Nga Eugen SHEHU*
Memorie.al / Familjet e mëdha shqiptare kanë mundur të përcjellin nëpër dhimbje pa fund e luftëra shekullore, dinjitetin moral të papërlyer. Ashtu si ahu i një peme, ato kanë mbrojtur trungje dhe degë përballë stuhive, duke i ushqyer me shqiptarizmin e mbrotur në shekuj. Këto familje të vyera, këto dyer të mëdha, kanë qenë dhe mbeten interprete të historisë së kombit tonë, histori e mbushur me disfata e fitore njëherësh. Në këtë yllësi të nacionalizmit shqiptar, padyshim familja e Toptanasve zë një vend të shquar. Ndër pinjollët e kësaj familjeje, Said Toptani do të njihej sidomos në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të. Ndonëse i ardhur prej një familjeje që zotëronte pothuaj gjysmën e tokave të Tiranës, Saidi do të përkrahte vegjëlinë shqiptare, në të ashtuquajturat lëvizje kundër Tanzimatit.
Taksat e reja që Porta e Lartë donte t’u vinte shqiptarëve, ishin të tjera brenga e vuajtje për kombin që vuante varfërinë e tejskajshme në natën e gjatë osmane. Dalja publike e Said Toptanit kundër reformave të ndërmarra nga Stambolli, bëri që ky të internohej në qytetin e vogël Aka të Turqisë, së bashku me familjen. Pikërisht në këtë qytet, më 14 mars 1867, u lind Murati, djali i parë i Saidit. Disa vite më pas, me ndërhyrjen e Sami Frashërit, Said Toptani u lejua të shkonte në Stamboll. Këtu familja e tij do të ishte në kontakte thuajse të përditshme me familjen e shquar të Frashërllinjve, të cilët jo vetëm mbanin të ndezur në shpirt ndjenjat liridashëse, por përpiqeshin me çdo mjet e mënyrë për t’ia përcjellë ato ndër bashkëkombës të tjerë.
Mësimet e para ai i mori në turqisht, ndonëse në shtëpi flitej vetëm gjuha shqipe. Por shkrimi i saj ishte ende i vështirë, sidomos në Stamboll, në zemrën e Perandorisë Osmane. Pas kësaj, në vitin 1878, Murati vijoi mësimet në kolegjin “Madam Fyres” të Stambollit, të njohur për cilësinë e lartë të mësimdhënies, si edhe formimin e plotë në rrafsh të dijeve që përvetësoje. Kur Said Toptani u lejua të shkonte në Shqipëri, ai nuk e hoqi Muratin nga shkolla. Përkundrazi, me këshillën e Samiut, e la djalin që të frekuentonte shkollën, duke ndenjur në shtëpinë e Frashërllinjve. Ky rast i lumë bëri që Murati i vogël të merrte më shumë dije pranë Naimit dhe Samiut, sesa pranë mësuesve turq të “Madam Fyres”.
Aty, në vatrën e shqiptarizmës, Murati u njoh jo vetëm me gjuhën, traditat, historinë e kulturën shqiptare, por edhe me rrugën e pushkës e të pendës që dhjetëra patriotë të mëdhenj shqiptarë kishin zgjedhur për autonominë e viseve shqiptare. “Në bankat e shkollës dhe në ambientin familjar, Murat Toptani njohu vajzën e poetit kombëtar Naim Frashëri, zonjën Asie, me të cilën më pas u martua”. (“Ata që shpallën pavarësinë kombëtare” – Tiranë 1997, faqe 146). Po në këto vite, Murati do të njihej për së afërmi dhe me atdhetarë të tjerë të shquar si Hoxha Tahsimi, Ibrahim Temo, Ferhat Draga, Shahin Kolonja. Njëherazi, ai do të ishte miku i ngushtë i Mid’hat Frashërit, me ç’rast e shoqja Asia do të kishte në vend të vëllait. Vite më vonë, kur të dy këta do të mbanin mbi supe hallet e Shqipërisë, një letërkëmbim, padyshim që do t’i bashkonte kudo ku ndodheshin. Ndriçimi i këtij letërkëmbimi, padyshim që do të hedhë mendime dhe hipoteza të reja për historinë e Shqipërisë, sidomos në fillim të shekullit të 20-të.
Në vitet 1884-1888, Murati ndjek mësimet në Stamboll, në fakultetin e shquar të “Gallata Saraj”, ku përpos dijeve në rrafsh të të drejtave ndërkombëtare, do të mbronte me sukses edhe gjuhët: frëngjisht, turqisht, arabisht, persisht dhe gjermanisht. I prirur të rrinte deri në orët e vona duke studiuar, falë vullnetit të papërkulur, ai filloi edhe të përkthejë në gjuhën shqipe, duke patur kurdoherë pranë ndihmën e pakursyer të vjershëtorit dhe atdhetarit Naim Frashëri. Në vitin 1895, pas martesës me Asien, Murat Toptani vendos të shkojë në Tiranë, pavarësisht se atë e priste një karrierë e shkëlqyer në hierarkinë e Perandorisë Osmane, por pinjolli i shquar i Toptanasve, preferoi të shkonte në vendlindjen e tij, në Tiranën e mbushur me mushkonja, mjerim, pa drita e rrugë, të fshehur mes ferrave dhe baltës.
Që në muajt e parë, vendoset në shtëpinë e madhe të prindërve dhe nis punën për përhapjen e gjuhës shqipe, sipas metodës së mësuesve-shëtitës. Shtatlartë, me vështrim të mprehtë, tejet energjik, Murat Toptani do të merrte rrugët e Shqipërisë, duke dashur të përhapë deri në fshatin më të largët gjuhën e bukur shqipe. Falë emrit të nderuar të të atit, Saidit, kudo ku shkonte në Durrës, në Krujë, Mirditë e Lezhë, njerëzit e prisnin me dashuri. Por kur ky rrëfente qëllimin dhe mblidhte fshehurazi fëmijë për t’u çelur sytë, atëherë shqiptarët e rrethonin me një dashuri të pashoq. Në një prej raporteve sekrete që konsulli rus në Manastir i dërgonte Peterburgut më 26 nëntor 1896, pos emrave të tjerë rendiste edhe Murat Toptanin, i cili “po jep një kontribut të veçantë për të futur gjuhën shqipe në shkollat turke, aktuale”. (Arkivi Qendror i Shtetitm Tiranë. Fondi “Dokumenta para vitit 1912”, dosja 17, fleta 4).
Në vjeshtën e vitit 1897, Porta e Lartë ndërmori një varg masash të rrepta ndaj “rebelimeve” të shfaqura në vilajetet shqiptare: midis këtyre masave, hafijet turke kishin përpiluar edhe listën e atdhetarëve shqiptarë, të cilët sipas tyre ishin shkaktarët kryesorë të këtyre “rebelimeve”. Merret lehtësisht me mend se në krye të kësaj liste figuronte emri i Murat Toptanit, i cili me dekret të veçantë të Stambollit u internua në Tripoli të Libisë. Kundërshtimet e vegjëlisë në Tiranë, Shkodër e më gjerë kësaj radhe ranë në vesh të shurdhër, madje edhe përpjekjet e Naimit në Stamboll nuk u përfillën. Tashmë lajmi u përhap jo vetëm në vilajetet shqiptare, por edhe më tej. Në ditët e para të vitit 1898, shtypi shqiptar i kohës do të shkruante: “Kartat që na vijnë andej, thonë se Turqia zuri Murat Beun dhe do ta bëjë syrgjyn”. (Gazeta “Shqipëria”, nr. 40, Bukuresht, janar 1898).
Fillimisht, Murat Toptani dërgohet në burgun e Kalipojës dhe pas disa kohe në atë të Tripolit. Tashmë për qindra shqiptarë që jetonin në Tripoli, i burgosuri Murat Toptani ishte “mësuesi” i gjuhës shqipe, ndaj nuk mund të rrinin të qetë. Kur e panë se protestat e njëpasnjëshme u shpërfillën prej Portës së Lartë, pikërisht këta atdhetarë shqiptarë paguan disa roje turke të burgut, duke nxjerrë bashkëkombësin e tyre të shquar nga qelia. Më pas, me ndihmën e fqinjëve të vet, Murati largohet nga Tripoli dhe vendoset në Itali, jashtë rrezikut për jetën. Këtu menjëherë bie në kontakt me drejtorin e revistës “La Nazione Albanese”, z. Anselmo Lorecio, mik i madh i shqiptarëve. Në gushtin e vitit 1898, boton në revistën në fjalë shkrimin me titull “Shqipëria e Shqiptarëve”, i cili në të vërtetë është një manifest politik.
Pasi tregon prejardhjen e kombit të vet, Toptani në këtë manifest bën me dije opinionin italian dhe më gjerë se populli shqiptar ka treguar se ka prirje të luftojë për lirinë dhe autonominë e vet. Ai shpreh bindje se luftërat e Gjergj Kastriot Skënderbeut, në mbrojtje të viseve shqiptare, por edhe të qytetërimit evropian, nuk mund të jenë rastësi, por kanë buruar prej shpirtit liridashës të bashkëkombësve të vet. Është kjo arsyeja, përfundon ky manifest politik, që unë besoj se; “Shqipëria ka për të qenë kurdoherë vetëm e shqiptarëve, edhe pse mund të paguhet me çmim të lartë. Kurrë nga jeta e shqiptarëve s’u del shpresa dhe dëshira e lirisë”.
Në fillim të shekullit të 20-të, Murat Toptani endet nëpër Itali dhe Evropë. Bashkëpunon me disa prej gazetave që atdhetarët shqiptarë botonin në ato kohëra, duke u përpjekur për çështjen kombëtare. Por gjen kohë të punojë edhe për përkthime apo krijime të veta, sidomos në poezi. Njihet së afërmi me kulturën evropiane, me ç’rast guxon të merret edhe me pikturë apo skulpturë. I pajisur me një kulturë të thellë dhe shumëplanëshe, edhe përmes kësaj periudhe krijimtarie, don të zgjojë vetëdijen e fjetur të bashkëkombësve të vet. Në një prej informacioneve të atyre kohërave, konsulli Von Ciedenek njofton Vjenën pos të tjerave se; “Murat Toptani vazhdon të propagandojë autonominë e vendit të vet”. (Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë. Fondi i dokumenteve të Vjenës, dokumenti 176).
Gjatë këtyre viteve, vlen të merret në konsideratë dhe bashkëpunimi i tij me atdhetarin tjetër të shquar, Faik Konicën, i cili boton në Bruksel gazetën “Albania”, me ç’rast bashkëpunimi në rrafsh të publicistikës nuk mungoi. Pas udhëtimesh të gjata, kthehet sërish në Tiranë, por Porta e Lartë, e cila ka ndjekur veprimtarinë atdhetare të tij, e arreston dhe e dërgon kësaj radhe në burgun famëkeq të Çanak-Kalasë. Është dashur sërish ndërhyrja e atdhetarëve shqiptarë pranë Sulltanit që ky të lirohet, por “pa patur të drejtë të shkojë në Shqipëri apo të bëjë propagandë, kudo ku ndodhet”. Kur ndodhej i internuar në Kolonjë të Turqisë, aty u dërgua si vali i qytetit Ferid Pasha, miku i madh i Frashërllinjve. Ky e pati njohur qysh më parë Muratin dhe me reputacionin që gëzonte, mundi ta heqë nga lista e të internuarve, madje duke njohur prirjet e tij si piktor apo skulptor, e ngarkoi në punët komunale për zbukurimin e qytetit.
Kështu, Murat Toptani do të shpaloste krejt talentin e vet, duke i dhënë qytetit të Kolonjës një fytyrë tjetër dhe duke fituar me këtë rast admirimin e mjaft qytetarëve. Por ky aktivitet nuk e pengoi për asnjë çast patriotin e madh që të mbante lidhjet shpirtërore me atdheun e vet. Vazhdon të këmbejë letra me Mid’hat Frashërin, Ibrahim Temon, Faik Konicën dhe Josif Bagerin, takohet shpesh me atdhetarë shqiptarë në Stamboll dhe është përkrahës i flaktë i lëvizjes autonomiste shqiptare, e ideuar prej Komitetit të Fshehtë të Manastirit. Pasi mbaron kohën e internimit, vendoset sërish në Stamboll, por kur e kupton se vendi i tij nuk ishte aty, i ndjekur këmba këmbës nga hafijet e Sulltanit, i sigurtë se nëse do të kapej sërish e priste plumbi, Murat Toptani pranon më mirë të vdesë në atdhe, atje në fushëbetejë, sesa nëpër bodrumet e Çanak-Kalasë. Duke përfituar edhe nga premtimet e Turqve të Rinj, në fillim të vitit 1908 shkon në Tiranë dhe, energjik siç ishte, brenda pak javësh çel në shtëpinë e madhe të tij, në zemër të Tiranës, shkollën e parë shqipe për këtë qytet.
Ai në këtë aksion human kombëtar pati edhe përkrahjen e dhjetëra patriotëve të tjerë të Tiranës, por gjithsesi çelja publike e shkollës në katin e sipërm të shtëpisë rrezikonte së tepërmi jo vetëm shtëpinë, por edhe zotërit e saj. Një vit më pas, kur Turqit e Rinj filluan operacione ndëshkimore ndaj lëvizjes kombëtare shqiptare, ishin atdhetarë tiranas të bashkuar si grusht, të cilët u armatosën duke mbrojtur me jetën e tyre shtëpinë e shenjtë, e cila ishte shndërruar në vatër të arsimit të shkollës shqipe. Ishin po këta atdhetarë që mbajtën të fshehur për muaj me radhë, në rrethina të Tiranës dhe Krujës, mësuesin e shqipes dhe burrin trim Murat Toptanin, prej ndjekjeve të qeverisë turke. Kanë qenë pikërisht veprimtaria dhe sakrifica të këtij burri në shërbim të kombit të vet, me ç’rast në kuvendet e popullit të Tiranës, në nëntorin e vitit 1912, në mënyrë unanime ai zgjidhet përfaqësues i këtij qyteti për ngritjen e flamurit të pavarësisë në Vlorë, si dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar.
Në ditët e para të nëntorit, Murat Toptani thirret në Durrës prej kushëririt të tij, Esat Pashë Toptanit, madje i premtohet pasuri e ofiqe nëse ai do të luftonte kundër Ismail Qemalit. Murat Toptani jo vetëm që nuk pranon oferta të tilla të turpshme, por ia përplas në sy kushëririt të tij flirtet që ai pat bërë e bënte me qarqet antishqiptare brenda dhe jashtë vilajeteve shqiptare. Kështu që, Esat Pashë Toptani, duke mos gjetur as përkrahjen ndër njerëzit e vet, ai shkoi në Vlorë dhe mbështeti sa për sy e faqe qeverinë e parë shqiptare. Por vetëm pak muaj më pas, duke përdorur intriga dhe me mbështetjen e të huajve e sidomos të serbëve e francezëve, jo vetëm e sabotoi këtë shtet, por solli trazira të papara ndonjëherë në vitet 1913-1915.
Murat Toptani ishte ndër të parët që priti plakun Ismail Qemalin në molin e Durrësit, ai pati paguar edhe dhjetëra vullnetarë tiranas, të cilët do ta përcillnin atdhetarin dhe diplomatin vlonjat nëpër baltat dhe shirat e Myzeqesë. Kështu, patrioti tiranas, do të hynte kryelartë në Vlorën heroike, duke u takuar e përqafuar me dhjetra e dhjetra burra të tjerë që po dilnin zot fateve të kombit të tyre. Lidhur me ditën e parë të Kuvendit të Vlorës, shtypi shqiptar i asaj kohe do të shkruante: “Kuvendi Kombëtar i mbledhur prej delegatëve të të gjitha viseve të Shqipërisë këtu në Vlorë, u hap sot në orën 4 pas dreke në shtëpi të z. Xhemil Beut. Zoti Ismail Qemal Beu, si nismëtari i parë i mbledhjes, mori fjalën dhe u tregoi delegatëve qëllimin e Kuvendit, domethënë që të përpiqen së bashku e të marrin masat e nevojshme për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i madh që ndodhet sot. Si e kërkon rregulla e zakoni, u nis pastaj vërtetimi i kartave të delegatëve, emrat e të cilëve janë këta… Nga Tirana, zotërinjtë Abdyl Bej Toptani e Murat Bej Toptani”. (Gazeta “Përlindja e Shqypnis”, viti II, nr. 6-7, datë 31 janar – 4 shkurt 1914).
Qeveria shqiptare e drejtuar nga Ismail Qemali, siç dihet, u gjend përballë vështirësive të mëdha qysh në ditët e para të shpalljes së saj. Murat Toptanit iu ngarkuan detyra të rëndësishme në arsim, me ç’rast iu desh të ngarendte në çdo cep të Shqipërisë, duke punuar si kurdoherë me energjinë karakteristike, për të vënë arsimin shqiptar mbi baza sa më kombëtare. Veçanërisht në pikëpamje të teksteve shkollore, ai dha ndihmën e vet jo vetëm duke organizuar specialistë më në zë, por edhe duke i paguar nga xhepi i tij mjaft prej hartuesve të këtyre teksteve. Murat Toptani ka qenë gjithashtu ndër të parët nismëtarë për krijimin e Akademisë së Shkencave Shqiptare, e cila do t’i paraprinte zhvillimeve ekonomike, politike dhe sociale të Shqipërisë. Edhe pse këto ide të tij quheshin prej disave në ato kohë si ëndrra, pinjolli i familjes së madhe të Toptanasve, donte ta shihte vendin e vet, ndonëse të rrënuar ekonomikisht, sa më parë në Evropën e qytetëruar.
Pas rënies së qeverisë së përkohshme të Vlorës, Murat Toptani u rreshtua pranë atyre politikanëve atdhetarë që vunë mbi gjithçka interesat e kombit të tyre. Në mënyrë të veçantë, ai iu kundërvu politikës prej matrapazi të kushëririt të tij tradhtar, Esat Pashë Toptanit, si dhe lëvizjes reaksionare të Haxhi Qamilit. Ai bashkëpunoi me qarqet përparimtare shqiptare dhe, me anën e artikujve të ndryshëm publicistikë, e ngriti lartë zërin për rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë në vorbullën e ngjarjeve ballkanike. Në vjeshtën e vitit 1914, ka qenë Esat Pashë Toptani, i cili ka kërkuar sërish përkrahjen e kushëririt të tij, Muratit, kuptohet në dëm të interesave kombëtare. Por kësaj radhe, Murat Toptani i ka dërguar lajm kushëririt të tij se rrugët e tyre ishin të ndara përgjithmonë: njëri në atë të nderit, tjetri në atë të turpit.
Dy javë më pas kësaj ngjarjeje, Esat Pashë Toptani pagoi disa mercenarë tiranas, të cilët rrethuan shtëpinë e Murat Toptanit. Falë disa miqve të tij, Murati dhe familja shpëtuan, ndërsa shtëpia e madhe në zemër të Tiranës, ajo shtëpi që u kontrollua e u bastis me dhjetra herë prej pushtuesve osmanllinj, tanimë u bë shkrumb e hi nga disa shqiptarë të blerë prej Esat Pashës. Së bashku me orenditë dhe muret e lashta, rrënoheshin prej flakëve edhe mijëra libra në dhjetra gjuhë, mijëra faqe dorëshkrimesh, apo qindra artikuj të mbledhur prej birit të Tiranës në gjithë cepat e Perandorisë Osmane. Kjo sigurisht ishte një goditje e madhe për Murat Toptanin, patriotin që ishte përpjekur në çdo minutë të jetës së vet për kombin, prosperitetin dhe ardhmërinë e tij. Pas kësaj, ai udhëtoi në Vjenë, me ç’rast nuk i ndërpreu kontaktet me diplomatë vjenez lidhur me fatet e Shqipërisë.
Mban ende lidhje me Mid’hat Frashërin, Sali Gjukën, Luigj Gurakuqin etj. Kthehet në Shqipëri në trazirat e vitit 1917 dhe 3-4 muaj më pas, mbyll sytë i trishtuar, më 20 shkurt 1918. Me mijëra ishin banorët e Tiranës që e përcillnin për në banesën e fundit mësuesin, atdhetarin, poetin, piktorin dhe skulptorin e shquar, birin e tyre gojëmbël, burrin që gjithçka pati ia falur atdheut. Disa ditë më pas, gazeta “Vllaznia”, që botohej prej studentëve shqiptarë në Vjenë, do të shkruante pos të tjerave: “Murat Toptani tregoi pa frikë në të gjitha rastet se ishte gjithmonë në anë të kombit të vet dhe me zell të pashoq u përpoq për të mirën e tij”. Burrat e mëdhenj mbyllin jetët, por jo veprat, për të cilat kombi i nderon./ Memorie.al
Bern-Zvicër*













