Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e parë
Memorie.al/ Gjatë gjithë historisë së kampionateve të futbollit shqiptar, kupave të republikës dhe aktiviteteve të tjera në këtë lloj sporti të zhvilluara para viteve ’90-të, natyrisht që janë shënuar edhe incidente e ngjarje nga më të ndryshmet në mes sportistëve, tifozerive dhe forcave të ruajtjes së rendit, ashtu siç ka ndodhur dhe ndodh kudo në këtë sport nga më popullorët në botë. Por dy nga ngjarjet më të rënda që alarmuan Komitetin Qendror të PPSH-së dhe qeverinë shqiptare të asaj kohe, mendohet se janë ato të zhvilluara në vitin 1987 dhe 1988, në qytetin e Pukës në ndeshjen “Tërbuni” vendas dhe “Industriali” i Laçit, për kampionatin kombëtar të kategorisë e tretë dhe ajo në Qytetin “Stalin”, në ndeshjen midis ekipit vendas “Naftëtari” dhe “Dinamo” e kryeqytetit”, e vlefshme për kampionatin e kategorisë së parë (sot kategoria superiore), të cilat veç të tjerash u bënë objekt analizash dhe mbledhjesh jo vetëm në qytetet përkatëse, por deri në Byronë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së.
Për të dyja këto ngjarje të jashtëzakonshme që kanë lënë gjurmë në sportin shqiptar, pas viteve ’90-të janë bërë disa shkrime ku kanë dhënë dëshmitë e tyre, ish-futbollistë, trajnerë, gjyqtarë, funksionarë të lartë lokale e të tjerë personazhe të lidhur me sportin apo jo, të cilët kanë dhënë versionet e tyre lidhur me ngjarjet në fjalë, por kurrë nuk janë bërë publike dokumente arkivore, se si janë trajtuar ato nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, cilët sportistë e tifozë u dënuan (edhe me burg) apo funksionarë të lartë lokalë që u shkarkuan nga detyrat e larta partiake dhe shtetërore që mbanin. Nisur nga kjo, në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente arkivore dhe fotot nga këto ndeshje, të cilat janë nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe botohen për herë të parë bashkë me faksimilet përkatëse nga Memorie.al.
PROCES-VERBALI I MBLEDHJES SË SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, KU U ANALIZUA NGJARJA E RËNDË TË NDODHUR NË QYTETIN “STALIN”, NË NDESHJEN E FUTBOLLIT MIDIS EKIPIT “NAFTËTARI” DHE “DINAMO” E KRYEQYTETIT
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR
— Sektori i Përgjithshëm —
PROCES-VERBAL
I MBLEDHJES SË SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË 11 QERSHOR 1988
Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë, në mbledhjen e tij të datës 11.6.1988, mori në shqyrtim çështjen “Mbi ngjarjen e shëmtuar në stadiumin e Qytetit ‘Stalin’”.
Mbledhjen e drejton shoku Foto Çami, sekretar i Komitetit Qendror të Partisë. Marrin pjesë sekretarët e KQ të Partisë, shokët: Hajredin Çeliku, Lenka Çuko dhe Simon Stefani.
Marrin pjesë si të ftuar për të raportuar shokët: Abdyl Pilafi, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Beratit, dhe Sofie Çuedari, sekretare e parë e Komitetit të Partisë të Rajonit të Qytetit Stalin.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
“MBI NGJARJEN E SHËMTUAR NË STADIUMIN E QYTETIT STALIN”
SHOKU FOTO ÇAMI: Ju kemi thirrur për të na raportuar si u zhvillua ngjarja në stadiumin e Qytetit Stalin, ç’masa keni marrë dhe në ç’përfundime u arrit nga diskutimet që keni bërë në organizatat-bazë të Partisë dhe nga gjyqi që u zhvillua për këtë çështje? Si e keni tani situatën, si reaguan komunistët dhe Partia ndaj këtij fenomeni të shëmtuar?
SHOKU ABDYL PILAFI: Ngjarjen e kemi parashtruar edhe në informacionin që kemi dërguar. Tani gjendja është stabilizuar. Sipas porosisë që dhatë ju, janë zhvilluar mbledhje të përgjithshme të komunistëve, të organizatave-bazë të Partisë me pjesëmarrjen e të gjithë shokëve, ku është diskutuar ky problem. Mendojmë që ai u trajtua drejt nga komunistët dhe punëtorët e Qytetit “Stalin”, me ndjenjë përgjegjësie dhe me frymë autokritike. Kjo frymë u ndje edhe në masat.
SHOKU FOTO ÇAMI: Në pjesëmarrësit e ngjarjes kishte edhe komunistë…!
SHOKU ABDYL PILAFI: Në mbledhjet e përgjithshme u evidentua se qëndrimi indiferent i komunistëve dhe i kuadrove jo vetëm që nuk i frenoi aktet që ndodhën, por u bë shkak që ato të merrnin të tilla përmasa.
SHOKU FOTO ÇAMI: Ç’thanë komunistët në këto mbledhje? Si e kuptojnë ata shembullin personal të komunistit, kur nuk janë në krye të masave? Si e mbrojtën ata pushtetin e popullit, kur panë elementë të veçantë të ngrihen kundër organeve të diktaturës së proletariatit?
SHOKU ABDYL PILAFI: Një pjesë e komunistëve u shprehën se iu “kishte errësuar sytë ndjenja e tifozllëkut”. Shumë prej tyre thoshin se ishin larguar shpejt, sa mbaroi ndeshja, kur ende nuk kishte ndodhur asgjë.
SHOKU FOTO ÇAMI: Njerëzit qëndruan atje. Ngjarja zgjat gati 3 orë dhe komunistët mbajtën qëndrim indiferent.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Po të kishin vepruar komunistët, ngjarja do të parandalohej dhe populli do të ndiqte shembullin e tyre.
SHOKU FOTO ÇAMI: Vetëm një, i quajtur Llambi Shella, ka mbajtur qëndrim dhe ka vepruar si komunist…!
SHOKU SIMON STEFANI: Problemi që shtrohet sot, në këtë mbledhje, na ka shqetësuar të gjithëve. Në Qytetin “Stalin” ndodhen 1600 komunistë. Në qoftë se këta komunistë nuk janë në rolin pararojë dhe nuk i dalin për zot vendit, rendit tonë në kushtet e sotme, si mund të veprojnë në një situatë tjetër?! Pse organizata e Partisë atje nuk është në pozita luftarake që të mos ia humbasë arsyen tifozllëku?
SHOKU FOTO ÇAMI: Çfarë komunisti është ai që pranon se i janë “errësuar sytë nga ndjenja e tifozit”?!
SHOKU ABDYL PILAFI: Edhe ne na lodhi shumë kjo përgjigje dhe këmbëngulëm që faktet flasin për një mungesë të vlerësimit të ngjarjeve, për qëndrime të theksuara indiferente.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Komunisti nuk duhet të bëhet tifoz i sëmurë.
SHOKU FOTO ÇAMI: A ju ka shkuar në mendje se gjithë kjo ngjarje mund të jetë nxitur edhe nga armiku? Ju e dini që gjatë luftës ne kemi shfrytëzuar raste të tilla, si ndeshjet sportive, shfaqjet e ndryshme artistike e të tjera në favor të luftës së popullit tonë. Ju mendoni se armikut nuk i shkon ndër mend të shfrytëzojë tifozllëkun e sëmurë të njerëzve tanë?
SHOQJA LENKA ÇUKO: Nuk përjashtohet edhe kjo mundësi…
SHOKU FOTO ÇAMI: Kaq të verbër janë këta komunistë, sa të mos shohin se si u kalua masa e një ngjarjeje sportive dhe e manifestimit të ndjenjës së tifozit?!
SHOKU SIMON STEFANI: Si mund të vihen interesat e ngushta të tifozllëkut të sëmurë mbi ato të shoqërisë?!
SHOQJA SOFIE ÇUEDARI: Më falni të shpjegoj disa nga arsyet e kësaj ngjarjeje të shëmtuar: Në radhë të parë përgjegjësia për këtë ngjarje bie mbi mua, si sekretare e parë e Komitetit të Partisë të Rajonit dhe mbi të gjithë komunistët. Shqetësimi që i kemi shkaktuar Partisë është mjaft i madh. Këtë e them në emër të të gjitha organizatave-bazë të Partisë, në emër të të gjithë komunistëve, të cilët më porositën t’i them Partisë që të ketë besim tek ata dhe të na falni për incidentin që ndodhi pa dashje.
SHOKU FOTO ÇAMI: Në qoftë se këta komunistë paskan qenë kaq të formuar dhe kaq të ndershëm, atëherë si e lejuan të ndodhte kjo ngjarje e shëmtuar? A u mbajt qëndrim ndaj komunistëve, shoqja Sofie? Keni përjashtuar ndonjë komunist nga Partia, për shkak të përgjegjësisë që ka lidhur me ngjarjen?
SHOQJA SOFIE QUEDARI: Dy komunistë i kemi kthyer në kandidatë partie, 6 të tjerëve u kemi dhënë vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit, dhe për 5 komunistë është propozuar të shkarkohen nga detyra. Gjithashtu kemi orientuar organizatat e Partisë për të mbajtur qëndrim edhe ndaj 27 komunistëve, fëmijët e të cilëve kanë marrë pjesë në këtë ngjarje.
SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Edhe për prindit mund të mbahet qëndrim, se sjelljet e këqija të fëmijëve pasqyrojnë edukatën e prindit, por në radhë të parë duhet të mbahet qëndrim për komunistët që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Sikurse më informoi shoku Abdyl, një sekretar byroje që ndodhej në vendin e ngjarjes, kur iu kërkua të mbante qëndrim si komunist, tha: “Unë nuk po bëj gjë”. Ç’mund të bënte tjetër ky komunist që e shihte se ç’ndodhi e mbante qëndrim indiferent?! I thashë shokut Abdyl që organizata-bazë e Partisë ta përjashtojë nga Partia këtë sekretar byroje. Përse ta duam në Parti një komunist të tillë?
SHOKU SIMON STEFANI: Ju, shoku Abdyl, nuk po i përgjigjeni pyetjes së shokut Foto: Si reaguam komunistët për këtë ngjarje të shëmtuar? Ndaluni në këtë çështje, mos kaloni kaq shpejt.
SHOKU FOTO ÇAMI: Organizata e Partisë e aparatit të komitetit të Partisë është mbledhur dhe vetëm e ka këshilluar këtë komunist, për të nuk ka marrë asnjë masë partie.
SHOQJA SOFIE ÇUEDARI: Atij i është dhënë vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit dhe është shkarkuar nga detyra.
SHOKU ABDYL PILAFI: Kjo masë është e mjaftueshme, mbasi ju rekomandova unë që të mblidhej organizata-bazë e Partisë dhe të shtrohej kjo çështje. Organizata pastaj u solidarizua me këtë mendim.
Mua më rëndon edhe më shumë pyetja që më bëhet këtu, në Sekretariatin e Komitetit Qendror të Partisë. Kur shkova në vendin e ngjarjes, pothuajse e ndjeva veten të vetmuar, përballë gjendjes që ishte krijuar. Dy instruktorët e aparatit të Komitetit Qendror të Partisë që merren më shumë me problemet e sportit nuk u dukën fare dhe nuk u ndodhën në krye të detyrës për ta qetësuar gjendjen. Ne kishim mundësi t’i dilnim zot situatës…!
SHOKU FOTO ÇAMI: Ndeshja deri në përfundim ishte shumë korrekte. Ngjarja ndodhi pas ndeshjes.
SHOQJA SOFIE QUEDARI: Po të ishin marrë masa, edhe një numër i kufizuar njerëzish po të vepronin, mund ta parandalonin rëndimin e situatës.
SHOKU ABDYL PILAFI: Njerëzit ankohen se edhe arbitrimi i ndeshjes është bërë me subjektivizëm.
SHOKU FOTO ÇAMI: Ne e pamë edhe në televizor. Lojtarët i dhanë dorën arbitrit në fund të ndeshjes…!
SHOKU ABDYL PILAFI: Në atë situatë u vu re edhe ndonjë rast rrëmbimi nga ana e shokëve të policisë. Megjithatë kjo ngjarje që ndodhi na vë përpara përgjegjësisë ne, punonjësit e Partisë dhe na bën të nxjerrim përfundime për punën tonë në të ardhmen.
SHOKU FOTO ÇAMI: Çfarë përfundimesh keni nxjerrë?
SHOKU ABDYL PILAFI: Kam mendimin që një “shqetësim” jo i zakonshëm për futbollin ka edhe te disa kuadro, të cilët ne i njohim si të tillë dhe iu kemi tërhequr vëmendjen. Ndjenja e tifozllëkut të sëmurë ka krijuar te njerëzit një psikologji të dëmshme. Disa nga këta kuadro e shohin shqetësimin për futbollin si një shenjë të rritjes së personalitetit të tyre, dhe i kultivojnë vetes një krenari të bujshme që “Naftëtari” do të futet patjetër në kategorinë e parë.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Po pse nuk e afirmojnë personalitetin me punën për realizimin e detyrave këta kuadro? Të realizojnë më parë detyrat në nxjerrjen e naftës.
SHOKU ABDYL PILAFI: Kam mendimin se edhe dy instruktorët e komitetit të Partisë të rrethit që ndjekin problemet e sportit më shumë i mban pranë ekipit ndjenja e tifozllëkut të sëmurë, se sa detyra që kanë.
SHOKU SIMON STEFANI: Ata janë lidhur vetëm me çështjen e futbollit dhe nuk merren sa duhet me disiplinën e sportistëve e me çështje të tjera të punës së tyre.
SHOKU ABDYL PILAFI: Tani që po bëjmë këto analiza del se shfaqje të tilla janë vënë re edhe më përpara, në vitin 1965. Kemi marrë vesh tani se edhe para dy javësh, janë thyer xhamat e autobusit të sportistëve që kishin ardhur në qytetin tonë nga Vlora. Ne, si komitet partie, jemi mjaft të shqetësuar për këtë ngjarje dhe po marrim masa për mbarëvajtjen e gjallërimin e mëtejshëm të jetës kulturore dhe artistike në rreth.
SHOKU FOTO ÇAMI: E rëndësishme është të dimë se ç’konkluzione janë nxjerrë nga kjo ngjarje që ndodhi.
SHOKU ABDYL PILAFI: Kemi arritur në përfundimin se qëndrimi indiferent i komunistëve dhe kuadrove ishte një nga faktorët kryesorë që ndikoi në zhvillimin e kësaj ngjarjeje. Ky përfundim duhet t’i vlejë forcimit të punës sonë edukative, për t’u bërë një analizë më të thellë akteve të rrugaçërisë, të cilat në Qytetin Stalin janë shqetësuese.
Kam mendimin se lidhur me këtë çështje duhet të ngrihet në një nivel më të lartë puna edukative, veçanërisht në organizatat-bazë të Partisë dhe në komitetin e Partisë të Rajonit të Qytetit “Stalin”. Po më me përgjegjësi duhet ta ndjekim këtë detyrë edhe ne, si komitet partie i rrethit.
SHOKU FOTO ÇAMI: Duket se deri tani komiteti i Partisë i Rrethit ia ka varur këtë “këmborë” Komitetit të Partisë të Rajonit të Qytetit “Stalin”, duke e mbajtur mendjen “fjetur” se ka kush merret me punën e Partisë në Qytetin “Stalin”. Keni shkuar me mendimin se është një komitet partie rajoni, në krye të të cilit punon një shoqe e mirë, anëtare e Komitetit Qendror të Partisë dhe keni harruar se Komiteti i Partisë i Rrethit të Beratit përgjigjet edhe për Komitetin e Partisë të Rajonit të Qytetit “Stalin”. Pra e keni larguar veten nga përgjegjësia e punës edukative atje dhe merreni më shumë me zonat, ndërmarrjet e kooperativat.
SHOKU ABDYL PILAFI: Ashtu është. Ne e ndiejmë këtë mangësi të punës sonë, për të cilën kemi përgjegjësi para Partisë. Këto shfaqje të huaja që vërehen në Qytetin Stalin flasin qartë për mangësitë e organizimit të punës sonë edukative. Nga analizat që kemi bërë del që shfaqje të sjelljeve të padenja kemi jo vetëm në Qytetin Stalin, po edhe në Berat. Ndjejmë përgjegjësi për këto dobësi të punës sonë dhe njëkohësisht na del detyrë që ta bëjmë më të organizuar luftën kundër shfaqjeve të huaja, duke synuar që ta gjallërojmë më shumë edhe jetën artistike, sportive dhe kulturore të rinisë.
SHOKU FOTO ÇAMI: Po të mbetet vetëm futbolli si veprimtari kryesore sportive, tifozët do të vrapojnë më shumë pas futbolit. Edhe kjo është një premisë që kultivon tifozët e sëmurë.
SHOKU ABDYL PILAFI: Një përfundim tjetër që kemi nxjerrë nga analizat që u bënë është çështja e kuptimit më të drejtë të marrëdhënieve të rajonit me rrethin. Është me vend vërejtja që bëtë ju, shoku Foto, për shkujdesjen e tepruar që vihet re nga ana e Komitetit të Partisë të Rrethit ndaj problemeve të punës edukative në Qytetin “Stalin”. Kjo shkujdesje ka qenë e lidhur me faktin që atje ka një komitet Partie të rajonit, i cili i ndjek më nga afër këto probleme. Por nuk duhet të ndodhë kështu.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Ndikimi i Komitetit të Partisë të Rrethit duhet të ndjehet direkt mbi organizatat-bazë të Partisë në rajon.
SHOKU ABDYL PILAFI: Këtë çështje e kemi biseduar edhe më parë me shoqen Sofie. Kam mendimin se edhe një pjesë shokësh të aparateve të komiteteve të Partisë i mundon ndjenja e lokalizmit dhe e egoizmit, të cilat nuk kanë qenë pa ndikim edhe në masat. Kjo dukuri është e theksuar dhe në opinionet sportive që shprehen “ne kemi ekipin e ‘Naftëtarit’, nuk na ndihmon rrethi”, “rrethi ka ekipin e ‘Tomorit'” etj. Këto opinione nuk janë pa ndikim edhe në marrëdhëniet midis rrethit e rajonit. Instruktorit (Naim Halilaj) që mbulon këto probleme i kemi thënë që herë pas here të raportojë, po ai rrallë kujtohet të vijë për të raportuar në komitetin e Partisë të rrethit, thuajse një herë në vit.
SHOKU FOTO ÇAMI: Ai vjen vazhdimisht në Komitetin e Fizkulturës dhe nuk vjen në Komitetin e Partisë të Rrethit?!
SHOQJA SOFIE ÇUEDARI: Kishim menduar ta lëvizim atë instruktor, kurse tani, me këtë rast e shkarkuam nga detyra.
SHOKU ABDYL PILAFI: Në rajonin e Qytetit “Stalin” është edhe një shok, kryetar i Bashkimeve Profesionale, i quajtur Thanas Gaçe, i cili ka disa mendime të gabuara që i ka shprehur edhe kur kanë ardhur shokë nga Tirana. Thoshte se; “skuadrën e ‘Naftëtarit’ e nxorën shokët e rrethit nga kategoria e parë” etj. E thirra dhe e kritikova këtë shok, se më shqetësoi qëndrimi i tij. “Nuk kam ndonjë problem”, më tha.
Një psikologji e tillë përcillet e ushqehet menjëherë edhe te njerëzit e thjeshtë. Kur po kalonim një ditë me shoqen Sofie në Qytetin “Stalin” pashë një grup njerëzish që merreshin me rregullimin e mjediseve sportive. I përshëndetëm dhe i përgëzuam për punën që bënin. “Ç’të bëjmë, nuk na ndihmon rrethi”,- më tha një punëtor. Të them të drejtën nuk më erdhi mirë që ekziston një frymë e tillë lokaliste. Ne jemi përpjekur të jemi shumë të kujdesshëm në të gjitha llojet e marrëdhënieve me banorët e Qytetit “Stalin”, si për trajtimin, furnizimin etj./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
















