Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument të panjohur me siglën “sekret” të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit, fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, ku bëhet fjalë mbi një letër që mban datën 30 prill të vitit 1967-të, ku sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Gjirokastrës, njofton Sektorin e Edukimit pranë aparatit të Komitet Qendror të PPSH-së që drejtohej nga Ramiz Alia, lidhur me masat që ata kishin marrë për të mos lejuar festimin e Pashkëve në fshatrat e minoritetit grek të zonës së Dropullit, si Sotira, Rëza e Zezë, Kakavija, Pogoni, etj. Si i’a arritën ata ta ndalonin atë festë fetare duke e bërë ditë pune dhe duke festuar 25 prillin, Ditën e Kufitarit, dhe provokacionet që iu bënë nga posta kufitare greke, ku ditën e Pashkës, “ishin mbledhur 20 vajza të degjeneruara me fustane të shkurtra, që kërcyen danc me ushtarët monarko fashistë të postës kufitare, të cilët i’u bërtisnin fshatarëve tanë, duke u thënë se: përse kishin dalë në punë për ditën e Pashkës”?!
Letra e Rrapo Dervishit për Ramiz Alinë
PARTIA E PUNES SHQIPERISE S E K R E T
KOMITETI I PARTISE RRETHIT Ekz. Nr. 1
GJIROKASTER
Nr. 123 Gjirokastër, më 30/4/1967
Lënda: Informacion mbi punën që u zhvillua kundër pashkëve në minoritet
KOMITETIT QENDROR TE P.P.SHQIPERISE
(Sektori i Edukimit)
T I R A N E
Në bazë të udhëzimeve të Komitetit Qendror të Partisë, Komiteti i Partisë së rrethit tonë, zhvillon një punë të pandërprerë ideologjike antifetare. Në radhë të parë ne jemi përpjekur që të krijohet një opinion i qartë në komunistët, kuadrot dhe aktivistët, se zhdukja e institucioneve fetare nuk do të thotë aspak zhdukja e besimeve, riteve fetare. Pikërisht për këtë, janë marrë dhe po merren herë pas here masa, propagandistike dhe organizative. Kështu u vepruar edhe gjatë muajit prill të këtij viti.
Komiteti i Partisë shtroi detyrën: T’u dalim përpara Pashkëve, që ato të mos festohen. Kjo çështje u theksua në mënyrë të veçantë për organizatën e Partisë e të masave që veprojnë në zonën e minoritetit, ku për arsye që dihen, feja ka rrënjë më të thella. Përveç kësaj, ne u shtymë të dendësojmë punën tonë ideologjike e shkencore antifetare edhe për faktin se në muajin prill, radio-stacionet greke shtuan propagandën e tyre fetare për Pashkët.
Çfarë masa konkrete u morën nga ana e Komitetit të Partisë?
Pikësynimi ynë është t’u dalim Pashkëve përpara, që ato të dështonin. Masat ishin të tilla, që në vend të kësaj dite fetare që binte më 21 prill, të festohej Dita e Kufitarit më 25 prill. Drejt kësaj date shpinin dhe përgatitjet t’ona. Kështu për shembull, me këtë festë u plotësua elektrifikimi i fshatit. U hodha parulla: “Me rastin e 23 vjetorit të themelimit të Forcave të Kufirit, dritat elektrike do të ndriçojnë edhe në dhjetë fshatra të tjerë të brezit kufitar”. U dërguan në fshatrat e minoritetit dhe vazhdojnë punën dy ekipe të Komitetit të Partisë, të cilat në kuadrin e punës ideo-politike të Partisë, zhvillojnë edhe punë bindëse antifetare. Në këtë luftë u tërhoqën edhe shumë arsimtarë. Me mësuesit e shkencave shoqërore u referua tema “Lufta kundër fesë, është një luftë e gjatë ideologjike” dhe u thanë se si duhet organizuar e zhvilluar puna. Në “Pararoja” e “Llaikovima”, u botuan një cikël shkrimesh të karakterit ideologjik dhe historik kundër fesë. U organizuan një sërë aktivitetesh të përbashkëta, midis pikave të kufirit dhe rinisë së terrenit, duke tërhequr kjo e fundit edhe në punë direkte me prindërit, për të mos mbajtur kreshme, për të vepruar edhe ajo që në vend të Pashkëve, të festohej si asnjëherë, festa e Kufirit. Kjo shërbeu edhe për vetë edukimin e rinisë, sidomos në zonën e kufirit, e cila njëkohësisht përgatitej të vente në takimin që do të zhvillohej në Gjirokastër e në rrethe të tjera e Shqipërisë së Jugut. Ne përkrahëm mendimin, që e diela 21 prill, të bëhet ditë pune, ndërsa shkollat të bëjnë ditë mësimi, dhe pushimi u shpall më 23 prill, Dita e Kufirit. Si përfundim, u krijua një atmosferë festive për ditën e kufitarit, gjë që largoi vëmendjen për Pashkët, dhe nga shumë njerëz në moshë të kaluar, të cilët shpirtërisht u përgatitën jo për Pashkët, por për festën e kufirit.
Cilat ishin rezultatet që u arritën si pasojë e këtyre masave kryesore kundër Pashkëve?
Në përgjithësi Pashkët nuk u festuan. Është hera e parë që u arrit një sukses i tillë në minoritet, ku Pashka ka qenë festa më e madhe. Zotëroi festa e Kufirit, përgatitjet e së cilës i kishim filluar me kohë. Jo vetëm organizatat e Partisë, por edhe ato të masave ishin në këmbë. Ja disa shembuj:
Datën e 19 prillit, të “premten e zezë”, në kufi me Koshovicën, grekërit demostronin festimin e Pashkëve duke ardhur rreth kishës me qiri të ndezur në duar dhe duke drejtuar prozhektorët nga ana jonë. Megjithëkëtë, populli i këtij fshati, s’donte të dinte fare. Vetëm 8 plaka mbajtën kreshme dhe vetëm në tre familje u ngjyen vezë të kuqe për Pashkët.
Më 20 prill, posta greke u vizitua nga një grup vajzash të degjeneruara, të veshura me fustane shumë të shkurtra, të cilat kërcyen danc, me ushtarët monarko fashiste. Kjo u bë me rastin e Pashkëve. Pikërisht këtë ditë, populli i Kakavijës filloi dhe mbuloi me tjegulla shtëpinë e kulturës, të cilën ai e ndërtoi brenda 6 ditëve mbi një kodër të fshatit, jo shumë larg nga posta greke.
Data e 21 prillit u bë ditë pune. Në shumë fshatra dolën në punë aq kooperativistë sa edhe ditë të tjera. Duke parë kooperativistët e Kakavijës, grekërit thërrisnin: “Pse punoni, sot që është Pashkë”?!, por fshatarët s’pyesnin, përkundrazi, punonin dhe më shumë. Ato ditë, populli i fshatit, Ajnikollë, që në orën 4 të mëngjesit, së bashku me kufitarët, hapte gropa për të vendosur shtyllat e dritave. Ditën e Pshkës, populli i Sotirës transportoi shtyllat për dritat që do të marri së shpejti. Në punë në bujqësi dual të gjithë fshatarët e Dropullit, të Rëzës së Zezë dhe të Pogonit. Vetëm në disa fshatra kish mungesa në punë. U konstatua se një pjesë e tyre punonin në kopshtin personal, midis tyre kish edhe disa me moshë jo të kaluar që festuan Pashkën.
Data e 24 prillit u gdhi në festë. Në 10 fshatra të minoritetit u ndezën dritat. Kjo ishte një festë e vërtetë. Në ceremonitë që u zhvilluan me këtë rast, morën pjesë edhe të dërguar të Komitetit Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv. Gëzimi ishte i madh. Në këtë festë, në Ajnikollë u bë propozimi që ky emër fetar t’i hiqet fshatit dhe ai të quhet fshati “Drita”. Në Kakavijë, kur u çelën dritat e shumta dhe në pikën kufitare ato neon, rojet greke thyen poçin e vogël të llambës në postën e tyre.
Më 25 prill, u zhvillua përsëri festë. Në pikat e kufirit nuk u grumbulluan vetëm fshatrat përkatës, por atje shkuan mijra të tjerë. U bënë vizita jo vetëm në fshatrat minoritarë, por edhe në zonat e tjera të rrethit edhe nga qyteti. Kishte programe artistike, aktivitete të përbashkëta me kufitarë, biseda mbi historinë e forcave të kufirit etj. Festa e Kufirit nga pikëpamja e organizimit, e aktiviteteve dhe e masivitetit, ishte më e mirë se çdo vit tjetër. Ajo jo vetëm zëvendësoi festën e Pashkës, por shërben edhe si një aksion i madh për edukimin patriotik të masave, sidomos në vijën dhe brezin kufitar.
Nga organizimi i punës për t’ju kundërvënë Pashkës, në prill të këtij viti, ne mësuam se kështu dhe akoma më mirë ne do të luftojmë edhe në të ardhmen. Eksperienca na tregoi se me aksion konkret, festat fetare mund dhe duhen të zëvendësohen me festat të reja socialiste. Tani do të bëjmë traditë që, në në vend të Pashkës, të festojmë Ditën e Kufirit. Kështu do të studiojmë edhe për festa, rite dhe besime të tjera fetare./ Memorie.al
SEKRETARI I-rë I KOMITETIT PARTISE RRETHIT
(Rrapo Dervishi)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016