Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e Hysni Dajës, ish–ushtarak i lartë me gradën e kolonelit që ishte diplomuar në akademitë ushtarake të Bashkimit Sovjetik, i cili tregon se si në vitin 1975, si ish-partizan i Brigadës së VII-të Sulmuese të formuar në fshatin Vlushë të Skraparit në vitin 1943, u caktua nga qeveria shqiptare dhe udhëhoqi një mision special në Jugosllavi, ku u gjetën eshtrat e 300 ish-partizanëve shqiptarë të vrarë në 1945-ën në tokat e Malit të Zi, Bosnjë Hercegovinës, Kosovës dhe Maqedonisë. Si i priti pala jugosllave delegacionin nga Shqipëria dhe organet e pushtetit vendor ku ata bënë kërkime për gjetjen e varreve, si i ndihmonin ata dhe përse pak kohë pasi i kishin gjetur eshtrat e 300 partizanëve, bashkëluftëtarë të tyre, iu erdhi urdhri që të niseshin urgjent në Shqipëri, pa i lënë të merrnin pjesë në ceremoninë e rastit që do do organizohej në Podgoricë…?!
Zoti Hysni, sa ka qenë numri i partizanëve shqiptarë të vrarë në tokat e ish-Jugosllavisë?
Numri i partizanëve shqiptarë të vrarë në Jugosllavi nga dhjetori i vitit 1944 e deri në 14 shkurtin e vitit 1945, ditë në të cilën u çlirua qyteti i Vishegradit, llogaritej në rreth 700 veta. Kjo shifër ishte për të dy divizionet tona, të V-të dhe të VI-të, të cilët nën komandën e Gjin Markut dhe Rrahman Parllakut, luftuan atje në ndjekje të forcave gjermane që tërhiqeshin drejt Berlinit. Pjesa më e madhe e atyre 700 partizanëve të vrarë në Jugosllavi kishin rënë në luftimet kundër gjermanëve dhe vetëm pak prej tyre kishin vdekur nga sëmundjet e ndryshme.
Kur filloi për herë të parë shteti shqiptar që të interesohej për trupat e partizanëve shqiptarë të vrarë në Jugosllavi?
Që me mbarimin e Luftës filloi menjëherë interesimi për gjetjen e trupave të partizanëve shqiptarë që ishin vrarë në territoret e Jugosllavisë. Pasi ishin bërë marrëveshjet përkatëse në mes dy shteteve, në viti 1946, shteti shqiptar dërgoi një komision të posaçëm në Mal të Zi dhe në Bosnjë. Nga kërkimet e bëra në atë kohë, me sa di unë, u bë e mundur gjetja e rreth 380 trupave të partizanëve shqiptarë, të cilët u sollën menjëherë në Shqipëri dhe u varrosën me ceremoni në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë dhe në rrethet e tjera nga ishin ata.
Pas sjelljes së 380 trupave të parë në vitin 1946 në Shqipëri, a vazhduan kërkimet për pjesën tjetër që nuk ishte gjetur ende?
Pas vitit 1946, kërkimet nuk vazhduan më dhe, ndonëse shteti ynë ishte i interesuar për gjetjen e trupave të tjerë që kishin mbetur atje, ajo gjë u vështirësua së tepërmi prej prishjes së marrëdhënieve në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Por edhe pas vitit 1949, me sa di unë, nga ana e shtetit tonë ka pasur kërkesa të vazhdueshme, por pala jugosllave nuk u tregua më e gatshme, ashtu si në vitin 1946, duke nxjerrë pretendime të ndryshme.
Çfarë pretendimesh nxirrnin jugosllavët?
Thonin se nuk kishte më trupa të partizanëve shqiptarë në tokat e tyre dhe ata që kishin qenë, gjoja ne i kishim gjetur dhe i kishim marrë të gjithë që në 1946-ën.
Kur u bë e mundur gjetja e trupave të tjerë të ish-partizanëve shqiptarë të mbetur në Jugosllavi?
Në vitin 1975 shteti jugosllav ra dakord dhe u tregua i gatshëm që qeveria shqiptare të dërgonte një komision të posaçëm në Beograd, me qëllim që të saktësohej ky problem i pambyllur mirë dhe të bëhej e mundur gjetja e trupave të ish-partizanëve tanë që ndodheshin në disa republika të federatës së tyre. Pas kësaj qeveria jonë dërgoi në Jugosllavi një komision prej 15 vetash, në përbërje të të cilit isha dhe unë.
Kush merrte pjesë tjetër në atë komision dhe çfarë përfaqësonin ata?
Bashkë me mua në përbërje të atij komisioni ishin edhe Maman Saliu, Zagoll Skëndo, Rakip Peza, Shaban Rexha etj., të cilët kishin qenë partizanë dhe kuadro të lartë ushtarakë me përgjegjësi që gjatë Luftës e më pas. Ndërsa gjysma e komisionit përbëhej nga këta ish-partizanë e kuadro ushtarakë të njohur, pjesa tjetër ishin të Sigurimit të Shtetit dhe të Ministrisë së Komunales.
Ju personalisht, kush ju zgjodhi në përbërje të atij komisioni dhe për çfarë arsyesh u piketuat pikërisht ju?
Mua më propozoi anëtari i Byrosë Politike, shoku Adil Çarçani, i cili më njihte mirë që nga koha e Luftës, pasi ai kishte qenë zv/komisar i Brigadës së Shtatë. Po kështu, në të njëjtën kohë, propozimi për të qenë unë në atë komision ishte bërë edhe nga gjenerali i njohur, Ndreko Rino, ish-komandant i Brigadës së Parë. Këta të dy ishin ata që më propozuan mua për në atë komision dhe arsyeja kryesore se përse duhej të isha pikërisht unë atje, ishte fare e thjeshtë. Unë isha një nga ata ish-partizanë që kisha mbajtur ditarë e shënime që gjatë luftës dhe më pas kisha shkruar shumë artikuj të ndryshëm në revista e gazeta, si dhe libra me kujtime e analiza shkencore nga historia e luftës partizane.
Cili ua dha instruksionet e rastit për atë punë që do të bënte atje komisioni juaj?
Për përgatitjen e komisionit tonë prej 15 vetash u deshën disa muaj dhe ne na thirrën në disa mbledhje përgatitore, duke na dhënë instruksionet e rastit. Në fillim ne morëm instruksione nga Komiteti i Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, më pas nga Ministria e Komunales dhe në fund nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Para se të niseshit nga Tirana, patët takime me familjarë dhe të afërm të ish-partizanëve shqiptarë të vrarë në Jugosllavi?
Patëm disa takime, por jo të organizuara zyrtarisht nga shteti. Pak ditë para nisjes, familjarë e të afërm të ish-partizanëve dhe bashkëluftëtarëve tanë të rënë në Jugosllavi, na takonin dhe na jepnin ndonjë të dhënë apo shpjegim për njerëzit e tyre që preheshin atje, duke na u lutur që t’i gjenim eshtrat e tyre. Ne i mbanim ato shënim dhe u premtonim se do të bënim të pamundurën për gjetjen e tyre.
Kur u nisët për në Jugosllavi dhe çfarë pritjeje ju bënë atje?
Pas gjithë këtyre instruksioneve që thashë, më 9 shtator të vitit 1975 delegacioni ynë u nis me avion për në Jugosllavi dhe në Beograd na pritën përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, të cilët ishin të ngarkuar me punë për çështjet shqiptare. Pas një qëndrimi prej katër-pesë ditësh në Beograd, ne u shpërndamë nëpër republika të ndryshme të Jugosllavisë, duke u ndarë në disa grupe të vogla prej dy-tre vetash.
Në cilat republika të Jugosllavisë do të bëheshin kërkimet për gjetjen e eshtrave dhe ku u caktuat ju?
Kërkimet do të bëheshin në Bosnjë, në Malin e Zi, në Kosovë, në Serbi dhe në Maqedoni. Në të gjitha këto republika apo krahina autonome ne kishim lënë të vrarë apo të vdekur gjatë Luftës. Unë u caktova për të shkuar në Bosnjë, pasi aty ishte detyra më e vështirë. Kjo për arsyen se Sarajeva thoshte se aty nuk kishte më varre të ish-partizanëve shqiptarë. Bashkë me mua për në Sarajevë u caktua dhe një përfaqësues i Ministrisë sonë të Komunales, që quhej Haxhi.
Si ju pritën në Sarajevë?
Në Sarajevë na pritën shumë mirë dhe ata kishin bërë një punë paraprake për pritjen e delegacionit tonë. Për të na pritur ne ishte caktuar një ish-partizan i vjetër kroat, i quajtur Perjo Divjak, i cili mburrej se kishte qenë në luftë përkrah Titos. Takimin e parë ne e bëmë në Bashkinë e Vishegradit, ku kryetari i saj na priti shumë mirë dhe midis të tjerash na tha: “Populli boshnjak e njeh luftën që kanë bërë partizanët shqiptarë të Divizionit të VI-të, të cilët kanë luftuar me heroizëm kundër forcave gjermane në Driçko, Zanoshnje etj., duke lënë edhe shumë të vrarë”. Pas takimeve të rastit me autoritetet lokale, ne filluam kërkimet për gjetjen e eshtrave të bashkëluftëtarëve tanë.
Ku i bëtë kërkimet e para dhe si proceduat fillimisht?
Në rrethinat e Vishegradit, në ato vende ku kishim zhvilluar dhe luftimet më të përgjakshme, si në Driçko, Zanoshnje, Urën e Mehmet Pashait etj. Fillimisht ne bënim piketimet duke shkuar në vendet ku gjendeshin varret e shokëve tanë dhe më pas aty vinin punëtorët e komunales që kishte caktuar pala jugosllave, të cilët bënin dhe gërmimet për nxjerrjen e eshtrave. Ditën e parë, të dytë dhe të tretë të kërkimeve tona, mua më shoqëroi përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Jugosllavisë, i ngarkuar me çështjet shqiptare, i cili quhej Slatinec. Pas tre ditësh ai u largua, duke na thënë: “Unë po iki, por ju vazhdoni punën, se unë u binda që këtu ka akoma partizanë shqiptarë të vrarë”. Pas ikjes së tij, unë vazhdova kërkimet bashkë me disa shokë të tjerë ish-bashkëluftëtarë të mi, si Rustem Hazizi, Rakip Xhezo e Kalo Seferi, të cilët erdhën ato ditë nga Shqipëria.
Kush i dërgoi ata?
Sipas rregullave që ishin paravendosur që në Tiranë për komisionin tonë, unë si kryetar grupi kisha të drejtë të bëja kërkesë për ardhjen aty edhe të personave të tjerë që kishin dijeni për vendndodhjen e varreve të partizanëve tanë, por çdonjëri prej tyre nuk mund të rrinte aty më shumë se 20 ditë. Kështu, ata dhe disa të tjerë erdhën aty me kërkesën time.
Si ju pritën banorët vendas dhe a u treguan ata të gatshëm për t’ju ndihmuar në misionin tuaj?
Banorët vendas na pritën shumë mirë kudo ku shkuam dhe ata na thoshin se ishin shumë mirënjohës për luftën që kishim bërë ne atje. Gjatë gjithë kërkimeve tona neve na shoqëronte një shofer boshnjak nga Driçko që quhej Asim, i cili na çoi edhe në shtëpinë e tij, pas porosisë që i kishte dhënë e ëma. Kur shkuam atje, nëna e tij plakë na tregoi se në një vend diku jo larg shtëpisë së tyre, në vitin 1945 kishte varrosur kokën e një partizani shqiptar. Ne shkuam atje të shoqëruar nga Asimi dhe e gjetëm vërtet kafkën e partizanit shqiptar, të cilin e identifikuam se cili ishte në bazë të shënimeve që kishim me vete. Kur shkuam në Zanoshnje, në një vend që quhej Qafë, gjetëm dy varre partizanësh shqiptarë bosh. Kur pyetëm, një boshnjak që quhej Ibrahim, na tha: “Këtyre u takon të kenë dy varre, një këtu dhe një në Shqipëri”. Pra, edhe pse trupat e tyre ishin marrë dhe sjellë në Shqipëri që në vitin 1946, varret e tyre nuk ishin prishur dhe ruheshin akoma nga boshnjakët njëlloj si varret e tjera të partizanëve vendas. Po kështu, në Vishegrad një plakë me emrin Borka kujdesej vazhdimisht për tre varre të partizanëve shqiptarë, duke vënë aty tufa me lule.
Sa vazhdoi misioni juaj dhe sa trupa të partizanëve shqiptarë gjetët në Jugosllavi?
Misioni ynë vazhdoi për 90 ditë dhe gjatë asaj kohe unë si kryetar grupi për Bosnjën, gjeta 30 varre me eshtrat e shokëve tanë që kishin rënë dëshmorë atje në dhe të huaj. Unë i kam të gjitha listat me emrat e tyre dhe më kujtohet Sado Zeneli nga Gjirokastra, apo Hysen Zenel Nurka nga Sevrani i Skraparit e plot të tjerë me radhë. Në përfundim të misionit tonë në Bosnjë, në qytetin e Sarajevës u organizua një ceremoni përkujtimore para 30 arkivoleve me eshtrat e shokëve tanë, ku folëm e përshëndetëm edhe ne, edhe pala boshnjake. Në fund të përshëndetjes sime, unë thashë: “Ne morëm eshtrat e vëllezërve tanë dhe lamë këtu në tokën fqinje gjakun e tyre që nuk bëhet ujë”.
Sa ishte gjithsej numri i partizanëve të vrarë që u gjetën në atë kohë në të gjitha republikat jugosllave ku bëri kërkime misioni juaj?
Shkoi në rreth 300 veta. Pasi u gjetën eshtrat e tyre dhe u futën nëpër arkivole, ato u dërguan në Shtëpinë Qendrore të Armatës Jugosllave në qytetin e Podgoricës, e cila ishte caktuar për grumbullimin e eshtrave që do të gjendeshin në Bosnjë dhe Mal të Zi. Edhe pse ne i gjetëm eshtrat e rreth 300 shokëve tanë të rënë dëshmorë në Jugosllavi, nuk patëm fatin të ishim të pranishëm në ceremoninë e kthimit të tyre në Shqipëri, pasi nga Tirana na njoftuan të ktheheshim urgjent në Rinas.
Përse ndodhi kjo gjë?
Nuk e di, por ndoshta ngaqë menduan se ne u familjarizuam shumë me jugosllavët që na shoqëronin kudo. Nuk di çfarë të them më shumë, por jam i bindur se ne na kthyen pas informatave dashakeqe që sillte këtu Sigurimi i Shtetit, njerëzit e të cilit ishin atashuar në misionin tonë.
Kur u kthyen në Shqipëri eshtrat e 300 partizanëve dhe kush i solli ato?
Arkivolet me eshtrat e 300 partizanëve erdhën në Shqipëri në dhjetor të vitit 1975 dhe ato u sollën nga një komision tjetër, i cili shkoi në Jugosllavi pas kthimit tonë urgjent në Tiranë. Ardhja e tyre u shoqërua me një ceremoni madhështore në sheshin “Skënderbej”, ku 300 arkivolet ishin vendosur në shkallët para Pallatit të Kulturës dhe ku mori pjesë e gjithë Byroja Politike. Pas kësaj ata u përcollën për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë apo dhe në rrethe të tjera.
Patët falënderime nga familjet kur u kthyet në Tiranë dhe a ju dukej vetja si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”?
Patëm shumë falënderime nga familjet e të afërmit të cilëve ne u gjetëm eshtrat e bijve të tyre, por nuk mund të them se na dukej vetja si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, pasi kishte një ndryshim të madh me të. Ne i përkisnin një ushtrie fitimtare./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016