Nga Shkëlqim ABAZI
Pjesa e njëmbëdhjetë
SPAÇI
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Ndër thasët dhe duart e matrapazëve gjeje çdo mall, që nga të zakonshmit, si paketa, duhan apo, defter letrash, sapun e sodë kaustike, pa zënë në gojë ushqime e veshmbathje të cilat, iu mykeshin, gjer te mallrat e ndaluar, makina dhe brisqe rroje, libra dhe mjete kancelarie, pasqyra e ndonjë krehër, ani pse na mungonin flokët, madje edhe pije alkoolike, që i nxirrnin në kohë krize, me çmime të kripura.
Natyrisht, do ngjall reagimin e kritizerëve, që do më hidhen në fyt, duke reklamuar rregullat strikte dhe burgjet e sigurt. Dhe kanë të drejtë, ishin të mirë-kontrolluar dhe rregulloret më se strikte, sa edhe shkeljen më minimale, e paguaje shtrenjtë. Por kush ka kaluar burgjeve, e di si operonte kjo skotë e padukshme, me mallrat që grumbullonin dhe si ja dilnin të implikonin apo korruptonin policët dhe ndonjë oficer. Dy ndodhitë më poshtë, ndonëse me katër vjet distancë, i pari në Reps, në vjeshtën e vitit 1969 dhe i dyti në Spaç, në kulmin e represionit policer, me protagonistë policët dhe të dënuarit me prirje tregtari, për fat të keq edhe mua, shpresoj t’i detyroj skeptikët, t’i pranojnë faktet.
Botilia e Xhafës
Në brigadën e Nasho korroziut, punova që kur më nxorën nga biruca, gjersa më transferuan në Spaç. Kjo brigadë e kishte fushën e veprimit në rrafshin e epërm dhe gjithë proceset kryheshin me tri instrumente, me “kazmaqofon”, “qyrekofon” dhe “karrocofon”, siç pëlqente t’i emërtonte korroziu ynë. Nashua më “uroi” mirëseardhjen me “qyrekofon”, besoj nga frika e ndonjë qyreku kresë. Ky “alet” mjaft popullor, i epokës socialiste, i ngjet pak a shumë harkut të violinës, veç se është më i gjatë dhe zaptohet me të dyja duart, ndërsa për daulle-tambura, shërbente kofsha në pjesën e epërme, pak sipër gjurit, dhe për tela, penjtë prej thasësh çimento, mbi arnat e pantallonave.
Tingujt e “instrumentit”, lidheshin me materialin në partiturë, sa më i ashpër, më thekshëm dilnin notat dhe kur imtësohej, tingujt zbuteshin në surdinë. Edhe “repertori” ishte i kufizuar, përmblidhej në kërkesat e publikut (më falni, të policëve), për shembull, “krye-sonata” që merrte “bizet” e tyre, ishte avazi i “zhurit”, Pas tij renditej i “zhavorrit”, i “dheut”, i “llurbës”, i “llaçit”, i “rërës” e, të tjera, që “interpretoheshin” me raste. Në sezonin e betonit, u bë modë avazi i “zhurit”, që përsëritej për ditë, për javë, madje për muaj.
Zhavorri ishte me zaje si topa futbolli dhe me shuke, gjer në dhjetë kilogramë. Në një “koncert” të tillë, lëvizja “harkun” sipas avazit të mësuar përmendësh, sa duart ruanin ritmin mbi kallot e kofshëve edhe në gjumë, m’u thye bishti i “harkut” (më falni, i “qyrekofonit”) dhe një spicë m’u fut thellë në shputën e dorës së majtë, sa më preku falangat (në kujtim të këtij “recitali” më ka mbetur një foto’ damkë, që do më shoqërojë gjer në varr). Fillimisht s’ndjeva dhimbje, po kur hoqëm spicën, gjaku rrodhi si të kishe therur një berr. Më zbritën të vilanosur në rrugën e “Golgotës” ku gjysmë patrioti im, Dilua, m’u shkreh:
– “Hapi sitë se është vend gazepi, gjithë hekura dhe gozhdë të ndryshkura…”! Gjaku shkonte çurkë dhe koka më ziente nga zhurma imagjinare. – “Lëri thagma me pallavra spiunësh dhe ndale lëngun, që po shkon shatërvan, o të kam rixha”! – iu ktheva, se, s’ua kisha ngenë shakave. Me argalitë që kishte në çantë u përpoq, por “fontana” s’po ndalej. – “Çojeni te Naimi, do ketë çarë ndonjë damar, mër jahu”! – iu hakërrye Xhaferr Dema. Por ishim në gjysmën e ditës, duheshin edhe katër-pesë orë, të hapej porta.
– “O Xhaf, unë s’kam takat të hap derën sepse, s’më shkon llafi aq lart, si zotërisë sate”! – qesëndisi Dilua dhe më zgjati një qetësues. – “A e ke pa kapter Jakun”? – se kë pyeti Xhafa. – “Asht në laborator”! – ia ktheu tjetri. Mbasi u nis Xhafa, m’u morën mendtë, qetësuesi i Dilos, nisi efektin. U mbështeta pas ledhit, ku humba vetëdijen. Kur rifitova ndjenjat, pashë të lëvrinin rreth meje ca hije, ndër të cilët njoha Xhafën, Dilon dhe nja dy të tjerë. Më morën, më plandosën në mushama dhe u nisën drejt hyrjes, të prirë nga kapter Jaku. Ky vargan më merakosi: “Do jem rëndë që po më bartin kësisoj”, – sepse dera rastiste të hapej, o për të transportuar ndonjë ditëshkurtër në morg, o ndonjë të lënduar, që kishte pasur fund të hidhët.
I kapluar nga mendimet ogurzeza, luajta gishtat nën fashën e skuqur dhe pashë se isha i aftë, t’i komandoja. Në spital doktori më qepi me tri grafeta, më bëri një qetësues dhe më këshilloi të flija. Kur u zgjova, dëgjova të flisnin pas derës. U zgjata, por më pengoi kanati gjysmë i hapur. Sidoqoftë, njoha zërin e Xhafën dhe fjala “laborator”, m’u fiksuan në kujtesë. Dilua erdhi të më bënte tetanosin e tretë, kurse Xhafa m’u var mbi krye. – “Si dukesh njimë, mirë”? – kur s’fola, iu kthye infermierit: – “Mos e mundo çunin, po laja me alkool mër jahu”! Si ndërroi fashën e gjakosur, Dilua më pyeti në ndjeja dhimbje. S’kisha kushedi, por më mundonte një mpirje paralitike nga bërryli e poshtë. Ai më freskoi me nuk di ç’lëng, që nxirrte shkumë, leu një shuk pambuk në flakonin me jod dhe ma zhyti në shputë.
– “Or Xhaf, me këtë s’jam kurnac unë, se më kanë pranuar dhëndër brenda! Me ty po, se e pi alkoolin, nëntëdhjetë e gjashtë grade, si ujë”! – e regji në alkool një shuk, duke më porositur: – “Pasi të kesh flakur të gjakosurin, vëre mbi plagë”! Kur mora shkallët që të nxirin në rrugën lidhëse të kampit me kantierin, Xhafa më preu udhën. – “E bone me gjak atë shtupën”? – “Jo, kam ende këtë me jod”! – “Bukur, ma nep”! E mori pambukun që rridhte curril dhe e shtrydhi në gojë.
– “Do djegësh mushkëritë, o Xhaf”- kundërmimi më bllokoi frymën! – “Ç’ka pas me djeg, e ka përzhitë me vakt, mër jahu, tash sa me e njomë një çik”! – dhe e rrufiti. – “Flake! S’ka ç’më duhet”! – i thashë në derën e fjetores, por ai e mbante ende në dorë. – “Më duhet mu, sepse do ta shtie në xhep, për me e pi ma vonë”! dhe u ndamë. Atë javë Xhafa u zgjidh. Ngulej te kryqëzimi dhe priste sa delja me shukun e pambukut, ma rrëmbente dhe kryente të njëjtin ritual.
Shpesh në kantier, e kisha parë me kapter Jakun, por ai punonte në brigadën e “gjymtyrëve”, ku në dimër mblidheshin policët, për t’u ngrohur dhe në verë për qyfyre, ndaj shoqërimin e merrja për vazhdë te ndonjë gallate, që e vazhdonin në intimitet. Askush s’dyshonte në ndershmërinë e Xhafës, as për lojë dyfishe. Ai kishte demonstruar karakter të paepur, përjashto shpirtin e tregtarit. Mbas raportit, më caktuan një punë të lehtë, pastrim territori. Një ditë më çuan të grumbulloja dërrasat e kalbura të silosit, mbi njëzet metrash. Punoja në gjysmë terr, kur dy hije më zunë pamjen, diç këmbyen dhe njëri u largua, ndërsa tjetri, u ul galiç në një kënd. U stepa, me mendimin se po kryente nevojën personale dhe s’u ndjeva, për mos ta turpëruar. Hija bënte do veprime të çuditshme, diç ngrinte dhe ulte, me lëvizje të sinkronizuara.
Ndërkaq, një erë e pazakontë përfshiu hapësirën e furnelit dhe më nxiti kërshërinë. Aroma e alkoolit, sikur e gjallëroi ambientin gjithë myk. Iu avita nga ana më e errët, ku veç erës giciluese, ndjeva edhe gurgullimat e gurmazit të fatlumit, që po shijonte pijen e ndaluar. Pas çdo gllënjke, ai nxirrte një “ah” kënaqësie. Ndala sus dhe vrojtova këndin karshi; them vrojtova, por më tepër dëgjoja “ah-tet” e qejfliut, sepse lypeshin sytë e bufit, për të parë mes atij terri. Pas do minutash, hija u ngrit dhe mori për nga hyrja, ndali në prag, çoi edhe një herë sendin që mbante në dorë, nxori edhe një “ah” dhe kur doli në dritë, njoha Xhaf Demën, babanë e rakisë!
U mata t’i flisja, po ai mori rrëkenë që zbriste nga kodra, bëri nja pesëdhjetë çapa, deri ku puqej kampi i fjetjes me kantierin dhe ndali pranë një gëmushe. Mendova se do urinonte, por ai pa rreth e rreth dhe diç zhyti mes shkurres, nguli një degë shqope dhe mori teposhtë nga laboratori. Ndërsa vijoja pastrimin, më ngacmoi konspiracioni i Xhafës dhe ma tha truri, t’i punoja një rreng. Mes gëmushës gjeta një botile me lëng të thartë dhe shije jo fort të këndshme, që më gërrici gurmazin.
Zaten, s’kam qenë i dhënë pas pijes, por kjo ma shpifi. “Do jetë raki kumbulle” dhe vërtet s’kisha gabuar, i zoti do konfirmonte: “Po, por asht e zime dy herë”! do mbronte cilësinë e dyshimtë. Nuk synoja t’i hyja në pjesë, sepse s’e kam pëlqyer rakinë, as atëherë, as sot, po e fsheha në një shkurre më sipër, thjesht për gallatë, duke mos menduar se ç’rrjedhë do merrte ngjarja.
Sa përfundova trukun u dha sinjali i pushimit. Hipa në platformën e epërme, mora çapën e bukës me letër çimento dhe u ula me shokët. Njëri hidh dhe tjetri prit, ngucnim Xhelal beun, që shquhej për humor të këndshëm dhe për budallallëqe me hokë. – “Me ç’ta ka nisur bukën zonja, Xhelal bej”? – e shpotiti dikush. – “Ja, ma ka shtënë plot, sa s’di ç’të ha më parë, bre”! – ia pati hokatari. – “Ha sa të hash, të tjerat jepua policëve”! – e ngacmoi një tjetër. – “Amani bre, të mos dijë robi, ku t’i çojë tepricat”?! – “Në depot e shtetit, Xhelal bej”! – vijoi shakanë tjetri. – “S’t’i pranojnë, se është zahire armiku, bre”! – “S’i bëjnë naze hajes, këta zorrë thatët, or mik”!
– “Mirë, po shkoj t’i dorëzoj”! Xhelali u zhduk pas ledhit, nga u kthye me një botile identike, me atë që fsheha ca çaste më parë. – “Dreq, ja fsheha Xhafës, po ja pinë të tjerët”?! M’u drodh zemra sa gati u çova t’ia rrëmbeja, por profesor Agimi, u tregua më i shkathët: “Ta paska kompensuar Partia kursimin, me raki, Xhelal bej”? – “Ç’raki zeza mo prosor-o, ju lashë munë, më dhanë shurrën”! – “Epo okë e kokë, në një qafë dolët”! – e cyti tjetri.
– “Jo bre, jo, unë synoj Qafën e Qarrit, ata më nxorën në qafën e… arit”! – ia ktheu batutën Xhelali. Ra çanga për punë dhe shakatë u prenë, secili iu drejtua frontit të vet. Por pa hedhur dy hapa po më gërryente “mola” dhe i tregova profesorit, ç’kisha katranosur. – “Se mos e ka së pari! Kur i shkrepet Xhafës për raki, këmben vathët e gruas, me një botile”! Mësova diçka, që të tjerët e dinin, qysh lashtë. “Sidoqoftë mos i trego, të bëjmë ca thagma”! – shtoi Agimi me të qeshur.
Kur dielli kaptoi kodrën, Xhafa doli nga laboratori dhe iu qas vendit, ku kishte fshehur thesarin. Ne e ndiqnim nga lartësia, si në pëllëmbë të dorës. E pamë kur iu avit gëmushës, lëvizi masën e gjelbër, iku te tjetra, u kthye sërish te e para, gërmoi, më pas shkoi te tjetra dhe te tjetra, u kthye dhe u rikthye përsëri, e përsëri, i shkuli gati me rrënjë, por shishen s’e gjeti. Pastaj u ul në bisht, me kokën mes duarve, si t’i kish rënë një dert.
U ngrit, shkoi te vendi, hodhi sytë rreth e qark, u ul sërish, u çua, bëri një varavinga nga gmusha, te hyrja e silosit dhe u rikthye avash-avash, sikur numëronte hapat. Qëndroi një çast, bëri më tej, ndali dhe vrojtoi si eksploratorët e mbetur në udhëkryq, zgjedhja e drejtimit të të cilit, do përcaktonte fatet botes e të njerëzimit, mandej nisi nga e para dhe shfrente e shfrente…! Kur profesori u shfaq mbi ledh, me zor mbajta të qeshurën. – “Ç’të ka gjetur që po u vërdalloske kësisoj”? – e pyeti, gjoja seriozisht.
– “As vet s’dij ç’kom, amo e kom nji gjo”! – ja ktheu Xhafa i pizgosur – “E paske humbur si Xhaferri simiten, or qyq”! – u shty profesori. – “Për at Zot, s’po di ku e kom hupë”! – i shpëtoi Xhafës. – “Ç’ke humbur, mo”? – shtoi dozën e sarkazmës Agimi. – “At’ pra…! Jo mër jahu, s’kom hup ndojisend, po s’dij ç’kom”! – shpejtoi të ndreqte shprehjen dhe vijoi të këqyrte e të gërmonte me shkop shkurren, para këmbëve. – “Mos të ka sjellë era plaçkën e shoqes Nexhmije, apo parashutistët të kanë hedhur ndonjë shishe raki, që po rrëmon me shkop”?! – “Po besa, nji kët po kërkoj”! – u zhvendos te gëmusha përbri dhe iu kthye Agimit: – “Profesor, mos ke bo shaka ti”! – “Ku lë larua, të hajë balua, a derëzi! Ju tirano-dibranët, vërtet na e dhatë nuse ne gjirokastritëve, po plaçkën e doni për vete”! – e nguci Agimi.
– “Ala s’ka shku në esfel t’magjares ajo pallaska jonë, me atë rripin tuj, po më qit faqoren imë”! – u lut Xhafa shkoqur. – “S’po të kuptoj, për ç’shishe flet”? – bëri seriozin Profesori. – “Për gastaren pra”? – “S’e kam idenë fare, por do pyetur Xhelal beu, që e kishte zënë cerma dhe ngeli këtej, lidh e zgjidh ushkurët”! – e ngacmoi Agimi. – “Mos mër jahu, pasha Zotin, bo me e pas gjet Xheloli, s’ka mbet as botile, jo ma raki”! – u dëshpërua Xhafa dhe vari supet i dërrmuar.
Kur e pashë në atë derexhe, u ndjeva në faj, gati kapërceva ledhin të zbrisja brinjën, e t’i jepja shishen, bile t’i kërkoja ndjesë, për gjëmën që i shkaktova për gallatë, por më ndali Agimi, duket kish vendosur të çonte në zgrip, nervat e Xhafës. – “I fortë je o burrë, ku e gjen rakinë! Unë kam gjashtë vjet, pa ja ndjerë erën dhe më ka vajtur këtu, për një pike”?! – shtoi Agimi me flegrat hapur si cjapi përçak, në sezonin e ndërzimit. – “Lëne ku e kom gjet, po ma kthe njimë”! – iu lut pijetari, duke u zgërdhirë me zor. – “Do pyetur Xhelal beu”! – sugjeroi Agimi. – “Hajt ndëgjo pordhët e Xhelolit, imë”! – u ngrys Xhafa.
Ata dy burra, ishin lidhur me miqësi dhe duheshin kiamet, edhe pse thumbonin vazhdimisht shoqi-shoqin. – “A”-ja, në gojën e Xhafës shndërrohej në “o”, si te gjithë tironcit dhe cilësori dilte “Xhelol”, por s’ju mërzit kush, madje ish ndër të rrallët që merrte përgjigje edhe kur e apelonte pa cilësorin “bej”, aq të çmuar titull- mbajtësi namusqar; kur të tjerët, mbasi ta kishin thirrur pa cilësorin, mund të gjendeshin para heshtjes, por si zakon, duhej të përgatiteshin, të përballnin një lumë fyerjesh e sharjesh, sepse Xhelal beut, i pranohej çdo shaka, ngaqë s’ta kishte me të keq, edhe kur të prekte në sedër, ama vetë ai hidhej përpjetë, sa t’i cikje ca pika të dobëta, në lidhje me politikën, politikanët dhe me traditën.
Ai ishte i veçantë në metafora, përdorte gjuhë të thjeshtë, po të pakuptueshme për shumë veshë. Kush e njihte, e kapte dhe e imitonte, sidomos ca shprehi ekskluzive; të tjerët që e dëgjonin së pari, s’dinin si t’i përkthenin. Kur thoshte “tëndja”, kishte parasysh Nexhmije Xhuglinin, që ua faturonte dibranëve, në veçanti Xhafës, që gojët e liga pëshpëritnin, për një lidhje të largët gjaku, që ai e mohonte dhe prekej kur ia vinin në pah. Me shprehjen “të mijat”, Xhelali nënkuptonte komunistet e Jugut, Katina Starjen, Eleni Selenicën dhe Naxhije Duma (Kerenxhin), si krahinore, gjer dhe Fiqretin, Viton, dy Liritë e, të tjera, pa mbarim.
Për Xhelalin, s’kishte rëndësi pozicioni i momentit, përkatësia politike e, fundi dyzet e katrës, mbetej vijë demarkacioni. Sido që në burgje, përfunduan dhjetëra e qindra komunistë me bijtë, ai i konsideronte po aq komunistë, saqë kishte qenë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, ta bindje për të kundërtën. Ndonëse tregti bënte me të gjithë, sepse; “allishverishe bën edhe Amerika me Kinën dhe Rusinë, po s’janë miq, ama komunistët janë zogj binjakë, të dalë nga veza me dy të verdha, ku kanë gjerbitur në të njëjtën llurbë”! askush s’mundi të fitojë simpatinë e tij, sado të vetë-shpallej armik, i klikës në fuqi.
Kështu ishte mbrujtur ai, i duruar me miqtë dhe in-tolerant me kundërshtarët. Bash kjo shpjegon simpatitë, antipatitë, durimin, ngurrimin, “dashuritë”, “urrejtjen” e Xhelal beut, për njërin apo tjetrin. Kur dikush rridhte nga një trung nacionalistësh, fitonte simpatinë e tij, pa një, pa dy, ama kur vinte nga komunistët, të ishte edhe prej ari, do ta sterronte më zi se katranin. Ai e këqyrte botën bardh e zi, i tillë besoj do ketë shkuar në dynjanë tjetër. Por Xhafën e donte veçan. E donte për hokat, për tregtinë dhe mallrat që shkëmbenin, mbi të gjitha për nacionalizmin që ushqenin të dy.
Edhe Xhafa e çmonte Xhelalin. Kishte gjetur mikun pa të keq, te ai, të ngjashmin, si tenxherja kapakun. I lipsej një gjë, i drejtohej Xhelalit dhe e merrte; i nevojitej një shërbim, sërish Xhelalit dhe i kryhej; i dhembte koka, Xhelalit, e zinte barku, Xhelalit, ditën Xhelalit, natën Xhelalit. Kishin shtyrë gjithë ato vjet, në simbiozë. Për dyshen simpatike, gëlonin barcaleta pafund, por më të goditurën, e rrëfente Shyq Gruda:
– “Nji natë kallnueri, plasi nji murlan, mos o zot! Xhelalin e ka gjet tuj pre dru, n’maj t’Gamozit dhe e ka rrëmby e, ta ka flak n’Prespë. Magjari, asht kthye fillikat n’fshat. N’Prespë zdrypi nji krap ma shumë, në Starje, nji bej ma pak! Mirëpo Prespa, s’rrit krap, or ta marsha dhe e ka zhyt nan dhe e ta ka hudh n’Ohër. Oheri e ka qit n’Dri dhe Drini e ka rrëmbye, për m’e qit n’liqe t’Shkodrës. Ec e ec, mbërrini n’Dibër, ku t’ka shkrep nji rr’fek, që ka ça qiellën e, t’ka shkëput një ortek nga maja e Korabit. Rruku-përduku, në theqafje orteku, t’ka rrëmbye Xhafën dhe e ka zhyt n’Dri.
Dy heronjtë u takuen dhe nisen m’u grind. Xhafa e akuzoi se kish ra n’Dibër, me i “rrëmbye plaçkën e Nexhmies”, Xhelali u mbrojt; “jo mo t’u mbylltë, unë s’kam ç’ju bëj të mijave”! Por Xhafa kambnguli, tuj mbrojt nderin e krahinës dhe, truj e shaj, harruen me dal n’breg, Drini t’i rrëmbeu dhe i qiti n’Bërdicë. Nj’atje Xhelalit i ranë pendët dhe Xhafës i duel rakia, t’u përqafun dhe qysh atëheri sun rrinë të ndamë. Sapo njanin e qesin nga burgu, e merr malli për shoqin, t’i fut nji t’shame Partisë, veç m’u kthye ke tjetri. Njishtu kem m’i pa, tuj u sherrue, tuj u zezue e, tuj u përqafue, për jet t’jetës”! mbaronte rrëfenja.
– “Xhelol-o, o Xhelol bej”! – vikati Xhafa, “o”-ja kapi sopin ku punonte Xhelal beu. Dikush e njoftoi, pas pak ai doli mbi ledh. – “Ç’të gjeti që më ulërin, sikur të ra ujku ndër dhënë, o byrazer”! – ia ktheu. – “Apo të janë shpërndarë dhitë pyllit”! – shtoi me të qeshur. – “Jo mre, s’më kanë hup dhitë e, as delet, po gastorja”! – ja shkrepi Xhafa. – “Shih mos të ka humbur simitja, ce atë keni fis ju dibranët”!
– “Gastorja po t’thom! Apo më ndin, or mëjk”?! – “Plot apo bosh”! – u tall Xhelali. – “T’ëmës! Epo prit një çiçkë, t’i nxehet patriotkës tënde, ta mbushim e t’ia bim zotërisë sate, me dorë nën brez”! – u shty Xhelal beu. Siç ndodhte me ta, kur njëri i binte gozhdës dhe tjetri patkoit, u ndeh një skenë komike; ndërsa Xhafa fliste serioz, Xhelali shpotiste, teksa unë strukur rrëzë tarracës, mbaja barkun me dorë.
-“Lëne t’ëmen dhe qitmë botilen imë”! – u nxeh Xhafa. – “Pritmë sa ta marr”! – Xhelali humbi, por pas një dekike, ja behu me një shishe identike, me atë që fsheha unë, kur i hoqi koçanin nga gryka, rrodhi një curril i hollë. – “Prajt se e derdhe, mër jahu! Pasha Zotin a pikë e florini”! – Xhafa u turr përpjetë duke gufuar. – “Ç’flori bre, flori pe shurre”?! Kur Xhafa u sul përpjetë, ai shtoi: “Mos u vjas, Xhafo xhani, se kjo e tëndes, qenka nakatosur me të atyre të miave dhe çuaka një erë, që s’u ngjeroka, flluskoka si shurrë lekani”! – dhe shkundi edhe pikën e fundit.
– “Pruhu mër jahu, lëne pshurrjen e tëmes e t’tujave, imë”! – me pikën e fundit sikur i doli xhani dhe u shkreh si statujë akulli, nën zhegun e verës. – “Ç’na bone Xhelolo, kuku ç’na bone”! – “Ky qe për bukuri bre, ç’pati”! – na u ankua Xhelali neve, që ndiqnim skenën palosur më dysh dhe mori vrapin në përrua, mbushi shishen dhe iu gjend mikut mbi krye, sa hap e mbyll sytë.
– “M’bone për voj Xhelolo, kom me ta rujt hajmali”! – “Ç’të bëra, o u bëfsh lëmsh! Pi ujë të viç në islla, mo”! – i zgjati botilen. – “Ujin pije vet, unë du rakinë”! – “Ç’raki zeza, o kokë-ë-ë, pse pa ty do ta pija, po ta kisha”! – “Lëni shakat e, më nep botilen imë”! – e luti Xhafa. – “Merre bre, kam një sahat që ta zgjas dhe ti kodra pas bregut”! – nisi ta kullonte çurkë. – “Atë qetrën, mër jahu”! – Xhafa e shtyu shishen. – “Skam tjetër, bre! Luajti mendsh ky i ngrati, o prosor”? – por ne ajasnim pa u përgjigjur. – “Rob zoti është dhe mendja është kokërr gruri, fluturon e mbetesh pa të”! – bëri seriozin Agimi. – “Ma nep imë, Xhelolo”! – Xhafa sa s’lotonte nga pezmi, për gjënë e humbur. – “Ç’t’i jap këtij derdimeni, bre? I jap ujë, nuk do, i jap zemër, nuk do; më ka mbetur pa i dhënë plaçka e shoqes Nexhmije”! – po na ankohej Xhelali.
– “Po jepja o Xhelal bej, mbase i bën islla”! – shpotiti Agimi! – “Merrja atij rripit tënd dhe bjerma t’ia jap Xhafos”. – “Atë mbaje për vete, unë du gastoren”! – “Ja tek e ke mo”! – dhe ja shuku shishen mbi gjunjë. Xhafa e zuri për gryke dhe e vërviti me sa i hëngri krahu, pas një flurudhë disa metrash, shishja përfundoi në mijëra grimca. – “Yh, lanet qofsh me gjithë gastore”! – shfreu. – “Me shishen do nxjerrësh inanë, xhanëm?! Apo s’ke ç’i bën samarit dhe bam gomarit”! – iu kthye Xhelal beu gjithë turinj. – “Po t’them për s’fundmi, ma nep, Xhelol bej”! – “Ç’të të jap mo, merre xhanë po deshe”! – i inatosur mori terma. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016