Nga Nesip Kaçi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Me 16 tetor 1976, rreth orës 16.00, postieri i shërbimit të PTT së Bukureshtit, solli në ambasadë një telegram. Sekretari i tretë i ambasadës, i ndjeri Osman Osmani, që e priti postierin, me ta marrë këtë telegram, e solli menjëherë në zyrën time, në fytyrën e tij vura re një shqetësim të madh. Ai më dha telegramin dhe i tronditur me tha: “Shoku ambasador, vapori “Mati” ka dhënë “SOS” (shpëtoni shpirtrat tanë). E lexova telegramin me të shpejtë, ishte i shkruar me germat e alfabetit rumun, por përmbajtja e fjalëve ishte shqip. Në telegram thuhej: Tepër Urgjent, Ambasadës Shqiptare Bukuresht: “Me datën 12 tetor në mbrëmje mbërritëm në radën e Konstancës, vapori pësoi një defekt të rëndë, iu këput palla e timonit.
PASAPORTA
– “Por, – tha gjenerali, – po të doni i shikoni dy personat e kapur nga roja bregdetare e ushtrisë”.
– “Të shkoj unë me Shyqon t’i shohim, më tha Osmani, – se ma ha mendja që janë marinarë shqiptarë”.
– “Shkoni, – i thashë, – por merrni me vete një shoqërues rumunë, për ta pasur më lehtë të hyni në zonën ushtarake, se është dhe natë”.
Kështu u bë, u nisën me makinën tonë, ndërsa unë qëndrova në zyrat e portit. Për pak kohë na mori në telefon Osmani dhe na tha se dy personat e kapur nga Roja Bregdetare e Ushtrisë, ishin të dy marinarë të vaporit “Mati”, fola me ta goja-gojës dhe ata më thanë se anija “Mati”, është thyer në mes e, është ndarë në dy pjesë.
Më thanë dy marinarët, kur u dha sinjali “Njeriu në det”, u hodhëm me salvaxhente, por sa ramë në det, goditjet e dallgëve qenë aq të forta, sa që na i shkëputen salvaxhentet e rrobat nga trupi dhe dallgët na shtynin deri afër bregut dhe na kthenin përsëri pranë anijes.
“Për të dalë në breg me not vuajtëm shumë, siç na shihni jemi me plagë në fytyrë dhe në trup. Anija jonë, – thanë ata, – nuk është larg nga bregu, është rreth një milje, fortunali e ka hedhur midis dy shkëmbinjve dhe sikur ka zënë vend, kiçi është nga ana e bregut dhe bashi është nga deti, ndërsa ekuipazhi, është tërhequr i gjithi në kiç, anija nuk ka asnjë lidhje me tokën dhe nga momenti në moment, ndoshta dhe mund ta përmbysë deti”.
– “Ne, – thanë ata, – sa dolëm në tokë, na kapi Roja Bregdetare e Ushtrisë, ushtarët na dhanë nga një kapotë se ishim lakuriq dhe na dërguan këtu ku jemi tani, na mjekuan dy infermiere, të cilat na lyen trupin me alkool, se ishim gjysmë të ngrirë nga uji shumë i ftohtë i detit, na kishte ngrirë dhe gjuha në gojë dhe nuk flisnim dot asnjë fjalë, se si kemi shpëtuar të gjallë, një zot e di”.
– “Dy marinarët, – më tha Osmani, – janë të rinj, rreth të njëzet e pesave”. Këto më tha Osmani, nga biseda që bëri me dy marinarët tanë.
Kapiteneria
Në vendin ku ndodhet tani anija “Mati” njoftoi kapiteneria, nuk hyn dot as rimorkiatori, se ka shkëmbinj nënujorë. Ndërkohë ora kishte shkuar një e datës 17 tetor, pra duheshin dhe pesë orë, sa të shkonte ora gjashtë e mëngjesit që të ndërhyhej me helikopterë nga ajri, për të nxjerrë në tokë ekuipazhin e anijes. Për gjithçka ne mbanim lidhje me Shqipërinë dhe informonim për çdo ndërhyrje që bënim, një centraliste e jona nga Tirana, nuk shkëputej me zyrën ku ne ishim në Konstancë.
Ndërkohë në Tiranë ishte thirrur në orën 24.00 në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadori rumun Jon Stojan dhe i ishte dorëzuar nga zëvendësministri i Jashtëm, Ksenofon Nushi, një notë, ku protestohej energjikisht, për mosdhënie ndihme shpëtimi nga ana autoriteteve rumune, ekuipazhit të anijes “Mati”, që ka dhënë “SOS” në radën e Konstancës. Unë thirra Osmanin me telefon, i kërkova të më dërgonte makinën me Shyqrinë dhe shkova ku ishin dy marinarët tanë.
Atje ishte pikë ushtarake dhe pyetëm, nëse na ndihmonin dot si të lidheshim me anijen, që dukej me sy nga bregu, se nuk ishte larg. Shoferit tonë, që bënte muhabet me ushtarët, duke pirë cigare me ta, i thotë një ushtar i ndërlidhjes: “Ju lidh unë me anijen”. Ushtari tha se lidhjen me anijen, do ta bënte me mjete rrethanore, mjafton që në anije të ketë një radist që të dijë ndërlidhjen, me alfabetin ‘Mors’.
Ushtari rumun i tha shoferit tonë, që ta kthente makinën tonë “Benz-mercedes”, në drejtim të anijes “Mati”, që ishte përballë nesh. Në atë kohë shiu kishte pushuar. Me një batanije ushtarësh rumuni mbuloi, bllokoi njërin fener të makinës, u fut në makinë në vendin e shoferit dhe filloi të jepte me drita sinjale në drejtim të anijes.
Ekuipazhi i anijes, që priste me pa durim ndihmë nga toka, e kuptoi se dikush nga bregu, kërkonte të hynte në lidhje me ta dhe me një llambë të vogël elektrike me bateri, nga një dritare e anijes nga brenda, filloi të jepte sinjale në drejtim të bregut. Në këtë kohë ushtari rumun, filloi të shkruante diçka në një copë letër, të cilën nuk e kuptonte çfarë thuhej, se përmbajtja ishte shqip, prandaj na i kaloi ne ta shikonim.
Ata pyesnin: “Kush jeni”? Ne ju përgjigjëm: “Jemi ambasada, na thoni a jeni të gjithë mirë”? Ushtari i transmetonte ato që i shkruanim ne pa vështirësi, sepse si shqipja dhe rumanishtja, alfabetin e kanë latin.
Ata na u përgjigjen se; jemi të gjithë mirë, pa asnjë dëmtim në njerëz, por nuk dimë për fatin e dy marinarëve, që u hodhën në det?
Iu përgjigjëm: “Dy shokët tuaj që u hodhën në det, kanë dalë në tokë dhe ata na thanë se anija ‘Mati’, është thyer në mes. I njoftuam se së shpejti do fillojë nxjerrja juaj nga anija, me helikopterë”.
Ata u gëzuan shumë nga ky lajm që morën, por kërkuan që sa më shpejt të fillojë ndërhyrja me helikopterë, se nuk i dihet detit, mund të na përmbysë nga momenti në moment. Ne e dinim orën e saktë, kur do shkonin helikopterët mbi anije, por atyre nuk ua thamë, se duhej pritur edhe tre orë, këto ishin tre orë tmerri, shiu kishte pushuar, por deti vazhdonte të ishte shumë i ashpërsuar.
Helikopterët e shpëtimit
Pasi u siguruam që njerëzit tanë në anije ishin të gjithë shëndoshë e mirë, u gëzuam pa masë, brohoritëm dhe u qetësuam diçka, si të thuash morëm veten, por përsëri me frikën se mos përmbysej anija, nga goditjet e forta të detit. Duke shkëmbyer buzë detit biseda me “Mors”, me ekuipazhin e anijes, koha iku dhe aty rreth orës pesë, u gdhi, filloi të gjallërohej lëvizja dhe çdo gjë dukej e qartë.
Në orën gjashtë fiks, ne dëgjuam zhurmën shurdhuese të motorëve të fuqishëm të dy helikopterëve të prodhimit francez “Puma”, që u ngritën aq papritur nga një pistë fluturimi, fare pranë nesh. Ata pasi u ngritën në një lartësi të caktuar, kryen një fluturim vëzhgimi dhe njëri prej tyre, filloi të lëshojë litarët që mbanin në fund një kolltuk metalik, pastaj filloi të ulej pak nga pak mbi anijen “Mati”, deri sa kolltuku preku sheshin e anijes.
Ne pamë që një marinar u ul në kolltuk, u lidh mirë duke u mbërthyer dhe bëri shenjë me dorë, se ishte gati për fluturim. Ndërkaq helikopteri u ngrit dhe e pruri marinarin në breg, duke e ulur 100 metro, pranë nesh. Gjatë kohës që helikopteri i parë u shkëput nga anija me marinarin e parë, në anije u ul helikopteri i dytë, i cili mori një marinar tjetër dhe kjo punë vazhdoi deri sa i fundit doli nga anija, kapiteni i vaporit.
Kjo punë, për nxjerrjen në tokë të 37 vetave që përbënin ekuipazhin e vaporit “Mati”, zgjati rreth tre orë dhe gjithçka u filmua nga fotoreporterët e televizionit dhe të gazetave, në një kohë që kjo punë mund të kryhej me dy fluturime, se helikopterët kishin kapacitet 25 veta, ishin helikopterë desantimi të ushtrisë.
Të shpëtuarit
Pse i nxorën në tokë një nga një dhe pse i filmuan me ceremoni? Me sa duket kjo u bë, se ata mendonin që çështja për zhdëmtimin e anijes, do shkonte në Gjykatën Ndërkombëtare të Detit dhe si mbrojtje, mund të përdorej ndërhyrja nga ajri me helikopterë, megjithëse kjo ndihmë ishte e vonuar, por shyqyr zotit, që anijen e hodhi midis dy shkëmbinjve dhe nuk luajti nga ai vend.
Pasi ekuipazhi i anijes zbriti i gjithi në tokë dhe u takuam me ta një për një, i morëm me një autobus dhe i çuam në një magazinë veshmbathjeje në Konstancë, u veshën, se ata kishin dalë nga anija me veshjet e punës, sepse rrobat, veshjet, valixhet dhe të gjitha sendet e tyre personale, i kishin mbetur në pjesën e anijes që e kish mbuluar uji.
Pas kësaj hëngrëm drekë dhe i nisëm me tren për Bukuresht, të shoqëruar nga i ndjeri Osman Osmani, ndërsa unë me Shyqon, u kthyem, po atë ditë, me makinë në Bukuresht. Me të mbërritur në Bukuresht, ekuipazhin e vaporit “Mati”, e priti në stacionin e trenit “Gara de Nord”, këshilltari tregtar i ambasadës, Simon Poreci dhe sekretari i parë, Idriz Shehu, i çuan në ambasadë, ku u çlodhën dhe i gostitën, siç e ka zakon shqiptari, pastaj i vendosën në hotel, ku qëndruan deri ditën e mërkurë, kur i nisëm për Tiranë, me linjën ajrore “Tarom”.
DËMSHPËRBLIMI
- Londra, vendi ku ishte siguruar vapori –
Anija “Mati” dhe malli, ishin siguruar nga Republika Popullore e Kinës, në Londër, në shoqërinë e sigurimeve, në Lloyds dhe Kina nuk e kundërshtoi fare pagesën apo dëmshpërblimin për Shqipërinë dhe me njëherë firmosi çekun, pa e kaluar fare çështjen në diskutim, se kush e kish fajin, sepse kjo do të çonte në një grindje, midis Shqipërisë dhe Rumanisë.
Ajo që ndodhi me vaporin “Mati”, mund të mos ndodhte, në qoftë se pala rumune do t’i kishte shkuar në ndihmë vaporit, që në momentin që iu thye palla e timonit, kur kapiteni i anijes, Adem Jaupi, lajmëroi organet portuale rumune, për defektin e rëndë që pësoi anija në Radën e Konstancës.
Po të kish dërguar kapiteneria e portit të Konstancës rimorkiatorin, ta tërhiqte dhe ta fuste në kalatë vaporin “Mati”, që në momentin kur i ndodhi defekti, nuk do të kishte pësuar asgjë vapori, sepse fortunali, nuk kishte filluar akoma.
KATASTROFA
Si mund të evitohej ngjarja?
Kjo ngjarje mund të mos kish ndodhur fare, në qoftë se kapiteni i vaporit “Mati”, me të konstatuar thyerjen e pallës së timonit të anijes, defekt ky shumë i rëndë dhe kur organet portuale të Konstancës nuk i erdhën anijes urgjent në ndihmë, mos kish qëndruar me në radë, por të hynte direkt në port, në një nga kalatat, ku të mundej.
Për këtë, e shumta mund të kish ngrënë një gjobë nga organet portuale, për hyrje pa leje në port dhe asgjë më shumë. Por me siguri dhe gjobën, nuk do ta paguante, se me atë defekt të rëndë që kish anija, justifikohet në raste të tilla hyrja pa leje e anijes në port, qoftë dhe me forcë, se ajo ishte anije linje dhe porti i Konstancës, në bazë të marrëveshjes dypalëshe shqiptaro-rumune, ishte i detyruar ta pranonte dhe ta fuste sa më parë në kalatë.
Veç kësaj, por kapiteni duhet të kishte lajmëruar të paktën sa më parë ambasadën, pikërisht në momentin që i ndodhi defekti dhe ne do t’i shkonim shpejt në ndihmë, siç i shkuam për dy orë dhe e futnim anijen në port me urgjencë.
Por të jemi të saktë për një gjë, kapiteni i vaporit “Mati” ishte një burrë dhe detar trim, ai ishte i përgatitur, kishte kryer shkollën e lartë të Marinës Tregtare në Bashkimin Sovjetik për drejtim anijesh.
Ai kishte çarë dete dhe oqeane me anijet shqiptare dhe mund të futej dhe pa leje në portin e Konstancës, bile dhe me forcë, por me sa duket, ka menduar të evitonte gjobitjen e anijes dhe nuk pandehu se fortunali, do të ishte në ato përmasa, aq i shpejt dhe aq i fuqishëm.
Si përfundim, Shqipëria, si mori paratë për vaporin “Mati, nga shoqëria e sigurimit “Lloyds”, me ato para, vuri dhe të tjera edhe bleu një vapor 16 mijë tonësh, në Republikën Federale Gjermane, që e pagëzoi me emrin “Arbëria”. Me kaq kjo ngjarje, u mbyll.
NDIHMA
Qëllimet e Kinës
Lind pyetja, pse veproi Kina kaq shpejt dhe e mënjanoi atëherë një grindje midis Shqipërisë dhe Rumanisë, për vaporin “Mati”? Kina e bëri këtë, se ajo në atë kohë punonte për të krijuar në Ballkan, “Trekëndëshin Shqipëri – Rumani – Jugosllavi” dhe i hante mendja, se kjo një ditë do të arrihej, duke parë anti sovjetizimin e këtyre tre vendeve ballkanike.
Rumanisë dhe Çausheskut në atë kohë, i pëlqente kjo politikë e Kinës dhe e joshte atë me lloj-lloj deklarata miqësie. Madje Hua Kuo Feni, pak më pas, vizitoi Jugosllavinë dhe Rumaninë.
P A S A P O R T A
“Mati” transportonte konjak, raki dhe cigare!
Vapori “Mati” ishte pesëmijë tonësh, i prodhuar në Gdansk të Polonisë, në hambarë kishte katërmijë e treqind tonë mall: bitum në fuçi, konjak, raki dhe cigare. Në përgjithësi anijet polake, i bëjnë mirë ballë detit, sepse kanë peshkazh të gjerë dhe detarët tanë, kishin shkuar me këtë anije deri në Kinë, Kubë etj.
Ishte anije shumë e fortë dhe marinarëve tanë u erdhi shumë keq kur e braktisën në brigjet e Konstancës në Detin e Zi, i cili e ka marrë këtë emër, jo se është i zi në ngjyrë, sepse siç thotë një këngë ruse; ai është deti më i kaltër në botë, por se në këtë det, kanë ndodhur mynxyra të mëdha në vite, ai ka përpirë shumë gjemijë dhe jetë njerëzish. Memorie.al