Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e gjashtë
Memorie.al/ Plot 36 vite më parë, në javën e fundit të shtatorit 1990, kreu i Shqipërisë komuniste të asaj kohe, Ramiz Alia, i cili mbante funksionet e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së e gjithashtu të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në krye të një delegacioni të madh, u nis për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Pjesëmarrja e Ramiz Alisë në sesionin e 45 të OKB-së, pati një jehonë të madhe asokohe, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare, pasi ishte hera e parë që një nga udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, merrte pjesë në punimet e Asamblesë së OKB-së, gjë e cila nuk kishte ndodhur që nga viti 1961, kur Tirana zyrtare u përfaqësua në atë forum të lartë të politikës dhe diplomacisë botërore, me kryeministrin e asaj kohe Mehmet Shehu.
Edhe pse kanë kaluar 36 vite nga ajo kohe, ende dhe sot vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, pasi me përjashtim të ndonjë dëshmie të pjesëtarëve të atij delegacioni (kujtimet e Reiz Mailes, apo Lisen Bashkurtit), si dhe fare pak dokumenteve arkivore të publikuara në shtyp, asgjë tjetër nuk dihet rreth vizitës së kreut të shtetit shqiptar të asaj kohe, Ramiz Alia, në sesionin e 45 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, i cili i zhvilloi punimet për rreth tre javë rresht, deri në mesin e muajit tetor 1990.
Si p.sh.; Kur filloi përgatitja dhe përpilimi i protokollit përkatës për pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar në atë forum të lartë të politikë botërore, kush ishin pjesëtarët e tjerë të delegacionit që shoqëruan Ramiz Alinë në atë udhëtim të gjatë përtej Atlantikut dhe çfarë funksionesh mbanin ata; prej sa personash përbëhej stafi ndihmës që shoqëroi delegacionin shqiptar dhe cilët ishin ata?! Kur filloi përgatitja dhe çfarë përmbante programi i vizitave dhe takimeve të Ramiz Alisë gjatë gjithë periudhës që ata do të qëndronin në SHBA-ës? A u realizua i gjithë ai program sipas protokollit përkatës dhe cilët ishin krerët e delegacioneve të huaja që takoi Ramiz Alia gjatë gjithë ditëve të qëndrimit në SHBA-ës e, çfarë bisedoi ai me ta? Kush ishin shqiptarët e “mërgatës së vjetër”, me të cilët u takua kreu i Shqipërisë komuniste gjatë asaj vizite, çfarë u bisedua në ato takime dhe a pati incidente me “mërgatën reaksionare shqiptare”, të arratisur nga Shqipëria pas vitit 1945? Kush e organizoi pritjen që dha Ramiz Alia për bashkatdhetarët në Boston, cilët ishin disa nga eksponentët e mërgatës shqiptare që asistuan aty dhe si shkoi ai takim?
Cili ishte itinerari i udhëtimit të delegacionit shqiptar nga Tirana drejt SHBA-ës, përse u ndanë ata në disa grupe dhe arsyet e qëndrimit një natë në Zvicër? Përse ishte pjesë e delegacionit shqiptar, edhe Arben Alia, i biri i kreut të shtetit, Ramiz Alia dhe si u “justifikua” pjesëmarrja e tij në përbërje të delegacionit në fjalë? Sa dhe cilat ishin dhuratat që mori me vete delegacioni shqiptar me në krye Ramiz Alinë dhe kujt iu dhuruan ato në Zvicër e SHBA-ës? Përse u caktua Hotel “Plaza” (hoteli në pronësi të presidentit të sotëm të SHBA-ës, Donald Trump), për akomodimin e Ramiz Alisë dhe disa pjesëtarëve të tjerë të atij delegacioni? Sa kushtoi nga ana financiare e gjithë ajo vizitë, përse u shtuan fonde të tjera gjatë periudhës që delegacioni ndodhej në SHBA-ës dhe si u justifikuan ato shpenzime?
Përse stafi i diplomatëve shqiptarë që shërbenin në Misionin e OKB-së, u kujdesën që t’i jepnin Ramiz Alisë dhe një planimetri të saktë të sallës ku do mbahej sesioni i 45 i OKB-së, duke i përcaktuar edhe vendin ku do ulej përfaqësuesi kryesor i delegacionit të Republikës Federative të Jugosllavisë?! Kush ishin dy truprojat (mjeku dhe shoferi) që shoqëruan Ramiz Alinë gjatë gjithë asaj vizite dhe si u bë e mundur që ata të udhëtonin në avion me armatim dhe municion me vete? Cilët ishin pjesëtarët e grupit të xhirimit të Radio-Televizionit Shqiptar që shoqëruan delegacionin dhe çfarë detyrash iu dhanë atyre? Lidhur me këto etj., na njohin dokumentet arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROTOKOLLIN E TAKIMEVE TË KREUT TË SHTETIT SHQIPTAR, RAMIZ ALIA, GJATË VIZITËS SË TIJ NË NË SHBA
Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor:
- Me Dr. Armand Hammer, kryetar e shef ekzekutiv i korporatës amerikane “Occidental Petroleum Corporation”, datë 27.9.1990
- Me presidentin turk, Turgut Özal, datë 27.9.1990
- Me ministrin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, Eduard Shevardnadze, datë 27.9.1990
- Me ministrin e Punëve të Jashtme të Kinës, Qian Qichen, datë 28.9.1990
- Me kryetarin e Sesionit të 45-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Guido de Marco, dt. 28.9.1990
- Me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Javier Pérez de Cuéllar, datë 28 shtator 1990
- Me presidentin e Rumanisë, Ion Iliescu, dt. 28.9.1990
- Me kryeministrin e Finlandës, Harri Holkeri, datë 29.9.1990
- Me presidentin e Tanzanisë, Ali Hassan Mwinyi, datë 29.9.1990
- Me zv/presidentin e Korporatës së Naftës “Occidental Petroleum”, Jerome Williams, dt. 29 shtator 1990
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E TAKIMIT MIDIS KREUT TË SHTETIT SHQIPTAR, RAMIZ ALIA DHE DR. ARMAND HAMMER, SHEF EKZEKUTIV I KORPORATËS AMERIKANE “OCCIDENTAL PETROLUM’, QË U ZHVILLUA NË HOTELIN “PENINSULA”, NJU JORK
NGA TAKIMI I SHOKUT RAMIZ ALIA ME Dr. ARMAND HAMMER
Më datën 26.9.1990, kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, shoku Ramiz Alia, u takua me Dr. Armand Hammer, kryetar e shef ekzekutiv i korporatës amerikane “Occidental Petroleum Corporation” me kërkesën e këtij të fundit. Ky takim u kërkua nëpërmjet qytetarit amerikan me origjinë shqiptare, punonjës i kësaj kompanie, Michael Kute. Ai u zhvillua në zyrën e Dr. A. Hammerit në Nju Jork.
Pas përshëndetjeve të rastit, Dr. A. Hammeri bëri një sërë pyetjesh:
Dr. A. Hammer: A do të shkoni edhe në Uashington gjatë qëndrimit tuaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Do të ishte mirë t’u priste presidenti Bush.
Shoku Ramiz: I tha se edhe ai do të dëshironte me kënaqësi ta takonte, por se nuk ishte folur akoma për një takim të tillë nga pala amerikane. Pastaj i tregoi për bisedimet e kontaktet që janë ndërmarrë me palën amerikane për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Dr. A. Hammer: Do t’i bëj një letër me faks presidentit Bush e do t’i them që të takohet me ju, sepse kjo është shumë e rëndësishme. Unë kam mësuar për ndryshimet që po ndodhin në vendin tuaj. Kam mësuar edhe për vendimet që keni marrë për të lejuar investime të huaja, projekte të përbashkëta etj. Dua të di si i keni marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, a janë miqësore? Po për Gorbaçovin ç’mendim keni?
Shoku Ramiz Alia: Tani marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik sapo i kemi rivendosur e, po i normalizojmë. Kemi filluar edhe marrëdhëniet tregtare, të cilat janë në një stad fillestar, por besojmë se ato do të zhvillohen.
Dr. A. Hammer: Cili është qëndrimi i Shqipërisë lidhur me agresionin e Irakut e me aneksimin e Kuvajtit?
Shoku Ramiz Alia: Ne kemi qenë e jemi kundër këtij agresioni e pushtimin e Kuvajtit. E kemi dënuar si një akt tepër të dënueshëm. Atë ne e konsiderojmë si një me precedent shumë të rrezikshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, prandaj edhe e kundërshtojmë me forcë.
Dr. A. Hammer: Më vjen shumë mirë që mbani një qëndrim të tillë. Ky qëndrim juaji do t’i bëjë përshtypje të mirë edhe presidentit Bush. Atë unë e njoh prej shumë vitesh. Është njeri shumë i mirë dhe lufton shumë për bashkë-ekzistencën paqësore dhe paqen. Shpresoj se në dhjetor të këtij viti Bushi do të shkojë në Moskë e, do të nënshkruajë me Gorbaçovin një marrëveshje të re që do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme, për të gjithë botën.
Shoku Ramiz Alia: Ju Dr. Hammer jeni një personalitet shumë i njohur. Kam lexuar shumë për ju. Me shumë simpati kemi ndjekur edhe veprimtarinë tuaj. Ju jeni një personalitet historik. Keni takuar me radhë shumë udhëheqës të botës. Ju gjithashtu njiheni si një personalitet që keni kontribuar në zhvillimin e vendeve të ndryshme. Ky fakt ju jep kredi juve dhe neve na ngjall respekt.
Pastaj Dr. A. Hammer pyeti si është gjendja ekonomike në Shqipëri dhe shoku Ramiz i bëri një ekspoze të shkurtër për zhvillimet e arritura në vendin tonë në këta 45 vjet të jetës së lirë, si dhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Dr. A. Hammer: Si jeni me naftë, a keni prodhim të konsiderueshëm nafte? Ne dimë se në Shqipëri ka naftë, a mund të më thoni se çfarë me interes do të kishte nga ana juaj bashkëpunimi me korporatën tonë, sepse korporata jonë është e interesuar të vijë në Shqipëri, për të parë mundësitë e këtij bashkëpunimi. Cilin duhet të kontaktojmë për këtë? Si quhet ministri juaj i Energjetikës? (Shoku Ramiz i dha emrin e sh. Besnik Bekteshi dhe Dr. Hammer kërkoi adresën e nr. e telefonit të tij).
Shoku Ramiz Alia: ndër të tjera, i tha: “Ne prodhojmë një sasi nafte, por jo të madhe. Dimë se në territorin tonë, në tokë e në det, ka naftë. Por në sektorin e naftës jemi pak prapa, sepse kemi teknikë të vjetër e veçanërisht kemi dobësi në teknologjinë e kërkimit e të shpimit. Për shembull, para se të vija këtu u shpua një pus nafte në 4600 metra thellësi. Në përpunimin që po i bëjmë këtij pusi, ka filluar të marrim prodhim prej tij, por në krahasim me shpenzimet e punën, me këtë thellësi shpimi e presionet që ka, marrim vetëm 10 ton në ditë. Kjo tregon se teknologjia nuk është në nivel, s’jep rendiment.
Nafta në Shqipëri perspektivat do t’i ketë veçanërisht në det. Në det neve nuk kemi filluar fare nga shpimet. Jemi duke përfunduar një marrëveshje bashkëpunimi me një firmë të Republikës Federale Gjermane, por deri tani nuk kemi përfunduar negociatat me të. I kemi caktuar një rajon ku do të bëhen shpimet. Por, siç ju thashë, puna me këtë firmë nuk ka përfunduar akoma. Duket se në këtë mes janë edhe faktorët politikë që influencojnë.
Dr. A. Hammer: Unë do të bisedoj me presidentin e kompanisë sonë, që të hyjë në kontakt me personat përgjegjës në vendin tuaj e, të studiojnë me kujdes çështjen e bashkëpunimit në këtë fushë. Unë mund t’ju siguroj se do ta nxis vetë punën që juve t’ju jepet teknologji më e mirë. Kjo do të ishte rruga më e mirë për të ndihmuar Shqipërinë. Po të ketë naftë ne do të kemi mundësi konkrete t’ju ndihmojmë e të bashkëpunojmë në rrugë të frytshme.
Shoku Ramiz Alia: Në Shqipëri ka naftë. Deri tani për bashkëpunim e prodhim të përbashkët me ne, kanë shfaqur interesim shumë shoqëri nafte të vendeve nordike, të Francës, Italisë, Hollandës etj. Ka pasur e ka interesim edhe nga disa shoqëri nafte të SHBA-së. Me sa di unë, një firmë amerikane, shoqëria “Chevron Overseas Inc.”, po përgatite të dërgojë një grup ekspertësh. Unë do të preferoja kompaninë tuaj. Ne nuk kemi shumë eksperiencë në marrëdhënie ekonomike me shoqëritë e huaja. Luan rol shumë kur i njeh firmat dhe kur njihesh me drejtues të tyre. Tek ju ne kemi besim.
Dr. A. Hammer: Unë që tani po marr në telefon presidentin e kompanisë sonë e, t’më i tregoj për çka po bisedojmë, që të marrë masat të përgatitë punën për të hyrë në kontakt me institucionet e ndërmarrjet përkatëse në Shqipëri. (Pastaj ai foli në telefon me presidentin e firmës, i cili ndodhej në Zvicër e, bisedoi me të për çka po diskutonte me shokun Ramiz dhe i kërkoi të mësonte ku ndodhej zëvendëspresidenti, për ta ngarkuar me ndjekjen e çështjeve).
Shoku Ramiz Alia i vuri në dukje Hammerit se ai vetë do të interesohet sapo të kthehet në Shqipëri e, do të ngarkojë që të marrin masat e duhura për të organizuar pritjen dhe bisedimet me specialistët që do të dërgojë firma e Dr. Hammerit. Ai gjithashtu i vuri në dukje atij, se nga ana e vendit tonë do të kishte gatishmëri të punohej me korporatën e tyre, jo vetëm në fushën e naftës e të gazit, por edhe në atë të mineraleve e në fusha të tjera.
Dr. A. Hammer: Kemi shumë punë për të bërë. Do të na duhet një farë kohe që të bëjmë përgatitjet për dërgimin e njerëzve tanë në Shqipëri, që të bisedojnë e t’i shohin gjërat konkretisht në vend. Unë do t’i porosis vetë. Korporata jonë ka një reputacion shumë të mirë në fushën e zbulimit e të kërkimit të naftës. Ne kemi gjetur naftë edhe atje ku kompani të tjera kanë punuar gjatë e kanë dështuar. Unë do ta ndihmoj vendin tuaj.
Shoku Ramiz Alia i shprehu mirënjohjen dhe pastaj tha: “Ne gjykojmë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona do të jetë një gjë e mirë dhe do t’i hapë më tepër rrugë bashkëpunimit ekonomik dhe punës me firmën tuaj. Këtu ndoshta ju Dr. Hammer, mund të jepni kontributin tuaj për të shpejtuar procesin e përfundimit të vendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve. Gjithashtu ka përfunduar në bisedimet e zhvilluara në kanalet diplomatike.
Kur Dr. A. Hammer e pyeti shokun Ramiz në se kishim miq në SHBA-ës, shoku Ramiz iu përgjigj se nuk kemi miq me kuptimin e plotë të fjalës. I tregoi pastaj për vizitat në Shqipëri të kongresmenit Tom Lantosh dhe të grupit të senatorit D. Dekoncini. Para largimit, Dr. Hammer i dhuroi shokut Ramiz një libër të tij me autografin e vet.
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E TAKIMIT MIDIS KREUT TË SHTETIT SHQIPTAR, RAMIZ ALIA DHE PRESIDENTIT TË TURQISË, TURGUT OZAL, I CILI U ZHVILLUA NË AMBIENTET E HOTELIT “PENINSULA” NË NJU JORK
KONKRETIZIMI I MËTEJSHËM I MARRËDHËNIEVE MIDIS SHQIPËRISË E TURQISË FORCON MIQËSINË MIDIS DY POPUJVE
Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, shoku Ramiz Alia, më 27.9.1990, u takua në Nju-Jork në hotelin “Peninsula” me presidentin turk, Turgut Özal, me të cilin zhvilloi këtë bisedë:
Turgut Özal: Jam shumë i kënaqur që ju takoj. Unë kam pasur takime të ndryshme me ministra shqiptarë që kanë ardhur në Turqi.
Shoku Ramiz Alia: Shoku Adil Çarçani u kthye me përshtypje shumë të mira nga Turqia. Edhe unë kam kënaqësinë e madhe që takohem me ju. Midis dy vendeve tona ka marrëdhënie tradicionale, dhe kjo na gëzon. Në qoftë se në gadishullin ballkanik ka probleme të ndryshme, midis dy vendeve tona, midis Shqipërisë dhe Turqisë, nuk ka asnjë problem politik, përkundrazi, të gjitha premisat janë për marrëdhënie shumë të mira.
Turgut Özal: Në Ballkan historikisht marrëdhëniet më të mira ne i kemi me Shqipërinë. Me zhvillimet e reja që po ndodhin, me ndryshimet që janë bërë e po bëhen në Ballkan, jam përsëri i sigurt se ne do t’i rrisim e do t’i zgjerojmë marrëdhëniet. Besoj se do të vizitoni edhe vendin tim Turqinë e do të jem shumë i lumtur t’ju pres. Ka shumë shqiptarë në Turqi, të cilët janë njerëz shumë të mirë.
Shoku Ramiz Alia: Është e vërtetë që shqiptarët janë shumë të mirë, ne gëzohemi shumë që ata kanë emër të mirë në Turqi. Kjo gjë përbën një element që marrëdhëniet midis dy vendeve tona të jenë shumë të mira. Për sa i përket vizitës sime në Turqi, e pranoj me kënaqësi shumë të madhe ftesën, por do të dëshiroja t’ju prisja juve në Shqipëri, sepse e kishit në plan.
Turgut Özal: Vizita e parë që do të bëj në Ballkan do të jetë në Shqipëri.
Shoku Ramiz Alia: Dakord. Vizita juaj do të jetë një ngjarje e madhe politike në kuadrin e marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve tona.
Turgut Özal: Dëshiroja t’ju bëj një pyetje, duke ju drejtuar si vëllait tim. Cilat janë ndryshimet politike dhe të tjera që po bëhen në Shqipëri, dhe çfarë problemesh keni?
Shoku Ramiz Alia: Edhe unë do të bisedoj me ju si me vëllanë. Me vëllezërit bisedohet e mira dhe e keqja. Gjendja në Shqipëri, nga ana politike, në radhë të parë, është shumë e mirë. Ne kemi thënë disa herë se Shqipëria ndryshon nga vendet e tjera. Duhet pasur parasysh që ka mbi 30 vjet që jemi shkëputur nga vendet e Lindjes dhe që nga ajo kohë kemi nxjerrë shumë mësime. Në zhvillimin e vendit tonë ne kemi trashëguar një prapambetje të madhe. Shqipërinë ju e njihni dhe s’ka nevojë të futemi në histori, por në vitin 1945 kur u çliruam, s’kishte pothuajse asgjë.
Populli siguronte bukë vetëm për 6 muaj, kur popullsia ishte vetëm 1 milion. Mesatarja e jetës ishte rreth 40 vjeç. Kjo ishte Shqipëria. Dhe për t’arritur në atë çka është bërë sot, na është dashur një punë shumë e madhe. Kemi sakrifikuar shumë, kemi shtrënguar rripin. Kushtet historike kanë qenë të tilla. Ne nuk mund të themi se i kemi miq grekët, sepse ligjin e luftës, që ishte një absurditet, ata e mbajnë deri në vitin 1988. Ishte si gozhda e Nastradinit.
Turgut Özal: A ka popull shqiptar në Greqi?
Shoku Ramiz Alia: Ka pasur shumë, por më 1944 grekët i nxorën jashtë. Në Greqi ka shqiptarë, por janë pak.
Turgut Özal: Po a ka grekë në Shqipëri?
Shoku Ramiz Alia: Po, janë 50 mijë vetë. Ata gëzojnë të gjitha të drejtat si gjithë shqiptarët, as më shumë dhe as më pak. Zhvillimi i vendit tonë ka kërkuar njëkohësisht edhe restrikcione, një centralizim të madh të ekonomisë, një kontroll të madh në përdorimin e mjeteve, në akumulim etj. Tani gjendja ka ndryshuar, Shqipëria nuk është më siç ishte. Jeta mesatare e shqiptarit është 72 vjeç. Ka mundësi që tani të lirohet pak rripi, jo rripi i mesit, por në kuptimin e centralizimit. Pra, po shkohet drejt demokratizimit të mëtejshëm të jetës sociale.
Janë bërë përmirësime në fushën e legjislacionit, për shembull, diçka që më parë konsiderohej krim i rëndë, tani nuk është. Në qoftë se më parë dalja jashtë shtetit ishte më e kufizuar, tani është më pak, njerëzit marrin pasaporta dhe mund të shkojnë jashtë shtetit. Me qëllim që ndërmarrjet të jenë autosuficiente, mund të zhvillohet gjithashtu edhe tregtia e individëve. Më parë nuk lejohej tregtia e vogël private, tani po. Po kështu në fshat, secili ka tokën e vet. Po ecim drejt asaj që të kemi bashkëpunim me të gjithë, bile deri në krijimin e shoqërive të përbashkëta, me financimet nga jashtë etj. Por, jo çdo gjë ecën si në bulevard, se ka boshllëqe, ka gropa, bile edhe të mëdha. Kemi edhe pengesa.
Në këtë botë, sidomos pas ngjarjeve në Evropën Lindore, ka shumë këshilltarë, që këshillojnë ritme të shpejta, sipas gustove të tyre. Ne jemi të mendimit se çdo vend ka traditat e veta, ka bazën e vet ekonomike, politike e sociale. Ndjekja e recetave të të tjerëve sjell pasoja jo të mira. Nxitimet nuk paralajmërojnë kohë të mirë. Ne preferojmë të ecim me hapa të sigurt. Çdo lloj perturbacioni i brendshëm mund të shkaktojë shqetësime jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan e më gjerë. Të marrim situatën në Jugosllavi. Populli shqiptar në Kosovë, është i diskriminuar, i burgosur.
Turgut Özal: Sa është numri i shqiptarëve në Kosovë?
Shoku Ramiz Alia: Tre milion, sa ç’janë edhe në Shqipëri.
Ne duhet të tregohemi të kujdesshëm, me qëllim që rezultatet në vendin tonë të jenë sa më të mira, të mos e vëmë këmbën në boshllëk, por ta hedhim në taban të mirë e të fortë, kjo është filozofia jonë.
Turgut Özal: Kur isha kryeministër kam takuar ministrin tuaj, zonjën Kapo, dhe me sa kujtoj në Shqipëri nuk lejohej marrja e kredive nga jashtë. A ka ndryshim në këtë drejtim?
Shoku Ramiz Alia: Po, ka ndryshim. Me ligje të veçanta janë bërë ndryshime. Në muajin tetor do të mblidhet Kuvendi ynë Popullor dhe do të propozohet nga ana e Presidiumit të Kuvendit Popullor, të krijohet një komision për t’rishikuar disa çështje të kushtetutës, kemi parasysh disa nene që to mos bien në kundërshtim me ato gjëra që kërkon zhvillimi i vendit. Ne po veprojmë me firma të veçanta, në mënyrë që ato të investojnë kapital të huaj në Shqipëri. Në qoftë se Turqia dëshiron një gjë të tillë, ne do ta mirëpresim.
Turgut Özal: I kam thënë edhe kryeministrit shqiptar se jemi gati për të ndihmuar, jemi të gatshëm për vizita reciproke, në vartësi të kushteve dhe në nivele të ndryshme. Unë për shembull jam dakord që të sjellim grupe ekspertësh të flasin me njerëzit tuaj, edhe tuajt të vijnë në Turqi, të shohin ato që kemi bërë. Në qoftë se gjatë këtyre bisedimeve kërkohet mbështetja jonë, bile edhe në aspektin financiar, ne me kënaqësi do ta bëjmë një gjë të tillë. Dihet se gjërat bëhen nga vetë populli i një vendi dhe nga jashtë mund të vijë vetëm një farë ndihme.
Si dihet, më 1923 kur u themelua republika turke, pas Luftës Ballkanike, Luftës së Parë Botërore e luftërave të tjera, i gjithë Anatolli ishte pazhvilluar, nuk kishte industri, populli ishte fshatar ose ushtar, tregtia bëhej nga armenët, grekët ose çifutët. Pas krijimit të republikës na u desh shumë kohë, kemi bërë ndryshime të mëdha. Sot jemi 57 milion banorë, me një shtesë popullsie 2.2 për qind, pra me sa di, sa e juaja.
Ndryshime të mëdha ndodhën këto 10 vjetët e fundit në Turqi, kaluam gjerësisht në tregtinë e tregut të lirë. Tani paraja turke është e konvertueshme, si të gjitha paratë e tjera, si ajo gjermane etj. Kemi një numër të madh universitetesh. Numri i përgjithshëm i atyre që ndjekin shkollën është mbi 13 milion, pra më shumë se gjithë popullsia e Greqisë. Sot kemi një industri të madhe, prodhojmë vetë shumë gjëra, eksportojmë një numër të madh produktesh, duke filluar nga tekstilet, pajisjet elektrike e deri tek fibrat dhe çeliqet.
Ne, nëpërmjet shoqërive tona të mëdha të ndërtimit, ndërtojmë jo vetëm në Turqi e në vendet arabe, por edhe në Rusi dhe këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi gjithashtu një industri të zhvilluar për mbrojtjen. Po i sugjeroj vëllait tim që në vartësi të secilës fushë nga këto mund të bashkëpunojmë. Është mirë që të dërgohet një ekip ekspertësh turq në Shqipëri para vizitës sime në vendin tuaj.
Shoku Ramiz Alia: Jam plotësisht dakord.
Turgut Özal: Ne kemi përvojë edhe në fushën e turizmit. Besoj se bregdeti juaj është shumë i mirë.
Shoku Ramiz Alia: Kemi një bregdet shumë të mirë, por një infrastrukturë të keqe. Në këtë fushë ka probleme, por mund të kemi edhe këtu bashkëpunim. Jam plotësisht dakord me idetë që dhatë. Ato janë shumë inkurajuese, dhe mendoj se një praktikë e tillë duhet ndjekur. Kanë ekzistuar komisione shqiptaro-turke në fusha të ndryshme, por ato kanë mbajtur shumë fjalime.
Kurse ideja juaj konkrete që të studiohen më përpara gjërat nga grupet, të shihet çfarë është e dobishme jo vetëm në interes të njërës palë, se ne jemi vend i vogël, jeni mbi 50 milion e kuptohet që ne do të fitojmë më shumë, por jam i mendimit që të kihen parasysh interesat e të dy palëve. Marrëdhënieve me Turqinë ne u kushtojmë rëndësi të madhe politike. Ballkani është fuqi baruti, pra bie era barut. Situatat krijohen dhe janë nga më të ndryshmet. Mund të flasim për kohë të bukur, por ka shumë destabilizime.
Turgut Özal: Ju kufizoheni me Jugosllavinë dhe Greqinë?
Shoku Ramiz Alia: Ndërsa përballë, me Italinë. Me Greqinë dhe Jugosllavinë krijohen situata të ndryshme. Me Greqinë dëshirojmë të kemi marrëdhënie të mira. Njeriu fqinjin nuk e zgjedh, por me Greqinë kemi probleme. Urojmë që marrëdhëniet të jenë të mira. Me ardhjen e qeverisë së Micotaqisit, marrëdhëniet nuk janë aq të mira. Erdhi puna që zëvendëskryeministri grek e deklaroi hapur, se tani mund të shtrohet çështja që Jugu i Shqipërisë të bashkohet me Greqinë. Mund të thosha që kjo është një aberracion (marramendje).
Në Tiranë do të bëhet mbledhja e ministrave të Punëve të Jashtme. Ne jemi të interesuar që marrëdhëniet e secilit vend të jenë të pastra. Ne ndjekim vijën që marrëdhëniet të çohen përpara. Gëzohem shumë që presidenti Ozal ka të njëjtat mendime me tonat lidhur me marrëdhëniet midis dy vendeve. Ju siguroj se do t’i forcojmë më shumë këto marrëdhënie. Ato nuk janë në dëm të askujt, as të Greqisë, as të Jugosllavisë, as të Bullgarisë. Ju e thatë vetë që shqiptarët në Turqi janë njerëz të mirë.
Turgut Özal: Gratë e dy kolegëve të mi, janë me origjinë shqiptare.
Shoku Ramiz Alia: Ish-kryetarit të Parlamentit turk, Karaduman, gjatë vizitës që bëri në Shqipëri, së bashku me gruan e tij, u shtrova një drekë. Kur po bisedoja me gruan e tij, ajo më tha se ishte nga Shkodra. Ia ktheva, mos e zgjat më se mund të dalim edhe kushërinj, pasi edhe unë jam nga Shkodra. Ju falënderoj shumë për gjithë ato ide racionale që dhatë. Jam i mendimit që ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve tona, do të punojnë për konkretizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis nesh./ Memorie.al
Marrë me stenogramë
Vijon numrin e ardhshëm






















