rolin që luajta. Nuk kishte absolutisht njeri tjetër mbi mua. E gjithë karriera ime ishte kaq e çmendur.
Asnjë nuk interesohej se çfarë bëja. Gjithsesi një miku im më pyeti se çfarë do të bëja tani. “Sinqerisht po kërkoj për një punë”, iu përgjigja. “Kam dëgjuar diçka që mund të të interesojë”, dhe më treguan për 13 infermierët amerikanë që ishin rrëzuar mbi Shqipëri. Shërbimi amerikan po kërkonte një oficer betejash. Kishin shumë djem OSS, por ata ishin të gjithë nga Harvardi, Prinston, të cilët nuk donin të bënin këtë punë të vështirë. Shërbimi donte dikë që të shkonte aty dhe t’i nxirrte këto infermierë.
Në atë kohë nuk dija absolutisht asgjë për Shqipërinë. As kur isha në Kajro nuk e dija se britanikët e SOE ishin në Shqipëri dhe e njihnin atë shumë më mirë se ne. Gjithsesi, një nga arsyet që unë dija diçka për Shqipërinë, ishte se kisha një volum të madh me pulla poste shqiptare. Kështu dija për Shqipërinë nga pullat e postës dhe më pëlqente kjo. U paraqita pranë Shërbimit dhe ata më trajnuan për luftimin trup me trup. Më mësuan shumë gjëra të këtij lloji. Aty më shpjeguan edhe historinë e Shqipërisë.
Kush jua tregoi?
Shërbimi Sekret Amerikan
Ata ishin shqiptarë, shqiptaro-amerikanë, apo amerikanë?
Amerikanë. Jam i sigurt se ishin amerikanë të Shërbimeve Sekrete. Ishte një trajnim i shkurtër, më shumë tip informimi. Kështu shkova në Brindizi e më pas në Bari. Këtu takova Harry Fultz.
Si ishte Fultz?
Fultz ishte një djalë shumë serioz, rrallë mund të kem parë ndonjëherë një grimcë buzëqeshjeje. Ai pothuaj nuk ngjante fare me njerëzit e tjerë të OSS. Nuk mbaj mend që të mos e kem gjetur në çfarëdo ore në tavolinën e tij, duke studiuar hartat apo raportet që vinin dhe nuk ia dëgjoje zërin. Ai kishte një staf të vogël përkthyesish shqiptarë. Ata dinin anglisht shumë mirë, pasi ai i kishte amerikanizuar ata. Ishin dy prej tyre që bënin punën më të madhe në përkthimin e dokumenteve. Mund të t’i përshkruaj, por emrat si mbaj mend shumë mirë.
Njëri quhej Stivens, i amerikanizuar, jam i sigurt. Ishin djem të mirë. Ata të tre ishin tek e ashtuquajtura Drejtoria Shqiptare. Secila drejtori kishte një emër. Ishte ajo greke, jugosllave etj. Ata ishin komplet të pavarur, mezi i flisnin njëri-tjetrit, gjë që ishte një budallallëk, sepse ne ishim të gjithë njëlloj, por grekët i shikonin shqiptarët si të ishin armiq. Nuk kishte ndonjë dashuri të madhe me sa shikoja. Po ashtu edhe jugosllavët. Ballkani është i veçantë. Megjithatë për t’i rënë shkurt, Harry Fultz ishte nëpunësi më punëtor që kam parë ndonjëherë në jetën time.
Kur u futët për herë të parë në Shqipëri dhe kishit mësuar se personi që do t’ju çonte aty ishte aktori i Hollivudit, Sterling Hayden, ishte ai që ju dha informacion për Shqipërinë?
Sterling Hayden, një yll Hollivudi, u zbulua në Neapólis, jo shumë larg Akademisë së Marinës. Ai ishte një marinar. Në atë kohë ishte 22 vjeç dhe mund të humbisje të dashurën nëse ajo e shikonte atë. E adhuronte detin dhe anijet e vogla. Ai kishte disa vjet që e bënte rrugën për në Shqipëri, pra e njihte mirë atë pjesë të bregut. Sterling Hayden ishte martuar me Madaleine Carroll. Ajo ishte me të vërtetë një yll kinematografie. Ajo ishte pjesë e një spektakli amerikan, që shkonte për të argëtuar trupat.
Ne sa kishim marrë Romën ato ditë, s’kishte as një javë. Ishim në Otranto, duke u përpjekur që të më hidhnin mua në Shqipëri, kur ai dëgjon se Carroll do të vinte në Romë për spektaklin. Kështu ai më thërret; “Bill”, sepse ky ishte pseudonimi im. “Bill, nëse unë nuk të çoj dot herët e para, më duhet të të lë. Carroll do të vijë në Romë. Unë i njoh ata dreq gjeneralësh aty. Ata do ta joshin dhe unë nuk kam kohë fare. Duhet të shkoj aty që ta mbroj atë prej tyre”. Dhe ashtu bëri. U përpoqëm nja dy herë, por më në fund shkova me një ekuipazh italian.
Kur erdhët për herë të parë në Shqipëri, gjetët një aktor tjetër në Shpellën “Pamje nga Deti”. Anthony Quail, i cili punonte për Shërbimin Sekret Britanik.
E vërtetë, Majori Quail, kur mbërrita unë, kishte malarie dhe ethet e verdha. John Jang kishte të njëjtën gjë, po ashtu edhe radisti i tyre. Në Shqipëri në atë kohë mund t’i merrje këto dy sëmundje dhe malaria ishte kudo.
Si ishte Quail? Ai u bë një aktor i famshëm pas luftës dhe shkroi një libër të bukur për Shqipërinë…?
Po e vërtetë. Ai ishte nga ata britanikë që sinqerisht shumica e meshkujve amerikanë nuk i pëlqejnë. Kishte dy grupe oficerësh, ata që e ruajnë rangun dhe ata që janë shumë strikt. Shumica e oficerëve amerikanë, ishin me këmbë në tokë, pavarësisht nga rangu që mund të kishin. Kur t’i shkoje në një klub oficerësh, edhe pse kishte 4-5 rangje bashkë, mund të luaje letra apo ç’të doje. Por Anthony Quail ishte klasë e lartë dhe nuk afrohej me të tjerët. Por unë, në fakt, u kujdesa për të në Shpellën “Pamje nga Deti” dhe në fund e evakuuam në Itali.
A e keni takuar pas lufte?
Jo.
Kur ju shkuat në shpellën “Pamje nga Deti”, sa vetë gjetët aty? E çuditshme, sepse është shpellë për të cilën edhe sot në Shqipëri nuk dihet se çfarë ndodhi aty ku Shërbimet Sekrete Amerikane dhe ato Britanike e ndanë atë hapësirë dhe ndërtuan rrjetin e agjenturës. Donim të dinim se cili ishte kontakti juaj në Shqipëri? Dhe një pyetje tjetër interesante është, se a i përdori Harry Fultz ish-studentët e vet, për të ndërtuar një rrjet informatorësh?
Në udhëtimin e parë, siç ju thashë, kur erdhën në Kajro, atyre u duhej dikush që të hynte aty. Shumë dolën vullnetarë, por ata kërkonin dikë si unë dhe unë isha gati ta bëja. Kështu që shkova aty si i dyti në komandë, duke ndjekur Makadu, i cili kishte pseudonimin “Tank”. Unë nuk dija shumë gjëra për këtë mision, as se si ishin 13 infermierët amerikanë. Harry Fultz nuk u largua kurrë nga tavolina e vet.
Ai nuk flinte, nuk hante, qëndronte aty si statujë e vërtetë. Ai asnjëherë nuk e preku Shqipërinë gjatë asaj kohe. As nuk iu afrua asaj. Ne ishim dy oficerë që vareshin nga Fultz, të dy kapitenë, Tom Stefani dhe unë. Unë isha oficeri kryesor për inteligjencën. Ai ishte oficeri i specializuar për Shërbime Speciale. Puna e tij ishte të merrej vesh me Enver Hoxhën…!
Kur arritëm aty, nuk kishte asgjë të ngritur, asnjë rrjet për inteligjencën. Pavarësisht se ç’mund t’ju kenë thënë ju, ne nuk morëm asnjë inteligjencë nga komunistët. Kisha një person në Dukat, që ishte kontakti im i parë, quhej Hodo Meto. Ai ishte diplomuar në shkollën e Fultz-it. Kështu ishte dhe Xhelil Çelo. Ishte shumë trim. E vranë pasi unë u largova nga aty. Më pëlqente shumë, por ai nuk bëri asgjë për inteligjencën.
Ai vinte me mua për të mbledhur dokumentet, përkthente për mua e kështu me radhë. Hodo ishte ai që kishte lidhjet. Ai kishte një kontakt të rëndësishëm, Petron, që ishte Sekretar i Bashkisë së Vlorës. Ajo ç’ka ai bënte, ishin kopjet e dokumenteve gjermane. Ai ishte mjeshtri i kopjimeve dhe pjesën më të madhe të korrespodencës ma jepte mua me anë të Hodos. Po kështu ata kishin një korrier. Gjithsesi, ne filluan të hapemi me degë kudo në Berat, Gjirokastër, Tiranë etj.
Pra krijuat një rrjet të mirëfilltë spiunazhi?
Po dhe ne i trajnuam agjentët tanë, sa më mirë mundëm. Nuk i njihnim të gjithë sigurisht, pasi ne shikonim vetëm fundin e rrjetit. Kjo ishte pjesë e marrëveshjes, përndryshe ti e humbisje idenë e rrjetit. Si fillim kishim rreth 20 agjentë, nuk i mbaj mend të gjithë, por mund të të them disa emra.
Cili ishte qëllimi i inteligjencës? Lëvizjet e gjermanëve apo më saktë ato kishin të bënin me gjermanët, vetë vendin apo fraksionet politike?
Harry Fultz ishte politikan. Ai donte të dinte më shumë për vendin, politikat dhe lojën midis ‘Ballit Kombëtar’ dhe komunistëve. Kjo ishte ajo që atij i interesonte më shumë. Ne kishim një mision ushtarak. Ajo që i shqetësonte më shumë Shërbimet Sekrete Amerikane, ishte Divizioni Malor Gjerman që po vinte nga Stalingradi.
Dihej se çfarë iu kishte ndodhur atyre në Rusi dhe ata ishin në formë të keqe. Gjithsesi ata po vinin në Shqipëri, për të rikuperuar forcat. Kjo ndodhi në 1944. Gjermanët po merrnin trupa nga Hungaria, Bullgaria, Rusia e bardhë, ngado ku mund t’i gjenin. Disa nga Franca, por jo shumë, ca polakë, disa çekosllovakë dhe i sillnin në Shqipëri për t’u trajnuar dhe për t’u bërë rezervë taktike.
Kjo ishte një nga punët e mia, të shihja se si trajnoheshin këto forca, nëse ishin një forcë e gatshme për të lëvizur apo jo. Fultz mblidhte gazeta shqip dhe unë i dërgoja shumë prej tyre. Kisha një koleksion të tyre, por humba gjithçka më vonë. Gjithë pajisjet e mia të bukura i humba. Shumë nga shqiptarët ishin hajdutë lart në male, ata kishin një jetë të vështirë. Merrnin çdo lloj ushqimi që gjenin.
Operacioni juaj kryesor aty ishte në Dukat? Doja të dija përshtypjet tuaja për jetën në Dukat në atë kohë, duke ditur se Dukati ishte më shumë i lidhur me ‘Ballin Kombëtar’, sesa me partizanët…?
Maliqi ishte njeriu kryesor me të cilin punonim atje. Më duket se Maliq Koshena, shpesh i harroj mbiemrat e tyre. Ai ishte shumë i fortë në krahasim me burrat e fshatit, por ata shqetësoheshin për Gestapon dhe trupat SS.
A mbani mend nga kujtimet tuaja, kur thoni se kishte një farë tensioni midis bazës në shpellën “Pamje nga Deti” dhe fshatarëve në Dukat?
Jo, kishte në fillim, por ndryshoi më pas. Ky tension ishte kur ne sapo kishim arritur dhe banorët e Dukatit kishin frikë. Dhe kishin të drejtë, sepse nuk kishin pas kurrfarë ndihme nga askush. Italianët erdhën dhe bënë atë që deshën, grekët po ashtu. Pra, ishte një kohë e frikshme për shqiptarët, por edhe për vendet që luftonin në Ballkan. Por kjo deri sa gjermanët filluan të iknin. Kur gjermanët po largoheshin, ata u ndjenë më të fortë.
Ata thoshin se gjermanët ikën dhe ne tani të kemi ty dhe duhet të të mbrojmë. Unë mbaja ar në xhep dhe në brez. Kisha disa shqiptarë me rrogë mujore. I jepja Ali Babës tre monedha ari në muaj dhe detyra e tij ishte të më sillte gjërat nga Vlora. M’i sillte me ato kafshët e vogla, si i quajnë? Ah po, gomerë. Burrat shqiptarë ishin të ashpër me gratë dhe gomerët. Jam i sigurt se gjërat kanë ndryshuar tani, por atëherë gratë dhe gomerët ngarkoheshin njëlloj.
Shpella “Pamje nga Deti”, ishte një territor i ‘Ballit Kombëtar’. Si ishin marrëdhëniet tuaja me këtë organizatë?
Fantastike për mua, po flas për veten. Ata u sollën mirë me mua dhe të gjithë kishin një ndjenjë të fortë pozitive për Amerikën. Dukej se u pëlqenin shumë amerikanët, edhe më shumë se anglezët. E ndeshëm kudo këtë, sepse amerikanët ishin më të lehtë për t’u marrë vesh. Anglezët, qoftë edhe me ta që kam punuar, ishin më të rëndë.
Ju pyeta për Skënder Muçon…?
Më pëlqente shumë ai njeri. Më erdhi shumë keq kur mora vesh se atë e kapën dhe e vranë, jo shumë kohë pasi më kishte vizituar mua. Kaluam një javë bashkë. Ai ishte veshur në mënyrë fantastike. Për të qenë i sinqertë me ju, e kuptova se do të vritej një ditë, pasi ai kishte të njëjtën veshje, si në Angli, të hekurosur bukur, çizme të gjata kalërimi. Burrat shqiptarë ishin me fat nëse kishin sandale, të cilat i bënin vetë nga gomat e makinave. Skënder Muço nuk fliste shumë, por ishte trim dhe kuptohet unë kisha edhe Hodon e Xhelilin. Inteligjentë ishin ata që kishin qenë në shkollë.
Mua më dukej se Harry Fultz, kishte pasur si qëllim t’u mësonte studentëve të tij anglishten amerikane. Po në këtë kohë unë takova edhe dy njerëzit më të rëndësishëm në Shqipëri: Mehdi dhe Mit’aht Frashërin, por ata ishin të shkollës së vjetër. Skënderi ishte më i ri, një djalë i pashëm, i dashur e i qeshur. Thoshte gjëra të bukura për Amerikën. Më jepte mesazhe që t’ia dërgoja presidentit Roosvelt, të cilat unë ia përcillja Zyrës në Bari, por nuk e di nëse Presidenti Roosvelt, do të kishte mundësi t’i merrte apo jo.
Ju thatë se i takuat të dy Frashërit? Cila ishte përshtypja juaj për ta?
Më pëlqenin që të dy. Ishin shumë të zgjuar, por nuk flisnin anglisht. Ata më shpjeguan disa herë nëpërmjet Xhelil Çelës që ata nuk ishin aty sepse pëlqenin gjermanët, apo se i mbështesnin ata, por kjo ishte mënyra e vetme që ata mendonin për të mbajtur vendin në këmbë.
Të gjithë donin të drejtonin dhe nuk ishte thjesht çështje ushtarake. Ishte e rëndësishme që paratë të qarkullonin midis qyteteve, administrata të punonte dhe ju e dini se në një vend të ngadaltë si Shqipëria, kishte një ndryshim të madh midis veriut apo Gjirokastrës në jug.
Unë isha dakord me ta dhe mendoj se Frashërit luajtën pjesën e duhur. Ata mbajtën shtetin në këmbë, mbajtën gazetat në qarkullim dhe vendin në lëvizje. Hoxha ishte në Shtabin e Përgjithshëm me djemtë e vet dhe sulmonte mjaft patrulla gjermane, vetëm që të kishin pak reklamë tek anglezët. Amerikanët e urrenin këtë gjë. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm

















