Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
Memorie.al /publikon historinë e rrallë dhe të panjohur të Koçi Xoxes me origjinë nga Kolonja, por i lindur në vitin 1911 në fshatin Negovan të Follorinës në Greqi, ku familja e tyre ishte vendosur për arsye ekonomike, i cili pasi studioi dhe u diplomua në gjimnazin klasik të Selanikut në vitin 1929, ku u njoh për herë të parë me idetë dhe literaturën komuniste e grupet marksiste-leniniste, që vepronin asokohe në Greqi, u kthye në qytetin e Korçës, duke u bërë më pas një nga themeluesit dhe kryetari i parë i Grupit Komunist të Korçës, që në fillimin e viteve ’30-të. Pjesëmarrja e Koçi Xoxes në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, në nëntorin e ’41-it, (ku ai shkoi një ditë me vonesë, për shkak se u mor me organizimin e demonstratës së 7 nëntorit të atij viti në qytetin e Korçës ku mbeti i vrarë i riu komunist, Koci Bako), ku për kontributin e madh në lëvizjen komuniste, u zgjodh në mungesë, si anëtar i Komitetit Qendror provizor, e më pas si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që nga 10 korriku i vitit 1942 në mbledhjen e Labinotit, delegat në Kongresin e Përmetit në 24 maj 1944, ku i’u dha grada gjeneral-major. Karriera brilante e Xoxes menjëherë pas mbarimit të Luftës duke ngjitur shkallët e hierarkisë partiake dhe shtetërore, si sekretar organizativ i Partisë Komuniste Shqiptare, anëtar i Kryesisë së Përgjithshme të Frontit Demokratik të Shqipërisë, deputet i Kuvendit Popullor, ministër i Punëve të Brendshme dhe zv/kryeministër i ‘qeverisë demokratike’, duke qenë figura numër dy e Shqipërisë komuniste, pas gjeneral-kolonel Enver Hoxhës. Fotot e panjohura dhe dëshmitë e rralla të dy djemve të tij, Gencit dhe Fatosit, të cilët për herë të parë hedhin dritë rreth historisë së panjohur të familjes së tyre dhe babait, Koçi Xoxe, marrëdhëniet dhe raportet e tij me Enverin, si dhe arsyet e vërteta të goditjes dhe eliminimit fizik të tij, si dhe fatin tragjik të tyre pas vitit 1949, kur atë e pushkatuan diku në një pyll në periferi të Tiranës, (aty ku është ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”), ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij!
Si u falsifikuan arkivat për Koçi Xoxen?
Pas goditjes dhe eliminimet që Enver Hoxha i bëri rivalit të tij Koçi Xoxe, ai dhe njerëzit e tij nuk harruan që të ngrinin një aureolë të zezë për të, duke i ngarkuar atij të gjitha krimet që ishin kryer pas përfundimit të Luftës, e deri në nëntorin e vitit 1948, kur ai u arrestua. Kështu në një dokument arkivor të ish Sigurimit të Shtetit të gjetur pas viteve ‘90-të, i cili titullohet “Relacion mbi terrorin dhe persekutimet në Kosovë” (që mban datën 19.X.1950), midis të tjerash thuhet: “E frymëzuar nga ndjenjat nacionaliste dhe shoviniste, qeveria jugosllave ka terrorizuar dhe terrorizon në mënyrën më barbare pakicat nacionale dhe veçanërisht popullsinë shqiptare të Kosovës e Metohisë, të përbërë prej rreth 100.000 shqiptarësh. Popullsia shqiptare është masakruar me metoda shumë më të egra dhe barbare, se ato të përdorura nga kralët e Serbisë dhe nga gestapoja hitleriane. Me mijra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar ilegalisht në masë nga organet e UDB-së, si gjatë luftës ashtu dhe mbas luftës. Në këto masakra ka marrë pjesë agjenti i jugosllavëve në gjirin e qeverisë shqiptare, tradhtari Koçi Xoxe, i cili në cilësinë e tij si ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, në fillimin e vitit 1945, autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm, duke qenë se qeveria jugosllave, kishte frikë nga patriotizmi dhe shpirti luftarak i popullit shqiptar të Kosovës”. Po si qëndron e vërteta rreth këtij relacioni që jepet në këtë dokument të ish Sigurimit të Shtetit, i cili daton 19 shtatorin e vitit 1950-të. Siç shihet dhe nga data kur është përpiluar ai, që korrespondon pak muaj pas goditjes dhe pushkatimit të Xoxes, kemi të bëjmë me periudhën kur fushata për denigrimin e figurës së tij, ka qenë në kulmin e saj. Në këtë kontekst, është dhe ky relacion që akuzon Koçi Xoxen, se ai në fillimin e vitit 1945, kur ka qenë në postin e Ministrit të Brendshëm, ka marrë pjesë dhe ka urdhëruar për pushkatimin e më shumë se 1000 kosovarëve nga ana e UDB-së. Pushkatimi i këtyre kosovarëve është më se i vërtetë dhe bëhet fjalë për atë që tashmë në histori njihet si ‘Masakra e Tivarit’, kur UDB-ja pushkatoi më shumë se 1.500 kosovarë, të cilët i kaloi nga Kosova nëpër Shqipëri dhe i masakroi ata në Tivar. Por ajo që nuk është e vërtetë në këtë dokument të Sigurimit të Shtetit, është se në atë kohë kur ka ndodhur kjo ngjarje, aty nga muaji shkurt i vitit 1945, në postin e Ministrit të Brendshëm nuk ka qenë Koçi Xoxe, por kolonel Haxhi Lleshi. Lidhur me këtë ngjarje, është prononcuar vetë ish presidenti i Shqipërisë Haxhi Lleshi, në një intervistë të dhënë në TV Arbëria (autorit të këtij shkrimi), pak muaj para se të ndërronte jetë, ku është shprehur: “Kur ka ndodhur masakra e Tivarit, unë kam qenë në postin e Ministrit të Brendshëm dhe pas asaj ngjarje unë kam njoftuar Enver Hoxhën, i cili u mërzit shumë nga kjo gjë. Ne nuk është se u dhamë leje jugosllavëve që të bënin atë veprim që bënë. Por asokohe kufiri ishte i hapur dhe ne nuk mund t’i ndalonim dot ata që të kalonin nga Kosova nëpërmjet territorit shqiptar për në Tivar. Ne nuk kishim se çfarë të bënim për këtë gjë, se luftë Serbisë nuk i hapnim dot”. Jo vetëm nga sa thuhet më lart në dëshminë e Haxhi Lleshit, por dhe nga dokumentet arkivore, është më se e vërtetë se në atë periudhë kur ka ndodhur ‘Masakra e Tivarit’, nuk ka qenë Koçi Xoxe në postin e Ministrit të Brendshëm, por Haxhi Lleshi. Po kështu është e vërtetë se në atë kohë, Koçi Xoxe ka qenë Drejtor i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme, por në lidhje me atë ngjarje, ai nuk kishte as njëlloj kompetence që të dilte mbi Ministrin e Brendshëm, qoftë ai dhe një kukull. Edhe po ta marrim të mirë qenë se Koçi Xoxe paska bashkëpunuar me jugosllavët për pushkatimin e 1000 kosovarëve, përse ajo gjë nuk u ngrit ato tre vjet që Koçi Xoxe ishte në funksionet e larta, por pas pushkatimit të tij?! Personat që e kanë hartuar atë relacion të Sigurimit të Shtetit, nuk është se nuk e kanë ditur që në atë periudhë Xoxe nuk ka qenë ministër, sikurse thuhet në relacion,, por ajo është bërë me qëllim të qartë, që: çdo krim i ndodhur në atë periudhë, t’i faturohej Koçi Xoxes. Dhe Enver Hoxha i’a arriti më së miri asaj, duke bërë që deri në shembjen e regjimit komunist në fundin e vitit 1990-të, emri dhe figura e tij, identifikohej si një nga kriminelët më të mëdhenj që kishte pasur Shqipëria në të gjithë historinë e saj!
Si u trajtua familja Xoxe, pas pushkatimit të Koçit?
Po si u trajtua familja e Koçit mbas pushkatimit të tij? Lidhur me këtë, Fatosi djali i tretë i familjes Xoxe, na dëshmonte: “Pas pushkatimit të babait, e gjitha barra e familjes i ra gjyshit tonë Dhimitrit, ose Barbas, siç e thërritnim ne. Ai nuk u tremb asnjëherë nga gjendja në të cilën u ndodh familja jonë pas pushkatimit të babait. Ai punonte si mjeshtër llamarinist dhe krahas asaj pune që bënte për të na mbajtur dhe ushqyer ne gjashtë fëmijëve, e plot telasheve të tjera që kishte familja, ai nuk pushoi së kërkuari varrin e djalit të tij dhe babait tonë. Gjyshi Dhimitri, që nga koha që pushkatuan babanë, e deri sa vdiq në tetorin e vitit 1971, (në moshën 88 vjeçare), nuk pushoi së kërkuari vend-varrimin e të birit. Ai nuk la njeri pa pyetur rreth kësaj, por nuk arriti asnjëherë që të merrte një përgjigje të saktë. Ai ndërroj dhe vendin e punës e shkoi për të punuar në Kombinatin “Josif Pashko”, që të kishte afër Bregun e Lumit, ku zakonisht ishin kryer pushkatimet e kundërshtarëve politik të Enver Hoxhës, apo “armiqve të popullit” siç thuhej në atë kohë. Barba Dhimitri, shpesh nxehej dhe thoshte: Çfarë shteti është ky që nuk u jep as varr shtetasve të vet dhe trembet edhe nga të vdekurit?! Ndonëse gjyshi u lodh dhe u sfilit së kërkuari për varrin e të birit, ai e mbajti porosinë e babait, që i kishte thënë kur e takuam për herë të fundit, që gjyshi të mos i shkonte asnjeri për t’ju lutur për të. Kështu gjyshi nuk ju drejtua kurrë njerëzve që kishte njohur dikur në “Bllok”, as dhe babait të Enver Hoxhës, të cilin e kishte shumë mik”, kujtonte Fatosi, djali i tretë i Koçit, lidhur me përpjekjet e gjyshit, Dhimitrit, për të gjetur eshtrat e djali të tij.
Burgosja e djalit të Koçit, Besnikut dhe largimi i familjes nga Tirana!
Edhe pse pas vitit 1949, Koçi Xoxe konsiderohej si “agjent i jugosllavëve” dhe një nga “kriminelët e armiqtë e popullit” më të mëdhenj që kishte pasur ndonjëherë Shqipëria, çuditërisht, Enver Hoxha nuk ja hoqi familjen nga Tirana, për t’ja internuar, ashtu siç kishte bërë pothuaj me të gjitha familjet e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë në udhëheqjen e lartë, të cilët i kishte burgosur apo pushkatuar! Sikur të ishte penduar që nuk e kishte bërë atë gjë dhe me familjen e Koçi Xoxes, në vitin 1975, pas dënimit me 9 vjet burg politik të Besnikut, djalit të vogël të Koçit, Enveri e hoqi familjen Xoxe nga Tirana. Djemtë e Koçit, ngulmojnë se largimi i tyre nga Tirana për në internim, nuk mund të bëhej kurrsesi pa urdhrin apo dijeninë e Enver Hoxhës, sepse duke u lënë për një kohë të gjatë në Tiranë, ata nuk mund t’ i hiqte më njeri pa lejen e tij. Lidhur me burgosjen e vëllait, Besnikut dhe internimin e familjes së tyre, Fatos Xoxe, na tregonte: “Gjyshi, Dhimitri, vdiq në vitin 1971 dhe ai nuk i pa tmerret tona të internimit që na erdhën pas arrestimit dhe burgosjes së vëllait të vogël, Besnikut, në vitin 1975. Deri në 29 tetorin e vitit 1975, ne si familje na lanë për të banuar në Tiranë, të gjithëve së bashku. Disa ditë më përpara, më 17 tetor, arrestuan vëllanë Besnikun, i cili kishte mbaruar gjimnazin dhe punonte si mekanik. Pas një gjyqi të montuar atë e dënuan me 9 vjet burg politik, për gjoja agjitacion e propagandë. Pas dënimit të Besnikut, ne familjarisht na dërguan në internim në fshatin Kryevidh të Kavajës. Atje të gjithë punonim në punët e bujqësisë, në kooperativën bujqësore dhe fshatarët e asaj zone, na shihnin me një keqardhje të madhe dhe silleshin shumë mirë me ne. Ata bënin çmos që të na na ndihmonin. Në fshatin Patok të Krye vidhit ku qëndruam plot dhjetë vjet, kishim një shtëpi të vogël fshati me dy dhoma e një kuzhinë, e një kopsht të vogël përpara. Por nuk ishte e thënë që edhe aty në atë fshat të na linin të qetë, sepse në vitin 1985, na hoqën që andej dhe na dërguan në Selenicë të Vlorës. Atje qëndruam për shtatë vjet me radhë, ku ne tre vëllezërit Genci, Çlirimi dhe unë, punonim në minierë. Nga Selenica kemi mundur të shpërngulemi vetëm në shtatorin e vitit 1992, kur mbaroi internimin. Kur erdhëm në Tiranë, me urdhër të Bashkisë, na dhanë një dhomë 5 me 4 (20 metra katrorë), tek Qyteti i Nxënësve, (ku ka banuar nëna jonë deri pas vitit 2000 dhe zyrtarisht ajo banesa është e jona), sepse nga shteti, nuk na është dhënë asnjë dhomë tjetër banimi”, përfundonte dëshminë e tij Fatos Xoxe, djali i ish-gjeneral-leitnant Koçi Xoxes, “Hero i Popullit”, ish-anëtarit të Byrosë Politike, Sekretarit Organizativ të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, zv/kryeministrit, Ministrit të Brendshëm dhe deputetit të Kuvendit Popullor, i cili u pushkatua natën e 10 korrikut të vitit 1949, diku në një pyll në periferi të Tiranës së asaj kohe (aty ku sot ndodhet godina qendrore e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”), pasi ishte shkarkuar nga të gjitha funksionet zyrtare partiake dhe shtetërore, pas një konflikti me Enver Hoxhën, i cili e kishte zanafillën në përplasjen e madhe në mes padronëve të tyre, Stalinit dhe Titos. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016