Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura me siglën “sekret” të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, të cilat i përkasin vitit 1945-së dhe bëjnë fjalë mbi një korrespodencë midis Misionit Ushtarak shqiptar i atashuar pranë Komandës Aleate të Mesdheut, me qendër në Bari të Italisë, lidhur me ndërprerjen e ndihmave nga ana e U.N.RR.A.-s për qeverinë shqiptare të gjeneral-kolonel Enver Hoxhës, bisedimet e bëra me përfaqësuesin e qeverisë amerikane pranë saj, Harry Fultz, si dhe veprimtarinë e emigracionit politik shqiptar në kampet e Italisë me mosmarrëveshjet që ekzistonin ndërmjet tyre.
Misioni ushtarak shqiptar në Bari
Akoma pa mbarur lufta, aty nga fillimi i vjeshtës i vitit 1944, Komanda e Përgjithshme e Forcave Aleate për Mesdheun, me qendër në Bari të Italisë, dha OK-in për atashimin pranë saj edhe të një misioni ushtarak shqiptar, i cili u përkiste forcave partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar prej Enver Hoxhës. Në përbërje të atij delegacioni fillimisht ishin: gjeneral Bedri Spahiu, kolonel Ramadan Çitaku, kolonel Kadri Hoxha, nënkolonel Halim Budo dhe major Frederik Nosi, i cili ishte dhe përkthyes i delegacionit. Veç të tjerash, dy nga detyrat më kryesore të atij misioni ushtarak shqiptar fillimisht ishin kërkesat për veshmbathje e armatime për nevojat e ushtrisë partizane dhe koordinimi i veprimeve luftarake për avionët anglo-amerikanë që bombardonin forcat gjermane në Shqipëri. Këto detyra vazhduan deri në mbarimin e luftës në nëntorin e vitit 1944, dhe më pas misioni ushtarak shqiptar me qendër në Bari u kujdes për kurimin e partizanëve të plagosur në spitalet e forcave aleate në Itali dhe kërkesat e vazhdueshme për ndihma të ndryshme në fushën ekonomike, të cilat ishin akorduar nga vendet perëndimore për shtetet e dëmtuara më shumë nga lufta. Ashtu si edhe në vendet e tjera të Lindjes, edhe në Shqipëri këto ndihma shpërndaheshin nga UNRRA, ku një ndër funksionarët e saj për Shqipërinë ishte dhe përfaqësuesi i qeverisë së SHBA-së Harry Fultz, ish-drejtor i shkollës teknike amerikane në Tiranë në vitet ’30. Por, krahas gjithë këtyre detyrave që kryente në atë kohë misioni ushtarak shqiptar në Bari, një ndër më kryesoret ishte survejimi i emigracionit antikomunist shqiptar që gjendej në kampe të ndryshme të Italisë. Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga dhjetëra dokumente arkivore ku ndodhet korrespondenca e plotë e misionit ushtarak shqiptar në Itali me Ministrinë e Jashtme në Tiranë dhe qeverinë shqiptare.
Raporti i Misionit Ushtarak shqiptar në Bari: “Ja si po organizohen reaksionarët shqiptarë në Itali”
Në fillim të informacionit të Misionit Ushtarak shqiptar në Bari të Italisë, i cili i adresohet Enver Hoxhës, bëhet fjalë për veprimtarinë e emigracionit antikomunist shqiptar në Itali. Lidhur me këtë gjë, e cila është dhe pika e parë e informacionit, midis të tjerash aty thuhet: “Unë këtu poshtë dëshiroj të them disa konstatime mbi shqiptarët e këtushëm në përgjithësi, e për ata të Romës veçanërisht: Përpara se Atdheu të çlirohej i gjithë nga okupatori e pikërisht mbas pak javësh që mbërriti misioni këtu, me qendër në Romë u formua një organizatë “Partia Agrare Antikomuniste” e përbërë prej Zef Seregjit, Xhemil Dinos, Nebil Dino (Federal i Tiranës), Jak Koçi (krah i djathtë i Jakomonit), Ferit Dervishi (Zogist), Ymer Fortuzi, Haki Korça (*student shkenca P.L.), Namik Resuli (ish federal i Tiranës), Ymer Shara (ish profesor Teknike) dhe Don Franko Karma spiun italian; Asim Jakova ish deputet i Zogut. Kjo organizatë lindur dhe përkrahur prej anglezëve, amerikanëve dhe Vatikanit, propagandohej sistematikisht e me stil të gjerë kundër Lëvizjes Nacional-Çlirimtare në Shqipëri.
Kjo organizatë deri diku mundi me influencuar në të gjithë shqiptarët e Italisë së çliruar. Me një farë pune të misionit nga njëra anë dhe me çlirimin sidomos të gjithë Shqipërisë nga ana tjetër, kjo organizatë ndërroi formë dhe filloi të lindë një tjetër organizatë prej elementëve të sipër përmendur dhe të tjerëve funksionarë të lartë të qeverive të mëparshme (gjatë kohës së Zogut dhe okupacioneve armiq) si opozitë shqiptare karshi Frontit Nac-Çl. në Shqipëri.
Kjo organizatë ka lidhje me shumicën e shqiptarëve të këtushëm, të Amerikës, të Egjiptit dhe të Turqisë. Kjo organizatë mundohet me formuar edhe një farë ushtrie të sajën, sa me disa raste tentojnë me çdo farë mënyre me marrë me pahir partizanët e plagosur. Vija politike e saj është se gjoja e mburin Frontin Nac-Çl. për çlirimin e të gjithë Shqipërisë, por njëkohësisht e akuzojnë atë (Frontin) se nuk është një koalicion i partive të ndryshme, porse është vetëm Partia Komuniste.
Që të kemi me të vërtetë një Shqipëri Demokratike, thonë ata, duhet të ketë të paktën edhe një parti tjetër si rivale e Partisë Komuniste, dhe prej këtyre dy partive mandej të zgjidhet Qeveria Demokratike. Si shembull po u bashkëngjisim kopjen origjinale të 13 pikave të deklaruara prej zotit Mehmet Bej Konicës rreth të cilave bisedojnë edhe shumë njerëz të tjerë që kanë pasur përgjegjësi për punët shqiptare dhe konstatohet se këto pika janë punue edhe për shqiptarët e tjerë.
Kjo organizatë si edhe e para drejtohet dhe ndihmohet prej dy aleatëve dhe Vatikanit. Një detyrë tjetër e kësaj organizate është që anëtarët të kësaj të kthehen në Shqipëri dhe të formojnë opozitën dhe një detyrë tjetër është që disa prej tyre të bashkëpunojnë me reaksionin jugosllav e sidomos atë grek. Jemi munduar t’i sqarojmë elementët e kësaj organizate e sidomos masën shqiptare të këtushme, një farë rezultati pozitiv kemi pasur duke u bazuar se nga këta të fundit sidomos dëshirojnë për t’u kthyer në Shqipëri. Megjithatë duke ditur sa shënuam më lart tregohemi mjaft prudentë rreth këtij kthimi në Shqipëri. Hollësira dhe më të gjëra do t’u përcjellim për së shpejti”.
Raporti i Misionit Ushtarak: “Amerikanët refuzojnë ndihmat”
Në vijim të raportit të Misionit Ushtarak shqiptar me qendër në Bari të Italisë, dërguar Enver Hoxhës në Tiranë, bëhet fjalë për mosmarrëveshjet e lindura me aleatët anglo-amerikanë. Lidhur me këtë, midis të tjerash aty thuhet: “Aleatët na njoftuan se nuk do të dërgojnë më ndihma si mbas marrëveshjes që kanë pasur me delegacionin tonë, duke thënë se lufta ka mbaruar në Shqipëri dhe se në Shqipëri, kemi dërguar më tepër material se sa ç’përmbante marrëveshja.
Ata thonë se neve do të dërgojmë prapë ndihma në Shqipëri, por ndihma që kanë të bëjnë thjesht me rindërtimin e atjeshëm, e për këtë nuk do të jemi ne të marrëveshjes së mëparshme, porse ka shkuar pranë Qeverisë tuaj një komision ushtarak i Military Rilive (ML) e cila sipas Fulz-it, është një organizatë ushtarake që ka për qëllim me dhënë ndihmat imediate porsa çlirohet një vend dhe kjo me kalimin e kohës ja dorëzon punën e saj që të zhvillohet më gjerë e në paqe organizatës civile U.N.RR.A.-s.
Një mendim i ynë për sa më lart: Kur në Shqipëri luftohej ende, aleatët pranë nesh interesoheshin shumë për çështjen e U.N.RR.A-s në Shqipëri dhe nuk bisedohej aspak për ndihmat imediate të (M.L.) e sipas këtyre atëherë do të ishte koha e përshtatshme për këtë lloj ndihme. Por mbas U.N.RR.A. atje nuk u pranua në bazë të gjitha parimeve të saj, e mbasi agjentët e tyre kanë konstatuar se edhe popullit e ushtria nuk i pëlqente ndihma e U.N.RR.A.-s në atë mënyrë, mundohen tani me ndërhyrë me një armë tjetër, me këtë organizatë të re.
Kjo organizatë jo vetëm që nuk ka kohën dhe vendin e përshtatshëm për Atdheun tonë (kohën pse s’ka luftë në Shqipëri, vendin pse Shqipëria është e çliruar) por është diçka një organizatë ushtarake e cila është më e zonja me ndërhyrë, me pretekstin e kësaj ndihme imediate, më zyrtarisht e më imponuese se sa U.N.RR.A. e vet-quajtur organizatë civile. Kjo është një armë, mendojmë ne që do të koordinohet me krijimin e opozitës, me aspiratat greke dhe me ndonjë incident që mund të ndodhë në kufirin e Jugut, i provokuar prej tyre ose ndonjë bandë tradhtare që mund të mëkëmbin e të ndihmojnë në Shqipëri.
Ndryshe do të ishte ndihma natyrisht sipas konditave tona e U.N.RR.A.-s si organizatë civile, sepse kishte më tepër mundësi me e kontrolluar, me i refuzuar më lehtë ndihmën në rast se ajo nuk do të mbante konditat dhe ishte lehtë me i thënë që ty nuk të interesojnë punët e brendshme e si do që të ndodhi, kurse është me zorshme e për me e kontrolluar këtë organizatë të re (M.L.) duke qenë që është thjesht ushtarake”.
Misioni: “Biseda jonë me Fultzin”
Po kështu në informacionin e Misionit Ushtarak shqiptar me qendër në Bari të Italisë, flitet edhe për bisedimet që ata kishin pasur me Harry Fultz-in, përfaqësuesin e qeverisë së SHBA-së pranë UNRRA-s për Shqipërinë. Lidhur me bisedat që janë bërë me Fultz-in dhe anëtarët e tjerë të atij misioni të kryesuar prej qeverisë amerikanë që ishte ngarkuar për ndihmat që i jepeshin Shqipërisë në atë kohë, midis të tjerash aty thuhet: “Kemi dëgjuar nga Watrous se propozimet e komisionit aleat (sipas Fulz-it vetëm amerikanët e Anglisë), i kemi refuzuar.
Për këtë gjë këta dy aleatë tregohen mjaft të dëshpëruar e sidomos Watrous-i, i cili në lidhje me shëtitjen e tij në gjithë Shqipërinë e me pjekjen e shumë elementëve të Frontit tonë ushtarak e civil, ka formuar një ide se të gjithë shqiptarët kanë një mosbesim të madh karshi këtyre dy aleatëve, e vulën e këtij mosbesimi, e shikon në refuzimin e propozimeve të delegacionit të tyre të përzier. Në qoftë se është e mundur të na i përcillni propozimet e tyre dhe mënyrën e refuzimit kështu që edhe ne këtu të mbajmë një qëndrim të drejtë.
Para 2 muajve e gjysëm në një bisedim që patëm me Fultz-in na qe thënë prej tij se: U.N.RR.A. përbëhej prej tre aleatëve të mëdhenj dhe prej shumë shteteve të tjerë, kurse tani sipas tij rezulton se ajo qenka e përbërë vetëm prej Amerikës dhe Anglisë. Zyrtarët anglezë propagandojnë se Karta e Atlantikut nuk respektohet më, mbasi nuk kanë rënë në marrëveshje të mirë me Amerikën. Kjo gjë ndodh edhe në shqiptarët e këtushëm dhe në disa nëpunësia amerikanë. Plikot i morëm në dorëzim prej shokut Kapiten I-rë Nuri Huta, më datën 7 të udhëtimit.
Mbas një studimi edhe një bisedimi me komisarin politik të Misionit Jugosllav këtu, vendosëm që këto dy pliko të mos i dorëzonim në kanalet ushtarake, sepse përveç se kishim dyshim se nuk i dërgojnë fare atje ku duhej, por edhe mund t’i vononin shumë.
Do t’i përcjellim përmes rrugës diplomatike: njërën atë të zotit Çërçill, do t’ja dorëzojmë zotit Philip Brood zëvendës Ministrit Angles të Qendrës së Mesdheut në Caserta ose në Romë, dhe të për Zotin Rusvelt, zotit Aleksandër Kirk, Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Romë. Nesër më datën 16 të K.M. nisemi për këtë punë dhe ju dërgojmë dëftesat. Zyra aleate ku lidhemi ne (399 HQF) tentoi që këto pliko të niseshin përmes saj meqë u morën vesh sepse neve do të takoheshim me këta njerëz. Nga kjo gjë u shmangëm duke thënë që duhet të kalojnë përmes rrugës diplomatike. Zoti Watros-i, duke qenë se nuk pat suksesin e duhur delegacioni i tyre në lidhje me propozimet e ndihmave, tha se qeveria juaj nuk do të njihet aq lehtë”.
Raporti: “Gjendja në kampet e shqiptarëve”
Ashtu siç shihet edhe nga raporti i Misionit Ushtarak shqiptar i dërguar në adresë të Enver Hoxhës, një ndër pikat kryesore të tij është ajo që ka të bëjë me veprimtarinë e emigracionit antikomunist shqiptar, i cili gjendej në kampet e Italisë. Kjo gjë, përveç pjesës së parë të informacionit, jepet edhe në mbyllje të tij, ku midis të tjerash thuhet: “Tradhtarët ndodhen ende në kampin e përqendrimit Nr.1 (Karbunarë). Ata dita ditës trajtohen sa vjen më mirë prej aleatëve, lejohen të dalin jashtë. Disa ndër ta, dëshirojnë të kthehen në Shqipëri, por kanë frikë për lëkurën e tyre e disa të tjerë janë të vendosur në tradhtinë e tyre. Bile Eqrem Telhaj duke u bazuar natyrisht me premtime të aleatëve, ka thënë të shohim mbas 6 muajve.
Ekziston një farë grindjeje në mes të tyre e sidomos përmes Legalitetit e Ballistëve në përgjithësi, e në mes Ballistëve në veçanti. Na lajmëroni mundësisht sa më shpejt në se në listën që u kemi dërguar ka ndonjë që mund të kthehet në Shqipëri, kështu që të fillojmë punën ndër ta. Në kampin e lart-përmendur ndodhen edhe 50 shqiptarët të tjerë që ishin internuar prej gjermanëve në Selanik, u kemi dërguar listën e tyre në bazë të cilës të kërkoni pranë aleatëve, nëse është e arsyeshme, që të kthehen në Shqipëri dhe njëkohësisht lajmëroni edhe ne që të interesohemi në këtë drejtim.
Gjendja e Seit Kryeziut qëndron akoma ashtu siç u kemi përshkruar më parë përmes Halim Budës. Dyshojmë se nuk mund të jetë këtu. Kur qe Lila (kolonel Kadri Hoxha, shënimi ynë, D.K.) në Romë u ftua nga Nënsekretari i Shtetit Italian për Punët e Jashtme, Zoti Eugen Reale për një bashkëfjalim. Lila shkoi dhe diskutoi thjesht privatisht. N / Sekretari i Shtetit Italian, kërkoi listën e kriminelëve të luftës italianë në Shqipëri, për ushtrinë dhe civilët italianë atje, dhe për krijimin e një farë miqësie shqiptaro-italiane, e më fort me karakter tregtar.
Në lidhje me sa më sipër, Lila propozoi gjithmonë në formë private që Qeveria Italiane, lypset të flasë mirë në shtypin e saj zyrtar për Luftën Nacional-Çlirimtare për Frontin Nac.Çl. në përgjithësi, për çlirimin e Shqipërisë prej vet Ushtrisë së saj, për njohjen e Qeverisë, të flasë keq për okupacionin italian e gjerman në Shqipëri, të denoncojë tradhtarët e ndryshëm, të mos favorizoj fashistët shqiptarë në Itali, të na japin gjithë dokumentet qofshin të kohës së Zogut dhe gjatë okupacionit fashist në Shqipëri. Na njoftoni njëkohësisht se a mund të kthehen në Shqipëri gjithë ata shqiptarë që kanë firmosur në telegramin e përbashkët që u përcollën me Halimin dhe këta që figurojnë në listën së bashku me lutjet që u përcjellim me shokun Nuri Huta”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016