Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ish-ushtarakut të lartë të Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Pandeli Përmetit, me origjinë nga fshati Bual i Përmetit dhe lindur në qytetin e Korçës, i cili rrëfen karrierën e tij në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nga mbarimi i Luftës kur ai vinte nga radhët partizane, duke qenë efektiv i Brigadës së IV-të Sulmuese dhe ishte plagosur dy herë, emërimi në detyrën e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Mallakastër, ku në vitin 1948-të i bëri një vizitë Mehmet Shehut që ishte mbyllur në shtëpinë e tij në fshatin Çorush, ku priste të arrestohej nga Koci Xoxe, caktimin për një vit në Drejtorisë e Punëve të Brendshme të Qarkut të Shkodrës, ku u morr gjatë me verifikimin e dosjeve të Klerit Katolik, pas një urdhri që Enver Hoxha i kishte dhënë Kadri Hazbiut, për goditjen e tyre, misterin e vdekjes së gjeneral-major, Hilmi Seitit, që e kishte mik të ngushtë, ngjarjen e bombës së ambasadës sovjetike në Tiranë, ku ai se hetues i asaj çështje, mundi që të lironte vetëm një nga të arrestuarit, inskenimi i ngjarjes në fshatin Gjorëm të Vlorës, për një atentat ndaj Hysni Kapos, që dërgoi në pushkatim një oficer të Sigurimit të Shtetit, e deri te letra e gjatë prej 36 faqesh, që ai i dërgoi Enver Hoxhës në vitin 1967-të, ku denonconte shumë nga prapaskenat e Sigurimit të Shtetit, pas së cilës u thirr nga Manush Myftiu që të hiqte dorë nga ajo gjë dhe përgjigja negative e tij që i shkaktoi çmobilizimin nga radhët e Ministrisë së Brendshme, dërgimin si punëtor me tre turne e roje nate në Uzinën “Enver”, si dhe arrestimin e dënimin e me burg politik, të djalit të tij që ishte aviator.
Plani i Komitetit “Shqipëria e Lirë” për rrëzimin e Enver Hoxhës
“Gjithashtu në atë kohë me anë të avionëve u hodhën dhe trakte në të cilat u bëhej thirrje popullit që të ngrihej për rrëzimin e Qeverisë komuniste të Enver Hoxhës. Pas gjithë këtyre parapërgatitjeve, Komiteti “Shqipëria e Lirë” arriti të hartonte një plan konkret, për fillimin e kryengritjes së armatosur, ku ishin përcaktuar deri në detajet më të holla, të gjitha lëvizjet, njerëzit, mjetet, bazat, repartet ushtarake si dhe financimet e nevojshme që do të viheshin në dispozicion të asaj kryengritje. Kur ishte përgatitur gjithçka dhe pritej të caktohej, vetëm data e fillimit të kryengritjes, në udhëheqjen kryesore të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, filluan kontradiktat të cilat kishin të bënin me atë, se kush do të vinte në krye të Shqipërisë pas rrëzimit të Qeverisë së Enver Hoxhës dhe cilët do të ishin aleatët e mundshëm jashtë Shqipërisë, ku ata do të mbështeteshin. Si rezultat i këtyre kontradiktave, ky skenar i parapërgatitu dështoi dhe për zbulimin e tij, Sigurimi i Shtetit pati një ndihmë të madhe nga KGB-ja sovjetike. Në atë situatë tepër të turbullt dhe duke e ndjerë veten krejt të pasigurt, më 21 mars të vitit 1949-të, Enver Hoxha në krye të një delegacioni shkoi në Moskë dhe takoi Stalinin, të cilit i kërkoi ndihmë për të kaluar situatën e vështirë në të cilën ndodhej, duke i premtuar se do t’i eliminonte të gjithë antisovjetikët, ashtu siç kishte bërë me Koci Xoxen që ishte arrestuar dhe po i nështrohej procesit hetimor”, kujtonte Pandeli Përmeti, atë periudhë kur anglo-amerikanët dhe Komiteti “Shqipëria e Lirë”, hartuan planin për fillimin e kryengritjes që do të rrëzonte Qeverinë komuniste dhe Enver Hoxha shkoi tek Stalini për t’i kërkuar ndihmë.
Enveri në Plenum: Të nisin arrestimet
Po si qëndron e vërteta lidhur me incidentin në Ambasadën Sovjetike në Tiranë dhe cilat ishin arsyet që u krijua ai incident? Për këtë, Pandeliu dëshmonte: “Pasi Enveri mori përkrahje të plotë nga Stalini, duke i premtuar atij se ishte prishur njëherë e përgjithmonë me jugosllavët dhe do të ndiqte një vijë të ashpër pro-sovjetike, ai u kthye në Tiranë dhe nisi menjëherë fushatën për të goditur të gjithë ata persona që kishin mbështetur Koci Xoxen në vijën e tij pro jugosllave. Këtë gjë Enveri e bëri për të krijuar besim tek Stalini, se ai po ndiqte vijën dhe politikën pro ruse që i kishte premtuar atij. Në zbatim të udhëzimeve që Enveri kishte marrë nga Stalini dhe për të stabilizuar situatën dhe gjendjen kritike në të cilën ndodhej asokohe Shqipëria, nga mezi i muajit shkurt të vitit 1951, disa ditë përpara se të fillonte punimet Plenumi i IX-të i Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxha i dha urdhër ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehut, që organet e Sigurimit të përgatisnin listat për të filluar arrestimet e shumë intelektualëve të dyshimtë që kishin mbaruar shkollat në Perëndim, sepse ata ishin kontingjenti i parë ku do të mbështeteshin agjenturat e huaja për të përmbysur regjimin në Shqipëri. Këto lista duhet të ishin të gatshme dhe po të kishte situata të turbullta, ku të rrezikohej seriozisht stabiliteti i vendit, ata menjëherë do të eliminoheshin duke u pushkatuar. Sipas urdhrit të Enver Hoxhës, këto lista u bënë gati më 20 shkurt të vitit 1951 (një ditë pasi kishte filluar punimet Plenumi i IX i PPSH-së) dhe i’u dorëzuan Enver Hoxhës, i cili do të vendoste se cilët ishin personat që do të ekzekutoheshin. Ditën e dytë të punimeve të Plenumit, Enver Hoxha ngriti problemin e goditjes së gjithë elementëve të dyshimtë që duhet të arrestoheshin sepse sipas tij, ata përbënin rrezik serioz për fatet e vendit, duke qenë kontingjenti i parë ku do të mbështetej reaksioni i huaj i cili synonte rrëzimin e pushtetit popullor në Shqipëri. Në atë kohë që Enver Hoxha ngriti atë problem, nga anëtarët e Plenumit pati reagime të shumta dhe ndër më kryesorët që u ngritën kundër atij propozimi, ishin Tuk Jakova, ministri i Drejtësisë, Manol Konomi dhe Teodor Heba, që ishe shef i Kuadrit në Komitetin Qendror. Gjatë debateve që u bënë lidhur me atë çështje, Manol Konomi u mundua të argumentonte se nuk kishte baza ligjore ku të mbështeteshin arrestimet që do bëheshin, gjë të cilën e mbështetën dhe Tuk Jakova me Teodor Hebën. Nga debatet e shumta që u krijuan, Enver Hoxha propozoi që të bëhej pushim dhe punimet e Plenumit të nisnin të nesërmen”, kujtonte Pandeliu lidhur me propozimin e Enver Hoxhës në Plenumin e IX-të, që të përgatiteshin listat për arrestimet e elementeve të dyshimtë!
Plenumi: dakord për arrestimet
Po si rrodhën ngjarjet të nesërmen e mbledhjes së Plenumit dhe a u vendos aty që të fillonin arrestimet? Lidhur me këtë Pandeli Përmeti dëshmonte: “Pasi Enver Hoxha ndeshi në kundërshtimin e disa prej anëtarëve të Plenumit lidhur me propozimin e tij që të fillonin arrestimet ndaj elementëve të dyshimtë, ai e ndërpreu Plenumin dhe atë natë më 23 shkurt 1951, që ishte dhe festa e 31 vjetorit të krijimit të Ushtrisë së Kuqe, ndodhi hedhja e bombës në Ambasadën Sovjetike, e cila ishte e kurdisur më parë nga vetë Sigurimi i Shtetit. Pas kësaj ngjarje, Enver Hoxha rri mblodhi Plenumin dhe pasi mori fjalën, i’u bëri të ditur të gjithë të pranishmëve që ishin aty, duke u thënë në mes të tjerave: ‘Ja çfarë po na bëjnë elementët armiq’! Pas kësaj të gjithë anëtarët e Plenumit së bashku edhe me ata që i kishin kundërshtuar arrestimet, njëzëri u shprehën dakord që të nisnin hetimet për atë ngjarje dhe ndaj autorëve të atij akti të jepej dënimi i merituar. Këtë qëndrim anëtarët e Plenumit e mbajtën pasi ata nuk kishin asnjë dijeni se bomba në Ambasadën Sovjetike ishte hedhur nga vetë Sigurimi i Shtetit me urdhër të Enver Hoxhës, i cili e kishte marrë atë vendim për t’i dhënë Stalinit prova besnikërie se ai po ndiqte rrugën e tij”, kujtonte Pandeliu makinacionet që përdori Enver Hoxha në Plenumin e IX-të për t’i bindur anëtarët e Komitetit Qendror që të merrej vendimi për arrestimet e elementëve të dyshimtë.
Hetues i incidentit me bombën në ambasadën sovjetike
Po si u realizua skenari i hedhjes së bombës në ambasadën Sovjetike? Lidhur me këtë Pandeliu dëshmonte: “Sipas urdhrit të Enver Hoxhës, listat e personave që do të arrestoheshin, u përgatitën që më përpara nga njerëzit e Sigurimit ku punoja dhe unë. Ato ditë që po hartoheshin ato lista, më thërriti një kolegu im që ishte ngarkuar me atë punë dhe më pyeti për një djalë me mbiemrin Zheji, i cili në atë kohë vazhdonte studimet në Institutin Pedagogjik dyvjeçar në Tiranë dhe babai i tij kishte qenë oficer i lartë në kohën e Zogut. Unë e njihja atë për njeri të mirë dhe i thashë kolegut tim që ta fshinte nga lista e atyre që do arrestoheshin dhe ai ashtu bëri. Natën e 23 shkurtit që u vendos të hidhej bomba, shefat e lartë të Sigurimit të Shtetit, i thanë kolonel Sali Ormënit, që atë kohë ishte Drejtor i Policisë dhe zv/ministër i Brendshëm, që në një orë të caktuar t’i hiqte njërin nga policët që ruanin ambasadën, me qëllim që të afrohej njeriu i Sigurimit, që do hidhte bombën. Sali Ormëni nuk pranoi që ta bënte atë gjë dhe i kundërshtoi ashpër edhe pse i’u tha se ajo bëhej me urdhër të Enver Hoxhës. Të nesërmen Sali Ormënin e shtruan në spitalin psikiatrik, duke thënë se është i çmendur dhe pas disa ditësh, me anë të një skenari, e eliminuan fizikisht në pyjet e Elbasanit. Natën e hedhjes së bombës, sipas listave që ishin bërë më parë, filluan arrestimet e 24 personave të cilët i sollën të gjithë në Ministrinë e Brendshme, duke i mbyllur në 24 dhoma të veçanta me 24 hetues, ku një prej tyre isha dhe unë. Në grupin e 24 të arrestuarve, mua më caktuan një djalë të ri me origjinë nga Kosova, të cilin e quanin Halit (mbiemri s’më kujtohet). Gjatë gjithë natës që zhvillova hetuesinë me të, (duke shkuar dhe vetë në vendin e ngjarjes), unë nxora konkluzionin se ai nuk kishte fare gisht në atë punë. Gjatë një pushimi, më thirri Mehmet Shehu dhe më pyeti, se si shkonin hetimet me të arrestuarin që hetoja unë. Unë i thashë Mehmetit se ai nuk kishte fare gisht në atë punë dhe për atë gjë isha plotësisht i bindur. Pas kësaj ai më tha se po të ishte ashtu siç i thashë unë, ta liroja atë, pasi ta dërgoja më parë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës. Dhe ashtu siç më tha Mehmeti, unë e dërgova Halitin në Drejtorinë e Tiranës dhe më pas e lirova që andej. Ai ishte i vetmi person që u lirua nga 24 të arrestuarit, sepse 23 të arrestuarit e tjerë, të gjithë u morën natën dhe u pushkatuan në një vend sekret, duke i hedhur në një gropë të madhe që ishte hapur po atë natë në fshehtësi të madhe. Një nga 24 të arrestuarit, i quajtur Jonuz Kaceli, vdiq që atë natë gjatë hetuesisë në ambientet e Ministrisë së Brendshme. Unë e njihja Jonuzin që më parë dhe kur hetuesi i tij hapi derën dhe doli në korridor për të pushuar, Jonuzi më pa mua dhe thërriste se ishte i pafajshëm, në mënyrë që ta dëgjoja unë. Por unë isha krejt i pafuqishëm për ta ndihmuar, sepse ne nuk na lejohej në mënyrë absolute që të ndërhynim tek njëri tjetri gjatë hetimeve. Të nesërmen e asaj nate që filluan hetimet e 24 të arrestuarve, u dëgjua një zhurmë e madhe dhe ne dolëm të gjithë jashtë në oborr, ku pamë Jonuz Kacelin që ishte i shtrirë në tokë i mbytur në gjak. Ne na thanë se ai u hodh vetë nga dritarja gjatë hetimeve, por e vërteta ishte krejt ndryshe, sepse në pozicionin që ishte ai i shtrirë, kurrë nuk kishte mundësi që të binte. Po kështu edhe dritarja nga na thanë se ai u hodh, ishte fare e ngushtë dhe nuk mund ta nxinte, sepse Jonuzi ishte i shëndoshë. Që në atë kohë unë mendova se atë e kishin mbytur në dhomë dhe më pas e kishin nxjerrë jashtë, duke provokuar dhe zhurmën se gjoja ai u hodh nga dritarja”, përfundonte rrëfimin e tij Pandeli Përmeti, ish-kuadri i lartë i Sigurimit me gradën e nënkolonelit, i cili shtonte, se për të mbështetur nga ana ligjore ekzekutimin e 23 të arrestuarve, ato ditë më datën 26 shkurt 1951, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, nxori një dekret me gjashtë nene, të titulluar: “Mbi ndjekjen dhe shikimin e veprimtarisë të organizatave terroriste dhe të akteve terroriste, kundër punonjësve të Pushtetit Popullor dhe organizatave politike dhe shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”, ku në gjashtë nenet e tij, thuhej se akuza i dorëzohej të pandehurit vetëm një ditë para daljes në gjyq, gjyqi bëhej pa pjesëmarrjen e palëve, rekursi kundër vendimit përfundimtar dhe paraqitja e kërkesave për falje nuk lejohej, vendimi në masën ndëshkimore më të lartë, ekzekutohet menjëherë pas dhënies së vendimit”. Në letrën e gjatë prej 36 faqesh të daktilografuara që Pandeli Përmeti ia dërgoi Enver Hoxhës në vitin 1967 kur ai ishte me detyrën e Kryehetuesit në Drejtorinë e Brendshme të Tiranës, në të cilën ai denoncoi shumë nga makinacionet dhe inskenimet e Sigurimit të Shtetit, prej së cilave ishin arrestuar, burgosur, internuar dhe ekzekutuar me dhjetëra persona, ai i ngriti dhe ngjarjen e ndodhur në rrethin e Vlorës në vitin 1960-të, ku u arrestuan pesë persona, të akuzuar sikur kishin dashur që t’i vinin eksploziv një ure në fshatin Gjorm, ku do të kalonte Hysni Kapo.
Inskenimi i atentatit ndaj Hysni Kapos
Po si qëndron e vërteta rreth asaj ngjarje dhe cilët ishin personat që e inskenuan atë dhe ata që u akuzuan si terroristë? Lidhur me këtë, Pandeliu dëshmonte: “Më datën 25 maj të vitit 1960-të, Dega e Punëve të Brendshme e Vlorës (ana e Sigurimit) me Kryetar major Sulejman Manokun dhe nënkryetar, major Gole Basharin, arrestoi pesë persona, për të cilët thuhej se ishin pjesëtar të një grupi të organizuar me veprimtari kundër Partisë dhe Pushtetit Popullor. Katër nga këta persona: Rexhep Osmani, Hamit Osmani (vëllezër) Selman Kapaj, dhe Lamçe Kuqi, ishin nga fshati Gjorëm i rrethit të Vlorës, kurse i pesti (emri s’më kujtohet), ishte nga fshati Lepenicë. Si Gjormi ashtu dhe Lepenica, shiheshin me sy të keq nga Partia, sepse ishin fshatrat e Hysni Lepenicës dhe Sadik Premtes e Neki Ymerit, të cilët Enver Hoxha i kishte shpallur si armiq dhe që nga ajo kohë si të tillë trajtoheshin të gjithë banorët e atyre dy fshatrave. Nga personat e arrestuar, tre prej tyre: Rexhepi, Hamiti dhe Selmani, ishin anëtarë partie, kurse dy të tjerët, Lamçe Kuqi dhe ai nga Lepenica, ishin të paorganizuar. Të pestë këta akuzoheshin: “Për terror shtetëror”, (në bazë të nenit 67 të Kodit Penal) për spiunazh, (neni 65) për diversion, (neni 70) për sabotim, (neni 72) përgatitje për arratisje jashtë shtetit në grup (neni 64 / 10), akuza të cilat në bazë të Kodit Penal të asaj kohe, për çdo nen të veçantë, parashikohej si masë dënimi nga dhjetë vjet burg, deri në pushkatim dhe konfiskim të pasurisë. Kjo akuzë ndaj tyre ishte bërë, pasi thuhej se kishin dashur që t’i vinin eksploziv një ure në fshatin Gjorëm, kur andej në rrugën automobilistike që kalon mes për mes fshatit Gjorëm e Lepenicë, do të kalonte me makinë Hysni Kapo, për të shkuar në vendlindjen e tij në Tërbaç, do vrisnin dhe oficerët e Sigurimit të Shtetit që do të kalonin aty me shërbim, si dhe akuzat e tjera si diversion, tentativë arratisje, sabotim e spiunazh. Mbas arrestimit të tyre u krijua një grup hetuesish, dhe njeri prej tyre isha dhe unë e, personi që m’u caktua për t’i kryer hetimet, ishte Hamit Osmani. Menjëherë sapo fillova hetimet, duke e marrë në pyetje atë të arrestuar, ai mu përgjigj duke më thënë: ‘Jam arrestuar kot, nuk kam kryer asnjë faj kundër partisë dhe pushtetit, më kanë arrestuar se ndoshta ka shpifur ndonjë për ambicie apo hakmarrje, etj’. Në atë kohë që ai po më fliste, mua menjëherë mu kujtuan fjalët e atij personi që kisha marrë në pyetje me rastin e ngjarjes së bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, (të cilin munda ta shpëtoj nga pushkatimi si të pafajshëm, me ndihmën e Mehmet Shehut) ku fjalët e të cilit, më tingëllonin njëlloj me të Hamitit që më thoshte shpesh: ‘Ke për të parë, në rast se do të jemi gjallë, jini ju që do të na lironi dhe do të thoni që ne ishim arrestuar pa faj, kurse po të na pushkatojnë, përsëri do të jeni ju që do të thoni të vërtetën, që ne u pushkatuam pa faj’, kujtonte Pandeliu, fjalët e të pandehurit të Hamit Osmani, në atë kohë që bënte hetuesinë e tij.
Akuza e inskenuar
Po si veproi Pandeliu ndaj të akuzuarit që kishte nën hetime dhe ç’ ndodhi më pas me gjithë grupin që akuzohej për terrorizëm? Për këtë ai kujtonte: “Në ato rrethana që u ndodha dhe pas fjalëve që më tha Hamit Osmani, fillova që t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe kohë verifikimit të materialeve që ndodheshin brenda në dosjen e tij penale, si dhe informatave të tjera që mblodha, duke vënë në lëvizje menjëherë oficerët e Sigurimit që kisha nën vartësi në sektorin tim dhe burimet e tjera ilegale. Pas kësaj arrita të verifikoj dhe të zbuloj plotësisht që disa materiale ishin të rreme, disa të falsifikuara, kurse disa të tjera, ishin nxjerrë nga provokacionet që ishin bërë nga vetë organet e njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Disa muaj më pas nga dita që kishin nisur hetimet, me urdhër të zv/ministrit të Parë të Punëve të Brendshme, unë u caktova si përgjegjës për drejtimin e hetuesisë së gjithë atij grupi. Kjo gjë më dha mundësinë që t’i shikoja të gjitha materialet e grumbulluara (legale dhe ilegale) për secilin të arrestuar, sepse më përpara hetuesia ishte sekrete dhe asnjë hetues nuk mund të merrte pjesë në hetimet e hetuesit tjetër. Si përgjegjës, kontaktova me të gjithë të arrestuarit dhe të pestë më thonin se ishin të pafajshëm. Pasi bëra të gjitha verifikimet e të arrestuarve, ashtu dhe të bashkëpunëtorëve që kishin informuar ilegalisht, më rezultoi se të pesë personat e arrestuar, ishin të ndershëm dhe familjarë të rregullt, kurse bashkëpunëtorët e Sigurimit që i kishin denoncuar, ishin elementë të degjeneruar, të kompromentuar si spiunë dhe vjedhsa e imoralë. Pasi u sigurova për këto të dhëna, unë vendosa që të dalë hapur në mbrojtje të arrestuarve dhe atë gjë e bëra në mbledhjen ballafaquese me udhëheqjen e Degës së Vlorës”, kujtonte Pandeliu, lidhur me vendimin e tij për t’i marrë në mbrojtje pesë të arrestuarit.
Në mbrojtje të arrestuarve
Po si rrodhën ngjarjet më pas me pesë të arrestuarit dhe a mundi Pandeliu që t’i nxirrte ata të pafajshëm? Për këtë, ai kujtonte: “Para se të merrja vendimin për t’i mbrojtur ata, unë u ndodha para dy alternativave: ose të ecja në atë rrugën e gabuar e kriminale që kërkonte udhëheqja e Partisë së Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës dhe ajo e Ministrisë, ku do komprometohesha edhe vetë shumë rëndë, si vegël qorre e servil i ndyrë, ose të veproja me ndershmëri duke i nxjerrë ata të pafajshëm, ashtu siç ishin, nga ku do kisha pasoja, pasi ndonjëri prej tyre nga torturat mund të pranonte akuzat që iu bëheshin dhe më pas do akuzohesha edhe unë si mbrojtës i armiqve, sepse arrestimi i tyre ishte bërë me pëlqimin e udhëheqjes së Degës, Sekretarit të Parë të Vlorës, udhëheqjes së Ministrisë dhe krerëve të lartë të PPSH-së. Po kështu dhe sanksionimi (akuza) i arrestimit të tyre, ishte bërë nga vetë Aranit Çela, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës. Në mbledhjen ballafaquese të Degës, unë argumentova me fakte, duke rrëzuar të gjitha akuzat që ngriheshin ndaj tyre, duke thënë: ‘Nuk është e vërtetë se Hamit Osmani t’i kishte dhënë dinamit personit që thuhej se do e vendoste në urën ku do kalonte shoku Hysni Kapo, sepse me atë person, Hamiti prej vitesh ishte në hasmëri dhe ajo gjë dihej nga të gjithë fshatarët. Nuk është e vërtetë se pushka dhe tre bombat, janë gjetur në oxhakun e shtëpisë së Lamçe Kuqit, sepse ato jo vetëm nuk ishin të tymosura, por ishin dhe të grasatuar, dhe ato aty i kishin futur vetë Sigurimi I Shtetit, pas arrestimit të Lamçes, pasi shtëpia ishte bosh sepse njerëzit e tij nga frika kishin ikur tek të afërmit’. Po kështu unë hodha poshtë dhe të gjitha akuzat e tjera, si: gjetja e radio marrses dhe aparatit fotografik, tentativa e arratisjes, takimi me diversantët, sabotimi i ndërzimit artificial, mos vaditja e bimëve bujqësore, lëshimi i bagëtive etj. Po kështu deklarova se Punëtorin Operativ, Agja Lani, e kisha gjetur vetë në zyrë duke shkruar raportin që ai e paraqiti sikur ia kishte bërë bashkëpunëtori i tij, si dhe denoncova edhe zgjatjen e hetimeve, e cila nga dy muaj që e kishte ligji, vazhdoi për 18 muaj. (me miratimin e Aranit Çelës). Pas kësaj, unë u ndesha nën presionet e shumta të udhëheqjes së Degës, të cilët më kërkonin që atë proces ta drejtoja ashtu siç kërkonin ata, dhe nga kundërshtimet e mija, situata u acarua shumë. Nisur nga kjo, unë e dorëzova dosjen hetimore dhe u spostova fare nga procesi, por edhe pas kësaj, ndaj meje filluan të bëhen provokacione e skenar të ndryshme, gjë e cila më detyroi që t’i nisja një letër ministrit Kadri Hazbiu, duke i kërkuar që të më transferonte nga Vlora, kërkesë të cilën ministria ma aprovoi dhe më transferoi, duke më kthyer në Tiranë si Kryehetues në Drejtorinë e Brendshme”, kujtonte Pandeliu, atë periudhë kur u detyrua që të tërhiqej nga ai proces, si rezultat i presioneve që iu bënë.
Pushkatimi i Punëtorit Operativ
Po si rrodhën ngjarjet pas largimit të Pandeliut, me grupin që akuzohej se kishte dashur t’i bënte atentat Hysni Kapos, duke hedhur me dinamit në erë urën ku do kalonte ai për të shkuar në fshatin tërbaç? Lidhur me këtë, ai dëshmonte: “Hetimet vazhduan përsëri dhe në atë kohë, një vëlla i dy të arrestuarve (Samo Osmani, 35 vjeç dhe i martuar), u gjet i varur me litarin e mushkës në pyll, teksa kishte shkuar për të bluar në mulli. Në Degën e Brendshme të Vlorës, u tha se ai ishte vetëvarur, si armik i vendosur, me qëllim që të mbulonte veprimtarinë armiqësore të dy vëllezërve të tij të arrestuar, por ajo gjë ishte e pabesueshme dhe unë gjithmonë kam dyshuar se atë e kishte vrarë vetë Sigurimi I Shtetit. Aty nga viti 1961, teksa vazhdonin hetimet, njerëzit e Sigurimit vodhën dyqanin e fshatit Gjorëm, (duke marrë 12.000.000 lekë mall) dhe atë gjë ia ngarkuan shitësit, Çarçan Veraj, me qëllim që ta arrestonin dhe atë si pjesëtar të atij grupi. Por fshatarët që e njihnin shitësin e tyre për njeri të ndershëm, të indinjuar u vunë në lëvizje për të kapur vjedhësit dhe e zbuluan mallin e vjedhur si dhe autorët e vërtetë që ishin: një bandë e hajdutësh të vënë nën shërbim të Sigurimit të Shtetit, që përbëhej prej 5-6 vetash, me në krye Punëtorin Operativ, Agjah Lani. Pas kësaj, i gjithë grupi i tyre u arrestua dhe u dënuan nga Gjykata deri në 25 vjet burg, kurse, Punëtori Operativ Agjah Lani, u dënua me vdekje dhe u pushkatua. Por pushkatimi i tij u bë për të mbyllur lidhjet e tij me udhëheqjen e lartë në Tiranë, të cilët e urdhëruan që të inskenonte atë “grup armiqësor”, e përfundonte rrëfimin e tij Pandeli Përmeti, duke shtuar se: edhe pse ata u pushkatuan dhe u liruan të pestë fshatarët e pafajshëm që u akuzuan si terroristë, ndaj shefave kryesorë të Degës së Brendshme të Vlorës, jo vetëm që nuk u muarën masa, por ata u ngritën në detyra, duke u dërguar si Kryetarë Degësh të Brendshme në Peshkopi dhe Skrapar.
Dënimi i familjes së Pandeliut
Po ç’ndodhi më pas me Pandeli Përmetin, pas letrës që ai i bëri Enver Hoxhës në vitin 1967-të kur ishte Kryehetues në Drejtorinë e Tiranës, ku në mes të tjerash ai i denoncoi edhe ngjarjen e Vlorës? Për këtë, ai dëshmonte: Pas asaj letre të gjatë që i bëra Enver Hoxhës, mua më nxorën në lirim dhe me detyrim më dërguan të punoja në Uzinën “Enver”, NSHRAK dhe roje nate në një Ekspozitë, duke më hequr dhe invaliditetin që e kisha si i plagosur në Luftë. Pas kësaj, edhe gruas sime, ish-partizane në Brigadën e Parë, që punonte në Postën Qendrore, i kurdisën një skenar duke i futur në çantë katër çamçakëz dhe pas kësaj e hoqën nga puna duke e akuzuar si hajdute dhe e përjashtuan edhe nga partia. Perskutimi ndaj familjes sime vazhdoi më gjatë me arrestimin e djalit tim, Rolandit, që ishte pilot në Aviacion, të cilin e dënuan me katër vjet e gjysëm burg politik, se gjoja kishte thënë se: makineritë e kinezëve ishin të vjetra dhe nuk bënin’, e përfundon rrëfimin e tij ish-nënkoloneli Pandeli Përmeti, duke shtuar se pas shembjes së regjimit komunist, kur ai filloi të denonconte përsëri krimet e Sigurimit të Shtetit, duke i bërë ato publike në shtyp, atij i vranë djalin tjetër 31 vjeçar./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016