Nga Uvil Zajmi
– Ky shkrim, publikohet në shenjë homazhi pas ndarjes nga jeta para disa ditëve të legjendës së futbollit italian, Sando Mazzola, ish-lojtar i “Interit” dhe i përfaqësueses axurre –
Memorie.al / “Il baffetto”, kështu e thërrasin jo vetëm n Itali, por edhe jashtë saj. Eshtë një galeri e pafundë, një flamur i madh i Interit dhe i “axurrëve”. Quhet Sandro Mazzola. Një emër, një legjendë, një mit. Konsierohet ndoshta futbollisti më i madh i Italisë, një nga gjigantët e gjithë kohërave. Eshtë lojtari i “Interit”, Eurobotëror të Anxhelo Moratit, i trofeve, i një epoke që vështirë të përsëritet. Protagonist i skuadrës kombëtare, një nga shënuesit më të shquar të zikaltërve, njeriu që me dy golat e tij theu në Vjenë “Realin” e madh të Pushkash e Di Stefanos. Djali i Valentino Mazzola, njëri prej futbollistëve legjendë të pas lufte, titullar i “Torinos” së famshme, skuadra që u zhduk pas aksidentit ajror në kodrën e Supergas, në afërsi të Torinos, pas kthimit nga Lisbona, kur Sandro ishte vetëm 7 vjeç. Sandro Mazzola, i jashtëzakonshëm në dribling, inteligjent në orkestrim të lojës, një realizues shëmë i saktë.
I veçantë në alternimin, lëvizjet, manovrimet teknike në harmoni me shpejtësinë, element që i zotëronte në maksimum dhe që e dallonin nga të tjerët e atij brezi. I paharruar rivaliteti me Xhani Rivierën e “Milanit”, emra që edhe fusha nuk mundi t’i përcaktonte për nga madhështia. E paharruar vija e sulmit Corso-Suarez-Mazzola, një treshe që tmerroi gjithë botën e viteve ‘60-‘70. Protagonistë të një skuadre fenomenale për të shumë folurën futbollistike “Il catenacio Herrerian”, skemë taktike e aplikuar nga trajneri Helenio Herrera, një formë loje e praktikuar nga “Interi” i Faketit, Suarez, Corsos, Guarnerit, Picchit e Mazzolës, etj.
Mazzola ka lindur në Torino me 8 tetor 1942. Pas vdekjes së Valentinos, e kur nëna rimartohet me një tregtar, familja e tij transferohet në Milano. 13-të vjeç, aktivizohet me skuadrën e fëmijëve, 19 vjeç debuton në Serinë A, ndërsa 35-vjeç i var këpucët në gozhdë. Në 17 vite karrierë vetëm me një fanellë, ka luajtur 418 ndeshje në Serinë A me “Interin”, duke realizuar 117 gola duke qenë gjithmonë në listën e shënuesve më të mirë. Ka fituar katër tituj kampionë, dy kupa të Kampioneve të Europës, dy Kupa Ndërkontinentale, një herë kampion i Europës me Italinë, nën kampion bote në Meksikë ’70-të gjithë këto me “Interin” dhe përfaqësuesen, ndërkohë që më fanellën e kombëtares të cilën e la pas botërorit gjerman të 1974-ës në 77 ndeshje ka shënuar 22 gola.
U tërhoq nga futbolli në vitin 1977: Ndeshja e fundit finale Kupa e Italisë, të humbur me “Milanin”. Në vitin 1971, renditet i dyti pas Johan Krujf në klasifikimin për “Topin e Artë”. Mban ende sot rekordin më të shpejtë realizuar në derbin e Milanos, shënuar pas 13 sekondave lojë, me 24 shkurt 1963. Pa përfundimit të karrierës, mbulon disa funksione si drejtues i “Interit” (1977-1984), pastaj te “Xhenova:. Rikthehet tek “Inter” si drejtor teknik dhe përgjegjës i sektorit të transferimeve. Tre vite tek “Torino” (2000-2003) si drejtues. Është Mazzola që prezantoi për herë të parë Fenomenin Ronaldo, në mjedisin interist, admiruesit e tij.
Debutimi me gol në humbjen më të thellë
Me 16 prill luhet në Torino “Juventus”-“Inter”, e ndërsa ndeshja është 0-0 ajo ndërpritet për invadim të fushës nga tifozë të futur pa biletë. “Inter” fiton në tavolinë 2-0, pas vendimit të shkallës së parë, por pas ankimimit të “Juventusit”, vetëm një natë para takimeve të javës së fundit e kur skuadrat janë me pikë të barabarta 46 në krye, CAF (Komisioni i Apelit Federal), kthen vendimin dhe urdhëron përsëritjen e ndeshjes. Në javën e fundit, “Juventus” barazon 1 1 me “Barin” në Torino, ndërsa “Inter” humbet 0-2 në Katania.
Me 10 qershor të vitit 1961, përsëritet “Juventus”-“Inter”, një ndeshje kjo e lidhur me shumë motive: si e fundit e Bonipertit; për rekordin e golave, (6), shënuar në një takim nga Sivori dhe për debutimin e një vogëlushi torinez, por me fanellën zi-kaltër, Sandrino Mazzola. Por, prag sfida e dytë është e lidhur me një ndër ngjarjet më të famshme të serisë A: Në shenjë proteste Herrera zbret në fushë një formacion me lojtarë të rinj dhe kapiten është Mazzola. “Juventus” fiton thellë 9-1 dhe Sivori shënon gjashtë gola. Ndërsa për “Interin” është dhënë një penallti dhe Mazzola i është afruar pikës së bardhë, ka goditur pa frikë duke shënuar golin e vetëm për skuadrën zi-kaltër, që është edhe i pari gol i tij zyrtar në serinë A.
Një bisedë me Sandro Mazzola
Me Sandro Mazzolën jam takuar në Lece, Hotel “Ambasador”, në shtatorin e vitit 1997. Kisha vetëm kujtime, si një tifoz, pasionont i “Interit”, në fillimet e mia, në mes-vitet ‘65-‘70, as dhjetë vjeç, kur “Interi” me Sandro Mazzolën dominonte në Europë dhe Itali. Ndeshjet, informacionet i merrnim nga radioja, edhe pse ishim në tetëvjeçare. “Interi” i Mazzolës, Faketit, edhe sot kështu i kujtoj, dhe që na nxitën e prej tyre jemi bërë tifozë të “Interit”. Një admirim dhe vlerësim, na shoqëronte çdo të dielë në Serinë A, të cilën brezi im e ka ndjekur në pafundësi. Gjithmonë me veshin te radioja, për të pritur, dëgjuar një gol të Mazzolës, Boninsenjës, apo të një rezultati triumfues në derbi, të ndeshjeve me “Juventusin”, në rivalitetin e madh të atyre viteve.
Që për ne kryeqytetasit ka qenë një komunikim i pa-ndalur, por pa mundur të ishim të pranishëm as edhe një herë në stadiumin mitik “San Siro”, në një sfidë të “Interit”. Pas ’90 minutash kur gjithçka ndryshoi, edhe mundësitë, alternativat ishin të shumta. Së pari krijuam “Inter Club Tirana ’91”, pastaj kontaktet me drejtues të Klubit, takimet me lojtarë deri presidentët Pelegrini dhe Morati, të mirëpritur prej tyre. Udhëtimet, prania jonë në stadium, xhiroja e nderit me banerin tonë në takimin “Inter”-“Torino”, të duartrokitur nga tifozët intersitë. Kënaqësi pa fund. Ndër takimet e shumta, për mua ka qenë edhe ajo me Sandro Mazzolën, idhullin tonë, një ëndërr e bërë realitet.
Ka qenë 27 shtator 1997. Shumë i edukuar, qëndrimi, biseda me të u bë normale, tejet i sjellshëm, tipike për një person si ai, pasi i tillë ka qenë edhe në fushë. Klas i lartë, njeriu skuadër. Aq më shumë që takonte një shqiptar, admirues e njohës të jetës, karrierës së tij, dhe të “Inter”-it. Ka qenë mesditë, në mbrëmje luhej “Lecce” – “Inter”, që përfundoi 1-5, dhe biseda me Sandron, zgjati rreth 20 minuta, në mjedisin hotelit ku ishte sistemuar skuadra e “Inter”-it. Pastaj një foto me të. Unë ndodhesha për të takuar Ronaldon e për të intervistuar fenomenin, në ato muaj të parë që kishte ardhur në Itali, nisur karrierën me “Interin”. Të cilën e realizova pak më vonë pas asaj me Sandro Mazzolën.
Intervista ime me Sandro Mazzolën
Z. Sandro, jam një shqiptar, një gazetar sportiv, por edhe një interist i vërtetë…!
Gëzohem, si është situata tek ju? Vazhdon jo e mirë?
Z. Sandro, nëse më lejoni të flasim diçka, pasi në Shqipëri nëse publikohet një bisedë me ju, do të jetë shumë tërheqëse për të gjithë. Jeni shumë i njohur edhe tek ne.
Me shumë kënaqësi.
Si mendoni, në një gjykim tuajin, cili është “Inter” i madh moratian, i babait apo i djalit?
Vështirë ta përcaktosh. Për ne historia është shkruar, ndërsa për skuadrën e Masimos ende jo.
“Interi” me Ronaldon është pretendent për titull?
Ai është një garanci. Skuadra ka ende nevojë për t’u sistemuar. Në veçanti në mesfushë, duhet një lojtar fantazist.
Kur “Interi” do të ketë një tjetër Mazzola?
(Qesh) Ka shumë të tillë në këto vite, në këtë periudhë.
Z.Mazzola, e dini se në Tiranë, ekziston një “Inter Club”?
Jo, tani po e marr vesh. Më vjen mirë.
Në Shqipëri ka shumë tifozë të Interit, sa informacion keni për këtë fakt?
E imagjinoj. Medoj se moralisht “Interi” ka një detyrim për të gjithë interistët shqiptarë.
Në Tiranë ka persona që janë burgosur se admironin “Interin” dhe ju, Sandro.
E vërtetë kjo? Po më habisni. Të jetë i saktë ky fakt është e çuditshme. Kanë bërë burg për mua? E pabesueshme. Do të kisha dëshirë t’i njihja këta njerëz.
Do të preferonit të vini në Shqipëri?
Me shumë kënaqësi, nëse do të më bënit një ftesë. Po kështu edhe Interi duhet të vijë. Skuadra ka mundësi të programojë një takim të tillë miqësor, në veçanti gjatë kohës së përgatitjeve për edicionin e ri.
Ekziston mundësia e instalimit edhe në Shqipëri të një “Inter Campus”?
Pse jo. Unë do të jem nga të parët që do të flas me kolegjiumin e Klubit. Për ne është me interes. Ju shqiptarët jeni të aftë të luani futboll…!
Si interistë, do të ishim krenarë që “Inter”, të vinte në Shqipëri, pasi vetëm “Torino” e “Parma”, kanë luajtur në Tiranë dhe ndeshjet e tyre janë kthyer në festë.
Interesant ky fakt. Asnjëherë nuk kemi luajtur me ekipet kombëtare. Po kështu edhe shorti në Kupa nuk na i ka dhënë këtë mundësi. “Inter” ka luajtur në të gjithë botën, ndërsa në Shqipëri asnjëherë. Shorti nuk është në dorën time, ndërsa organizimi i një turneu blic, vetëm në një mbrëmje është krejtësisht e mundur. Unë do të tentoj me të gjithë format. Duhet realizuar diçka e tillë, që “Inter” të jetë prezent në vendin tuaj.
Në Shqipëri ndryshe nga Italia, kur luan “Inter”, “Milan” ose “Juventus” në Kupat e Europës, ka unitet tek tifozët, po kështu edhe kur luan Italia, i bashkon të gjithë shqiptarët
E vërtetë? Pse ndodh kjo? Tek ne është e kundërta, e në disa raste shfaqet shumë i egër. Më treguat një sekret shumë të veçantë, nuk e dija. Në Itali kjo është e pabesueshme. Komplimente, një model sportiv, pozitiv i tifozerisë.
Z. Sandro, nëse në Shqipëri ju ftojnë që në një ndeshje kampionati të jepni shkelmimin simbolik të topit, do e pranoni këtë propozim?
Pa diskutim. Për mua do të ishte një surprizë, një kënaqësi dhe një mënyrë që unë ta ndjej veten pranë publikut shqiptar dhe anasjelltas.
Z. Mazzola, unë dëshiroj t’ju shoh në Tiranë. Po kështu edhe shumë shqiptarë të tjerë. Ne vendin tonë je shumë i njohur, kështu që ju presim.
Faleminderit për konsideratën. Jam shumë kurioz por them se do të ishte më mirë një kohë e përshtatshme, jo në dimër. Do të lë çdo lloj impenjimi. Sidoqoftë unë jam gati. Sinqerisht e me shumë kënaqësi.
Epilog
Shkurtimisht kjo ishte ajo bisedë që munda të zhvilloj me Sandro Mazzolën, në një qytet në jug të Italisë, ndërsa rastësisht asistuam për të parë një ndeshje të kampionatit italian. Nuk pretendoj se i thashë gjithçka, çfarë mund të flisja me të në ato minuta. Jam i një brezi që kemi një mal me pyetje, kuriozitete për t’i bërë nëse do më jepej mundësia të qëndroja gjatë me Sandron. Pavarësisht se në Shqipëri ka tifozë të “Inter”-it, “Milani”-t, “Juventus”-it, ai ka qenë një idhull për të gjithë, ashtu si Celentano, Batisti, Boby Solo, Litël Toni, Reitano, Ranieri, etj. Me të është lidhur një pjesë e jetës, emocionet e një gjenerate në dekada, gjatë të cilave shumë prej idhujve i dëgjoje në radio, t’i shihje në Tv, pa mundur asnjëherë t’i prekje apo t’i kishe pranë.
I emocionuar para tij, pasi rikthehesha shpirtërisht tek ato çaste që vetëm i kishim ëndërruar, ndoshta edhe për të mbajtur atë qëndrim gazetari, si e kërkon etika dhe mjedisi sportiv italian, shumë pyetje, kujtime dhe momentet sportive të tij, nuk munda t’ja them, ta pyes edhe pse ndenjëm gjatë ulur në një poltronë komod të hotelit. Dëshira shpesh herë reagonte mbi mua, pasi kisha pranë protagonistin simbol të shumë të dielave të një rinie plot me pasione, por të kufizuar në ekstrem dhe vetëm valët e radios ishin të vetmet forma e mënyra “klandestine” me të cilat komunikonim me Serinë A, kur Enrico Ameri, Sandro Ciotti, gjatë emisionit sportiv radiofonik “Tutto il calcio minuto per minuto”, thërrisnin, ndërprisnin njëri-tjetrin me fraza e momente emocionuese që edhe sot kanë mbetur të fiksuar pastër e tingëllojnë si atëherë: “Attenzione, attenzione, qui a San Siro, ‘Inter’ va in vantaggio, con un gol di Mazzola……”, ndërsa Ciotti me zërin e trashë e ndërpriste: “Scusa Ameri, a ‘Torino’ e cambiato il risultato, Juve in gol con…..”!
Pra, Sandro Mazzola ka qenë një personazh shumë i preferuar në mjediset shqiptare, madje fotografinë e tij e kam mbajtur të qepur ashtu fshehurazi në pjesën e brendshme të xhaketës dhe vetëm pas një çerek shekulli papritur ndodhesha përballë tij. M’u krijua një dëshirë pafund të qëndroja me të. E pashë që i tillë ishte edhe qëndrimi i tij. Fisnik në maksimum, i thjeshtë dhe tejet komunikues. Qeshte me zërin e hollë, ndërkohë që duhanin e pinte me llullë.
Por, për mungesë kohe, u ndamë me shpresën se jo vetëm unë por të gjithë së bashku interistë e jo të tillë, për gjithçka që kemi arkivuar ndër vite e të mbuluar me pasion e mbetura në heshtje, një ditë do të kemi mundësinë t’ja tregojmë e t’ja themi, sapo ai të ketë zbritur në Rinas. Jam i sigurtë se do ta befasojmë. Për ne ai mbetet gjithmonë Mazzola, Sandro i Madh, Mazzola i “Interit” historik e legjendë të Moratit e Herrerës, si ai që mundi “Realin” e pa mposhtur në natën magjike vjeneze, që nuk vjen më./ Memorie.al
Lece, Itali, 1997

















