Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e parë
Memorie.al / Plot 35 vite më parë, në fillimin e janarit 1991, kur nuk kishin kaluar as dy tre javë nga shpallja e pluralizmit në Shqipëri dhe ishin formuar partitë e para opozitare, qeveria e kryeministrit Ylli Bufi që kishte zëvendësuar pothuaj tërësisht kabinetin “Çarçani”, në kuadrin e reformave ekonomike dhe politike të ndërmarra asokohe dhe hapjen e Shqipërisë me botën e jashtme, kishte filluar t’u përgjigjej pozitivisht edhe ftesave të shumta që vinin në adresë të Tiranës zyrtare, për përfaqësimin e vendit në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare. Siç ishte Forumi Ekonomik Botëror i Davosit në Zvicër, (i krijuar në vitin 1971), që do mbahej në fillimin e muajit shkurt të atij viti, ku merrnin pjesë personalitete të shumta të jetës politike dhe ekonomike nga e gjithë bota, si kryetar shtetesh, kryeministra, ministra, afaristë e biznesmenë të njohur, pjesëtarë të organizatave të ndryshme nga pesë kontinentet, etj.
Në këtë kuadër,sipas ftesës që President i Forumit Botëror të Davosit, Klaus Schvab, kishte paraqitur zyrtarisht pranë Misionit Shqiptar në Gjenëvë që më 14 nëntor 1990, qeveria shqiptare e kryeministrit Ylli Bufi, kishte vendosur të përfaqësohej në nivelin më të lartë, duke dërguar atje sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë, Fatos Nanon, Doktor i Shkencave Ekonomike, një ekonomist i njohur dhe lektor i Universitetit Shtetëror të Tiranës, i cili përveçse ishte pjesë e kabinetit qeveritar nga dhjetori 1990 dhe koordinator e përgjegjës për reformën ekonomike të atij kabineti, kishte bërë emër të madh në atë kohë edhe prej disa intervistave të dhëna Radios “Zëri i Amerikës”, etj.
Po si u bë e mundur vajtja e Fatos Nanos në atë forum ndërkombëtar ku Shqipëria e sapodalë nga sundimi komunist 45 vjeçar, përfaqësohej për herë të parë? Cilët ishin disa nga personalitetet e larta që takoi Fatos Nano në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit dhe cilat ishin përshtypjet që ata kishin për vendin e vogël komunist të Ballkanit, ku pjesa më e madhe e tyre pothuaj nuk e njihnin fare, apo kishin dëgjuar fare pak për të? Çfarë i sugjeruan dhe i premtuan ata shefit të delegacionit shqiptar Fatos Nano dhe kushtet që i viheshin Shqipërisë në kuadrin e ndihmave që do i jepeshin asaj? Si dhe pse dështoi pjesëmarrja e mëtejshme e Shqipërisë në Forumin Botëror të Davosit në qershorin e atij viti dhe çfarë thuhet në korrespodencën e acaruar ndërmjet Ministrisë së Jashtme dhe organizatorëve të atij aktiviteti ekonomik, lidhur me nivelin e ulët që do përfaqësohej Shqipëria atje? Lidhur me këtë etj., na njohin disa dokumente arkivore të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al.
LETRA ZYRTARE E KËSHILLTARIT ALFRED PAPUÇIU PRANË MISIONIT SHQIPTAR NË GJENEVË, DËRGUAR MINISTRISË SË JASHTME NË TIRANË, LIDHUR ME FTESËN E BËRË NGA PRESIDENTI I FORUMIT EKONOMIK BOTËROR TË DAVOSIT, PËR PJESËMARRJEN E SHQIPËRISË
Mission permanente de la
Republiqiue Populaire Socialiste d’Albania
aupres de l’Office des Nations Unies a Geneve
et autres organisations internationals en Suise
Nr. 35 i Prot. Gjenevë, më 14.11.1990
Lënda: Dërgohet letra e presidentit të Forumit Botëror Ekonomik
MINISTRISË SË JASHTME
TIRANË
Bashkëngjitur po ju dërgojmë letrën dhe materialet që na ka sjellë Klaus Schvab, President i “Word Ekonomic Forum”, me qendër në Zvicër, i cili ka folur me sekretarin e Shtetit, Klaus Jakobi, pas kthimit të tij nga vizita në Shqipëri. Ai shpreh dëshirën që në mbledhjen vjetore në Davos të Fondacionit që drejton, të marrë pjesë edhe Shqipëria. Nëse shihet me interes pjesëmarrja jonë, lutemi na njoftoni për të vënë në dijeni të interesuarin.
KËSHILLTARI
Alfred Papuçiu
RAPORT – INFORMACIONI I MISIONIT SHQIPTAR NË GJENEVË, PËR FTESËN E ARDHUR NË TIRANË, LIDHUR ME PJESËMARRJEN E SHQIPËRISË NË FORUMIN EKONOMIK BOTËROR TË DAVOSIT
MINISTRISË SË JASHTME
Në takimin që patëm me Serxh Gijom, anëtar i Këshillit Drejtues të “Word Ekonomic Forum”, doli se në mbledhjen vjetore të Davosit, do të marrin pjesë rreth 800 vetë, kryetarë shtetesh, kryeministra, ministra biznesmenë, etj., nga vende të ndryshme.
Do të diskutohen probleme të integrimit ekonomik, gjendja në Gji, zhvillimet në Bashkimin Sovjetik dhe pasojat ekonomike Botërore, gjendja në Evropën Qendrore etj.
Rreth 20 minuta në një seancë mund të flasë dhe kryetari i Delegacionit tonë, ku do të jetë i pranishëm edhe shtypi, sugjeroi datat 4 ose 5 shkurt.
Kërkohet që delegacionet të jenë sa më të reduktuara në njerëz, për shkak të vendeve të pakta që ka në Davos.
Marrin përsipër shpenzimet e transportit nga Zyrihu në Davos dhe të hotelit për dy vetë.
Kërkojnë mundësisht deri në fund të javës, një kurrikulum vitae të shkurtër të shokut Fatos Nano dhe më vonë një fotografi.
Hollësira për pjesëmarrësit dhe programin në vija të përgjithshme, do ju dërgojmë me faks.
Gjenevë, 8.1.1991 MISIONI
412 278 MALB CH +
21 64 MPJ AB
DOKUMENTI ARKIVOR ME TELEGRAMIN E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE FATOS NANO, PËR PJESËMARRJEN E TIJ NË FORUMIN EKONOMIK BOTËROR NË DAVOS MË 1 SHKURT 1991, DËRGUAR MINISTRIT TË JASHTËM, REIZ MALILE
TELEGRAM NGA DAVOSI (1 SHKURT 1991)
DREJTUAR: MINISTRISË SË JASHTME
(Shokut Reis Malile)
TIRANË
Klasifikimi: (Urgjent / Telegrafik)
Në Davos filloi punimet Forumi Ekonomik Botëror-1991. Pjesëmarrja e personaliteteve politike, afariste e shkencore është e gjerë, por për shkak të luftës në Gji, niveli i përfaqësimit nuk është ai i shpallur nga organizatorët. Pritet që personalitete të larta si Genscher, Rocard, De Michelis, etj., të marrin pjesë në seanca të veçanta dhe të largohen brenda ditës.
Tematika e diskutimeve të forumit të sivjetshëm përfshin probleme të tilla kryesore si:
- Kapërcimi i vështirësive në vendet e Lindjes me anën e reformave ekonomike;
- Perspektiva e daljes nga gjendja e sotme e rënies ekonomike botërore dhe pasojat e krizës në Gji;
- Politikat e nevojshme për integrimin e vendeve në zhvillim në tregun botëror;
- Shtrëngesa e kredive në tregun financiar ndërkombëtar, masat prioritare për mbrojtjen e mjedisit, etj.
Për këto probleme u shprehën oratorë të ndryshëm në seanca të veçanta, të cilët iu përgjigjën pyetjeve dhe dhanë shpjegimet e kërkuara për realitetet e vendeve përkatëse.
Në tri raste të tilla iu dha fjala dhe shokut Fatos Nano, i cili i njohu pjesëmarrësit me proceset e gjera demokratike në Shqipëri, duke u ndalur në veçanti në reformën ekonomike dhe në mundësitë e reja që ajo ka krijuar për zgjerimin e bashkëpunimit të vendit tonë me botën. Drejtues i diskutimeve në një nga këto raste ishte kryeministri i mëparshëm i Francës, Raymond Barre.
Sot delegacioni ynë u takua me sekretarin e Shtetit për Punët e Jashtme të Zvicrës, Klaus Jacobi. Gjatë punimeve ai pati takime edhe me sekretarin ekzekutiv të Komisionit Ekonomik të OKB-së për Evropën, Gerhard Hinteregger, me anëtarin e presidencës së Jugosllavisë, Janez Drnovšek, me zëvendësministrin japonez të marrëdhënieve ekonomike me jashtë, Yasuo Matsushita (Aisuo Kacumura), si dhe me përfaqësues të qarqeve bankare e afariste të vendeve të ndryshme që marrin pjesë në këtë Forum.
Forumin e sivjetshëm e kryeson princi Sadruddin Aga Khan dhe hapjen e punimeve e përshëndeti presidenti i tij, Klaus Schëab.
Davos, 1 shkurt 1991
Fatos Nano
(nënshkruar)
TELEGRAMI I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE FATOS NANO, PËR TAKIMET E TIJ ME PERSONALITETE TË LARTA NË FORUMIN EKONOMIK BOTËROR NË DAVOS, MË 3 SHKURT 1991, DËRGUAR MINISTRIT TË JASHTËM, REIZ MALILE
TELEGRAM NGA DAVOSI – (SHKURT 1991)
RAPORTI MBI TAKIMET
DREJTUAR: MINISTRISË SË JASHTME
(Shokut Reis)
Gjatë ditës së djeshme, krah punimeve në seanca plenare e të veçanta, personalitetet e vendeve pjesëmarrëse dhe të organizatave ndërkombëtare diskutuan veçmas konkluzionet paraprake për çështjet kryesore të këtij forumi (siç ju kemi njoftuar në faksin e mëparshëm). Puna ishte organizuar në mënyrë të tillë që këto personalitete ishin në kontakt me njëri-tjetrin gjatë të gjithë ditës, gjë që do të vazhdojë edhe sot.
Kjo më dha rastin të bëj takime të veçanta me:
- Ministrin e Financave të Austrisë, Ferdinand Lacina;
- Ministrin hungarez të bashkëpunimit me jashtë, Béla Kádár;
- Presidentin e forumit, Klaus Schwab;
- Presidentin e Kroacisë, Franjo Tugjman (takimi u kërkua prej tij);
- Këshilltarin ekonomik të FMN, Jacob Frenkel;
- Drejtorin e përgjithshëm e këshilltarin special të Jacques Delors, Antonio Costa, etj.
Tek perëndimorët në përgjithësi vihet re një qëndrim i tërhequr, që ata e motivojnë me të dhëna të paqarta e kontradiktore nga përfaqësuesit, ose të dërguarit e tyre në Tiranë. Theksohet shprehimisht se nuk presin thjesht zgjedhjet e 31 marsit, “por largimin nga skena të klasës së vjetër politike”.
Tugjman (në një takim edhe në prani të televizionit), shprehu interesim për marrëdhënie direkte të Kroacisë me Shqipërinë në kushtet e raporteve të situatave të komplikuara rreth nesh. Pata një takim të rastit me Raymond Barre, i cili tregoi vetëm mirësjellje e jo interesim të veçantë, si dhe me Petre Roman, i cili tha se; “jeni mes trazirash që uroj të kapërcehen”.
Pasdite u pritëm posaçërisht nga këshilltari federal i Zvicrës, Jean-Pascal Delamuraz, i cili pasi bëri shumë pyetje rreth zhvillimeve të reja në Shqipëri, premtoi se qeveria zvicerane në vitin e ardhshëm do të përpiqet të përfshijë Shqipërinë në planet e saj për financime në vendet e Evropës Lindore.
Gjatë darkës u përshëndeta me De Michelis, që tha se më njihte nga emri dhe premtoi një takim të veçantë për sot. U përshëndeta dhe me sovjetikët Bogomolov, Aganbegyan, Shmelev, me sekretarin e përgjithshëm të OECD-së, Jean-Claude Paye, dhe me drejtorin e thesarit të Ministrisë së Financave të Francës, Jean-Claude Trichet, që tha se Shqipërinë e njihte përmes librave të Kadaresë. Sot pritet të mbërrijë e të flasë Genscher.
Shënojmë se qëndrimi i përgjithshëm ndaj BS (Bashkimit Sovjetik) në këtë moment është i tërhequr, ndërsa ndaj 6 vendeve të tjera të Lindjes ka gatishmëri për të ndihmuar ekonomikisht e në rrugë financiare.
Davos, më 3.2.1991
Fatos Nano
(nënshkruar)
TELEGRAMI I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE FATOS NANO, PËR TAKIMET E TIJ ME PERSONALITETET E LARTA NË FORUMIN EKONOMIK BOTËROR NË DAVOS, MË 3 SHKURT 1991, DËRGUAR MINISTRIT TË JASHTËM, REIZ MALILE
TELEGRAM NGA DAVOSI (3 SHKURT 1991)
– RAPORTI MBI DISKUTIMET DHE REFORMAT –
DREJTUAR: MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME
(Shokut Reis)
Sot paradite, në të njëjtin auditor si dje (personalitetet kryesore politike të botës afariste dhe shkencore) vazhduan diskutimet për Evropën Lindore dhe Bashkimi Sovjetik (mbi ecurinë e reformave politike dhe ekonomike dhe qëndrimin e Perëndimit ndaj tyre).
Folën disa ministra (hungarezi Kádár, çekosllovaku Vladimír Dlouhý), kryeministri rumun Petre Roman, zëvendëskryeministri mongol D. Ganbald, të cilët paraqitën vështirësitë që ndeshin sidomos reformat ekonomike dhe nevojën e mbështetjes së tyre nga Perëndimi me ndihma, kredi dhe asistencë teknike e teknologji.
Ra në sy fakti që perëndimorët treguan gatishmëri për të ndihmuar Poloninë, Çekosllovakinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Bullgarinë (duke u shprehur pozitivisht për reformat në këto vende!), ndërsa shprehën rezerva të theksuara, bile mungesë dëshire për të ndihmuar Bashkimin Sovjetik duke e lidhur këtë me ngjarjet e Baltikut dhe me “një kthim prapa të Bashkimit Sovjetik”.
Shënojmë se kur flitej për vendet e Evropës Lindore, në asnjë rast nuk përmendej as Shqipëria, as Jugosllavia.
Në diskutimin e mësipërm e mori fjalën edhe shoku Fatos Nano, i cili tha:
“Kur bëhet fjalë për mbështetje të reformave në Evropën Lindore nuk do të ishte e udhës të lihej jashtë Evropa Juglindore, që përfshin një pjesë të mirë të Ballkanit, të këtij rajoni aq sensitiv, stabiliteti ekonomik e politik i të cilit lidhet ngushtë e ndikon direkt në stabilitetin e Evropës. Ne në Shqipëri jemi të angazhuar në një proces të thellë reformash demokratizuese që prekin sa politikën, aq edhe ekonominë.
Me pluralizmin politik e partiak, me ligjin për zgjedhjet e lira e demokratike, me përmirësimin dhe plotësimin e legjislacionit që synon shtetin juridik, është krijuar klima e nevojshme për realizimin e reformës së thellë ekonomike për kalimin drejt ekonomisë së tregut, ku do të bashkëjetojnë prona shtetërore (publike), prona kooperativiste (kolektive) dhe ajo private, ku shteti ka një rol dhe mision të pazëvendësueshëm si rregullator i interesave mbarëshoqërore.
Natyrisht, edhe Shqipëria ka nevojë për bashkëpunim të frytshëm me Evropën e botën, për mbështetje konkrete. Qëndrimet e pamotivuara ‘prit e shiko’ nuk duhet te kthehen në ‘prit e mos shiko’, kështu proceset demokratike nuk do të ishin realisht pan evropiane.”
Gjatë punimeve të ditës së sotme morëm takim me:
- Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Wilfried P. Thalwitz, të cilin e informuam për kërkesën e vendit tonë për anëtarësi në Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa Thalëitz tha se kjo sjell automatikisht bashkëpunimin me Bankën Botërore;
- Zëvendëspresidentin e Komisionit të Komunitetit Evropian, Sir Leon Brittan, i cili pasi u njoh nga ana jonë me reformat në Shqipëri dhe me interesimin tonë për bashkëpunim me Komunitetin, shprehu gatishmërinë për organizimin e kontakteve midis dy palëve;
- Drejtorin e Përgjithshëm të GATT-it, Arthur Dunkel, të cilit i shprehëm interesimin për anëtarësinë tonë në GATT. Ai nga ana e tij tha: “GATT-i është një shtëpi e hapur për të gjithë, por bileta e hyrjes është e shtrenjtë, çka nënkupton kritere të forta për politikën tregtare”;
- Sekretarin Ekzekutiv të Komisionit Ekonomik të Evropës për OKB-në, Gerald Hinteregger, me të cilin shkëmbyem mendime për mundësitë dhe rrugët e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe komisionit. Hinteregger propozoi organizimin e seminareve dhe konsultave në Tiranë të ekspertëve të komisionit me specialistët shqiptarë në fushat ekonomike, financiare, etj.
Takime të rastit patëm edhe me zëvendëssekretarin e shtetit të SHBA-ve për ekonominë, Richard McCormack, me kryeministrin bullgar Dimitar Popov, me presidentin e Qipros George Vassiliou, etj.
Nesër, sipas programit, në një nga seksionet e forumit do të flasë shoku Fatos për temën “Rruga e reformave në Shqipëri”. / Memorie.al
Davos, 3.2.1991 Fatos Nano
Vijon numrin e ardhshëm
















