Pjesa e katërmbëdhjetë
Memorie.al / Aktivitetet e CIA në Shqipëri për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës kanë sjellë përplasje të SHBA-së dhe me shtet e tjera. Dihet se ka pasur shumë fërkime me britanikët, teksa në një dokument të de klasifikuar tregohet për përplasje edhe me Italinë. Sipas dokumentit, italianët kanë tentuar të ndërhyjnë në Komitetin për “Shqipërinë e Lirë”. Po ashtu përplasje ka pasur dhe me Britaninë, e cila zhvillonte operacione paralele.
Kriptonimi i projektit “OBOPUS”
Objektivi: Projekti “OBLIVIOUS” ka si qëllim ruajtjen e Komitetit Kombëtar të “Shqipërisë së Lirë”, si një mjet i deklaruar për aktivitetet ushtarake dhe propagandistike të CIA kundër regjimit në Shqipëri.
Origjina: Linjat kryesore të projektit “BGFIEND” i aprovuar në 22 qershor 1949 nga ADPC. Plani territorial për Shqipërinë. Plani i përket operacioneve të luftës politike dhe vjen nga selia kryesore e CIA-s.
Situata
Që prej vitit 1948 kur regjimi i Titos u prish me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria është izoluar nga kontakti tokësor me vendet satelite sovjetike. Kjo, përveç terrenit të ashpër të vetë vendit dhe traditave të vjetra klandestine të shqiptarëve, veçanërisht në zonat tribale të Veriut, duken se e bëjnë Shqipërinë një objektiv premtues për operacione klandestine, me objektiv përmbysjen e regjimit aktual komunist.
Prezenca e një numri t madh refugjatësh shqiptarë në Evropë, sugjeron zhvillimin e një qendre politike jashtë Shqipërisë, të përbërë nga përfaqësues të elementëve anti-totalitarë dhe miqësorë ndaj politikave të SHBA-së për Ballkanin, që mund të shërbejnë si një pikënisje për elementët anti-komunistë brenda Shqipërisë.
Shërbimet e inteligjencës amerikane dhe britanike në verën e vitit 1949, ishin përgjegjës për formimin e Komitetit Kombëtar të “Shqipërisë së Lirë” (NCFA), që është një qendër politike e përfaqësuesve të refugjatëve demokratikë shqiptarë, dhe që mund të shërbejë si një mbulim për operacionet e fshehta në Shqipëri. Dhe prej atëherë operacionet e degëve politike dhe ushtarake janë kryer në emrin e NCFA.
Propozimi
NCFA është një grupim përfaqësues i refugjatëve shqiptarë që vepron si pikë fokusimi për ata që janë të interesuar përfundimisht për çlirimin e Shqipërisë. Grupimi vepron si një mbulim zyrtar për aktivitetet jozyrtare të CIA-s dhe shërben si një vegël për denoncimin publik të çështjes së shqiptarëve të robëruar në Shqipëri. Ai kontrollohet nga CIA dhe shërbimet britanike të MI6. Krerëve të NCFA u është bërë e qartë, se në asnjë rast nuk konsiderohen si “Qeveria në ekzil” e Shqipërisë.
Detyra dhe propozime
Botimi i gazetës “Shqipëria” në gjuhën shqipe, dhe përdorimi i përmbajtjes së saj kryesore për broshurat e propagandës së lëshuar nga ajri në Shqipëri. Botimi në kohën e duhur të njoftimeve periodike mbi Shqipërinë, i publikuar në anglisht, frëngjisht e italisht, i shpërndarë në agjencitë kryesore të shtypit perëndimor.
(Përgatitja e përmbajtjes së botimit Shqipëria është kryer sipas projektit “OBTUSE”, i ci li mbështetet dhe asistohet nga “OBLIVIOUS”) Përgatitja e teksteve të broshurave të propagandës dhe shkrimet e transmetimeve klandestine në radio. Operacioni i “letrave helmuese” me postë, kundër liderëve të lartë të regjimit komunist në Shqipëri.
Monitorimi i Radio-Tiranës, monitorim i shtypit botëror për lajme mbi Shqipërinë, që mund të përdoren në programin tonë të propagandës. Lidhjet me grupet e emigrantëve, veçanërisht me ato që bëjnë pjesë në Komitetin Kombëtar të “Shqipërisë së Lirë”.
Personeli
Një oficer i selisë kryesore do të mbajë lidhje me selinë kryesore të NCFA në Nju Jork. Të gjitha lidhjet e tjera të mbahen nga grupi i Shqipërisë së CIA, përveç kontakteve me agjentin e publikimit të Shqipëria në Romë, i cili do të lidhet me një oficer të SE.
Grupet dhe liderët vendas
NCFA është i përbërë nga përfaqësues të grupeve kryesore politike të Shqipërisë si dhe nga të pavarur. Komiteti ekzekutiv i saj përbëhet nga liderë të të gjitha grupeve, pas riorganizimit të tij në dhjetor 1953, ku u përfshinë dhe elementë që më parë nuk përfaqësoheshin.
Grupet e shënjestruar
Grupi i shënjestruar është populli shqiptar, në sensin që të gjithë përpjekjet e NCFA kanë si qëllim krijimin e një atmosfere rezistence kundër regjimit dhe përfundimisht çlirimin e popullit prej tij. Qeveria komuniste e Shqipërisë të bëhet objektiv i talljeve dhe i tentativave për dezertim.
Kohë-zgjatja
Projekti “OBLIVIOUS” do të ketë kohëzgjatje të pacaktuar, dhe përfundimi i tij do të varet nga suksesi në objektivat e tij të përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri apo të vendosjes së një regjimi tjetër, miqësor ndaj Perëndimit.
Siguria
NCFA do të jetë organizata zyrtare që do të përdoret si mbulim për operacionet klandestine të kryera në emër të saj. Dijenia për aktivitetet: Anëtarët e NCFA janë të vetëdijshëm për mbështetjen zyrtare dhe interesin e SHBA-ës. Dega britanike e shërbimeve është përfshirë gjithashtu në krijimin dhe funksionimin e komitetit, ndërsa qeveria greke është në dijeni të operacioneve të kryera nga Greqia kundër regjimit në Shqipëri, në emër të NCFA.
Siguria e operacioneve: Oficerë të rëndësishëm amerikanë që punojnë me shqiptarët, përdorin pseudonime. Megjithëse Italia është vënë në dijeni nga Departamenti i Shtetit, se SHBA-ës mbështet qëllimet e NCFA, nuk është informuar tërësisht për mbështetjen dhe ndihmën tonë financiare. Gazeta dhe buletinet e lajmeve publikohen haptazi nga NCFA, kurse materialet për lëshime nga ajri në Shqipëri, shtypen në Frankfurt në vende të sigurta.
Aktivitetet klandestine të kryera në emër të NCFA nga Greqia, bëhen me dijeninë e palës greke dhe asistencën e tyre. Shqetësimi parësor i sigurisë është që mbështetja e qeverisë amerikane për NCFA, të mos bëhet objekt i provuar me dokumente përpara enteve të rëndësishme si OKB-ja, apo organizata të tjera ndërkombëtare dhe artikujsh turpërues në gazeta e media. Metodat aktuale të fragmentimit të operacioneve, besohet të reduktojnë rrezikun e këtij skenari në minimum.
Risqet
Ekspozimi ndaj OKB-së apo grupeve të tjera ndërkombëtare i mbështetjes për NCFA nga agjenci shtetërore amerikane, do të turpëronte qeverinë amerikane. Por për operacionet është ruajtur masa e distancimit dhe mospranimit të përgjegjësisë.
Personali ne dispozicion
Mbyllja e projektit do të sillte një problem për angazhimin e personelit të NCFA dhe tentativa të rivendosjes së tyre duhet të kryhen. Plani i katastrofës: Personeli i rëndësishëm i NCFA, përfshihet në planet e katastrofës / evakuimit drejt Italisë, apo vendeve të tjera në Mesdhe, por jo drejt Shteteve të Bashkuara.
Koordinimi
Projekti OBLIVIOUS përfshihet në programin për vendin e Shqipërisë dhe lidhet drejtpërdrejt me projekte të tjera kundër Shqipërisë. OBLIVIOUS është pjesë integrale e programit për vendin e Shqipërisë. Zyrtarët… mbahen të informuar për aktivitetet e NCFA dhe japin udhëzimet e tyre.
Drejtimet politike të programit jepen nga Departamenti i Shtetit. Propaganda e programit aprovohet në mënyrë të përbashkët nga përfaqësuesit amerikanë dhe britanikë. Ministria e jashtme britanike konsultohet për politikat me Departamentin e Shtetit.
Korrik 1953
Lufta psikologjike
Rinisja e lëshimit të artikujve ushqimorë në vendet satelite për qëllime propaganda. Pas ndërprerjes së lëshimit të sendeve ushqimore për arsye të propagandës anti-amerikane për luftë bakterilogjike, lëshimet e reja janë pritur me sukses nga popullata dhe efekti i fushatës komuniste ka qenë i vogël. \
Lëshimet e reja janë shoqëruar me mesazhin e ofertës së Komitetit Kombëtar të “Shqipërisë së Lirë” (NCFA) për liderin komunist Enver Hoxha, ku ofrohet ndihmë humanitare për popullin në një kohë vështirësish të mëdha, e cila u refuzua. Aktualisht kemi rezerva të bollshme artikujsh për lëshime si dhe një numër të madh parashutash jo të kushtueshme për operacionet.
Eksperienca jonë tregon se lëshimet ushqimore bëhen relativisht me lehtësi, teksa fushata armike e luftës bakteriologjike e vitit të kaluar e ka humbur efektin. Sido që të jetë duhet bërë kujdes që lëshimet të mos përfundojnë në duar të komunistëve.
Memorandumi tregon se britanikët, me të cilët ne koordinojmë shumë operacione, kanë një numër t madh artikujsh në ambalazh plastik, që duhet të hidheshin që prej fillimit të vitit 1953, për llogari të NCFA. Megjithëse britanikët besojnë në efektin psikologjik të lëshimit të sendeve ushqimore, ata iu bindën ndalimin të veprimin nga CIA, teksa rregullisht janë interesuar për rinisjen e tyre.
Sipas situatës në shumicën e vendeve satelite sovjetike, besohet se është momenti i përshtatshëm rinisjen e lëshimeve të propagandës, kryesisht me sende ushqimore dhe disa sende përdorimi shtëpiak, të cilat plotësojnë fushatën e fundit të suksesshme të broshurave anti-komuniste në tre vende të Ballkanit, Shqipëri, Bullgari e Rumani. Prandaj i rekomandohet degës të hiqen ndalesat e lëshimeve të propagandës që ne dhe britanikët të vazhdojmë menjëherë me këtë mjet të testuar dhe mjaft efektiv./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













