Nga Klajd Kapinova
Pjesa e parë
– Historia e panjohur e antikomunistit Hamid Toshi (Saiti), nga Shkodra, që u hodh me parashutë në Shqipëri në vitin 1949-
Memorie.al / Shumë vite më pare miku im, ish i burgosuri politik, Viktor Luka, duke parë koleksionin e pasur të fotografive (një arkiv për martirët antikomunistë), ndër të tjera më foli një nga një, për emrat e fotove historike të parashutistëve me uniformë ushtarake, të hedhur me parashuta, për misionet sekrete antikomuniste në Shqipëri. Ata të gjithë ishin stërvitur në kampet ushtarake në Itali, nga personeli amerikan dhe italian, të cilët u dërguan me mision në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, në bashkëpunim me Komitetin “Shqipëria e Lirë”, me qendër në New York. Fotot origjinale, i ruante si relike të rrallë shkodrani Zef Luka vëllai i Viktorit.
Mbi 100 parashutistë asokohe zbarkuan në Shqipëri, me detyra speciale dhe shumë të rëndësishme, për të përmbysur regjimin komunist dhe vendosur lirinë e vërtetë për popullin shqiptar. Libri në formë ditari, me autor parashutistin Zef Luka, mban titullin: “Njëqind shqipe që erdhën me prue lirinë”. Sa më shumë që futesha në labirinthet e librit të shqiptaro – amerikanit Zef Luka, aq më shumë bindesha se ai dhe miqtë e tij, (pjesëtarë të grupeve parashutiste të rezistencës antikomuniste), që nuk jetojnë më, sikurse ishte edhe Hamid Toshi (Saiti), ishin të mbrujtur me ideale fisnike, për Shqipërinë, duke qenë krenarë për detyrën që kishin marrë përsipër, deri në flijim të jetës së tyre.
Ngjarje, njerëz, vende, fjalë, rrethana tragjike parakalojnë në këto fletë në mendjen time, që asnjëherë nuk i ka lexuar këto episode që përshkruhen thjeshtë, por që ruajnë në vetvete një epizëm homerik, ashtu sikurse kanë qenë e mbeten të thjeshta të gjitha gjërat sublime.
Vetë sakrifica e tyre, ka pasur një qëllim fisnik të përbashkët dhe e cila nuk u shua asnjëherë: zgjimi i ndërgjegjes së dremitur të popullit shqiptar, që jetonte gjumin letargjik dhe për më keq, një pjesë e rinisë, që e mbështeste diktaturën e dhunshme sovjetike të proletariatit, ishte dehur nga frazat e bukura plot gënjeshtra të komunizmit në Shqipëri, që si sëmundje kancerogjene, po e brente dalë e ngadalë vetëdijen kombëtare të popullit të vet, që iu nënshtrua me, ose pa dëshirë, dhunës më të egër të diktaturës komuniste, që zgjati për afro 50 vjet më radhë, në tokën e zhuritur shqiptare.
Familja bujare Toshi dhe prindërit e Hamitit
Saiti ishte një baba dhe shok për të birin, që e donte aq shumë, sikurse nëna që qysh në djep e lëkundi dhe i mëkoi me gjirin e saj dashurinë për tokën ku kishte lindur, miqtë, shokët dhe të afërmit e tjerë. Ajo shpesh e përkëdhelte edhe kur vogëlushi Hamit, vinte në shtëpi së bashku me shokët e tjerë të fshatit, sepse ishte shumë i dashur me të gjithë. E me këto ndjenja fisnike shqiptare hodhi shtat, duke pasur përherë edhe përkujdesni e tre motrave, që sot jetojnë: një në Ulqin (Vladimir, në Mal të Zi), një në Trush dhe një në Dajç të qarkut të Shkodrës.
Kjo familje me shumë virtyte fisnike të traditës shqiptare, ka qenë një derë e madhe. Prindërit e Hamitit, kishin gjashtë fëmijë, tre djem e tre vajza. Kështu, sikurse mësojmë edhe nga të afërmit e familjes, Muhameti, ka qenë më i madhi, pastaj vinte Isufi dhe në fund vëllai i vogël, Hamiti, ndërsa motra e tyre ishin; Pashe në Trush, Cace në Ulqin dhe më e vogla Gjylana, në Dajç të Bregut të Bunës.
Qysh herët, në fillim të shekullit XX-të, apo më saktë në vitin 1912, tre vëllezërit e Saitit, ishin pjesëmarrës në luftën e Taraboshit, në vitin 1912, kundër ushtrisë malazeze, ku vetë Saiti plagoset me të shoqen dhe më pas, si pasojë e pezmatimit (infeksionit) të plagës, humb edhe jetën mbas dy vjetësh. Me vdekjen e të atit, Saitit, që ishte shtylla e shtëpisë, ekonomia e brishtë e familjes, nis të vështirësohet dhe përkeqësohet, deri në vitet 1930.
Gjatë pushtimit fashist të vendit më 7 prill 1939, Muhameti ka luftuar me armë në dorë okupatorët e huaj. Ai gjithnjë ka ruajtur marrëdhënie të mira me familjet e vjetra tregtare shkodrane, sikurse ishin asokohe familja tregtare; Muzhani, Myftia, Danhasani, Bianchi, etj. Edhe pse nuk ka qenë e një niveli ekonomik, ai sikurse shumë familje qytetare e fshatare shkodrane, ka mbajtur të hapur dyert i mikpritjes, bujari e cila ka qenë dhe mbeti tipike edhe sot, nga stërnipërit e tyre.
Pranë shtëpisë së tyre, herë mbas here kanë qenë edhe persona publikë të njohur të qytetit të Shkodrës, sikurse Hasan Isufi e Caf Beg Ulqini, Prek Cali, etj., të cilët kanë qenë eksponentë në Lëvizjen e Parë Antikomuniste në Evropën Lindore, siç ishte ajo e fshatit të njohur Postribë (pak kilometra larg qytetit të Shkodrës), në vitin 1946.
Duke shfletuar disa dorëshkrime dhe nga kujtimet e pjesëtarëve të fisit të njohur Toshi, mësojmë se pak muaj para se të kapitullonte Italia fashiste, është rrethuar shtëpia e tyre, për të kapur të gjallë Hamitin dhe Muhametin.
“Çlirimi” i vendit, e kalvari i vuajtjes së familjes Toshi…!
Pikërisht vitet 1944-1990, janë periudha më e dyshimtë, të cilat historiografia komuniste, dje e sot, në të gjitha nivelet “kulturore” në Shqipëri, janë dhe vazhdojnë të mbeten deficitare në “vërtetësinë”, që ata, i kanë bërë jetës së njerëzve, ku, ata që kanë qenë antikomunistë, janë denigruar vazhdimisht, gjë e cila për fat të keq, vazhdon edhe sot nga segmente të caktuara të veshur me pushtet.
Ndoshta është një rast i veçantë, për të shprehur shpirtin e tij human, Hamiti, me iniciativën e vet, shkon vullnetarisht ushtar, për të mos shkuar disa djem të rinj që vinin nga familjet më të varfra, të cilët ishin djem të vetëm në familjet e tyre.
Familja Toshi, tashmë kishte një djalë ushtar që vinte nga Villgara, Ana e Malit – Oblikë. Gjatë rekrutimit për ushtar, tek shtëpia e Brahim Dulit, kujtojnë të afërmit e Hamitit, ushtaraku famëkeq, Zoi Themeli, që asokohe ishte shefi i Degës së Punëve të Brendshme për Shkodrën, u bëri thirrje që të dorëzojnë armët.
Ata pasi i dorëzuan armët, iu komunikua për të shkuar në qytetin jugor të Gjirokastrës, në një kohë që ata ishin caktuar për të qëndruar si ushtarë, në fshatin Obot në Oblikë. Hamit Toshi, pa pasur aspak frikë, e kundërshton hapur këtë vendim të padrejtë dhe shumë tendencioz, që personalisht iu bëri, vetë kreu i Degës së Brendshme, Zoi Themeli. Ndër të tjera, Zoi Themeli i thotë Hamitit me përçmim dhe tallje: “Po të ishe burrë i mirë, nuk i dorëzoje armët”!
Duke ruajtur gjakftohtësinë, Hamiti menjëherë del nga rreshti, përkulet, nxjerr një pistoletë nga çorapi dhe ia hedh përpara syve, Zoi Themelit. Ai ka pasur gjithnjë me vete, deri në tre pistoleta. Me pistoletën e tretë ai e fton oficerin komunist, Zoi Themelin, të marrë pjesë në dyluftim, mbasi burri i armatosur në sy të burrave të tjerë, nuk fyhet. Me këtë veprim prej trimi, Hamiti bën që të gjithë ushtarët të qëndrojnë në Obot për 6 muaj dhe më pas i transferojnë në Delvinë.
Zgjedhjet e para “demokratike”, 2 dhjetor 1945
Ëndrra dhe dëshira e pashuar e Hamitit, ishte për një atdhe dhe shoqëri shqiptare pluraliste; Shqipëri përparimtare dhe demokratike; Respektimin e votës së lirë të individit; Zhvillimin e vendit, sipas modelit të vendeve më të përparuara demokratike të Europës Perëndimore dhe demokracisë së lirë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, etj.
Edhe sot, po t’i hedhësh një sy librave të historisë që janë në përdorim, deri në Universitetet politike shqiptare, do të shohësh se asgjë nuk ka ndryshuar, nga historiografia 50-vjeçare komuniste dhe se zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, përmenden si votime e zgjedhje të lira, kur asokohe opozita votonte në një kuti të veçantë, me kokrra.
Kështu, më 2 dhjetor 1945, Isufi ka qenë në komisionin zonal në qendrën e votimit. Një natë para se të bëhen votimet, arrestohet nga UDB-ja jugosllave dhe dërgohet me ndihmën edhe të forcave të Sigurimit Shqiptar, për në Ulqin. Me kërkesën e Shefqet Hamza Dulit, villogradas (asokohe kryetar këshilli i fshatit) insistohet dhe sillet në burgun e madh të qytetit të Shkodrës, i kapur prej krahësh, nga dy kolonelë jugosllavë.
Arsyeja ende sot ka mbetur enigmë. Gjatë pyetjeve që i bën në hetuesi, Zoi Themeli, në prezencë të oficerit gardian, Elez Mesi dhe dy kolonelëve jugosllavë, në provokim e sipër, Isufi nuk duron më dhe i drejtohet Zoi Themelit: “Jugosllavëve nuk ua kena pa hairin denbabaden dhe jo t’ia shohim sot”.
Ndërsa oficer i Sigurimit, famëkeqi Zoi Themeli, i thotë t’a përkthejë shprehjen, që t’a marrin vesh edhe jugosllavët, se ç’ka do të thotë në gjuhën e tyre jugosllave. Në çast u thuhet përfaqësuesve të huaj, se Isufi, si bandit, kërkon të prishë miqësinë shqiptaro – jugosllave.
Në ato momente, gardianët së bashku me drejtuesin e tyre, Elez Mesin, e lidhin Isufin, e ulin ratë (poshtë) dhe më pas të dy kolonelët jugosllavë, me çizmet me thumba, njëri i hipi në kokë e tjetri në bark dhe e mbajnë për disa minuta, në gjendje torture. Torturat në forma dhe metoda fashiste, kanë vijuar edhe në ditë të tjera, por Isufi asnjëherë nuk është përkulur. Si bashkëvuajtës në burg, Isufi ka pasur persona të njohur në Shqipëri, sikurse ishin; Drita Kosturi, Terezina Pali, Padër Mati Prenushi, Gulielm Suma, pronari i Kafes së Madhe, etj.
Duke parë se nga Isufi nuk nxjerrin asgjë të rëndësishme, për Sigurimin komunist, ashtu sikurse kishin vepruar edhe me të burgosur të tjerë, në mënyrë që të mos i lirojnë për mungesë provash, dhe se dënimi ishte i domosdoshëm (porosi e Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, për të gjithë antikomunistët), akuza, nga prishja e miqësisë shqiptaro – jugosllave, i kthehet si organizator, apo ndërlidhës i Lëvizjes Antikomuniste të Postribës, për zonat Postribë, Shkodër, Ulqin, Krajë dhe Ana e Malit.
Nisur nga kjo, ai iu nënshtrua përsëri torturave të llojeve të ndryshme, të ushtruar nga xhelatët më të dhunshëm e të pashpirt. Biruca ku ata kanë qëndruar për shumë kohë, ishte rreth 1.5, metra gjerësi dhe 2 metra gjatësi. Të gjithë të prangosurit në burg, ishin të lidhur me njëri – tjetrin, ku i fundit dhe i pari ishin të lidhur në mure, në mënyrë që të mos kishin mundësi që të lëviznin. “Një ditë prej ditësh, – kujton nipi i tij Xhevahiri, – gardiani Elez Mesi, hap sportelin e birucës dhe vështron të burgosurit.
Isufi po bisedonte dhe ai dëgjonte. Gardiani merr Isufin së bashku me Padër Mati Prenushin dhe i çon në gropën e zezë të WC-së, ku gishtat e këmbëve nuk u hasnin në tokë. U vendos vetë nën sqetull vezë të ziera, kuja pishe në thua, i fusin deri në bel në gropën e zezë, për t’i gjunjëzuar ata, deri sa të dy të arrestuarave të lidhur, herë pas here, u binte të fikët nga torturat e njerëzve të pashpirt të Sigurimit komunist”.
Një ditë tjetër, kur kanë ardhur në vete, tregtari i nderuar shkodran, Guliam Suma dhe kleriku katolik, Padër Mati Prenushi (1887-1948), në atë gjendje të vështirë që ishin, kanë kërkuar që më mirë t’i vrisnin, se sa t’i linin gjallë e për gazep, nën torturat çnjerëzore që bënte xhelati i pashpirt, Elez Mesi, me të tjerët. Më pas, ata u dënuan me vdekje dhe janë pushkatuar, nga togat e pushkatimit, tek varrezat e Rrmajt. Kurse Isufi, në vitin 1947, lirohet nga burgu. Gjatë kohës që ai ishte në burg, Hamiti (vëllai i vogël), arratiset në Greqi.
Në këtë kohë, nis dhe kalvari i familjes së tij, ku menjëherë efektivët e Forcave të Ndjekjes dhe atyre të Sigurimit të Shtetit, (asokohe njiheshin si Seksioni Mbrojtjes Popullit) arrestojnë Muhametin në vitin 1949 dhe e dënojnë me akuza të montuara, me 9 vjet heqje lirie, gjoja se ai do t’i bënte atentat, një punonjësi të Sigurimit!
Para se të burgosej, Muhameti me disa miq të tij, kanë nxjerrë jashtë kufirit shtetëror, shtetasin Zija Myftia, për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit komunist. “Dy vjet më pas, gjatë kohës që axha ishte në burg, – vijon në kujtimet e tij Xhevahiri, – ai vritet në Dukagjin”.
Aktiviteti antikomunist i Hamit Toshit
Duke iu rikthyer edhe një herë librit të autorit Zef Luka, me titull: “Njëqind shqipe që erdhën me prue lirinë”,(Ditar) ndër të tjera, për Hamitin, ai shkruan në faqet e tij, se si e kishte marrë vesh ngjarjen e vrasjes së Hamitit. Lidhur me këtë, ai kujton: “Munellë. Në mbrëmje, vërejmë se rreth orës tetë, kalon përmbi ne një aeroplan. Thamë se asht tue hedhë letra. Ne e nesre, rinia e Sigurimi, dolën me i mbledhë për të mos ra në dorë të popullit, tue na vue edhe ne kështu në rrezik. Ne nesre, sapo zbardhi dita, ndiem pushkë e mitraloza.
Unë mendova, se asht tue ba manovra ushtria, por ma vonë mora vesh, se ishin hedhë parashutistë në Livadhet e Barit, në Cukal. Ata luftuan e u vranë, deri sa arritën në Kir. Grupi që kishte parashutuar, ishte i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Personi parashutist që ndër ta kishte mbetur i vrarë, ishte shoku im më besnik, i ikun prej Brigadës XV-të Sulmuese, Divizioni I-rë, Kompania II-të e Delvinës, Hamit Toshi (Saiti), prej Villgarit, Ana e Malit, Shkodër. Ai pat edhe një vëlla që më duket e thirrshin me emrin Isuf, si edhe një motër të martueme në Ulqin. Tokat i kishin në kufi me Jugosllavinë” (Zef Luka, fq. 95).
Pra Hamiti kishte rënë me parashutë vetë i katërti, në një nga lëndinat e malit Cukal, por edhe këtu kishte rënë në pritë. Me sa duket, Sigurimi komunist, ishte në dijeni më përpara për këtë zbarkim nga ajri, të desantëve parashutistë, që ishin stërvitur nga amerikanët në bazat e tyre në Itali, nën kujdesin e Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qendër në New York dhe komandanti i grupit ka qenë vetë Hamit Toshi, i cili, shoqërohej në misionin e tij fisnik nga tre persona të tjerë shqiptarë. Ata ishin Hazis Rustja nga Bërdica, Dedë Hila nga Dukagjini dhe Rifat Zyberaj. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm