Dashnor Kaloçi
Pjesa e nëntë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj. Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernst Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.
Dokumenti “Tepër sekret” me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 12 shtator 1983, ku diskutua: “Mbi përfundimin e gjyqit kundër tradhtarëve, komplotistëve, e puçistëve, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj. Si dhe për njoftimin që u duhet bërë organizatave të Partisë, mbi to”.
TAKIM DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË MË 12 SHTATOR 1983
Tepër Sekret
Në këtë takim, marrin pjesë dhe Sekretarët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Ramiz Alia, Lenka Çuko, dhe Vangjel Çërrava, si dhe shokët Muho Asllani, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, e Pali Miska, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Elbasanit, ku u shtrua problemi:
Mbi përfundimin e gjyqit kundër tradhtarëve, komplotistëve, e puçistëve, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj. Si dhe për njoftimin që u duhet bërë organizatave të Partisë, mbi to.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, kështu i kishte thënë. Edhe ai, ia tha në sy aty. “Ç’është kjo” i kishte thënë. “Atëherë qërohu nga kjo punë se, s’do të shkojmë më andej, shko në punë tjetër”. Pas kësaj i kishte dhënë një pusullë, dhe e kishte dërguar tek Maqo Çomoja. (Qeshin)
“Vajta, – theksoi dëshmitari, – te Maqo Çomoja në Ministrinë e Bujqësisë dhe ai më dërgoi që të punoj në Ndërmarrjen Bujqësore të Roskovecit”. Kryetari i Gjykatës, i tha Kadriut: “Ke ndonjë pyetje për ti bërë dëshmitarit”?! “Kam tha”, dhe doli. “Ky tha se kur shkoi njëherë andej, bashkë me të i kishin dhënë një njeri që ishte i dyshimtë, etj., etj. Nga e di dëshmitari se ai ishte i dyshimtë”?!
E shikoni, armiku Kadri Hazbiu, nuk e preku fare çështjen e takimit të tij me njeriun e Rankoviçit, se kjo nuk i interesonte, se ajo ishte pikë e dobët. Taktika e tij ishte që t’i ngatërronte dëshmitarët. Ai priste që, Halit Kaçanolli të thoshte se; kam dëgjuar se ai ishte njeri i dyshimtë dhe Kadriu ta kishte të lehtë të ndërhynte: “Shiko, ky flet këtu me të dëgjuara”.
Prandaj jo pa qëllim ai i tha dëshmitarit: “Ku e di ti që ishte kështu”?! Kur i tha kështu, ai ju përgjigj: “E di se ai është kosovar, ashtu si dhe unë, dhe gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, kur unë luftoja me armë në dorë ai, ishte bashkëpunëtor me okupatorin. Pas luftës ai u shpall kulak, por këta tradhtarët e morën”.
Në këtë moment, foli armiku Kadri Hazbiu: “Mos shaj, mbaje gojën”. Po edhe Haliti ama, i tha: “Çfarë goje të mbaj more, ti je tradhtar, ti je spiun”. Dhe në atë moment hapi gjoksin, dhe tregoi vendet e plagëve duke i thënë në sy: “Këto plagë, i kam nga tradhtia jote, pasi unë këtë tradhti e kam paguar me gjak”.
Kadriu, nuk ishte më në gjendje që të thoshte asnjë fjalë apo, të protestonte ndaj Halitit, por tha vetëm kaq: “Ç’ti bëj gjykatës këtu, pa për mua, unë do të kapja dhe do ta këpusja kokën si të zogut”. (Qeshin).
Me këto që thashë, e pata fjalën që ai nuk pati se çfarë të bënte vetëm se u mundua që të kapej pas disa gjërave jo të rëndësishme. Por edhe ato, nuk i ecën. Me një fjalë aty, doli në shesh se çfarë komplotistësh, puçistësh, e terroristësh, kemi pasur afër.
SHOKU PALI MISKA: Ata u fshehën për një kohë të gjatë, 40 e ca vjet.
SHOKU RAMIZ ALIA: Të tërë këta armiq, siç doli dhe nga gjyqi, që në kohën e Koci Xoxes, kanë qenë njerëz të jugosllavëve dhe të sovjetikëve, të lidhur me njëri tjetrin që Mehmet Shehu i kishte grumbulluar pranë vetes, dhe që punonin në mënyrë sistematike kundër Partisë dhe shokut Enver. Ata përpiqeshin që të gjenin rastin dhe të sulmonin. Në gjyq doli qartë dhe atentati ndaj shokut Enver.
SHOKU PALI MISKA: Lëre, ajo pikë ishte kulmi i poshtërsisë së tyre.
SHOKU RAMIZ ALIA: Të rrëqethej mishi, kur dëgjoje cinizmin me të cilin flisnin ata, kur tregonin mënyrën sesi do ta bënin, kohën kur do ta bënin, etj. Të tërë pjesëtarët e kësaj organizate kundërrevolucionare, kanë qenë në dijeni të atentatit. Gjatë gjyqit, u nxor si dëshmitar dhe Halit Bajrami, ai banditi që u kap me bandën e Xhevdet Mustafës.
I doli në gjyq Kadri Hazbiu, dhe midis të tjerave i tha: “Banda jonë u nis me ngut, sepse, siç na tha sekretari i ambasadës jugosllave në Romë, shokët tanë në Shqipëri me në krye Kadri Hazbiun, janë në rrezik. Përpara se të niseshim, ata më pyetën nëse e njihja Kadri Hazbiun?!
Po, ju thashë, e njoh. Do të shkosh atje ta takosh, dhe do t’i thuash që në përbërjen e bandës së Xhevdet Mustafës, ky i fundit, do të jetë atentatori i Enver Hoxhës. Kadri Hazbiu, do të bëjë koordinimin e veprimeve të bandës, me puçin ushtarak. Ju, më porositën jugosllavët, do të dëgjoni Kadriun, dhe kur të thotë ai që të bëhet, do të bëhet.
Kadriu, do të caktojë vendin dhe kohën, kur Xhevdet Mustafa do të vrasë Enver Hoxhën. Lidhjet mes bandës, dhe Kadri Hazbiut, do t’i mbash ti, thanë ata. Banda, nuk duhet të bëjë asnjë veprim, pa u koordinuar me pucin ushtarak të Kadri Hazbiut. Ata na porositën që të nisemi urgjent, se situata atje është vështirësuar”.
Këto, i tha Halit Bajrami në gjyq, Kadri Hazbiut. Ju, e keni parasysh që me të vërtetë, në atë kohë përpara se të vinte banda, në Byronë Politike ne i kërkuam llogari Kadriut.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Letrën për të cilën, jeni në dijeni të tërë dhe të gjithë veprimet e tjera, ai i kishte bërë që në atë kohë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Letrën ai, e kishte bërë që atëherë, por në ato ujra ishte se filloi të lëvizte që më përpara, që në Shtator kur filluan ti dalin fjalët. Domethënë vetë Kadriu, i ka lajmëruar jugosllavët që të shpejtonin dërgimin e bandës, se po i mbështillej laku. Kryetari i trupit gjykues, i tha Kadriut: “Ke ndonjë pyetje për t’i bërë dëshmitarit”?! “Po kam – tha, dhe e pyeti, – kur të kapën a të rrahu njeri ty”?!
SHOKËT: Çfarë pyetje?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Përsëri ai donte të kapej pas ndonjë gjëje, që ta nxirrte dëshmitarin gënjeshtar. Përse e bëri këtë pyetje armiku Kadri Hazbiu?! Ai e bëri këtë pyetje, pasi e dinte se, kur e kapën Halit Bajramin, dikush i’a këputi një grusht të fortë dhe duke e bërë pyetjen ai, kujtoi se ky do ta mohonte. Dhe me këtë rast ky, do të përfitonte nga rasti e do të thoshte: “E shikoni, ky, siç gënjeu për këtë, do ju gënjejë dhe për të tjerat”.
SHOKU PALI MISKA: Posi, posi, prandaj i bënte ai këto pyetje.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirëpo banditi Halit Bajrami, ishte siç thotë populli, “i hurit e i litarit”. “Në momentin kur më kapën mua, theksoi ai, ishin vrarë 6 veta pasi atje ishte bërë një betejë. Në këtë situatë ishte e kuptueshme, që jo vetëm të më binin, por të ma këpusnin mishin copa copa, këtë e kisha merituar”.
Kadriu vetë, e mbylli gojën sepse provat që u dëgjuan ja hoqën të tëra argumentet që donte të paraqiste, dhe taktika që donte të ndiqte nuk pati sukses. Gjyqi, siç e dini, përfundoi me sukses dhe ata të katër, i bënë lutje Presidiumit të Kuvendit Popullor.
SHOKU PALI MISKA: Edepsëzët, të katër i bënë lutje Presidiumit të Kuvendit Popullor.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, të katërt kërkuan që t’ju falej jeta. Kadriu, në lutjen e tij thoshte: “Kërkoj falje nga Presidiumi i lartë”. Presidiumi, natyrisht ua refuzoi faljen ndërsa, organet përkatëse, zbatuan vendimin e gjykatës. Gjyqi tregoi sesa armiq të egër kishin qenë. Por në fund, ua morën të keqen Partisë dhe shokut Enver. Vonë, vonë, por shkuan aty ku e kishin vendin.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Nuk i hodhën dot “hi syve”, Partisë.
SHOKU PALI MISKA: Kjo, ishte një nga fitoret më të shkëlqyera të Partisë.
SHOKU RAMIZ ALIA: E rëndësishme është që, sado këta armiq kanë zhvilluar një veprimtari kaq të gjatë e kaq të egër, vijën e Partisë, nuk mundën dot ta ndryshojnë për asnjë moment. Kanë bërë përpjekje e tentativa, me siguri që edhe kanë sabotuar, por vijën e Partisë, nuk mundën ta ndryshojnë dot.
SHOKU PALI MISKA: Atje ku kanë mundur, dhe kanë dëmtuar.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ku kanë mundur, kanë dëmtuar, por vijën e Partisë nuk arritën ta ndryshojnë dot. Ata, nuk mundën të dalin kundër Partisë. Dhe kjo padyshim, i dedikohet forcës dhe unitetit të saj, dhe rolit të shokut Enver në udhëheqjen e Partisë. Po të dilnin kundër vijës së Partisë ata, do ishin demaskuar me kohë.
SHOKU PALI MISKA: Armiqtë, populli ynë kurdoherë i ka urryer, por këta i urren në kulm.
SHOKU VANGJEL ÇËRRAVA: Këta, janë armiq të shkallës më të lartë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Spiunë e tradhtarë, ku të shkojë më.
SHOKU PALI MISKA: Spiunë klasikë.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Spiunë të Partisë dhe të Popullit tonë.
SHOKU MUHO ASLLANI: Mihallaq Ziçishtin, të them të drejtën po ta çojmë në Durrës, e rrjepin dhe e shqyejnë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Në gjyq, Mihallaq Ziçishti tha: “Të flas hapur se, si u bëra spiun”!
SHOKU PALI MISKA: Dhe Partia, e kishte zgjedhur anëtar të Komitetit Qendror.
SHOKU RAMIZ ALIA: Tani gjykimin kundër kësaj bande të fëlliqur, t’ja bëjmë të ditur edhe popullit, dhe nga kjo të nxjerrim mësime të gjithë. Edhe ne, të nxjerrim mësime.
SHOKU PALI MISKA: Të rritet vigjilenca.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, kjo do ti shërbejë veçanërisht rritjes së vigjilencës, se armiqtë veprojnë në mënyra shumë të egra.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Ata tërë jetën, kanë punuar si armiq. U çudit Kadri Hazbiu, sesi u gjend në kasafortën e Mehmet Shehut, ky program. Ai sigurisht që ishte me kohë, në dijeni për të.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ishte në dijeni që ç’ke me të.
SHOKU PALI MISKA: Po, sa i poshtër.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, tani del se të famshmin program social-demokrat, e kishte punuar Mehmet Shehu, bashkë me Kadri Hazbiun. (Qesh)
SHOQJA LENKA ÇUKO: Ata e kishin diskutuar së bashku, që në vitin 1943, tha armiku Kadri Hazbiu.
SHOKU RAMIZ ALIA: Në kohën e ngjarjeve të Kosovës në vitin 1981, kur prej tyre po përgatitej ky komplot kaq i rrezikshëm kundër Partisë, dhe shokut Enver, Kadri Hazbiu kishte thirrur oficerin e poli agjentit Mehmet Shehu, armikun Ali Çeno dhe i kishte thënë: “I dëgjon ngjarjet që po bëhen në Kosovë”?!
“Po, – i kishte thënë Aliu, – i kam marrë vesh”. “Ato që po bëhen atje, mund të ndodhin dhe këtu tek ne, prandaj ti, duke qenë se je pranë Mehmet Shehut, duhet të kujdesesh që asnjë qime të mos i bjeri mbi jakë atij. Je përgjegjës, përpara Partisë”.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Kaq i poshtër ishte Mehmet Shehu, saqë ai fliste keq dhe për Ali Çenon. Njëherë madje e thirri, dhe i tha se; do ta pushonte nga puna. Tani po del qartë, se ai e paska bërë këtë sa për sy e faqe.
SHOKU PALI MISKA: Kur Mehmet Shehu vrau veten, Kadri Hazbiu mendoi se, e “kapërceu lumin”.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kadri Hazbiu, me siguri ka ndikuar që armiku Mehmet Shehu, të vrasë veten. Atë natë pas mbledhjes së Byrosë Politike, Kadri Hazbiu ka shkuar tek shtëpia e Mehmet Shehut dhe i ka thënë: “Tu zbuluan petët e lakrorit. Kam urdhër që nesër të të arrestoj. Prandaj si do të bësh, do të vish nesër në mbledhje dhe unë të të vë prangat, se unë këtë jam i detyruar të bëj. Apo do të gjesh rrugë tjetër”?!
Dhe Mehmet Shehut, i lindi ideja të bënte atë gjë që bëri, vite më parë Nako Spiru.
SHOKU PALI MISKA: Po, po, ai e ka bërë këtë punë.
SHOKU RAMIZ ALIA: E ka bërë me siguri. Këtë e pohoi dhe Fiqretja në gjyq.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Ajo tha se kur erdhi në shtëpi Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu u zverdh e u shqetësua.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, Mehmet Shehu u shqetësua patjetër. Madje, që kur i tha shoku Enver në mbledhjen e Byrosë Politike, për alibinë, Kadri Hazbiu e dinte që shoku Enver kishte dokumenta për Mehmetin.
SHOKU PALI MISKA: Po, po, dinte.
SHOKU RAMIZ ALIA: Dhe kur shoku Enver përmendi alibinë, Kadriut menjëherë ju kujtua dhe mendonte se shoku Enver, menjëherë do t’i shtronte ato të nesërmen, në mbledhjen e Byrosë Politike.
SHOKU PALI MISKA: Prandaj ai, e përdori këtë mekanizëm. Mos ka pasur Mehmeti dyshime tek Kadriu?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po. Fiqretja, tha se, kur u bë fejesa e djalit të tyre Skënderit, Kadriu filloi të mbajë distancë nga Mehmeti dhe Mehmeti shpesh here, më thoshte: “Ah ky judë, ky më tradhtoi, dhe po kërkon që të më zërë vendin”.
SHOKU PALI MISKA: Po kjo është logjike. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016