Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e trembëdhjetë
Memorie.al / Kur nuk kishte kaluar as një javë nga data 2 korrik e vitit 1990, ku me mijëra shtetas shqiptarë kapërcyen kangjellat e muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe u futën brenda ambienteve të tyre me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria, udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye sekretarin e Përgjithshëm Ramiz Alia, mbajti plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, i cili zhvilloi punimet në datat 6 dhe 7 korrik. Edhe pse rendi i ditës ishte paracaktuar në tre pika kryesore, ku predominonte ajo për zhvillimin e arsimit në Shqipëri, pothuaj gjatë gjithë punimeve të atij plenumi (sidomos te pika 4, “Të ndryshme”), u diskutua dhe u debatua ngjarja e atyre ditëve, e njohur ndryshe si “2 korriku i ambasadave”. Në atë plenum ku merrnin pjesë të gjithë anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretarët e parë të komiteteve të partisë të rretheve, ministra, kuadro kryesorë të sektorit të arsimit, kulturës, shkencës, ekonomisë, drejtues të organizatës së Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, nga aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së, Radio-Televizioni, ATSH-ja etj., mungonin Nimet Cani, Ali Vukatana, Reiz Malile, Shpëtim Çaushi, Zylyftar Ramizi, Qemal Lame, Zef Loka, Pirro Kondi dhe Hekuran Isai, të cilët prej disa ditësh ishin “në terren”, duke “menaxhuar”, ngjarjen e ambasadave.
Pas hapjes së mbledhjes nga Ramiz Alia, fjala iu dha ministrit të Arsimit, Skënder Gjinushit, i cili mbajti dhe raportin përkatës, (“Për përsosjen e sistemit arsimor dhe forcimin e mëtejshëm cilësor të shkollës”), kryefjala e atij plenumi ishte “ngjarja e ambasadave”, duke diskutuar dhe analizuar me detaje se si dhe pse ndodhi ajo, (“roli i agjenturave të huaja”), e deri tek detyrat që dilnin për menaxhimin e asaj situate në ato ditë të nxehta korriku, ku mbi pesë mijë shtetas shqiptarë nga të gjithë rrethet e vendit, ndodheshin në ambientet e brendshme të disa prej ambasadave kryesore në Tiranë, në pritje të largimit nga Shqipëria.
Përveç kësaj, gjatë gjithë asaj mbledhje, por kryesisht në pikën nr. 4 të rendit të ditës, (që u diskutua në seancën e fundit), u morën në analizë edhe disa prej ngjarjeve kryesore që kishin ndodhur në rrethe të ndryshme të vendit gjatë atij viti, si; protestat në Shkodër në muajin janar për heqjen e bustit të Stalinit; ngjarjet në qytetin e Kavajës ku populli i atij qyteti u përlesh me forcat e policisë; arratisjet masive nga kufijtë shtetërorë me Jugosllavinë e Greqinë, grumbullimet masive në vende të shenjta fetare, si Kisha e Shën-Ndout në Laç të Kurbinit; lejimi me ligj i besimeve fetare dhe hapja e objekteve të kultit; apo probleme të tjera që shtroheshin për zgjidhje, si; bisedimet e faktorin ndërkombëtar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-ës, Bashkimin Sovjetik, (bisedimet e zhvilluar me zv. ministrin e Jashtëm sovjetik në Sofie nga Sofokli Lazri); problemi i Kosovës; presioni ndërkombëtar për hapjen e Shqipërisë me botën dhe aderimi i saj në disa konventa ndërkombëtare; privilegjet e udhëheqjes së lartë të PPSH-së e familjeve të tyre që jetonin kryesisht në “Bllok”; fjalët që qarkullonin në popull për familjen e Enver Hoxhës dhe raportet e Ramizit me Nexhmijen; ndryshimi i legjislacionit dhe kodit penal; lirimi i të burgosurve politikë; pisja me pasaporta e shtetasve që kërkonin të dilnin si vizitorë tek të afërmit e tyre jashtë vendit; mekanizmi i ri ekonomik; strehimi dhe zënia me punë e shumë shtesave në të gjitha rrethet e vendit; dhënia e tokës dhe bagëtive fshatarësisë kooperativiste; e deri të furnizimi i popullsisë së qyteteve me produktet bazike ushqimore e mallrave të ndryshme industriale.
Siç do të shohim dhe nga dokument arkivore që i përkasin plenumit të 11-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilat theksojmë se publikohen për herë të parë, përveç udhëheqjes dhe disa prej funksionarëve të lartë të asaj kohe, në atë mbledhje kanë diskutuar apo janë përmendur edhe disa figura të tjera të larta që vazhduan karrierën e tyre politike edhe pas viteve ’90-të, si p.sh.; Skënder Gjinushi, Fatos Nano, Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Gramoz Pashko, Spiro Dede, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Moikom Zeqo, Mehmet Elezi, Lisen Bashkurti, Koço Kokëdhima, Ylli Popa, Aleks Luarasi etj.
Po kështu në dosjen voluminoze të këtij plenumi, me mjaft interes janë edhe ato dokumente që i përkasin sekretarëve të Komiteteve të Partisë së rretheve apo “Grupit të informacionit” të cilët kanë shkuar në të gjitha rrethet e vendit dhe kanë evidentuar të gjitha problematikat kryesore që kanë dalë në mbledhjet e organizatave bazë të partisë, ku është diskutuar “Mbi letrën e Komitetit Qendror”, dokumente që përbëjnë dhe pjesën më të madhe dhe gjithashtu më të rëndësishme të dosjes në fjalë. Madje mund të thuhet nga më të rëndësishmet të gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, pasi ajo periudhë kohe me ngjarjet që u zhvilluan, shënoi dhe prologun e rënies së atij regjimi.
Po kështu me mjaft interes janë dhe dokumentet që i përkasin seancës së fundit të asaj mbledhje me pikën nr. 4 të rendit të ditës “Të ndryshme”, e cila përbën edhe pikën më të nxehtë të gjithë plenumit, ku u diskutua, madje me debate të ashpra, edhe lirimi nga detyrat dhe nxjerrën në pension të tre anëtarëve të Byrosë Politike (Rita Marko, Manush Myftiu dhe Prokop Murra), apo lirimi nga detyrat ministrore apo funksionet e tjera të larta që mbanin prej vitesh të disa “udhëheqësve” të tjerë, si Simon Stefani, Pali Miska, Muho Asllani, Lenka Çuko, Vito Kapo, Pirro Kondi, Jovan Bardhi, etj., dhe emërimin e “shokëve të rinj” në udhëheqjen e forumet e larta të Partisë dhe Shtetit, si; Xhelil Gjoni, Abdyl Backa, Niko Gjyzari, Kiço Mustaqi, etj. Lidhur me këto etj., na njohin dokumente në fjalë të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
PROCES-VERBALI I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 11 TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, I MBAJTUR NË DATAT 6 DHE 7 KORRIK 1990
- TË NDRYSHME
- Disa çështje të situatave të sotme dhe problemet politike që rrjedhin prej tyre.
SHOKU SOFOKLI LAZRI: Edhe në kohën e Luftës të tillë njerëz shkonin për të sqaruar masat nëpër biseda e nëpër familje. Jam dakord edhe me mendimin që të krijohen disa shtabe të posaçme për këto situata. Edhe Gensheri në Gjermani po krijon një shtab për gjendjen e krizës në Shqipëri, ndërsa ne nuk po lëvizim edhe në këto situata. Sidomos në Tiranë duhet krijuar sa më parë një shtab me tre-katër veta për këtë qëllim.
Në këtë shtab mund të ketë një shok nga komiteti i Partisë, një nga Ministria e Punëve të Jashtme, nga Ministria e Punëve të Brendshme etj. Situatën duhet ta kemi në dorë. Duhet kujdes, sidomos shokët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të kenë kujdes e të mos bien në gabime, në provokacione të armiqve etj. Në çdo rast të veprohet me logjikë e me urtësi, por dhe të mbahet qëndrim i vendosur në atë çështje ku kemi të drejtë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe atje, në Ministrinë e Jashtme, duhet krijuar një shtab.
SHOKU JOVAN BARDHI: Kisha një mendim, shoku Ramiz. Ne kemi një përvojë të hershme për agjitacionin e vogël që bëhej me njerëzit kokë më kokë. Ky lloj agjitacioni sot po mungon në Tiranë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Sot po mungojnë, si agjitacioni i madh dhe i vogli.
SHOKU JOVAN BARDHI: Në Tiranë ka 25 mijë komunistë, të cilët do të bëjnë punë të madhe, në qoftë se do të aktivizohen për këtë qëllim.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pikërisht për këtë çështje po shqetësohemi, se puna e komunistëve nuk po ndjehet në këtë situatë. Ata janë në tërheqje, janë të trembur. A nuk e ndjeni ju këtë?!
SHOKU JOVAN BARDHI: E ndjejmë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Duke filluar që nga sekretarët e komiteteve të Partisë të rajoneve mund të themi se janë në tërheqje, nuk janë në ballë të luftës. Kostandini e tha mirë që kjo situatë kërkon nerv për t’i ngritur njerëzit në këmbë. Nuk shtrohet çështja që të krijohet alarm, por të luftojmë më me shumë kurajo e trimëri dhe trimëria tregohet me urtësi, me gjakftohtësi. Njeriu nuk bëhet trim nga gjaknxehtësia e as duke përplasur duart. Trim është ai që i parashikon rreziqet, të këqijat e me gjakftohtësi përgatitet t’i parandalojë, t’u bëjë ballë.
Por edhe kjo gjaknxehtësi kërkon nerv, që të luftosh deri në fund, që t’i zgjedhësh me maturi fjalët e mjetet e luftës. Gjakftohtësia e urtësia nuk kanë asgjë të përbashkët me apatinë. Komunistët duhet të shtrohen të bisedojnë me njerëzit, të gjejnë e të zgjedhin gjuhën e përshtatshme për këto biseda dhe jo të bërtasin: “Ç’na bënë vagabondët”!! Është e lehtë t’i quash “vagabondë”, të gjithë ata që u përfshinë në këto ngjarje. Më e vështirë është të punosh me njerëzit e tjerë në qendrat e punës së tyre, në rrethin fisnor, në opinionin e ngushtë shoqëror, të gjesh gjuhën e përbashkët, të përdorësh fjalën e opinionit të shëndoshë për t’i ngritur të gjithë kundër veprimeve të tilla.
Atje ku krijohet një atmosferë e përshtatshme, mund edhe t’u thuhet: “Ejani t’i bëjmë bashkërisht një telegram Partisë”! Kështu ngrihet edhe morali i njerëzve, sepse ka edhe njerëz që bien shpejt moralisht, ka nga ata që alarmohen e frikësohen dhe e përcjellin tek të tjerët këtë ndjenjë alarmi. Prandaj secili nga ne në këto momente duhet të jetë pranë njerëzve, t’i sqarojë e t’u japë kurajo.
SHOQJA NEXHMIJE HOXHA: Edhe Radiotelevizioni nuk duhet të mjaftohet me ato emisione lajmesh që dha mbrëmë për këtë çështje. Këto emisione duhet të pasurohen e të përsëriten.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, duhet të përsëriten emisione të tilla. Ato janë mjaft të efektshme në këto momente. Duhet luftuar me të gjitha format për të afirmuar opinionin e shëndoshë. Ndërkohë të bëhen edhe takime e mbledhje me popullin, ku të shtrohen mendime e të dalin konkluzione për qëndrimin që duhet mbajtur. 60 anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë ndodhen këtu, në këtë sallë. Sikur secili nga ne të shkojë në një qendër pune, do të ngrihet në këmbë një opinion i tërë. Njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë fjalën e Partisë. 25 mijë komunistë dhe gati 30 mijë kuadro që ka Tirana janë një ushtri e madhe agjitatorësh. Prandaj ka mundësi të organizohet një punë e kujdesshme dhe e matur, që gjendjen ta kemi në dorë.
Shokët Pirro Kondi, Naunka Bozo, Nimet Cani e shokët e tjerë të Tiranës që janë anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë, duhet të jenë të ndërgjegjshëm se gjendja në Tiranë u ka ikur nga duart. Puna e Partisë është mjaft e dobët jo vetëm ndërmjet intelektualëve, por edhe në organizatat e Partisë në qendrat e punës. Kjo gjendje duhet parë me sy kritik se shokët e aparateve të Partisë janë mësuar të mbledhin vetëm sekretarët e organizatave dhe e quajnë punën të mbaruar, pa njohur gjendjen reale. Nuk mjafton që sekretarët të mblidhen formalisht, ata duhen bindur që të punojnë me njerëzit e të luftojnë të gjithë së bashku për zgjidhjen e problemeve.
SHOKU FARUDIN HOXHA: Unë jam plotësisht dakord me të gjitha sa u thanë këtu, po desha të shtoj diçka për çështjen e lidhjes së kuadrove me popullin. Mbështes plotësisht shqetësimin Tuaj të madh, shoku Ramiz, se vihet re një farë shkëputjeje e kuadrove nga masat.
Kritika: 1. Radiotelevizioni shqiptar transmetoi në emisionin e lajmeve pamje të filmuara para ambasadave, ku prindër e të afërm u bënin thirrje njerëzve të tyre të dilnin prej andej dhe shprehnin urrejtjen kundër të huajve që nxitën e organizuan këto veprime armiqësore.
Fjala juaj është shumë e drejtë. Ne, kuadrot duhet të jemi më modestë, t’i afrohemi tabanit të njerëzve e traditës së popullit. Fëmijët tanë nuk po e njohin realitetin e janë mospërfillës ndaj të tjerëve, se hipin nëpër vetura. Ata nuk e njohin as rrugën e trenit deri në Durrës, se për të shkuar atje përdorin makinat tona. Qëndrime të tilla na largojnë nga populli.
SHOKU VASIL ANAGNOSTI: Pse i lejojmë këto qëndrime?
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe ju në Sarandë keni të tilla probleme.
SHOKU FARUDIN HOXHA: Është për të ardhur keq që në heshtje zhvillohet një garë ndërmjet kuadrove se kush do ta blejë veturën më të mirë dhe veturat tona janë lloj-lloj modelesh, kur edhe autobuzat urbanë në Tiranë vonohen e krijojnë vështirësi për lëvizjen e njerëzve. Kam mendimin që ne, ministrat, mund të lëvizim për të kryer punët edhe me “Aro”, mbase nuk është nevoja që t’i përdorim veturat.
Njerëzit nuk na shohin me sy të mirë, kur bredhim me vetura. Ky luks nuk është përgjigja juaj shumë e drejtë. Ne, kuadrot duhet të jemi më modestë, t’i afrohemi tabanit të njerëzve e traditës së popullit. Fëmijët tanë nuk po e njohin realitetin e janë mospërfillës ndaj të tjerëve, se hipin nëpër vetura. Ata nuk e njohin as rrugën e trenit deri në Durrës, se për të shkuar atje përdorin makinat tona. Qëndrime të tilla na largojnë nga populli. Fëmijët tanë duhet t’i hipin autobusit për të shkuar në shkollë apo në punë.
Në qoftë se kanë mundësi të shkojnë edhe me biçikleta, po jo me vetura në një kohë kur vështirësitë për lëvizjet nëpër qytet nuk janë të vogla. Duke qenë më pranë popullit jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, i shërbejmë më mirë Partisë dhe detyrës që na është besuar. Ne kemi nevojë edhe të na grisen këpucët, edhe të na lodhen këmbët. Kështu popullit nuk do t’i flasim me shumë nëpër mbledhje, por me veprat e shembullin tonë.
SHOKU VASIL ANAGNOSTI: Pse i lejojmë këto qëndrime?
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe ju në Sarandë keni të tilla probleme.
SHOKU FARUDIN HOXHA: Fëmijët tanë duhet t’i hipin autobusit për të shkuar në shkollë apo në punë. Në qoftë se kanë mundësi të shkojnë edhe me biçikleta, po jo me vetura në një kohë kur vështirësitë për lëvizjet nëpër qytet nuk janë të vogla. Duke qenë më pranë popullit jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, i shërbejmë më mirë Partisë dhe detyrës që na është besuar. Ne kemi nevojë edhe të na grisen këpucët, edhe të na lodhen këmbët. Kështu popullit nuk do t’i flasim me shumë nëpër mbledhje, por me veprat e shembullin tonë.
SHOKU HARILLA PAPAJORGJI: Kisha edhe unë nja dy mendime. Isha në një mbledhje në Kombinatin e Tekstileve dhe më ngritën çështjen që atje ka shumë kuadro. Në kombinatin e drurit “Misto Mame” kishin ngritur çështjen se duket sikur ka një zbutje të luftës së klasave. Ose disa njerëz ankohen se policët tanë pranë ambasadave mbajnë tjetër qëndrim në mëngjes e tjetër mbas-dite. Po kështu punëtorët nëpër mbledhje kanë bërë vërejtje e kritika se disa qëndrime e sjellje të pahijshme janë nxitur edhe nga artikujt që shkruhen nëpër gazeta, si ato për kërcimin “rrok”, për mbajtjen e flokëve të gjata etj.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ka shumë konstatime të tilla. Po ti a kishe ndonjë konkluzion apo propozim konkret për këto çështje.
SHOKU HARILLA PAPAJORGJI: Një pjesë e mirë e banorëve në lagjen e Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, nuk kanë ujë të pijshëm.
SHOKU RAMIZ ALIA: E qartë.
SHOKU ABDYL BACKA: Më falni, shoku Ramiz, desha të sqaroj se në përgjithësi në takimet që kanë patur shokët tanë me kolektiva punonjëse lidhur me ngjarjet e ambasadave njerëzit prononcohen menjëherë me vijën e Partisë dhe shprehin shqetësimin e mbarë shoqërisë për këto probleme, pastaj ngrenë edhe probleme e shqetësime të tjera të punës e jetës së përditshme.
SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj mos i ngatërroni këto dukuri. Ne nuk duhet të biem në pozitat e atyre që ankohen e ngrenë vetëm shqetësime, nuk duhet të bëhemi robër të fjalëve e komenteve. Edhe në informacionet që na vijnë kam vënë re që ka më shumë konstatime, se sa probleme thelbësore. Duhet kuptuar thelbi i situatave të sotme, ndryshe nuk mund të luftojmë për t’i kapërcyer vështirësitë. Për shembull, ti Harilla, ngrite këtu çështjen e ujit të pijshëm, e cila nuk mund të zgjidhet menjëherë?
A ke ti gjë në dorë për ta rregulluar këtë çështje brenda javës apo brenda muajit, në një kohë që burimet janë shterur nga thatësira?! Po u futëm në këto çështje, do të biem në teorira, se praktikisht nuk mund t’i zgjidhim menjëherë. Natyrisht duhen luftuar e stigmatizuar ato të meta e dobësi që ekzistojnë e që janë subjektive, por duhet edhe të jemi të ndërgjegjshëm se vështirësi ka e do të ketë më shumë. Edhe më parë kemi pasur vështirësi, por kundër tyre kemi luftuar me patriotizëm dhe kemi ditur t’i kapërcejmë.
Mos kishim më pak vështirësi në kohën kur vepronin në Shqipëri bandat e diversantëve, apo kur çdo ushqim jepej me triska? Ajo kohë ka qenë shumë e rrezikshme. Po suksesi i punës sonë u arrit sepse në situata të tilla, tepër të vështira është parë me përparësi çështja e patriotizmit. Prandaj edhe sot duhet dalluar se cila çështje ka dalë në plan të parë. Dhe kur themi se duhet të shkrihemi me masën, duhet luftuar bashkë me masat, pikërisht për këtë qëllim të madh, për mbrojtjen e lirisë, të pavarësisë e të dinjitetit kombëtar.
Mirë tha Farudini, populli duhet të na shohë ne, kuadrot se si ecim në këmbë bashkë me të, se si i kalojmë bashkë vështirësitë, se si i mbrojmë interesat e tij e të atdheut. Por po të rrimë e të numërojmë vetëm vështirësitë, po të presim të na vënë vështirësitë përpara, duket sikur i justifikojmë të gjitha veprimet që ndodhën, dhe “mrekullitë” i presim nga dikush tjetër. Jo populli nuk na i fal gabime të tilla. Populli kërkon të jemi të thjeshtë e luftëtarë përkrah tij, për të kapërcyer çdo vështirësi.
SHOKU KOSTANDIN HOXHA: Unë mendoj, shoku Ramiz, se jo vetëm duhet të shkojmë e të japim llogari përpara masës, siç e kanë kuptuar disa shokë, por edhe t’i bëjmë apel ndjenjës patriotike të klasës punëtore, të tërë masave tona punonjëse.
SHOKU ABDYL BACKA: Disa probleme jetësore, si ato që thanë shokët janë shqetësuese, por nuk mund të zgjidhen menjëherë. Për zgjidhjen e tyre duhet të mobilizohen të gjithë, duhet të merret dhe ndonjë masë e posaçme. Por, mbi të gjitha, duhet drejtësi shoqërore, duhet edhe një frymë sakrifice e patriotizmi. Problemet e strehimit, të punësimit dhe të furnizimit të tregut janë nga më të mprehtat dhe më të vështirat për t’u zgjidhur menjëherë, ndaj duhen bindur njerëzit.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë.
SHOKU HAMIT SHANKU: Desha të them edhe unë shkurt disa mendime. Në radhë të parë ndjej përgjegjësinë time që nuk mora pjesë në gjyqin që u zhvillua në kombinat.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë, rregulloji tani ato çështje.
SHOKU HAMIT SHANKU: Jam dakord edhe me kritikat që bëtë Ju dhe shokë të tjerë për kuadrot që i krijojnë vetes privilegje. Kam mendimin që secili, duke filluar që nga unë t’i kthejë vetes pasqyrën dhe të shikojë e të korrigjojë gabimet që ka. Ndërsa për çështjen e zbatimit të mekanizmit të ri ekonomik kisha një shqetësim që e kam ngritur dhe në komitetin e Partisë të rajonit. Drejtuesit e ndërmarrjeve nuk duhet ta përdorin këtë mekanizëm për të ngatërruar punët e Partisë, por, përkundrazi, për t’i ndrequr ato.
Drejtorët e ndërmarrjeve duhet t’i vënë gjoksin punës. Duhet të pranojnë në punë edhe njerëz që kanë dalë nga burgu, edhe nga ata që aktualisht janë të papunë, ndryshe nuk zgjidhen problemet shoqërore që kemi. Në kombinatin tonë do të pranojmë në punë 200 punëtorë të tillë. Por ka shumë drejtues që u mënjanohen shqetësimeve e përpiqen t’u nxjerrin pengesa njerëzve që duan të hyjnë në punë duke u justifikuar me vështirësitë për sigurimin e bazës materiale. Unë mendoj se për këto çështje përgjegjësinë kryesore e kemi ne që drejtojmë. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm




















