Nga Auron Tare
Pjesa e dytë
Memorie.al / Para disa vitesh nga Arkivi i Topkapi Sarajit në Stamboll erdhi më në fund përgjigjja se dokumenti E9695 që kisha kërkuar prej kohësh ishte miratuar për botim. I përmendur për herë të pare nga studiuesi turk Tahsin Öz në një shkrim mbi periudhën e Sulltan Mehmetit të II-të, fatkeqësisht ky dokument Persian nuk ishte i përkthyer asnjëherë. Dr. Oz përmend se në dokument kishte mundur të dallonte fjalen Akhisar por pa shtjelluar më asnjë shpjegim. Ishte kjo e dhënë që na bëri të besojmë se ky dokument mund të kishte lidhje me Krujën e Skënderbeut. Dokumenti i ardhur nga Stambolli është i shkruar në persishten e vjetër dhe deri sot nuk ishte përkthyer nga asnjë studiues i fushës.
Interesant është fakti se për arsye të ndryshme dokumenti i ka shpëtuar vëmendjes së historianëve të periudhës së Sulltan Mehmetit II-të si dhe marrëdhënieve të tij me Venecian, veçanërisht në lidhje me territoret shqiptare.
Mbërritja e Malpieros në Shkodër dhe takimi me Sulltanin janë përshkruar nga disa burime të kohës por negociatat mes tyre nuk dihen. A sillte valle Malpiero një propozim të ri për Sulltanin? Robi italian, Gian Maria Angiollelloi, cili ishte një funksionar i rëndësishëm pranë Mehmetit, ka lënë dëshmitë e tija në “Kroniken”, ku flet edhe për këtë takim. “Malpiero erdhi me një galerë të shpejtë në Bunë dhe zbriti në një vend të quajtur San Celso. Ai dërgoi Sekretarin e tij Manentite, shoqëruar nga 40 kalores otomane tek Cadra e Sulltanit”
Nga ky takim ka mbetur vetëm një dokument i prodhuar nga Sekretari Manenti për Sinjorine, dërguar më 27 Gusht, duke raportuar për dështimin e Misionit për shpëtimin e Shkodrës. Manenti u kthye në Venedik ndërsa Admirali pranë flotës, duke ju afruar Lezhës e cila ishte gjithashtu e rrethuar.
Në mënyrë kronologjike mund të ndjekim ngjarjen si më poshtë:
Mehmeti i çliruar nga presioni i Uzun Hasanit të Grigjës së Bardhë, përgatit ekspeditën ndaj Arbërisë. Venedikasit tentojnë një paqe me kushte të vështira për ta, por Mehmeti vazhdon marshimin, Mehmeti nëpërmjet Via Egnatia-s mbërrin në Krujë, ku merr pjesë personalisht në dorëzimin e saj nga Venecianët më 15 Qershor 1478 (15.RI.883). Në 2 Korrik ai e zhvendos kampin e tij në brigjet e Bunës, ku pret emisarët e Dozhës Venedikas (Malpieron dhe sekretarin e tij Manenti), të cilët i kishte pritur disa javë më parë në kampin e tij në Manastir
Në 5 Korrik shkruan letrën e cila dërgohet nën mbikëqyrjen e besnikut të tij Mevlana Murat Çelebi për sundimtarët Lindorë, të cilët po ndiqnin me vëmendje fushatën e Mehmetit në Ballkan, ku deklaron rënien e Shkodrës. Pasi tenton edhe një sulm të përgjithshëm mbi Kështjellën, Mehmeti le rrethimin në 8 Shtator duke u kthyer në Stamboll. Kronologjia e Fathname në Persisht nuk lë dyshim mbi datën e nënshkrimit të saj nga Mehmeti II-të nën muret e Shkodrës. Por burimet Venedikase janë të pagabueshme mbi datën e rënies së Shkodrës, si 4 Janar i vitit 1479.
Çfarë ka ndodhur midis kohës kur Mehmeti deklaron pushtimin e Shkodrës dhe datës zyrtare të braktisjes së saj nga banorët shkodranë? Burimet venedikase dhe kronika e Barletit hedhin dritë mbi përpjekjet e mëdha të Shkodranëve dhe garnizonit Venecian në mbrojtjen e Shkodrës. Jo vetëm garnizoni i kalasë por, e gjithë popullsia e Shkodrës, përfshirë edhe gratë, morën pjesë në betejat e përgjakshme.
Frati Domenikan Bartolomeu i Epirit, Gjon Kapistrano dhe komandanti i kavalerisë Nikollë Moneta, udhëhoqën disa sulme jashtë Kalasë, duke rritur shpresat e mbrojtësve për një çlirim të mundshëm. Por duket se Mehmeti i II-të lajmëronte marrjen e kësaj Kështjellë 7 muaj përpara se mbrojtësit të braktisnin Fortesën. A mos vallë ambasadori Malpiero i cili e kishte takuar Sulltanin në bregun e Bunës, kishte pranuar në fshehtësi kapitullimin e Shkodrës?
Në se ky dokument i rrallë do të merret si një dokument autentik i dalë nga kancelaria e Mehmetit, atëherë duket se një marrëveshje e fshehtë ishte nënshkruar midis tij dhe Sinjorisë venedikase, nëpërmjet Admiralit Malpiero. Nëse kjo është e vërtetë, sakrificat e mbrojtësve të Fortesës të kenë qenë një përpjekje e dëshpëruar e Venedikasve për të krijuar një iluzion të rremë për mbrojtjen e Shkodrës, duke e sakrifikuar këtë të fundit për interesat tregtare në Lindje.
Sipas Prof. Thackler, dora që ka nënshkruar dokumentin, është e ndryshme nga dora e shkruesit të këtij dokumenti. Një fakt tejet interesant ky dhe nëse do të donim të ishim pak të ekzagjeruar në hipotezën tonë, mund të mendojmë se ndoshta nënshkrimi është i vetë Mehmetit. Është fakt se Sulltanët nuk nënshkruanin asnjëherë dokumentet zyrtare, por nëse marrim parasysh faktin që Mehmeti i II-të ishte një person mjaft i edukuar dhe lidhja e Shkodrës me kultin e Aleksandrit, nënshkrimi i dokumentit nga dora e tij është një mundësi.
Nënshkrimi i letrës së Mehmetit me titullin e pushtuesit të Iskanderies, mund të shpjegohet me edukimin klasik që Mehmeti kishte marrë në rini. Është e njohur vizita e tij në rrënojat që mendohej se ishte Troja antike më 1462 (sipas kronikanit grek Kritoboulos), apo pretendimi i tij se pushtimi i Kostandinopojës ishte një hakmarrje për shkatërrimin e Trojës. (Kritobulus)
Dihet nga burimet e kohës se Mehmeti e stilizonte veten e tij nën modelin e Aleksandrit. Nicolo Sangudino i cili pati një audiencë personale me Mehmetin pas pushtimit të Kostandinopojës, raporton në interesin e këtij të fundit në historinë antike dhe në veçanti për Aleksandrin e Madh. Po kështu në studimin e historianit Julian Rabi, mbi figurën e Mehmetit, mësojmë se në Librarinë e Sulltanit përveç të tjerave, ishin vëllime të Arianit Anabasi, një vepër klasike kjo mbi Aleksandrin e Madh, si dhe një kopje e Iliadës së Homerit.
Iskanderie përkthehet nga arabishtja si Qyteti i Aleksandrit. Por përse Mehmeti me krenari të dukshme dërgon lajmin e pushtimit të këtij qyteti tek sundimtarët e lindjes? Është një pyetje tejet interesante. Nga thellësia e shekujve, Shkodra njihet për legjendën e saj të famshme të Rozafës dhe gojëdhënat lokale nuk kanë asnjë burim që e lidh këtë qytet me Aleksandrin e Madh apo edhe sundimtarë antik me këtë emër, me përjashtim të Statutit të Shkodrës ku themelimi i qytetit lidhet me emrin e gjeneralit të famshëm Maqedonas.
Megjithatë këtë pretendim të lashtësisë së qytetit, mund ta marrim në kontekstin e kohës, ku nën influencën e modës evropiane edhe hartuesit e Statuseve të Qytetit, kërkonin një prejardhje të lavdishme të tij. Po kështu, një burim i besueshëm por pak i përdorur nga historiografia jonë është Evliha Çelebiu, një udhëtar otoman mjaft i njohur për udhëtimet e tij në territoret e Perandorisë. Në përshkrimin që ai i bën qytetit të Shkodrës ai shkruan: “Udhëtuam në qytetin e fortifikuar me mure Iskanderie. Ky qytet ishte themeluar nga Iskendër Zulkarneyn (Aleksandri i Madh) dhe quhej Iskenderiyye”.
Pra, sipas Çelebiut, Shkodra në periudhën e tij kishte si legjendë themelimin e saj nga Aleksandri i Madh. Identifikimi i Shkodrës me Aleksandrin e madh të paktën sipas studiuesve otomanë, është një rrugë e pashkelur më parë. Ndoshta insistimi i Mehmetit për pushtimin e Shkodrës përveç çështjeve strategjike mund të ketë lidhje edhe me ambicien e tij për të pushtuar një qytet të themeluar nga Aleksandri i Madh.
Ndoshta gërmimet arkeologjike të munguara mund të hedhin dritë mbi vërtetësinë e këtij pretendimi, por ajo që ka shume rëndësi është fakti se për Otomanët Shkodra ishte një qytet jashtëzakonisht i rëndësishëm për pozicionin strategjik që zotëronte. Për studiuesit do të ishte me interes hipoteza se Mehmeti II-të përveç arsyes strategjike ka pasur edhe arsye personale për marrjen e Shkodrës.
Sipas specialistëve të periudhës otomane në periudhën e Mehmetit II-të njiheshin vetëm tre qytete të quajtura Iskenderie. Shkodra në Arbëri, Aleksandria në brigjet e sotme Turke, që shërbente si port kryesor për qytetin Sirian të Aleppos dhe i treti Aleksandria e famshme e Egjyptit. Deri në periudhën e Mehmet Fatihut, asnjë prej këtyre qyteteve nuk ishte pushtuar nga otomanët. Për këtë arsye dokumenti ynë specifikisht cilëson Shkodrën si qytetin e Aleksandrit të pushtuar nga Mehmeti dhe epiteti që ai i njeh vetes si pushtues i saj është mjaft interesant./ Memorie.al
Bibliografia e përdorur:
(Topkapı Sarayı Müzesi Arşivinde Fatıh II/ Sultan Mehmede Ait belgeler Belleten 53, 1950, pp 49-56 (page 54))
F.Babinger “Jakub Pascha ein Leibartz Mehmed II Revista degli Studi Orientali 1951.
(The Uygur account of Mehemmed II’s victory in 878/1473 over Uzun Hasan (R. Rahmeti Arat, Fatih Sultan Mehmed’in yarlIǧI, in TM, vi (1939), 285-322; cf. idem, Un yarlIk de Mehmed II, le Conquerant, in Annali del R. Ist. Sup. Orientale di Napoli, n.s. i (1940), 25-68).)
Stavrides, Théoharis (August 2001). The Sultan of Vezirs: The Life and Times of the Ottoman Grand Vezir Mahmud Pasha Angeloviu (1453-1474) (Ottoman Empire and Its Heritage Series, Volume 24). Brill Academic Publishers, Inc. p. 65. ISBN 90-04-12106-4.
Heath Ë. Loëry (2003). The Nature of the Early Ottoman State. SUNY Press. p. 116. ISBN 978-0-7914-8726-6. Retrieved 20 February 2013.
Setton, Kenneth M. (1978), The Papacy and the Levant (1204–1571), Volume II: The Fifteenth Century, DIANE Publishing, p. 340, ISBN 0-87169-127-2 Babinger, Franz. Mehmed the Conqueror and His Time. Neë Jersey: Princeton University Press, 1978.
Ecthesis Chronica 40. Mukrimin Halil Yinac “Ahmed Pasha Gedik” IA 1 193-199
Halil Inaklcik “Ahmad Pasha Gedik” EI2, 292-293
Sehabeddin Tekindag, “Mehmed Pasha Karamani” 1A 7, 588
Sehi Beg, Hest Bihist: the Tezkire by Sehi Beg ed Gunay Kut (cambrigde MA 1978) f24r, Tekindag “Mehmed Pasa Karamani” 1A 7 588
İnalcık, Halil, “Aḥmad Pas̲h̲a Gedik”, in: Encyclopaedia of Islam, Second Edition, Edited by: P. Bearman, Th. Bianquis, C.E. Bosëorth, E. van Donzel, Ë.P. Hans J Kissling “Die Anonyme Altosmaniche Chronik uber Sultan Bayezid II” Munich 1967 .134
P.Xhufi Arberit e Jonit”
Inalcik. H “Mehmet the Conqueror” 1432-1481 1960
Inalcik. H Perandoria Osmane. Periudha Klasike 1300-1600.Tirane Dituria 2013 Seven ottoman Documents from the Reign of Mehmet II V.L.Menage
Da Lezze (Gian Maria -Angiolello)
K.Jirecek “Skutari und sein Gebiet im mittelalter”
L.von Thalloczy, Illuyrisch-Alnanische Forschungen Munich 1916 pp 94-124














